Montag, 27. Januar 2020

Gani Mehmetaj: BISHA ME ÇIFTELI

Gani Mehmetaj

Bisha me çifteli

      E takova në Gjenevë në një manifestim kulturor shqiptaro-zviceranë. Kur e pashë pas tetë vjetësh, rrymimi i fortë me një ngrohtësi përvëluese, ma përshkoi gjithë shtatin, me la forca, mu shkëputën gjymtyrët, nuk i zotëroja dot lëvizjet, gjoksi me shtrëngonte me një dhimbje të fortë, ndërsa këmbët vetëm sa nuk më lëshuan. Asnjëherë në jetën time nuk ndjeva dobësi më të madhe dhe një çakordim të tillë të shtatit. As atëherë kur ma lëshuan rrymën elektrike nëpër gjymtyrë. E pashë turbullt. Mu duk sikur me fanitej. Nuk doja të besoja që ishte real. Vetja me dukej si viç që nuk ka as shprehje sysh, as mimikë fytyre, as maskë, por vetëm shikim shkretanë që nuk thoshte asgjë dhe nuk shprehte asnjë ndjenjë.
      Ai më shikoi ftohtë. Sikur nuk me njihte, sikur takoheshim për herë të parë, por që nuk kishte asnjë interes për mua. Madje edhe kureshtja për një të panjohur, që i kishte dal rastësisht përballë, i mungonte. Ma kaloi fytyrën me shikim prej eskimezi, sikur të isha qenia më e parëndësishme e planetit pa asnjë dëshirë që të paktën të më përshëndeste me një lëvizje koke, sepse ishim përballë: vetëm unë dhe ai. Kishte edhe një grua në krah, mirëpo ajo dukej si leckë që iu kishte varur në supe, sepse gati nuk ishte me te dhe nuk me shikonte fare.
      Ajo ishte përqendruar në ekspozitën e librave e të fotografive, ku unë duhej të isha ciceroni që kisha marrë obligim nga organizatori t’ua shpjegoja njerëzve ato që ishin renditur faqe murit shqip e frëngjisht. Dhe derisa shikoja si një viç, ai kaloi para meje po aq indiferentë sikur në çastin kur ma shëtiti fytyrën me shikimin bardhë. Pak më tutje ndenji para një fotografie, pastaj u largua qetas e me ngathtësi, sikur ta kishte në dispozicion gjithë kohën e botës. Mua mu duk ecje shpërfillëse deri në arrogancë, që vazhdonte të më paralizonte.
      Kur me erdhi pak forcë ika nga salloni dhe u mbylla në një kthinë të ngushtë, që të ngopesha me ajër.
      “Është Ai”, - i thash me shqetësim kolegut, që me shikoi me habi dhe pa me kuptuar, por që kaloi pa me pyetur më shumë. Ishte mësuar me sjelljet e mia ndonjëherë të çuditshme për te. Nuk e di sa kohë kaloi, por kur u këndella dhe bëra ballë të dilja në sallonin e ekspozitës aty nuk kishte asnjëri. U lehtësova... Ika në shtëpi i dërmuar.

*
      Nuk e keni idenë se si është të takosh ish-torturuesin, i cili me ka rrahur pa mëshirë e brutalisht, derisa i humbisja ndjenjat. Dhe, kur këndellesha i larë në gjak, që tashmë ishte mpiksur, atë e dëgjoja disa hapa tutje se si i binte çiftelisë dhe e këndonte këngën e Ahmet Delisë në kupë të qiellit, sikur të mos kishte ndodhur asgjë. I mbledhur kruspull në dyshemenë e ftohtë të betonit, rënkoja mbyturazi nga dhimbjet e grushteve të tij, ndërsa tash po ata gishta të cilët para disa orësh ishin bërë grusht që me shkaktonin dhimbje zgjateshin nëpër telat e çiftelisë. Zëri që pak më parë ulërinte, tash përvijonte i zvargur nëpër kadencat e telave të çiftelisë dhe e ndiqte vijën melodike, sipas ritmit të këngës. Ishte pas mesnatës, kur ai e përfundonte seancën e dajakut, sikurse e quante...
      Net të tëra i kalova pa gjumë. E urreja vetën që u tregova i qulltë atë pasdite qershori në ekspozitën e librave e të fotografive në Gjenevë. Nuk e gjeja arsyen e kësaj dobësie. Me vinte e papritur se si isha bërë kështu. Sa herë kisha ëndërruar hakmarrjen. Mu kthye ankthi i muajve të torturës. Me dolën përpara pamjet e të gjitha fazave: arrestimi, rrahjet, netët e pagjumë me dritën e fortë elektrike mbi sy, Ai që ulërinte dhe pastaj i binte shtruar çiftelisë.
      Fillova sërish ta ndjeja dhimbjen e grushteve të tij që mi veshte fytyrës me egërsinë e bishës. Ndërsa ndjeja dhëmbët e mi që kërcëllinin me mllef e tërbim. Dhe atëbotë isha i gatshëm ta kafshoja si tigri i çartur, po të kisha mundësi, po të me lejonin, por isha i pafuqishëm: bëja përpara, madje ngrihesha në këmbë me gjithë karrige, por prapë bija me rrapëllimë në tokë duke u rrokullisur, sepse duart mi kishin lidhur pas karriges me një tel të hollë çeliku, që mi priste kyçet sa herë lëvizja. Gjunjët më bëheshin gjak kur bija në dyshemenë e zhveshur, meqë përpiqesha të mos rrëzohesha në bërryla, sa herë bija në bërryla me kapte korrenti i gjymtyrëve dhe me vinte të vjell.
      Kur me kalonte tërbimi i parë nga kundërgoditja e prangave në këmbë, dhe e telit të hollë kyçeve ia ktheja me refren pa u ndalur: “Qen, birë kudre, zagar i shkive!”. E ai me shihte gjakftohtësi. Humbisja ndjenjat, shkrihesha në pafundësi...
      Me këndellte trupi i dërmuar, buzët e përcëlluara e të ënjtura që nuk mund t’i lëvizja. As kokën që me dukej e madhe sa një gur mulliri, nuk mund ta prekja e as ta kruaja, megjithëse gungat me digjnin dhe me dhembnin aq sa do të gjëmoja si lehonë gjatë lindjes po të mos me vinte inat nga Ai-xhelati. Ose bisha, siç e quanin të burgosurit.
      Ndonjëherë kur rrinte me gjatë me thoshte me cinizëm: “Zoti me ka falë t’i bie çiftelisë e jo të merrem me budallenj si puna jote! Trego argatë i kujt je dhe shko në shtëpi se të presin”, - ma kthente me një ton tjetër: të butë, gati lutës. Në kërcënimet e mia kur isha në kulmin e tërbimit ndonjëherë denjonte të më kthente përgjigjen me cinizëm: “Ashtu ta merr mendja ty. Kurrë nuk do të te vjen rasti ta nxjerrësh hakun”. I shtrembëronte buzët me përbuzje dhe vazhdonte me zërin e qetë: “Nuk je as i pari dhe as i fundit që me kërcënon. E di ti, si do të sillesh po u takove rastësisht me mua në rrugë? Do të skuqesh nga inati dhe do të ma kthesh shpinën sa më parë, nëse nuk do të kesh kohë që të kalosh në anën tjetër të trotuarit”.
      Me tregonte me po atë gjakftohtësi se si një burrë më i fortë se unë e jo “adoleshent i papjekur”, i cili e kishte kërcënuar se do ta bënte copa, se eshtrat do t’ia thyente si pulës dhe do të kënaqej pastaj në ulërimën e tij, kur e takonte nëpër korridore të policisë jo vetëm se nuk e kishte mbajtur premtimin, por e kishte ulur kokën dhe kishte vazhduar rrugën si qeni me bisht ndër shalë. “Prandaj, - vazhdonte ai me cinizëm (ndërsa mua me dhembte çdo gjymtyrë), - mos i premto vetës shumë, mos e ngarko vetën, se pastaj ka rrezik të te mos zë gjumi dhe të del vetja hujit”.
      Përpiqesha të veja në lëvizje mimikën e fytyrës e të buzëve që nuk i kisha fare nën kontroll, sepse ishin të ënjtura si kukullat kineze, për ta formuar një shprehje përbuzëse, por nuk arrija. Vetëm ofshaja, ndërsa dhimbjet me shtoheshin në çdo lëvizje të muskujve të lënduar. Kalova net të tilla të rënda e të frikshme, që armikut nuk do t’ia dëshiroja mes grushteve të tij me tingujt e çiftelisë, të cilën deri atëherë rrallë e kam dëgjuar, ndërsa sot e kësaj dite nuk e duroj dot. Ma kujton xhelatin tim dhe ngërdheshjet e tij të vazhdueshme.
     Pastaj sikur nuk i mjaftonin grushtet që m’i jepte pa mëshirë, ma afronte nxehësen elektrike mbi tavolinë që, kur fillonte e frynte ma bymente aq shumë trurin, saqë kisha përshtypjen se koka më bëhej sa Pallati i Rilindjes, ndërkaq ai herë me afrohej e bëhej gjigantë, herë me largohej duke u zvogëluar si kokrrizat në ekranin e televizionit, kur ndërpritet korrenti. Dhe kur filloja të djersija nga sikleti, illonte: “Kush të ka thënë të shkruash parulla armiqësore (i quanet kështu inicialët KR)!? Kush t’i dha librat e ndaluara?!”
      Unë heshtja. Me vinte herë të qeshja në kupë të qiellit, herë të qaja deri në ngashërim, sepse nuk ma kishte marr mendja se një shkrepje kokëkrisur e dy shokëve të mi nga gjimnazi, që të bridhnin natën e të shkruanim parulla, nëpër asfalt e mure, do të na kushtonte kaq shumë. Madje, aventura jonë e pasmesnatës u bë për t’ua dëshmuar shoqeve tona guximin dhe sa kokëkrisur që ishim. Doja ta shihja reagimin e Fjollës, shoqes së bankës së tretë, ndaj së cilës ndjeja një emocion deri në eksitim. Ajo vdiste pas djemve të guximshëm. Mua me shkrepi të tregohesha i tillë në një çast euforie. S’më shkonte në mend se do të më kapnin.
      Pas dy muajsh të seancave intensive, kur nuk patën ç’të nxjerrin më, më dënuan me katër vjet burg. Isha i lumtur që shpëtova nga ajo bishë me mbrëmjeve i binte çiftelisë.
Kurrë më nuk e takova as korridoreve të Stacionit të policisë as korridoreve të burgut. Me degdisën në një burg slloven, ku u treguan shumë më njerëzor ndaj meje. Disa muaj i kalova nëpër spitale për të shëruar plagët dhe traumat.

*
      E kisha fjetur mendjen se do ta takoja ndonjëherë në këtë botë Bishën me çifteli, e kisha harruar fare. Kishte vjet që nuk mendoja as për hakmarrje. Gjërat u shthurën ashtu siç nuk me kishte shkuar kurrë në mendje: ish xhelatët tanë i dëbuan nga puna dhe mbetën me gishta në gojë. Me treguan se filluan të shiteshin patriotë. Unë ika në Zvicër. Nuk më zinte vendin vend në vendlindje. Brezi im me dukej i huaj. Nuk i kisha mëri pse kaluan më mirë se unë, por nuk e ndjeja vetën mirë në mesin e tyre. Ata ndonjëherë e ndjenin vetën fajtorë, megjithëse nuk mendoja se edhe ata është dashur të vuanin sikur unë. Dhe pasi fillova një jetë të re, kur me Ai më doli përballë. Më ktheu në një kohë që doja ta shlyeja nga kujtesa. Por, në vend të saj, ma ngarkoi edhe një kompleks që më bën të vuaj: Athua jam frikacak?
      Me vinte plasja që nuk gjeta forcë për t’ia zbrazur mllefin e dikurshëm, ose të paktën për t’ia hedhur një fjalë përbuzëse, që ta bëja të turpërohet. Më vonë me thanë se Ai, emrin e të cilit as tash nuk dua ta përmend, kërkonte azil politik. U kishte thënë zyrtarëve zviceranë, ashtu me tregoi përkthyesi shqiptar, se ishte i përndjekur nga serbët. Gati sa nuk u ngulfata nga një e qeshur histerike që ma zuri frymën. Kur shoku im i burgut, që tash përkthente në polici e në institucione, me këndelli me shpulla fytyrës, sepse pati përshtypjen se jam çmendur, fillova të qajë. Me vinte turp për atë që bëra. Dhe e fyeja mikun tim. Fillova ta urrej edhe Zvicrën.
      U ktheva në vendlindje dhe hoqa dorë nga azili e statusi që ma dhanë.

Nga përmbledhja e tregimeve “Kujtime të trishta”

Donnerstag, 16. Januar 2020

Këngë popullore të dashurisë


MORI E MIRA SE N’AT KODËR

Mori e mira se n’at kodër,
E mirë je, veç pak e vogël.
- Djal i dadës, jam tamam,
Matmi vithet sa gjan i kam,
N’dash me kuti, n’dash me pllamë.
Për me kuti s’di shka t’tham,
Për me pllamë dalin taman.
- I lumi burri qi t’ka nxanë,
E lumja vjerra q’i thrret nanë,
Lum oborri qi shkel me kamë,
Lum sharovi q’i qet me ngranë!
T’mjert’ jaranat ku i ke lanë!
- S’kam lane shum, nizet e nanë,
Nizet e nan’ e rrafsh tridhetë,
Ja lash motres-o amanet,
Me m’i kqyr ma mirë se vetë.
Me m’i kqyr me dardha e molla,
Janë të ri, m’u thahet goja.

Vranoc – Lugu i Baranit, 1957
Marrë nga libri KËNGË DASHURIE I, i botuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës në Prishtinë në vitin 1979



ÇIKA ÇIKËS PO I QON FJALË

Çika çikës po i qon fjalë
Cila e kem cicën ma t'bardhë
Hajt ta d'vesin qat beqar
Po thotë djali s'un me u kallxu
Për pa ardhe vet me i provu
Në i provosh cicat e mia
Ato t'nxanë sikur rakia
I ban shtatë gjaqe pa shku te shpia
Edhe 'i bafsha spo kam dert
Veç me dorë 'i herë me i prekë

Kosuriq - Lugu i Baranit 1987



Kush po zdirgjet qasaj are

Kush po zdirgjet qasaj are?
Ni syzezë kapuç me pare,
As e vogël, as e madhe,
Sikur dardha rrumbullake;
Po kuvend djali me çikë.
Po i thot nusja: – Shka po lyp?
– Njanen faqe me nji cic’
Qaty nusja i paska brit’:
– Mos ja jep t’plasshin syt’!
Asht i ri e na korit’.
E lyp rokin dit’ për dit’.
Soll ni dit’ n’rok mos m’i dalë,
S’na le vendin n’shtat mahallë.



Oj syzezë qi delë në derë

Oj syzezë qi delë në derë,
Të thaft’ zoti për kit verë!
Pse i ban veti poterë,
Se mahitna me goj’ka ‘i herë?
Goja e fyti m’u kan’ terë,
M’u kan’ terë goja e fyti.
A ma jep cicën ta thithi?
M’ka dek’ nana, m’ka lan’ t’ri;
Cica t’bardha kurr s’jam ngi;
Pak po i ha, ma shumë po i pi
Si maraku i djalit të ri.



Mori çikë mori sugare

Mori çikë, mori sugare,
A t'kanë nisë cicat maje?
E m'ka nisë njana sivjet,
Kmisha e trash'e po m'i vret;
Kmisha e hollë m'u le lezet
S'e n'maje t'cic's po m'del sherbet!



Kush po zdirgjet qasaj are

Kush po zdirgjet qasaj are?
Ni syzezë kapuç me pare,
As e vogël, as e madhe,
Sikur dardha rrumbullake;
Po kuvend djali me çikë.
Po i thot nusja: – Shka po lyp?
– Njanen faqe me nji cic’
Qaty nusja i paska brit’:
– Mos ja jep t’plasshin syt’!
Asht i ri e na korit’.
E lyp rokin dit’ për dit’.
Soll ni dit’ n’rok mos m’i dalë,
S’na le vendin n’shtat mahallë.


Mike me gjerdan në grykë
/ Përmetare /

Oh mike me gjerdan në grykë
të shtrëngoftë e mos të mbytë
Oh mike me gjerdan në grykë
Të shtrëngoftë e mos të mbytë!

Oh mike me fustan erëgjendë
uh bubu seç paske brënda
Oh mike me fustan erëgjendë
uh bubu seç paske brënda.

Oh brënda ke dy mollë të ëmbla
hëngra një dhe dot s’u shëmba
Oh brënda ke dy mollë të ëmbla
hëngra një dhe dot s’u shëmba.

Oh bandill mos u ngopsh kurrë
janë ilaç për të sëmurë!
Oh bandill mos u ngopsh kurrë
Janë ilaç për të sëmurë…

____
Disa nga këngët janë marrur nga libri "Kangë popullore erotike" të autores Vlora Nikçi

Poezia erotike në letërsinë tonë të traditës


Nga Anton ÇEFA

Në esenë e tij të njohur "Tradita dhe talenti individual", Th. Eliot theksonte: "Asnjë poet, asnjë artist i cilitdo art, vetëm nuk e ka kuptimin e plotë. Rëndësia e tij, të çmuarit e tij, është të çmuarit e marrëdhënies së tij me poetët dhe artistët e vdekur." 1).Është e nevojshme dhe e domosdoshme për shkencën letrare të inkuadrojë në gjirin e letërsisë kombëtare shkrimtarët e talentuar, që t'i kuptojë më mirë ata, të përcaktojë në njëfarë mënyre rrënjët e artit të tyre dhe, sidomos, të nxjerrë në pah risitë me të cilat ata e begatojnë më tej sofrën e letërsisë kombëtare. Në këtë këndvështrim, ky shkrim synon të analizojë poezinë erotike të poeteshës së talentuar Iliriana Sulkuqi.

Kritikja e njohur lerare, Klara Kodra ka shkruar: "një damar floriri ekziston në poezinë e Ilirianës" 2). Mendoj se ky damar, më së tepërmi, shkëlqen në motivet erotike, kryesisht në përcaktimin e objektit krijues dhe në trajtimin e tij artistik shikuar nga një vizion femëror, çka është jashtëzakonisht e rëndësishme për letërsinë tonë, sepse një vizion i tillë, për kushtet sociale dhe shkallën e emancipimit shoqëror e shpirtëror të popullit tonë, në përgjithësi, dhe, në veçanti, të femrës, ka ardhur i vonë, disi rryeshëm dhe i tërhequr. Më tepër se kudo, në këtë vizion femëror shquajnë origjinaliteti motivor dhe risitë stilistike të kësaj poeteshe.

Termi poezi e dashurisë, në shkencën tonë letrare, në një kuptim të gjerë, përfshin përveç poezisë erotike edhe poezinë e dashurisë për atdheun, për vendlindjen, poezinë e dashurisë me tematikë sociale, universale, refleksive, etj. Lirika erotike, nga ana e saj, është zhvilluar në hulli të ndryshme si lirikë erotike e pastër, platonike, refleksive, sensuale, etj. Erotikën pornografike, licensioze, letërsia shqipe e traditës nuk e ka miratuar, edhe kur është shfaqur ajo.

Në letërsinë arbëreshe të traditës, si tek De Rada dhe Dara, poezia e dashurisë dhe, në mënyrë të veçantë, ajo degëz gjithnjë e blertë e me freski të përjetshme, poezia erotike, nuk është kultivuar si poezi e veçantë, por topikë të këtij rrafshi poetik, të fuqishëm e me bukuri të rrallë artistike, gjejmë plot në veprat e tyre. Thjesht, poezi erotike ka shkruar vetëm Serembe.

Lirika erotike në letërsinë shqipe zë fill me ciklin poetik "Bukuria" të Naimit, kryevepra e tij dhe një nga perlat më të bukura të poezisë shqipe të dashurisë. E kanë pasuar, duke përmendur më të fuqishmit në realizimin artistik, Lasgushi, Migjeni, Gaspër Pali, Camaj dhe poetë të tjerë bashkëkohës, që nuk mungojnë.

Sulkuqi, si në jetë edhe në art: Mbi rrugën e gabimeve të mia, rrita veten, / bëra gruan, /bëra nënën, /trajtëzova femrën.” Ndërsa, mbi bazën e një disponimi të ndërgjegjshëm në rrugën e vështirë të artit poetik, ajo "trajtëzoi" një poezi femërore me vlera artistike të larta. Kjo poeteshë zgjeroi dimensionet e poezisë së dashurisë në hapësira poetike pak ose aspak të njohura më parë në letërsinë tonë. Në rrethin tematik motivor, ky polaritet krijues dimensional i saj përkap motivet e dashurisë në hulli poetike të tilla si humanizmi, universalizmi, atdhetarizmi dhe kryesisht erotizmi.

Si edhe poeti ynë i madh i dashurisë, Lasgushi, Sulkuqi dashurinë e ka frymëzim të përhershëm e të pashtershëm. Për atë, dashuria është “ëndrra që mbetet e zgjuar tërë jetën”.

Dhe dashuria, dashuria / me një ëndërr të pafjalë,
Të rrëmben nga frymë e fundit, / të risjell në këngë prapë.

Kjo sepse, siç është shprehur kritiku ynë i njohur Ali Aliu, “dashuria është një etje asnjëherë e shuar, një etje e zhuritur . . .”, “është emocion përherë dhe rishtaz i freskët dhe i përtërirë, emocion që prore fillon nga e para, përkatësisht si përjetim i papërsëritur kurrë njësoj, është ‘lojë e shpirtit.” 3).

Dashuria është kryemotivi i poezisë së saj, është motivi që e sjell dhe e risjell gjithnjë tek vargu. Në një poezi kushtuar Robert Bernsit, ajo shkruan:

Sikur të ishe ende gjallë
Ti, Robert Bernsi i dollisë,
Me ty, një ditë, do dring-ja gotën,
Veç me dolli të dashurisë.

Duke u nisur nga realiteti jetësor konkret, që në këtë rast është admirimi i poeteshës për poezinë erotike të Bernsit dhe njëfarë përfytyrimi për jetën e tij, në këto vargje është njëmendësuar një realitet artistik i gjallë e komunikues me lexuesin i vlerësimit të jetës dhe të veprës artistike të shkrimtarit të madh anglez, në mënyrë të veçantë, të lirikës së tij erotike, dhe i vetë dashurisë si ndjenjë e fuqishme njerëzore.

Në njërën nga poezitë më të realizuara artistikisht – në poezinë kushtuar Eseninit – që zë vend në rrethin më të ngushtë të poezive më të bukura të kësaj poeteshe, është shprehur përhershmëria e frymëzimit nga dashuria si dhe është pohuar ndikimi i pashmangshëm i “poetëve të vdekur”, siç e ka thënë Th. Eliot.

Ku më gjete,
Që më zhveshe,
Gjer në palcë të trupit tim?

Me ty puthem,
Qaj me vete ,
Unë jetime, ti jetim . . .

Të rrembeva
Një beriozë,
Për inat, më zhvirgjërove . . .

Kjo është poezia, me katër topikët e saj: zhveshja, dashuria, rrëmbimi i beriozës dhe zhvirgjërimi. E kursyer deri ku nuk shkon më përtej, kjo poezi në secilën prej këtyre fjalëve ndryn nga një simbolikë me fuqi e bukuri artistike të rrallë. Vargjet e fundit: “Nëse ti / je vagabond, / nuk të bëhem vagabonde”, janë mish i huaj që e dëmton poezinë, një jehonë e vjershërimit deklarativ të realizmit socialist.


Ekzaltimi i dashurisë deri në vdekje

Si në poezinë erotike të fillimeve të traditës sonë letrare, poetesha jonë ekzalton të dashurin dhe vetë ndjenjën e fuqishme të dashurisë, fuqinë e madhe të saj, deri në shkallëzimin më të skajshëm, që është pranimi me dëshirë, kënaqësi dhe qetësi shpirtërore i vdekjes. Në një poezi të shkurtër prej tetë vargjesh, njëri prej të cilëve përsëritet dy herë, thuhet: “Për ty / gjallë hyj në varr . . . " (“Mos harro").

Është ky trajtësim që zë fill që nga "Bukuria" e Naimit, poemthi që zë kryet e vendit në sofrën erotike: “E mora vdekjen në sy, / Do të vdes, të vdes për ty.” Poeti ynë i Rilindjes e himnizon gruan, e bën Perëndi dhe, kështu, të veshur me atribute hyjnore, i nënshtrohet. Poetesha jonë është gati të pranojë një nënshtrim tokësor; ajo i drejtohet të dashurit: “Më fal, udhëtar i pagjumë! / qenkam robinjë e fatit tënd.”

Dashuria përjetohet si një ndjenjë e ndërlikuar dhe kontradiktore dhe, në procesin krijues njëmendësohet si një ndjenjë e madhërishme, substanca shpirtërore e së cilës është mbrujtur me dhimbje e lumturi, me gaz e vaj. Në traditën e erotikës sonë, për të shprehur dhimbjen e fortë , vuajtjen, torturat e dashurisë , sidomos në rastet kur ajo nuk gjen përgjigje, qysh te Gavril Dara dhe, më së voni e më së tepërmi, tek Lasgushi, poeti i papërsëritshëm i dashurisë, është përdorur dendur leksema llaftari a llahtari. Në poezinë popullore kjo fjalë ka kuptimin e frikës së madhe, tmerrit, ankthit, siç e gjejmë, p. sh. tek një këngë popullore: “Vjen një lumë i turbull-o /sa i turbulluar qenka, /sa i llaftarisur qenka!”. Mirëpo në lirikën e lëvruar kjo leksemë ka fituar një konotacion të veçantë e shumë të fuqishëm. Gavril Dara tek “Kënga e sprasme e Balës”, ku në hullinë patriotike ndërthuret dashuria e Marës me Nik Petën, në gojën e Marës ka vënë këto vargje: “Në je gjallë pse nuk kthehe / tek ky gji që llahtariset”; ndërsa Serembe, në poezinë “Këngëtari dhe bilbili” ka strofën: “Eja, vashë, e gëzomë / tash që kam kaq dridhërime / dhe me këngë qetësomë / nga të thellat llaftarime”.

Lasgushi e ka zgjeruar së tepërmi hapësirën konotative të kësaj lekseme. Studiuesi Vehbi Bala ka shkruar lidhur me këtë: “Dashuria përshkruhet si ‘llaftari’, mall që zor se gjen kënaqësi në jetë, dhe që ndjell dëshpërim”4).Studiuesi Sabri Hamiti, llaftarinë tek Lasgushi e ka trajtuar si: “njëra nga figurat çelës të shenjimit të superlativitetit të intensitetit shpirtëror, e pranishme në të gjitha temat e shkrimeve poetike” 5). Gjithsesi, mendoj, se Lasgushi e ka pasur obsesion përdorimin e kësaj fjale. P. sh., ai thotë për gjuhën shqipe: “O djellë-i llaftaruar që ndrin si pikë lot”.

Më i vonshmi, poeti Gaspër Pali, ka poetizuar: “Muzgu mendët m’i shastisë; / kah shpirti më ban njiherit tmerë e përqethje / me u llaftarisë”.

Sulkuqi i është shmangur me origjinalitet përdorimit të kësaj lekseme. Ajo gjendjen shpirtërore të llaftarisë e ka dhënë shumë bukur, në një rast, me epitetin "e përdjegur", në poezinë "Të vij sonte, apo?" : "Të vij sonte/ apo sonte? / A pas vetes së përdjegur", ku është realizuar artistikisht edhe një shkallëzim i kësaj ndjenje, që shkon nga një përndezje e menduar tek përdjegia e shprehur dhe që përbën shkallën më të lartë të dhimbjes, thellësinë më të madhe të plagës. E shprehur ndryshe, kjo lartësi në shkallëzimin e përjetimit dhe të sendërtimit poetik të dashurisë është dhënë edhe në poezinë artistikisht të dobët, prozaike: "Jam e çmendur", ku thuhet: "Jam e çmendur / Më shumë se dashuria".


Këngë e vaj bashkuar..!

Në këtë hulli të vetëdijes aristike, tek poezia e Sulkuqit, më së shumti, dashuria pohohet si ndjenjë e vuajtjes dhe si e tillë ka gjetur një realizim mjeshtëror të mirëfilltë:

Nga syri im te syri yt, në udhëshpirti u tret loti . . .
Nga syri yt te syri im / një pikë lot rëndon sa globi . . .

Nëpërmjet përftesës përsëritëse (anaforës): “nga syri im te syri yt”, krijohet ideja e vazhdimësisë, përcjelljes dhe reciprocitetit të ndjenjës përmes syrit, pasqyrë e shpirtit, duke filluar me shikimet mes të dashuruarve, që në esencë është dhimbje e pafund, e cila udhëton mrekullisht në “udhëshpirti”, një formim leksikor original, i krijuar mjeshtërisht, që bart një ngarkesë të fuqishme emocionale, ngarkesën e lotit që rëndon sa vetë globi. Përmasës universale të dashurisë i përgjigjet një dhimbje universale.


* * *

Në rrafshin e shqiptimit poetik, vuajtja e dashurisë në qenësinë e saj është një dhimbje e lumtur, një dhimbje që ndryshon nga çdo dhimbje tjetër njerëzore, sepse përjetohet si dhimbje e ëmbël, që Lasgushi e ka poetizuar si: “këngë e vaj bashkuar”. Ai ka shkruar: “Gjeneza – më precizërisht: ekzistimi i ‘magjisë dhembëse”: qenia e gazit helmplot, që fshihet domosdoshmërisht në gjirin e dashuronjësve, e ka mburimin e thellë. Ky mburim rrjedh nga natyra e dashurisë . . .” 6).

Kjo “këngë e vaj bashkuar” tek poezia e Sulkuqit është një ndjenjë e dëshiruar: “Mos ma zgjo ëndrrën, / dua të dhembë”; ose: “Paguajmë shtrenjtë, / sa shtrenjtë paguajmë / të na dhembë”. Në një poezi tjetër thuhet: “mos ma fshih lotin, lëre të rrjedhë.” Ka aq e aq vargje të bukura rreth këtij aspekti të përjetimit të dashurisë. Përvijohen dy polet ndjenjësore të dashurisë: gëzimi dhe trishtimi, gazi dhe vaji, dhimbja dhe kënaqësia. Tek Sulkuqi, mbizotëron poli i dhimbjes. “Po të mbledh / ditët e dashurisë, / më dalin shumë më pak se një pikë loti. / Po të mbledh / hapësirat e dhimbjes, / kam frikë mos më mbytet globi”.
Gjithësesi, edhe pse në më pak vargje, dashuria ekzaltohet edhe si ndjenja më e lumtur, si sublimitet i këtij pasioni universal të njerëzimit:

Aty ku buzët vure ti,
Po pi burim – burimburuar . . .
M’u deh, o shpirt, me dashuri,
Prej ëndrrës që më mbeti zgjuar . . . !

Buronja borën po e pi,
Ku pijmë të dy të dashuruar . . .
Aty ku buzën vure ti
Po pi burim të kthjellëruar . . .

Nuk janë të pakta motivet që sendërtojnë lumturinë e magjinë e kësaj ndenjeje, sublimitetin e saj. Në to dashuria përjetohet më tepër si ëndërr se sa si realitet, më tëpër si dëshirë se sa si realizim. Kështu poezia e Sulkuqit fiton, ndonjëherë, nota platonike dhe përmasa universale. Ajo në këto raste ecën plotësiht në shtigjet lasgushiane.

Jo vetëm dhimbje e dëshiruar, e ëmbël, dashuria, duke qenë burimi, gjeneratori që vë në lëvizje jetën, forca që e mban gjallë atë, është edhe një dhimbje e nevojshme dhe e domosdoshme: “Nëse më zgjon sot e pas-mot / me heshtje-dhimbje, dashuri, / të kthehem gjethëz në stinë pa mort, / ku edhe dimri fal rini.” (“Zotin e bëj të flas me zë”).


* * *

Një tis i tejdukshëm sensualiteti, i endur mes ëndrrës dhe zhgjëndrrës, mes dëshirës dhe bëmës, mes fantazisë dhe realitetit, përbën një risi tjetër të vyer për letërsinë tonë erotike, që poetja Sulkuqi e ka realizuar me sukses. Më së tepërmi është një frymë sensualiteti që vibron aty-këtu, një shkëndijëzë që feks mbi motivet erotike. Në raste të tilla, realiteti jetësor në vetëdijen artistike të autores krijon një realitet përfytyrues poetik, që bart ide e mesazhe aq të këndshme, të bukura e të hijshme për një poezi femërore. Në këto motive dritësohet një feminitet intim që rrallë ndeshet në letrat tona.

Duhet thënë se që në krye të herës, kur filloi të lavrohet lirika erotike në gjirin e letërsisë sonë, asaj nuk i kanë munguar notat sensuale; por ajo ka pasqyruar kufizimet e kohës dhe duke qenë kultivuar vetëm prej poetëve burra, i ka munguar deri vonë vizioni femëror i trajtimit. Edhe në poemthin erotik “Bukuria” të Naimit, sado që tek ai mbizotëron botëkuptimi panteist dhe femrës i janë veshur atribute hyjnore, nuk mungojnë ngjyrimet semantike sensuale. I dashuruar marrëzisht, Naimi prehet duke puthur këmbët “mëkatare” të së dashurës:

Baltë e pluhur do të bëhem
Të më shkeli këmbë e saj
E të prehem duke puthur
Atë këmbë pasandaj.

Duke ecur i tëri në gjurmët e Naimit, por duke e zëvendësuar sfondin panteist me një sfond magjepës fshatarak, Lasgushi në poezinë “Ti po vjen që prej së largu”, ka kënduar:

Ti po vjen që prej së largu magjiplotë-e dalëngadalë.
Ti po vjen që prej së largu duke shkitur mbi lëndina.
Nënë thembërzat e tua përgëzohet trëndelina,
Shtrihet luleja mitare e zëmbakut që t’u fal.

E si shkon me hap të matur më pushton një dhembshuri:
Do të tretem të kullohem në kalim të këmbës s’ate,
T’i pushtoj i llaftaruar ato hapëza mëkate . . .

Ndërsa, duke poetizuar në frymë popullore, në poezinë e titulluar “Balladë”, në gojën e vashës na ka dhënë pasazhe të gjera sensualiteti:

Trim më more-edhe më shtrove,
Trim më ngrove-e më pushtove’
Trim më puthe-e më mbarove’
Trim o trim seç trimërove.


Gaspër Pali një hap më para me skena sensualiste

Në këto shtigje, por një hap më përpara, hasim poetin e talentuar Gaspër Pali, i cili, siç ka vërejtur studiuesi Alfred Çapaliku, “Si rrallëkush në lirikën shqiptare vizaton ethshëm skena sensualiste, por në çdo sekuencë ndjenja mbetet fisnike dhe nuk ngatërrohet, as në kufirin ekstrem, me instinktin.” 7).

Fike dritën, se terri - the – më pëlqen:
Se kur mkatnohet, vjen mbi shpirt tim terri,
Pse mkati asht terr, e mkati po shpërthen
T’shuhet drita n’dhomën tonë . . .

Në një rast tjetër, duke komentuar poezinë “Zane stuhish”, ky studiues ka shkruar: “Shtjella e kësaj poezie është erotike, gjer në konsumim të plotë” 8).

E u shkrimë bashkë me shoqi-shojnë
Si dy-tri dru në votër nji flakë përftojnë.

Në këtë rrafsh poetik, Sulkuqi tregohet e kursyer, pa teprime në strukturën tekstore dhe në të njëjten kohë me një nëntekst poetik të pasur. Një xhevahir i rrallë poetik është poezia "Mështeknë". Vetë përcaktimi i objektit poetik - (mështekna është berioza e Eseninit, birch i Frostit, maranxhja e Camajt) - të sugjeron një motiv femëror. Mështekna është një dru pylli i viseve tona të ftohta, me trung të drejtë e të hijshëm, me lëvore të lëmuar e të bardhë, herë-herë me një lëkurë si me do luspa të mëdha që në hije-dritat që krijojnë përfton përjetime poetike. Ajo duke "u veshur dhe zhveshur" fiton një konotacion figurativ të fuqishëm. Camaj i ka kënduar: "Një bimë maranxhe çveshet pa turp / në pikë të mjesditës.”

Mështeknë

Buzët më humbën mes buzëve,
Gishtërinjtë mbi tastjerat e brinjëve
Trupi si grusht i mbledhur…

Mështeknë, më thuaj, kaq vjet
Si e ruan,
Moj, virgjërinë?”

Në tri vargjet e para dritësohet një skenë e vërtetë dashurie, e cila për një piktor modernist të talentuar do të shërbente si frymëzim për të realizuar një kuadër të madhërishëm. Në vargjet e fundit, me një kapërcim të befasishëm pindarik, përthehet linja poetike dhe jetësohet pyetja e pyetjeve, - një motiv erotik krejt i rrallë për letrat tona të dashurisë. Rrallë, shumë rrallë, është ndjerë në letërsinë tonë erotike femërore kjo dozë e fuqishme feminiteti dashuror, që sikur i është tëhuajtur zbrazëtisë së reflektimit në art të përjetimeve të tilla, të cilat për t'u realizuar kërkojnë talent, mjeshtëri, guxim dhe çiltërsi. E pra, poezia shqipe i ndjen të nevojshme këto trajtesa motivore.

Me inters për mënyrën e qasjes ndaj objektit artistik dhe, sidomos, për mënyrën e çuditshme se si e përthen atë, çka është e natyrës së ecurisë poetike të kësaj poeteshe, siç e vërejtëm tek "Mështeknë", na paraqitet poezia "Qamë në shteg Qabeje" Tek kjo poezi sendërtohet një kalim i befasishëm e i çuditshëm i motivit nga lehtësimi shpirtëror i dhimbjes së shkaktuar nga plaga e dashurisë tek lumturia që krijon po kjo dhimbje. Motivi shndërrohet e zhvillohet në "gaz e vaj": "Qamë e qeshëm bashkë, / nën udhë e mbi udhë" për të vazhduar "Qeshëm. Më pas qamë / si dy klithma shpirti . . . / Ndaj ag fjetëm bashkë / lodhur nga harrimi.". Vargu i fundit "Ndaj ag fjetëm bashkë, lodhur nga harrimi " vjen si përthyemje mbas përthyemjes.


Sulkuqi ka pasuruar erotikën tonë me motive të reja

Duke na dhënë elemente kreative të frymëzuara nga raste konkrete të përjetuara, me të cilat lexuesi mund të krijojë "historinë" e dashurisë apo të dashurive të saj, Sulkuqi ka pasuruar erotikën tonë me motive të reja, që nuk janë ndeshur më parë në letërsinë tonë. Ja ndonjë shembull: në poezinë “E hershme e shkruar sot", trajtohet një motiv origjinal dhe krejt i veçantë. Dy vajza dikur kanë dashur të njëjtin djalë, një dashuri e mbetur pa përgjigje. Sulkuqi poetizon, duke iu drejtuar shoqes së vet: "Dikur të thashë: / nëse e do siç unë e dua / ta fal, mos të t'humb edhe ty". Ka kaluar kohë, kujtesa që ngjallet kur takohen me njëra-tjetrën ringjall një plagë, që rishtas dhemb e djeg dhe bëhët për poeten farë e një bimësie poetike të njomë e të freskët: "Në takimet tona, ndodh shpesh, / një lot të na djegë mbi faqe "Një tekst i thjeshtë, por me një nëntekst poetik figurativ e emocional të pasur. Në poezinë "Kritikë Dashurisë", flitet për një letër "me një fjalë prej qielli" dërguar "mot e mot më parë", të cilën ia kujton i dashuri mbas shumë kohësh "vite-drite u dashka të vijë një përgjigje".

Vetë procesi krijues në rrafshin e poezisë erotike është në vetvete një dhimbje, që lind për ta mposhtur dhimbjen e plagës së dashurisë, për ta sfiduar atë, "llaftarinë", po njëkohësisht është edhe një delir lumturie, (kur ajo gjen përgjigje). Në poezinë që po shqyrtojmë është vargu, pra krijimi i poezisë, që "e zë për krahu" poeten dhe e "degdis ndër dhembje" dhe është po vargu që "i shkrin" "shtratin e ngrirë nga ethja". Me fjalë të tjera, plaga që hap në shpirt dashuria është sfidë që shfren gjatë aktit krijues poetik dhe i jep poetit lehtësim shpirtëror, prehje, pauzë qetësie. Një disponim i tillë shpirtëror është, mesa duket, një veçori e përgjithshme e veprimtarisë krijuese, por në rastin e poezisë erotike, ku dhimbja individuale është më intensive, është më e theksuar. Kafka ka shkruar: “Për artistin, arti është vuajtje përmes së cilës ai lirohet për t’i përballuar një vuajtje të re.” 9).

Më së shumti, lirika erotike e Sulkuqit është refleks i një lutjeje, një dëshirë e ndezur, një gjakim i zjarrtë që pasioni përvëlues i dashurisë, i përjetuar si ëndërr, të shndërrohet në realitet; por që përgjithësisht, nuk e kalon këtë prag, pra nuk jetësohet: “Fshihma lotin / prej një ëndrre / bëma ëndrrën të vërtetë’ (“Fshihma lotin”); ose “Prita hënën / të trokisja në portën tënde / si ëndërr”.

Nuk mund të lihet pa u vënë re se leksema endërr, sikurse edhe disa leksema të tjera që përbëjnë çelësa poetikë në frymëzimet e kësaj poeteshe, ka një konotacion të pasur që ndryshon nga një motiv në një tjetër. Kështu, ajo në më të shumtën e rasteve nuk përdoret në kuptimin e saj të parë, leksikologjik, si ëndërr gjumi, dhe as si një gjendje ëndërtare e njeriut të zgjuar, por në kuptimin e vetë ndjenjës së dashurisë, është metaforë e këtij pasioni. Në poezinë “Vetëm ti”, thuhet: “Unë e di / se vëtëm ti, / përmbi gji më je shetitur, / që nga sot e mot e mot / që kur ëndrra më trazoi.” Ose, “Pa të ftuar më erdhe në ëndërr . . . / pa emër, pa të shkuar, pa të ardhme, / ‘të tashmen’ – në ëndërr jetova. / si ‘e tashme’ frikur u largove” (“Emër pa emër”). Duhet thënë, gjithashtu, se nganjëherë është vështirë të përcaktosh në mënyrë kategorike kuptimësinë e kësaj lekseme si stilemë, sepse ajo mund të interpretohet kështu dhe ashtu: “Në shtratin e ëndrës t’u futa . . . / me aromë gruaje të marrë, / tek ëndrra ime u ktheva.”

* * *

Në motivet e dashurisë si endërr e parealizuar shpesh zotërojnë notat e një keqardhjeje për një rini të ikur, të parinuar, për një dashuri të parealizuar, dhe që gjithnjë tingëllon si një thirrje për ta respektuar dashurinë, për t’i dhënë asaj vendin që i takon në jetë, d. m. th. kryevendin. “Hej, ç’më ikën puthjet! (Nuk e di se ku . . . ?) / ngrinë mbi buzë të ngrira / a mbi fjalë pa prush! ?” (Puthjet).

Këtij cikli motivor i takon poezia e bukur tejet origjinale “Si shpend drejt vdekjes”:

Përballë të erdha si njeri
As nuk më pe, as nuk më preke . . .
Mërgova fshehtas te loti im
Si zogth i trembur prej një ngrice . . .

Loti, një tjetër çelës i poezisë së Sulkuqit, në vargun që shkëlqen nga dhimbja: “mërgova fshehtas te loti im”, ka konotacionin e ëndrrës, dashurisë, vuajtjes. Në poezi të tjera, ai ka edhe konotacionin universal të vuajtjes njerëzore dhe të dhimbjes për vuajtjet e të tjerëve, që shfaqet në mjaft poezi të saj.

Herë të tjera, duke marrë karakter universal, poezia e Sulkuqit kthehet në ankesë, qortim, kritikë deri në protestë ndaj kushteve shoqërore, ekonomike e shpirtërore, po edhe subjektive, që i bëhen pengesë dashurisë, si në poezinë “Kreshendo”:

Do të lutem për të fundit herë
. . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . . .
për vajzat që flirt bëjnë me vete,
për meshkujt që s’dinë ku venë,
për burrat që dehin burrërinë . . .
për djemtë që kërkojnë dashurinë.”...

Në poezinë "Nga gjithë sa kam shkruar", poetesha me nota keqardhjeje gjykon dashurinë a dashuritë e mbetura pa përgjigje. Rinia kalon dhe "s'mund të ndizesh më / kur në hi je tretur". Gabon ai që pretendon të mjekojë plagë të vjetra: "Kush premton që di / të mbyllë një plagë të vjetër, /pa dashje gabon, /hap një plagë tjetër.". Por, përballë këtyre notave pesimiste e disfatiste ngrihet madhërishëm dashuria e femrës si nënë dhe si motër:

Çdo gjë që kam shkruar,
Fjalë poezish - do t’i gris harruar
Pa dhimbje në shpirt

Do mbetem veç nënë
Do mbetem veç motër,
Kështu qenka thënë
Jeta bëhet lodër.

Ky motiv trajtohet, gjithashtu, në poezinë “Dashuritë e mia”. Ndërsa, në poezinë “Puthuni, aktorë”, për dashurinë e pakufishme të nënës, thuhet që ajo rron “edhe kur i shkulet zemra”.


Serembe-Detari

Në erotikën shqipe të traditës, ka shembuj të bukur, në të cilët dashuria e mbetur pa përgjigje, dashuria e pafat, vuajtja e pangushëlluar, e ka drejtuar muzën poetike në shtigje të tjera dashurie, në ato universale. Me një simbolikë të tejdukshme, në poezinë “Dejtënori” (Detari), Serembe gjen jo vetëm prehje dhe qetësim shpirtëror, por edhe lumturinë, duke e bartur ndjenjën drejt një ideali po aq të lartë e të fisëm.

Ti te ky dhe . . . pushonj
Te deti û dejtënor!
Ti prehe, û luftonj
Me shi, rrufe dhe bor!

Po ti, kopilje, e di
Se yti më së jam:
Ruata te nj’yll û i zi
E t’e shurbenj û kam.

Kur drita e zbardhën qiellin
Dejtënori ëndrrat harron.
E ka për nuse fjamurin,
Për mall detin këndon.

Dashuria është ndjenjë e fuqishme. Me elemente simbolike të hiperbolizuara, që bartin kumte poetike të pasura, jepet fuqia e madhe e pasionit: “Në më thëntë shpirti “Po”/ mbi dhjetë shpifje fluturoj, / e shkërmoq një mal të tërë, / dhe një lis e hedh në tokë, / le të ketë lisi rrënjë.” (“Në më thëntë shpirti ‘Po”).

Shpesh përjetimi i këtij pasioni të fuqishëm paraqitet si dehje shpirtërore, gjendje jo normale e njeriut, delir, etj. Në poezinë “Dy dehje”, thuhet: “Di se nga dy dehje / njëra rri me mua.”. Për te sakrifikohet çdo gjë: “Prej teje, / dua botën e rremë / pa ty, s’e dua as të vërtetë.” Për t’u theksuar është se koncepti për dashurinë në erotikën e Sulkuqit është real, i jetës. Ndërsa Lasgushi ndonjëherë i atribuon dashurisë një burim abstrakt, të mëvetësishëm: “Se s’dashuronja as un’ as ti, / po dashuronte dashuria”; Sulkuqi e zbret në tokë: “Po nuk u deshem ne të dy, / s’ka si të duhet dashuria”. Në një poezi tjetër, jetësohet një situatë edhe më konkrete : “Ditën / zihemi me dashurinë, / natën / për te na merr malli.”.

Poezia e dashurisë, në përgjithësi, dhe, në mënyrë të veçantë, motivet erotike tek kjo poeteshë kryqëzohen shpesh me motivet e mërgimit, çka nuk është e re në poezinë tonë gojore dhe të lavruar; por në poezinë e saj janë të gjalla notat e aktualitetit të mërgimit shqiptar të viteve të fundit, më së tepërmi, i detyruar nga kushtet ekonomike, politike e shoqërore. Nuk duhet harruar edhe një impuls shpirtëror i shqiptarit për mërgimin. Çabej ka vënë re që “dëshira e përhershme e shqiptarit për shtegtim” ka gjetur pasqyrimin e saj në “këngët e përmallshme të mërgimit” 10). Ky kryqëzim motivesh ka jetësuar poezi të ndjeshme dhe shpesh shumë të bukura. Në poezinë "Mbamë këtu" (Bisedë me veten), poetesha i drejtohet vetes:

"Mbamë këtu, nëse je imja?
mos më degdis në dhè të huaj!
ku të më qajë një korb i verbër,
ku të këndohem e harruar".

Në poezinë “Letër burrit nga Shqipëria në NY”, theksohet tensioni i ndarjes, në një vështrim më tepër sensual. "...Dhe kthehem, / përkthehem / në shtratin e gjerë . . . / gjysmë e çarçafit . . . / agohet pa rrudhur/... " Ndërsa në poezinë: “ . . . Që të afrojnë me ndarjen”, përsëritet me një realizim krejt të ri motivi i mëparshëm: “Të të puth në shtratin e zjarrtë, / nuk mund! / të m’i ftohësh afshet e natës, gjithashtu.”


Dukuria e diskrecionit në erotikën e traditës

Në fushën e lirikës erotike të traditës, kritikën tonë letrare e ka shqetësuar dukuria e diskrecionit, mungesa e identifikimit nga ana e poetëve për vajzën që kanë dashur, dukuri kjo që është shfaqur që tek Naimi, në poemthin erotik“Bukuria” dhe ka vazhduar, me ndonjë përjashtim të rrallë, deri tek Migjeni, që është cilësuar si “poeti më i skajshëm i mundshëm në poezinë tonë të traditës”, dhe “poeti, ashtu siç fshehu lidhjen emocionale me një vashë që e desh nga sytë e bashkëkohanikëve dhe bashkëqytetarëve, po me aq rreptësi e fshehu edhe nga lexuesi i vargjeve të tij” 11).

Pa mohuar kushtet shoqërore të kohës, që janë bërë pengesë për të shfaqurit publik të së dashurës a të të dashurit, dhe vetë mëndësinë e kohës, mendoj se shkak i kësaj dukurie është edhe natyra e përmbajtur e shqiptarit. Çabej, një nga njohësit më të mirë të psikologjisë së popullit tonë, ka shkruar: “Thelbi shpirtëror i popullit tonë është rezervimi” 12). Çajupi, përveç emrit të gruas së vdekur, Evgjenisë, ka përmendur emra që sipas gjase janë emra fiktivë. Kështu edhe Camaj. Ndryshon puna me Gaspër Palin, që përmend në lirikat e tij erotike emrin e vajzës që dashuroi dhe me të cilën pati marrëdhënie intime, Kleyden, shqiptuar me aq bukuri e brishtësi artistike në poezitë: “Dritë të mshehuna”, “Vashë e panjohtun”, “Zane stuhish”.

Sikur e ndjen peshën e rëndë të diskrecionit të poezisë së traditës, Sulkuqi bën përpjekje të çlirohet prej saj. Në poezinë “Pas 30 vjetësh”, poezi kushtuar shokut të maturës, “poetit dhe njeriut fisnik Nexhip Ejupi”, që dikur shkruante vjersha për të, ajo poetizon: “Të t’them të drejtën, / vjershat kur lexoja, /‘kështu jam veç unë’ – me vete mendoja”. Por “më mirë që nuk fole, /më mirë që s’të kuptova. /Kaq bukur s’do shkruaje, / sot s’do të takoja”. (është fjala për një takim poetësh).

Gjithsesi, u shpall apo nuk u shpall idenntiteti i së dashurës a i të dashurit, nuk ka ndonjë vlerë në rrafshin e realizimit poetik: as nuk e bën më të përsosur dhe as nuk e lë të mangët poezinë.


Në dehjen e përhershme të pasionit

Mjeshtëria në fushën e poezisë erotike të Iliriana Sulkuqit qëndron në vlerat estetike të kësaj poezie, që njëmendësohen në përcaktimin e objektit poetik, në mënyrën e qasjes ndaj tij, gjuhën, stilin, figuracionin. Ajo që e dallon më së shumti veçorinë e përcaktimit të objektit poetik është burimi i këtij objekti nga rrethanat jetësore të poetes; dhe ajo që e dallon mënyrën e qasjes ndaj objektit poetik është sinqeriteti i plotë, çka përbën një nga çelësat e suksesit, mos më kryesorin, përveç talentit të padiskutueshëm dhe pjekurisë së arrirë artsitike. Kritiku ynë i shquar, Mitrush Kuteli ka thënë: “Në kazuistikat personale (rrethanat, rastet jetësore, shënimi im, A. Ç), buçet e duket poeti i vërtetë” 13).

Me një ndjeshmëri të theksuar ndaj fjalës poetike, Sulkuqi ka krijuar një fjalor të vetin plot fluiditet lirik, të cilit i paraprijnë leksemat-stilema shpirti, ëndrra, loti, dashuria, e ndonjë tjetër që, siç e vumë në dukje më lart, janë të pasura me kuptimësinë figurative, që nga domethënia e tyre semantike e deri tek vezullimet përsiatëse filozofike për dashurinë.

