Donnerstag, 17. Oktober 2013

Dritëroi dhe "I përndjekuri i dashurisë"

Për Dritëroin, në këtë tetor të 82-të të lindjes së tij.

Nga Myzaljen Hoxha

Roli i shkrimtarit ose i quajtur ndryshe misioni i tij në
shoqërinë moderne është kompleks dhe determinues. Misioni i letrave Dritëroniane është evokimi dhe mbrojtja e gjithçkaje që është mbarënjerëzore te njeriu. Parimi i lartë letrar i tij është “Asgjë që është njerëzore nuk është e huaj për mua”.
Misioni i tij është, të hulumtoj rreth njeriut dhe kushteve të egzistencës dhe zhvillimit të shoqërisë. Dhe këtë e ka bërë, duke bërë më të mirën Dritëroi.
Dritëroi ka lëvruar në letërsinë e tij, zgjidhjen e raportit të indiferencës dhe injo-rancës, i cili e dëmton shoqërinë, por edhe të shpëtimit të tërë botës së djeshme dhe të sotme shqiptare prej stanjacionit dhe keqkuptimit të ndërsjelltë.
Vokacioni i Dritëroit është t`u shpjegoj njerëzve kuptimin esencial të së sotmes, e cila përmban farën e së nesërmes dhe shpresën për të ardhmen.
Në letërsinë e Dritëroit, sythi i së ardhmes zbulohet në themelin e së tashmes. Dritëroi e bën këtë fal tempullit të fjalës. Fjala Dritëroniane është ai çelës që hap fejzat e shpirtit të njeriut dhe ndërmjet tij, ai pasuron tërë jetën e shoqërisë shqiptare.
I mrekulluar nga trashgimia e tij letrare në prozë dhe poezi, por edhe të asaj letërsie të angazhuar në dobi të vetë zhvillimit të shoqërisë shqiptare, më janë tendosur indet e mëndjes dhe në nderim të mëndjes së ndritur, jetës së pasur dhe kontributeve madhore të Dritëroit në kulturimin e shoqërisë shqiptare, i dedikoj një poezi të dalë nga kombinimi i punës së zëmrës dhe intelektit tim, “FJALA”, por edhe për t`i bërë “shoqëri” poezisë së tij “Kujdes me fjalën….!”.

FJALA

Fjala,
e fuqishme kur thuhet.
Fjala,
e madhërishme kur shkruhet.

Në politikë,
fjala e keqe,
dera e hapur e kaosit.
Fjala e mirë,
një punë e vështirë.

Fjala,
si gjethja e pemës,
ku janë të dendura,
nuk fshehin fryt.

Fjala,
si dalta e skulptorit,
kur gdhend pjesët e tepërta,
artin krijon gjithkund.

Fjala,
kur ka politikë,
politika amorale,
jetë njerëzish shpërdoron.

Fjala,
kur ka moral,
morali politik zgjidh problemin,
që jetë njerëzish kryqëzon.

Fjala pa mendim,
kurrë nuk shkon tek Zoti.
Fjala e menduar mirë,
e shenjtë kur shprehet nga robi*.

E para është fjala.
E fundit, përsëri është fjala që gjallon.
Po njeriu ç’është ?
Është vetë fjala, tërë qenia jonë.

Misioni i Dritëroit është të luftoj për paqen dhe harmoninë shoqërore dhe lartësimin e shoqërisë në të cilën jetojmë. Ky rol i tij është i përcaktuar jo vetëm prej vendit të tij në letërsinë shqiptare dhe atë ndëreuropiane, por gjithashtu edhe prej shkallës së përfshirjes së tij në jetën publike.
Gjithë se jeta është burim i të gjitha frymëzimeve, Dritëroi për asnjë çast nuk ka injoruar problemet me të cilat përballen njerëzit përditësisht.
Shkrimtari, poeti dhe publicisti objektiv DRITËRO, nuk flet për vetveten, por zgjon vemendjen dhe parashtron veprimin e të tjerëve kundrejt temave të mprehta kulturore, politike dhe shoqërore të vendit. Besoj, se mendimi i thelluar eseistiko-politik i Dritëroit ka shkaktuar ndjeshmërinë e duhur tek individi. Ndjeshmëria nuk harrohet prej tyre, prandaj ai pretendon çfarë ka dëshiruar, sepse njerëzit harrojnë lehtë çfarë ju themi dhe çfarë ne bëjmë për ta, por kurrë nuk harrojnë ndjeshmërinë që ju shkaktojmë nga vlerësimi dhe mbështetja e interesave të tyre. Të mos harrojmë asnjëherë, se interesi është parimi kryesor që dominon drejtpërdrejt veprimet e njerëzve dhe i bën të angazhuar ata në kulturë, politikë dhe shoqëri.
Përfundimisht, kultura dhe politika tek Dritëroi janë si vlerë e njësuar, pra, si mjet i zgjidhjes së problemeve, por edhe si instrument i sigurimit të një gjuhe të përbashkët, me të cilën njerëzit të komunikojnë me njëri-tjetrin. Brenda kësaj vlere universale shprehet edhe vizioni dhe veprimi i tij, pasi në letërsi një vizion pa veprim është një ëndërr, një veprim pa vizion është një kohë e humbur dhe vizioni me veprimin bashkë, mund të ndryshojnë dhe ndryshojnë jetët tona.

Vizioni i Dritëroit është arti i të parit të së padukshmes në procesin e ndryshimeve kulturore, politike dhe sociale bashkëkohore. Ai ka ekspozuar dhe dënuar të gjitha manifestimet e të këqijave, kudo ku ato janë shfaqur.
Dritëroi na mëson shumë, dhe me statusin e tij Intelektual.
Inteligjenca e tij është aq vepruese sa edhe përcaktuese në veprimin e përbërësve të saj, mbi raportet e së mirës dhe së keqes, të zhvillueses dhe bllokueses deri tek ndërtimi i besimit dhe shkaktimit të mosbesimit tek njerëzit. Duke e identifikuar dhe barazuar inteligjencën e tij, si nocion me idenë, burimin e së mirës ai e kërkon pikërisht këtu, te Ideja. “Idetë janë faktorët që mbartin qytetërimin. Ato krijojnë ndryshimet. Ka më shumë “dinamit” në një ide se sa në shumë bomba”- thotë metodisti i shquar ame-rikan Xhon Vinsent.
Pra, tek Dritëroi, Inteligjenca është jo vetëm një mekanizëm biologjik i aftësisë për të menduar dhe vepruar dhe që ka efektin mbi mënyrën e sjelljes mbi të tjerët, por edhe si aftësi e përftuar për të përshtatur vetveten me gjendjet e reja të jetës. Inteligjenca e Dritëroit është aftësi për njohje dhe njohje për t’u zotëruar dhe përdorur. Ajo sipas tij, që e dëmton shumë intelektualin është mungesa e qëndresës. Qëndresa në letërsi dhe politikë e Dritëroit është shëmbulli më i mirë emancipues për shoqërinë. Ai, edhe për shkak të moshës kur nuk e ka ndjerë rininë rreth tij, ai vetë është bërë sërisht i ri. Vitaliteti është tipari intelektual më i qenësishëm i Dritëroit.
Qartësia e mendimit nëpërmjet kujdesit të gjuhës sipas Dritëroit është fillimi i zgjidhjes së çdo problemi. Në qoftë se nuk do të bëjmë kujdes me fjalët që shprehim mendimin tonë, që e përdorim në jetën publike, të tjerët do të bëhen “shurdhë”, por të ndjeshëm për të kontestuar atë që fshihet pas fjalëve.
Gjuha mund të shpreh çdo sfumaturë emotive, por funksioni i përdorimit të drejtë-përdrejtë të saj është shprehja e arsyes njerëzore në procesin e komunikimit.
Është pikërisht, Arsyeja Njerëzore, bukuria dhe pushteti i gjuhës së Dritëroit.
Në këto ditë të tensionit të rritur të krizës politike dhe të identitetit, të kërcënimit të dizintegrimit, pozicioni qytetar i Dritëroit dhe cilësia e punës kreative e tij, po e bënë vital shëndetin moral dhe klimën intelektuale të shoqërisë sonë, në të cilën ne jetojmë dhe jemi jo më pak të impaktuar prej letërsisë dhe artit Dritëronian.
Gjithashtu misioni i Dritëroit ka qënë i përgjegjëshëm për vetë shoqërinë shqiptare. I vetëdijshëm për përgjegjësinë sociale të tij, ai ka qënë dhe është i angazhuar për mbarësinë e kësaj shoqërie.
Letërsia Dritëroniane ka gjetur shprehjen verbale në librat e tij. Librat e Dritëroit janë mishërim i maturimit të lartë të mendimit poetik, prozaik dhe pse jo, politik, që s`ka të krahasuar. Prandaj, askush nuk mund të ndryshoj vëndin e ndritur që zë Dritëroi në letërsinë shqiptare dhe atë europiane. Për të gjitha këto, themi me pastërtinë e gjuhës dhe forcën e shpirtit tonë, që letërsia e Dritëroit ka së pari, kënaqësinë estetike për të gjithë njerëzit, dhe së dyti, ajo ka marrëveshjen shoqërore me interesat e larta humane.
Letërsia e Dritëroit krijon dhe rikrijon jetën për çdo gjeneratë. Pa këtë letërsi, shoqëria dhe kombi ynë do të ishin vyshkur prej thatësirës së pakënaqsisë, në përsëritjen e mërzitshme dhe të pakuptimtë të ngjarjeve të vogla dhe të parëndësishme të jetës aparente. Kur jeta duket monotone dhe e vdekur, letërsia Dritëroniane menjëherë zgjon dhe ngre shpirtrat tanë, mbi zhurmën dhe pluhurin e egzistencës së rëndomtë shoqërore. Ajo shfaq dritën për të ndriçuar mendjet tona. Është qartësia e mendimit, pasuria e ideve, fuqia artistike dhe intensiteti kulturor që e bëjnë letërsinë Dritëroniane një ndjeshmëri dhe dobi të madhe për njerëzit. Ajo është një simpati dhe dashuri për të vërtetën, me anën e së cilës shpjegohet interiori i vetë qënieve njerëzore. Kjo inteligjencë krijuese sensitive me integritet humanistik, ka bërë gëlimin e ideve, ngjizjen e shpirtit intelektual, jetësimin e fateve dhe ëndrrave njerëzore dhe më tej, atë të vetë kombit tonë.

Letërsia e Dritëroit ka dashur dhe do, të ndryshoj mëndjet e njerëzve, dhe pastaj të ndryshoj botën tonë për t`a bërë atë të jetuar për njerëzit. Dritëroi në letërsinë e tij kurrë nuk gjykon njerëzit, por ai di t`i mësoj ata si ta jetojnë cilësisht jetën. Ai na mëson se, nëse do të gjykojmë njerëzit, ne nuk do të kemi kohë t`i duam ata, ashtu sikurse dashuria e tij për jetën, njerëzit dhe kombin nuk e ka “shoqen” në tërë zhvillimin historik dhe të tashëm të shoqërisë sonë.

Dhe ja kush është dashuria e tij, në poezinë “ I Përndjekuri i Dashurisë ” :

“I Përndjekuri i Dashurisë ”

Unë jam i burgosuri yt
Rroj me prangat që t`i më ke vënë
Po çudi as qelia s'më mbyt
Dhe s'më mbyt as dritarja e zenë.
Kur t`i prangat m'i hodhe në mish
Unë i putha duart e tua
Është rast i pashembullt ta dish
Që xhelatin ta puth e ta dua.
I përndjekuri yt erotik
I përndjekur të mbetet gjithmonë
Erotim i mirë a i lig
Hidhmi duart në fyt, torturomë.
Ky burgim sa do zgjasë s'e di
I përjetshëm do kisha dëshirë
Veç t`i eja më shih në qeli
Të përndjekurit tënd i vjen mirë.

Ndryshimi ndërmjet dashurisë dhe gjykimit për njerëzit është progres shoqëror. Progresi është i pamundur pa këtë ndryshim, dhe ata të cilët nuk mund të ndryshojnë mendjet e tyre, nuk mund të ndryshojnë asgjë. Ai i cili
refuzon këtë ndryshim, është “arkitekt” i dështimit. I vetmi institucion human që refuzon progresin është varreza, prandaj, njerëzit si DRITËROI nuk ndryshojnë me kohën, por ai ka ndryshuar dhe ndryshon vetë kohën.

DRITËROI është vetë koha jonë.
__________________________

Fier, më 16 Tetor 2013
Myzaljen Hoxha
Eseist

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen