Tahir Desku |
Halil HAXHOSAJ
METAFORË KOHE U BËRE
(Tahir Deskut)
Nuk më kujtohet asnjë ofshamë e jotja
Në orët letrare në amfiteatër në Prishtinë,
Në sallën solemne të pallatit në Gjakovë
Në Orën e Madhe të Mitingut të poezisë
Vetëm metaforë fitoreje dëshiroje
Të bëheshe në të gjitha seancat
Afshin e Dheut të Drenicës Dukagjinit
Të Kosovës e të Arbërisë e thithe
Duke gulçuar për rreze lirie
Tituj veprash e bëre jetën
Rrokje të tyre rropatjet e saj
Dashurinë për të kurrë s’e trete
Në secilën metaforë ndriçoi ylli
I rrezeve të larta të flijimit
Më tri shkronja UÇK në ballë
Në kraharor në zemër
Dheu i kësaj toka ta fali amshimin
Prehu i qetë e me krenari në të
Sepse e ke Medaljonin e përjetësisë
Metaforë kohe u bëre ...
Haxhi MUHAXHERI
ME GUR E GJUAJE DHE ZOTIN
(Mikut tim, poetit Tahir Desku)
Kot të erdha te shtëpi e re,
poet kokëkrisur!
Edhe prej varri paske ikur
t'i këndosh të bukurës Anitë,
vashës që s'u jepej as Perëndive.
Kurrë nuk ke qenë i rehatshëm
bre lum miku!
Sy njerëzve të hekurt lozje me zjarr
e kur qielli skuqej mbi Kosovë,
me gur e gjuaje dhe Zotin!
Ti, o dreq poet!
Hajdin MORINA
FJALA E TAHIRIT
(Poetit Tahir Desku në 53-vjetorin e lindjes)
Ju edhe tash
Pasi jam bërë dhe i dheut tim
Thoni Tahiri e pinte rakinë
Unë nuk pija si të tjerët
Gjak djersë dhe ujë të zi
Tahir Desku pinte raki
Bënte poezi liri Shqipëri
Bëra punë
Të mos kishte fare muzg e burg
Yje të ketë bota diell dhe yje
Pa fund pa fund
Tokën jua shtrova me dashuri
Qiellin jua mbështolla me poezi
Kur nga zjarri i Drenicës sime
Qielli u ngjit më lart
U bëra vëlla i shqiponjave
Në llogore në mal
Nuk isha mësuar me Liri
Atë natë hënës a dikujt tjetër
Ia kish marrë syrin vdekja
Dhe vdiqa kaq i ri nuk e di
Ju edhe tash vini veshin mbi varr
Në mos Tahiri po pi raki
Në mos Tahiri po bën Shqipëri
Tahir Desku pinte raki
Se nuk pinte gjak djersë ujë të zi
As mbi letër as mbi shkëmb
Nuk mund të shkruaj më
Drenica ime mos më lë
Krisja pushkës poezisë sime
Mbështjellë me zjarrin tënd
Me të tuat gjëmime
Drenica ime
Ju edhe tash
Pasi jam bërë dhe i dheut tim
Thoni Tahiri e pinte rakinë
Tahir Desku pinte raki
Se nuk pinte gjak e djersë
As ujë të zi
Sabit RRUSTEMI
SHERRI I ASAJ ANDRRE
(Poetit dhe mikut tim, Tahir Deskut)
Nuk asht’ ma n’Qendër a te Grandi
Besa as te Qafa aty te kandi
Kot e kërkoni te Koha kah Bagremi
E ka braktisur dhe atë lagje poeti
Thonë se ka ndreq diku nji shpi për veti
Mos e pritni as sonte shkoi n’ gjeti
Nuk besoj ta ket harru adresën
Symbyllas e di ku e ka t’hapun derën
Sekush e kish pa tue puthë qytetin
Nji pano me andrra qi nuk tresin
Pak pa u nis udhës përtej Drini
E kish fsheh flokësh nji gocë dukagjini
Prej burrave t’çartun Çiçavicës
Mos me hy n’atë kangë të Drenicës
I ri për plumb i vonë për mbret
Sherri i asaj andrre u ba poet
Sa vargje nxorri sa gota shtjerri
Kohën kohë qysh dashti e bjerri
Kur ju tek me pshty e pshtyni
Ku ia deshi pika e qejfit ai hyni
Ashtu si ishte krejt pa kërrname
Dekën sa herë e veshi n’pixhame
Pesë pare nuk i dha për qina
As kur mali u mbush martina
Gjeti prejardhjen e dashunisë
Kur rrënoi muret e vetmisë
Muzë ju banë engjujt e lirisë
Në çdo cep të Dardanisë
Vargu i mbiu i u ba vepër
Për me g’zue nji kohë tjetër
Tuj kalu nji mal mynxyra
Për m'i kesh përherë f’tyra
Tahir desku bash mem ngue
S’ka me nxanë kurrë në thue
As gjeth t’dekës s’ka me kërkue
Sall me lule ka m’u mlue
Se ashtu vetë ka dishrue
Nji jetë tanë ai ka knue
Për n’jat andërr qi ka andrrue
Me shu etjen tek ai krue
( 13 dhjetor 2011)
Fatime KULLI
NË KËSHTJELLË TË LIRISË
(Kushtuar poetit Tahir Desku)
Mes ëndrrash e legjendash
mbahem fort pas pemës së identitetit,
mes gumëzhimash, krismash e të qara foshnjash
maleve të lashtë të Drenicës....
Në faqen e purpurt të historisë
përkund djepin,
muza shpirtërore
e poetit Tahir Desku nga Klina.
Në duar shtrëngoj ruzaret e Shën Mërisë
ku shndrijnë aureolat e “Engjëjve të lirisë”.
Në logun e përgjakur të luftës
rritej trimëria e fjalës...
Luftëtari dhe reporteri trim
me gjak qëndisi vargje për liri.
Shëtis nëpër ëndrra legjendash
mes drithërimash lotit...
Shshëëtt! Shpirti i tij oshtin
nën frymën e tokës Amë...
Tej në horizont shfaqet një kalë i bardhë,
ngarkuar me degë ulliri, vjen prej larg...
Hingëllima derdh tinguj mitik...
Shëtis nëpër ëndrra të gjelbra...
Malet e Drenicës
me zogjtë që shtegtojnë qiparisave të lirë,
duke kënduar këngën e përjetshme:
“ENGJUJT E LIRISË”!
Kozeta ZAVALANI
PAVDEKËSI
Kushtuar poetit kosovar T.Desku.
Me lulemimozat çelëm të dy,
brymë yjesh mblodhëm bashkë
e me pasion thurrëm poezi,
ndaj k’të fillim marsi të kujtoj ty
me këngëvajet e rimave e vrimave
që të dhuruan përjetësi.
Ngarkuar me 55 trëndafila dielli,
si pasthirmat e tua mbi asfalt,
që gëlltiti heshtja atë natë
mbi lëkurën e ngrirë të asfaltit,
dhimbja ime për ty frymën ndal.
Në fashitjen e butësisë së ëndrrave
u shuan yjet e syve të tu, Tahir.
Për ty hëna zbriti nga qielli,
duke mbledhur eshtrat me pahir.
Ti mes yjesh nga lart më vështron.
Zëri yt i qetë troket tani
nga Prejardhja e dashurisë fluturon
me Engjëjt e lirisë përsëri.
Mbi biografinë e pashkruar çahet qielli,
ti bërtet në Idil e vetmi
korijet nga trimëria jote meken
e ti pyet në shqip e anglisht:
Në cilin gjeth e kam vdekjen?
Vdekjejeta varur në rrezet e diellit,
zbut përjetësinë e heshtjes së qiellit,
mbushur me detin bosh të territ,
që grabit drithërimën e yjeve
nga rrjedha e ujit në lirinë e pyjeve.
Tok me dhimbjen yjet
natën më dysh e ndanë,
e të fshehën hapësirave të qiellit,
që pavdekësinë shpërndajnë.
Ëndrra jote për pavarësinë e Kosovës
fluturoi lart në yllësi
shkëputur nga thonjtë e petkave të territ,
që u rrëzua Kroit të mbretit
e mbeti e lirë në përjetësi.
Namik SELMANI
BACA I URTISË SË KOSOVËS
/Luftëtarit dhe poetit Tahir Deskut/
Me ty, vëlla
Do ta bëjmë përherë Festën e Pambaruar të Plisit
Ku Baca
Prêt të lodrojë Vallen e Rugovës dasmave e gazeve të djemve e çikave
Një ëndërr të re
Nis në pasjetën tënde për Kosovën ku çurgon një curril si asht burimi
E na zgjohet
Foltoreve e konakëve një ortek kujtese që theqaf harresën tragjike.
Me ty do të rizgjoj
nja ag të ri Kosove e do të marr në duar mijëra shtiza drite
Se Nata
Prapë kërkon të na hirnosë varret, sytë e brazdën
hej,
mes pranverave gjelbërore do shpërndaj lulëkuqe dashurie
Marrë
Nga zemra jote si rudinë ku kuqëlojnë sa e sa bajraqe.
3.
O ëndërr e bukur
Më jep kahdo një pranverë boheme deskiane me frymë lirie
Të thërras
brerimin në majat e një lavdie askurrë të shtirur
Të thërras
ca tupanë që bien kullave mureshpuar si me dekorata madhështie
Të thërras
qiejt e pamatë të fjalës tënde e të shpirtit liridonas e të bukur
4.
Me të
Dua të ringrej Urat e Zemrave të vrara, jo si murrana legjendash
Me 700 oda
të bajmë shkallë të ndrituara, gjer larg, në Pejë, në bjeshkë
fjala
në m’u mrroltë vëlla, do të marr si në duar urtinë tënde
e me nofullën e shqyer
do të ndal i lumturuar si Kostandin i gjallë në derë.
5.
Do të marr papërtuar
Ca hambarë shkronjash deskiane plot aromë e bukuri
T’i rimbjell
Në Çamërinë e halleve bash si Plaku i thinjur Mollëve.
Se Logu i Mençurisë
Fort po paska mall për të bërë sërish BETIM të ri
E trokashkës së mullirit
I është tharë shumë herë edhe currili që i vjen prej toke
6.
Kullë më kullë
Do të marr pishtarin e dritës tënde në duar.
Si djali më besnik
A si lokja e baca më i urtë i mbarë fshatit e fisit
Falmë, bre burrë,
Nëse më vjen marria në damarin e kaltër të gurrës
E unë
ia hap derën i qorrëruar, si të thaja farën e fundit të plisit.
7.
Pash fjalën e mencur
Ma jap vëlla një dorë dheu nga varri i lulëzuar ku kënga buron
Do t’ia marrim pejzat zemrave
E me to do bëjmë tela për lahuta e sharki me tinguj si bari në livadhe
Oh,
E sheh, e sheh, si zjarrmojnë tymtarët e kullat një gaz të ri kërkojnë
E fjala
Kërkon prapë një sofër ku të rrimë sërish të menduar, për të ardhmen
7.
Ah, vëlla.
Na u desh që të vinim plumbat në trastën e shkronjës
E këpucët e baltosura
Na dërguan në udhë mjegullore me ëndërr lirie
Në gjoksin e plaguar
U bëmë se e sa herë Gjergjë për pragjet e ndritura të Kosovës
Teksa neteve
Thurnim së bashku symalluar me dhimbje e gaz lirika dashurie.
8.
Ah, Tahir Desku, ofshama mos ma kalltë fjalën e dlirë
Kukama mos më mbuloftë me shallin si tym të zi
Nëse nuk të gjej livadheve në Pejë, Prekaz, Koshare a në Prishtinë
Në vargun më të ri brenda nesh ti vetëm…. RILIND.