Fjalë të reja ka krijuar ajo nga brumi i gjuhës sonë simbas ligjësive të fjalëformimit të shqipes dhe, në ndonjë rast duke e thyer atë, por gjithnjë me vlera të qarta e të hijshme semantike e stilistike, që bartin ngarkesa emocionale shpesh të fuqishme. Pa ndonjë karakterizim dhe pa ndjekur ndonjë kriter, po përmend disa prej tyre: pranverë erëtërfil, shall kripëgrisur, ndjellafjalë, burim-burimburuar, rroba blerëfalur, botë bardhëngrirë, moj trupëz-zhveshura, po pi burim të kthjellëruar, grirojnë retë, bletëroj, bletërohem, i hirëm, liqeni klithmërohet, fli vogël-gjyshe, shoqe-madhe, ngjyrëshpirti, udhëshpirti, supe-dhimbjet, fjalë-rreze, mallzjarr, mall-pritjeje, bukuri-plage, vjeshtë-okrën, pragfjetje, largndarje, flori-nëne, nina-nana-djepërie, përzgjime, hapnajë, etj.

Këto formime i japin një shprehësi të veçantë të një bukurie të rrallë artistike poezisë së Sulkuqit. Ndonjëherë një fjalë e vetme i jep vlerë poezisë ose e dëmton atë. Fjalët bëjnë çudinë në artin letrar dhe çudia në lirikë, sidomos në lirikën erotike, është më e madhe se kudo tjetër. Sulkuqi e di mirë këtë. Dhe ja sesi me fjalë të sajat, ajo i thur himne dashurisë, sublimon lumturinë që fal ajo, jep dehjen e përhershme të pasionit:

Aty ku buzët vure ti,
Po pi burim-burim-buruar . . .
Dehu, o shpirt, me dashuri
Prej ëndrrës që më mbeti zgjuar.
Buronja borën po e pi,
Ku pijmë të dy të dashuruar . . .
Aty ku buzën vure ti
Po pi burim të kthjellëruar . . .

Një përkujdesje të veçantë kjo poeteshë i kushton organizimit fonetik tingullor të fjalës, vargut, strofës. Në këtë dukuri fonologjike-stilistike, një rol të rëndësishëm luajnë përsëritjet, të cilat përbëjnë një nga veçoritë kryesore stilistike të poezisë së saj. Nëpërmjet tyre, shpesh krijohen harmoni imitative tingujsh, fjalësh e shprehjesh, që jo vetëm i japin një hijeshi të brishtë, të veçantë e origjinale vargut, por edhe pasurojnë nëntekstin semantik dhe, sidomos, emocional të poezisë:

Nëpër zgjime – / zgjoj e zgjohem /
Bletëroj e s’bletërohem (Përzgjime).

Veçoria kryesore e figuracionit në poezinë e Sulkuqit është të qenët larg manisë për të absolutizuar abstraksionin poetik, dukuri që nxjerr kokën tek mjaft poetë të sotëm. Natyrshëm që poezisë së sotme nuk mund t’i mohohet abstragimi; asaj duhet t’i mohohet një absragim i pashpjegueshëm. Kritiku letrar Agim Vinça ka shkruar: “Arti i kohës sonë e ka intensifikuar abstraksionin poetik, si një primat të vetin. Kritika letrare, që është vetëdije e veprës, duhet ta zbresë atë në nivel racional-analitik” 14). Një gjë e tillë kërkon domosdoshmërisht që simboli ose figura të ketë një “nivel racional-analitik”, që duhet zbuluar, shpjeguar e komentuar. Duke iu shamngur simbolikës së errët dhe metaforave të dyshimta, që i lënë vend më së tepërmi hamendjes sesa argumentimit ndjenjësor dhe racional, Sulkuqi arrin të sendërtojë një poezi me një nëntekst të pasur figurativ dhe njëheri mjaft emocional. Një figuracion i tillë, i thjeshtë deri në kufi thjeshtësie, i pasur tejet me nëntekst poetik që bart mesazhe fisnike e të hijshme, të ndjell një dëshirë të pashuar për lexim e rilexim, dhe pas çdo leximi të pasuron nëntekstin poetik:

Mos ma fshij lotin,
Lëre të rrjedhë
Në lumin e rrudhur,
Ku lahet një hënë,
E joshur nga yjet.

Vargje të tjera, në të cilat shqiptohet keqardhja për dashuri të parealizuar, kullojnë bukuri përftesash metaforike dhe shprehësish stilistike:

U putha a s’u putha . . .
Dielli u dogj brenda vetes,
Hëna m’u ftoh nëpër duar.

***

Veçori tjetër e metodës krijuese të Sulkuqit është përdorimi i dendur i tri pikave të retiçencës, përdorimi i dendur i presjeve, pikëçuditëseve, etj. Dihet që një përdorim jashtë mase i një elementi poetik a stilistik, që vjen e shndërrohet në manierë a obsession, e dëmton veprën letrare. Kur pauza përdoret me vend krijon mundësinë e persiatjeve për një kuptim e zbërthim sa më të mirë të konotacionit të një fjale, vargu, strofe a poezie.

Nuk është pa vlerë edhe “arkitektura” e poezisë; përkundrazi, ajo ka rolin e saj, që nuk është thjesht viziv, nuk ka thjesht funksionin e bukurisë së pamjes a plotësimin e nevojës për shlodhje-kalim syri. Ajo ndikon në bartjen e mesazhit dhe ndihmon për një kuptim sa më të mirë të tekstit dhe, sidomos, të nëntekstit poetik nga ana e lexuesit, e aktivizon atë më shumë në përvetësimin e tyre. Po bie vetëm një shembull: poezia “Mështeknë”, për tekstin dhe nëntekstin që ka, natyrshëm njëmendësohet në dy strofë; ndërsa në vëllimin poetik “ . . . Më kërkon falje” është botuar në monokolonë; në antologjinë poetike “Poezi” është botuar në tre distikë dhe në një strofë treshe. (!)

Përfundimisht, Iliriana Sulkuqi ka një poetikë të veten, veçori të stilit artistik që e dallojnë atë, veçori që burojnë nga temperamenti tejet i hovshëm impulsiv, talenti i padiskutueshëm dhe pjekuria artistike. Ajo ka sjellë në sofrën kombëtare të poezisë erotike një poezi femërore me nota liriko-dramatike, me vlera të larta estetike, dhe, siç e kemi thënë më lart, ka zgjëruar dimensionet e poezisë së dashurisë në hapësira poetike pak ose aspak të njohura më parë; ka krijuar përftesa semantike dhe stilistike originale të hijshme e të pasura në kuptimësinë poetologjike, duke siguruar kështu një komunikim të përhershëm me lexuesin.


Referenca:

1). Th. S. Eliot, “Tradita dhe talenti individual”. Cituar sipas Anton Nikë Berishës “Çështje teorike të letërsisë”, shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2005.
2). Klara Kodra, “Poezi e qartësisë”, në vëllimin “Poezi” të Iliriana Sulkuqit, f. 251.
3). Ali Aliu, “Kërkime – Studime, kritika, ese”, Shtëpia botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1990, f. 292.
4). Vehbi Bala, “Lasgush Poradeci dhe poetë të tjerë të viteve 20-30”, në “Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë 1983, f. 528.
5). Sabri Hamiti, “Lasgush Poradeci - Vdekja e Nositit”, shtëpia botuese “Rilindja”, Prishtinë, 1978, f. 30.
6). Lasgush Poradeci, “Poezi, et coetera . . .”, tek “Lufta e penave – Zgjedhje antologjike e polemikës shqipe”, nga Sevdai Kastrati, “Botimet Toena”, Tiranë, 2002, f.424
7). Alfred Çapaliku, “Gaspër Pali – Jeta dhe vepra”, shtëpia botuese “Camaj – Pipa”, Shkodër, 2002, f. 42.
8). Alfred Çapaliku, vepër e cituar, f. 46.
9). Franz Kafka, cituar sipas Anton Nikë Berishës “Njëmendësia e fjalëve – Mundësi interpretimesh letrare”, shtëpitë botuese “Shpresa & Faik Konica”, Prishtinë, 2006, f.226.
10). Eqrem Çabej, “Shqiptarët midis Perëndimit dhe Lindjes”, Përgatitur për shtyp nga Brikena Çabej, shtëpia botuese MCM, Tiranë 1994, f.43.
11). Ali Aliu, vepër e cituar, f. 331.
12). Eqrem Çabej, vepër e cituar, f. 28.
13). Mitrush Kuteli, “Poetë dhe detraktorë”, tek “Lufta e penave”, f. 490.
14). Agim Vinca, “Aspekte të kritikës sonë”, “Rilindja”, Prishtinë, 1977, f. 125.
_____

Marrur nga Shkupipress

Mittwoch, 15. Januar 2020

Gani Mehmetaj: NATË NËNTORI NË DAMASK

Gani Mehmetaj

Natë nëntori në Damask

   - A e di se refugjatët shqiptarë derisa shkuan në Siri kanë shtegtuar nëpër rrugë të zjarrta e bjeshkë të pakapërcyeshme? më pyeti kolegu i vjetër në redaksi, ndërsa bëhesha gati të shkoja në Damask.
   - Kam dëgjuar rrëfime të largëta e të mjegullta, - i thashë. -Gjyshja m’i ka treguar disa sosh.  
   -  Janë thesar i trishtë i vuajtjeve. Lum ai që nuk i dëgjon, se ta këpusin shpirtin, - më tha ai dhe iku tutje.  
    Unë shkoja në Damask të dëgjoja rrëfime orientale që do të më përkundnin si në përrallat e 1001 netëve me Sheherzaden e mbretin fatbardhë. Doja të shkëputesha edhe nga ngjarjet dramatike që e mbulonin tërë hapësirën e Lindjes së Mesme. Por nga përkundja në ëndrra të këndshme më ndërmendi melodia "Love Story" e Nino Rotës, në hotelin “Sham” të Damaskut. Vrushkulli i ujëvarës në murin e sallonit m’i përkëdhelte veshët. Ishte atmosferë magjike si në përrallat e 1001 netëve. Pëshpërima flurore të  shkëpuste nga realiteti, gjysmerrësira gjumëndjellëse të shpinte në ëndërrime që nuk i kishe përjetuar më parë. Kamerierët me tabakatë e argjendta ecnin në majë të gishtërinjve që të mos e prishnin magjinë. Në një kënd intim një sheik seç i pëshpëriste gruas së re bionde. Ajo ia tumirte me lëvizje të lehtë të kokës, ndërsa sytë e bukur lojcak e përkëdhelnin tërë ambientin. Në tryezë rrija me tre burra të heshtur e të përmalluar për vendlindjen. Më shihnin si gurin e shenjtë. Isha një copë e atdheut të tyre. Më së paku prisja të takohesha me ta në Damaskun dymilionësh. Ata më gjetën.  Mysafirët e mi po gjallëroheshin. Sikur të qenë marrë vesh në mes vete, Shkodrani i moçëm nisi të rrëfente i pari me përdëllim emocionues për vete dhe për të kaluarën. E fliste rrjedhshëm shqipen, gegnishten e fillimshekullit të njëzetë. Shkodrani i fshikulluar nga vuajtjet e peripecitë gjatë ikjes së madhe, tregonte në vetën e parë, duke e rrëfyer një copë të historisë tragjike. Jeta e kishte bërë rrip, të fortë e të padepërtueshëm.
   "U nisëm symbyllas pa e ditur ku do të ndaleshim. Na thanë se na priste parajsa. Bëmë rrugëtim të largët me karvanë refugjatësh që shuheshin rrugës. Dielli na përcëllonte mëngjes e mbrëmje, hëna na rrinte mbi kokë deri në agim. Ecëm e ecëm e fund rruga s'kishte. Na dilnin përpara visore të padepërtueshme. Na vinte prapa hëna net me radhë, na ndiqte si ujqërit e stepave. Hëna m’u ngjit në rrashtën e kokës, diellin e urreja me shpirt, ishte i pamëshirshëm. Thatësira e stepave na tmerronte, etja e uria na bëri shoqëri kudo. Qafat malore në mes të Turqisë e Sirisë i morën gjysmën e ikanakëve të gjakut tonë...". Këtu e këputi rrëfimin shkodrani i emocionuar.   
   Nuk e mbante në mend si erdhën në Damask, i qe shlyer nga kujtesa si e përballuan borën e bjeshkëve të larta e vapën e ultësirave pa asnjë fije bari e druri që t'u bënte hije. Shkodërlocen nuk e kishte harruar as pas gjashtëdhjetë vjetësh. E donte sa krejt botën, vuante për qytetin buzë liqenit, ndërsa druante se do të mbyllte sytë me mallin e pashuar.
   "Kjo është historia ime që mos u harroftë!", na shihte sikur donte të shfajësohej.
   Tjetri, rrëfimtari nga Rrafshi i Dukagjinit, tregonte peripecitë e prindërve, sepse vetë atëherë ende nuk ishte në këtë botë. Morën ikën deri në Alep të Sirisë, pastaj në Damask. Baba i vdiq para disa vjetësh, pa e parë vendlindjen, nënën e kishte gjallë. Historia e tij vinte e dhimbshme si jehonë e një kohe.
   E shihja nga afër dhe më emociononte. U bëmë sy e veshë për ta dëgjuar.
   “Hynë serbët në katundin tonë. Lajmi për krimet e tyre u përhap me shpejtësi. Krisma pushkësh. Shtëpi në flakë. Vëllai më tregonte më vonë: “Nuk kuptoja gjë, isha pesë vjeç, por nga frika e të rriturve, nga lotët e nënës dhe vaji i motrës, e dija se punët ishin keq. U nisëm këmbë. Bëmë rrugë një natë e një ditë, pastaj mbërritëm në një qytet të madh. Rrëmujë. Ushtarë e njerëz me gjuhën që s’ua kuptonim.  Trenin e shihnim për herë të parë, i madh, i zi, villte tym e fishkëllente. Pritëm dy net në stacion. Na ushtonin veshët nga britmat e njerëzve me uniforma në gjuhë të pakuptueshme. Vaje fëmijësh, baltë e pisllëk në fushëtirën pranë stacionit, ku e bënim natën. Nata ishte e gjatë dhe e rëndë. Ishim të uritur.
   Dikur hipëm në vagonët me kundërmim kafshësh e djerse. Nga tollovia e madhe, mund të vdisje, të zihej fryma. Treni eci gjatë. U ndal diku. Priti gjysmë dite. Brenda kishte shumë njerëz që flisnin si ne. Askush nuk zbriste, dera ishte e bllokuar nga udhëtarët që rrinin në këmbë. Udhëtimi zgjati me ditë, mbase me javë. Pastaj zbritëm nga treni dhe ecëm këmbë. U ngjitëm bjeshkëve të frikshme, tokave të kurdëve e të sirianëve...”. Pushoi.   
      Për koincidencë, në radion e restorantit, shpërndaheshin tingujt e muzikës nga filmi "Nuni" të Frencis Ford Kopolës, të kompozuar nga Nino Rota. Tingujt melankolikë të kujtonin diçka të humbur në pakthim.    
   - Sa e çuditshme! - thashë, - sikur ta kishin kuptuar hallin tonë ata që transmetonin muzikë.
    Nino Rota, për të cilin sekush më kishte thënë se është me prejardhje arbëreshe, e përcillte këtë rrëfim me copëra nga historia me muzikën e tij të pikëllueshme. Mbase ua qante hallin bashkëkombësve, mijëra kilometra larg atdheut?
   -Edhe arbëreshët u shpërngulën nga Shqipëria, - tha shkodrani.
   M’u kujtua Moti i Madh, tragjedia që na ndiqte çdo njëqind vjet, pikëllimi i pafund i brezave që s'arrinin të harronin vendlindjen as të integroheshin në mjedisin e ri. Ata që mbetën në atdhe luftuan e u vranë, pasuria e pronat e tyre i dogjën, i plaçkitën dhe i tjetërsuan osmanët; të tjerët që shpëtuan dhe nuk arritën t’u qepen maleve, u konvertuan në fenë e pushtuesit, u bënë skllevër të shushatur. Më dilte parasysh tragjedia e përmasave planetare: mijëra njerëz që luftonin, vriteshin a digjeshin në flakët e kështjellave.
   Asnjëri nuk foli një kohë të gjatë. Dikush ofshau.
   Rrëfimtari i fundit i natës arabe ishte refugjati nga Prizreni, që iku kur hynë partizanët serbë në qytet. Një herë u step, kur hetoi shikimin tonë pritës, s'dinte nga t'ia niste:
   "Ishim mijëra luftëtarë që e humbëm luftën. Ikëm. Lashë gruan me foshnjën në gji. Tym dhe flakë ngado që shkonim".   
   Prizrenasi e këputi rrëfimin. Pati emocione. Kurrë më nuk i pa gruan dhe vajzën. Buzëqeshi me pikëllim, i zënë në faj për këtë dobësi lotësh. Sot është tregtar i suksesshëm në Berlin. Shëtiste botën. Por malli e gërryente, ndërsa s'guxonte të kthehej as pas dyzet vjetësh mërgimi.
    Në Berlin nuk krijoi familje.   
    Dëgjonim melodinë e tretë të Nino Rotës. Sonte ishte mbrëmja e tij dhe nata e trishtë e shqiptarëve në Damask. Picërronim sytë dhe kujtoheshim. Mirëkuptim në heshtje: shkodrani me pamjen stoike, përdrinasi i lindur në Damask, sentimental e i ndjeshëm, prizrenasi nga Berlini, ish-ushtar i betejave të humbura, unë dëshmitari i rrëfimeve, që nuk i prisja.
    Ç't'u thosha për veten time? Në Stamboll dy net më parë dëgjova rrëfimet e familjareve të nënës sime: shpërngulje, djegie shtëpish, mall të pashuar, makthe netësh. Ende më dilte parasysh plaku në Stamboll që zgjohej jerm dhe kërkonte të kthehej në vendlindje.  
   Në Siri sollëm filmin për plakun, që edhe pas vdekjes kërkonte t'ia kthenin eshtrat në vendlindje. Shpirti i tij nuk qetësohej në dhe të huaj...
  "Dheu mrena nuk më tretë!'", më kujtohej vargu i një këngë popullore. Këngës nuk ia dija fillin as fundin.
Humba në kujtime të largëta. Me iku shushurima e vrushkullit të ujit në murin e restorantit, mu mbyllen veshët, njerëzit i lëviznin buzët, por nuk e kapja asnjë tingull. Të jem shurdhuar? Edhe burrat që me rrethonin rrinin si mumie: të shtangur e të përhumbur.  

Nëntor, 1985