Dienstag, 16. Juli 2019

Përmbledhje poezish, kushtuar Tahir Deskut

Tahir Desku

Halil HAXHOSAJ

METAFORË KOHE U BËRE 
(Tahir Deskut) 

Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja 
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë, 
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë 
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë 
Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje 
Të bëheshe në të gjitha seancat 

Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit 
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe 
Duke gulçuar për rreze lirie 

Tituj veprash e bëre jetën 
Rrokje të tyre rropatjet e saj 
Dashurinë për të kurrë s’e trete 

Në secilën metaforë ndriçoi ylli 
I rrezeve të larta të flijimit 
Më tri shkronja UÇK në ballë 
Në kraharor në zemër 

Dheu i kësaj toka ta fali amshimin 
Prehu i qetë e me krenari në të 
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë 

Metaforë kohe u bëre ...





Haxhi MUHAXHERI

ME GUR E GJUAJE DHE ZOTIN
(Mikut tim, poetit Tahir Desku)

Kot të erdha te shtëpi e re,
poet kokëkrisur!

Edhe prej varri paske ikur
t'i këndosh të bukurës Anitë,
vashës që s'u jepej as Perëndive.

Kurrë nuk ke qenë i rehatshëm 
bre lum miku!

Sy njerëzve të hekurt lozje me zjarr
e kur qielli skuqej mbi Kosovë,
me gur e gjuaje dhe Zotin!

Ti, o dreq poet!




Hajdin MORINA

FJALA E TAHIRIT
(Poetit Tahir Desku në 53-vjetorin e lindjes)

Ju edhe tash
Pasi jam bërë dhe i dheut tim
Thoni Tahiri e pinte rakinë

Unë nuk pija si të tjerët
Gjak djersë dhe ujë të zi
Tahir Desku pinte raki
Bënte poezi liri Shqipëri

Bëra punë
Të mos kishte fare muzg e burg
Yje të ketë bota diell dhe yje
Pa fund pa fund

Tokën jua shtrova me dashuri
Qiellin jua mbështolla me poezi

Kur nga zjarri i Drenicës sime
Qielli u ngjit më lart
U bëra vëlla i shqiponjave
Në llogore në mal

Nuk isha mësuar me Liri
Atë natë hënës a dikujt tjetër
Ia kish marrë syrin vdekja
Dhe vdiqa kaq i ri nuk e di

Ju edhe tash vini veshin mbi varr
Në mos Tahiri po pi raki
Në mos Tahiri po bën Shqipëri

Tahir Desku pinte raki
Se nuk pinte gjak djersë ujë të zi

As mbi letër as mbi shkëmb
Nuk mund të shkruaj më 
Drenica ime mos më lë
Krisja pushkës poezisë sime
Mbështjellë me zjarrin tënd 
Me të tuat gjëmime
Drenica ime

Ju edhe tash
Pasi jam bërë dhe i dheut tim
Thoni Tahiri e pinte rakinë

Tahir Desku pinte raki
Se nuk pinte gjak e djersë 
As ujë të zi





Sabit RRUSTEMI

SHERRI I ASAJ ANDRRE
(Poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)

Nuk asht’ ma n’Qendër a te Grandi
Besa as te Qafa aty te kandi
Kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
E ka braktisur dhe atë lagje poeti
Thonë se ka ndreq diku nji shpi për veti
Mos e pritni as sonte shkoi n’ gjeti
Nuk besoj ta ket harru adresën
Symbyllas e di ku e ka t’hapun derën

Sekush e kish pa tue puthë qytetin
Nji pano me andrra qi nuk tresin
Pak pa u nis udhës përtej Drini
E kish fsheh flokësh nji gocë dukagjini
Prej burrave t’çartun Çiçavicës
Mos me hy n’atë kangë të Drenicës
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj andrre u ba poet

Sa vargje nxorri sa gota shtjerri
Kohën kohë qysh dashti e bjerri
Kur ju tek me pshty e pshtyni
Ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
Ashtu si ishte krejt pa kërrname
Dekën sa herë e veshi n’pixhame
Pesë pare nuk i dha për qina
As kur mali u mbush martina

Gjeti prejardhjen e dashunisë
Kur rrënoi muret e vetmisë
Muzë ju banë engjujt e lirisë
Në çdo cep të Dardanisë
Vargu i mbiu i u ba vepër
Për me g’zue nji kohë tjetër
Tuj kalu nji mal mynxyra
Për m'i kesh përherë f’tyra

Tahir desku bash mem ngue
S’ka me nxanë kurrë në thue
As gjeth t’dekës s’ka me kërkue
Sall me lule ka m’u mlue
Se ashtu vetë ka dishrue
Nji jetë tanë ai ka knue
Për n’jat andërr qi ka andrrue
Me shu etjen tek ai krue

( 13 dhjetor 2011)





Fatime KULLI

NË KËSHTJELLË TË LIRISË 
(Kushtuar poetit Tahir Desku) 

Mes ëndrrash e legjendash
mbahem fort pas pemës së identitetit,
mes gumëzhimash, krismash e të qara foshnjash
maleve të lashtë të Drenicës....

Në faqen e purpurt të historisë
përkund djepin, 
muza shpirtërore
e poetit Tahir Desku nga Klina.

Në duar shtrëngoj ruzaret e Shën Mërisë
ku shndrijnë aureolat e “Engjëjve të lirisë”.
Në logun e përgjakur të luftës
rritej trimëria e fjalës... 
Luftëtari dhe reporteri trim 
me gjak qëndisi vargje për liri. 

Shëtis nëpër ëndrra legjendash
mes drithërimash lotit...
Shshëëtt! Shpirti i tij oshtin
nën frymën e tokës Amë...

Tej në horizont shfaqet një kalë i bardhë,
ngarkuar me degë ulliri, vjen prej larg... 
Hingëllima derdh tinguj mitik... 

Shëtis nëpër ëndrra të gjelbra...
Malet e Drenicës 
me zogjtë që shtegtojnë qiparisave të lirë,
duke kënduar këngën e përjetshme:
“ENGJUJT E LIRISË”!





Kozeta ZAVALANI

PAVDEKËSI

Kushtuar poetit kosovar T.Desku.

Me lulemimozat çelëm të dy,
brymë yjesh mblodhëm bashkë
e me pasion thurrëm poezi,
ndaj k’të fillim marsi të kujtoj ty
me këngëvajet e rimave e vrimave
që të dhuruan përjetësi.

Ngarkuar me 55 trëndafila dielli,
si pasthirmat e tua mbi asfalt,
që gëlltiti heshtja atë natë
mbi lëkurën e ngrirë të asfaltit,
dhimbja ime për ty frymën ndal.

Në fashitjen e butësisë së ëndrrave
u shuan yjet e syve të tu, Tahir.
Për ty hëna zbriti nga qielli,
duke mbledhur eshtrat me pahir.

Ti mes yjesh nga lart më vështron.
Zëri yt i qetë troket tani
nga Prejardhja e dashurisë fluturon 
me Engjëjt e lirisë përsëri.

Mbi biografinë e pashkruar çahet qielli,
ti bërtet në Idil e vetmi
korijet nga trimëria jote meken
e ti pyet në shqip e anglisht:
Në cilin gjeth e kam vdekjen?

Vdekjejeta varur në rrezet e diellit,
zbut përjetësinë e heshtjes së qiellit, 
mbushur me detin bosh të territ,
që grabit drithërimën e yjeve
nga rrjedha e ujit në lirinë e pyjeve.

Tok me dhimbjen yjet
natën më dysh e ndanë,
e të fshehën hapësirave të qiellit, 
që pavdekësinë shpërndajnë.

Ëndrra jote për pavarësinë e Kosovës
fluturoi lart në yllësi
shkëputur nga thonjtë e petkave të territ,
që u rrëzua Kroit të mbretit
e mbeti e lirë në përjetësi.




Namik SELMANI

BACA I URTISË SË KOSOVËS
/Luftëtarit dhe poetit Tahir Deskut/

Me ty, vëlla 
Do ta bëjmë përherë Festën e Pambaruar të Plisit
Ku Baca 
Prêt të lodrojë Vallen e Rugovës dasmave e gazeve të djemve e çikave
Një ëndërr të re 
Nis në pasjetën tënde për Kosovën ku çurgon një curril si asht burimi 
E na zgjohet 
Foltoreve e konakëve një ortek kujtese që theqaf harresën tragjike.
Me ty do të rizgjoj 
nja ag të ri Kosove e do të marr në duar mijëra shtiza drite
Se Nata 
Prapë kërkon të na hirnosë varret, sytë e brazdën
hej, 
mes pranverave gjelbërore do shpërndaj lulëkuqe dashurie
Marrë 
Nga zemra jote si rudinë ku kuqëlojnë sa e sa bajraqe.

3.

O ëndërr e bukur
Më jep kahdo një pranverë boheme deskiane me frymë lirie
Të thërras 
brerimin në majat e një lavdie askurrë të shtirur
Të thërras 
ca tupanë që bien kullave mureshpuar si me dekorata madhështie
Të thërras 
qiejt e pamatë të fjalës tënde e të shpirtit liridonas e të bukur

4.

Me të 
Dua të ringrej Urat e Zemrave të vrara, jo si murrana legjendash
Me 700 oda
të bajmë shkallë të ndrituara, gjer larg, në Pejë, në bjeshkë
fjala 
në m’u mrroltë vëlla, do të marr si në duar urtinë tënde 
e me nofullën e shqyer 
do të ndal i lumturuar si Kostandin i gjallë në derë.

5.

Do të marr papërtuar 
Ca hambarë shkronjash deskiane plot aromë e bukuri 
T’i rimbjell
Në Çamërinë e halleve bash si Plaku i thinjur Mollëve.
Se Logu i Mençurisë
Fort po paska mall për të bërë sërish BETIM të ri
E trokashkës së mullirit 
I është tharë shumë herë edhe currili që i vjen prej toke

6.

Kullë më kullë
Do të marr pishtarin e dritës tënde në duar.
Si djali më besnik
A si lokja e baca më i urtë i mbarë fshatit e fisit
Falmë, bre burrë,
Nëse më vjen marria në damarin e kaltër të gurrës 
E unë 
ia hap derën i qorrëruar, si të thaja farën e fundit të plisit.

7.

Pash fjalën e mencur
Ma jap vëlla një dorë dheu nga varri i lulëzuar ku kënga buron
Do t’ia marrim pejzat zemrave
E me to do bëjmë tela për lahuta e sharki me tinguj si bari në livadhe
Oh, 
E sheh, e sheh, si zjarrmojnë tymtarët e kullat një gaz të ri kërkojnë
E fjala 
Kërkon prapë një sofër ku të rrimë sërish të menduar, për të ardhmen

7.

Ah, vëlla.
Na u desh që të vinim plumbat në trastën e shkronjës
E këpucët e baltosura
Na dërguan në udhë mjegullore me ëndërr lirie
Në gjoksin e plaguar 
U bëmë se e sa herë Gjergjë për pragjet e ndritura të Kosovës
Teksa neteve 
Thurnim së bashku symalluar me dhimbje e gaz lirika dashurie.

8.

Ah, Tahir Desku, ofshama mos ma kalltë fjalën e dlirë
Kukama mos më mbuloftë me shallin si tym të zi
Nëse nuk të gjej livadheve në Pejë, Prekaz, Koshare a në Prishtinë
Në vargun më të ri brenda nesh ti vetëm…. RILIND.




Rita SALIHU

PAS KOHËS SATE TË TRISHTUESHME
/ Tahir Deskut /

Edhe pas kohës sate të trishtueshme
Hijet nuk hoqën dorë nga ndjekja 
E dritës shekujve duke përtypur mashtrimin
Se mund t'i marin majat
E synimeve që na i le amanet
Deri ti nuk je në krye të rrugës
As në majën e majës së shpresës
Që të mbante vertikalisht para stuhisë

Ne shtegtomjë pa kalorës
Horizontet mbyllin kurorat
E ti si në balladë 
Freskon trupin trurin

Duke ia vjedhë bukuritë Mirushes
Nuk di a buçet firishëm ujëvara

E mendimeve tua nëpër këngë
Apo Mirusha ngrihet peshë
kokën per t'ia shpëtuar lirisë

Lisat rreth e rreth tunden
Dhe qëndrojnë duke sviduar stuhitë

Në pelgje gjaku për të mos rënë
Çuditshëm rrënjët e shpresës
I ujit fresku i shikimeve tua
Që ia dhurove një vashe çastin e fundit

Së voni midis nesh
Pos dhëmbjes dhe mallit
Kanë mbetur dhe kujtimet për Ty 
Që sfidohen rënd nga pesha e harresës

Boston, 2010




Skënder R. HOXHA

MIKU YNË POET
(Requiem Tahir Deskut)

Shpejt iku koha
Pas kodrave të Drenicës
Si pranverat në çantë
Të shkollarit të saj
Tahirit të Siçevës

Vargjet e poetit
Fjalëmbla – metaforë
Nuk harrohen
Rreshtat e gazetarit
Përherë kojtohen

Edhe në fronte lufte
Në Pika në Istikame
Kumbonte
Fjala e zjarrtë
Fjala kushtrim
Kur gjëmonte Llapushniku
Atje ishte Tahiri i Kosovës –
Miku ynë

Breznitë do të pyesin
Athua u zbraz herët
Gotë e jetës
Apo kobi mashtroi
Në fundvjeshtën me brymë?

(Fundnëntor 2008)





Kadrije MENIQI 

TRIBUTE PËR TAHIR DESKUN

1.Kohët
(Poetit Tahir DESKUT)

Kjo  natë
më kujton në agoni
buzëqeshjen tënde.
Më kujton
kjo natë e errët
drejtpeshimin
e humbur në pafundësi
dridhjen e fortë
vlugun e lulëzimit
në përleshje me furtunë.
Kjo natë s`ka fund
më kujton ecjen tënde të lehtë
shikimin me sy shqiponje
si nuk u deha atë natë
sepse e dehur veç isha
dhe me dashuri vargun qëndisja.
Kjo natë s`ka fund
as dita e re s`ka fund
valët nuk i shihja
por trandjet i ndija.
Eca duke kërkuar urë
që lidh kontinente
në kaltërsinë përrallore
këndova këngë të bukura
për legjendat e urave
që ndajnë pa dhembje
horizonte, horizonte.
Në çdo hap ndjek diellin
hëna më trazon
vetminë e kam shok të vërtetë
por ritmi çdoherë më shoqëron.


2.E PAKUFIJ ME JE
(U kthye ngase e thirri vendlindja,Tahir DESKUT)

Shumë stuhi prej detit
prej bjeshkëve të goditën
shumë stuhi bukurinë e duvakut tënd u përpoqën ta heqin
toka jonë orë e kohërave
i përballoj të gjitha.
Shumë hije deshën të errësonin bukurinë përrallore që ke
por aty ku shëndrrisin margaritarët hija vend nuk ze.
Kalove mote e mote duke luftuar furtunat e kohës
dhe asnjëherë nuk u dorëzove.
Ngrite kala e në kala kreshnikët kënduan me lahutë
e të mbrojtën me pushkë.
Fole e shqiponjave
asnjëherë penda nuk ndalet së krijuari për Ty
ritmi i vargut nuk ka të ndalur
si nuk kanë të ndalur as ëndrrat, as shpresat
se Ti je realitet i kohës.
Nganjëherë lutem të bëhem puhizë
dhe t`i prek të gjitha petalet e tua
t`i mbledh një nga një e kurorë krenarie të thurr.
Nganjëherë dua të jem heshtje e shirave e kohërat t`i ndjej
të freskoj çdo pëllumb të tokës gjithandej.
Dua të jem etje shumë herë
ujërat e tua t`i vështroj , bukurinë t`ua shijoj
ta freskoj shpirtin që moti mall ndjej
E pakufi je, e pakufie dashura mëmë Shqipëri…



3.ORAKUJT TË RINGJALLEN…
 (Poetit Tahir DESKU)

Fluturoj e s’di të ndalem,
Të shikoj lart Shqipërinë,
Kam shumë mall për ato troje,
Kam shumë mall për Ilirinë,
Qëndrova mbi Çiçavicë,
Hodha sytë mbi Dardaninë,
Qëndrova në Këndrevicë,
Të shikoja Labërinë,
Nga Korabi shoh Pollogun,
Në Jezercë pash Dukagjinë,
Dola në Malin e Gjerë,
Të shikoja Çamërinë,
Në Baba Tomorr u ula,
Kuvëndoj me Perëndinë.
Thellë në mendime rashë,
Humba sytë mbi kaltërsinë.
Mendja më shkoi larg,
Të mora në krahë një dekikë,
Vajzë e bukur, dardanie,
Me kaçurrelat mbi ballë,
Veshur kuq e zi si flladi,
Doja të të kisha pranë,
Vështrimin tej, tej në male,
Përtej tyre shikon detin,
Detin, detin shkumë e valë,
Ma shton më shumë dertin.
Fllad dëbore, fëshfërimë,
Erë fushe trëndelinë,
Shtojzovalle fort si zana,
Nëna të përkundi djepin,
Të mëkoi me këngë e ligje,
Të mëkoi trimërinë,
Zemërzjarrta dardanie,
E bukur si dritë e Zotit.
Fluturz e vogël të qëndron mbi dorë,
E ledhaton ëmbël me sy,
Çfarë më sjell o lajmëtare,
Një lajm të bukur si ty?
Vij nga larg, nga Arbëria,
Të çmallem pak me ty,
Prap do kthehem në luadhe,
Të lodroj përsëri,
do më marrë malli shumë,
Do të kërkoj prapë të vij,
Do të vij me lajme shumë,
Për të bukurën Arbëri.
U ngrita vrap fluturim,
Me sy të zjarrtë vezullimi,
Do lëshoj zë bubullime,
Rrufe e shkrepëtimë,
T’i drejtohem djalërisë,
Heshtja shumë më mundon,
Zemra më çahet, për Ilirinë,
Kam shumë për të thënë,
Derti kurrë s’mu nda nga sytë,
E di çfarë po më kërkon,
E di çfarë të mundon,
E di pse po ngulmon,
Në zemer diç të vlon,
Të vlon dashuria,
të vlon mirësia,
Të vlon trimëria,
sytë te djalëria,
Sytë rrufe nga qielli,
Zëmër zjarr tërmeti,
Toka të lëkundet,
Të përmbysen malet,
Zëri të ushtojë,
Orakujt të ringjallen…



4. Oaza e shpresës
(Reporterit te luftës,Tahir DESKUT)

 Nisem e mbërrij në oazën e shpresës
me varkën e këngës
thyej rregullën e moçme të Pritjes
me hapin mes valëve të çmendura
me guximin e zgalemit
e mbështjellur kuq e zi
me aromën e bashkimit
me lahutën e gëzimit.
Është caku  i fundit ëndrra ime
perdja e diellit aty lëshohet
shkëlqimi i ylberit aty vizatohet
margaritarët e detit aty gërshetohen.
Po kthehem në folenë e moçme të ëndrrës sime
po zemra a çelet pa çelës
e kënga a del pa fjalën e gjallë
unë pyes veten e them: po kësaj rradhe po.
Jam aty tek ti oaza ime
jam aty me ëndrrën time
kthim nuk ka
jam vendosur dhe rrënjë kam lëshuar
Shqipëri fole e imja, e imja nënë…





Izet ABDYLI

ARA ME SHFAQET KANJUSHË E VERDHË
(Tahir Deskut)

Sa here shoh imazhin tënd
Para me shfaqet libri Kanjushë e verdhë
Ato ditë marsi 1981
Rastësisht e gjeta te një shitës rruge
Pranë menzës së studentëve
Sa u gëzova unë
Më shumë u gëzove ti
Se Jusufin e kishim larg
Por Kanjushën e kishim pranë
Sa u çmallëm ahere me vargjet e tij                                                       
Aq po çmallem sot me kujtimin për ty

Ishte ditë marsi 1981 

P.s. Ishte pra libri Kanjuishe e verdhe i Jusuf Gervalles si shkas qe une te njihem me 1981 me Tahir Deskun, une e kisha gjetur rastesisht dhe ai ma mori ne huazim per nja tri jave.





Rrahim SADIKU

I GJALLË MIDIS TË GJALLËVE
(kujtimit të Tahir Deskut)

Kthyer pas aq vitesh nga kthetrat e ferrit
shkova në takimin e shkrimtarëve....
Aty sikur vdekjen e ferrin i panë së bashku,
sytë nuk shihnin,
fjalët nuk dlinin,
qeshjet ngrinë…
E Tahir Deskut i qeshi fytyra,
me vrull erdhi e më përqafoi:
“O, mirë se na erdhe burrë!
Mos na e vë re hutimin,
eja e ngrehim nga një gotë,
këtu, me vëllezër e motra rrethuar,
gëzohemi kur të shohim më të gjallë midis të gjallëve!”




Venka CAPA

FANAR HISTORIE
/ Tahir Deskut /

Vringëllove armët e rrokullise gurin e historisë,
Në vrullin poetik si gurgullima e ujit të rrëpishëm
Fluturove dhe mblodhe nektar kudo në hapësirë,
Lirinë kërkoje, në fluturim...pa bërë kompromis...
Ty të rrëmbeu, të nxiti, të frymëzoi,
Dashuria për atdheun dhe liria!
Mirësinë e gatuaje e i jepje formë kuptimit...
Ti je poçari i letrave, poçari i vargjeve për liri,
Vargu ishte ajër, oksigjen, frymëmarrje dhe atdhe!
Burimi i i tij ishte trokëllimë kali.
Heshtje e murosur, psherëtimë e hijeve
Që endej i vendosur nëpër këtë lëmsh jete...
Bota shpirtërore të rrëqeth me trimëri e penë.
Shkrove për njeriun, këndove për lirinë,
Ne sot e shohim, e ndjejme thellë,
Me sytë e receptorit të zemrës...
Testamenti i heroit T.Desku, do jetë fanar,
Rreze drite për të gjetur shërim çdo bashkëatdhetar.
Emri juaj është pjesa e ndritur e historisë,
O reporter i shpirtit, të lirisë e pavdeksisë




Sevëme FETIQI

PSE VDIQE PARA VDEKJES
/ Tahir Deskut /

Ah ajo natë
kur ishte pa hënë
Ditë pa dritë
Agim pa këngë këndezi
Qiell pa kaltërsi
E ai bar që i vinte 
Erë tym e flakë
E kjo Tokë
Kur thithte lumenjë të gjakut
Ti ishe aty 

Ata që është dashur 
Të mbesin në heshtje
Ç´ka ju duk atyre jeta jote
Ç´ka ditën ata për bukurinë
E lindjes së shpirtit përsëri
Pas shekujve të vrarë

Le të mbesin përjetësisht
Në baltën e gënjeshtrave
Ata që zgjohen vonë
Ofshamat për t´i shëruar
Dhe ata që me këmbë urrejtjeje
Shkelin gjakun e atyre 
Që ishin këtu e më s´ janë

Nëse nuk ka Shqipëri
As ne s ´do të jemi

Të vdesësh para vdekjes
Domethënë të zgjohesh
Heret me këngën e këndezit
Deri në pavdekësi




Kozeta ZYLO

RINGJALLESH SËRISH
(Poetit prej Kosove Tahir Deskut)

Vargu yt, është kthyer në asht Kosove,
Ku brenda palcës, kuqon gjaku i dlirë,
Me plisin e bardhë heq stinët e vdekjes,
Dhe çel lule bozhur, mbi gjurmën e ngrirë…




Xhemajl RUDI

NË MES ËNDRRËS
/ Poetit të Lirisë,Tahir Deskut /

Në mes endrres
është 
nderprerja jote
e zerit tënd
e kenges se pathënë
e ndjenjes se lenduar
prej ushtari te fjales
te maleve te lirise
ku rridhte fitorja e pergjakur
ku pikonin ditet ne lotin e fëmijës
në sytë e nënave ku ngrihej qëndresa
në honin e qiellit si re te bardha
vijezonin mbi trishtim te muzgut të mbremjes
udheve te golgotës 
dhimbje pikonin mëngjeseve të rinjë
Ti poeti i zemres së dheut
i këngës të mbetur në mes
i shpirtit që pikon mallë
në kujtimin për ty
si obelisk në udhen e jetës
endrrat e tua që marrin hapin tutje
pas vdekjes
pa ty
pikon si qiriri dhe ndritë në muzgjet 
në udhën e Lirisë e të fjalës së pathënë 
ku rri e heshtur si një pikëllim 
te vese e ngrirë e syrit në këngën e zërit tënd




Ruzhdi BERISHA - Rudi

TI LIND ÇDO DITË LULE GJAKU
/ Kujtim për Tahir Deskun /

Breshëri plumbash nuk e mposhtën dot lirinë
Atdheu jetoi edhe pas gjithë atij pushkatimi
Mali i Malësisë gjithandej frymon i gjallë
Dëshmor në rrugën e stërgjatë të përjetësisë

Vigani i pamposhtur pi përjetësisht ujë të pastër
Ai nuk nënshkruan marrëveshje kundër kombit
Dallëndysheve të vrara nga pushka e barbarit
Po shqiponja vret korbin edhe me dy të shtëna

Delet ç’kullosin në tokën e pushtuar nga brenda
E gjaku yt lind çdo ditë lule me njatë ngjyrë të kuqe
Si guxoni t’i këputni lulet me aromë varresh
Po përse shkelni mbi gjakun e iliro-dardanëve

Unë iu lashë të lirë edhe pse ika kur erdhi liria
Mua më bartin engjëjt e lirisë në krahë drejt amshimit
Edhe pse sytë i kam të hapur për vajzën time për djalin
Por shpirtin ia fala tokës pellazge - tokës Shqipëri

Mos më qani në liri e nëse doni flisni disa fjalë për mua
Më lavdëroni vetëm për hir të Zotit e të vërtetën thoni
Unë jam i gjallë jam vetë Tahir Desku e jam këtu me ju
Engjëjt më sollën në rreze lirie dhe qirinjtë më bëjnë dritë

Jam këtu me ju dhe ju dua shumë vëllezër dhe motra
Nga dëgjoj këtë zë të Tahir Deskut që më flet nga lart
Të mos heshtim ta dëgjojmë mirë porosinë e këtij burri
Gjaku që nuk lind kryetrima po është një gjak i humbur

O Tahir - Tahir Desku gjaku juaj a s’është vetë liria
Diell që ngroh dhomën time e hënë që natën zbardh 
Se je engjëll i lirës së Atdheut histori pene e pushke
Je vetë Shqipëria ndaj ju kujton gjëmëmadhe Shqiptaria
____
Përgatiti për Revistën "AlbPlanet", Alketa Maksuti Beqari
Autorë i fotografisë së poetit Tahir Desku është Sadri Hadergjonaj

Montag, 1. Juli 2019

Myzaljen Hoxha: REXHEP QOSJA, KORIFE I SHKENCËS...

Akademik Rexhep Qosja

Me dashuri dhe respekt, një ese letrare në 83 vjetorin e lindjes së Mëndjendriturit të Kombit Shqiptar, Akademik Rexhep Qosja:

Nga: Myzaljen HOXHA

REXHEP QOSJA, KORIFEU I SHKENCЁS LETRARE SHQIPTARE DHE HISTORISЁ SЁ SAJ

“E vërteta është mënyra e dashurisë sime për popullin tim dhe për kulturën e tij“                                                                                                                                    Rexhep QOSJA

Ashtu siç ndodh në muzikë, me frymëmarrjen shumë të gjerë të melodisë, që fillon që nga regjistri i ulët vokal deri te notat e larta akute, për të arritur në një vepër muzikore brilante, ashtu ka ndodhur dhe në letërsinë e Rexhep Qosjes, si një univers ku janë të harmonizuar regjistrat letrarë : Histori e letërsisë, prozë, dramë, kritike letrare, eseistikë, studime, shkrime shkrimtarësh të shquar, dhe regjistrat joletrarë që janë histori, publicistikë filozofike dhe polemika për jetën në demokraci, të cilat ruajnë përherë peshën e gjuhës dhe të fjalës shqip.

Vepra letrare dhe joletrare e Profesor Rexhep Qosjes edukon dhe formon pikpamje dhe ide, që të orjentojnë dhe të udhëheqin në kreativitetin drejt kuptimit të veçorive të ligjërimit letrar nga më i thjeshti te më i ndërlikuari, përmes gjuhës dhe komunikimit letrar, drejt marrjes pjesë dhe interpretimit individual mes teknikave dhe procesit letrar, por edhe drejt formimit dhe krijimit të një stature intelektuale letrare dhe folozofike të vetën, në njohjen e jetës dhe të ngjizjes së saj.

Ajo të kultivon identitetin vetjak, kombëtar dhe përkatësinë kulturore, të përvetësosh vlera kulturore dhe qytetare, të zhvillosh aspektet intelektuale, etike, sociale dhe estetike, të edukosh dhe ushtrosh përgjegjësi ndaj vetes, të tjerëve dhe shoqërisë, të orjenton dhe aftëson për të nxënë gjatë gjithë jetës dhe të zhvillosh shpirtin e gjenerimit të vlerave jetësore.

Rexhep Qosja, një profil shumëdimensional në shkencën e letërsisë shqiptare, historian i letërsisë, kritik letrar, prozator, dramaturg, eseist dhe publicist ka trajtuar në veprën e tij, bazuar në kritere shkencore të karakterit historiko – letrar e tekniko – kritike, probleme të letërsisë së Rilindjes Kombëtare dhe atë moderne shqiptare. Profesor Qosja ka realizuar ndërtimin e historisë së letërsisë romantike, si periudha më homogjene e letërsisë shqipe, si dhe ka studjuar gjithë begraundin letrar të shkrimtarëve të traditës dhe asaj bashkëkohore, me metodat e kritikës letrare moderne.

Studimet letrare të tij janë gjeneruar nga përdorimi i metodave të teorive të avancuara në bashkëkohësinë tonë, sa në rrafshin diakronik dhe atë sinkronik, që bënë dhe diferencën e dukshme në krahasim me të tjerë, në shkencën shqiptare të letërsisë.

Ai është ngritur në të njëjtën lartësi piedestale, sa si historian i letërsisë, aq dhe si kritik letrar, sa si prozator dhe dramaturg, aq dhe si eseist, sa si estet, aq dhe si publicist në veprën e vetë letrare dhe shkencore.

Prandaj pa pretenduar se e bëjmë të mundur hulumtimin shterues të veprës së tij, mendoj se do të arrijë aq sa duhet me ndihmën e një skaneri analitik të arritjeve të tij letrare dhe shkencore, duke e vlerësuar veç e veç si historian i letërsisë, kritik letrar, romancier dhe dramaturg, dhe përfundi si eseist dhe publicist filozofik.


Historian i letërsisë

Rexhep Qosjea, qysh në krye të herës u orjentua dykahëshmërisht, sa në njohjen e vlerave dhe veçorive të letërsisë shqipe, aq dhe në njohjen e ligjësive të zhvillimit historik të saj. Metoda e objektivitetit letrar është ajo e përqasjes së veprës letrare, si me vlerat e kohës së vet, ashtu dhe me ato të të gjithave periudhave pasardhëse. Studimi i veprave letrare është bërë prej tij në rrjedhën e tyre historike, në kërkim të cilësisë themelore të tyre, letraritetit.

Pra, metodologjia e punës së tij është ndërveprimi i përqasjeve kontekstuale, psikologjike, formaliste – stilistikore e strukturore duke mundësuar shpjegimin e procesit letrar, historik dhe bashkëkohor në veçoritë e tij, dhe në përgjithësimet si një i tërë.

Me vetëdije të plotë, ai zbaton në studimin e monografive “ Porosia e madhe “ dhe “ Asdreni, jeta dhe vepra “, tërë përqëndrimin e vështrimit të tij, sa së jashtmi, aq dhe së brëndshmi të veprave lerare të tyre. Ai na i sjell këto monografi letrare, si lexim historik, estetik, shpjegues e të drejtëpërdrejtë. Me to ai u fuqëzua në profilin e historianit të letërsisë.

Si historian i letërsisë shqipe, ai na i jep jetën dhe veprën e poetëve tanë të Rilindjes Kombëtare, Naimit dhe Asdrenit të pashkëputur nga njëra – tjetra, ndërsa i analizon si raporte duke evidentuar veçoritë e mendimit letrar të tyre, si dhe aftësitë e secilit. Ai arriti në përfundimin se veçoritë poetike të Naimit dhe Asdrenit janë zhvillime të natyrshme që reflektojnë dukuritë e procesit të zhvillimit historik të letërsisë shqipe. Paskësaj, me qasjen formaliste – stilistike dhe strukturore, ai e studjon veprën letrare të Naimit dhe Asdrenit si një marrdhënie midis veçorive të stilit dhe efekteve semantike të veprës letrare. Ai operon me interpretimin e vlerave estetike dhe artistike të përftuara.

Qosja e koncepton stilin në veprat e tyre, si shprehje e personalitetit të poetëve, sipas devizës letrare të studiuesit francez të letërsisë Georges-Louis Leclerc De Buffon,“Stili është njeriu “.

Ai u fokusua dhe në trajtat e ligjërimit dhe gjuhës shqipe për të vlerësuar kontributin e poetëve të Rilindjes Kombëtare Naim Frashëri dhe Aleksandër Stavre Drenova ( Asdreni ) në zhvillimin e sistemit gjuhësor, duke bërë thjesht të mundur dhe gjithëkuptimësinë e artit letrar të tij.

Në fushë të historicizmit letrar Qosja ngjizi sintezat e mëdha shkencore : “Historia e letërsisë shqipe“, “Çështja shqiptare - historia dhe politika, vëllimet “Popull i ndaluar“, “Paqja e përgjakshme“, “Porosia e madhe“ e tj. Me autoritetin shkencor të tij bëri sintezën integrale të popullit shqiptar, të letërsisë dhe kulturës së tij, si një etni sociokulturore, etnopsikologjike, politike e gjuhësore në zhvillimin e qytetrimit të tij.


Kritik letrar

Si kritik letrar Profesor Rexhep Qosja e ka vlerësuar letërsinë shqipe si vlerë estetike që ka mëvetësinë e vetë.

Kritika letrare e Qosjes është një raport midis saj dhe shkencës së letërsisë, që është dhënie – marrje reciproke gjykimesh mbi ligjësitë e prodhimit letrar, e lidhur ngushtë kjo e fundit me vlerën e veprës letrare dhe anasjelltas. Tek Qosja, kritika letrare është letërsi për letërsinë.

Në analizën kritike të letërsisë së autorëve të ndryshëm, ai provon preokupimin estetik të tij, dhe se çfarë duhet të përmbajë vepra letrare me vlera të veçanta artistike. Po të hedhim një vështrim me sytë e mëndjes veprës së tij të kritikës letrare do të konstatonim lehtësisht, se ajo i tejkalon kufizimet ideologjike sociorealiste, dhe si dhunë shtetërore ndaj popullit, edhe në krijimin e antipodit të heroit të realizmit socialist.

Librat “Kritika letrare“, “Panteon i rralluar“, “Episode letrare“ dhe “Dialogje me shkrimtarë” shprehin përmasat reale të kritikës letrare, qysh nga hapja e themeleve dhe ngritja e skelave të ndërtimit të godinës së re të kritikës letrare shqiptare. “ Dialogje me shkrimtarë “ është kritikë letrare e kontekstit social dhe kulturor, si rezultat i hulumtimit mbi letërsinë dhe kulturën kombëtare. Ёshtë vlerësimi që Qosja u bënë shkrimtarëve të përzgjedhur prej tij me lupën e kritikës letrare të vërtetë, për një letërsi të vërtetë, të kuptimtë e të bukur.

“Kohëtore e letrave shqipe” e Konicës ishte guri i parë i themelit të saj.

Kritika letrare e tij aludon në racionalitetin e pavarur dhe vetijak të artit letrar, që do të thotë : Kritiku letrar Rexhep Qosja lufton synimin e ideologjisë për të vënë letërsinë në shërbim të saj. Pra, Qosja ka hedhur themelet e kritikës letrare shqiptare moderne.

Rexhep Qosja është shëmbulli madhor dhe imponues në mbrojtjen e gjithëvlerave të kulturës sonë shpirtërore kombëtare, gjuhës letrare të njësuar, në luftë të paepur me “ neostandardistët “ gjuhësorë dhe “ Regjionalistët “ dialektorë, si mbartës dhe mbrojtës të zhanërve dialektorë të gjuhës shqipe.

Kritika letrare e tij ka qënë produkt i “ skanerit “ analitik filologjik, tematik dhe narrativ që ka bërë të mundur zbërthimin e karakterit letrar të veprave të letërsisë shqipe. Ai mbetet i papërsëritshëm në hullinë e kritikës letrare shqiptare.


Prozator dhe dramaturg

Fjala e latuar dhe shprehja e çlirët janë vendosur në tërë shumësinë e shkrimeve të tij. Gjuha e tij të rrëmben me forcën dhe bukurinë e stilit, stil ky i rreptë shkencor e polemizues i pasionuar, që shoqërohet nga fryma realiste dhe pathosi ironik.

Shpirti i tij letrar ka të bashkuar dhe shkrirë në një të vetme, racionalitetin dhe emocionalitetin në prozën romaneske dhe esenë e tij. Si romancier me veprën e tij letrare ai është zëri i thirrjes estetike në zhvillimin e letërsisë shqipe, të shpëtimit dhe emancipimit të saj, prej trysnisë së faktorëve jashtëletrarë politikë dhe ideologjikë.

Krijimtaria letrare në prozë : “Vdekja më vjen prej syve të tillë“, “Inkuizitori“, dhe dramat : “Mite të zhveshura”,“Panteon i rralluar”,“Anatomia e Kulturës”,“Morfologjia e një fushate” janë gjuha letrare e kundërshtimit të zhvillimeve të mbrapshta letrare, kulturore dhe historike nën aureolën e sociorealizmit, si prirje dogmatike dhe antihistorike me rrymat europiane të kohës.

Mjeshtëria e rrëfimit letrar u mbartë dhe në prozat : “Nata është dita jonë“, “Bijtë e askujt“, “Një dashuri dhe shtatë faje“. Kjo mjeshtëri letrare dha frytet e veta të natyrës fonetike e fjalëformuese, sintaksore dhe stilistike, duke shënuar një arritje të rrallë dhe të madhe të letërsisë shqipe. Qosja njeh mirë dimensionin përbashkues të gjuhës në jetën e popullit, prandaj me vetëdije të lartë ai shquan rëndësinë dhe pasurinë e gjuhës shqipe duke kontribuar në thjeshtësimin e kuptimit të saj.

Romani “Bijtë e askujt“ flet në gjuhën shqipe, me gjithë trajtat e saj, fonetikisht, morfologjikisht, sintaksisht, semantikisht dhe semiologjikisht. Një diskurs komunikimi fenomenal me bashkëkohësitë. Etika e fjalës dhe e mendimit në kulturën shqiptare janë bërë pronë e patjetërsueshme e tij.

Ai bëri të mundur që kultura shqiptare të përqaset si pjesë integrale dhe e natyrshme e kulturës europiane. Gjuha e romanit “ Bijtë e askujt “ është shqipja standarde me kufij të gjerë lirie.

Proza e Rexhep Qosjes kërkon interpretim semantik e jo përshkrim të thjeshtë gjuhësor- letrar. Vetë Profesor Rexhep Qosja na mëson : “ Qartësia e koncepteve prodhon qartësinë e mendimit, ndërsa qartësia e mendimit atë të fjalisë, dhe më gjerë edhe të tekstit “.


Eseist dhe publicist

Eseja e Qosjes është më shumë në kërkim të së vërtetës sesa e gjen të vërtetën. Esetë i ka me problematikë nga mjedisi i shumanshëm i jetës njerëzore, dhe janë një liri e shpërthimit të gjykimit të përjetimit emocional të tij. Kjo është tërë semantika në të gjithë krijimtarinë e tij, me karakter dhe format eseistik.

Në shumë ese të mirëfillta, Qosja përdor dhe termin trajtesë që është term sinonimik i esesë. Gjithësesi, të gjitha shkrimet e tij që trajtojnë në mënyrë të përgjithshme e të lirë, dhe jo të gjithanshme e shteruese çështje shoqërore, shkencore, letrare dhe kulturore janë eseistika e mirëfilltë e tij.

Eseja letrare e shkurtër, por dhe ajo politike mbi tema të veçanta të karakterit analitik dhe interpretativ është e “thesarizuar“ në kulturën letrare dhe joletrare shqiptare. Ese të ndërtuara mbi gjykime dhe refleksione të lindura nga kërkimi intelektual, por edhe nga imagjinata prozaike e eseistit Qosja. Eseja e shkruar nga Qosja është shprehje e qëndrimit dhe mendimit të tij të lirë në shqyrtimin, analizën, përshkrimin dhe vlerësimin e temave letrare, sociale, politike dhe kulturore.

Esetë e shkruara e të sistemuara në Ditarin e tij 12 vëllimësh me titull : “ Dëshmitar në kohë historike”, janë reagime letrare, kulturore, intelektuale dhe politike, ku ai nuk pajtohet me shpirtin e tij edhe kur bënë kompromis me bashkëkohësit duke i bërë gjykimin vetvetes.

Ditari është një vepër monumentale për nga cilësia dhe rëndësia e trajtimit të ngjarjeve për gati gjysmë shekulli, ku ai mbetet një dëshmitar i rëndësishëm që dëshmon kohët e vrullshme e historike të botës shqiptare në tre dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të kaluar dhe fillimin fatlum të shekullit të ri.

Në publicistikën filozofike shquhet libri i tij “Populli i ndaluar”, që është fryt i përpjekjeve të tij të pashëmbullta për ndërkombëtarizimin e problemit të Kosovës nën Serbi. Dhe ai e bëri dhe e arriti këtë gjë si askush tjetër, duke i hapur Kosovës perspektivën e pavarësisë dhe lirisë së saj si shtet sovran, që sot është fakt.

Në temat : “Letërsia shqipe dhe letërsia europiane”, dhe “Europa dhe identiteti shqiptar”, historiani i letërsisë Qosja ka polemizuar me shkrimtarin Kadare, kurifeun e letërsisë shqipe, brënda parimeve dhe ligjësive të shkencës letrare, dhe me integritet e bonsens, ai e ka mbyllur këtë polemikë në dobi të zhvillimit të letërsisë shqipe, me vlerësimin : “Ismail Kadare, është shkrimtar me talent të shquar dhe si i tillë ka të drejtë që në mendimet e tij të shprehë dëshirat e tij; unë jam para se gjithash historian i letërsisë, i cili në radhë të parë, bazohet në faktet konkrete. Për çështjet që kemi diskutuar me Kadarenë unë kam folur si studiues, ndërsa ai si shkrimtar. Ai bazohet në imagjinatën, ndërsa unë në të dhënat”. Dhe shton : “Ata që polemizojnë mes veti, shumë herë, janë njerëz që e duan njëri-tjetrin”.

Vepra letrare e Profesor Rexhep Qosjes është e shkruar e tëra në gjuhën e njësuar shqipe, me pedantizmin e zbatimit të parimeve, normave dhe ligjësive gjuhësore të saj. Mendimi i ndritur i tij për gjuhën standarde, gjuhën letrare : “Gjuha letrare është e arritura më e çmuar e procesit historik të zhvillimit të vetëdijës të popullit shqiptar, të kulturës, të letërsisë e të gjuhës së tij” është dhe një devizë për gjithkë që shkruan letërsi, dhe e artikulon gjuhën shqipe jo vetëm si komunikim, por para së gjithash si arsye dhe emocion njerëzor.

Vepra letrare e Profesor Rexhep Qosjes është dera e hapur e botës së dijes dhe imagjinatës krijuese. Një lëvizje drejtëvizore kah së vërtetës, së drejtës dhe lirisë së qënies njerëzore. Liria, e drejta dhe e vërteta janë parime të larta të vetëdijes së tij filozofike e etike.

Vepra e tij është unike, symbol i analizës tipologjike e stilistike, i imagjinatës krijuese dhe i dialogut të pambarim midis njeriut të letrave dhe letërsisë së tij, vetë njeriut dhe botës që e rrethon. Ai është një univers kulturor me imagjinatë dhe dije të jashtëzakonshme në shërbim të kombit shqiptar.
___
(Autori është eseist, poet dhe politolog)