Rita SALIHU
PAS KOHËS SATE TË TRISHTUESHME
/ Tahir Deskut /
Edhe pas kohës sate të trishtueshme
Hijet nuk hoqën dorë nga ndjekja
E dritës shekujve duke përtypur mashtrimin
Se mund t'i marin majat
E synimeve që na i le amanet
Deri ti nuk je në krye të rrugës
As në majën e majës së shpresës
Që të mbante vertikalisht para stuhisë
Ne shtegtomjë pa kalorës
Horizontet mbyllin kurorat
E ti si në balladë
Freskon trupin trurin
Duke ia vjedhë bukuritë Mirushes
Nuk di a buçet firishëm ujëvara
E mendimeve tua nëpër këngë
Apo Mirusha ngrihet peshë
kokën per t'ia shpëtuar lirisë
Lisat rreth e rreth tunden
Dhe qëndrojnë duke sviduar stuhitë
Në pelgje gjaku për të mos rënë
Çuditshëm rrënjët e shpresës
I ujit fresku i shikimeve tua
Që ia dhurove një vashe çastin e fundit
Së voni midis nesh
Pos dhëmbjes dhe mallit
Kanë mbetur dhe kujtimet për Ty
Që sfidohen rënd nga pesha e harresës
Boston, 2010
Skënder R. HOXHA
MIKU YNË POET
(Requiem Tahir Deskut)
Shpejt iku koha
Pas kodrave të Drenicës
Si pranverat në çantë
Të shkollarit të saj
Tahirit të Siçevës
Vargjet e poetit
Fjalëmbla – metaforë
Nuk harrohen
Rreshtat e gazetarit
Përherë kojtohen
Edhe në fronte lufte
Në Pika në Istikame
Kumbonte
Fjala e zjarrtë
Fjala kushtrim
Kur gjëmonte Llapushniku
Atje ishte Tahiri i Kosovës –
Miku ynë
Breznitë do të pyesin
Athua u zbraz herët
Gotë e jetës
Apo kobi mashtroi
Në fundvjeshtën me brymë?
(Fundnëntor 2008)
Kadrije MENIQI
TRIBUTE PËR TAHIR DESKUN
1.Kohët
(Poetit Tahir DESKUT)
Kjo natë
më kujton në agoni
buzëqeshjen tënde.
Më kujton
kjo natë e errët
drejtpeshimin
e humbur në pafundësi
dridhjen e fortë
vlugun e lulëzimit
në përleshje me furtunë.
Kjo natë s`ka fund
më kujton ecjen tënde të lehtë
shikimin me sy shqiponje
si nuk u deha atë natë
sepse e dehur veç isha
dhe me dashuri vargun qëndisja.
Kjo natë s`ka fund
as dita e re s`ka fund
valët nuk i shihja
por trandjet i ndija.
Eca duke kërkuar urë
që lidh kontinente
në kaltërsinë përrallore
këndova këngë të bukura
për legjendat e urave
që ndajnë pa dhembje
horizonte, horizonte.
Në çdo hap ndjek diellin
hëna më trazon
vetminë e kam shok të vërtetë
por ritmi çdoherë më shoqëron.
2.E PAKUFIJ ME JE
(U kthye ngase e thirri vendlindja,Tahir DESKUT)
Shumë stuhi prej detit
prej bjeshkëve të goditën
shumë stuhi bukurinë e duvakut tënd u përpoqën ta heqin
toka jonë orë e kohërave
i përballoj të gjitha.
Shumë hije deshën të errësonin bukurinë përrallore që ke
por aty ku shëndrrisin margaritarët hija vend nuk ze.
Kalove mote e mote duke luftuar furtunat e kohës
dhe asnjëherë nuk u dorëzove.
Ngrite kala e në kala kreshnikët kënduan me lahutë
e të mbrojtën me pushkë.
Fole e shqiponjave
asnjëherë penda nuk ndalet së krijuari për Ty
ritmi i vargut nuk ka të ndalur
si nuk kanë të ndalur as ëndrrat, as shpresat
se Ti je realitet i kohës.
Nganjëherë lutem të bëhem puhizë
dhe t`i prek të gjitha petalet e tua
t`i mbledh një nga një e kurorë krenarie të thurr.
Nganjëherë dua të jem heshtje e shirave e kohërat t`i ndjej
të freskoj çdo pëllumb të tokës gjithandej.
Dua të jem etje shumë herë
ujërat e tua t`i vështroj , bukurinë t`ua shijoj
ta freskoj shpirtin që moti mall ndjej
E pakufi je, e pakufie dashura mëmë Shqipëri…
3.ORAKUJT TË RINGJALLEN…
(Poetit Tahir DESKU)
Fluturoj e s’di të ndalem,
Të shikoj lart Shqipërinë,
Kam shumë mall për ato troje,
Kam shumë mall për Ilirinë,
Qëndrova mbi Çiçavicë,
Hodha sytë mbi Dardaninë,
Qëndrova në Këndrevicë,
Të shikoja Labërinë,
Nga Korabi shoh Pollogun,
Në Jezercë pash Dukagjinë,
Dola në Malin e Gjerë,
Të shikoja Çamërinë,
Në Baba Tomorr u ula,
Kuvëndoj me Perëndinë.
Thellë në mendime rashë,
Humba sytë mbi kaltërsinë.
Mendja më shkoi larg,
Të mora në krahë një dekikë,
Vajzë e bukur, dardanie,
Me kaçurrelat mbi ballë,
Veshur kuq e zi si flladi,
Doja të të kisha pranë,
Vështrimin tej, tej në male,
Përtej tyre shikon detin,
Detin, detin shkumë e valë,
Ma shton më shumë dertin.
Fllad dëbore, fëshfërimë,
Erë fushe trëndelinë,
Shtojzovalle fort si zana,
Nëna të përkundi djepin,
Të mëkoi me këngë e ligje,
Të mëkoi trimërinë,
Zemërzjarrta dardanie,
E bukur si dritë e Zotit.
Fluturz e vogël të qëndron mbi dorë,
E ledhaton ëmbël me sy,
Çfarë më sjell o lajmëtare,
Një lajm të bukur si ty?
Vij nga larg, nga Arbëria,
Të çmallem pak me ty,
Prap do kthehem në luadhe,
Të lodroj përsëri,
do më marrë malli shumë,
Do të kërkoj prapë të vij,
Do të vij me lajme shumë,
Për të bukurën Arbëri.
U ngrita vrap fluturim,
Me sy të zjarrtë vezullimi,
Do lëshoj zë bubullime,
Rrufe e shkrepëtimë,
T’i drejtohem djalërisë,
Heshtja shumë më mundon,
Zemra më çahet, për Ilirinë,
Kam shumë për të thënë,
Derti kurrë s’mu nda nga sytë,
E di çfarë po më kërkon,
E di çfarë të mundon,
E di pse po ngulmon,
Në zemer diç të vlon,
Të vlon dashuria,
të vlon mirësia,
Të vlon trimëria,
sytë te djalëria,
Sytë rrufe nga qielli,
Zëmër zjarr tërmeti,
Toka të lëkundet,
Të përmbysen malet,
Zëri të ushtojë,
Orakujt të ringjallen…
4. Oaza e shpresës
(Reporterit te luftës,Tahir DESKUT)
Nisem e mbërrij në oazën e shpresës
me varkën e këngës
thyej rregullën e moçme të Pritjes
me hapin mes valëve të çmendura
me guximin e zgalemit
e mbështjellur kuq e zi
me aromën e bashkimit
me lahutën e gëzimit.
Është caku i fundit ëndrra ime
perdja e diellit aty lëshohet
shkëlqimi i ylberit aty vizatohet
margaritarët e detit aty gërshetohen.
Po kthehem në folenë e moçme të ëndrrës sime
po zemra a çelet pa çelës
e kënga a del pa fjalën e gjallë
unë pyes veten e them: po kësaj rradhe po.
Jam aty tek ti oaza ime
jam aty me ëndrrën time
kthim nuk ka
jam vendosur dhe rrënjë kam lëshuar
Shqipëri fole e imja, e imja nënë…
Izet ABDYLI
ARA ME SHFAQET KANJUSHË E VERDHË
(Tahir Deskut)
Sa here shoh imazhin tënd
Para me shfaqet libri Kanjushë e verdhë
Ato ditë marsi 1981
Rastësisht e gjeta te një shitës rruge
Pranë menzës së studentëve
Sa u gëzova unë
Më shumë u gëzove ti
Se Jusufin e kishim larg
Por Kanjushën e kishim pranë
Sa u çmallëm ahere me vargjet e tij
Aq po çmallem sot me kujtimin për ty
Ishte ditë marsi 1981
P.s. Ishte pra libri Kanjuishe e verdhe i Jusuf Gervalles si shkas qe une te njihem me 1981 me Tahir Deskun, une e kisha gjetur rastesisht dhe ai ma mori ne huazim per nja tri jave.
Rrahim SADIKU
I GJALLË MIDIS TË GJALLËVE
(kujtimit të Tahir Deskut)
Kthyer pas aq vitesh nga kthetrat e ferrit
shkova në takimin e shkrimtarëve....
Aty sikur vdekjen e ferrin i panë së bashku,
sytë nuk shihnin,
fjalët nuk dlinin,
qeshjet ngrinë…
E Tahir Deskut i qeshi fytyra,
me vrull erdhi e më përqafoi:
“O, mirë se na erdhe burrë!
Mos na e vë re hutimin,
eja e ngrehim nga një gotë,
këtu, me vëllezër e motra rrethuar,
gëzohemi kur të shohim më të gjallë midis të gjallëve!”
Venka CAPA
FANAR HISTORIE
/ Tahir Deskut /
Vringëllove armët e rrokullise gurin e historisë,
Në vrullin poetik si gurgullima e ujit të rrëpishëm
Fluturove dhe mblodhe nektar kudo në hapësirë,
Lirinë kërkoje, në fluturim...pa bërë kompromis...
Ty të rrëmbeu, të nxiti, të frymëzoi,
Dashuria për atdheun dhe liria!
Mirësinë e gatuaje e i jepje formë kuptimit...
Ti je poçari i letrave, poçari i vargjeve për liri,
Vargu ishte ajër, oksigjen, frymëmarrje dhe atdhe!
Burimi i i tij ishte trokëllimë kali.
Heshtje e murosur, psherëtimë e hijeve
Që endej i vendosur nëpër këtë lëmsh jete...
Bota shpirtërore të rrëqeth me trimëri e penë.
Shkrove për njeriun, këndove për lirinë,
Ne sot e shohim, e ndjejme thellë,
Me sytë e receptorit të zemrës...
Testamenti i heroit T.Desku, do jetë fanar,
Rreze drite për të gjetur shërim çdo bashkëatdhetar.
Emri juaj është pjesa e ndritur e historisë,
O reporter i shpirtit, të lirisë e pavdeksisë
Sevëme FETIQI
PSE VDIQE PARA VDEKJES
/ Tahir Deskut /
Ah ajo natë
kur ishte pa hënë
Ditë pa dritë
Agim pa këngë këndezi
Qiell pa kaltërsi
E ai bar që i vinte
Erë tym e flakë
E kjo Tokë
Kur thithte lumenjë të gjakut
Ti ishe aty
Ata që është dashur
Të mbesin në heshtje
Ç´ka ju duk atyre jeta jote
Ç´ka ditën ata për bukurinë
E lindjes së shpirtit përsëri
Pas shekujve të vrarë
Le të mbesin përjetësisht
Në baltën e gënjeshtrave
Ata që zgjohen vonë
Ofshamat për t´i shëruar
Dhe ata që me këmbë urrejtjeje
Shkelin gjakun e atyre
Që ishin këtu e më s´ janë
Nëse nuk ka Shqipëri
As ne s ´do të jemi
Të vdesësh para vdekjes
Domethënë të zgjohesh
Heret me këngën e këndezit
Deri në pavdekësi
Kozeta ZYLO
RINGJALLESH SËRISH
(Poetit prej Kosove Tahir Deskut)
Vargu yt, është kthyer në asht Kosove,
Ku brenda palcës, kuqon gjaku i dlirë,
Me plisin e bardhë heq stinët e vdekjes,
Dhe çel lule bozhur, mbi gjurmën e ngrirë…
Xhemajl RUDI
NË MES ËNDRRËS
/ Poetit të Lirisë,Tahir Deskut /
Në mes endrres
është
nderprerja jote
e zerit tënd
e kenges se pathënë
e ndjenjes se lenduar
prej ushtari te fjales
te maleve te lirise
ku rridhte fitorja e pergjakur
ku pikonin ditet ne lotin e fëmijës
në sytë e nënave ku ngrihej qëndresa
në honin e qiellit si re te bardha
vijezonin mbi trishtim te muzgut të mbremjes
udheve te golgotës
dhimbje pikonin mëngjeseve të rinjë
Ti poeti i zemres së dheut
i këngës të mbetur në mes
i shpirtit që pikon mallë
në kujtimin për ty
si obelisk në udhen e jetës
endrrat e tua që marrin hapin tutje
pas vdekjes
pa ty
pikon si qiriri dhe ndritë në muzgjet
në udhën e Lirisë e të fjalës së pathënë
ku rri e heshtur si një pikëllim
te vese e ngrirë e syrit në këngën e zërit tënd
Ruzhdi BERISHA - Rudi
TI LIND ÇDO DITË LULE GJAKU
/ Kujtim për Tahir Deskun /
Breshëri plumbash nuk e mposhtën dot lirinë
Atdheu jetoi edhe pas gjithë atij pushkatimi
Mali i Malësisë gjithandej frymon i gjallë
Dëshmor në rrugën e stërgjatë të përjetësisë
Vigani i pamposhtur pi përjetësisht ujë të pastër
Ai nuk nënshkruan marrëveshje kundër kombit
Dallëndysheve të vrara nga pushka e barbarit
Po shqiponja vret korbin edhe me dy të shtëna
Delet ç’kullosin në tokën e pushtuar nga brenda
E gjaku yt lind çdo ditë lule me njatë ngjyrë të kuqe
Si guxoni t’i këputni lulet me aromë varresh
Po përse shkelni mbi gjakun e iliro-dardanëve
Unë iu lashë të lirë edhe pse ika kur erdhi liria
Mua më bartin engjëjt e lirisë në krahë drejt amshimit
Edhe pse sytë i kam të hapur për vajzën time për djalin
Por shpirtin ia fala tokës pellazge - tokës Shqipëri
Mos më qani në liri e nëse doni flisni disa fjalë për mua
Më lavdëroni vetëm për hir të Zotit e të vërtetën thoni
Unë jam i gjallë jam vetë Tahir Desku e jam këtu me ju
Engjëjt më sollën në rreze lirie dhe qirinjtë më bëjnë dritë
Jam këtu me ju dhe ju dua shumë vëllezër dhe motra
Nga dëgjoj këtë zë të Tahir Deskut që më flet nga lart
Të mos heshtim ta dëgjojmë mirë porosinë e këtij burri
Gjaku që nuk lind kryetrima po është një gjak i humbur
O Tahir - Tahir Desku gjaku juaj a s’është vetë liria
Diell që ngroh dhomën time e hënë që natën zbardh
Se je engjëll i lirës së Atdheut histori pene e pushke
Je vetë Shqipëria ndaj ju kujton gjëmëmadhe Shqiptaria
____
Përgatiti për Revistën "AlbPlanet", Alketa Maksuti Beqari
Autorë i fotografisë së poetit Tahir Desku është Sadri Hadergjonaj
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen