Samstag, 26. September 2020

Poezi nga libri më i ri i poetit Naim Fetaj, "Zogjtë nuk ndërrojnë fytyrë".


 
ZOGJTË NUK JANË SI NE

Këndojnë zogjtë në pikë të dimrit
Se pa një këngë të re nuk dalin në pranverë
U përzien stinët dhimbja dhe sëmundjet
Si pula pa kokë sillet botë e mjerë...

Zogjtë nuk janë si ne fytyrë nuk ndërrojnë
Nga mërgimi tek lisat e vjetër kthehen
Të krimbur na shohin dhe këndojnë sërish
Ndoshta na ruajnë nga ndonjë krimb tjetër

Rreth globit duke kënduar janë endur
E çfarë nuk kanë parë tokës së qelbur
Mbi kokën tonë rrinin për t'u djegur

( Ah ...sa shumë janë vetëvrarë )

Pa zogj o Zot
Ku ka stinë të bardhë…



TË KAM PËRKUNDUR NË KËNGË...
( Për nënën time )

Buzët edhe dhembjen i kam gri me dhëmb
Sikur krejt ninullat ...atëbotë në prehrin tënd

Edhe nëpër ëndrra të kam pritur ty
Qatje bile desha të mbetem fëmijë...

Po ikin vitet nëno ...sikur uji ndër ura
Edhe sytë kanë shterur si në bjeshkë do gurra

Trembëdhjetë vjet pa ty ...një jetë e rëndë
Gjallë të mbajta në vargje ...
Të përkunda në këngë



DIÇKA E PA THËNË PËR NËNËN...

Kur i fola njëherë për dashuri
Thashë e ndezi botën
E vetë desh u bë hi...

Mesnata më duket se u bë mëngjes
Kur foli për veten
E për një mace në thes

Më puthi në faqe
E sytë iu bënë diell
Dy herë në vit
Kam parë aty pranverë...

Ah sytë e saj
Sa një det të thellë…



KULLA E JETËS...
( Për Kullën e Jasharajve )

Themelet i ka në gjak
E kulmin në legjendë

Çdo guri aty është këngë
Çdo guri aty ka jetë

Është si e Oso Kukës
Si e Kamer Loshit është
Kullë si e Tahir Mehēs
Që gjoksin ia qet vdekjes...

Ajo është Kulla e Jetës



HERË E FSHEH DHE DIELLIN...

Asnjëherë dielli nuk është kthyer pas
As hijet e dëshmorëve që dënesin përmbas

Liria është e madhe
E mbulon dhe qiellin

Po herë ta verbon syrin
E herë e fsheh krejt diellin

Mbi ca kuaj të verbër
Këtu e sjell krejt ferrin…



PRANVERA NË KOSOVË...

Tinëz zbret ngadalë
E ndalet përmbi varre
Aty ku të gjallët e kullojnë
Gënjeshtrën e madhe...

Përbirohet maleve
Po e gjuajnë me plumba
Se dimër e duan
Ca hije me gunga...

Pranvera në Kosovë
Nuk zbret për së mbari
E rëndë sikur hekuri
E ftohtë sikur varri…



DOSJA PA NUMËR...

Binin zogj si breshër nga qielli
Me breshëri plumbash të çarë në mes
Mjegulla solli vdekjen e burrat ranë te lumi
Aty e mbrapa...kush s'ka pa mëngjes...

Vajin e fëmijëve e kanë përkundur lisat
Gjak e tambël kur pinin nëpër terr
Për gra e vasha as Zoti nuk dinte
Se ishte tymnajë si nëpër ferr...

Prej fshati në fshat
Me zorrë nëpër këmbë
Dhe t' vdekurit vinin pas
Me shpirt ndër dhëmbë

Mallkonin plakat ...
Breg rruge sy si gaca
Do të çelet qielli thoshin...
Po larg ishte Bllaca….



NËPËR DRAGOBI...

Kur i nisëm luftërat
Na duhej në ballë një burrë
E kur u nis tradhtia
Kërkonte Bajram Curr

Mbi gjak e eshtra ecim
E mend s'u mbushëm kurrë



TE MAJA E STRELLCIT...

Atje rrufeja vret një herë në vit
Po toka e qielli fytas shkojnë çdo ditë

Atje Guri i Nuses rri përmbi legjenda
Nusen fsheh aty a zotat i ka brenda

Vaji i nuseve kur e zhbiron qiellin
Tri ditë e tri net askush s'e sheh diellin

Lisat bëhen nuse e nuset bëhen zana
Me lot fëmijët andej i lante nana...

Sa herë njerëzia që mori malin
Te Maja e Strellcit ...gjëma e dogji strallin…



VARRI I HAPUR...

Mes varresh diku
Tek një bli i madh
Si një gojë mali
I hapur rri një varr...

Një nënë aty e varrosi dhembjen
Meit e bëri dashurinë
E shtriu edhe këngën...

Aty
Në dhe e futi lirinë...

Lirinë dhe të zezën jetë
Dhe pret e pret e pret
Dy eshtra nga djali

Tash e njëzet vjet….




GARDH GJYMTYRËSH...
( Si vajtim i ri )

Qielli po loton bashkë me ne
Kur të tjerët tokës sonë po i thonë atdhe

Asnjë zog askund nuk mbeti në ahishtë
Edhe dielli e hëna tinëz mbi Kuqishtë ...

Nuk ka më këngë andej legjenda as eshkë
Zana e Shtojzovalle shituan një bjeshkë...

Zezëdita i dogji krahët e një vjeshte
Kur plasën zanorët në mes të çdo vjershe

Vajton sërish Ajkuna e tinëz dënesë mali
Me gjymtyrët tona rishtas po thuret gardhi….



KUR E VIZATUAN EVROPËN...

Nëna na la herët e u rritëm jetimë
Për babën s'dinim shumë
Por thonë se ishte trim...

Njëmijë herë për Trojën na ka djegur malli
Kopil tek dera ...ka mbetur vetëm kali

Edhe plakave thonë ua kanë vu flakën
Prej Odiseut e fshihnin Itakën...

E ne me ninulla e kënduam gjithë botën
Mbi hirin tonë kur vizatuan Evropën…..



SI HISTORI...

Kur linda unë ...në këngë rronin trimat
E nëna më thoshte vdis
Ku bashkohen Drinat

Tek Ura e Fshejtë e shituan të ngratën

Pastaj të vrisnin ditën
E festonin natën

Atë ditë e sot thonë
Dreqi end uratën…



RINGJALLESH PREJ HIRIT...

Ta gozhduan relievin tash
Për një kryq të madh
Si një lëkurë dhie
Si lëkurë për tupan

E kripën e regjën e tkurrën
E bam e bum e bam
Bri ngjitur s'të lanë

Lumi përtej i bartte gjymtyrët
Dhe gurët e kufirit

Duke kapërcye ylberin dëshmorët
U plasi bebëza e syrit

Mes varresh një foshnje
Kërkon tambël të gjirit...

Moj Kosova ime...
Ringjallesh prej hirit.



VALLJA E TROPOJËS...

Dolën prej shkëmbi a pikën prej qielli
Pluhur e mjegull ku mbeti vallë dielli
Edhe zogjtë e malit prenë këngën e gojës
Bam e bum kur nisi ...Vallja e Tropojës

Shkrepat u stepën u rrudhën edhe lisat
Trimat e bajlozët heshtën
E dukeshin vetëm plisat
U zgjuan legjendat ...zanat... shtojzovallet
E bam e bum tupani në valle hynë dhe malet

Vashat hidhen lartë donë ta kapin diellin
Burrat tundin tokën e dridhin edhe qiellin
Çahet edhe bjeshka e digjet logu i lojës
Kur merr flakë e ndizet...Vallja e Tropojës



DITË PROTESTE...

Ende nuk janë ndarë dita dhe nata
Një acar i egër djeg sikur flaka
Kot ca hije të zeza brigjeve kanë zënë pritë
E bardhë e bukur... ngadalë zbret kjo ditë

Zbardhet horizonti sheshet mbushen jetë
Zhurmojnë edhe zemrat si koshere me bletë
Zbret kjo ditë proteste si për teh të shpatës
Ua verbon sytë... lugetërve të natës




PEIZAZH I VDEKUR...

Zgjohen të vdekurit e vdesin të gjallët
Shahen mes veti nuk dëgjojnë as malet
Ikin të rinjtë po zbrazën mëhallët...

Ah, liria ime
T'i hëngri qeni fjalët…




QENTË E ÇARTUR...

U bënë bashkë në muzg e u nisën për gjah
Herë hidheshin në dy e herë në katër këmbë
Qençe i lehnin hënës se ishte e plotë
Çeta e qenve në terr që dukej si një flotë

Kështu bënin prore kur mbushej hëna
Qentë e çartur të një katundi të ri
Pas u shkonte gjëma gjak e jargë ndër dhëmb
Të grithurat e tyre s'i shkelte njeri

Vinin nga çdo anë sa herë skuqej nata
Tokë e qiell i shponin me ulërima
Si në sahat të dekës lutej njerëzia
E lisat më të gjatë i çante vetëtima...

Qentë e çartur kur vinin tek lëndina…




KUR VJERSHA JOTE VDES

Mos i mbledh vargjet si gështenjat e krimbura
Sa për të thënë... e mbusha një thes
Se duhet pastaj të hapësh edhe të pamën
Në mbrëmje dikur...kur vjersha jote vdes



BILBILI...

U trishtua i gjori se iku kjo verë
Tash vajin edhe këngën e marrin ca tjerë

Sorrëshkina e korba e kukuvajka
Që ndjellin sall kob e këngës i bëjnë lajka

Na la gojëhapur në sqep e mori verën
Bebëzat e qiellit i shprishte sikur erën

Do të gjejë ai vend do ta gëzojë këngën
Si furtunë si shi neve na e la dhimbjen

Kokën e la pas...mbrapa i mbetën sytë
Kush i këndon kobit... i plasshin të dytë!



KUR IKËN MJEGULLAT...

Kur hapej qielli thoshin
Plotësohet një dëshirë...

Sa mirë, ah sa mirë !

Iku një kohë e iku krejt një shekull
Vite e decenie plot me mjegull

Kot shikonim qiellin yjet sikur zjarre
Kur ikën mjegullat na gjetën nëpër varre

Të vdekurit i varrosëm
E vetë po rrojmë për marre…




DRITARJA PA TY...
( Mikës së rinisë...)

E mbyllën atë dritare a mua më lanë sytë
Ç'u bëre moj...m'i plase të dytë...

Këta lot e kjo mjegull
Kjo terrinë në sy
Tabut po më dukët dritarja pa ty

Na paçin në qafë
Mori bukuri…




IM ATË...

Drithin e fshehte prej shkive
Si kajsitë prej thive

Larg shpije në tokë e fshehte
N'hambar të perëndive

Pas darke
Unakët e zjarrit i shprushte në votër
E fliste për trima
Për Shkup e për Shkodër...

Dimrin me këngë e priste
Si pëllumbat e egër mbi kodër




KUR VDES NJË POET...

Fusha e male rrudhën... bëhen sikur gogël
Shtatë tërmete lëkundin një det
Shtatë gjuhë dhimbja i flet
Kur vdes një poet...

Nënave thonë nis e u kruhet gjiri
E vashat qajnë si foshnjat në djep
Edhe varret shtyhen vetë e bëjnë një vend
Shtatë qiejve dhimbja u flet
Kur vdes një poet...

Tokë e qiell merren ngryk si fëmijë
Edhe rrjedhat thonë... seç merren në gji
Krejt globi atë ditë nis e vajton
Diçka si lot... si shi diçka rigon

Yjet krej seç turbullohen
Edhe mbi hithra ...atë natë rrufeja vret
Askush nuk e di kur zbardhet a terrohet
Shtatë pash nën dhe dhimbja seç flet
Bota krejt nxihet... kur vdes një poet...

Toka del prej orbitës së vet
Vargjet vajtojnë ndër vjersha
As dielli me hënën nuk flasin sa e sa net
Kur vdes një poet...




EPITAFI PËR MIKUN TIM POET...

Yni ishte ai
Nuk ishte i huaj
Si ky epitaf që s'desha ta shkruaj

Është lagur shumë nga pështyma juaj
Herë për një këngë
E herë për një vjershë
Strehëve nëpër vjeshtë
Poeti i madh me zemër sa një bjeshkë...

Nuk erdhi me ju dhe pshurrej mbi pushtet
Vdiq fukara
Po vdiq poet

Se ishte sa një det…




E BANI ME VAJ DHE QIELLIN...
( Për të madhen Fatmira Breçani )

Tek Liqeni i Zanave vashat ndalën vallen
E prapa Gurit të Shpuem Halili pyet legjendat

Kalave sot pse u lëkundën bedenat

Kroje e currila pse shtyhen mes veti
Ku të mbytën diku në Valbonë a n' gjeti

As dallgët me turr pse s'po i gjuan deti

Edhe zogjtë e malit tek erdhën prej Deçani
Kur e nisi këngën Fatmira Breçani...

Dita e nata thonë nuk donin me u nda
Pëllumbat u kurthuan atje për hava
Valbona shtynte valët
E valët s'rrinin brenda
Valët e Valbonën i ka shitu’ kënga...

Zhdirgjet historia malit edhe fushës
Me atë zë bash si krismë e pushkës

As syzeza më nuk kjante mbi dërrasë veku
Pas shtatë bjeshke thonë qenka shkri orteku

U hutuan lisat u rrëqeth krejt mali
E bani me vaj qiellin...Fatmira Breçani !




THONË SE VDIQ NË KËMBË...
( Për Xhemajl Fetahaj )

Rrugën thonë ia lëshonte
Shkëmbi edhe ahu
Ku e hidhte hapin... Xhemajl Fetahu

E krejt Kosharja i rrinte te krahu...
Nuk ka gurë këtu as piramida

Në Shqipëri po vdes se këtu u linda
Këngën tash ia endin... zogjtë e mirë në rremb
Nëpër atë ahishtë... ku thonë se vdiq në këmbë




GJATË NATËZEZËS...
(Për Saim Tahiraj)

Dimrat i çante e ua lidhte gojën
Trup e trup mes borës
Truponte dhe Tropojën

Guri i Shpuem thonë e mbyllte syrin
Gjatë natëzezës kur kalonin kufirin

Nuk duhet shkruar shumë
Për këtë trim Belegu
Se shumë i ka thënë edhe Sali Çeku

I thonë edhe rrugët e lara me gjak
Tropojë Beleg e deri në Karadak…




MALLI MË TMERRON...

Shpirti im si ujku bredh e nuk gjen vend
Unë si shelg i vjetër lotoj për syrin tënd...

Malli më tmerron
E dhimbja po më çmend

Qysh ike si një zog
E më lë pa këngë…




SKICË PËR BIOGRAFI...

Një herë në jetë... thashë se u bëra zog
Po në çerdhen time... më s'u ktheva dot

Kalova dhe ylberin po më doli ndryshe
Rrugëve të botës tash... endem sikur qyqe

Me këndua di... po zë për këngë nuk kam
Tash ky vaji im trishton krejt dynjanë

Ah ky vaji im... disi pak më ndryshe
Çerdhen ma prishën hardhucat me do qyqe…




PENGU...

Retë u shkopsitën si këmisha
Krejt çuditërisht
Mërdhezur si gji vashe edhe dielli doli
Krejt rastësisht

M'u kujtove moj...sa shumë të pata ndjekur
Si këtë diell vjeshte tash...
... e kurrë s'të pata prekur

Prapa diellit diku
Jam djegur...jam djegur




MIKËS SË RINISË...

Edhe në më vrafshin bash si Sali Sylën
A si Zekë Hajdinin...
... pushkët më bëfshin shoshë

Kam me ta zënë rrugën diku kësaj vere
E me ta puthë atë faqe
E tymi i daltë si në Loxhë…




E LUMJA DASHURI...

Sikur të burgosurit që ndajnë qelinë
Ashtu disa e ndajnë dashurinë

Në radhë princat prisnin Penelopen
E për Helenën zotat kanë lënë edhe kokën

Sa e sa helmin për ty e kanë pi
E sa të kanë mbajtur me gjarpër në gji

Janë rrënuar qytete ushtri e mbretëri

E lum e lum për ty e lumja dashuri
Fjalën e fundit... kush s'e tha për ty...

E ëmbla... e mira... e dashura
... e jona tragjedi




...DHE NDOSHTA S'NA KA HIJE

Shtatë palë qiej i shprisha
E të rashë në fije

Ty ylli i jetës sime
Me nur Perëndie

Të gjeta e të putha e të lash ndër yje
Se jemi plakur thash
E ndoshta s'na ka hije...

Edhe hëna disi
Shpinën na e kish kthye




PAK FËMIJËRI...

Vashat i varnin dy qershi në vesh
Ca tufë kallamboqi çunat si mustaqe
Herë nxihej herë zdritej herë terrohej fare
Kur takoheshin duart kur puqeshin dy faqe

Nuk kishim shumë se ishim dorëhollë
Dimrit në një arkë t'i ruaja dy mollë
Ah ato dy mollë qysh me t'i dhënë ty
Me ma dhënë krejt botën s'të shikoja në sy

Kur e vrava frikën tjerët të vranë ty
( Të mbyllën në shtëpi )
Sikur dimri vjeshtën të mbanin për votër
Mbeti fëmijëria si një mace nën sofër




MIRË QË JANË GËZHOJA...

Në një lis dikur i shkrova dy germa
Emrin tim e të saj ... siç m'i donte zemra

Janë vrarë njerëz andej lisat kanë marrë flakë
Unë ajo e shkronjat
Sa shumë jemi plakë...

Kur shkoj tek ajo pishë
Kur i shoh dy shkronja...
Sa plumbi aty t’më marrë
Mirë që janë veç gëzhoja…




LE TË MË VRASË ERA...

Nuk e kthej gëzofin
Andej kah fryn era
Kur hyn e del ti
Mbes me kokë kah dera

Le të më vrasë era dimri apo diejt
Vdeksha aty ... ku ti më puth meit




... DHE IKIN VITET

Dhe ikin vitet si fëmijë të pshurrur
Buzëqeshjen disi...ia lënë vitit tjetër
Ne çirremi si fëmijë mbi vitin e vjetër

Rinohen kështu vitet e nuk plaken kurrë
S'ka gjë se u vjen nga pak era shurrë
Burrërohemi e plakemi
E veç fjalë këpusim me dhëmbë

S'ka gjë se jetuam...me tlina nëpër këmbë




GJARPËR ME PIKA...

Ai kishte sy të kuq si gaca në kashtë
Verën flakë e kalli sa herë doli jashtë
Lëkurën e ndërronte shtatë herë në ditë
Birucave lëkura i mbeti
Në shtatëdhjetë pritë

Disa e donin si Orën e Shtëpisë
Për disa gjëma moti kishte nisë

Ai ikte prej pulave ne iknim prej tij
Prej gjarprit tonë me pika

Që dukej kuq e zi

Donnerstag, 10. September 2020

Buqetë me poezi nga Ajne Ibërhysaj

Ajne Ibërhysaj



ATO PAK GRIMCA LETRE

Jeta i ngjanë një cope letre
Vjen një çast e zemrën e çjerrë
I rrënon të gjitha ëndrrat
Nëse mundesh flake edhe veten
Në ato grimca dashurie
Që ty të duken me pak vlerë
Ato ngjajnë me zemrën e tretur
Të mbuluar me puthje të heshtura

Ato pak grimca letre
E ndryshojnë edhe natën e varrit
E ty të gjitha të duken pa vlerë
Të mbushura me plot hidhësi
Mos harro
Se brenda tyre je vetëm Ti
Ndryshojmë ne e ndryshojnë stinët
Ka diell po ka edhe shi e stuhi
Jeta s’do kishte kuptim
Pa do pika hidhësi...



NJË DITË TË GJITHA TRETËN
 
Para vetes ke një udhëkryq 
Të mbërthyer në brenga
Me rrugë të pafundme
Përplasesh me shumë dilema
Ke një qiell me plot yje
Një diell me përqafime

Mos u gozhdo me ndjenja 
Se mes ëndrrash fati kryqëzon 
Miklon e shpesh ngushton fytin 
Shtrëngon duart
 
Nuk je vetëm
Sonte 
Shoqëron gota e verës 
Me naze i flet 
E përkëdhel 
E xhelozon 
Shpesh nuk i buzëqeshe 
E din se shpirti dhemb

Ti njeri 
Bekimet të shoqërojnë 
Nuk je i vetëm në këtë botë
Se një ditë të gjitha tretën
Çdo njeri ka bekime e lot
 
Ngrihu 
Mos e shtrëngo atë qafëhollë
Se një ditë
Hallet t’i gllabëron gjiri i tokës
Përqafo dhimbje e buzëqeshi jetës
Shijoje dhembjen e verës
Se një ditë të gjitha tretën 
Harrohen 
Bile edhe Ti 
Së bashku me dhembjen  tënde



FJALA VRET EDHE DRITËN E SYRIT 

Mos i lëndo fjalët
Se zjarri i fjalëve të djegë
Trupin ta dërmon
Mendjen ta ligëson
Shpirtin ta dërmon
 
Kujdes kur flet 
Se fjala edhe mund të shitojë
Me te mund të vrasësh gjithçka
Pafajësia e fjalës
Nuk është as në qiell as në tokë
 
Fjala mbetet e gjithmonë jeton 
Hidhësia të mbetet në gojë
Them se luftërat më të egra 
Me fjalë janë bërë
 
Fjala vret dritën e syrit 
Godet si plumb
Vranë miqësi e dashuri
Fjala ndëshkon
Edhe damarët e gjakut
 
Por fjala gjithmonë shndrit  si ar
Fjala dhuron  lumturi 
Fjala rëndë peshon 
Besa e fjalës është lapidar



NË ZEMRËN E QYTETIT TË GURTË 

Qyteti m’i ngjanë një i udhëtari të huaj 
Duket i ftohtë, akull 
Tani e sa kohë 
Vetëm dielli i zbehtë rrugët ndriçon 
Gjithçka e zymtë 
Edhe gurë dhe drunj 
Secili njeri rëndë merr frymë 
I ngarkuar me sindromën e shtegtimit 

Bredhi në këtë qytet të ftohtë 
Kafshimin e fjalëve e dhembje plagësh 
E ndiej në çdo gjëmë të shpirtit të tij 
Kësaj maratone jete fundi nuk i duket 
Me plasje duarsh e xhepa bosh 
Hidhësia e kafesë helmon ditën 
Fytyra të trishtuara nënash 
Me fëmijë në parzma 
I presin rrugët e pafundme

Rëndë eci rrugëve të këtij qyteti të ftohtë 
Hy në zemrën e qytetit të gurtë 
Aty brenda pushon dimër i madh 
Një geto e dhimbjes së njeriut 
E brenda vetes 
Digjet shpresa e një dite tjetër 

Endem rrugëve ku mëshira ka ikur 
Dielli lind e trupin nuk e ngroh 
Qytet i ftohtë si zemra e gurit 
Dëgjon fjalosje për hiçgjë 
Zhurmë fjalësh e debatet boshe 
Vitet e fjetura ikin e vegimet shtegtojnë
E në ëndërr perëndimin e diellit shohim




YJET NA SHOHIN NDRYSHE

Ecim mes ëndrrave dhe dëshirave
Shpesh përflakim veten  me to
T’i mbledhim rrezet ta bëjmë një diell
Presim t’i shohim yjet
Yjet na shohin ndryshe
E ditët zhveshin e vjelin besimin
Ngjajmë si pyjet pa gjethe
Jeta si stuhi deti
Lundrojmë mes tallazeve 
Ëndrrat qeshin 
Shtrëngojmë duart e lutem drejt qiellit
Se rrugëtimi është sa një frymëmarrje 
 
I shenjtë çasti i bekuar 
Bashkë me fatin diku nxitojmë
Pikë dashurisë
Pikë shpresës
Pikë vdekjes 
Jetë vdekje rilindje 
Trinom i përcjellë
Me trishtim dhembje e gëzime
 
Me Even shenjtërohem
Çuditërisht biem e mbetemi të mjerë
Gotën e jetës bashkë e shijuam 
Nuk e di bota çfarë ka brenda 
Ngjanë si pikë vese 
Nuk i dihet 
Një çast prek diellin 
E në anën tjetër
Përqafon qiellin..



SOT DUA TË PI KAFE ME TY 

Thjeshtë dua të pi kafe 
Me diellin e syve ty 
Me fytyrën flakëruese 
Me buzëqeshjen tënde 
Me shpirtin e shenjtëruar 
Me madhështinë e shijes së kafesë 
Sot dua të jem me ty
 
Ti je shija e kafesë 
Më dhuro pak grimca 
Të mirësisë e shpirtin tuaj 
Më rrezato trishtimin 
Japi ngjyrë kafe hidhërimit 
E ngrohe shpirtin 
E bëje të lumturuar 

Sot dua të pi kafe me ty 
Thjeshtë të pi 
Me ndenja për miqtë 
Edhe për miqtë shtegtarë 
Që ditët na i vodhën 
E vetëm net na dhuruan 
Sot, sot të pi kafe

Për ëndrra, për ato ëndrrat 
Ndoshta unë nuk kam ditur 
Të ëndërroj sa duhet... 


Do pi kafe edhe për ty 
Por mësohu me buzëqeshjen time 
Leri trazimet të ecin tutje 
Se vitet ikin por në kalendar mbesin 
Si gjurmët e gishtave 
Si dëshirat në filxhanin e kafesë 

Të lutem 
Eja të pimë kafe 
Harroi kujtimet e premtimet 
Asgjë nuk mbetet e përjetshme 
E shija e kafesë 
Ndoshta na ëmbëlson jetën 

Sot 
Thjeshtë dua të pi kafe me ty 
Se ti e shija e kafesë që vini si aromë 
E ditëlindjes...




MË PRANO ASHTU SIÇ JAM

Puthja ime i dashur
Ka ngjyrën e shpirtit 
Ka peshën e dhimbjes 
Ka mallkimin e fjalës 
Ka frymën e trupit tënd
Ka bekimin e perëndive

Më puth i dashur 
E dehu me mua
Nata mos të ikën
E dielli le të harrojë të lind
Mëngjesi të na gjejë të shtrënguar 
Ashtu si vathë qershize 
Ndjenja ka përcëlluar 
Në ballë lexohet 
Sytë e ty flasin 
Je dashuruar

Me valsin e puthjeve 
Të kalërojmë nëpër kështjellën 
Të cilën perandorët nuk e pushtuan
Me prano ashtu siç jam
Nuk kam faj
Pse balerinë puthjesh kam qëlluar
Ka kohë që të kam dorëzuar
Me puthje do ta vras shpirtin tuaj
Se të dua...




GUNË DASHURIE NË VALBONË

Në Valbonë aty ku rri ora Shqipnisë
Mes kurorash e shtigje t’mprehta
Dimrat e gjatë i shkrinë guna e dashurisë
Me të shenjtërohet edhe mëkati i Shën Mërisë
 
Në ato maja malesh ku bardhësia pushton 
Gjatë gjithë stinëve
Shkëmbinjtë i puthin akujt me dhimbje
E rrezet përmallshëm shpërndahen
Me borën përqafohen gjethet
Deri sa të shndrit syri i pranverës

 
Në Valbonë dielli thyhet mes dertesh
Bora i pushton shtigjet e ndanë dritë
Fshehtas do gjej një shteg bese
Me imazhin tuaj t’i nisë mëngjeset
 
Shtojzovallet lozin me vetminë
Të rrëmbejnë e kallin trupin si stuhia
Ta grijnë syrin e shtohet mëria
E në pikë të verës të mërdhijnë ngricat
 
Eci mes shtigjeve të Valbonës
E mbështjellë si ujëvare valësh
Dikur moti gjyshi 
Në këto anë kishte kaluar dimra 
Duke i fal shpirtit flakë e valë
 
Eci brigjeve të Valbonës
Edhe dhembjet rrokullisën si ortekë bore



KOMBI IM...

Kombi im 
Të kam si shtjellë ajri 
Ma mbështjellë e drithëron trupin
Trete errësirën e shndrite qiellin
Kombi im
Të kam diell
M’i ngrohë dejtë e gjakut 
Nga hiri njomesh e mban bajrakun 

Kombi im 
Të kam rreze drite
Gjallëron shpirtin 
I vret çakejtë me syrin e shqiponjës 

Kombi im 
Të kam dritë syri e flakë zemre 
Fjala shqipe rrjedhë si vala 
Godet shekujt me gjak pellazgu

Kombi im 
Të kam fron në tokë e qiell
Syrin det e shpirtin mal
Gurë e dru bëhen hi e Ti Rilinde 
Nëpër shekuj frymove Ilirinë

Kombi im 
Të kam nënë e babë 
Emrin ma bekove
Me diellin u shenjtëruam 
Me emrin Shqiponjë...




MBI LOTIN E FUNDIT

Këto rrugë sikur të kishin gojë 
Të rrëfenin për fjalët e njerëzve 
Çfarë flitet e pëshpëritet pas shpine 
Sikur të godisnin 
Fytyrën e mjegullt me të vërtetën
Sikur të godisnin e zgjonin ndërgjegjen
T’i trazonin e t’i shkundnin mendimet
T’i braktisnin e t’i degdisnin hidhërimet 
Sepse ndjenjat 
Dua të mbeten me ftohtësinë e yjeve 
Vetëm dëshira e fundit fjalë 
Të dehet me frymën time e tënden
Me pafundësinë e pendimit

Sikur era e bartë lotin e retë rëndohen
Ngushëllon heshtjen e shpirtin gërryen 
Sa të lehtësuar do ishim në zemër
Kjo rrugë e fundit e shtruar me lot
Bëhem mall i mallit të përqafimit tënd

Mbi lotin e fundit
Sikur shpejtësia godet zemrën e vdekjes 
Mëshirën e mërisë e përkul pikëllimi
Pesha puthjeve bie mbi trupin e ftohtë 
No pasaran 
Buzët mbesin vula e fundit

Si fantazmë inati me veten 
Vetëm heshtja e zjarri i mërzisë 
Më qëndrojnë aq pranë në këtë çast 
Sa pak paskam dashur në këtë botë

Kjo ditë po ikën me dashurinë tonë
Të mirët ikin lehtë 
Si me krahët e fluturës 
Aq shpejt ikën e ikën bashkë me erën
Dhe, një ofshamë e një afsh pikëllimi
Ma mbështjellin frymëmarrjen e pendimit

Frymëmarrjet dhe rrahjet e zemrës 
I numërojmë me shpejtësinë e ikjes 
Sikur tretëm nga vetja në këtë jetë 
I ëmbli qortim e i mjeri mallkim
Godet lehtë mirësinë e shpirtit
Kjo makinë bartë pengun tim e tëndin
Malli digjet me shkrumbin e ikjes
E shpirti e matë kohën 
Me frymën tonë e pikëllimin 
Sot pendimi e vendos pikën
Loti bie mbi lotin e fundit 
Ofshamë...



ETJA E FJALËS

Etja shuhet me lotin e fjalës 
Dehet me shijen e pritjes 
Ndizet me çmendurin e ikjes 
Shtohet me dhembjen e viteve


KULLA 

Dikur me burra të fjalës 
Me kuvende të shënuara në histori 
Sofra e begatonte syrin 
Oda shpërndante dituri



VENDI IM 

Përflakur me zjarrin 
E prillit të thyer e kryeneç 
Kryqëzohen idhujt 
E ngritëm bashkë me ty (z)emër 
Ante i emrit tim 
E Promethe i rrufeshëm 
Vendi im tokë e diellit 
E djep i humanizmit 
Ndarja e vëllait me vëlla 
Vret idhshëm shpirtin 
Vendi im 
Dy lot me ranë mbi drithërimat e hartës 
Një për pranverën 
E tjetri për dimrin zemërak të kufijve 
E shtatë lot malli 
Plagët e nënave m’i mbështollën 
Bleron në qiellin e shpirtit (I)liria 
Ndëshkon gjaku 
Gjethja e njomë sythin  e pranverës 
Ëmbël këndon gjinkalla në fusha e male 
Dimri triumfon brenda teje e lindi dielli 
Sytë e tu e blerojnë edhe shiun e pranverës 
E mbron çdo pëllëmbë 
Me syrin e dëshmorit 
Atdhe 
Ti je harta e zemrës 
Ti je tmerri i djajve 
Sikur shekujt e koha 
T’i bartin dhimbjet 
Vendi im tokë e diellit 
E djep i humanizmit



GRUA 

Në një milion yje 
Ti shkëlqen e fal mirësinë e dritës 
Je mëngjesi i rrëzës së syrit 
Je aroma e përqafimit të shpirtit

Dhuron jetë e jetë kërkon 
Krijon degë lumit, etja të mundon 
Zjarr e ke udhën e flakën e lufton 

Me lot vese plagët i shëron 
E ftohtë si guri e diell dhuron 
Të bluajnë duart ditë e natë 
Tempulli i lutjeve ti qëndron 

Frymon fjala jote e shkëmb bëhet 
Qiellin e grysur e bën me ylber 
Rrugët me dafina i mbulon

Grua 
Je rrugëtimi i mëkatit të Krishtit 
Emër i shkruar në harkun triumfit 
Me ty fillon shenjtëria e jetës 
Para teje përkulën edhe engjëjt 

Grua 
Je hyjnia që Zoti ia dhuroi tokës!




TË DUA NË HESHTJE 

Kur ti më harron 
Unë të dua në heshtje 
Më vjen hija jote 
Qeshë e zgjon mëkatin e fjetur 

Nëse të harroj unë 
Ti ma zgjon mallin 
Me zhurmën e shpirtit 
Mes kujtimeve çmallem 

Ti ma drithëron flakën e shikimit 
Ma zgjon mallin e fjetur 
Me ty e mund edhe veten 
Andaj të mbajë tatuazhe në zemër 

Në mes shkronjash të kërkoj 
Mes fjalësh e metropolesh 
Diku u tretëm e mbetëm 
E humbim mes njerëzish

Dienstag, 8. September 2020

Duke lexuar poezinë "Kryqi i ëndrrës" të poetit Haxhi Muhaxheri

Shkruan: Mehmet Rrema


KRYQI I ËNDRRËS

Sa herë që ëndrrat më çojnë
tej kufirit të kujtesës
befas më shfaqet
(si në mjegull)
një kryq i drunjtë
me emrat e të parëve 
gdhendur në të

E pastaj
pastaj krejt papritur
vjen e më rrok një mall
dhe një dëshirë e përgjumtë
(që ndonjëherë)
zotit ti lutem ndryshe

                       ( Haxhi Muhaxheri )

Flet  "pak", por thotë shumë poeti i mirënjohur Haxhi Muhaxheri. Duket sikur është ulur aty buzë vatrës, në një minder, shtruar për bukuri me lëkurë dashi, rritur në bjeshkët e alpeve të bukura shqiptare. Aty ulur, si dikur burrat e motshëm, qëndron, i mat dhe peshon fjalët, dhe pasi u ka përgatitur mirë vendin i vendos në themel të bisedës ku të mos i luajnë shekujt. Ai i thotë fjalët jo që t'i marrë një erë e lehtë, por që t'u qëndrojnë furtunave të kohës, e jo të plaken e dobësohen, por të vijnë duke u rritur e forcuar, që as tërmetet as ortiqet të mos i lëvizin. Të tilla janë poezitë e Haxhi Muhaxherit

...Sa herë që ëndrrat më çojnë
tej kufinjëve të kujtesës…

Mendimi i poetit shkon larg në histori. Në historinë e lashtë, atje ku i ka rrënjët lisi, atje ku lisi merrte ushqimin e pastër e rritej, atje ku degët e ti gjelbëronin, atje ku lavdia dhe kreanaria ishin pjesë e trupit të tij. Mendimi poetit shkon atje ku ilirët ishin një,popull, në trojet e veta, jetonin dhe mbronin me besë e trimëri zakonet, e bukura të trashëguar. Në atë kohë kur ishin të pavarur, kishin besën dhe besimin e tyre, kur nderonin e respektonin të parët e tyre e vetë Zotin...

...befas më shfaqet
(si në mjegull)
një kryq i drunjtë
me emrat e të parëve
gdhendur në të...

Pra këtu poeti tregon se ne kishim tokën tonë, ku lindnim rriteshim e vdisnim, se ne në këto troje kishim krijuar këngët e ninullat, dasmat, lindjet,dhimbjet vdekjet, të gjitha si pjesë e parabolës së jetës, të gjitha si pjesë e jetës së këtij populli më trojet e tij.


Poeti shikon kryqin me emërat e të pareve…

Shikon shumë larg dhe qartë poeti jo nëpër mjegull. E çon mendimin, tek ajo periudhë e lavdishme e popullit tonë. Tek ata njerëz të mirë, të besës e burrërisë,tek ata trima që luftuan e mbrojtën kufinjt e vendit. Shikin ata emra se atje duket se shpresa e tij gjen qetësi. Atyre duket se u drejtohet dhe u thotë: Për hirë të Zotit Diell, ejani edhe një herë. Kthehuni edhe një herë në Kostandinë,se një erë e keqe po fryn rreth mureve tona e po kërkon të na i shembi. Ejani se ne e kemi humbur rrugën e nuk po dijmë nga të shkojmë. Ejani se një mjegull e trashë na ka mbuluar. Ejani se edhe kryqet po na i përdhosin, e besimin duan të na e sëmurin, se kundër këtyre myreve po vijn, po vijnë ata që me urën e ndezur, duan të djegin tokë qiell e bashkë ne to, dhe shpresat tona. Ne, thotë,poeti, kishim tokën tonë me gjithë bukuritë e sajë, kishim dhe besimin tonë, po për dreq një ditë, hiç e bukur nuk qe, na detyruan ta harrojmë besimin tonë e të kthehemi të mendojmë e besojmë në kryqin e tyre prej lluce, apo në gjysëm hënën, kur ne kishim diellin dhe hënën tonë të plotë, plot dritë, shkëlqim e ngrohtësi.

E pastaj
krejt pa pritur
vjen e më rrok një mall
dhe një dëshirë e përgjumtë…


Vjen e më rrok një mall…

Po sigurisht një mall e rrok poetin, rrok dhe çdo njeri të kësajë toke të shenjtë, për atë besë, e besim, për ato zakone të mira, për ata burra të urtë, që fjalën atdhe e kushin të shenjtë e mbi gjithçka, që fjalën fe e kishin në funksion të atdhedashurisë, se siç thoshte poeti ynë i "Feja e shqiptarit është shqiptaria", për ata burra, emrat e të cilëve qenë gdhendur përjetësisht në kryqin e drunjët


Më vjen, thotë poeti, një dëshirë e përgjumtë…

Mbi këtë tokë kanë fryrë shumë erëra e furtuna, kanë rënë tërmete dhe ortiqe, kanë hyrë e kanë dalë këmbë e dhëmbë të të gjitha ngjyrave e shpesh herë na kanë kafshuar egërsisht e topitur mendimet, na janë imponuar edhe ndryshe të mendojmë e besojmë, por një gjë nuk kanë mundur të na heqin. Nuk janë mundur të na heqin dashurunë,për këtë tokë e për emrin e të parëve, të gdhendur fort në drurin e kësajë toke.


Nganjëherë, Zotit i lutet ndryshe...

Po i lutet ndryshe poeti. Ne e kemi nderuar Zotin, e kemi nderuar se kemi besuar e besa e besimi për ne kanë qenë të shenjta, por...Eh, çfarë dhimbhesh nuk ka provuar ky popull e kjo tokë, dhe … Zotin e kemi pa duke bërë sehirë atje në sarajet e tij, E kemi pa të premtojë drejtësi të hyjnore,drejtësi qiellore, por tek ne, mbi popullin dhe tokën tonë ka rënë shumë padrejtësi njerëzote. E kjo na ka lëkundur, na ka bërë të drejtojmë pyetjen. Ku ishe ti o Zot? Ia bëjmë këtë pyetje Zotit në qiell, por edhe "Zotit" në tokë. Ku jeni ju zotërinjë, ju që iu besojmë? Dhe humbasim besimin apo besojmë ndryshe…

Edhe kjo poezi e poetit tonë Haxhi Muhaxheri, ashtu si gjithë gjerdani i tij poetik, me pak vagje, flet shumë e saktë nëpërmjet metaforave e fjalëve të zgjedhura me kujdesin e një skulptori të talentuar, me kujdesin e një piktori duarartë, ai zgjedh ngjyrat e bashko bukur me njëra tjetrën duke na dhënë tablo që jo vetëm u rezistojnë shekujve, por në shekuj, ashtu si vera, sa më shumë vjetrohet aq më e mirë bëhet. Poezitë e Haxhi Muhaxherit, janë një material i pasur për studiuesit dhe kritikët e poezisë. Ato i bëjnë nder gjithë poezisë shqipe, ndërsa ne lexuesve të apasionuar të poezisë na grishin e ngazëllejnë me bukurinë e tyre.