Bajram Sefaj |
Prozë urbane
sy(të)...!
(Elegji, ilustruar madje edhe me fotografi, si deshmi, për syrin tim
të majtë, në shterje e sipër. Doktori i ri, ai me emrin François Ameloot, kur qëllon specialist, humanist dhe bujar fisnik, që hije i ka manteli i bardhë, tani e një
kohë të gjatë, bën përpjekje ekzemplare për kthimin e dritës në syrin tim. Me
gjasë dritat kanë ikur. Në të pakthim, njëherë e përgjithmonë. Ah, syri im i
majtë, ah...!).
----------------------
Paska qenë e shkruar, në rrasë guri, në murin
e shpellës së vendlindjes, në parahistori, paska qenë e parashikuar dhe e
përcaktuar, e dhënë dhe e thënë, urdhër
(nga qielli e dielli) që, këtë shteg tregimi,
e krejt çka të shohin sytë rreth tij, fillim e mbarim, nis e sos, të
nisë dhe të soset, me llogari, më aritmetikë e statistikë, me shifra e me
numra...!
E, pse e qysh, më mirë, hiç të mos
preokupohesh fare!
*
Ndjekim statistkën!
Gati!
Fillojmë...
Ngjituni në faqen me numër marramendës 1.805 të Fjalorit i Gjuhës së Sotme
Shqipe. (Viti 1980!).
Zbritni gati në fund të glosarit të parë.
Ndaluni tek fjala Sy, -RI m. sh. – TË.
Lexojmë bashkërisht vetëm paragrafin e parë: Organ i të parit të njeriu dhe kafshët, që
ndodhet në pjesën e përparme të kokës ose anas saj. Sy i djathtë (i majtë). Me sy të mëdhnjë (të vegjël). Me
sy të zinj (gështenjë, të kaltër). Me sy të dalën (të kërcyer), të futur. Me sy të skuqur (të përlotur,
të përgjumur). Me sy hapur (mbyllur). Sy xhami (i vënë, artificial) copë xhami,
e përpunuar në mënyrë të veçantë dhe me ngjyra të përshtatshme, që vihet në
gropën e syrit të hequr. Bebja (ninëza, nusja, drita) e syrit. E bardha (të bardhët) e syrit. E
zeza (të zitë) e syrit. Kokërdhoku i syrit. Kapakët e syve. Zgavra (gropa) e
syrit. Nervi i syrit. Cepi (bishti) i syrit. Cipë (perde) në sy. Sklepat e
syve. Sëmundje sysh. Mjek i syve. Hap (mbyll)
sytë. Kapsalliti (picërroi, përpëliti)
sytë. Zgurdulloi (çakërriti) sytë. Ngriti (uli) sytë. Rrotulloi (perëndoi) sytë.
Fërkoi sytë. I lidhi (i zuri) sytë.
I shkëlqejnë (i ndritin) sytë. Iu ndezën sytë. I lotojnë (i qajnë, i
djegin) sytë. I vishen (i lëbyrën) sytë. Iu qepën (iu mbyllën) sytë nga gjumi.
Ia vret drita (dielli) sytë.
*
Po qesë jeni lodhur (aq sa unë, duke e përshkruar,
e ju duke e lexuar vetëm këtë pjesëz, (të njëqindën pjesë), të shpjegimeve të kësaj fjale, kur marrin
afro katër faqe e mbi gjashtë shtylla të Fjalorit monumental të gjuhës se
Sotme Shqipe, me mbi dyzet e njëmijë fjalë, më mbi dymijë e
dyqind e shtatëdhjetë faqe, atëherë kurrgjë e kurrkujt.
Për ata që nuk i ka lëshuar takati e janë më kureshtarë, në vend të thasëve të mëdhenj (më cilët transportohet pambuku), propozoj të hedhim
pas krahut nga një kroshe e, nga po ky
Fjalor, të vjelim, shpejtë e shpejtë, një thesar tjetër të pasur
fjalëformimesh, apo dispozitash...që, gjithnjë kanë lidhje me sy(të), si bie fjala: sybajame,
sybardhë, syç, syçakërr, syçelë, syçkë,
sydrejtë, syenë, syfyr, sygacë, sygështenjë,
sygrifshët, sygjallë, sygjarpër, syhapët, syhaptësi, syhapur, syka, sykaçke, sykaltër, sykan,
sykath, sykeq ( që, sipas besëtytnive..., që të ha me sy!), sykë, sykuq,
sylarmë, syrrush, synim, syfjetur, sypatrembur, sypetrit, sypërmbys, syplasur,
syprinë, syqeshur, syrëz, syrgjyn (syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur),
syrgjynos, syshkëndijë, syshkruar, syshqiponjë,
syshtrembër, sytar (shenjëtar),
syulli, syvëngër, syvogël,
syze, syzi, syzoj...!
*
Pasha sytë e
mi, që i kam në ballë...
Kur e evidencova
këtë temë si të mundshme për tjerrjën e një rrëfimi, çfarëdoqoftë ai, pata
shënuar: Sy... i
mirë, sy i keq, syshtrembër,
sy gemet, syvëngër, sy grope (burim) lotësh, syri i keq mos e paftë (uratë), mori
mësysh, sy spiuni ka, të plasin (tu verbofshin)
sytë...(mallkim ky, shitues, aq i shpeshtë, në përdorim, gati-gati të
përditshëm ndër ne!
Hiç më shumë.
Kjo me dukej boll. Mendoja se këtu, ka
material të bollshëm e brumë të kualitetit të mirë për një gatesë, si ëmbëlsirë. Bindja mu
trash kur më piku ndërmend e mu kujtua
krahasimi, ose thjeshtë, kur me erdhe në mendje: sy spiuni ka..., jashtë dyzet
e njëmijë fjalëve të Fjalorit!
Thashë: u bë!
U krye (baç, maç...!).
Thashë...
Kur u gjuajta në pusin e Fjalorit, kur pashë
atë alamet shpjegimesh, e sqarimesh, psherëtiva: kuku për mua të shkretin,
kuku! Me çka paskam synuar të përgatis
gatesën që, thënë sinqerisht pandehja se në dorë kam një “prozë urbane” (një
bombë paqësore me sahat) që, me “eksplodimin
bërthamor” të saj do te bëj dritë mbi gjithë letërsinë (tonë) të re...
Po, çfarë,
hiqu asaj pune!
Lexojmë (bashkë) fjalorin e mrekullohemi!
Kësaj radhe, s’ka më...!