Samstag, 13. Juni 2015

Fenomeni Blushi dhe fenomeni Gjoka

Kritikë dhe Letërsi / Nga Ilirjan Gjika

Pas një sërë veprash të suksesshme në fushën e kritikës dhe të mendimit estetik, të tilla si “Poetika e Budit” (2002), “Proza e Kutelit” (2004), “Trebeshina - ajsbergu i letrave shqipe” (2005), “Sistemi letrar piramidal” ( 2007), “Kadare i Rilexuar” ( 2008), “Kuteli dhe letrarja” (2010), “Martin Camaj - shkrimtaria e tij” (2011); “Migjeni në pakohësi” (2011 ), “Autonomia e kritikës letrare” (2012), studiuesi i mirënjohur, Behar Gjoka, vjen tashmë përpara lexuesit të specializuar me një tjetër botim, me titull “Fenomeni Blushi”.

Libri, me një volum prej 180 faqesh, botuar nga Shtëpia Botuese “UET Press”, trajton jo vetëm veprën e deritanishme të shkrimtarit Ben Blushi, por edhe shkaqet e polemikave dhe të debateve të shumta që shkaktoi ai nga momenti i prezantimit të parë me lexuesin.
“Fenomeni Blushi” është, në vetvete, një studim që përmban një analizë të thellë dhe të plotë të triologjisë së shkrimtarit Ben Blushi. Autori i tij, Behar Gjoka, mund t’i vendoste këtij libri analitik çfarëdo titulli tjetër, por duke guxuar, si gjithmonë, në stilin e vet, ai vendos ta kalojë përsëri “Rubikonin”, dhe ''provokon'' me emërtimin, për të cilin pakujt do t’i kishte shkuar ndër mend, që ta quante Blushin fenomen.


Po përse fenomen?! Ndoshta përcaktimi i Fjalorit Sinonimik të Gjuhës Shqipe edhe mund të na ndihmojë në këtë drejtim. Midis të tjerash, aty theksohet se fenomen quhet shfaqja e diçkaje në natyrë apo shoqëri. Në vijim të kësaj ideje, përcaktimi i Gjokës është mëse i drejtë, sepse për vetë specifikat e tyre, veprat e Ben Blushit kanë lënë gjurmët e tyre në letërsinë tonë.


Sipas Behar Gjokës, duke nisur që nga viti 2008, Blushi, u prezantua fuqishëm me një kryevepër. I tillë ishte romani “Të jetosh në ishull”, i cili, i shkruar ndryshe nga tradita letrare e deriatëhershme, provokoi jo pak debate në kampet pro dhe kundër.


Kështu, Gjoka e konsideron Blushin fenomen, sepse duke u njohur më parë si gazetar apo politikan me emër, një ditë, në mënyrë krejt të beftë, ai u shfaq edhe në fushën e letrave. Por, përsëri ndryshe nga shumë të tjerë, Blushi u prezantua me një roman voluminoz, i cili jo vetëm që bëri jehonë te lexuesi, por gjeti të papërgatitur edhe kritikën letrare.


Jo shumë kohë më vonë, gati pesë vjet nga dalja e romanit të parë të Ben Blushit, do të jetë tashmë Behar Gjoka, i cili merr përsipër të bëjë një analizë të thellë të tij. Dhe jo vetëm që e realizon këtë gjë, por e materializon atë me një studim që të befason për nga brendia dhe formulimi. Kjo sepse vetë vepra e Blushit ka disa specifika të veçanta:


Së pari, studimi i saj kërkon një punë të madhe, për shkak se është një letërsi voluminoze, e cila duke llogaritur të tri romanet, përbën një material prej 1425 faqesh të shkruara.
Së dyti, për nga ndërtimi, ajo është shumë e ndërlikuar, sepse në të ndërthuren disa linja paralele, pa përmendur këtu edhe elemente të tjera të shumta.


Së treti, aty ndeshesh njëkohësisht me mitin dhe antimitin, legjendat dhe historia, epikja dhe dramatikja, realja dhe fantazia. Një element tjëtër që e karakterizon këtë triologji është edhe udhërrëfimi, i cili ndoshta ka ardhur nga ndikimi i publicistikës, një fushë me të cilën Blushi është marrë më parë. Në shumë raste, në rolin e shkrimtarit, ai bëhet protagonist i rrëfimeve të gjata. Si mjeshtër i përshkrimit, Blushi, shpeshherë dhe me qëllim të caktuar e ngadalëson ritmin e zhvillimit të subjektit, duke i marrë një tjetër kohë të çmuar pune studiuesit. Natyrisht që këtij të fundit i mbetet njëkohësisht edhe barra e klasifikimit të veprës letrare, pasi në të kemi një ndërthurje midis të qenit roman historik apo filozofik.


Te Blushi studiuesi has edhe një tjetër vështirësi në studim, sepse ai e lëviz në mënyrë të jashtëzakonshme kontekstin historik të veprës. Por të gjitha këtyre specifikave, Gjoka u del mbanë dhe thekson se triologjia e Blushit përbën një korpus letrar që demitizon historinë e Shqipërisë, duke trajtuar, ndryshe nga ç'jemi mësuar më parë edhe shumë nga personazhet e saj.


Këtu Behar Gjoka është mëse i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij, duke theksuar se Blushi, ashtu si Kadareja, duhet lexuar pa paragjykime, sepse, në fund të fundit, jemi në fushën e letërsisë. Në këtë sens, maksima e Gjokës tingëllon fort, kur shkruan se letërsia tashmë duhet të mos lexohet si histori dhe njëhkohësisht historia të mos konsiderohet si letërsi. Dhe me të drejtë, sepse si shkrimtar, Blushi e merr lëndën që trajton kryesisht nga historia dhe e vendos atë në funksion të letërsisë, duke përshkruar ngjarje dhe personazhe reale, krahas atyre që i krijon me fantazinë e vet. Kështu vepron te libri “Të jetosh në ishull” (2008), ku trajton pjesë nga historia e Shqipërisë bizantine dhe osmane. Të njëjtën linjë ndjek edhe tek “Otello, arapi i Vlorës” (2009), ku trajton historinë e Shqipërisë venedikase të ndërthurur me elemente shekspiriane. Edhe te romani i fundit “Shqipëria” (2013), Blushi merret me historinë tonë që nga koha e Lekë Dukagjinit, për të mbërritur te Shqipëria e Enver Hoxhës.


Një tjetër kostatim i drejtë i studiuesit Gjoka në punimin e tij është se letërsia e Ben Blushit është letërsi që buron nga kultura. D.m.th., ngjarjet dhe personazhet e saj janë krijuar nga bagazhi kulturor i autorit, ndryshe ai nuk do të na sillte në triologjinë e tij personazhe si Gjergj Arianiti, Otello, Lekë Dukagjini apo histori të tilla si ajo e Voskopojës. Pikërisht se lëvron romanin historik si zhanër, autori e vendos Blushin krahas Sabri Godos dhe Ismail Kadaresë, duke shtuar një tjetër vlerësim në mendimin estetik.


Si njohës i mirë i historiografisë letrare, Behar Gjoka e di mirë se te Blushi kjo fushë ka pasur një ndikim të madh në formimin e tij kulturor. Për këtë qëllim, ai thekson se te romani “Të jetosh në ishull” ndodh çmitizimi i figurës së Skënderbeut dhe njëkohësisht mitizimi i figurës të së njëjtës epokë, Gjergj Arianitit. Gjoka e veçon Gjergj Arianitin si një figurë historike, të cilën Ben Blushi e trajton ndryshe brenda galerisë së përsonazheve të tij të marra nga historia. Si studiues ai e di mirë se cili është marrë dikur gjerësisht me historinë e Arianitëve dhe se çfarë ndikimi kulturor ka pasur dikur ai te Blushi. Gjithsesi, Behar Gjoka e ruan etikën dhe nuk cek emra. Ai i mbetet gjithmonë parimit të tij se në kritikë nuk i intereson personi, por vetëm teksti.


Edhe “profecia” e Gjokës se ai pret një tjetër kryevepër nga ana e Blushit, nuk është e pabazë. Deri më tani Ben Blushi jo vetëm na ka befasuar me të tre librat e botuar, por edhe ka “goditur në shenjë” në momentin e duhur.


Sidoqoftë, “Fenomeni Blushi” është një sipërmarrje e vështirë dhe e guximshme e Behar Gjokës, i cili me këtë qasje zgjoi menjëherë vëmendjen e “përgjumur” të njerëzve të fushës së letrave, medias, lexuesit, por edhe të opinionit publik. Ndoshta pakkush e priste këtë studim të mirëfilltë dhe të këtij niveli në lëmin e kritikës letrare. Fenomeni Blushi, njëlloj si Blushi, u shfaq po në mënyrë të beftë dhe me tendencë ndryshe.


Një befasi qëndronte në faktin se askush nuk kish “guxuar” më parë t’i qasej veprës së Blushit, për vetë specifikat delikate që bartnin tematikat dhe personazhet e trajtuara prej tij. Dhe, nëse në letërsi Gjoka na tregon se kemi të bëjmë me dukurinë e quajtur Fenomeni Blushi, me këtë vepër ai na kumton natyrshëm se në eseistikë tashmë kemi edhe një vlerë të shtuar, atë që me shumë të drejtë mund ta quajmë Fenomeni Gjoka.


E habitshme, por mëse e vërtetë, sepse pakkush nga aktorët përgjegjës kanë qenë të vëmendshëm ndaj aktivitetit me të cilin Behar Gjoka ka qenë i angazhuar. Ndërkohë që Gjoka ka qenë gjithmonë aty, në fushën e tij, duke na dhënë prej më shumë se një dekade vepra të mirëfillta studimore. Ndërsa ai merrej seriozisht me autorët e letërsisë shqiptare, duke nisur që nga Budi, për të ardhur te Migjeni, Kuteli, Kadare, Camaj e Trebeshina, shumë “indiferentë” e vështronin të inatosur brenda stoicizmit të tyre.


Duhet të vinte “Fenomeni Blushi” që të kuptonim “Fenomenin Gjoka”, fenomenin i cili kish kohë që ish shfaqur me forcë dhe që na kujtonte gjithmonë mungesën e mendimit të mirëfilltë kritik. Dhe, ashtu si dikur Konica, që në fillimshekullin e kaluar u bë promotor i lindjes së kritikës sonë moderne, edhe Gjoka është bërë tashmë në këtë fillimshekulli, protagonisti kryesor që po i jep shtytjen kritikës bashkëkohore. Në këtë drejtim askush nuk ka të drejtë që t’ia mohojë këtë meritë.


Kështu libri “Fenomeni Blushi” përbën edhe sfidën e radhës të kritikës letrare. Ajo është një përpjekje serioze që përpiqet të zgjojë në radhë të parë ndërgjegjen intelektuale; atë ndërgjegje që i ka munguar jo vetëm kritikës, por edhe shoqërisë e opinionit tonë publik. Ndërgjegje për të gjetur forcën dhe për të reaguar ndaj gjithçkaje negative në fushën e kulturës.


Pikërisht këtë gjë, lobimin, Behar Gjoka e ka bërë vazhdimisht. Mjafton t’u hedhësh një sy rrjeteve të ndryshme sociale apo motorëve të kërkimit në internet dhe do të gjesh aty me dhjetëra shkrime e dalje publike të tij.


Gama e problemeve të tyre është gjerë dhe nis që nga monopolizimi i çmimeve letrare, për të ardhur te problemet e gjuhës, te historia e arsimit apo përfaqësimi i letërsisë kosovare në tekstet tona shkollore.


Në këtë rast, Behar Gjoka është shembulli që duhet ndjekur, shembulli i fenomenit të pjesëmarrjes qytetare, për të cilën tanimë shoqëria, dhe aq më tepër zhvillimet tona kulturore, kanë nevojë më shumë se kurrë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen