Sonntag, 5. Januar 2020

Lule nga kopshti i poetit Roland Gjoza

Roland Gjoza

DITA VË MASKË UJKU

dita vë maskë ujku
dhelpre nata
maskaradë kjo jetë
po poeti?
s'ka maskë për lepuj
prandaj nuk e duan
vargun ia përqeshin
s'është kohë e tij po e gjel kokoshit
me banka mbushur nju jorku
përditë libraritë mbyllen
dhe barnes & noble
s'është koha e fjalës..dhe e para
po e viçit të artë
që në bibël moisiu e dënoi me mallkim dhe sharje
fituan farisejt dhe plebejt të shkelin
s'ka pushkin në kohën tonë
dhe të kishte
cari i ri do ta vriste!



GRUAJA ME OMBRELLË TË VERDHË

në lagjen time në forest hills
kinezë të vjetër nga tajvani
dhe hong kongu ka
jetojne këtu
që kur u shkëputën nga kina
po ata trupa të imët
të hollë si shkopinj
që vërtiten në ca shtëpi borgjeze me hieroglife

është dhe një cupkëz
prej peneli
që ngjyhet në vesë
e hollë e gjatë
po kaq hamgjitëse
sa do t'ia propozoja klod monesë
kur të hidhte irisët blu në ujë
të mos harronte
mbi urë të kalonte ajo me një ombrellë të verdhë

konfuci prandaj ishte kaq i urtë
me këtë vajzë sigurisht është takuar
dhe i është lidhur gjuha
prej saj është zbutur
nga dashnor i prapë
është kthyer në at predikues

dhe unë e prisha
i thashë se ishte kaq e bukur
sa isha gati të këmbeja kombësine time
me murin e madh kinez

natyrisht s'më kuptoi
dhe qeshi
i lashë takim
u gajas si një majmunkë me atë turiçkë të lezetshme
s'jam vajzë
jam e martuar
kam dy fëmijë në kolegj

ajo vesë?
s'tregojnë femrat kineze
bjeri murit me kokë
i thashë vetes
prej bukurisë
dhe konfuci u bë moralist
klod mone s'pikturoi femra mbi urë
prej kinezkës si vese

eh, ç'vete!
në forest hills ndodhi kjo
fajin e kanë tajvani dhe hong kongu që u ndanë nga kina
të rrinin atje ku ishin
te muri i madh do të shëtiste tani me ombrellë të verdhë
dhe s'do të bënte me zemër
një poet të lajthitur
u pa puna
edhe sikur vetëm ta shoh është gjë e madhe
veç i lutem
të më qeshë
me atë turiçke të lezetshme



NË VENDIN TIM NUK KA TË VARFËR

në vendin tim nuk ka të varfër
malli i ka marrë shqiptarët për një arnë
për një fetë bukë me marmalatë
po s'ka
të gjithë pijnë uiski me akull
xhin irlandez, rum xhamajke
e kanë lënë rakinë me shije katundare
mishi piqet në hell, peshku në grillë
dhe bukë s'hahet fare
se është e turpshme të hash bukë të zezë
në vila rrojnë
të gjithë vila kanë
makina të shtrenjta gjermane
dhe kafenetë si atje si gjen në asnjë vend tjetër
rrojnë të lumtur në vendin tim
aq sa një pendim më zë e më gërryen
pse ika dhe e lashë në ditët e këqija
kur demokracia po pillte një foshnjë të vdekur
po foshnja u ngjall
u bë e shëndetshme
ka për të gjithë
për të gjithë ka!
s'ka të papunë në vendin tim
për papunësinë i ka zënë malli shqiptarët
duan të vinë në amerikë
po në shqipëri milioner bëhesh brenda ditës
se aladini llampën magjike aty e humbi
e gjetën kusarët
dëshira e parë ishte të kthehen
të ikurit si unë
në atdhe balta është më e ëmbël se mjalta
kështu këndon çajupi
dhe ka para me thasë
do? merr! ka për të gjithë!
s'di ç'të bësh më parë me paratë
kanë vendosur të ndihmojnë amerikën
në vendin tim nuk vdes
e po kjo s'durohet
në amerikë vdesin përditë
në amerikë nuk rrohet!
kthehuni, o plangprishës
të madhe po e bëjmë zemrën për ju
veç pa një dru nuk do të shpëtoni
na e keni prurë në majë të hundës
se mos na e bëni shqipërinë si amerikën
mjerë ju
po i patët këto mend
në hu do t'ju ngulim, në hu!
dhe prej baltës si mjaltë s'do t'ju japim të ngjëroni as nje pikë
kthehuni, o plangprishës, skllevër të amerikës
të fitoni lirinë!



E DASHUR

e dashur
do të stampoj në fushën e sahatit
sa herë të shoh orën
të më dalësh ti
fytyra jote
po orët janë kaq të mërzitshme
po ajo ditë më pret
me pak ndryshime
është fytyra jote që i jep shkëlqimin

e dashur
do të stampoj në parashikimin e motit
po të bëjë furtunë
dhe akull të ngrijë
je ti që e shkrin dhe sjell ngrohtësinë

e dashur
do të stampoj te kamelja blu
dhe te irisi i ujit
dhe te lumi që do ta shpjerë fytyrën në det
dhe te deti që do të ketë fytyrën tënde

e dashur
do të stampoj në çdo stampë
dhe në të gjitha markat

e dashur
do të stampoj dhe në dollar
te çmend morganin
dhe poezine të çmend!

të çmendem dhe vetë
se ti dhe poetin çmend!

e dashur
ma bëre universin femër!




PARISI

paris
saze goje në shi
kaq i lumtur ky shi
fije të ndritshme futen në gjilperat e marsit
të qëndisin dhe njëhere paris
këndohet la boheme nga dashnorët e varfër
djali kërkon punë
vajza pozon nudo për piktorët e pigalit
pijnë kafe me krem në ag dhe janë të lumtur
kaq të lumtur i bën preveri
saze goje në shi
dielli në dhëmbët e vajzave kafshohet pafajsisht
thërrimet bien për pëllumbat
dhe njerëzit s'i zë qielli prej gjatësisë
nga katedralja zemra e shenjte te shen mëria
dhe të vdekurit toka i nxjerr si lule përsipër
këtë punë e bën preveri
kaq shumë rrojtje ka parisi!
saze goje në shi.



E ZBEHTË ISHE MBRËMË

e zbehtë ishe mbrëmë
po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
i zbehtë isha unë
po shkoi ashtu si lumi nën urë
s'tregojmë më asgjë për vete
ç'kishim e dhamë për fëmijët që u rritën
dy qënie pa brendësi
dy boshësi që plotësojne dy plotësi
tani s'kemi ç'japim më
e zbehtë ishe mbrëmë
po e kaluam me një heshtje prej mbrëmjeje
i zbehtë isha unë
po shkoi ashtu si lumi nën urë
kur të vijë vdekja kemi vdekur qëkur



SHPIRT, MOS U TRISHTO

shpirt, mos u trishto
shpirt
ti ishe grua e bukur shumë
tani je prishur
hiret të shkuan bashkë me sapunin dhe ujin
ilaçin e enëve
stufën që të shkriu si qiriri kur gatuan
ç't'i bësh,
bashkë me pleqërinë
zoti të merr dhe bukurinë
po duhet ta falenderojmë, e dashur
t'i heqim kapelen
se na shtoi dashurinë
ti për mua je një bijë më tepër
unë për ty një bir
u ngatërrua kjo punë
lëmsh u bë dashuria
dhe kjo ndodhi, e dashur
se humbëm bukurinë
vyshkja e lulkës së buzkës
dhe rrudhkat si shi
na shëmtuan
po na shtuan dhëmbshurinë
në jetë jemi hije në dritë
në kujtime realë si dielli
ata që kujtojmë kur flasim nën drurë
të famshmit e asaj kohe
kanë vdekur qëkur
po ne me ata ndjehemi të lumtur
le të shpikë ipod jobs
microsoft bill gejts
për ne shpikja më e madhe
është kujtimi

dhe sa gënjejmë
dhe sa na shkon gënjeshtra
ushqim zogjsh për dashurinë

thërrime
jeta!



AJO SHËMTI E BUKUR QË MË TUNDON

nuk jam mjek që ta shikoj ftohtë trupin tënd
as kirurg që ta çaj si mizor
më është i shtrenjtë çdo damar i kaltër i hollë
çdo rrudhë në buzë dhe në sy
ai flok i thinjur i rralluar
ato drudha e vraga te kofshët e mëdha
ajo shëmti e bukur që më tundon
ai bark plot shenja cezariane
këmbët e shtrembëruara nga artriti
më është i shtrenjtë ai lot që të del vetiu
prej melankolisë, mërzisë dhe vetmisë
po më fort prej indiferencës mashkullore
askush s'të shikon përveç meje
presin që të ikësh
unë pres që të vish
kam vënë përpara armatën e madhe
të poezisë
të vras pleqërinë
i jap urdhër muzës të më sjellë lasgushin
të bëj ty vogëlushe
ti po vjen që prej së largu magjiplotë e dalngadalë
dora jote ledhatarja lëshon dritën e dëborës
i jap urdhër muzës të më sjellë ali asllanin
me qerpik të syrit tënd të më fshish vendin
ku do ulem unë
dhe të puthemi



ME NJË FILL PERI

me një fill peri në buzë e shoh nënën
duke kërkuar nëpër dhomë rrezen e diellit
e ndjek si atëherë kur luante kukamshefti me fëmijët
më në fund e pikas te dritarja ku përpiqet ta shkojë fillin në gjilpërë
bir, më thotë, s'po e gjej dambllamadhen
85 nëna
po s'jepet
e di që s'do të më kerkojë ta ndihmoj
e bën për t'i treguar vdekjes
se është ende e re
ja, e shkoi fillin në gjilpërë
pastaj i hakërrohet; plaç, moj e nxirë me bojë!
dhe më shkel syrin
ia hodha, landush dhe kësaj here!



RA VAN GOGU

eh, nëna ime
e mira nëna ime e bekuar
kur erdhi në amerikë
pa më pyetur mua
hoqi nga dhoma e pritjes van gogun
korbat në arën me grurë
( ç'është kjo gjë e shpifur, landush?! )
dhe vuri portretin e babait të vdekur në mur.
ne s'pipëtimë,
ne s'u ndjemë,
megjithëse van gogu kishte rënë.



MAMAJA E SKANDALIZUAR

mama
hidhi
mama
kanë marrë njollë
pantallonat
ajo skandalizohet
thasët plot me tesha që nxjerrim në korridor
për kishat
që vijnë të enjteve
t'i marrin
ajo i përgjysmon
jeni bërë pasunarë si rrokfalli
ngatërron emrin e të madhit
s'u dhimbset paraja
bli e hidh përjashta
tesha të reja, kërk të reja
pullovra, fustane, pantallona, kepucë pe marke
ajo skandalizohet
mama
hidhi
mama
I njëjti refren
po ajo s'e këndon këtë këngë amerikane
ç'nxjerr nga thasët
i fut prap në sirtarë
na e hedh dhelpërisht
dhe ne se kuptojmë fare
i veshim këmishët, pantallonat sërish
alo,
kisha e shën mërisë në manhattan?
do të vini të enjten?
mamaja
fetare e madhe
bijë e krishtit
s'heq dorë nga mëkati
vjedh kishat.



NËNA ME TEMPERATURË

s'kam ç'shkruaj më
i kam thënë!
më mirë të dëgjoj nënën
kur tregon për beratin
historitë e dritareve
një mbi një
s'kam ç'shkruaj më!

* * *

unë në moshën që hesht
nëna në moshën që flet
klasike si dikensi
unë modern
si modiano
ende redaktoj veten
ç'heq
i merr nëna
dikensi
i bën vërejtje modianos
që hesht
sa despote këto nënat!

* * *

pres hënën të bëhet e hollë si gjilpërë dantelle
t'i shkoj fillin
t'ia vë në dorë nënës
të më qepë si spaleta mbi poemat
yjet e qiellit
e di që do të m'i shkul në mëngjes
nje poetuc bilbil me vesë
dhe do t'i marrë për vete!
s'të ndihmokan as nënat!



Ç’BËN NËNA?

ç'bën nëna, ku humbi?
ka ndezur qiri në ikonë
dhe lutet për mua
përsëri më ka parë të vdekur në gjumë
zoti ynë që je në qiell
merrmë e shtjermë në dhe
po landushin mos ma nga
ajo s'di
që të mallkuar e ka djalin
në shkrime zotin e ka sharë



NJË COPË BUKË

nga tv vjen erë luftë
më duket sikur e pi kafenë me barut
e le përgjysmë dhe dal
shoh një copë bukë në rrugë
e marr dhe e mbaj në duar
dëgjoj zërin e nënës; puthe, bir
dhe kujtoj kur më lutej në fëmijëri
më fal, nënë, i them, atëherë s'të kam dëgjuar
dhe asnjëherë s'ta mbajta premtimin
tani e puth copën e bukës
sikur puth nënën time
vë buzët mbi madonën sikstine
mbi tërë madonat divine
të mikelanxhelos dhe leonardo da vinçit
të rafaelit dhe vetë zotit kur krijoi nënat
copën e bukës që nga rruga e mora
e vë mbi një kuti poste
e nis rekomande
te zoti



AS SYRI YT

as syri yt s'duhet të qajë prej qepës
as duart e tua delikate s'duhet të qërojnë patate
ti çdo gjë duhet ta gjesh të gatshme
po kam qëlluar unë i paaftë
që të shkaktoj kaq shumë telashe
e ka fajin maja e lapsit
që nxjerr vargje
po s'quk pare!
unë vargun e përsos
dhe prozën dua ta bëj te bukur
bukuria jote humbi
te qepa
salca
buka që gatuan vetë
ç'jetë e ndyrë
kjo e shkrimtarit!
sekretin e fjalës së bekuar
nuk e kthen
prej ambicies së madhe
në sekretin e bukurisë së gruas



NJË FLAMINGO E KUQE VJEN NGA BAHAMASI

ah, sikur të kishin celular dhe shpendët!

nje flamingo e kuqe që vjen nga bahamasi
me sqep
tak tuk
t'u binte tasteve
të më linte një mesazh
po vij
më gjej një dhomë me qira ne manhattan!

është fjala për një fole në drurët e parkut manson
ku ndodhet dhe liqeni i zogjve
po ngaqë s'ka celular
vjen si alien
kap me sqepin e gjatë lyshtra, barishte, kashtë
në kumin e liqenit blu me natë
per të ndërtuar fole
ngjitem në pemë dhe e pres
s'kam pupla, as pendë
s'di të fluturoj
s'ka as hënë në qiell
atje ku kish rënë mbi lyshtrat e liqenit
e kapi sqepi i saj si grep
dhe e solli në fole
ja c'ben një flamingo e kuqe kur bie në dashuri me një poet

ah, sikur të kishin celular dhe shpendët!

me kohë do t'i kisha gjetur një dhomë me dritë dhe ajër
në një grataçiel mbi hudson river
ose në central park
po ajo do fole kleçkash
mbi drurët e lartë
nën qiell

dhe kjo punë e folesë s'bëhet vetëm
nga parku manson gjer te liqeni i zogjve
ajo gjeti një tjetër partner
një flamingo të zi sterrë
që ia thoshte lyshtrës dhe kashtës
dhe këndonte sa për dyzetë trompa
dhe njëqind kontrabase

ja ç'ndodh me një flamingo të kuqe
për një fole
ajo të lë

ah, të kishin celular dhe shpendët!



MA MORËN NËNËN

ma mundi anglishtja nënën
ma mundi
kujtonte ç'i kish thënë im nip;
gjyshe
pa anglishte s'ke të ardhme në amerikë
nëna 84 vjeç
i vumë një televizor në dhomë me kanalet shqiptare
po bëmë një marrëzi;
s'dukej më nëna në shtëpi
s'gatuante gjellët e saj të beratit që të lije thonjtë në to
humbi era e saj
sikur u mbyll në një flakon
dhe ma morën ata andej
veç kur vija mbrëmjeve nga puna
dilte dhe më thoshte; e djallosi meta, po dhe ai edi..
amerikë,
s'ishe në gjëndje të ma ruaje nënën
ma morën ata andej



NËNA PO GATUAN BUKË

nëna po gatuan bukë
kryqin bën
dhe pëshpërit lutje
moj, nënë, kush të shikon na heq fillin
nuk gatuhet bukë në amerikë!
landush, ti vëri mendt punës
pa nëna bën gati brumin
dhe mblatën shtyp përsipër
me shenjën e zotit krisht
e bëj për shëndetin tënd
plastë syri i lig
dhe të marrshin të keqen!
kjo bukë të bëri poet!




KËTU S’MË NJEH NJERI

këtu s'më njeh njeri
dhe ketrat që i shoh përditë
kanë frikë prej meje
dhe zogjtë kur kaloj e ndryshojnë këngën
dhe ujërat e pellgut te parku marrin një ngjyrë mavi prej brenge
diku dëgjohet boria e makinës si qyqe
dhe treni trokon mbi çati gjëmshem
si luftë botërore e papritur
qukapiku ende s'e ka hapur vrimën
dhe krimbi manjolën po ha
tjetër ndriçim ka agimi
mbi thinjat e mia të rralla
këte ma tregojnë pasqyrat
e ujërave ku lahen makinat
diçka po ndodh kur eci
dhe gratë se si më shohin
janë gati të më japin ndihmë
dhe vajzat tregohen të sjellshme
po shkon? sa keq që na vjen
po shkon përgjithmonë? ç'të bësh
një ditë të gjithë do të ikim
por ja, që kurrë s'e mendojmë!
dhe unë që e fsheh ku po shkoj
kam dashuri dhe për plehrat
një trashaluqe që s'shihet me sy
merr prej meje një shenjëz
dhe çerja e saj vrarëlije
çelet si lulja mbi pleh
jam gati t'i jap dashuri dhe nje vrasësi
dhe çastet e mërzisë më të thellë
më duken më të shtrenjtë se balzaku
dhe shkoj të shoh si del hëna
nga fundi i oqeanit
e plotë e kuqe e mistershme
mbi ujërat si vaginë e përgjakur
prej saj të lindja dhe unë!
dhe shoh si kalon gjersa vjen agu
natyra e ka në dorë, ave maria
ndoshta nuk bie
më le të dëgjoj ende bethovenin dhe bahun.




PUTHJA

elektrike është puthja, prej saj
me dritë u mbush trupi
s'ndodh nga vërshimi i lumenjve
mbi diga
mjaftojnë dy buzë që bashkohen

e kopjoi edisoni!

s'është llamba e tij që ndriçon netve
s'vjen prej hidrocentraleve, centraleve atomikë
drita
po prej puthjeve

mos e shuani!




SONTE NUK DO TË ECI NË AVENJUNË E MODËS

sonte nuk do të eci në avenjunë e modës
po në ajër
në të gjithë grataçielat qepet ditë e natë 
dhe filli delikat përshkohet nëpër gjilpërat elektrike
cohërat rrinë në ajër
varur në kremastarë fustanet
ecin në ajër veshjet e vjeshtës
dhe kemishët në ajër
dhe kravatat lidhen në ajër
dhe fletët e vjeshtës në ajër janë duke ecur
dhe unë dua të shkoj në shtëpi në ajër
duke ndjekur ritmin e gjilpërës që qep mbrëmjen
që qep fletët e vdekura në veshjet e stinës
që bien nga pemët
dhe ecin në pasarela
vetëm në nju jork nuk vdes vjeshta
po bëhet modë
në ajër eci
të qep dhe unë poezinë
në vend të gjilpërës elektrike
një fletë e vdekur që bie



DHE HESHTJA DO TË VIJË

dhe heshtja do të vijë
ti duhet të mësohesh
edhe pse iu kanë ngritur monumente të mëdhenjve
ata i kanë harruar
duro
sepse edhe fama është
si dhurata që ti e dhe me zemër
e që duhet hedhur në lumë
sepse mirënjohja është virtut i njerëzve fisnikë
po kur populli vuan për bukën e gojës
fisnikëria ka veshur zhele dhe s'ka si kthehet
pastaj do të vijë impotenca
duro dhe gruan
duro
edhe dashnoret s'të duan më për fjalët e bukura
po për paret
duro
pastaj vjen verberia
budallallëqet
duro
dhe kur të qeshin
duro
pastaj vjen neveria
le të vijë
sepse ti urinon në pantallona
dhe s'të duron njeri
doro
vjen shpina
s'ta varin më
sepse ti as pare s'ke t'u japësh as zgjuarsi s'ke më
sepse të janë tharë trutë
duro
edhe kur të shajnë prapa krahëve
dhe ti i dëgjon
duro
s'ke ç'bën, e rëndësishme
është të jesh i vetëdijshëm
se këto do të ndodhin
merri lehtë
se edhe ata e kanë nga rëndesa
iu duket sikur të mbajnë mbi kurriz
ti zbrit dhe dil
të duan pemët, zogjtë, bari të do cmendurisht
shtrihu aty dhe shiko qiellin
diellin
ujin shiko, retë
të janë dhënë
s'presin gjë prej teje
as kërkojnë t'iu thuash gati duke qarë; më falni!
as; ju lutem!
bej budallallëqe sa të duash
ata s'do të fyejnë dhe poshtërojnë
edhe po s'u ktheve
ti ke shkuar për te lindur prap
diku poshtë barit të pret nëna që të kujtohet
nëna
po mos qaj
lotët janë për ata!



IRIS TE KUQ

s'të putha dot atëherë kur duhej
tani që erdhi koha ti s'ke më buzë
si iris te kuq që i zë vjeshta me furtunë
i vyshk
i këput
buzët
ia mora hua ëndrrës
aq të bukura ishin
sa më bënë fatkeq
prej mungesës së mishit
jo, s'isha asnjëherë poet
s'të dashurova dot në ëndërr
të doja të zhveshur
gjinjtë përpjetë
thithkat ndër dhëmbë
kofshët që bëhen gërshërë e hënës
vagina zbuluar si misteri
po s'qenë mish
veç iluzion
tani që erdhi koha e dashurisë
na zuri vjeshta me re
kur thahen irisët e kuq
vyshken
dhe këputen
do të mësohem të dashuroj në ëndërr



KAM MBETUR VETËM FILLIKAT

kam mbetur vetëm fillikat
më vetëm se vetëm
as mish, as skelet
shpirtin e harxhova në letër
s'jam as erë, as ajër, as pemë
ndoshta fjalë e humbur në hapësirë
po sytë i kam, vetëm sytë
dhe shoh një kometë që zbret
bishtin e gjatë e mbaj unë
është një kometë veshur nuse
zbret prej blusë të shkojë në blunë e deteve
dhe unë jam një shoqërues
zbresim e zbresim, tani s'jam vetëm
dhe kam një ndjesi prej dashnori hajdut
zë dhe i bëj korte si një parvenu
ende pa ia parë fytyrën dhe hiret pa ia parë
urra! s'jam vetëm, paçka se fjalë kam mbetur
as mish, as skelet, po as shpirt, vetëm sy
por ndiej sikur të isha trup
të dua, të dua, i them, të dua, kometë
dhe si një hajdut e vjedh
me kometën jam martuar,
fjala e humbur në hapësirë
lind kometa të tjera blu



KOHA LUFTË ËSHTË GJITHMONË

koha luftë është gjithmonë
do ta lë poezinë
s'fitoj asgjë
dhe një krikëll birrë të zezë që pija dikur te tymi
me bërxolla skare
s'e kam më
vendosa; do të bëhem gjeneral me spaleta blu
e kam fare të lehtë
keni parë mbi një shtrat topi
apo mbi krahë avionësh luftarak
fole zogu?
natyrisht që jo
sepse duhet që zogu të marrë leje në pentagon

me mua është kollaj
se jam poet
i përkas një qeverie tjetër
qiellit
më në fund vendosa
do të bëhem gjeneral me spaleta blu
do të vë
dy fole zogu
mbi supet e kërrusur
medalje kam plot
ca like miqsh
e ca komente dashamirëse
armët e mia s'janë bombat
po boja
letra e pena si në ato kohë
36 shkronjat e alfabetit 
shumëzojini me 10 milion shqiptarë nëpër botë
sa bëhen?

s'do ta luftoj luftën me luftë
po me fjalën
në qoftë se ajo s'e bën dot
do ta lë përgjithmonë
dhe do të dal në lirim
kushedi ku më shikoni
në ndonjë stol
duke numëruar avionët që ngrihen nga jfk
dhe më duket se në atdheun tim shkojnë
pres që të ma sjellin

kushedi atdheu edhe më gradon
më bën gjeneral blu
me dy fole zogu
mbi supet e kërrusur
dhe prej fjalës nga lufta heq dorë
po kjo është ëndërr
mbi bombën
boja të fitojë
kushedi kur ndodh!



E DIELË PO S'KAM KU SHKOJ

e dielë
po s'kam ku shkoj
dhe të mendoj
ç'duhet?
mund të përtyp fara kungulli në një stol
dhe të shoh si më aviten pëllumbat te këmbet
të vetmit që më qetësojnë janë monumentet
që i kanë të gjitha ditët të diela

trenat plot
plot stritet dhe avenjtë
prej mërzisë
të dielën vetëvrasjet janë më të mundshme
ç'të dalësh
vetëm për të blerë një sushi
apo për të tërhequr këmbët zvarrë?

të dua, s'mund të thuash në turmë
s'është aspak e bukur
po ku të shkosh?
të mbetet t'ia thuash
në park
midis luleve
po as aty s'shkon
është tepër romantike
dhe nju jorku të qesh e të tall
atëherë më mirë mbaje
shtrëngoje në fyt
dhe po bëri përpjekje për të dalë
lidhe me litarë
ruaje të shenjtën
të dua

po ç'them
më ngatërron e shkuara
këtu s'thonë të dua
po a ke të më blesh një palë sutjena
si ato të ledi gagasë
po veç kushtojnë ca
dhe puna ka mbaruar

ç'janë të pasur
përditë marrin të dua
sutjenash dhe brekësh setapurë
ç'janë të varfër si unë
sushi
stoli
pëllumbat
dhe monumenti i palëvizshëm i edgar allan po
që çdo ditë e ka të dielë

i heq kapelen!




ASGJË S’PO NDODH ANDEJ

asgjë s'po ndodh andej
dhe gjaku im s'rri lidhur me zinxhirë po merr rrugën e pelegrinit
nëper vende me tabela; rrezik!
është po ai sklerotik dhe i leckosur si profet i rremë
asgjë s'po ndodh andej, veç fjalë ka
po miku është bërë armik dhe
hajduti mag
gjuha s'më bën të shqiptoj fjalë
dhe s'dua të shkruaj për veten
libra të trishtë, ilaçet i pi me rregull
me ilaçet ruaj seriozitetin e dhëndrit
asgjë s'po ndodh andej, ne na dinë të vdekur
dhe ne po i harrojmë së gjalli
tymi vjen dhe këtej
po nuk e shohim zjarrin
gjaku im i pabindur kauboj u bë andej nga teksasi
pastaj ia mbathi për neshvill, fans
i muzikës country
diku takon xhorxh bushin e ri, të cilit i pëlqen shumë tekila
asgjë s'po ndodh andej
vjen mbrëmja dhe
vjeshta kështu vjen me një hënë të ngrënë dhe me gjethe të vdekura
që i shkel hija e ëndrrave
dhe unë mbeta një shpellë e gërryer prej vetmisë
u mësuam katastrofës t'i themi dashuri për atdheun
asgjë s'po ndodh andej



KUSH THA SE KAM DY SY

kush tha se kam dy sy
dy buzë
dy duar
kush tha
m'i ke marrë ti, moj e shkalluar
kam mbetur
me një sy
me një buzë
me një dorë
dukem si gjysmagjeli i përrallës
s'të vjen keq për mua?
prej budallallëqeve e kam
prej poezive të dështuara që të kanë rënë në kokë
dhe peng m'i mban
po me çfarë të puth
me çfarë të shkruaj
ca kacurrela që kisha si kam
dhe e blerta e syve më është tharë
dora ka zënë të dridhet
s'ka ku mbahet
më paske marrë dhe gjysmën e zemrës, moj e shkarë
ca brinjë bosh
që therin
po vjen dimri me ngrica
dhe do të më përcjellin
dhe në qofsha atje në shish tufinë
eja
më jep ato që më ke marrë
ndoshta ngjallem
jo për vete
po për ty
bëjmë dashuri
një i vdekur
me një të gjallë
ku i dihet
ndoshta dal
bëjmë shëtitje në bulevard
po ti do të kesh tre sy
tre buzë
tre duar
si hidra
dhe me njëmijë të lutura s'do të m'i japësh të miat
kjo shëtitje e fundit më është shkruar
unë si ciklopi
nëpër tiranë
dhe ti si hidra
do të trembim shokët
moj e shkalluar




MOS I HIQ TË GJITHA

mos i hiq të gjitha
të gjitha mos i hiq, lëre mbrëmjen përjashta të bjerë
dhe henën të kalojë midis kofshëve të gjata
dhe mos e hiq oqeanin që largohet
as manhattanin që duket si një kupë me lapsa
eja me gjithë reklama
se ty të shkon shkëlqimi
të gjitha mos i hiq
eja dhe bjer mbi mua
me gjithë botën përjashta
të bëjme dashuri universale
në një shtrat kozmik



S'KANË TË BËJNË VITET

s'kanë të bëjnë vitet
ti tetëmbëdhjetë
më e bukur se reja e shiut kur krihet me ylberin
edhe nëse buzët e mia jane tharë si shkretëtirë e gizës
aty prapë ndjellin shpirtrat
e faraonëve
krishtit
ka shumë fletë nga bibla
besoji ndjenjës së bukur te poetit
që ende shkëlqen
si dielli që u korr në korrik
dhe u mboll në mars përsëri
po më i bukur është në korrik
këtë e tha dhe van gogu
te korbat në arën me grurë
në kohën e korbave jam
kur vijnë dhe bëjnë batërdinë
trupin ta shqyejnë
dhe kockat t'i grijnë
po s'ta hanë dot shpirtin
atë fjalëzën me shumë perëndi
aq ndjellese
dhe tinzare
ku fshihet dhe djalli
që të shndërron në jul qesar
dhe ty në kleopatër
tani me një perandor ke punë
ta merr mendjen ky riosh plakush
që fjalës i vë flakën
dhe ndez qiri në akull
tetëmbëdhjetat e tua
dalin për një natë
edhe nëse s'dalin
janë gjashtëdhjetat e mia
iu fryjmë
dhe shuhemi
ti nga dashuria
me shpirt të mos ngopesh
me shpirt
unë nga bukuria
me mish të mos nginjem
me mish
ç'bën dashuria
ia merr dritën një ylli
për një të verbër si unë
ndoshta është mëkat
faj që nuk shlyhet
po di ç'bën perëndia!



ASGJË NUK NDODHI ME NE

asgjë nuk ndodhi me ne
asgjë e rëndësishme
veç trëndafila këputëm
dhe iu morëm erë
u lagëm në shi
dhe me topa bore luajtëm
pastaj unë te kushtova një poezi të vogël
që ti e mbajte në kutinë e bizhuve
ku kishe vetëm një gjerdan me gurë te rremtë
dhe asgjë më
ç'të kujtoj tjetër?
prandaj e pritëm të qetë humbjen e rinisë
dhe kthimin e fletës së fundit të biblës sonë
apokalipsin e moshës që mori hijen e ciklonit
ah, harrova
dhe një tjetër poezi të vogël të kushtova
për bukurinë që s'të humbi pothuajse
ndonëse mori rrudha
dhe flokun e thinjur ta leu me platin
dhe buzët me të kuq
bashkë
gati gjashtëdhjetë vjet pa u penduar
pa bërë faje të rënda
tani rrimë përballë njëri-tjetrit si dy perëndime të shuar
se fjalët na kanë shkuar si shtergë madhështorë
në vendet e ngrohta të kujtimeve
ç'ka mbetur tjetër?
sa herë ke ditëlindjen unë harroj të dhuroj një buqetë me margarita
ti nuk harron kurrë
të më japësh një të puthur
prej ndjenjës prap lot të nxjerr syri
dhe një sekret të fundit
ju lutem, mos ia thoni
unë jam si një zjarr në rrafshinën me dëborë të vjetër
ajo ende më thotë të dua




DËGJOJ FRYMËMARRJEN TËNDE

dëgjoj frymëmarrjen tënde
kam tridhjetë vjet që e dëgjoj kur je në gjumë
dhe s'ngopem
është koha kur vesa bie mbi shpatoret ngjyrë gurë kali të kopshtit
s'ka ndodhur asgjë e veçantë
veçse unë dëgjoj frymëmarrjen tënde
dhe s'ngopem
ti ke dalë nga shtrati dhe ia ke mbathur
kushedi ku endesh pa më lënë një shënim
prandaj është nata me ëndërra
që dashuria të bëjë pushim
xheloz jam, pse ta fsheh
sonte bije kaq shumë vesë në kopsht
dhe yjet shkëlqejnë kaq fort
sa s'të shkon mendja për të keq
dëgjoj frymëmarrjen tënde
dhe s'ngopem
shtrihem dhe unë pranë teje të fle
tridhjetë vjet që s'ta bëra dot pyetjen
po ti ç'bën kur mua më zë gjumi
s'ndjen një çikë xhelozi?
prandaj është nata me ëndërra
që dashuria të bëjë pushim
në ëndërra u takofshim të dy
dhe po s'ndodhi
vjen mëngjesi përsëri
të kam pranë kur të hapësh sytë
erdhe? do të pyes
po ti s'përgjigjesh
sikur mban të fshehtë diçka enigmatike
ah, këto ëndrrat që na ndajnë çdo natë
sikur t'ua gjenim ilaçin
dhe ta pinim
që dhe në ëndërra të ishim bashkë



NUK DI Ç’ËSHTE DASHURIA

nuk di ç'është dashuria në këtë moshë
shtrëngime s'ka dhe puthje të rrëmbyera në buzë
tani me mjekët merret ajo dhe më vë krahun kur shpresat humb
dhe më kap një frikë që s'e fsheh
zemra ime s'është më ajo e para
që dashuronte dhe tradhtonte
tani është më besnikja e ilaçeve
më e nënshtruara e mjekëve
e spitaleve
ajo dorë më rri pranë kur më marrin me karro dhe më çojnë lart
në sallën e engjëllit dhe djallit
ajo pret
kjo është një tjetër pritje e gjatë
se s'dihet a dalë gjallë apo i vdekur
dhe kur më zbresin poshtë
përsëri dora e saj në dorën time
dhe buza e saj ne buzën time që më kujton se përsëri ka dashuri
dhe kur kthehem natën vonë zëri i saj i ngrohtë më vjen
kujdes, se ka akull!
dhe thelën e saj ma vë ne pjatë dhe verën e saj ma jep kur ndjen se e dua
po s'ka asgjë të zjarrtë
jemi si një zjarr në mes të acarit
ajo merret me taksat
me bankat dhe dyqanet ajo merret gjer pasmesnate
firma e saj është kudo nëpër karta
asaj i kerkoj para kur s'kam
grua apo nënë, motër apo e dashur
s'di ç'është, po ama ia ndiej dorën
kur futet në krahun tim dhe ma shtrëngon
dhe zemra më lëviz
më del nga kraharori
në dorën e saj e ndiej si rreh

jemi si një zjarr në mes të acarit



E ÇUDITSHME KJO GRUA

e çuditshme kjo gruaja ime
do të dalim? e pyes
do të dalim, përgjigjet me gaz
dikur orët e takimeve kishin aq shumë emocion
si këngët e vaçes

ja sa të nxjerr pulën nga ngrirja
dhe t'i lë djalit një shënim

dikur blija lule të freskëta
dhe s'pyesja për paret
asaj i pëlqenin margaritat e bardha
akrepat e sahatit të qytetit ecnin ngadalë
si me paterica
drejt orëve të takimeve
nxirreni në pension sahatin e madh
therrisja unë poeti
po kush ma vinte veshin?
i pari mberrija dhe ikja
kthehesha përsëri me një ankth të madh
dhe zemra sa s'më çahej
ajo më dukej edhe më e bukur
sikur më bënte nder që vinte
dhe më linte që ta puthja

po vonohesh, i them ngadalë
të lutem..
çelësat, ku i kam çelësat?
kerkoji, pse më rri si buf?
atëherë fjalët ishin të zgjedhura, delikate
dashuria na bënte njërin naim, tjetrin çajup

dhe ja, më në fund dalim
ndryshojmë në moshë dhjetë vjet
ajo ende e re
unë zgërbonjë e vjetër
s'rri dot pa më bërë njëqind vërejtje
kjo këmishë nuk të shkon me xhaketën
pse s'mbathe këpucët e mira?
kujdes, se po kalon me të kuqe
ende e ke mendjen te poezia?
dhe dora e saj shtrëngon timen
jo si atëherë butëz si pambuk
po sikur kap timonin e makinës

dhe shkojmë të gjejmë franxhollat e çupkës
te francezi
dhe djathin blu të djalit
te danezi
pastaj vijnë luleshtrydhet, qepët, karrotat
pastaj hyjmë e dalim te mollet
e lë të çajë përpara si predhë topi
në fushëbetejën e fustaneve dhe bluzave

ishte vajzë, m'u bë grua, tani nënë më duket
pas djalit dhe çupkës, i treti jam unë
ajo m'i zgjedh veshjet, këpucët, këmishët
dhe unë natyrisht s'kam si t'ia prish

aq shumë nënë më është bërë kjo grua
sa kur bëjmë seks
më duket se biem në inçest

eh, moj grua e çuditshme
gruaja ime
më ndje që ke për djalë një plak të rrjedhur
dhe unë për grua kam një çupkë



KUR TI SËMURESH UNË BËHEM SI I ÇMENDUR

kur ti sëmuresh unë bëhem si i çmendur
atëherë të dashuroj edhe më shumë
shndërrohem në një fetar të bindur
jam gati të ngarkoj mbi shpinë njëmijë ikona
t'i lutem shën mërisë së virgjër
më gjunjë
jezu krishtit t'i pergjerohem me lot në sy
besoj dhe te drurët
po të më thonë se ata janë shpirtra të shenjtë
dhe jam gati ikonat t'i thyej
në qoftë se nuk bëjnë gjë për ty
respektoj si i krisur oraret e ilaçeve
si atëherë kur te vija në takim
dhe mjeku mjekërosh që më çmend;
nuk po ia gjejmë dot shkakun
më duket si një xhelat
unë dua dashuri dhe nga kasapi
vuaj dhe jam gati të ngarkoj si kalë
temperaturën tënde të lartë
dhe prej një fluture pres një shenjë
dhe prej një zogu në dritare
dhe prej diellit kur më hedh flori në dysheme
dhe prej hënës kur më bën krejt blu
se dritë nuk ndez
që ti të mos shqetësohesh në gjumë
supersticioz, mistik, bestyt
le të më quajnë
madje dhe të rrjedhur
s'dua t'ia dijë ç'mendojnë për mua
jepjani nobelin, po të doni
dhe një idioti
mjafton qe ty te zbrese temperatura



EH, Ç'ATDHE!

eh, ç'atdhe!
më thërret
eja, pse s'vjen, plazhet me mut i kam
dhe një park s'gjen që të ulesh
se janë shtuar shumë derbederët dhe zorzopët
derrat e derrit që s'ngopen!
po ti eja
të më vësh nje pece në balle se kam temperaturë

s'kam më drurë
veç shkurre dhe ç'mbijnë vetiu prej keqardhjes së zotit
pelikani kaçurrel dhe krilla e lasgushit
më kanë fluturuar
jam në eklips
jam një atdhe në eklips te pafundmë
dhe minjtë e gjirizit më janë shtuar shumë
eja të më vësh një pece se kam temperaturë
më shqyhen dhe kockat më shkulën
pikë gjaku s'më ka mbetur në trup
faqen e re që nisi
nuk duan ta shkruajnë me bojë
po me barut
sikur s'kemi lindje, po mort

po ti eja
do të shohësh shumë zuzarë dhe trutharë
që i mbajnë për të ditur
do të presin me tritol të telekomanduar
mund të biesh rastësisht
se luftë është
ngushëllohu
varrin do ta kesh në atdhe
jo në vend të huaj

në ylber ngjyrat janë bashkë
të pandara
e kuqja, bluja, e bardha
te njeriu im ylberor
njëra tjetrën ato hanë
prandaj moti s'hapet

këtu dhe nobelin e zenë me gurë
mallkoj veten
mallkoj barkun që i polli
po ti eja
të më vësh një pece se kam temperaturë

s'jam atdhe patriot
gjysma ikën e më lanë
gjysma tjetër po më ha
nxirrmë një vizë

se kam djemtë në amerikë



IA ÇMONTOVA TRUPIN

ia çmontova tupin
të shikoja ç’kishte ndryshe prej meje
ajo rrinte dhe më kqyrte e habitur
me dy sy kafe të errët në duart e mia
zemra aty i rrihte
e kuqe
si imja
të gjitha të tjerat
si të miat
ku ishte magjia?
ia montova përsëri trupin
duhet t’i çmontoja shpirtin
m’u desh të mësoja gjuhën e hijeve
çmontova hijet
njëlloj si të mijat
ku ishte magjia?
çmontim dhe montim
arrita te dashuria.



E KUSH E MBAJTI FJALËN?

do dal për gjah
të vras mesnatat
bashkë me hënën e plotë të majit
bashkë me detet në zbaticë
që kanë hyrë në një trivargësh haiku
bashkë me vilarët blu të jargavanëve
mbi portat me iniciale
bashkë me urat
plot me dryna të kyçur të dashuruarish
që çelësat i hodhën në lumë
e kush e mbajti fjalën?
do dal për gjah
me një pushkë të gjatë në krah
të vras mesnatat
ëndrrat me porta të hapura
se vjen ajo sërish
pas infarktit të tretë
më bën me infarkt të katërt
do vras mesnatat
më parë do shkoj nga urat
të hap drynat
me një çelës kopil

të dashuruarit të dashurojnë përsëri



S’E KAM FAJIN UNË

ti më ndjen kur të vijë tinëz
dhe të shtyp në brinjë
s’e kam fajin unë
dy oqeane na ndajnë
dhe po ai qiell është për të dy
prandaj ndodh kjo mrekulli
jo prej largësisë
po prej shpirtit
asgjë s’do të ndodhë sigurisht
edhe në qoftë se t’i prek gjinjtë
dhe nga gjumi të zgjoj
s’e kam fajin unë
janë ndjenjat që luajnë
edhe në qoftë se ti drithëron
dhe pëshpërit; mos, mos..
gishtërinjtë e mi të gjatë të shkasin nëpër kofshë
pastaj atje
atje
afrohen e të ngacmojnë
me ngulm prej të çmenduri
s’e kam fajin unë
edhe në qoftë se ti trallisesh në një orgazmë pa fund
një lëng veshtullor
ngjitës
të kullon poshtë dhe të tërbon
më ndjen me llahtarë si të depërtoj
s’e kam fajin unë
mos më mallko
për netët pa gjumë
për mëkatin pa gjurmë
më kap po munde
thirr policinë
po edhe ti e di

s’e kam fajin unë

1 Kommentar:

  1. Unë po e ndaj këtë dëshmi për partnerët që vuajnë në marrëdhëniet e tyre, sepse ka një zgjidhje të qëndrueshme. Burri im më la mua dhe 2 fëmijët tanë për një grua tjetër për 3 vjet. U përpoqa të jem e fortë vetëm për fëmijët e mi, por nuk munda t'i kontrolloja dhimbjet që më mundonin zemrën. Isha i lënduar dhe i hutuar. Unë kisha nevojë për një ndihmë, kështu që bëra një kërkim në internet dhe hasa në një faqe ku pashë që Dr Ellen, një magjistare, mund të ndihmojë të kthehen të dashuruarit. E kontaktova dhe ajo bëri një lutje dhe magji të veçanta për mua. Për çudinë time, pas 2 ditësh, burri im u kthye në shtëpi. Kështu u ribashkuam përsëri dhe kishte shumë dashuri, gëzim dhe paqe në familje. Ju gjithashtu mund të kontaktoni Dr Ellen, një magjistare e fuqishme për zgjidhje
    1) Magjitë e dashurisë
    2) Kthehu i dashuri
    3) Ribashkoni burrin ose gruan
    4) Nëse keni pela të natës
    5) Kurë për HIV dhe kancer
    6) Unaza e fuqishme magjike
    7) Magji për fat të mirë
    8) Thyerja e obsesionit
    9) Problemet e lindjes dhe shtatzënisë Kontaktoni EMAIL: ellenspellcaster@gmail.com Ju gjithashtu mund të Whatsapp saj +2349074881619

    AntwortenLöschen