Freitag, 26. Oktober 2012

Grigor Jovani: GJYQTARI I ELEGANCES


GJYQTARI I ELEGANCES

- Një vështrim mbi njërin nga satirikët më të mëdhenj të botës -

Gaius Petronius (27-66 para Kr.) është mbase figura më rebele në letërsinë e latinëve të lashtë, një Sapho mashkullor i Romës antike. Provokoi gjer dhe hierarkinë më të lartë, me karakterin e tij të jashtëzakonshëm, stigmatizoi me veprën e tij madhore moralin të cilit i ishte përkushtuar gjithë jetën dhe u shua ashtu siç jetoi: mes skandalit. Veçse, përherë besnik i veçantësisë së tij të madhërishme, ruajti çastet e fundme të jetës së vetë pikërisht për këtë: të demaskonte skanadalin. Edhe atë, të perandorëve romakë, të ashtuquajturin moral “hyjnor dhe të paprekshëm”.
Takitos, historiani antik i latinëve, thotë se Petronius “... flinte gjithë ditën dhe punonte e dëfrente gjithë natën. Me jetën e tij mëkatare ishte bërë kaq i famshëm, sa të tjerët me jetën e tyre energjike dhe të dobishme”. Ironi? Doemos. Petronius i shikonte të gjithë të famshit bashkëkohës të asaj Rome nga lart, për të mos thënë se i shkruante në shollët e sandaleve. I veshur me pushtet, titullar perandorak i krahinës së pasur të Vitinës, por edhe i prikosur me vyrtyte fizike dhe me talent të jashtëzakonshëm prej oratori dhe letrari, u bë i njohur nga të gjithë si “arbiter elegantiae” - “gjyqtar i elegancës”, atribut i pashpallur, por që ia njihte botërisht në oborin e tij dhe Neroni. Mendja e Petronius për problemet estetike ishte ligj.
Nuk vonuan t’ia gjenin anën, pasi nuk ishte edhe kaq e vështirë kjo gjë, falë jetës skandaloze të vetë “të privilegjuarit” të Neronit. Në vitin 66, që njihet si i fundmi vit i jetës së Petronius, titullari i Gardës Perandorake, Tigelinus, që ishte bërë shpesh viktimë e shpotive helmuese të poetit dhe obortarit të famshëm, ia mori hakun patricit mëndjemadh dhe të pakujdesshëm. E akuzoi para Këshillit të Romës për komplot ndaj Perandorit, faktet u dukën të bollshme dhe të vërteta për ta çuar Petronius në vdekje, ndaj dhe iu ofrua një fund vullnetar, i përndershëm. Patric i lindur, Petronius nuk e bëri dysh: preu damarët. Veçse i ruajti vetes fundin që dëshironte ai, jo ai që i imponohej. Ndaloi përkohësisht hemoragjinë me mantelin e vet prej patrici, thirri në simpozium miqtë e vet të famshëm, ua shtroi me të pira dhe me të ngrëna, dëgjuan muzikë nga krijesa të brishta që u lajkatonin ndjenjat, si edhe u lexoi miqve vargjet e veta më të fundit. Ndërkohë, kërkoi letër dhe pendë dhe... shkroi katalogun e mëkateve të Neronit! Përmendi një për një, hollësisht, zakonet kafshore seksuale të Perandorit. Ato që do ta bënin Romën të skuqej nga turpi... Ia nisi me nderime Neronit dhe liroi hemoragjinë e damarëve nga robëria e mantelit...
La pas një vepër madhore letrare. 16 vëllime poetike, që i titulloi “Satyricon”. Domethënë, “Satira”. Mbeti një nga satirikët më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Në këndërshtim me emërtimin që mbante mbi shpinë, si “gjyqtar i elegancës”, nuk ishte aspak i tillë në ato që shkruante. Ishte mishërimi i shpotisë therëse, që të vdiste. Por shkroi edhe sonete të papërsëritshme lirike. Pak, por të jashtëzakonshme. Kulte ndjenjash fisnike. Vepra e tij satirike është realiste gjer në idiotësi, pasi heronjtë i ka tejet të ndyrë dhe bëmat e tyre nga më të poshtrat, nga më të turpshmet. Veçse, ajo çka i përkushtoi Petronius Neronit, ishte një karikaturë ideale e Romës së kohës. Kronikë më besnike nuk ishte krijuar gjer atëhere...
Qysh e krahasova në fillim Petronius-in? Me Saphon?! Oh jo, i bie në qafë poetes brilante të antikitetit helen! Ajo ishte e brishtë, kaq fine në vargje dhe në ndjenja. Dhe ishte punë e saj çfarë dashuronte...
GRIGOR JOVANI
Athinë, 24.10.2012

Shqipërim i lirë, prej meje, i një fragmenti nga Petronius:

“O breg, më i ëmbël për mua se jeta, o det! i lumturuar,
që munda kaq shpejt t’u kthehem dherave të mia të dashura!
E bukura ditë! sa vjet tani, që në këtë vend
trembja Naiadat, pash më pash duke e lundruar!
Ja liqenthi i burimit, ja gjiri me fiq deti:
limani më i sigurtë është këtu për kënaqësitë e fshehta.
Rrojta. Kurrë më, fati i keq,
nuk do na marrë pas ç’ka na u dhurua...”

Po sjell për krahasim edhe origjinalin:

“O litus, vita mihidulcius, o mare! felix
cui licetad terras ire subinde meas!
O formosa dies! hoc quondam rure solebam
Naiadas alterna sollicitare manu!
Hic fontis lacus est, illic sinusegerit algas:
haec statio est tacitis fida cupidinibus.
Pervixi. neque enimfortuna malignior unquam
eripiet nobis quod prior hora dedit...”

(Sipas botimit të Heseltine, tek “Loeb Classical Library”)


_________________
Marrë nga "Sofra poetike" ne FB

Donnerstag, 11. Oktober 2012

POEZI NGA ABDYL KADOLLI



Abdyl KADOLLI
 
POZIA
 
 Kush tha se vdiq poezia
Ah nuk vdes dashuria,
Mijëra lumenj burojnë
Mijëra valë dashurojnë.
 
 Kush tha se vdiq dashuria
Oh nuk vdes bukuria,
Mijëra yje vezullojnë
Mijëra zogj ligjërojnë.
 
 Kush tha se vdiq bukuria
Eh nuk vritet liria,
Mijëra lule çelin purpur
Mijëra buzëqeshje flamur .
 
 
 
DITË E BUKUR
 
 Ditë e bukur çeli
Qiellin ka hapur
Luleverën purpur.
 
 Vera u poq në qershi
Degët ka hapur
Nga mall i pritjes.
 
 Ti vjen me erën e jugut
Sytë e blertë të detit
Gastare e gushës.
 
 Zogjtë trokasin në dritare
Flatrat shkruajnë
Dashurinë e fshehur.
 
 Ditë e bukur çeli
Ti e bën më të dashur
Verën e prushit.
 
 
 
 
QERSHI E PRIZRENIT
 
 Vijmë për çdo mot te ti
Kur skuqen qershitë,
Ti na pret te dera
Paska çelur vera!
 
 Ti na pyet nga vijmë,
Me Drinin ilirik erdhëm
Shkumbinin e Vjosën
Vardarin Valbonën.
 
 Vijmë e këndojmë për ty
Himnin e lirisë,
Dhe habitemi shumë
Si i zure burrat e dheut!
 
 Ti na pyet a u vu çatia
Si u shkrua historia?
Ah mbetën tutje-tehu
Cepat e shamisë!
 
 Vijmë për çdo verë te ti
Kur lëkuqen qershitë,
Ti ndrit aurolë amshimi
Në tempullin e dashurisë.
 
 
 
 
QËLLOI ATDHEU KURRIZ
 
 Qëlloi Atdheu udhëkryq
Gjithë udhët e pritnin
Shtëpi si të bënte?
 
 E prenë nga të katër anët
Kufijtë e përgjakur
Mbeti një grusht eshtra.
 
 I thanë bëhu urë
Ke shumë lumenj
Sa shumë gurë!
 
 Mbeti atdheu kodër
Gjithë erërat e rrihnin
Si një gogël.
 
 I thanë bëhu han
Të të hamë, të pimë
Të flemë, të rrimë.
 
 Kurriz qëlloi Atdheu
E s’mund ta shalonin
Kurriz kish Atdheu.
 
 
 
 
URA E GJAKUT
 
 Është një urë në Kosovë
Ura e Gjakut i thonë
 
 Urë e gurit, fjalë e burrit 
Gurgjak rrënjë flamurit
 
 Ura rrjedh lumenj gjaku
Vërshon çurg në baladë
 
 Ura rend harqe-harqe
Ka marrë udhën për Janinë
 
 Është një urë në Kosovë
Ura e Gjakut i thonë.
 
 
 
 
FLUTURIM SHQIPONJE
 
Ju lëvizet si drita
Si era, si yjet
Fluturuat si shqipet.
 
 Kishit shumë dashuri
Më e madhja ish Arbëria
Më e bukura Liria.
 
 Fluturuat e ratë
Mbi shkëmbin e shqipes,
Te rrënjë e arbrit
 
Sikur të mos binit ju
Lulet nuk do të kishin ngjyrë
As liria frymë
 
Fluturuat si shqipet
Te shenjat e shenjta
Të gjyshërve plisbardhë
 
Dhe dhatë lajmin e parë
Djem kish Shqipëria
Syshqiponjë Arbëria.
 
 
 
 
ZJARRET E DRENISË
 
Ç’janë këto zjarre dritë
Takim me yjet
Natën kallin flakë
Pushtimin hi.
 
Zjarr i Ahmet Delisë
Fushës së Arbërisë
Kushtrim i Azemit
O prite-vrite heu!
 
Zjarr i Tahir Mehës
Çan rrethimin zi
Flakë e Adem Jasharit
Drita U Ç K !
 
Ç’ janë këto zjarre flakë
Takim me yjet,
Zjarret e Lirisë
Fushës së Arbërisë.
 
 
 
 
TAHIR SINANI
 
Një hap në Tropojë
Një në Kosovë
Tahir Gria
Ku i bie Arbëria?
 
Një hap në Pashtrik
Dy në Preshevë
Mic Sokol
Shigjetën hedh.
 
Një hap në Tiranë
Tre në Tetovë
Kufijtë e përgjakur
Mat me kokë.
 
Ku bie hapi, bie nami
Tahir Mal Sinani
Kushtron Shqipëria
Ka burra Arbëria!
 
 
 
 
KAPEDANI I GALLAPIT
 
Ditën e Madhe del nga balada
Hyn në legjendën e kombit
Sy shqiponjë, krahë petriti
Kapedan Zahir Pajaziti.
 
Vrap e vrap
Jep kushtrimin
Edmondi, Hakifi...
Çanë rrethimin...
 
Madhështor përballë Grandit
Me kallash në dorë
Koburën në brez
Lart emblemën UÇK.
 
Në Grand ngërdheshen horrat
Pinë uiski, luajnë me vota.
 
 
 
 
 
EMRIN E KANË ALBAN
 
I kthejnë një nga një
Në thasë najlonë
Veç shifra janë.
 
Një herë janë vrarë
Pastaj janë grirë
Djegur nga urrejtja.
 
Testi ADN zbulon
Grupin e gjakut
Dhe gjenin Alban.
 
Në gjak janë larë
Në shira lotësh
Mallkojnë, trishtojnë.
 
I kthejnë një nga një
Në thasë najlonë
Emrin e kanë Alban.
 
Kanë hequr shumë
Prehje kërkojnë
Një gur te koka.
 
 
 
 
NANA FATË
 
Ajo kishte fatin e emrit
Duke përjetuar shekullin
Me tri luftëra.
 
Kishte klithur në Luftën e Parë
Kishte parë Luftën e Dytë
Dhe kishte mbijetuar Luftën e Kosovës.
 
Ishte si të gjitha nënat,
Me të gjitha dhembjet e shekullit,
Më e dashura në botë.
 
Iku duke kënduar një ditë
Tha vetëm vend po ndërroj,
Nuse erdhi, nuse shkoi.
 
 
 
Abdyl KADOLLI lindi më 10 nëntor 1946 në Bukosh të Therandës, Kosovë.

Ka mbaruar studimet pasuniversitare të letërsisë më 1974 në Prishtinë.
Nga viti 1993-1998 ishte sekretar i Forumit të Intelektualëve Shqiptarë të Kosovës .
Deri tash ka botuar vëllimin poetik “Këmisha e zjarrit, ”Rilindja”, Prishtinë, 1998 dhe veprën publicistike “Ora kombëtare”, Ars, Prishtinë, 2001. Ka në dorëshkrim edhe disa vepra të reja letrare.
Është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe redaktor përgjegjës i revistës letrare “Metafora” të LSHK-së.
 
Huazuar nga ZEMRA SHQIPTARE

Mittwoch, 10. Oktober 2012

Poezi nga Skënder R. Hoxha


ZOGU E LETRA

Letra
Zogu
Zogu bart letrën
Në mes nesh
Shtatë bjeshkë!...

 
(6. VI. 2012, Pejë.)

 

 
KUR JAM LARG TEJE

(Variant)
 
I.
 
Hyre mrekullisht
Në ëndrrën time
U bëre frymëzimi im
U bëre Muza Ime…

Kur jam larg teje
Mërzia më rri pranë!
Dyshoj se ato ditë
Të paharruara –
Do të përsëriten më?…

Çdo kujtim për ty
Më sjell hidhërim të ri!

 Në fytyrën tënde
Më thuret e tërë ëndrra!
Në qukat e faqeve tua –
Stacioni i pritjeve të mia
Dhe fundi i këngës së nisur
Pafundësisht më vijnë,
Si aromë në ikje zgjimtare
E kujtimet e këndshme flenë
Në balluket e tua shigjetare…
 
II.
 
Që të jenë gjithmonë me mua
Shumë të tjera e kanë ide
Por mbi të gjitha Zemrushe
Më e para ti më je…

Shiheshim bashkë por rrallë
Gjithnjë ëdërroja një këngë të re.
Tash nuk di kur do t’jemi prapë?
Engjëllushe më thuaj ku je!

Ishin ditë e çaste t’bukura
Gjithnjë në atë shoqërim –
Shkëlqente dhe Flutra…

Tash ç’të them nuk e di?
Nuk gjej fjalë më të shtrenjtë për mua
Sesa vargu im kur thotë –
Në krahë të ëndrrës të dua…

 (Korrik 2012)

 

 

PAK U PAMË

Një kohë të gjatë
Nuk u pamë
Një decenie
Dy decenie
Tri decenie
E diçka më shumë
Nuk u pamë
Nuk harruam

Koha vuri shtrezin
Vuri ndryshkun, por
Kujtimet rrinë të gjalla
Sa për t’mos u harruar…

Një ditë gushti –
Tash, pak u pamë
Nuk ishim harruar
Pak u përmallëm
Pak u çmallëm
Sivjet –
Vumë pak fjalë
Mbi dashurinë
Tonë të mplakur,
Rastisëm bashkë
Atje ku u nisëm
Moti, shumë moti –
Unë, Ti e dashuria!
Ajo prapë buzëqeshi
Si atëherë…
Por tash –
Mbi thinjat tona…

 
(8 gusht 2012, Shqiponjë.)

 

 
 
NË FILLIMSTINË

 I. DIÇKA FRYN STUHISHËM

 
1.

Pas mjegullës
Dielli
Shiu
E pastaj
Ylberi
Unë –
Numëroj ngjyrat.

 
2.

Diçka fryn stuhishëm
Ajo diçka
Është koha e ligë
Është suferinë
Në heshtjen time
Në pritjen time
Të shkrirë
Në terrin
E të gjitha stinëve
Në ofshamën
E mjegullës
Në lotin –
Që s’u tha kurrë!

 


II. NË FILLIMSTINË

1.

Kujtimi
I moçmuar
Më shpalos dhembjen
Gjethet e këngës
Së re
Më ndizen
Në mendje
Në kraharor
I shtrëngoj
I afroj
Në parzmë.

 
2.

Lulet e Shëngjergjit
Në fillimstinë –
Stolisin
Ëndrrën time
Agsholeve
Në Mrizin e Zanave
Te Motër e Avdisë.

 
3.

Unë belbëzoj
Atë Këngën Tonë
Ti më vjen –
E veshur
Me rroba fieri
E veshur me vargjet
E poemës sime…
Akullin e liqenit
Shkrijmë
Në sqepa lejlekësh
Të harruar –
Që rrallë vijnë!...

                                
4.

Në natyrë
Gjelbërohem
si gjethet
si bar i njomë
Vallëzoj
Me këngën e bilbilit
Me lulet
Që i desha
Gjithmonë!...

 Kujtimi titanik
kthehet pas
Zogjtë
Ma sjellin
Prapë
Një letër
Të pashkruar…!

 (30 prill, 2 maj 2012, Pejë)