Donnerstag, 4. Juni 2015

Poetika e të jetuarit dhe e flijimit për atdhe

Nga Nexhat Rexha

Duke lexuar librin “Astrit Suli simbol i përjetshëm i atdhedashurisë” të autorit Rrahim Sadiku, sikur gjeta të bashkuara pazgjidhshëm etjen e të jetuarit pa rënie e me shumë ngritje dhe fuqinë e flijimit të jetës, për atdhe. Ky libër sikur ndërton legjendën e sikur fuqizon realitetin. Përmes rrëfimit plot ndodhi na e madhëron poetikën më sublime për jetën, atë të përkushtimit e flijimit dhe në e bënë më të kuptueshme esencën e jetës. Ky shkrim letrar-monografik, për dëshmorin e kombit Astrit Sulin, është krijuar mu në kohën, sepse flet për të gjitha kohët. Brenda saj sikur thuhet edhe e pathëna, sikur fjala dhe të bëmat bëhen një me luftëtarin e lirisë. Kjo vjen ngase të shumtën e rasteve dëshmorët lënë gjakun e tyre në vend të fjalës; ngase ata lanë testamentin më të rëndësishëm për atdheun e njerëzit e tyre, me krismat e armës dhe me dëshirën për ta bërë të përjetshme lirinë, si pjesë të munguar në jetën e popullit të tyre. E gjitha rrjedh nëpër vorbull ngjarjesh, sa aktuale aq edhe të pashkëputshme historisë, aq të domosdoshme për sot e për ardhmëri. Për sot e për ardhmëri vjen edhe vepra e shkrimtarit e luftëtarit të lirisë Rrahim Sadiku, e cila, me shkrimet që sjell, na e thellon heroikën brenda shpirtit rinor të Astritit dhe vendosmërinë për ta ndalur tragjedinë shekullore të popullit shqiptar. Autori, që në fillim, paraqet dëshmitë e dëshmorit Astrit Suli, i cili, për fat të mirë ka lënë të shkruar e të ruajtur ditarin e vet. Për ta pasur sa më të pranishëm Astrit Sulin, autori e ka konceptuar veprën ashtu që të ketë rrjedhë kronologjike, edhe pse e ndarë në disa pjesë, e të cilat secila ndasa e të gjitha së bashku, qartësojnë rrugën dhe idealin e luftëtarit të lirisë Astrit Suli.

Në pjesën e titulluar ”Autobiografi e (letrarizuar) e Astrit Sulit”, autori sjell të thelluara artistikisht shënimet e dëshmorit, të cilat janë shumë me rëndësi për jetën dhe shtegtimet e tij, që nga fëmijëria e deri në momentet e rënies në fushën e nderit. Kjo na mundëson të përcjellim formimin e personalitetit të një njeriu të vewantë, që brumoset me atdhedashuri nga trashëgimia e familjes së tij, nga rrethanat e kohës dhe nga grishja e atdheut. Kjo grishje kudo del më e ndjeshmja dhe më e fuqishmja. I lindur e i rritur në ambientin e fshatit, i edukuar në frymën më të shëndosh për punë e jetë, ai zgjedh rrugën e vuajtjeve e vështirësive, po i vetëdishëm dhe asnjëherë i penduar për këtë. Këto shënime autobiografike saktësojnë shpirtin fisnik e real të këtij heroi të veprë e të jetës, të njerëzores e të atdheut. Etjet fëmijënore, shkollimi, si nevojë e si detyrë, familja si vatër e si ngrohtësi zemre dhe atdheu, si dashuri dhe si vizion, janë fushat nëpër të cilat ai ka ndërtuar trasenë e ecjes në jetë dhe asgjë nuk e largon dot nga ajo. Prandaj këto shënime personale e pa ngjyrime të imponuara, japin karakteristikat e njeriut që nuk pushon së ndërtuari, për vete e për të tjerët, rrugën dhe kuptimin e lirisë. E gjitha kjo dëshmon se Astrit Suli di të kuptojë e përjetojë gjithçka më ndryshe, në atë kohë ndryshimesh dhe në atë popull që duhet të ndryshojë e që ka filluar të jetë pjesë e fuqishme e ndryshimeve. Nëpër spektre e fushash kërkimi, ai gjithnjë do më shumë, prandaj lexon, mediton, shpreson dhe punon që të njoh sa më thellë e sa më drejt anët e ndritshme dhe ato të errëta të botës, sidomos të asaj shqiptare. Një pjesë e madhe e këtyre kërkesave i plotësohet duke u ballafaquar me e të mërguarëve shqiptarë në Greqinë e viteve të 90-ta, ku e keqja dhe e mira kacafyten vazhdimisht e ku ligësia njerëzore triumfon më së shpeshti. Ballafqimet e këtilla njohje me njerëzit e me jetën, sa reale aq edhe absurde, krijojnë portretin më të ndriçuar të dëshmorit Astrit Suli. Ai mëson e forcohet nga e gjithë ajo tragjedi që sheh e që ndjen dhe punon në Greqi, ndihmon familjen, shokët e ata që kanë nevojë dhe kudo del shpirti i tij sakrifikues dhe ashtu shpaloset me e plot botën e heroit në formim. Portreti i Astritit sa vjen e madhështohet me brumosjen e idealeve për lirinë e Kosovës, të kësaj pjese të ndarë të shtetit shqiptar. Astrit Suli bëhet kështu simbol gjakimi i njeriut që prhejen më të madhe shpirtërore e fizike e gjen te atdhedashuria. Shëtitjet, puna, mësimi, bisedat, malli për vendlindjen e preokupime të tjera të shumta e bëjnë më energjik, më të etur për liri dhe më të përgatitur për të përballuar sfidat, nëpër të cilat e dërgon urrejtja që gjen te fqinjët grek, krimi që sheh te ideatorët e ideologjisë serbomadhe kundër tokave shqiptarëve dhe te kaosi që një kohë të gjatë e mbulon Shqipërinë. Këto njohje. përjetime e ndëshkime fizike, bëhen kamxhiku që fishkullon vazhdimisht qenien e tij. Duke parë vazhdimisht skena të rënda psikike e fizike, ai mëson dhe forcohet, mbush botën e tij me vendosmëri për luftë e liri. Dhe vëhet në rrugë lirie përmes kërkesave të tij, si letra, trakte e kërkesa, duke synuar ngritur vazhdimisht ngritjen e zërit të ndërgjegjes kombëtare dhe për të ndihmuar luftën wlirimtare që kishte filluar në Kosovë. Këto i gjejmë në kapitullin “Letra që s`patën përgjigje”, ku ai kërkon nga personalitetet më të larta shtetërore përkrahjen konkrete të pushtetarëve për të ndihmuar luftën në Kosovë e për të shpalluar mobilizim të përgjithshëm kombëtar. Letrat e tij i janë dërguar Sali Berishës, Pendeli Majkos e Alfred Moisiut dhe në to ai shtron kërkesa për përkrahje unike, politike ushtarake, për vëllezërit e tokën e Kosovës. Këtë pjesë të librit autori e ka titulluar bindshëm, sepse nuk e hasim kund përgjigjen për këto letra të Astritit.

