Doli nga shtypi vepra “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës”
Shkruan Sejdi BERISHA:
KRIJIMTARIA POETIKE E MALËSISË SË GJAKOVËS, DOKUMENT ME PESHË TË VEÇANTË PËR SHNDËRRIMIN E VLERAVE KRIJUESE NË NJË GJEOGRAFI TË MIRËFILLTË UNIKE LETRARE KOMBËTARE
(Lulzim Logu & Muharrem Kurti: “ANTOLOGJI E POETËVE TË MALËSISË SË GJAKOVËS”, botoi Klubi letrar “Gjon N. Kazazi” – Gjakovë dhe Klubi i Shkrimtarëve dhe i artistëve – Tropojë, 2013)
Doli nga shtypi një prej veprave më të veçanta, “Antologji e poetëve të Malësisë së Gjakovës” të autorëve, Lulzim Logu dhe Muharrem Kurti, e cila shënon nismën e forcimit të njëmendtë të bashkëpunimit dhe të përjetësimit të vlerave krijuese, por që ato edhe të shndërrohen në një gjeografi të mirëfilltë unike letrare kombëtare.
Toka dhe kombi shqiptar, historikisht, prej periudhe në periudhë, prej kohe në kohë, janë përplasur me njërën prej çështjeve më thelbësore të njeriut dhe të popullit, siç është liria, shtypja dhe copëtimi i atdheut dhe pengimi i zhvillimit të vlerave kulturore dhe shpirtërore. Dhe, kështu është penguar edhe zhvillimi i gjithëmbarshëm i kombit, por edhe afirmimi i të gjitha vlerave, pra edhe i atyre krijuese.
Përkundër kësaj, përherë janë bërë përpjekje që të arrihet tërë ajo ç’është e mundur në të gjitha fushat e kulturës, pra edhe në letërsi, në mënyrë që të forcohet trungu dhe vlerat tona intelektuale, të marrin përmasa të gjëra dhe të shtresohen në të gjitha poret e jetës, por, edhe të mishërohen ato me vlerat e kulturave të vendeve të tjera të Evropës dhe botës. E gjithë kjo, sikur ka ecur zorshëm, për çfarë edhe letërsia kombëtare ka pësuar, mbase ka edhe tash një larushi vlerash, por edhe një segment shkëputjeje të tyre, që edhe sot e kësaj dite sikur ecën ngadalë apo pengohet afirmimi i njëtrajtshëm, i barabartë dhe cilësor i krijimtarisë në të gjitha viset, krahinat dhe qytetet njësoj. Kjo, është edhe aq më e rëndë por edhe theksuese, kur kemi parasysh se letërsia jonë është krijuar, bërë e afirmuar në kushte dhe rrafshe të ndryshme shoqërore dhe politike. Pra, e cila është kushtëzuar nga rrjedhat politike dhe historike si në vend ashtu edhe në rajon dhe më gjerë. Mu për këtë arsye, edhe krijuesit, por edhe krijimtaria përgjithësisht, sikur ndonjëherë i ka ngjarë diagramit herë poshtë e herë lartë, e ndonjëherë edhe refuzimit cilësor, gjithnjë duke pasur parasysh se në Shqipëri, në shtetin amë, janë krijuar vlera tjera krijuese letrare, të cilat kanë reflektuar edhe rrjedhat e zhvillimit tjetër shoqëror, krahasuar me atë në Kosovë, në Maqedoni, në Mal të Zi por edhe në Luginën e Preshevës.
___________
Vetëm bashkërisht bëhet tërësia cilësore e thelbit krijues letrar
Prej periudhës të para Luftës së Dytë Botërore, pas luftës, dhe tash në rrethana të reja të rendit shoqërore e në baza demokratike, pothuaj se secila krahinë, secili rajon por edhe secili qytet, ka pasur dhe i ka synimet krijuese letrare, të cilat gradualisht, bashkërisht e kanë bërë edhe tërësinë cilësore të thelbit letrar krijues kombëtar.
Tërë këtë e theksova, vetëm e vetëm për të dëshmuar se letrarët, shkrimtarët, poetët, romancierët, kronistët, historianët, dramaturgët, shkencëtarët etj., jo vetëm se i kanë ruajtur vlerat shpirtërore dhe kulturore kombëtare, por ato gjithnjë e më shumë i kanë vënë në spikamë, për ta afirmuar, vulosur dhe shndërruar në dëshmi historie e krijimtarie çdo gjë, çdo vlerë e ngjarje, qoftë e hidhur, e gëzuar mbase edhe tragjike. Në këtë formë, i kanë dhënë frymë të re intelektuale, arsimore dhe kulturore gjeneratave të shumta, të cilat pastaj kanë gjeneruar shumë krijues, që edhe atëherë por edhe tash janë faktorë të rëndësishëm në zhvillimin e gjithëmbarshëm shoqëror dhe kulturor, të cilët, përmes veprave të tyre i kanë përjetësuar të gjitha rrjedhat dhe ngjarjet, por edhe rrugëtimin e kombit dhe të atdheut, i cili rrugëtim asnjëherë nuk ishte i lehtë, siç nuk është edhe sot e kësaj dite.
Dhe, për afro njëqind vjet, edhe kultura, siç është edhe letërsia, u zhvilluan disi të ndara, dhe si të tilla edhe të pakoordinuara dhe as të afirmuara reciprokisht, e kjo ndikoi negativisht në krijimin e thelbit të shëndosh krijues si një bërthamë të vetme. Prandaj, një gjendje e tillë shkaktoi jo vetëm debalans, por edhe ndoshta shtresoi një errësirë në njohjen dhe afirmimin reciprok të vlerave krijuese letrare, e që bashkërisht shkaktuan edhe boshllëk të madh tek këmbimi i përvojave dhe bashkëpunimi letrar por edhe përgjithësisht kulturor e mos të flasim për afrimin e krijimtarisë letrare jashtë vendit.
Mirëpo, me gjithë këtë, në Kosovë, respektivisht në Rrafshin e Dukagjinit, shumë qytete u shndërruan në vatra kulturore, pra, edhe të vlerave letrare, të cilat tentonin që me cilësinë krijuese të depërtojnë tek lexuesi jo vetëm në Kosovë, por edhe në viset e tjera, pra, edhe në Shqipëri, gjë kjo e cila aspak nuk ishte e lehtë. Në këtë drejtim, vetëm në gjashtëdhjetë vitet e fundit, Peja, Gjakova por edhe qytetet tjera në Dukagjin, nxorën qindra krijues, pra edhe shkrimtarë e poetë, të cilët tanimë janë emra të dëshmuar dhe se krijimtaria e tyre është shtyllë me rëndësi e letërsisë kombëtare, por akoma jo edhe aq e afirmuar reciprokisht, apo edhe e sistemuar ashtu siç meriton në nivelet krijuese kombëtare.
Duke pasur parasysh problemet e njëpasnjëshme në këtë drejtim, të cilat datojnë shumë më kaherë, por edhe kufirin fizik të vënë padrejtësisht, gjithnjë, por veçmas në vitet e fundit, është menduar që të gjenden forma e metoda të bashkëpunimit krijues letrar, i cili do t’i bashkonte dhe njësonte vlerat krijuese në nivel të kombit, dhe si të tilla, ato të përjetësohen e që do të begatojnë e afirmojnë letërsinë njësoj në secilin cep të tokave shqiptare, por edhe në vendet tjera. Një gjë e tillë, në të ardhmen do të jetë një vibrant i fuqishëm në rrjedhat krijuese.
Për këtë, nismën dhe hapin e guximshëm e morën krijuesit e Malësisë së Gjakovës, respektivisht të Tropojës dhe ata të Gjakovës, të cilët tani e sa vite, duke pasur parasysh se këto treva lidhen shpirtërisht dhe fizikisht në mes vete, si një trup, por plotësisht edhe si një tërësi kulturore, filluan natyrshëm dhe me plotë përgjegjësi të marrin një hap për bashkimin dhe për afirmimin e vlerave të përbashkëta letrare. Natyrisht, se një gjë e tillë entuziazmoi të gjithë shkrimtarët e këtyre trevave, gjithnjë duke pasur parasysh dhe për bazë rëndësinë se një ndërmarrje e tillë, do të shërbejë si shembull për afirmimin e vlerave të përbashkëta letrare dhe kulturore.
Krijuesit nga trevat e veriut të Shqipërisë e të Rrafshit të Dukagjinit, historikisht kanë dhënë dhe i kanë vënë shtylla të forta vlerave shpirtërore kombëtare
Në Tropopjë, një nismë e tillë u prit me shumë ngrohtësi dhe me plotë arsye, pikërisht duke u mbështetur në atë se kjo trevë, duke përfshirë të gjitha krahinat veriore të Shqipërisë, pra edhe Shkodrën, historikisht kanë dhënë shumë emra nga fusha e letërsisë, historisë dhe përgjithësisht nga kultura, të cilët ia kanë vënë konturat dhe shtyllat e forta vlerave shpirtërore dhe kombëtare, pra edhe letrare. Emrat që kanë dalë nga këto anë, që janë shumë për t’i numëruar në këtë shkrim, kanë bërë që letërsia dhe kultura jonë kombëtare të afirmohet edhe jashtë kufijve të vendit. Andaj, pse të mos fillojë edhe sot bashkimi i vlerave, të cilat do të depërtojnë deri në jug dhe e kundërta. Kujtoj se kjo është më se e nevojshme.
Nga kjo trevë mund të kalojë numri 200 i poetëve, prozatorëve, dramaturgëve, i studiuesve të fushave të ndryshme, i piktorëve dhe i gazetarëve, duke mos llogaritur këtu edhe qindra krijues nga fusha të tjera kulturore, që sot veprat e tyre janë shtylla të forta të rrjedhave të përgjithshme shoqërore.
Edhe në Pejë e në Gjakovë, në Kosovë, janë krijuesit letrarë, të cilët, dje, sot por edhe nesër, janë fanar dhe pena që i japin dritë e shpirt letërsisë kombëtare. Andaj, kësaj radhe të përmendim Gjakovën, e cila u provokua nga Tropoja për të filluar diçka që dikur ishte frikë edhe në ëndërr të mendohej, të thellohet dhe të lidhet e të bëhet një bashkëpunim krijues letrar, respektivisht, kulturor dhe letrar-poetik.
Xixat e para filluan gjatë viteve të kaluara me Mitingun Tradicional të Poezisë në Gjakovë, në të cilin, përveç poetëve nga Kosova, aty marrin pjesë edhe krijuesit nga Bajram Curri e Tropoja, por edhe nga Presheva, Bujanoci, nga Mali i Zi e Maqedonia. Me rastin e këtij manifestimi madhështor poetik, u hodh ideja që në kuadër të tij të organizohet edhe një orë letrare tanimë tradicionale në qytetin Bajram Curri, në të cilën, edhe aty, do të prezantonin me vargjet e tyre krijuesit nga Kosova dhe nga trojet tjera shqiptare. Kjo praktikë tanimë u bë traditë, dhe se pastaj, kohë pas kohe, organizoheshin e do të organizohen edhe promovime veprash, qoftë në Gjakovë, Bajram Curri, Tiranë, Lezhë mbase edhe në vende të tjera, që tanimë janë hallkë e forcimit të bashkimit krijues letrar në shkallë vendi e kombi.
Këtë e forcoi edhe manifestimi tjetër letrar, Poeteka Mbarëkombëtare e Bytyçit, i cili tash për çdo vit mbahet në Tiranë, respektivisht në malin Dajti të Tiranës.
Në këtë antologji është prezantuar krijimtaria e këtyre poetëve (Radhitja sipas alfabetit): Agim GJAKOVA, Agim MALA, Albert SHALA, Alfons ZENELAJ, Ali MUSAJ, Ali PODRIMJA, Almona BAJRAMI, Anton MARKU, Anton PAPLEKAJ, Asllan OSMANAJ, Avni MULAJ, Azem BALIAJ, Besim BOKSHI, Besim MUHADRI, Besnik MUSTAFAJ, Blerina ROGOVA GAXHA, Brahim AVDYLI, Din MEHMETI, Elona ZHANA, Engjëll I. BERISHA, Enver GJERGJEKU, Gentiana MUHAXHIRI, Gjon NEÇAJ, Halil HAXHOSAJ, Hamit ALIAJ, Hydajet BAJRI, Jaho MARGJEKA, Jak PERPALI, Jehona AGUSHI, Kadrush RADOGOSHI, Manjola BRAHAJ, Mazllum SANEJA, Mehmet ELEZI, Migena RAMAJ, Mujë BUÇPAPAJ, Murteza XAJË NURA, Nafije SALIHAJ, Pal NDRECAJ, Qemajl JUNIKU, Selim ALIAJ, Skënder BUÇPAPAJ, Skënder SHERIFI, Tahir BEZHANI, Teki DËRVISHI, Ukzenel BUÇPAPAJ dhe Zef MULAJ.
Shkrepi mendja e arsyeja, që aspekti gjeografik i letërsisë të merr formën e prerë të unitetit dhe të respektit e të afirmimit gjithëkombëtar
Tani, në këto ngjarje, lirisht mund të thuhet historike letrare, përveç që këmbehen përvoja krijuese dhe që afirmohen veprat e shkrimtarëve nga të gjitha trojet, ka shkrepur mendja e arsyeja për etjen, që aspekti gjeografik i letërsisë të merr formën e prerë të unitetit dhe të respektit e të afirmimit. Kështu, krijuesit tropojanë hedhin idenë që pikërisht pse krahinat veriore të Shqipërisë shquhen historikisht për vlerat kombëtare, pra edhe për ato letraro-hitorike, siç është edhe Rrafshi i Dukagjinit, në këtë rast, Gjakova, e cila deri me tash ka dhënë qindra e qindra intelektualë të fushave të ndryshme dhe po ashtu mbi 200 krijues letrarë, të lidhet dhe të mbështetet arsyeshëm mendimi për t’i përjetësuar vlerat krijuese të kësaj ane nëpër periudha, respektivisht të poetëve të këtyre trevave në një dokument me peshë, siç është antologjia. Dhe, pas shumë konsultimeve, pas shumë takimesh pune që kjo nismë të jetë sa më me peshë dhe më e dëlirtë në të gjitha aspektet, u vendos që ky hap të hidhet ndërgjegjshëm dhe gjithnjë duke kujtuar se antologjia e poetëve të Malësisë së Gjakovës, do të jetë një dokument-histori që do t’i provokojë gjeneratat që vijnë por edhe krijuesit e rinj, që këtë iniciativë ta konsiderojnë si të shenjtë dhe me qëllimin më të mirë për të mishëruar në një, krijimtarinë kombëtare letrare pa dallim qyteti, krahine apo vendi.
Mirëpo, edhe një gjë duhet ditur, se të bësh vepra të tilla, siç është kjo antologji që këto ditë u bë realitet dhe doli nga shtypi, është punë shumë e rëndë, me përgjegjësi, por edhe me peshë historike.
Prandaj, është e kuptueshme, se kjo vepër nuk mund të jetë edhe e përkryer apo edhe me te të jetë i kënaqur secili. Kjo, ndoshta edhe nuk do të ishte as normale. Por, një gjë është e sigurt dhe shumë e vërtetë dhe si e tillë shumë e qëndrueshme, se asnjë autor, asnjë poezi, asnjë fjalë nuk është e shkruar me prapavijë, me ndonjë qëllim të lig dhe jonjerëzor, por gjithnjë me qëllim shumë të pastër, por, gjithashtu edhe me rëndësi e me mesazh kombëtar për unitetin krijues, që edhe sot e kësaj dite për këtë gjë na nevojitet edhe shumë punë.
Edhe tjetra. Secili krijues dhe secili lexues, duhet ta kuptojë realitetin, se brenda një vepre nuk mund të futen të gjithë krijuesit, të të gjitha periudhave dhe gjeneratave qofshin ata, edhe pse është bërë përpjekje që të përfshihen krijues-poetë, të cilët u takojnë së paku tri gjeneratave të kohës më të re, veprat dhe cilësia e të cilëve reflekton peshë dhe shprehë vlerat e qëndrueshme që e kompletojnë dhe begatojnë tërësinë dhe rrugëtimin letrar e historik kombëtar. Po ashtu, gjithnjë është menduar dhe synuar, që me këtë, letërsinë ta vëmë në një hapësirë e gjerësi, mbase në një shtrat të rehatshëm mu si shtratin e lumenjve me ujin e pastër, që kurrë nuk shterojnë, por tokën dhe fushat i bëjnë gjithnjë e më pjellore. Po ashtu, edhe në këtë mënyrë, të vihen në vendin e vetë dhëmbëzoret dhe hallkat krijuese e të bashkëpunimit jo vetëm letrar. Pra, ky synim i krijuesve të Malësisë së Gjakovës le të jetë një prej emblemave historike dhe jo vetëm letrare e kulturore.
Andaj, ky dokument, në të cilin kësaj radhe janë përfshirë dyzetë e gjashtë poetë, por janë theksuar edhe emrat e dhjetëra e dhjetëra të tjerëve që me siguri do të zënë vend në antologjitë dhe veprat tjera që do të botohen në periudhën e ardhshme, kujtoj se është me peshë të veçantë letrare, kulturore, historike mbase edhe kombëtare, po ashtu, padyshim se do të jetë si një rreze, e cila do të ngrohë thekshëm por edhe do t’i joshë dhe sjellë rrezet e reja për t’i begatuar në vazhdimësi të arriturat dhe punën vetëmohuese në fushën e letërsisë dhe të kulturës përgjithësisht.
Pra, e tërë kjo që theksova në këtë shkrim, ishte edhe qëllimi që të theksoj rëndësinë dhe peshën e kësaj vepre, ndoshta të vetmen të këtij lloji deri me tash, dhe kështu fillojmë të afirmojmë dhe të ndriçojmë diçka, të cilës gjë deri me tash nuk ishte e mundur t’i hiqet velloja e errësirës. Pra, në këtë mënyrë t’i bashkojmë dhe t’i përjetësojmë vlerat krijuese, t’i shndërrojmë ato në një gjeografi të mirëfilltë unike letrare kombëtare.
Edhe diçka. Për transparencë dhe korrektësi sa më të madhe, krijuesit dhe poezitë e tyre në këtë antologji, janë prezantuar me radhë sipas alfabetit të gjuhës shqipe, që padyshim se e ka edhe rëndësinë e vetë për korrektësi dhe profesionalizëm.
26.10.2013
Samstag, 26. Oktober 2013
Donnerstag, 17. Oktober 2013
Portreti letrar i Millosh Gjergj Nikollës - Migjenit
Nga Dr. Zejnepe Alili - Rexhepi
(Një shkëputje biobibliografike nga studimi i Doktoratës: “Gruaja te Migjeni dhe Flober-i)
Ç’janë një miljon vjet para eternitas?
(Shkroi Migjeni, poeti që e parandjeu përjetësinë).
Jeta dhe letërsia reflektohen me një peizazh të begatshëm ngjarjesh, në Shqipërinë e fillimviteve ‘20 – ‘30, të shekullit XX, ngjarje këto ca të trishta, të lëna pas (rënia e Perandorisë Osmane), ca entuziaste e shpresëdhënëse, si Pavarësia e vendit më 1912.
Edhe jeta letrare e kulturore e kësaj kohe është përplot, me ngjarje të rëndësishme e mbresëlënëse, sidomos me vendosjen e regjimit të ri – Mbretërinë Shqiptare. Me këtë rast, edhe letërsia shfaqet me forma tjetërfare, nën ndikime të ndryshme: herë komformiste, qoftë edhe e përligjur, herë reaksionare, ideologjike, mistike, sentimentale...
Kjo periudhë tipizohet edhe me Migjenin, shkrimtar me bindje të formësuara natyrshëm, i ndikuar nga krijimtaria evropiane, që vargun poetik dhe filozofinë prozaike e krijon në frymën e Niçes... Është ndër të rrallët shkrimtarë të kohës, që spikat amoralitetin kohor, absurditetin e zakoneve të mbrapshta, injorancën e regjimit despotik, ky përfaqësues i denjë i letërsisë realiste, mjaft i frytshëm për artin e shkruar. Përfaqëson një ndër personalitetet më të spikatuara të letërsisë së viteve 1930 - ‘40, të shek. XX.
Millosh Gjergj Nikolla – Migjeni vjen në jetë, pikërisht në kohën kur Shkodra, kjo qendër e lashtë kulture, përjeton kundërthënie të shumta fetare, meqenëse është qytet ku ndeshen besimet fetare, si: katolicizmi, ortodoksizmi dhe islamizmi. Në Shqipërinë e kohës, në një atmosferë të zymtë e të padurueshme mjerimi... Thuhet se ...Ishte ditë vjeshte. 13 tetor 1911. Familjes Nikolla i lindi djalë. Prindërit ia dhuruan një emër të thjeshtë – Millosh... Ndërkaq më të afërtit e përkëdhelnin me një emër tjetër – Mirko. Kur po shkelte hapat e parë në jetë, Shkodra ende kishte rrugica të ngushta plot baltë, shtëpiza përdhecke ku dëgjohej fjala – nuk kam... nuk kemi... plot xhami, kisha, katedrale... Nëpër rrugë njerëz të papunë, pleq të lënë pasdore, fëmijë pa shpresë...
Milloshi ishte më i përkëdheluri i familjes Nikolla, sepse ishte më i vogli i motrave: Jelena (Lenka), Jovanka, Cvetka, Ollga dhe i vëllait, Nikollës. Ishte me fat mbase lindi në një familje të ndershme shkodrane, nga i gjyshi Nikollë Dibrani dhe gjyshja Stake Milani – Nikolla, e cila më vonë zë një vend të rëndësishëm në jetën e Milloshit, posaçërisht pas vdekjes së prindërve Gjergj Nikollës dhe Sofia Kokoshit – Nikollës, ajo përkujdeset për Mirkon, madje si më i vogël i familjes Nikolla, ai pati: kujdesin dhe dashurinë më të madhe të të gjithë neve , rrëfen e motra, Lenka.
Me bashkimin e familjeve: Nikolla dhe Kokoshi, lind Migjeni. Familja Nikolla pa ndonjë gjendje të mirë materiale, por e ndershme dhe fisnike, ndërsa Kokoshët ishin pasanikë me tradita të larta qytetare. Migjeni u rrit në një familje me vështirësi ekonomike, si shumë familje tjera shkodrane, gjendje e cila i pamundësoi ndonjë zgjedhje solide për shkollim, teksa Shkodra ishte qyteti ku ndeshen sheshazi besimet fetare. Në jetën e Migjenit ndodhën ngjarje tronditëse: në moshën pesëvjeçare e përjeton vdekjen e të atit, ndërsa në moshën tetëvjeçare i vdes edhe e ëma. Këto kujtime të pakëndshme e përcjellin gjatë në jetë, dhe pasojnë me vdekjen e një motre dhe të vëllait të vetëm. I vëllai Nikolla, vdes i ri, vetëm 24 vjeçar, poashtu edhe dy motrat Voina (njëvjeçare) dhe Ollga .
Si natyrë ishte shumë mirëqenës, gjë që e shfaq nga fëmijëria. Për shpirtin e tij delikat dhe dobësinë për të mjerët janë shënuar me dhjetëra ngjarje.
Një ditë teksa shkon në shkollë me kushërirën Leposavën, në një kënd pranë kishës ai sheh një plak të mjerë që kishte ngrirë nga i ftohti dhe i drejtohet Leposavës: - Leposavë, sot qenka shumë ftohtë! Shiko atje! Ai plak i mjerë po dridhet prej të ftohtit. Paska ngrirë i mjeri! Pas kësaj ai, ia dha vrapit si pa frymë, për një çast u gjend në shtëpi: - Ma nep atë pallton e madhe të babës. Atë që rri e varur pas dere! Një plak, fukaraja, po dridhet nga të ftohtit. Atje në një qoshe të kishës është strukur.
– Nuk pata zemër. Ja dhashë. E mori dhe vrapoi drejt plakut. Në fytyrën e njomë të tij, shkrepi gëzimi. Edhe sot më përfytyrohet ajo buzëqeshje e tij, ndërhyn Jovanka. Vërtet, rrëfime të këtilla e të shumta e përvijojnë portretin e Migjenit.
Mundësitë për shkollimin e Mirkos ishin të pakta, ndonëse ishte fëmijë inteligjent dhe i zellshëm. Atëbotë, në Shkodër me të madhe qenë hapur seminare fetare, andaj Migjeni s’ka alternativë, edhe pse kishte shumë shkolla private e të huaja, shkolla: jezuite, françeskane, italiane, serbe, por ato nuk i plotësonin as kushtet minimale pedagogjike. Pjesa më e madhe e popullatës ishte analfabete, prandaj intelektualët dhe dashamirët synonin që të hapen shkolla popullore.
Familja e Mirkos që i përkiste besimit ortodoks, si dhe në pamundësi materiale për ta shkolluar kudo, vendos ta edukojë në frymën religjioze, duke e regjistruar në shkollën serbe të qytetit.
Mirëpo, qysh herët Milloshi ndahet nga vendlindja e tij, meqë me vdekjen e së ëmës, atë e transferojnë në Tivar, ku jetonte e motra e martuar Lenka, ndërsa më 1928 e regjistron Seminarin ortodoks në Manastir. Sikurse ...dihet, shkollën fillore Migjeni e kreu në Shkodër, në vitin 1923. E, si kreu dhe mësimet gjysmë të mesme, pjesërisht në Tivar e pjesërisht në Manastir, për vitin shkollor 1927 – 1928 regjistrohet në seminarin ortodoks të Manastirit, të cilin e kryen në qershor të vitit 1932. Kjo kohë përfshin një kapitull të veçantë të jetës dhe të baritjeve shpirtërore të poetit. Edhe në Tivar e në Manastir, sikurse në Shkodër, Migjeni ndeshet me të njëjtën shtypje dhe varfëri, pamje kjo që i fanitet gjithmonë, e më pas i shkruan si kujtime në veprën e tij.
Si seminarist ai dallohet me poezi dhe shkrime eseistike, ndër më të mirat, përderisa merr pjesë në diskutime dhe polemika letrare të shoqatës. Fjala e tij është e thellë. Mendimi i tij rreth problemeve letrare shpreh maturi dhe seriozitet. Me këtë, ai që në fillim sinjalizon se është mjaft i informuar për krijimtarinë letrare novatore që zhvillohej në Evropë e më gjerë. Nganjëherë binte në sy të profesorëve, sidomos atij të gjuhës (serbe) para të cilit shtron dilema dhe i kundërvihet me argumente. Merret edhe me shkrime analitike, por fatkeqësisht të gjitha shkrimet atë kohë bëheshin kopje dhe një prej tyre dorëzohej në drejtorinë e shkollës, kuptohet për cenzurë (ndoshta ato kopje gjenden në arkivin e Seminarit të Manastirit). Shpesh ai ndalohej t’i lexonte punimet para grupit letrar, sepse profesori i gjuhës gjente hala në brendinë e tyre dhe akuzonte për përmbajtje me thumba antifetarë. Mbase, pikërisht pleksja fetare: ortodokse, katolike e myslimane, si dhe ndeshja e kulturës me konservatoren, projekton jetën në mes Lindjes dhe Perëndimit. Kjo qe ndoshta nxitja reale që Migjeni të shkruajë dhe letërsia u bë burim i pashterrshëm i frymëzimit poetik dhe shtytje për vrojtime estetike, si skica të shkëputura të jetës. Shkruan dhe boton me pseudonimin Migjeni, një lidhje e sajuar nga shkëputja e dy shkronjave të para nga emri i tij, emri i të atit dhe mbiemri – Millosh Gjergj Nikolla.
Migjeni, tani më, një i ri i sapo diplomuar kthehet në vendlindje, i ndikuar nga letërsia evropiane, kryesisht ajo ruse, frenge e angleze. I apasionuar pas veprave të Niçe-s, Frojd-it, Dostojevski-t, Gork-it, Balzaku-t, Ygo-s, Shekspir-it, e ndonjë tjetri mbase, në mënyrë po aq filozofike e trajton çështjen shqiptare, si problematikë e njohur e shoqërisë, të ndarë në dy klasa ekstremisht të ndryshme: e privilegjuara - aristokracia e vendit dhe e shtypura - shtresa e gjerë popullore.
Si një vështrues i thuktë e analizues i vëmendshëm i dukurive të realitetit të kohës, ai mundëson përjetime reale, në një rrafsh kuptimor, plot shtresa ideore të një bote humane ...luftoi edhe për emancipimin ideopolitik të shqiptarit dhe se me të fillon një epokë e re zhvillimi i kulturës shqiptare. Shfaq prirjet humane të një poeti të ndjeshëm e modest që pati ofertë për të studiuar në Sorbone, por më shumë se sa t’i jepej një filozofie teologjike, të largët e të panjohur për të, ai parapëlqen të qëndrojë mik i skamnorëve dhe i të përvuajturve. Migjeni është poet i masës popullore për nga tematika që trajton, ndonëse i një niveli të lartë artistik, me të cilin brumos vargun. Motoja e tij ishte e vërteta. Atë e rebelon padrejtësia dhe shfrytëzimi, siç shprehet Nonda Bulka: Ky, ëngjëll i revoltuar kundra perëndive të vjetëruara, zgjodhi një zot të ri. Në të vërtetë, ai kërkon rrugën e drejtë, konceptin tjetërfare të lirisë.
Kujtimet që zakonisht mund të shkëputen nga jeta e Migjenit kanë të bëjnë me qëndrimin në Tivar, Ulqin dhe Manastir. Kthimi i tij në Shkodër i ngjan kthimit të Faik Konicës, kur pas gjashtëmbëdhjetë vjetësh kthehet në Shqipëri, dhe posa zbarkon në portin e Durrësit, e ndien që dashuria e malli për ta parë vendin kthehet në dëshpërim të papërshkrueshëm. Po e njëjta ndjenjë e përshkon edhe Migjenin.
Pas mbarimit të studimeve në Seminar, që i filloi në Tivar dhe i mbaroi në Manastir, emërohet mësues në Vrakë, një fshat në malësinë e Shkodrës. Milloshi e filloi punën si mësues në Pukë më 18 prill 1936. U emërua drejtues i “Shkollës fillore të përzieme”, që varej, nga ana administrative, prej Inspektorisë së Arsimit të Shkodrës. Duke i njohur rrethanat e Shkodrës, Migjeni që herët filloi ta vrojtojë realitetin e hidhur. Gjatë punës si mësues, gjithmonë ballafaqohet me akuzat e priftit të fshatit, sepse në atë mjedis malësor, ku feja ka ndikim të madh, Migjenin e presin me veladonin e priftit, ndërsa entuziazmi dhe përpjekjet e palodhshme të tij, në mësimin dhe edukimin e fëmijëve bëhen pengesë e madhe për predikimet dhe ndikimin e priftit.
Njohja e së vërtetës mbi hipokrizinë fetare e shtyn Migjenin të heq dorë nga studimet e mëtejme teologjike. Ai ka qëndrim të prerë kur shmanget nga kisha, s’e ndërron bindjen as kur i ofrojnë për të studiuar në Oksford, vetëm pse ishte Fakulteti i Teologjisë.
Krijimtaria e Migjenit, poezia dhe proza (sipas shumë studiuesve është shkruar brenda pak vitesh, 1934 – 1937, ndonëse ka të dhëna se ai është marrë me shkrime që nga studimet në Seminar), pasqyron zgjuarësinë e një talenti të ri dhe synimin e një eruditi për tendenca të reja në letërsi.
Vëllimin poetik Vargjet e lira që Migjeni e dërgon për botim, censurohet nga regjimi i kohës dhe nuk lejohet në qarkullim, sepse ka një kredo shumë të fuqishme njerëzore, si vetë revolta dhe jehona e njeriut për një të ardhme më të mirë. Pikërisht për këtë arsye, edhe Migjeni, si të gjithë poetët e masës, e jo të elitës pushtetare, përbuzet, mohohet e ndalohet, madje edhe Platoni, në shtetin ideal të tij i dëbon poetët si prishës të moralit e të rendit shoqëror.
Vepra është krijuar me një liri tematike, të cilën e redakton vetë poeti. E ndanë në pesë cikle: Kangët e Ringjalljes, Kangët e Mjerimit, Kangët e Përndimit, Kangë në vete, Kangët e Rinis, ndërsa më vonë u bashkangjitet edhe Kangët e fundit, të cilëve u paraprin vjersha hyrëse Parathanja e parathanjeve. Në këtë të fundit, ai e shpreh qëndrimin antiklasor dhe antiklerikal, e paralajmëron lindjen e një kohe të re, kur njerëzimi s’do të lejojë që të mashtrohet nga filozofia boshe biblike. Është nga ata poetë që shkroi pak, por tha shumë, kur dihet që ...fatin e një poezie e të një poeti e vendos cilësia e jo sasia. Kjo dhunti nuk i mungon një shkrimtari si Migjeni, meqenëse formohet duke i lexuar revistat e kohës dhe përkthimet e kolosëve, si: Shekspiri, Gëteja, Shileri... ndërsa të pranishme në tryezën e tij të punës ishin veprat e: Dostojevskit, Tolstojit, Gorkit, Londonit, Sinklerit...
Migjeni edhe e ka emërtuar dorëshkrimin e tij Vargjet e lira, një fletore të hollë, tani më të dërguar për botim. Vëllimit duhej t’i bashkangjitet edhe poezia Kanga që s'kuptohet, si zbrazje e fundit shpirtërore, si një lloj testamenti ku riepilogohet gjithë jeta e tij poetike në nji lamtumirë t'idhtë, e në të vërtetë: Ua plasi zemrën poetëve Shqipëria, do të shprehet Fatos Arapi.
Në Vargjet e lira ndihet shpirti i lirë i krijuesit plot elegancë, i topitur në sinqeritet e krenari, edhe pse vepra e posashkruar nuk pati fat që të bjerë në duart e lexuesve. Disa vite më vonë, vepra botohet, por ...më 1944, vëllimit iu shtuan tetë vjersha që Migjeni nuk i botoi me gjallje. Gjashtë prej tyre, botonjësit i renditën në një cikël më vehte, që mbyllte librin e që mori titullin “Kangët e fundit”. Dy të tjerat hynë te “Kangët e përndimit”. Sipas dorëshkrimeve origjinale, të gjashtë këngët e sipërme u shkruan në vitet 1936 – ’37.
Kjo vepër poetike shpalos një personalitet të çmuar të letërsisë, edhe pse vepra mbeti e pabotuar në të gjallë të poetit, të cilit jeta iu venit herët. Libri i paplotësuar u kopjua me dorë, u daktilografua, dhe qarkulloi nëpër popull. Të së njëjtës periudhë sikurse Vargjet e lira janë edhe prozat e Migjenit, të cilave ai u vë titullin Novelat e Qytetit të Veriut. Më vonë ...nën përkujdesjen e Skënder Luarasit, u botua tërë opusi i tij krijues (vjershat, tregimet, skicat, letërkëmbimet, etj.) në një vëllim të veçantë. Pra, vepra, e cila u dërgua në shtyp më 1936, u censurua nga qeveria zogiste, duke mos e lejuar shpërndarjen e saj, megjithatë përjeton edhe një botim të dytë më 1944, pas vdekjes së autorit. Qeveria e atëhershme e lejon ribotimin, pa e shmangur censurën vetëm mbi poezinë Parathanja e parathanjeve, sepse në të qartë aludohet se: Përditë prendojnë Zotat, e cila tingëllon si paralajmërim i një ndryshimi të madh shoqëror.
Me thellësinë filozofike e mesazhet e fuqishme që përmban, vepra e Migjenit mirëpritet, si nga kritika, ashtu edhe nga lexuesit, meqë: Si me jetën e vet ashtu edhe me veprën-me jetën e shkurtë e veprën fizikisht të vogël-Migjeni asht shprehje e paradokseve të kohës së tij. Është e qartë se ...të gjitha shkrimet e Migjenit kanë nji rezonancë-mjerimin. Pra, në opinion paraqitet me një vepër që kërkon vullnet e përpjekje të mëdha, ku njohja e studimi, jo vetëm i karaktereve, por edhe i lëndës që e shtjellon, kërkon durim e përvojë të një talenti të latuar. Shfaqet me një vepër jovoluminoze, ku gjen shprehje shpërthyese talenti i ri, pavarësisht se shkruan në kohë tejet të kufizuar, vetëm 3-4 vjeçare ndoshta, nga vitet 1934-‘36, ndërsa gjatë viteve ’37 dhe ’38 shkruan vetëm dy proza. Mos vallë kjo dëshmon se shkrimtari e parandjen fundin e jetës dhe dita-ditës i shterret forca fizike, e kurrsesi delli krijues?!
Siç duket, ai e ndien fare pranë fundin e jetës, mirëpo qëndron stoik. Këtë e shpreh në disa poezi, sidomos në ato të fundit, si në Një natë pa gjumë, ku shkruan se shpirti tani më është afër agonisë. Vetmia, shoqëruesja e vetme, përpos miqve të rrallë, tani më e pushton shpirtin e tij të molisur nga dhembjet dhe një natë të tmerrshme ai dergjet n'errsinë pa gjumë edhe pa dritë, mes jetës e vdekjes. Si në agoni, me gjithë shpirt lutet për: Pak dritë! Pak dritë! Pakë dritë o shok o vlla,/Të lutem pak dritë në ket natë kur shpirti vuen,/kur të dhemb e s'di ç'të dhemb, e syni gjum’/nuk ka,/urren, nuk din ç'urren, don e s'din se ç'don. Sëmundja torturuese mundohet ta mposht për të triumfuar mbi jetën, mirëpo poeti e sfidon vdekjen përmes Vargjeve të lira, ku këndohet pa pra. Madje, këtu sikur zë vend thënia e Moikom Zeqos: Por ç’ësht vdekja fizike? Një truk, ose një konvencion, që vë në pah tërë altruizmin e poetit që e bën të pavdekshëm, sepse humanizmi i Migjenit është i përmasave mitike. Me ndjenjën e patjetërsueshme që Kangët e pakëndueme të bëhen zë jetik i secilit, Migjeni shkruan: unë djepi juej, ndoshta varr i juej, ku bota e brendshme shpirtërore e poetit shpërthen hovshëm të sfidojë kohën e kufizuar, me parandjenjën e jetës së pakët, sado që përplot me ideale të reja. Fatkeqësisht, ...Poeti i kushtrimit dhe i brengës e la këtë botë, jo me ballin e stolisur prej kurorash dafine si Petrarka, po me kurora gjembash si Danteja dhe Pushkini. Sipas kritikës letrare, ky poet merret si hero i mendimit, tek i cili kultin e trimërisë epike e zë kulti i fuqisë mendore. Migjeni la një kryevepër letrare, sado që, me bashkëkohasit e tij: Serembe, Naimi, Mjeda, Çajupi, Asdreni... u akuzuan si shkrimtarë që reformoheshin përmes interpretimit nën dritën e boshtit ideologjik, pastaj Fishta, Konica, Kuteli, Camaj, Pipa, Koliqi, braktiseshin si agjentë të austriakëve, italianëve, i dreqit e të birit...
Shumë shkrimtarë përjetojnë golgotë pengesash, censurash e përçmimesh gjatë jetës, ndërsa vetëm pas vdekjes, vepra e tyre zë të çmohet. Ky fat e ndjek edhe Migjenin, por jo për gjatë kohë. Vëllimi poetik Vargjet e lira botohet edhe në gjuhë të huaja, duke dalë jasht kufinjve të Shqipërisë. Sidomos vlen të përmendet kur ...më 1965, në Paris u botua një përmbledhje poezish të Migjenit me titullin Poemes (Poema), të përkthyera nga Kolë Luka dhe me një parathënie të Andrea Varfit.
Shkrimtarët, të cilët për Migjenin, më së shumti lanë të dhëna jetësore dhe letrare, përmes monografive të tyre, janë: Dhimitër Shuteriqi, Vehbi Bala, Rexhep Qosja, Ali Aliu, Mensur Raifi, Petro Janura, Skender Luarasi, Ollga Nikolla (e motra e Migjenit), Ali Llunji, etj. Mirëpo, për Migjenin nuk reshtin shkrimet, si: monografi, revista, artikuj, ese, komente, analiza, kritikë..., që vijnë nga një vargan i pafund studiuesish e kritikësh letrarë: Arshi Pipa, Ernest Koliqi, Gertruda Ejntrei, Qemal Draçini, Rrahman Dedaj, Rexhep Hoxha, Nazmi Rrahmani, Ibrahim Rugova, Agim Vinca, Sabri Hamiti, Resmije Kryeziu, Gjergj Zheji, Mirlinda Krifca-Beqiri, Sefedin Fetiu, Koço Bihiku, Razi Brahimi, Sali Bashota, Jorgo Bulo, Nasho Jorgaqi, Ndriçim Kulla, Ali Xhiku, Kujtim Shala, Luan Topçiu, Rinush Idrizi, etj.
Studimet e shumta për personalitetin e Migjenit dhe veprën e tij, ofrojnë sa më shumë të dhëna dhe dije, që si rrjedhojë shpërthimesh emocionale e prekin origjinalitetin e artit të shkruar, të ngritur mbi imazhin e shpirtit, ëndrrës e reales të shoqërisë shqiptare të kësaj kohe.
Rrahim Sadiku - Në polici
Tregim
Pasi trokiti disa herë e vetëm kur dëgjoi një “hyr” të rreptë, Fejzo Dullci hyri te Zoran Koloviqi, shefi i policisë serbe, tërë frikë. E dinte se shpesh aty shkoje me këmbët tua e ktheheshe brithyer e duke të bartur në krah, po mund të vinte puna e të mos dilje i gjallë. E Fejzo Dullci nuk e donte vdekjen, disi i frikësohej shumë asaj dhe kjo frikë shtohej nga dita në ditë, nga ora në orë, tek dëgjoje e shpesh edhe shihje se si në atë godinë që mbizotëronte qytetin, vdekja u vinte njerëzve nga torturat më brutale të mundshme. Vdekja aty kishte gjetur mikëpritje të paparë dhe po bëhej gjithnjë e më e pranishme,më e frikshme e më e pangopur, ditën e natën merrte prenë e saj.
Zorani e shikoi Fejzon me urrejtje, neveri e kërcënueshëm, edhe pse sa nuk po bërtiste nga kënaqësia. Ky intelektual i urrejtur, pjesëtar i popullit të cilin e urrente me gjithë shpirt, i kishte ardhur mu ashtu si donte: duke ecur më shumë i vdekur se i gjallë, nga shkaku i frikës që e kishte mbërthyer.
Një kohë e mati me sy e ndjeu se kënaqësia dhe urrejtja po i shtoheshin.
“Mos më thuaj se ke frikë – buҫiti zëri i tij e Fejzua u drodh sikur e preku rryma elektrike. Burrat nuk kanë frikë, jo, e ti je burrë… Je burrë apo jo?!”
Fejzua u bë grusht. E dinte se duhej të përgjigjej, se heshtja aty ishte e rrezikshme, ndoshta më e rrezikshme se fjalët që mund të thoshte, po zë nuk po i dilte nga goja. Mezi merrte frymë e fyti i ishte tharë. Zorani merrte poza mu afër tij dhe kjo e cfiliste edhe më shumë.
“Jo, ti nuk qenke burrë... Burrat vdesin, po nuk dorëzohen kështu… Mos i ke lagur gjë pantallonat? Kësaj here je me fat. Nuk je në radhë të shkosh andej… Po edhe këndej nuk mbetesh lehtë, nëse nuk flet si duhet e ҫka duhet… Fol!”
Ҫka të fliste i ziu Fejzo?! Fundi i kishte ardhur, fundi… Kot krejt. Nuk e dinte ҫka duhej të thoshte, edhe sikur të kishte mundësi të nxirrte zë. Zorani po shtihej sikur mezi priste të dëgjonte fjalët e tij. Fjalët… Po Fejzua ishte më i heshtur se guri.
“E di pse të kemi thirrur?!”
Fejzua u ndje edhe më i ngurosur. Heshti ai. Zorani nuk po e prishte heshtjen e tij. Priste, duke ia bërë me shenjët të fliste. Befas, për habinë e tij, nga buzët e tij të djegura zjarrmie, doli një “jo” e habitshme, që e bëri policin të qeshtje me sa kishte zë.
Ende nuk ishte shuar e qeshura e Zoranit, kur u hap dera e brenda hyri një polic i madh, me fytyrë të frikshme, që e bëri Fejzon të mbështetej për muri, sikur donte të futej ashtu i gjallë në të.
“Hë, mos u duhet gjë ndihma ime, shef” – pyeti ai.
“Njëherë jo, po ti ulu aty e mandej shohim… Ky si duket ka harruar të flas” – tha shefi.
“Tregoi se unë nuk i duroj ata që nuk flasin, se ua përdredh qafën e i dërgoj në atë botë pa pikë mundi” – tha polici i sapoardhur.
“E di ky e di – u tall Zorani. Tashti po e pyes seriozisht nëse e njeh Urban Baftiun. E njeh apo jo, ti shul. Mos më rri aty si përmendore!” – befas ndërroi zëri i tij dhe fytyra iu shtrembërua.Fejzua mezi e kapërdiu pështymën që befas iu grumbullua në gojë.
“E njoh” – tha.
“Mirë, pohim me vend. Po të kishe thënë jo, do të kishe pasur pak punë me këtë shokun tim. Shkojmë tutje. Na e përshkruaj Urbanin, me se merret, si sillet, ku rri, me kë rri, pse rri, ҫka flet, pse flet e kështu me radhë”.
Edhe pse u mundua të mos e jepte veten, Fejzua u lehtësia. Pra, ai nuk ishte qengji që duhej të flijohej, por Urbani. Dëshira për të shpëtuar veten me ҫdo kusht triufoi dhe mendja iu kthjellua.
“Urbani është nga ky qytet, e njoh që nga shkolla e mesme. Kemi mësuar dy vite në të njëjtin korridor, edhe pse ai ka qenë dy gjenerata para meje. E di se ka qenë nxënës i mirë, disa thonë madje se ka qenë edhe nxënës shumë i mirë, por unë e njoh si një mendjemadh dhe si njeri që mendon se ai do të jetë shpëtimtar i kombit tonë…”
“Ndalu pak – urdhëroi Zorani. Pa ma shpjego pak më mirë këtë mendimin tënd të fundit, ҫka deshe të thoshe kur shqiptove “ai mendon se do të jetë shpëtimtar i kombit tonë?!”
Kjo ndalesë dhe kthesa që po merrte biseda, ndoshta edhe e gjithë kjo që po ndodhte, e bëri Fejzon të stepej dhe të ndente se si po i dridheshin këmbët. Polici që erdhi më vonë u kollit dhe e solli në vete. Nisi të fliste si i kurdisur:
“Urbani e mban veten patriot, kudo flet se ai nuk ngurron të vdes për komb e për atdhe dhe neve që punojmë e shikojmë punën tonë na shikon sikur jemi krejt të pavlerë, sikur hamë bukë kot e sikur bëjmë tradhëti ndaj popullit tonë. Flet sikur ai di ҫdo gjë e se mund të bëj ҫdo gjë…”
Polici u kollit fort e si rastësisht, Fejzua e humbi fillin e mendimeve e Zorani qeshi.
“Ҫka bëni ju kur ai flet kështu? A e përkrahni?”
“Jo, nuk e përkrahim” – reagoi me të shpejtë ai.
Një goditje e beftë në kupë të gjurit e bëri të rënkonte thellë.
“Po të mos e përkrahte askush, pse do të fliste Urbani? Flet sepse dikush e dëgjon sot e do të dalin edhe të tjerë që do ta dëgjojnë nesër… Për këta jemi të interesuar ne. Urbani as që na intereson. Ai është njeriu ynë, nuk e kupton këtë? Mendon se do të guxonte të fliste ashtu po të mos kishte lejen nga ne?!”
Fejzua e humbi. Kishte menduar se do të shpëtonte duke e akuzuar Urbanin për të gjitha, e doli se ai vetë ishte për të akuzuar të tjerë. Ҫka të fliste tashti? Njdeu sikur po binte nga një lartësi e madhe. Por,një e goditur në gju, me të njëjtën forcë dhe të njëjtin vend, e bëri të ciaste dhe të kërkonte një pikëmbështetje diku.
“Po unë thash atë që di…”
E goditura u përsërit, kësaj here pak më e fuqishme, sa iu duk se iu thërmua ashti dhe ulëriu. Zorani sikur nuk po shihte se ҫka po ndodhte, kurse polici ishte tejet i qetë. Ai po ndjente se po i shuhej edhe ajo pak jetë që kishte mbetur në të.
“Unë jam i pafajshëm – tha dikur, pse po më torturoni kështu?!”
Ata u shikuan sy më sy sikur kishin dëgjuar fjalët më pa kuptim të kësaj bote.
“Ti i pafajshëm, ti?!!! Po ku ka shqiptar të pafajshëm mbi këtë dhe, i marrë? Shqiptari lindet bashkë me fajin, secilën ditë që ha bukë, e shton fajin dhe e rëndon këtë dhe me fajet e tij dhe vdes e varroset pa i pakësuar fajet, vetëm se, ndodh një e mire atëherë, sepse toka ndjen lehtësim, pas secilës kufomë shqiptari… E kuptove apo jo?”
Dy shuplaka të forta sikur hodhën flakët e një zjarri prush mbi faqet e tij. Lotët nisën t’i rridhnin faqeve e frika e pushtoi edhe palcën e ashtit të tij.
“Kush i pëlqen ato që thotë Urbani?” – I erdhi një zë që e përshkoi me djegie që nga thembrat e deri te flokët. E kuptoi se e kishte pyetur Zorani, i cili ishte krej i ftohtë në dukje, akull. Lotët e Fejzos e kishin ngrohur thellë në shpirt, po nuk e jepte veten. Mu këta lotë, gjatë hetimeve, e kënaqnin më së shumti. Ishte si i dehur lehtë e plot elan kur shihte lotë në sytë e atyre që kishin mendje e sedër. Thyerja e tyre ishte ajo që e dëshironte, sepse të tjerët edhe ashtu, të thyer ishin. E dinte se pas një kohe, duke pirë me shokë, ai do të ndjehej hero midis tyre, duke ua treguar, me humor e mburrje njëkohësisht, këto thyerje shprtërash armiq.
“Mund të mendohem pak?” – pyeti pas pak me zë lutes, plotësisht i dorëzuar.
“Mirë, ke dhjetë minuta të kujtohesh, ne po dalim e po marrim ajër të pastër. Kur të kthehem dua emra, sa më pak fjalë e sa më shumë emra.”
“Mos ngurro të thuash ato ҫka i di, se po fillova nga torturat unë, nuk di të ndalem, as shefi nuk mund të më pengojë atëherë, derisa të ta nxjerr shpirtin nga hundët… Kur torturoj unë, shpirti kurrë nuk del kah duhet” – kërcënoi e qeshi polici.
Ata dhjetë minuta ishin autotorturë, torturë e ndërgjegjes, dhembje që e përshkonin nga të gjitha anet, ato hone që i hapeshin ta rrëmbenin dhe sikur e falnin me keqardhje. Po, thoshte me vete, Burimi është përkrahës i Urbanit, por është i ri, i bukur, me të ardhme. Po e përmenda këta do ta marrin e do ta shkatërrojnë. Kjo do të ndodh edhe me Fitimin, edhe me Hanën, edhe me Diellzën, edhe me Florimin… O, pse po më kujtohen këta emra mu tashti, kur kjo do të thotë flijim i tyre për ta shpëtuar veten?! Janë shumë. Po Gerti? Ai e meriton të përpunohet nga këta, se nuk durohet. Nuk durohet as ajo Drita që shkon e më bëhet përditë e më e bukur. Egzonin nuk do ta përmend, as Besianin. Jo,jo… As Gonin e Fehmiut, as Mirandën e Ganiut nuk do t’i përmend, edhe pse të gjithë e adhurojnë këtë djallin që e ka emrin Urban… Po këtë të përmend, dikë duhet ta tregoj këtu, përndryshe e pata. Nuk jam njeri që e duroj rrahjen unë. Ani torturat e gjata, me thonjë të nxjerrë e me gjak nga të gjitha anët? Ah, po shpëtova kësaj here, nuk do të arrijnë të më kapin më, jo.
Dera u hap dhe Zorani e polici hyn brenda duke, duke biseduar me gjallëri, thuaja se rreth tyre mbretëronte një lumturi e pashoqe. Fejzua sikur i ndjeu ato gotitjet e policit dhe ato pyetjet vrastare të Zoranit dhe u dërrmua fare, sikur u shpërnda në mijëra copëza dhe nuk po përmblidhej dot. Mandej, sikur u bë tjetër dhe fjalët nisën t’i rridhin me gurgullima, si uji kur derdhet nga shtypja e madhe:
“Urbani ka përkrahës të shumtë në qytetin tonë, por edhe në vende të tjera. Po u tregoj se Burimi është përkrahësi më i madh i Urbanit, pothuaj njësoj si ai është. Afër i qëndrojnë edhe Fitimi e Hana. Me të i shoh shpesh edhe Diellzën e Florimin… Edhe ajo gruaja e Shaipit, e veja, e përkrah shumë. E shoh edhe me Gertin nganjëherë, por edhe ajo Drita e bukur nuk i ndahet. Më rrallë, por rri edhe me Egzonin, me Besianin, me Gonin e Fehmiut, me Mirandën e Ganiut… Po u them se e keqja këtij qyteti i vjen nga djalli që e ka emrin Urban…”
“Shihe ti shihe pisin e pisave. Ky e di që ne i njohim këta dhe mu këta emra na i përmend… Mos po luan me ne, djalo?!”
Një shtrëngim i policit në tamth e bëri të ndjente dhembje të padurueshme dhe filloi të qante me dënesë. Nuk kishte fuqi as të lutej të mos e rrihnin më.
“Emra të tjerë. Më duhen emra të tjerë” – i qetë, por me bubullimë përbrenda i erdhi zëri i Zoranit, i cili po e shikonte sikur shihte një mbeturinë. Kur a pa frikën e vdekjes në sytë e tij, nisi të fliste si me keqardhje:
“E, Fejzo, Fejzo… Kur të shihja rrugës ashtu të trekosur, mendoja se ishe me karakter të fortë dhe sot prisja një përballje meritore me ty. Nuk ma merrte mendja të ishe kaq i flashkët, kaq frikacak, kaq i pakurriz. Jo, ndëshkimi yt i merituar, të cilin e kisha pritur kaq gjatë, nuk po më jep asnjë kënaqësi. Më pak se një hiҫ qenke ore…”
Polici ia ngjeshi fytyrës edhe disa shuplaka të mira.
“Lëre, këtë e paska rrahur Zoti,më shumë se ne. Ky qenka më grua se gratë, më mi se mini. Si e duron e shoqja në shtrat ore? Apo nuk e afron fare se fle me të tjerë. Epo, nuk durohet afër ku njeri prej qulli.”
Fejzua nuk kishte fuqi as të ndjehej i fyer. Madje sa mendja nuk i shkonte të fyhej e të ankohej, ҫkado që t’i bënin. Mjafton të shpëtonte i gjallë, të tjerat do të harroheshin.
“Mbahu he burrë – u zgërdhi para fytyrës së tij polici.
“A di cka. Na ke befasuar për të keq, po megjithatë, kësaj radhe po të falim – tha Zoran Koleviqi. Edhe pse nuk na the gjë me vlerë, për të patur ne një dëshmi se ishe këtu, merr këtë laps e këtë letër dhe shkruaj gjithë ata emra që i përmende pak më parë si përkrahës të Urbanit, po edhe ndonjë tjetër që të kujtohet në ndërkohë dhe firmose në fund… Ke edhe pesëmbëdhjetë minuta kohë për ta bërë këtë. Por,ke mendjen, asgjë mos ruaj për vete nga ato që di, se nuk del më prej këtu.”
Ata dolën e Fejzua mori lapsin e letrën dhe nisi të shkruante me shpejtësi, sikur po kyente një veprim me shumë rëndësi. Shkruante e shpejtonte, por sikur nuk po mund ta besonte se do të shpëtonte kaq leht. Nuk e kuptoi se sa shpejt eci koha, vetëm kur ndjeu se si dera u hap dhe policët u gjetën anash tij. E shikuan kur nënshkroi, i thanë të shkruante në fund edhe datën dhe e morën letrën sikur nuk vlente gjë.
“Kjo punë mbaroi për sot, po nuk përfundoi. Do ta vazhdojmë këtë bisedë edhe herë të tjera. Ke dëshirë të takohesh me ne edhe herë të tjera apo si e ke hallin?”
Zorani nuk kuptohej në tallej apo fliste seriozisht. Kurse Fejzua nuk kishte pike fuqie të përgjigjej. Vetëm murmuriti diҫka pa kuptim.
“Kemi edhe pak punë me ty dhe mbaruam… Mos u frikëso kaq shumë, ej. Po kthehemi edhe pak te Urbani. Ai ka autoritet e ne nuk kemi ndërmend ta vrasim e të krijojmë ideal lirie nga ai. Sepse ju shqiptarët keni prirje ta shndërroni në hero edhe atë që e keni luftuar për së gjalli, madje shpesh e keni luftuar me ne e i nxirrni edhe këngë kundër nesh… Po ne duhet ta vrasim për së gjalli atë. Me dorën tënde e të tjerëve si ti. Po nuk ndodhi vrasja morale e Urbanit nga ti e do si ti, ti do të jeshë viktimë, madje edhe nëse ik edhe në ndonjë shtet tjetër, madje edhe në skaj të botës. Ne të gjejmë kudo të shkosh dhe si e provove sot, hakmarrja jonë është e tmerrshme… Ore, pse dridhesh, po kupton a jo se ҫka duam nga ti apo jo?”
“Po,e kuptoj” – u dëgjua zëri i tij.
Polici kësaj radhe ia rrahu shpinën me dashamirësi.
“Ti nuk je i shkrimit, po ne të duam të shkrimit, pasi mendja deri diku të punon. Duhet të shkruash sa më pare një shkrim kundër Urbanit, duke e paraqitur atë si bashkëpunëtorë tonin. Trillo ҫka të duash. Mandej, po shumë më thellë duhet ta paraqesësh anën morale të Urbanit. Duhet të shkuash se ai nuk ka moral, se kalon me femra të mitura, se ka dashnore gratë e të gjithë miqëve e të njohurëve, se secila grua që shihet me të, më parë i është dhënë… Shkruaj se ai është vjedhës…krejt të këqijat e mundshme shkruaj për të e ne do të të shpërblejmë për mundin…”
Fejzua sikur nuk ishte më i kësaj bote. Po e futnin andej kah nuk kishte menduar kurrë se do të hynte,me asnjë kusht. Por…
“Pranon?”
“Po – tha, pa hezitim. Ku duhet të nënshkruaj?”
Zorani e polici qeshën.
“Nënshkrove. Ne nuk na duhet gjë nënshkrimi yt, po puna jote. Kuptove se me këtë po-në që shqiptove nuk shpëton më dot nga ne.Yni je, kudo të shkosh. Tash shko e dëgjohemi.”
Pas një jave Fejzo Dullci emigroi në Zvicër dhe pas një muaji shkroi një artikull tejet denigrues për Urbanin. Ky artikull bëri jehonë në Kosovë dhe dolën disa veta, të cilët nëpër kafene e ndeja thanë se ishin krejt të vërteta ato që thuheshin në shkrimin e Fejzo Dullcit, sepse edhe ata e njihnin Urbanin për të atillë.
Urbani nuk e tha kurrë as edhe një fjalë për këtë shkrim e as për ata që folën e folën kundër tij. Edhe pse e kam njohur Urbanin, nuk e kam të qartë në e ka lexuar ai atë artikull dhe nëse ka dëgjuar për fjalët që u thane për të.
(Inspiruar nga dhuna policore serbe kundër shqiptarëve të Kosovës, në vitet 90-të të shekullit të kaluar)

Dritëroi dhe "I përndjekuri i dashurisë"
Për Dritëroin, në këtë tetor të 82-të të lindjes së tij.
Nga Myzaljen Hoxha
Roli i shkrimtarit ose i quajtur ndryshe misioni i tij në
shoqërinë moderne është kompleks dhe determinues. Misioni i letrave Dritëroniane është evokimi dhe mbrojtja e gjithçkaje që është mbarënjerëzore te njeriu. Parimi i lartë letrar i tij është “Asgjë që është njerëzore nuk është e huaj për mua”.
Misioni i tij është, të hulumtoj rreth njeriut dhe kushteve të egzistencës dhe zhvillimit të shoqërisë. Dhe këtë e ka bërë, duke bërë më të mirën Dritëroi.
Dritëroi ka lëvruar në letërsinë e tij, zgjidhjen e raportit të indiferencës dhe injo-rancës, i cili e dëmton shoqërinë, por edhe të shpëtimit të tërë botës së djeshme dhe të sotme shqiptare prej stanjacionit dhe keqkuptimit të ndërsjelltë.
Vokacioni i Dritëroit është t`u shpjegoj njerëzve kuptimin esencial të së sotmes, e cila përmban farën e së nesërmes dhe shpresën për të ardhmen.
Në letërsinë e Dritëroit, sythi i së ardhmes zbulohet në themelin e së tashmes. Dritëroi e bën këtë fal tempullit të fjalës. Fjala Dritëroniane është ai çelës që hap fejzat e shpirtit të njeriut dhe ndërmjet tij, ai pasuron tërë jetën e shoqërisë shqiptare.
I mrekulluar nga trashgimia e tij letrare në prozë dhe poezi, por edhe të asaj letërsie të angazhuar në dobi të vetë zhvillimit të shoqërisë shqiptare, më janë tendosur indet e mëndjes dhe në nderim të mëndjes së ndritur, jetës së pasur dhe kontributeve madhore të Dritëroit në kulturimin e shoqërisë shqiptare, i dedikoj një poezi të dalë nga kombinimi i punës së zëmrës dhe intelektit tim, “FJALA”, por edhe për t`i bërë “shoqëri” poezisë së tij “Kujdes me fjalën….!”.
FJALA
Fjala,
e fuqishme kur thuhet.
Fjala,
e madhërishme kur shkruhet.
Në politikë,
fjala e keqe,
dera e hapur e kaosit.
Fjala e mirë,
një punë e vështirë.
Fjala,
si gjethja e pemës,
ku janë të dendura,
nuk fshehin fryt.
Fjala,
si dalta e skulptorit,
kur gdhend pjesët e tepërta,
artin krijon gjithkund.
Fjala,
kur ka politikë,
politika amorale,
jetë njerëzish shpërdoron.
Fjala,
kur ka moral,
morali politik zgjidh problemin,
që jetë njerëzish kryqëzon.
Fjala pa mendim,
kurrë nuk shkon tek Zoti.
Fjala e menduar mirë,
e shenjtë kur shprehet nga robi*.
E para është fjala.
E fundit, përsëri është fjala që gjallon.
Po njeriu ç’është ?
Është vetë fjala, tërë qenia jonë.
Misioni i Dritëroit është të luftoj për paqen dhe harmoninë shoqërore dhe lartësimin e shoqërisë në të cilën jetojmë. Ky rol i tij është i përcaktuar jo vetëm prej vendit të tij në letërsinë shqiptare dhe atë ndëreuropiane, por gjithashtu edhe prej shkallës së përfshirjes së tij në jetën publike.
Gjithë se jeta është burim i të gjitha frymëzimeve, Dritëroi për asnjë çast nuk ka injoruar problemet me të cilat përballen njerëzit përditësisht.
Shkrimtari, poeti dhe publicisti objektiv DRITËRO, nuk flet për vetveten, por zgjon vemendjen dhe parashtron veprimin e të tjerëve kundrejt temave të mprehta kulturore, politike dhe shoqërore të vendit. Besoj, se mendimi i thelluar eseistiko-politik i Dritëroit ka shkaktuar ndjeshmërinë e duhur tek individi. Ndjeshmëria nuk harrohet prej tyre, prandaj ai pretendon çfarë ka dëshiruar, sepse njerëzit harrojnë lehtë çfarë ju themi dhe çfarë ne bëjmë për ta, por kurrë nuk harrojnë ndjeshmërinë që ju shkaktojmë nga vlerësimi dhe mbështetja e interesave të tyre. Të mos harrojmë asnjëherë, se interesi është parimi kryesor që dominon drejtpërdrejt veprimet e njerëzve dhe i bën të angazhuar ata në kulturë, politikë dhe shoqëri.
Përfundimisht, kultura dhe politika tek Dritëroi janë si vlerë e njësuar, pra, si mjet i zgjidhjes së problemeve, por edhe si instrument i sigurimit të një gjuhe të përbashkët, me të cilën njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin. Brenda kësaj vlere universale shprehet edhe vizioni dhe veprimi i tij, pasi në letërsi një vizion pa veprim është një ëndërr, një veprim pa vizion është një kohë e humbur dhe vizioni me veprimin bashkë, mund të ndryshojnë dhe ndryshojnë jetët tona.
Vizioni i Dritëroit është arti i të parit të së padukshmes në procesin e ndryshimeve kulturore, politike dhe sociale bashkëkohore. Ai ka ekspozuar dhe dënuar të gjitha manifestimet e të këqijave, kudo ku ato janë shfaqur.
Dritëroi na mëson shumë, dhe me statusin e tij Intelektual.
Inteligjenca e tij është aq vepruese sa edhe përcaktuese në veprimin e përbërësve të saj, mbi raportet e së mirës dhe së keqes, të zhvillueses dhe bllokueses deri tek ndërtimi i besimit dhe shkaktimit të mosbesimit tek njerëzit. Duke e identifikuar dhe barazuar inteligjencën e tij, si nocion me idenë, burimin e së mirës ai e kërkon pikërisht këtu, te Ideja. “Idetë janë faktorët që mbartin qytetërimin. Ato krijojnë ndryshimet. Ka më shumë “dinamit” në një ide se sa në shumë bomba”- thotë metodisti i shquar ame-rikan Xhon Vinsent.
Pra, tek Dritëroi, Inteligjenca është jo vetëm një mekanizëm biologjik i aftësisë për të menduar dhe vepruar dhe që ka efektin mbi mënyrën e sjelljes mbi të tjerët, por edhe si aftësi e përftuar për të përshtatur vetveten me gjendjet e reja të jetës. Inteligjenca e Dritëroit është aftësi për njohje dhe njohje për t’u zotëruar dhe përdorur. Ajo sipas tij, që e dëmton shumë intelektualin është mungesa e qëndresës. Qëndresa në letërsi dhe politikë e Dritëroit është shëmbulli më i mirë emancipues për shoqërinë. Ai, edhe për shkak të moshës kur nuk e ka ndjerë rininë rreth tij, ai vetë është bërë sërisht i ri. Vitaliteti është tipari intelektual më i qenësishëm i Dritëroit.
Qartësia e mendimit nëpërmjet kujdesit të gjuhës sipas Dritëroit është fillimi i zgjidhjes së çdo problemi. Në qoftë se nuk do të bëjmë kujdes me fjalët që shprehim mendimin tonë, që e përdorim në jetën publike, të tjerët do të bëhen “shurdhë”, por të ndjeshëm për të kontestuar atë që fshihet pas fjalëve.
Gjuha mund të shpreh çdo sfumaturë emotive, por funksioni i përdorimit të drejtë-përdrejtë të saj është shprehja e arsyes njerëzore në procesin e komunikimit.
Është pikërisht, Arsyeja Njerëzore, bukuria dhe pushteti i gjuhës së Dritëroit.
Në këto ditë të tensionit të rritur të krizës politike dhe të identitetit, të kërcënimit të dizintegrimit, pozicioni qytetar i Dritëroit dhe cilësia e punës kreative e tij, po e bënë vital shëndetin moral dhe klimën intelektuale të shoqërisë sonë, në të cilën ne jetojmë dhe jemi jo më pak të impaktuar prej letërsisë dhe artit Dritëronian.
Gjithashtu misioni i Dritëroit ka qënë i përgjegjëshëm për vetë shoqërinë shqiptare. I vetëdijshëm për përgjegjësinë sociale të tij, ai ka qënë dhe është i angazhuar për mbarësinë e kësaj shoqërie.
Letërsia Dritëroniane ka gjetur shprehjen verbale në librat e tij. Librat e Dritëroit janë mishërim i maturimit të lartë të mendimit poetik, prozaik dhe pse jo, politik, që s`ka të krahasuar. Prandaj, askush nuk mund të ndryshoj vëndin e ndritur që zë Dritëroi në letërsinë shqiptare dhe atë europiane. Për të gjitha këto, themi me pastërtinë e gjuhës dhe forcën e shpirtit tonë, që letërsia e Dritëroit ka së pari, kënaqësinë estetike për të gjithë njerëzit, dhe së dyti, ajo ka marrëveshjen shoqërore me interesat e larta humane.
Letërsia e Dritëroit krijon dhe rikrijon jetën për çdo gjeneratë. Pa këtë letërsi, shoqëria dhe kombi ynë do të ishin vyshkur prej thatësirës së pakënaqsisë, në përsëritjen e mërzitshme dhe të pakuptimtë të ngjarjeve të vogla dhe të parëndësishme të jetës aparente. Kur jeta duket monotone dhe e vdekur, letërsia Dritëroniane menjëherë zgjon dhe ngre shpirtrat tanë, mbi zhurmën dhe pluhurin e egzistencës së rëndomtë shoqërore. Ajo shfaq dritën për të ndriçuar mendjet tona. Është qartësia e mendimit, pasuria e ideve, fuqia artistike dhe intensiteti kulturor që e bëjnë letërsinë Dritëroniane një ndjeshmëri dhe dobi të madhe për njerëzit. Ajo është një simpati dhe dashuri për të vërtetën, me anën e së cilës shpjegohet interiori i vetë qënieve njerëzore. Kjo inteligjencë krijuese sensitive me integritet humanistik, ka bërë gëlimin e ideve, ngjizjen e shpirtit intelektual, jetësimin e fateve dhe ëndrrave njerëzore dhe më tej, atë të vetë kombit tonë.
Letërsia e Dritëroit ka dashur dhe do, të ndryshoj mëndjet e njerëzve, dhe pastaj të ndryshoj botën tonë për t`a bërë atë të jetuar për njerëzit. Dritëroi në letërsinë e tij kurrë nuk gjykon njerëzit, por ai di t`i mësoj ata si ta jetojnë cilësisht jetën. Ai na mëson se, nëse do të gjykojmë njerëzit, ne nuk do të kemi kohë t`i duam ata, ashtu sikurse dashuria e tij për jetën, njerëzit dhe kombin nuk e ka “shoqen” në tërë zhvillimin historik dhe të tashëm të shoqërisë sonë.
Dhe ja kush është dashuria e tij, në poezinë “ I Përndjekuri i Dashurisë ” :
“I Përndjekuri i Dashurisë ”
Unë jam i burgosuri yt
Rroj me prangat që t`i më ke vënë
Po çudi as qelia s'më mbyt
Dhe s'më mbyt as dritarja e zenë.
Kur t`i prangat m'i hodhe në mish
Unë i putha duart e tua
Është rast i pashembullt ta dish
Që xhelatin ta puth e ta dua.
I përndjekuri yt erotik
I përndjekur të mbetet gjithmonë
Erotim i mirë a i lig
Hidhmi duart në fyt, torturomë.
Ky burgim sa do zgjasë s'e di
I përjetshëm do kisha dëshirë
Veç t`i eja më shih në qeli
Të përndjekurit tënd i vjen mirë.
Ndryshimi ndërmjet dashurisë dhe gjykimit për njerëzit është progres shoqëror. Progresi është i pamundur pa këtë ndryshim, dhe ata të cilët nuk mund të ndryshojnë mendjet e tyre, nuk mund të ndryshojnë asgjë. Ai i cili
refuzon këtë ndryshim, është “arkitekt” i dështimit. I vetmi institucion human që refuzon progresin është varreza, prandaj, njerëzit si DRITËROI nuk ndryshojnë me kohën, por ai ka ndryshuar dhe ndryshon vetë kohën.
DRITËROI është vetë koha jonë.
__________________________
Fier, më 16 Tetor 2013
Myzaljen Hoxha
Eseist

Mittwoch, 16. Oktober 2013
Albert Zholi dhe “Hiret e një gruaje bionde”
Nga Agim Bahrami
Ditët e fundit ka dalë në riqarkullim, libri me tregime “Hiret e një gruaje bjonde”, me autor Albert Zholin. Autori është i njohur për librat e tij publicistikë, për analitikën e kujdesshme mbi problemet e emigracionit dhe për dy vëllime me tregime. Është eksperienca e gjatë në fushën e letrave që e kanë mbarsur autorin me ide të reja në lëvrimin e një stili të ri eksperimental duke sjellë një hop tejet cilësor në këtë vëllim me tregime. Që në titullin e tij, libri të thithë në hullinë e një misteri të përjetshëm njerëzor, me të cilën historia e letërsisë na ka mësuar ti skalisë nga Homeri e deri në ditët tona. Në gjashtë tregimet e këtij libri do të skaliten në mendjet tona llojet e dashurive nga ajo njerëzore, tek dashuria instiktive, interesi e deri tek dashuria e madhe që nuk njeh barriera dhe skaje, por mbin aty ku ka ndjenjë të sinqertë. Ajo është jokonvencionale, e papërlyer dhe shumë herë e fshehtë dhe dinjitoze. Nëpërmjet një narracioni të thjeshtë të personazheve, por mbi të gjitha një fantazie për tu patur zili ne mësojmë rrokapjekjet e njeriut për të gjetur vetveten, për të arritur pikën kulminante të fizicitetit dhe lumturisë fizike e cila asnjëherë nuk mund të planifikohet, e mbi të gjitha të nënshtrohet por gjithnjë mund të ëndërrohet dhe të zaptohet me forcën e shpirtit dhe duke luftuar edhe me gabimet dhe mosfatin.
Me një penë ngjyruese, autori na përshkruan situata dhe hamendësi që vijnë si rezulta t i një ekperience të mirëfilltë mendimi dhe njohje të psikologjisë njerëzore dhe të ligjshmërisë sociale dhe njerëzore ku jetojnë personazhet e skalitur nga pena e Zholit. Autori ka shpërthyer jashtë klisheve dhe vrarjendërgjegjeve të tepërta që të gjitha përthithen nga koha në mënyrë të cuditshme. Është koha me mësimet e saj që rrjedh me një shpejtësi marramendëse dhe që në vend të moralit krijon jetën dhe veprimet e personazheve , dhe në fund është vetë mësimi i kohës dhe i ndjenjës ai që jep shtysën për të gjetur zgjidhjen. Autori ka pikasur formën tragjike të realitetit njerëzor, gabimet dhe deformimet që natyra njerëzore ia shtyn përditmërisht njeriut të gjunjëzohet duke e bërë shpesh viktimë të fjalës, modernizmave, ekstravagancave e tolerancave të dëmshme për jetën e tij. Krejt në mënyrë të sinqertë ai ka skalitur në këto tregime përballjen e personazhit pozitiv me atë negativ duke sjellë një format të Shqipërisë së kohës pa moralizuar dhe mbi të gjitha pa stereotipe. Sepse ndodh cuditërisht kështu…
Ky libër sjell një mentalitet të ri tek lexuesi shqiptar. Ai pikëtakon njeriun ideal dhe rrethanën e ambientit, shoqërisë dhe pasojave të saj drejt një zgjidhjeje positive. E ndërsa autori na bën të imagjinojmë një pjesë të jetës së përditshme, ai në të njëjtën kohë arrin të na ofrojë oazin e lumturisë së njeriut, që është mirëqënia dhe dashuria njerëzore, një idil që ai e ka skalitur me përsosmëri.
Bjondet kanë sherruar botën dhe janë symbol i gruas tradhëtare. Ky mentalitet zotëron dhe në gjuhën frazeologjike shqiptare ku thuhet”bjonde vagabonde”. Ky fakt, tejet gjenetik duket se nuk përbën më një faktor në botën e tashme, ku misku kozmetik na konfuzon në natyralitetin femëror. E megjithatë është ky gen i lashtë, ky fatalitet i cilësuar bjond që na tërheq njëmendazi në librin e fundit të autorit Albert Zholi, Hiret e një gruaje bjonde. E ndërsa e lezojmë, përkundërshtohemi. Tregimi nga është perifrazuar ky titull është një mësim për burrat megallomanë dhe strikt, që e shohin femrën mbas një akuariumi paragjykimesh dhe mendësish, që i vendosin kufij dhe forma të cuditshme, pa njohur brendinë dhe rëndësinë e të qënit në radhë të parë njeri dhe më pas femër. Njeriu gjithnjë nxitet nga forma, e jashtmja e bukura, duke rënë kështu në rrjetën e djallit.
E ndërsa nga kjo piknisje titullohet një vëllim me tregime, gjithcka tjetër në këtë libër është një rrugëtim drejt të njohurës e të panjohurës njerëzore që është shpirti. Autori ka sjellë një mentalitet të ri në letërsinë shqipe, duke e pastruar rrëfimin e tij nga klishetë dhe nga manierat që shumë herë krijojnë persona falso. Ai ka ditur të skalisë figurën e femrës herë si një viktimë e mentalitet shqiptar, herë si një instrument interesi, herë si një të përdalë pa skrupuj e herë si një viktimë të modernizmit. Por, gjithnjë duke e përballur me dikë më të pjekur, autori ka arritur të gjejë zgjidhjen ideale, që është filli që përshkon gjithë rrëfimistikën e tij. Dashuria në të gjitha format e saj të bukura, të shëmtuara, te pamoralshme apo jashtëmartesore triumfon. Dhe kjo përbën një ideal sa të guximshëm dhe të vërtetë. Dashuria egziston dhe përbën një vlerë të pallogaritshme të librit dhe personazheve që përditë përplasen me monotoninë, shfrytëzimin, interesin dhe injorancën;të gjitha këto tipare që sjellin vdekjen e saj.

Mittwoch, 2. Oktober 2013
Aurela Topi - “Violinë malli”
Shkruan Hyqmet Hasko
Poezia si akt midis rebelimit,
shenjtërimit dhe profecisë
Rreth përmbledhjes me poezi “Violinë malli” të autores Aurela Topi
Poezia është një akt më shumë se i zakonshëm, diçka midis shenjtërimit dhe profecisë, që na përgatit ne lexuesve të saj për një katharsis të fortë etik, fiilozofik, estetik, ekzistecial. Në këtë këndvështrim, të flashësh për poetin dhe poezinë është gati e pamundur, njësoj sikur të flasësh për kode transhendetale, që largohen pambarmisht nga fokusimi fillestar.
Këto po bluaja jo rastësisht në mednje, ndërsa kisha shfletuar për herë të dytë librin me poezi “Violinë malli” të autores Aurela Topi. Kemi të bëjmë me një poezi të ndjerë, plot lirizëm e ngrohtësi, me sens të fortë vëzhgues dhe interpretativ, me ngjyra të ndezura të pasionet dhe virtytit njerëzor.
Poezia e Topit është e veçantë, e thjeshtë në dukje, me varg të shtruar, të rregullt e muzikal, nga njëra anë, por me një nerv të brendshëm plot nëntekste, nga ana tjetër. Poetja fokuson në vargun e saj përditshmërinë, unin e saj, brendësinë e gjërave në raportet e thyera midis dukjes dhe thelbit. Ajo vështron përtej asaj që shohim ne të gjithë, në vijat e lakuara të së pavetëdijshmes, që shpesh janë përcaktuese në jetën e gjithëkujt.
Imtësirat, detajet e gjetura dhe fine ushqejnë me “lëndë të parë” mbresat, përjetimet, imazhet, gjendjet e poetes, e cila nuk shtiret në asgjë, nuk sforcohet në asnjë varg, por ashtu me zemër në dorë na përcjell botën e saj të trazuar, ngjyrat dhe dritëhijet e jetës.
Kemi të bëjmë me një poezi të prekshme, që nuk ka nevojë për të “shtrydhur trutë”, siç thuhet në gjuhën e popullit, për të kuptuar mesazhet që burojnë prej saj. Pa rënë në thjeshtëzime, por duke ruajtur befasinë e zbulimeve të befta poetike, poetja na përcjell një minibotë të përndezur nga lufta, puna, dashuria njerëzore, tentativat e njeriut të lirë për t’u çliruar nga hijet e vetvetes dhe merimangat molepsëse të të tjerëve.
Kur lexon poezinë e Topit ndjen ritmet e vrullshme të jetës, pasionin dhe përkushtimin njerëzor, luftën e brendshme psikologjike dhe shpirtërore të autores për t’u ngritur mbi muranat dhe tabutë e kota të kohës, që shpesh janë varrmihëse të poezisë.
Të jeshë vetvetja, ajo që je, e vetërealizuar dhe pa komplekse ndaj gjithçkaje që të rrethon, kjo është si të thuash kredoja e poetes, mundësia e saj në luftën e radhës, për triumfin e sistemit të vlerave. Poetja nuk bën zhurmë, ajo vjen dhe ikën si hije, me vargjet e saj pa bujë e deklamacion, por që pasi iu shkon në fund, iu rikthehesh për të rigjetur dhe rizbuluar befjet dhe magjitë e tyre…
Tregtare të bëhem kurrë s’mundem,
Nuk di të mburr, po nuk më pëlqeu,
Pemën e mendimit kurrë s’e shkund
Po s’u poqën frutet nga qielli, nga dheu…
Aurela është emigrante dhe e vështron veten në relievin e dheut të huaj, por duke u rrekur të integrohet tok me bashkëemigrantët e tjerë, zbulon raportet e reja të njeriut me vetveten, me gjeografinë, historinë, të ndodhurat e të përjetuarat, etj.
Larmia tematike, mosrendja pas “temave të mëdha”, por projeksioni i gjërave në dukje të vogla e të zakonshme si shtrati ku ajo vendos vektorin e saj poetik, e bëjnë poezinë e Aurelës të ndjerë e të freskët. Poetja “nuk tregton fjalën”, por tenton të zbulojë rrënjët e vetvetes dhe të kohës së saj, në një përpjekje sizifiane, siç janë të gjitha përpjekjet e denja për dashuri dhe pasione njerëzore.
Preludi i veprës poetike të Aurelës është kërkimi i misterit të ëndrrëimit, kërkim që poetja e çon në çdo cep të botës shqiptare, e shetit në çdo bjeshkë e krua, e ushqen me pasionin e një kërkuesje të etur për jetë e ngrohtësi njerëzore dhe e nis të shumohet në mijëra e mijëra këngë dashurie e shprese për kohën e botës shqiptare.
Poezia e saj buron nga një ndjeshmëri e lartë substanciale dhe liriko-meditaive dhe kjo natyrë e shkrimit poetik duket se po zë gjithnjë e më shumë vend në analet e letrave poetike kombëtare, sidomos në këto kohët e fundit të çlirimit të tyre nga të gjitha pengesat dhe jashtësitë që, në një farë mënyre, e pengonin një gjë të tillë. Kjo poezi, që kultivohet në shtratin e një pathosi dramatiko-lirik sjell me vete mesazhe të befta dhe shumëkuptimëshe, qoftë ndjesore, qoftë konceptualo-shkrimore.
Ka shumë pika ku mund të kërkosh dhe të gjeshë të veçantën e poetikës së Topit, por mendoj se risia kryesore e poezisë së saj është befasimi poetik, përcjellë me mjete të thjeshta, freskia e figurave dhe kontrapunti që na vjen nga gjetjet e saj origjinale.
Ajo që e bën të dallueshme poezinë e Topit nga simorat e saj është vokali shumëgjyrësh mediativ, ritmi herë i matur, herë i vrullshëm, figurat e gjalla dhe të shtrira në të gjithë elemenetët strukturorë dhe konceptualë të poezisë, vrulli i fjalës dhe thellësia e ndjenjës dhe mendimit. Imazhet që na përfton poezia e saj janë imazhe flu, dehëse e trallisëse, me një kondicionim shpitëror të denjë për kujtesën, përjetimin, emocionin, imazhin, tekstin dhe nëntkestin, që përftohet nga e gjitha.
Një poezi dinamike, që rrok hapësira jete në lëvizje, gjendje dehëse e të vagullëta njëherësh, një verb atdhetarie që përndizet në vatrat e përflakura të metaforës, ku e dukshmja dhe e padukshmja, e thëna dhe e nënkuptuara rrinë së bashku në të njëjtin vektor dhe shprehin një botë ideo-emocionale plot drithërima shpirti, plot thyerje e digresione, siç është vetë jeta njerëzore që ajo plazmon në poezinë e saj. Kështu mund të përcakothet në vija të përgjithshme poezia e Aurela Topit, e cila na përcjell një botë të thyer, plot ritme dhe vrulle, siç është vetë jeta e saj në lëvizje, drejt dashurisë universale.
Në analizë të fundit, mund të themi se kemi të bëjmë me një poete shumë serioze, që ka sjellë trajta të veçanta estetike në vargjet e saj, ose më saktë të themi të pangjashme me askënd tjetër, me një zë interensant, që me origjinalitetin dhe spinatintetin e tij duket se ka bërë dhe do të bëjë akoma më shumë në të ardhmen shumë lexues për vete, në të gjitha hapësirat e shqiptarisë, tashmë të unifikuara në vektorin estetik, i cili mund të themi se është vektori më i prekshëm i shpirtit dhe i gjuhës sonë kombëtare.
Fakete Rexha - Katër rrëfenja
KOKË MË KOKË
- Nënë, si u njohe me babin?...
- E gjeta të vetmuar. Më buzëqeshi. Ishte ai që më njohu mua.
- Cfarë të premtoi babi pasi që të njohu?
- Asgjë. Përveq tjerash, unë i blija dhurata. Gjërat që i pëlqenin. Gjërat që i donte. Dhe gjërat që i kanë munguar në jetë. Vetëm që ta bëja të lumtur. Por kot! Aq e shkurtër lumturia në të.
- E pasi u linda unë?
- Vinte rrallë në shtëpi. Ishte i përhumbur, sa që se shihja. Ishte apo s'ishte me ne. E, ndodheshim në luftë.
- Nënë, po ndoshta babi s'na donte! Ose, ndoshta ka dëshiruar të jem djalë! Prandaj iku e na la!.
- Ai, zemra e nënës, të siguroj që s'na urrente. Por, i duhej të shkonte te ajo. Shkaku i së cilës na mashtronte. E vazhdonte paturpësisht të na mashtronte.
- E, lufta në Kosovë, ty që tu hakmorr me djegie në zemër? A e dinte ai këtë gjë?
- Po, zemra ime, e dinte. Por, me krejt ato fatkeqësi mua shpresa kurrë s'më lëshoi. S'ka rëndësi që ai kurrë s'gjeti kohë, madje as pesë minuta të më ngushllonte.
- Nënë, a thua babi kthehet një ditë?
- Bija ime, të gjitha rrugët tua te pragu i tij kryqëzohen. Por, jo të tijat te pragu ynë. Kur të rritesh edhe pak, ti vetë mund të zgjedhësh nëse do. Mes meje dhe atij. Por, ai kurrë s'mund të zgjedh mes meje dhe teje.
- Nënë, unë asgjë s'po kuptoj nga këto që më thua. Blla...blla...blla...!
- Oh, e gjora ime. E di. Ti ke vetëm tetë vjet. E është ende herët për të dhënë më shumë shpiegime. Yt at një ditë vetëm hapi derën dhe iku. Pasi që kishte bartur me çanta gjërat e tija. S'di nëse të kujtohet? As na pati shikuar. Asnjë fjalë s'na e tha. Lamtumirë sëpaku. Ose mirëupafshim. Pata nënqeshur që të mos qaja. Me shpresën se s'e ka me gjithë mend. E do të kthehet. Ti, bija ime ende asgjë s'po kuptoje. Ende. Se ç'po ndodhte në të vërtetë. Ngaqë kurrë s'na pa duke u përlarë. Ditë më pas, pasi iku yt at, unë shumë u mërzita. Tepër vuaja. Që iku nga shtëpia. Iku nga ne dyja. Qelësin e derës kur ma la në dorë. Kësaj here me të vërtetë.
- Nënë, të dua. Unë, ty shumë, shumë të dua. Sa qielli... Ti je nëna...mëëë....e bukur.......nëëë...botëëë...ëë
- Fli! Fli zemra ime! Kuptimi i jetës sime. S'ke përse qan, as përse mërzitesh. Ja ku e ke nënën tënde pranë. Ti mund të llogaritësh gjithnjë në mua. Kurse, atij do t'ia mbaj mend. Cdo padrejtësi deri në hollësi. Sepse vetëm në këtë mënyrë mund ta harroj.
- Po, si do t'ia bëjmë vetëm ne dyja, pa babin?
- Oh, shpirti im i bukur. Mos ke frikë. Se mal jam unë, ku bora e zë borën. Mal që fluturon. Jam unë. Prandaj, mos ke frikë. Nëna është gjithmonë këtu!
- Nënë, a e do ende babin?
- Po siiiii? Zemra e bukur e nënës. Dhuratën e vetme e kam nga ai. Ty. Pasuria ime. E vetmja. Më e madhja e jetës!
- Nëëë..nënëëë...ëëë....ëëë.... e dua babin! Babi...ëëë....më mungon....
- Fli, zemra e nënës, e vogël, e artë. Fluturo e lumtur në ëndrra. Ruaj kujtimet e vogla për tënd at.
Fli shpirt!. Fli, gëzimi im. Shshshsh...shshshsh....shshshs
UNË E SHOKU IM I LUFTËS
Si fëmijë i lodhur buzëlumi ishe kur të gjeta. Me atë plogështinë e vullnetit të flashkët fëmijëror. Nën hijen e shelgjes vajtuese. Prag vjeshte, truç ulur në zall. Pranvera e vera muzg ishin shkrirë në ty. Kishin hyrë e dal secila pa të përqafuar as prekë me dorë. Pranverë isha e bukur kur t'erdha. Me krejtë pranverat e mia t'u strehova në gji. Si kurrë deri atëhere, kurrë tjetër njeri desha. Si ty. Derikur mbi kokë nisën të këndojnë gjinkallat. Mbigjunjëve tu duke llokoçitur tinguj të përjargur puthjesh. Takimeve tua buzëmbrëmje deri prag mëngjesi.
E, ishte luftë...
Qiellit të shqetësuar përvëlim shpërthenin bombat. Detonimet e zjarrta. Kuq. Pluhur. Flaka me dridhje e bubullimë. Nxinte e skuqte prapë qiellin. Në kohën kur ujku e qengji bashkë bëheshin. Ne dyja vetëm ishim. Më shumë vetëm se me ty. Hynte natë e zbardhte dritë unë me time bijë në prehër. Vështrimin e humbur nëpër terr, kërkonim dorën e njëra-tjetrës. Rrafsh me natën na zgurdulloheshin sytë. Zemrat rrafsh me tmerrin. Larg matanë dritares. Lart në dritën e hënës. Si çekan në tëmtha marramendja e vetmia e rëndë sall frikë. Anije e shqetësuar mes valësh shtëpia. E ne si mes deti që orë e çast përpinë. Dridheshim nga frika mendt na merreshin. Sytë na tereshin me pagjumësi. Gjihtnjë në të njëjtën kohë, pamja që shashtriste me orët e mërzitshme parambrëmjeve deri shtriqje t'agimit. Ne dyja vritnim kohën duke folur me sy.
Ishte luftë.
E, ti s'ishe me ne...
Ajo mi afronte elastikët dhe krehërin flokët t'ia lidhja gërshetë. Të holla fare ia lidhja për ta mbytur natën. Zë e shprish. Shprish e lidh sërish. Dhjetëra e dhjetëra herë. Prapa shpinës së saj duke qarë. Digjeshim me lot sa unë e sa qiriri. Fuqi s'kishim pranë, as vullnet të fortë frikën të na ulë. Ne dyja vetëm që ndodheshim. Më shumë vetëm se me ty. Madje, edhe tashmë shtrëngatat që kishin shpërthyer të luftës. Kishim rrezik. Përveq meje e sime bijë kush tjetër s'mbeti në lagje. Njeri që frymonte shqip. Edhe të tjerët që mbetën trembshëm kuvendonin. Sikur unë e ime bijë. Pa fjalë. Vetëm me buzë. E lëvizje të vogla shurdhër. Veshët në krah sall zemërim. Vështrimet e frikshme na hidhnin në përqafim të njëra tjetrës. Puthjet shtrëngueshëm. Përkdhelje fortë të ngjeshura. Cast pas çasti bënim si të ishte kjo mbrëmje e fundmja herë.
Ishte luftë.
Ti, s'ishe me ne...
S'ishe ngushëllimi. Fuqia. Mbrojtja. Ruajtja. Zgjidhja. Mbështetja. Por, kur ndodhte të ishe përherë qortoja veten. Mendja për keq që më kishte shkuar. Sepse ti shpejtë çfajësoheshe, zhvishje padrejtësitë. E unë prapë vazhdoja të të besoja. Ndoshta ngase kisha frikë. Në të katër anët lufta. Ti s'ishe me ne të ndiheshim të mbrojtura, ose pak më të sigurta. Mbrëmjeve kështu të vetmuara, zhvendosja e hijeve tona na mbillte tmerrin në shpirt. Sikur drita e hënës në dritare pemët që i bënë të lëvizshme, lulet kacavarëse i shndërron në qenie misterioze, në hije që lëvizin e rrethojnë shtëpinë. Pamja rrudhej oborrit deri përmasash të vogla. Sa të një thike bojëargjendi. Dorës e trupit me lara... Ti prapë s'ishe me ne.
E, ishte luftë....
Ne të prisnim. Orë e çast ty të prisnim. Më shpeshë se ty, konturet e zeza të na futen dhomës, ç'njerëzisht të na perëndojnë sytë. Qiellit që orë e çast mallëngjehej. Përsëritshëm pikëllohej. Shqetësohej vazhdimisht. Në vend se ti për ne. Cdo natë çast pas çasti që larg hapësirës vinin zëra. Hapa. Shkrepëtima të tmerrshme, të shpejta rrëmbyeshëm. Psherëtima. Rrapëllima. Krisje. Shushërima që të rrënqethnin shpirtin. Trualli nën këmbë na dridhej. Oh, me ç'mendime të çuditshme ushqeja mendjen e zemrën. Nga frika bijën time, me ditë të tëra e mësoja si të fshihet, mbrohet, e të ikë nga gjamallat e zinj. Sa troha, kështu e mësoja, fëmijën time të vogël. Aq net e net pa ty. Kur ti s'ishe me ne.
E, ishte luftë...
Dikur asnjë gëzim. Siguri as mbrojtje s'na jepte asnjë ardhje e jotja. Ti vetëm sa fshiheshe pas nesh. Me ne dyja mbuloheshe. Na e kishe nevojën. Si i krisuri me telall. Rrugën në dhomë ia humbe vetes dhe neve. As të vinte keq. Jo për ne. Por, për veten tënde. Zemrën tënde të varfër oh, me ç'ëndrra e ushqeja. Trupin tëndë që kishte njohur një jetë sall turbullira. Shqetësime. Pakënaqësi.
Tu thaftë krahu, burr!
Që kurrë s'na e dhe.
Në këmbë po ngritemi vetëm.
AI KUR MË TAKOI MUA
1.
Ai kur më takoi mua vetëm atëherë iu zgjuan ndjenjat e dhembshurisë. Ishte si një fëmijë i llastuar. Me ato moskokëçarjet e gëzueshme fëmijërore. Që ia kishte ndrydhur vetmia e tmerrshmle, ku kishte rrjedhë jeta e tij. Tani që e dinte se e doja, dashuria që po lindte në shpirtin e tij ishte si një agim i freskët. Ku shuheshin të gjitha ethet e saja të këqia. Takimet tona mjaftonin për ta mbushur me mendime të gëzueshme, zbrazëtirën e orëve të mërzitshme. Mbrëmjeve të mia në shtëpi dhe mbrëmjeve të tija kafenesë. Ai, si natyrë ishte i vetmuar. I pëlqenin qoshet, skutat e fshehta, terri e vetmia. Ku mund të jetonte i qetë vetëm me mendimet e tija. Gratë për të ishin botë e përsosur. Por, ende jo mirë e njohur. I shihte si botë pasionesh sensuale që turbullojnë mendjen. Dhe, me secilën që i kalonte pranë e kishte zemrën e kënaqur. Ato për të ishin sikur librat. Cdonjëra i pëlqente. Si ato që vlenin, si ato që shkruheshin brenda natës. Tek ai kishte kaluar dashuria dhe po kalonte përsëri. Kurse, unë ende kisha kohë të gëzohesha. Të isha e lumtur, të qaja, vuaja dhe të varrosja rininë time. Por, kurrë s'gjeta kohë të bindesha. Të besoja. Të shihja. Zemrën time se si po vdiste përsëri. Në vitet tona të para çdo gjë kishte pamje e kuptim tjetër. Prej njerëzve deri te gjësendet. Edhe rrugët, edhe bari, edhe gurët. Mbrëmjet ishin më të bukurat, më të ngrohtat. Kisha ndjesinë se përherë ishim në muajin maj me ajrin e freskët, gjethet e barin e njomë blert nënqiellit të pambukt të Prishtinës. Ishte qershor kur lidhëm miqësinë tonë. Me premtimin se e lidhëm si nyje të fortë litari. S'vonoi e dekada e parë na zuri me shira. Pastaj, tjetra solli borën që ne se përballuam dot.
2.
Skëterrë para nesh derdheshin netët e zeza. Skaj botës ishim të vetmuar. Kosova ende në luftë. E ne mezi të gjallë shpëtuam. Nga gjiri i ujërave të ndotura që përpinte gjithë ç'na kishte mbetur në mes. Ende pa u ndarë. Ende pa u veçuar. Kurrë më shumë ishim kaq afër njëri-tjetrit. E kurrë s'ishim më t'largët. Në mesin e asaj përmbytjeje ku orë e çast mund të na përfishinte rrëkeja. Valët më shtyenin kah vrima e zezë. Duke më përplasur mbrenda e hedhur jashtë sa ç'ishte e mundur. E ti s'po gjeje kohë as për t'më ngushlluar. Mua të cilën lufta e kishte djegur në zemër. Prisje fundin tim deri në çastin e mbram kur more sytë e vetullat në dorë. Dhe, si vjedhës ike me çantë. Siq ikje buzëmbrëmjeve shpeshëherë. Pa na shikuar drejtë në sy. Pa na përshëndetur. Pa na përqafuar. Premtuar ndonjë fjalë të lumtur në vesh, që jep shpresë. Pa as lamtumirë sëpaku.
Kohë mu desh murin ta kapërceja mes rrëkes. E, errësirën e dendur barrë që ma le pas shpinës. U shtrëngova e s'mbajta vesh as u verbova nga ai rrebesh. Prandaj, sot s'kam asnjë shqetësim. As për veten as për time bijë. Kur gjumi nga unë e ndanë papritur. Ngaqë e di. Shumë mirë e di, siq e di edhe ti si unë. Se nesër ti je ai para t'ardhmes që do të përgjigjesh. C'pate që ike e na le në shi!? E, kurrë ende s'na pyet. Mos gjë tjetër e keqe prapë na ka ndodhur. Ku shkove pasi neve na e humbe rrugën? Janë të vetmet gjëra që sot për sot neve na lidhin për ty. E, na bëjnë të lidhura fort të mendojmë për njëra tjetrën. Dashurisht. Dhembshurisht. Unë e ime bijë. Lidhur fort dy zemra.
Ishte prapë qershor si atëherë. Kur gjithë kjo na ndodhi. Dhe, prapë do t'vijë një tjetër. Me netët e bukura. Këndshëm si bar i gjelbër harlisur. Ja, qe gati u rrit ime bijë. Ndoshta, kur t'gjejmë kohë edhe do të flasim. Për vetminë dimrore. Netët tua në shi, me ngricë e dritë të hënës. Ku do të mërdhihesh. Ti e botë e yte e brendshme. Larg nesh. Larg zhurmave të dashura njerëzore.
DËGJOM E DASHUR
Rrallë të qortoj. Sepse e mirë po rritesh. E sjellshme. E dëgjueshme. Por, kur më ndodh, atëherë fshehem dikund. Pres sa të marri gjumi. Ulem e qaj në heshtje, në këndin tim të preferuar, në kuzhinë. Ky është këndi im ku zbrazi gjithë kënaqësinë dhe pikëllimin e ditës. Gjithmonë pasmesnate.
Ndërkohë pyes: pse?. Fëmijës sime ia ngarkova shpirtin me fjalë. E bëra me vaj. Zemrën e saj të vogël t'i dhemb. Kush jam unë për ta qortuar atë? A s'e kemi mjaft jetën për të na qortuar orë e çast. E koha aq e shkurtër për ta jetuar e për të na dhënë të drejtë. Të jetojmë e të vdesim me peshën e fjalës së hidhur në fyt. A është kjo e vetmja e drejtë që kemi mbi fëmijët tanë? Veç pse mundemi? Sepse jemi më të mëdhenj, më të fortë dhe vetëm pse ata na bënë Nënë. A është ky çmimi i dhembjes me të cilin kemi paguar praninë e tyre të dashur në jetë? ....e shumë, e shumë pyetje tjera që s'u gjej përgjigje.
Ngrihem me pikëllimin në shpirt e futem në dhomë. Shtrihem pranë teje në shtrat. Ti fle e ofshanë herë-herë në gjumë. T'i përkëdhel butësisht flokët, të shpërndara si një pahitëse, bisht pavode mbi nënkresë. Fytyrën, krahun tënd të majtë hedhur mbi mbulesën e shtratit. Të flas qetë, ulët, me zërin përgjysmë në vaj. E penduar falje kërkoj. Përpara Zotit. Ty pastaj.
Zemra ime e bukura. Tani që po fle. Dije edhe një gjë. Unë shumë, tepër fort të dua. Jam poaq krenare që kam një vajzë si ti. Kur të rritesh e bëhesh femer e pjekur. Bëhesh grua, nënë. Do të jesh larg meje. E unë e vetmuar prej teje larg. Do të vras kohën bashkë me mendimet duke kujtuar këtë kohë derisa ende jemi bashkë. Vetëm ne dyja. Të lumtura, të plotësuara në shpirt. Me dashuri plot që kemi për njëra tjetrën. Sa një liqe i madh, i thellë. Me pamjet e kthjellta të bukura rretheqark. Përnat si sonte do t'i kujtoj sytë e tu të fjetur. Flokët tua, të bukurat gërsheta rastësisht shpërndarë mbi nënkresën ngjyrëqumështi. Duke formuar te qafa jote si e mjellmës një hije të thellë të bardhë. E gjithmonë do të kujtoj siq të shoh. Si një mbretëreshë. Fjetur e zgjuar me yllin e artë në ballë. Ose, si drenushë duke vrapuar pas ëndrrave.
Pastaj, nga pendimi i thellë e pezmi i lutem zotit:
Ti, që pate vullnetin e bukur. Prehërin të na e mbushësh me lule. Jepna jetë e të thithim aromën e tyre. O Zot, zgjatjau dorën e ndihmoju të rriten. Shëndetshëm. Të zgjuar. Të lumtur. Të gëzuar. Ata, që duan lirinë e vet. Kënaqësinë për të jetuar. E dëshirën për jetën pabrenga. Se fëmijët o Zot, janë arti ynë e muzika e botës.
Pastaj, ngrihem dhe shkoj në dhomën time. Bëj ajar sahatin. Ngreh mbulesën. Fik dritën. Futem në shtrat. Dy duart nën faqen time të djathtë. Pres derisa më kapërdin gjumi.
Të nesërmen zgjohem në mëngjes bashkë me zilen e sahatit. Me puthje e përkëdhelje, ty të zgjoj nga gjumi. Para se të ngrihesh shtratit m'i shtrin duart e bardha si qumështi. Për një kohë ke dëshirë të më varesh lëngshëm në qafë. Më përqafon. Më puth. Ngrihesh. Han mëngjesin. Vishemi secila në dhomën e vet. E nisemi. Unë në punë. Ti në kolegj. Ditën e bekuar e marrim në dorë ti këndej, e unë andej rrugës me autobus.
Marrë nga vëllimi " Bota e vogël e Beri Lu"
Xhemajl Rudi - “Për ty Lerta”
NGJYRIMI PERSONAL
I POEZISË
Në rrafshin e krijimtarisë poetike në një mënyrë thuajse çdo gjë vetvetiu personalizohet dhe bëhet një metaforë individuale. Edhe nëse kjo dromcë nuk është aq reale, brenda kontekstit artistik patjetër bëhet e tillë esencialisht. Dhe, megjithëse në aspektin krijues kjo është krejt e parëndësishme, prapëseprapë nevojitet të theksohet për shkak të lidhshmërisë që kanë gjërat midis tyre. Në fund të fund, mbase duhet ta kemi të qartë se zanafilla e çdo gjëje vjen nga jeta e njeriut, nga qenia e tij, nga përjetimi. Dhe e gjithë kjo më pastaj bëhet përfytyrim imagjinativ i cili është thelbësor për artin poetik.
Pra në radhë të parë duket se poeti është njeri që pushtohet nga ndjenjat e tij, nga vizionet, perceptimet, gjykimet etj. Si rezultat i kësaj mund të thuhet se edhe poezia është dëshmi artistike e gjithë asaj çfarë përjeton ai në një moment të caktuar jetësor.
Prandaj, edhe në momentin kur e lexojmë vëllimin poetik “Për ty Lerta” të autorit Xhemajl Rudi, gjithsesi krijojmë një përshtypje të ngjashme, e cila duket sheshit se kap përmasa të gjera personale në kuptimin e një metafore artistike. Në këtë rast, duke qenë i vetmi preokupim dashuria, pra e dashura e tij me emrin Lerta, ai qaset me tërë energjinë dhe përqëndrimin e vet për ta shpalosur atë me një fuqi të jashtëzakonshme emocionale. Teksa e lexojmë nga njëra poezi në tjetrën, në tërësi vërehet se kemi të 4
bëjmë me një lloj ditari lirik për këtë ndjenjë të vazhdueshme e të pavdekshme, e cila manifestohet me trazime të mëdha shpirtërore, me përplasje të njëpasnjëshme, me ballafaqime ëndërrimtare etj., të cilat nuk mund t‟i zbojë dot edhe sikur të dojë, por vetëm i lartëson me një pasion të pashoq.
Në këtë kuptim rrjedhimisht arrin të konceptohet bota dhe jeta e tij, ku në qendër të vëmendjes medoemos është Lerta, ëndrra dhe realiteti që transformohen gjithë kohën e lume, herë duke u shfaqur njëra e hera tjetra, si dy situata të pashmangshme jetësore të autorit. Thjeshtëzimi ose përqëndrimi i jetës personale kryekëput vetëm brenda kornizave të dashurisë që identifikohet me vashën e quajtur Lerta, është një dimension poetik shumë i theksuar të cilin autori e shtjellon deri në fund të këtij libri. Pra sido që të shikohet shtrirja e lëndës poetike, gjithmonë do të kuptohet se dashuria është një ekskluzivitet poetik, se Lerta është gati një kryeperëndi, çdo gjë i përket vetëm asaj, sepse ato ia dhuron vetë poeti si qenie e dashuruar deri në skajshmëri.
t’i fala të gjitha
edhe netët
edhe ditët
edhe zemrën
ta fala frymën e nesërme
Autori ekziston vetëm për të dhe për asgjë tjetër, prandaj është zotuar që ta krijojë metaforën më personale dhe më të çiltër për sa i përket të dashurës. Dhe në bazë të kësaj ai e përcakton të tashmen dhe të ardhmen e tij, duke zhbiruar çdo kujtim të ngulitur në kokë, duke shprehur çdo dëshirë të zjarrtë, sepse kjo është një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, një barrë përplot dhembje e ankth. Dhe gjithmonë emërues i përbashkët i kësaj odisejade shpirtërore mbetet Lerta për të cilën gjallon ai deri në përjetësi. Ajo është vizion i gjallë që nuk e lë të qetë e gjakftohtë, por e rrëmben dhe e pushton thellësisht. Atë e identifikon kudo; në natyrë, në gur, në qiell, në ujë. Me një fjalë, çdo gjë që e sheh gjithandej hapësirës, thjesht i duket se e ka vetëm hijen dhe aromën e saj, çdo zë që e dëgjon, po ashtu i duket se flet ajo. Pra Lerta është dhembje dhe krenari, është brengë dhe lumturi, është jetë dhe vdekje, është kohë dhe hapësirë etj. Prandaj edhe bredhja nëpër kohë është bredhje pas saj. Edhe kur ajo s‟është, ai dëshiron ta ribëjë, ta rigjejë, ta risjellë ashtu siç e ka parë, siç e ka përjetuar.
Pikërisht kjo distancë bëhet aq më joshëse, aq më nxitëse, më torturuese. Duke qëndruar në këtë pozicion hiperaktiv, ai aq më shumë e potencon atë brenda poezisë, për ta fuqizuar në mënyrë artistike ndjenjën që ka për të si qenie e dashur. Gjithçka shpërthen si një delir personal duke e lënë shpirtin të vijëzohet lirshëm përgjatë ecurisë së shprehjes. Në këtë kuptim dashuria është bërthamë themelore, identifikim i vazhdueshëm, ushqim i brendshëm që e
mban gjallë njeriun dhe poetin. Vetëm duke qëndruar brenda orbitës së saj ku sillet Lerta si frymë dhe si vizion, ai arrin t‟i japë kuptim të vërtetë ekzistencës njerëzore.
E gjithë kjo flet qartë se poezia e Xhemajl Rudit është tepër shpirtërore, e shkulur nga thellësia e qenies dhe e shndërruar në metaforë. Nëpërmjet kësaj trajte lirike ai ndërton një ditar të dashurisë personale, lë një testament emocional për të që si e si të mbetet si perceptim filozofik dhe artistik. Prandaj, në bazë të kësaj mund të konstatohet se poezia e tij mbetet forma më e pastër dhe dëshmia më e besueshme e një qenie njerëzore që dashuron marrëzisht dhe denjësisht. Pra prej saj kuptojmë se dashuria ekziston vetëm për njeriun, por edhe anasjelltas, njeriu ekziston vetëm për dashurinë. Jashtë kësaj lidhsmërie dialektike, nuk ka kuptim jeta njerëore. Xemajl Rudi na e sjell këtë përjetim nëpërmjet vargjeve poetike të cilat kanë ngjyrim të thellë personal.
Ahmet Selmani
_____________________
Marrë nga "Ora shqiptare" në FB ku u publikua nga autori i librit

Dienstag, 1. Oktober 2013
Asllan Qyqalla dhe “Nimfa e zemrës së lënduar”
Shkruan Zejnepe Alili - Rexhepi
- Mbi librin “Nimfa e zemrës së lënduar”, të Asllan Qyqallës
Vizioni ndaj botës krijuese, imagjinatës dhe përjetimit, të mbledhura tok, në nënqiellin ku bashkëvepron autori i librit: “Nimfa e zemrës së lënduar”, Asllan Qyqalla, të lë përshtypjen se frymëzohet prej emocionesh, të cilat mjeshtërisht e formësojnë strukturën kompozicionale të tregimit.
Teksa e mora dorëshkrimin e Asllan Qyqallës, sikur një parandjenjë më orientonte në personalitetin e autorit me faktin që bën jetë artistike…, dhe vërtet në brendinë e prozave pikasa aftësinë krijuese të tij, si një ndërlidhje e pashkëputur me atë që njihet “vetëdije e personazhit”, përmes së cilës kornizohet vetë jeta, që nga formimi intelektual e moral, e gjithashtu edhe formimi i vetëdijes kombëtare.
I ndarë në dy pjesë: tregime dhe skica, libri ofron gërshetim të bukur tematik, me shumë fraza të sajuara me shije artistike, përmes të cilave ngërthehet tharmi i jetës. Madje, vetë procesi i thyerjes së njësive tematike, kur nga tema erotike, kalohet në atë sociale, meditative, pastaj atë të atdhedashurisë…, sidoqoftë në të fashiten vizione për një perspektivë të përgjithshme, në suaza të artit të shkruar.
Në disa nga tregimet, si bie fjala, ai që hap siparin e këtij libri të mrekullueshëm “Nimfa e një zemre të lënduar”, e pasuar nga “Nën pushtetin e stinës” dhe skica: “Bukurinë ua vodhe luleve”, janë frymëzim i asaj ndjenje përndezëse që gjithësecilit i bëhet flakadan moshe që u ndrrit ëndrrat rinore. Këto proza, janë pleksur si një simfoni e bukur, melodia e së silës u ngjiz nga ëndje të pafundme të kopshtit edenik, ku në epiqendër vihet erotizmi, si një stoli delikate, siç është vetë femra. Poashtu, narracioni i dendur dhe dinamizmi i frazave në to, të lënë përshtypjen se brenda tyre ka një dell ftillimi prozash poetike.
Vijnë bukur, në këto proza, edhe disa shkëputje imagjinative, herë në formë kujtimesh…, përcillen me dialog që zakonisht përçon entuziazëm, ndonëse mund të jenë dialogje të paktë, por arrijnë të të tërheqin në labirintin e leximit, që më pas të të joshin me stilin rrëfimor. Edhe këtu, herë-herë ndodh alternimi i dialogut, teksa i lë vendin narratorit të nënkuptuar.
Libri, “Nimfa e një zemre të lënduar” pra, karakterizohet edhe me përfshirjen e narratorit, i cili dukshëm, është i angazhuar për lidhjet detajore, herë pas here duke ia lëshuar vendin dialogut që e rrit intenzitetin e veprimit dhe përqëndrimin e personazheve, që së bashku bëjnë pjesën e pandashme të ngjarjeve. Personazhet, gjegjësisht kryeheronjtë, megjithëse janë të paktë, ata e fosforizojnë veprën, për të mos krijuar imazhin se çdo gjë është e blertë, optimizëm me çdo kusht, do thoja…, por përkundrazi, e ndjerë e reale, si sajesa që logjikshëm e pleksin shtjellimin. Kështu, prozat: “Kalvar rrugësh” dhe “Në grafikën e shpirtit të një azilanti”, e reflektojnë shkathtësinë artistike, për të përçuar po emocione të veçanta përjetimesh, edhe tek lexuesi.
Tregimi “Një natë e acartë” dhe skica “Në grafikën e shpirtit…”, pasqyron sagën kosovare, mjaft tronditëse për botën e civilizuar, e mbi të gjitha për bijtë e saj, brenda dhe jashtë atdheut. Në këto dy proza, sakrifica e shqiptarëve përshkruhet përmes një dhimbjeje të thellë, por të matur, veçmas në tregimin “Një natë e acartë”, ajo pothuajse i përngjet përshkrimit tronditës të Janis Ricos, tek vepra “E largëta”, ku kufomat e shpërndara gjithandej, flasin si statuja të heshtura…, dhe tregimi i Qyqallës shpreh dhimbjen ashtu të matur, ku megjithatë, të duket sikur mbizotëron pavarësia e heshtjes, sepse fundja, arti ka subtilitetin e vet, që nga një herë ngulmon të mbetet në konturat e ëndrrës dhe së bukurës.
Tëhuajësimi dhe dhembja e individit, e përshkruar nga autori, në tregimin “Një natë e acartë”, përafron mjaft me artin migjenian, në veçanti me një tregim të së njëjtës tematikë, “Bukuria që vret”, një konceptim i hollë mbi socialen, si gjendje reale e atdheut. Po vallë, mund të zhbëhen sot, pamjet tronditëse të përshkrimit migjenian? Thjesht, është e pamundur, ato vazhdojnë të mbeten relikte të çdo kohe!
Proza “Në grafikën e shpirtit…”, e vë lexuesin para kulminacionit të konfliktit, aty ku do të duhej të gjendet zgjidhja e atyre njerëzve që në ëndrrat e tyre e kishin sajuar parajsën…, me një trajektore si: vendlindje – Igelheim, ndërsa atje ku i kishte shpënë udhëtimi pa kahje të sigurtë, ata gjetën vetëm lodhjen, përbuzjen dhe trishtimin për të nesërmen edhe më të pasigurtë. Kjo, në të vërtetë qe trajektorja e brengëdhimbjes së shqiptarit azilant. Përgjithësisht, prozat e Asllan Qyqallës i kanë të dyja pamjet, pikërisht si vetë trishtimi dhe lumturia e jetës…, sfidat e të sotmes për rimëkëmbjen e së nesërmes.
Po me një shpresë të fuqishme për jetën, për të ardhmen më të bukur, janë kompozuar skicat: “Se mos nga ti do marrë dikush mësime”, “Të kisha një vajzë si Mira”, “Vesa” dhe “Bija ime na gëzo”. Gjithashtu, këtij sfondi tematik, mendoj se i përket edhe skica “Sikur të fitoja”. Në këto proza, heroina bartëse të ngjarjeve dalin kryesisht femra entuziaste, të cilat e luftojnë patriarkalizmin e mbetur në fshatrat e largëta të malësisë. Pavarësisht sfidave, ato nuk dorëzohen përpara barierave të shumta, andaj secila prej tyre, qoftë: Mira, Hava, Vesa…, dinë si të ndryshojnë jetën në favor të tyre, e me këtë janë të vetëdijshme se do ta ndryshojnë mbarë shoqërinë shqiptare. Prandaj, me të drejtë, edhe autori i libri, si mbështetës i optimizmit të tyre, i koncepton ato, si rreze dielli që vijnë pas një dimri të acartë, sepse shpresa e tyre dikur e largët, e paarritshme, ndonëse e vënë përballë pengesash të shumta, sa vjen e bëhet realitet.
Të gjitha këto shqetësime të autorit, A. Qyqalla, në parim vijnë nga bota e çiltër e një krijuesi, i cili përmes artit përcjell mesazhin kuptimplotë të atdhedashurisë, si preokupim parësor i gjendjes, në të cilën ndodhet atdheu i tij dhe realisht ky është mozaiku i harkuar i një shpirti të ndishëm ndaj mallit për vendlindjen, nënën, lulet e zogjtë…, ato që shumëkujt i japin lumturinë e pafundme. Prozat ndërthuren prej mjaft metaforash, si figura më të spikatura, po shpesh edhe pyetja retorike e eksklamacioni, janë përdorur me sens, në disa skica.
E tërë vepra vjen si një grafikë, ku shpirti që bredh me kohën, ka ruajtur me shumë dashuri, frymëzimet e një moshe, përjetimet e veçanta të jetës, ku pasioni nuk ndrydhet nga bota shpërfillëse. Ky frymëzim shpërthyes, në veprën e Asllan Qyqallës, shte i pritshëm, apo…? Mendoj se, s’kishte si të ndodhë ndryshe, sepse shpërthimin ideo-emocional që e sajon një frymëzim i fortë, një mall i patretur strukur skutave të shpirtit, nuk e ndrydh dot as përgjumja, madje as …ëndrra! Ai frymëzim, një ditë, mjeshtërisht jetësohet në prozë! Urojmë që po këto gjurmë, të prijnë në shpirtin e lexuesve me botë artistike brenda tyre!
Abonnieren
Posts (Atom)