Është fat i madh që këto shkrime nuk janë zhdukur e nuk është lejuar të mbulohen nga harresa e kohës dhe duke i përjetësuar në libër, ato sikur ndërtojnë një kala të vërtete, për qëndresën tonë të vërtetë,në të kaluarën e largët e të afërt. Themi kështu sepse kjo grishje atdhedashurie dhe kjo lidhje me njerëzit e me kohën na del edhe më e fuqishme te pjesa e shkrimeve “Letra për popullin tim”, Brenda të cilave është paraqitur realiteti i përpjekjeve të pandalura të njeriut tonë dhe aty Astriti na del protagonist plotësisht i përkushtuar për luftën e UÇK-së. Me këto letra rikujtohen fatkeqësitë e popullit të ndarë, tokat e copëtuara, vuajtjet e mjerimet, flijimet e përkushtimet, për të mos lejuar që të shuhet bindja për ardhjen e lirisë. Është madhështore kur këto thuhen nga protagonisti i kësaj lufte, sepse ashtu dëshmohet se ato nuk ishin vetëm fjalë, por ishon më ideal, dashuri, sinqeritet dhe këtë realitet. Dhe ja fjala e tij: ”Apeloj te të gjithë, sa jemi shqiptarë, intelektualë e punëtorë, bujq e minatorë, nxënës e studentë... të gjithë të jemi të bashkuar me UÇK-në, me ushtrinë e Kosovës, fitueses së ardhshme në këtë luftë të madhe. Ushtarët e UÇK-së duhet t`i shohim që tash fitimtarë të denjë të luftës së Kosovës”. Në këto rrethana kohore, Astrit Suli dëshmoi për guximin, sakrificën, e mbi të gjitha tregoi vetëmohimin për të dhënë gjithçka prej vetes, por njëkohësisht kushtrimi i tij është fuqia e të ardhmes, për bashkimin kombëtar.

Në pjesën e librit “Thanë për Astrit Sulin”, Rrahim Sadiku ka meritën prej autori që ka arritur të marrë e shënojë kujtimet e shokëve të luftës. Këto kujtime kanë rëndësinë e madhe për dy arsye; e para se në këto kujtime shpaloset fjala e fundit e dëshmorit të kombit Astrit Suli, kurse e dyta dëshmon se ai ishte luftëtarë në vijën e parë të frontit të luftës në Gorozhub të Rrëzës së Pashtrikut, ku edhe Astriti ra heroikisht, më 27 maj 1999, për t`i dhënë atdheut tonë të gjitha dashuritë e tija. Gjaku i derdhur i Astritit për lirinë e popullit të tij është dëshmi emblematike, për domosdoshmërinë e atdheut të bashkuar. Duke e lexuar librin e Rrahim Sadikut mësojmë, kuptojmë, qartësojmë dhe thellojmë në ne karakterin e atdhetarit të pavdekshëm, sepse autori ka arritur të bashkojë në një rrjedhë të gjitha veprimet, ëndërrimet madhështitë e dëshmorit të kombit. Këtu fjala bashkohet me veprimet konkrete dhe shkrihet në një periudhe kohore të bërë një me pavdekësinë. Me këtë monografi Rrahimi i ka dhuruar kulturës sonë jo vetëm portretin e dëshmorit Astrit Suli, por ai ka dëshmuar nga afërsia faktografinë e rrugës së atdhetarizëm për unifikim e bashkim kombëtar. Gjithçka në faqet e këtij libri rrezaton atdhedashuri, që i jep kuptimin thellësisë kombëtare e njerëzore jetës dhe veprës së kryeprotagonistit të librit. Dhe kur përfundojmë së lexuari librin si tërësi, kuptojmë se heronjtë lindin për të jetuar atdheu dhe këtë lidhshmëri e dëshmojmë para vetes e para botës, duke e treguar ashtu si u zhvillua luftën e drejtë të popullit shqiptar në këtë fundshekull dhe duke i portretizuar si e meritojnë heronjtë e saj.

Më 27 maj 2015

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen