Samstag, 26. Dezember 2015

Pakoha shqiptare

Shkruan: Rrahim Sadiku

(Parathënie e librit “Kosova” të Branislav Nushiqit, botuar në gjuhën shqipe nga Shtëpia Botuese “Zgjimi” e Ferizajt)

Krimet e kriminelët ndaj shqiptarëve

Veprimtaria e quajtur diplomatike, por tejet antishqiptare e hegjemoniste e Nushiqit, në Kosovë, u zhvillua në momentin më të pavolitshëm për shqiptarët, mu në mbarim të shekullit XIX dhe në fillim të atij XX, kur Turqia po dridhej nën peshën e trysnive të shteteve të fuqishme të kohës e nga problemet e brendshme, që e kishin rënduar e varfëruar secilën pjesë të saj. Edhe për shqiptarët, të cilëve u ishte shtuar edhe dhuna dhe trysnia tejet e egër e fqinjëve, gjendja ekonomike dhe shoqërore ishte bërë e padurueshme dhe për ta kishte aguar një kohë shumë shumë kritike, e cila po i shpiente gjithnjë e më shumë drejt greminës. Serbia punonte me të gjitha mjetet që kishte për ta kthyer këtë gjendje tëpavolitshme në agoni e vdekje. Populli jetonte në kushte jashtëzakonisht të vështira, varfëria kishte kapluar secilin, kurse amullia dhe apatia ishin bërë gjithëpërfshirëse. Nushiqi e studion dhe përdoron këtë gjendje, për qëllime të shërbimit të fshehtë të shtetit të Serbisë dhe të aktiviteteve diplomatike që zhvillonte në qendrat e vendosjes ky shtet. Kështu, ai bëhet personazh i njohur për asimilimin e shqiptarëve ortodoks dhe për lidhjen e tyre me kishën serbe. Megjithatë, në shkrimet që boton dhe në relacionet që dërgon në organet e shtetit të tij, që merreshin shumë intensivisht me veprimtari për aneksimin e trojeve shqiptare, e të Kosovës në veçanti, shpesh jep edhe fakte reale, që mbesin dëshmi e qëndrueshme e asaj kohe. Kjo vlen sidomos për banorët e Kosovës, që gjithnjë janë shumicë shqiptare, kurse përqindja e serbëve asnjëherë nuk e kalon dhjetëpërqindëshin. Ai vepron, ndikon dhe kushtëzon me të gjitha mjetet për asimilimin e shqiptarëve, duke u nisur nga bashkëkohësi i tij, Jovan Cvijiqi, i cili në shkrime të botuara serbisht e në shumë gjuhë botërore, ngulte këmbë se shqiptarët e Kosovës, po edhe të shumë viseve të tjera, ishin vetëm serbë të shqiptarizuar. Cvijiqi shpiku termin Serbi e Vjetër për Kosovën, kurse Nushiqi dhe të tjerë e trumbetuan dhe u munduan ta shndërronin në realitet. Të gjitha këtyre sulmeve dhe rreziqeve, me të cilat i kishte rrethuar Serbia, po edhe shtetet tjera fqinje, shqiptarët nuk kishin as mundësi e as kapacitet shkencor e njerëzor që t’u kundëviheshin. Prandaj edhe ndodh moskoha shqiptare, e cila i jep krahë krimit kundër tyre dhe favorizon e ushqen kriminelët e tyre. Nushiqi, Cvijiqi e Rakiqi ishin vetëm tre nga ata.


Tre nga shumë përgatitës të pushtimit serb të Kosovës (që ndodhi më 1912)

Në mbarim të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX, Serbia, që kishte fituar një stabilitet realitiv si shtet dhe e përkrahur nga politika pansllaviste e Rusisë e nga disa shtete të tjera, shprehte hapur pretendimet e saj për dominim në Ballkan dhe vepronte me të gjitha mjetet për përgatitjen e terrenit, që me rënien e Perandorisë Osmane, e cila tashmë ndjehej, të pushtonte sa më shumë toka, sidomos ato shqiptare, për të cilat kudo thoshte se historikisht i përkisnin asaj, ashtu si synonte edhe zgjërim në veri, në territore hungareze e ndaj territoreve kroate. Pretendimet e saj ndaj Panonisë i realizonte përmes Klubit kulturor “Matica Srbska” të Novi Sadit; pretendimet ndaj Bosnjes i realizonte Klubi çetnik “Mlada Bosna” me seli në Sarajevë dhe për habi veprimtaria e tyre nuk pengohej nga Austrohungaria, e cila si perandori, nuk shihte ndonjë rrezik real nga shtet i vogël serb. Vetëm me rastin e atentatit në Sarajevë, kur tashmë ishte vonë, Austrohungaria e kuptoi se sa kishin punuar serbët brenda saj, e sidomos pas pushtimit të madh që bëri politika e më vonë ushtria serbe, në Panoni.
Kosova dhe viset tjera shqiptare zinin vend të veçantë në planet hegjemoniste serbe dhe për këtë u punua pa ngutje, së pari përmes klerit vendor, serbosllav e filoserb, mandej duke kërkuar favore për serbët e Kosovës nga Perandoria Osmane, që realizohej përmes kërkesave ultimative ndaj Portës, të përkrahura automatikisht nga Rusia, që e bënte Turqinë të lëshonte udhë për hapjen e shkollave serbe, për futjen e detyruar të serbëve në institucione shtetërore dhe për trajtimin adekuat ligjor të tyre, po që shikuar me të tjerët, ishin privilegje shumë të mëdha. Duke i shfrytëzuar këto privilegje, spiunë e vrasës serbë endeshin nëpër Kosovë të papenguar ose të veshur me petkun e klerikut ose të njeriut të përkushtuar për krijimin e kushteve për veprimtari kulturore e fetare serbe, dhe nga kjo rezultoi hapja e punkteve për llogari të shtetit serb pothuaj kudo, madje edhe në ato vendbanime ku ishin qoftë edhe 20 familje serbe. Kur i kishte arritur këto, Serbia vlerësoi se kishte ardhur koha e saj e pritur dhe dërgoi njërin pas tjetrit në Kosovë diplomatët dhe intelektualët më të spikatur që kishte. Përfaqësuesit serbë, të ardhur në Kosovë kishin emër e reputacion edhe në rrethe intelektuale botërore dhe i njohnin shqiptarët e rrethanat e jetës së tyre deri në imtësi. Kjo u mundësonte të kishin ndikim dhe të bënin propagandë të pashoqe, për të futur te ortodoksët besimin se Serbia ishte shpëtimi i të robërurarëve nga Turqia. Me ardhjen në Kosovë, realisht e me sukses, ata punuan për të përgatitur terrenin për pushtimin e trojeve shqiptare, për çka mblodhën të dhëna, për nevoja ushtarake, për kushtet e jetës së njerëzve, për disponimin e tyre ndaj Turqisë e ndaj Serbisë dhe të gjitha i dërguan në qendrën e përpunimit në Beograd, duke filluar nga të dhënat më të imta e deri te ato më të mëdhatë. Pa shkuar shumë kohë Serbia kishte të dhëna të sakta për banorët, gjendjen e rrugëve, gjendjen ekonomike të vendit, për qytetet, fshatrat, urat, po edhe për për lidhjen e familjeve shqiptare me kombëtraren etj. Ata realisht e trasuan pothuaj po u rrezikuar nga askush, rrugën e pushtimit sa më të lehtë të Kosovës. 
Tre nga diplomatët, krijuesit dhe shkencëtarët serbë, më të shquarit e këtij vendi në atë kohë, e kryen me përkushtimin më të madh misionin e ngarkuar nga qeveria e tyre e ata ishin: Branisllav Nushiqi, komediograf, udhëpërshkrues e konsul i Serbisë në Prishtinë; Jovan Cvijiqi, gjeograf me famë botërore, themelues i disa disiplinave të reja gjeografike, i cili disa vjet me radhë punoi e studioi terrenin në Kosovë e në vise të tjetra shqiptare, prej nga botoi studime të hollësishme për tokën, njerëzit, pasuritë etj. të cilët më shërbyen edhe si manuale ushtarake. Ishte edhe Milan Rakiqi, poet kombëtar serb (konsul i Serbisë në Prishtinë, pas Nushiqit) i cili me shkrime të ulëta u mundua të mbillte kudo disponimin antishqiptar, sidomos në rrethe intelektuale botërore. Ai dërgoi të dhëna të detajuara për ato që ndodhnin e çka duhej të ndodhnin në Kosovë, që ajo të pushtohej më lehtë dhe për të legjitimuar pushtimin që po përgatitej. Këto të dhëna, shumë interesante dhe tejet antishqiptare ai i botoi pasataj në librin “Letra konsulare”.
Për fat të keq e për neglizhencë të historiografisë shqiptare, vepra dhe veprimtaria antishqiptare e këtyre tre diplomatëve e shkencëtarëve antishqiptarë, për shqiptarët ka mbetur sot e gjithë ditën pothuaj e panjohur, edhe pse ata kanë të botuara vepra e kanë lënë pas edhe shumë dokumente sekrete, të cilat gjenden në arkive dhe të cilat mund të ishin publikuar e ishin studiuar nga historianët tanë.


Nushiqi, Kosova dhe shqiptarët

Koha, kur në Kosovë po ushtronte aftësitë e tij diplomatike dhe po nxirrte në dukje antishqiptarizmin e tij të thellë Nushiqi, ishte ajo kur Serbia kishte shtrirë ndikimin e saj në shumë vende të Evropës, kur politika serbe nuk shihte rrezik nga lëvizjet shqiptare e nga idetë e tyre për formimin e shtetit shqiptar, sepse në horizontin e rrjedhave ballkanike, botërore dhe brenda Perandorisë Osmane nuk dukej asgjë që ta përkrahte e mundësonte këtë. Atë kohë Serbinë dhe politikën serbe e mundonte qenia fizike e shqiptarëve dhe ajo donte ta heqte edhe atë pak rrezik që i vinte prej tyre, kështu që Nushiqi, Cviqiqi dhe Rakiqi, krahas mbledhjes së informatave me karakter ushtarak e tërësorë, që do ta hapnin rrugën e pushtimit, kishin detyrë të vazhdueshme etiketimin, fajësimin dhe paraqitjen e shqiptarëve si popull jashtë kohe e jashtë hapësire. Donin ta bënin këtë sa më heret, që kur të vinte koha për eliminin e tyre fizik, askujt të mos i vinte keq për këtë dhe kështu kjo ndërmarrje të kalonte pa u vërejtur. Këtë gati edhe e kishin arritur, në shumë aspekte. Kësaj politike të ndytë e këtyre synimeve gjakatare u ndihmojnë në shumë aspekte edhe vetë shqiptarët me shkapërderdhjen e tyre dhe nga fakti se lufta për çlirim kombëtar ende nuk kishte marrë formë dhe përmbajtje të duhur. Ende nuk ishte zgjidhur dhe përqafuar nga i gjithë kombi çështja e alfabetit. Nuk kishte në moment e as në horizont ndonjë figurë emblematike shqiptare, që të kishte fuqi ndikimi politik dhe organizativ, i cili do të bashkonte fijet e shpërndara të kombit. Mu në kohën kur po forcoheshin shtetet me aspiratat më gllabëruese të mundshme ndaj trojeve shqiptare, jeta për shqiptarin ishte gjithnjë e më e rëndë dhe ai ishte i detyruar të bëhej shërbëtor i të gjiithëve, për të mbetur fare pak i vetes.
Nushiqi, shpesh dhe me dashje, bën sikur nuk i dallon shqiptarët nga turqit, edhe pse pas pak faqesh e thekson këtë dallim, për të përbaltur sa më shumë paraardhësit e tij. Kur flet për turqit, ai shprehet: “Rrethanat e brendshme e kanë lënë shumë prapa Kosovën, të cilat vijnë si pasojë e sundimit të një populli të pakulturuar”. Por ai shpesh mundohet të hyjë edhe në çëshjtje të së kaluarës së këtij trualli dhe pohon se dukuria e latinizimit të popullsisë ilire kishte ndodhur që me ardhjen e pushtuesëve romakë, prej nga pastaj erdhi këtu feja krishterë, ashtu si erdhën edhe popuj e ndikime të shumta. Por ky pohim i tij është i paqëndrueshëm, sepse në territoret ilire kishte të krishterë edhe para se krishtenizmi të bëhej fe zyrtare në Romë. Kur flet për turqit, Nushiqi thotë se turq nuk ka në Kosovë dhe se kudo dominon shqipja, edhepse nuk përdoret në adminstratë. Vetëm 16 familje serbe ishin atë kohë (fundi i shek. XIX) në rrethin e Novo Bërdos. Nushiqi njeh disa lloje shqiptarësh: të pasurit janë turq, të ardhurit janë muhaxhirë, disa të papërcaktuar e disa kombinim popujsh. Jetën e shqiptartëve ai e sheh shumë të pakuptimtë, shqiptarët i sheh si papunëtorë, të dhënë pas ndejave e gjahut, pa ndonjë kujdes për pamjen e shtëpisë, pa kushte normale jetese në dhomat e tyre. Varfërinë e fshatarëve ai e sheh tek kasollet, tek veshja gjithë arna, te mungesa e luleve dhe gjelbrimit në oborre, te mungesa e pemëve dhe drunjëve në hapësira të tëra. Ai pohon se dikur vendbanimet e shqiptarëve kishin, së paku, zabele përreth, por se edhe ata ishin zhdukur, sidomos pas ardhjes së muhaxherëve. Ai te shqiptarët sheh njerëz të larguar nga dëshira për punë, që jetojnë sot për sot e pa shikime ardhmërie dhe sikur të painteresuar për asgjë. Po dallon edhe disa nga ata që kanë pasuri, ndjenjë kombëtare e synime për të qenë dikushi dhe të atillët i cilëson si rrezik për serbët. Në shumë pjesë të librit ai përmend cincarët, që janë ilirë (shqiptarë të sllavizuar) dhe diku pohon se edhe ai është cincar.
Sipas Nushiqit, feja ortodokse në Kosovë ishte pronë e serbëve dhe serbë ishin të gjithë ata që nderonin e besonin këtë fe. Kjo “pronësi” e proklamuar nga ai bëri dhe ndikoi dukshëm për përgatitjen e një pjese të madhe të shqiptarëve ortodoks të Kosovës të serbizoheshin, si kemi rastet në Neredime, Gaçkë, Viti, Kamenicë, Novo Bërdë e kudo në Kosovë. Kjo veprimtari e tij ndikoi që shumë fshtra ortodokse shqiptare të serbizoheshin dhe më pas të viheshin në shërbim të plotë të politikës dhe të antishqiptarizmit serb. Nushiqi përvetëson shumë zakone, tradita dhe ngjarje historike shqiptare, duke i quajtur si serbe, madje edhe besën, edhe pse ajo nuk njihej fare nga serbët, as si normë e as si kuptim. Madje ai thot se: “Shqiptarët e Kosovës nuk e mbajnë më “besën” dhe se kinse “Fjala e tyre nuk është e besueshme”. Në anën tjetër, ai e diplomatët dhe shkencëtarët tjerë serbë, që vijnë të veprojnë në Kosovë, tregohen shumë të përulur ndaj pushtetarëve turqë, që këta të mos e kuptonin dhe pengonin veprimtarinë që bënin, po sa herë u jepej rasti shpifnin të gjitha të zezat e mundshme për shqiptarët. Prandaj, kurdo te Nushiqi na del në dukje koncepti shtetëror serbomadh dhe ngulmimi për të ardhmën e Kosovës, si pjesë të shtetit serb.


Disa pohime e mohime të Nushiqit

Nushiqi ishte në shërbim të politikës hegjemoniste serbe dhe të gjitha krahasimet për Kosovën i bën me Serbinë e asnjëherë me Shqipërinë. Megjithatë, ai pohon: “Kur fillon epoka historike e njerëzimit, i gjen në Kosovë Dardanët, një fis ilir, të cilët i banonin rajonet rreth Skardës së vjetër apo të Sharrit të sotëm.” Për të shtuar më pas: “Luginën e Kosovës, të ujitur shumë të plleshme, të pasur me ari, argjend e xehe të tjera; me bukë, verë dhe ushqime të tjera për njerëz e për kafshë, si e thonë edhe anelet tona, sigurisht që nuk kanë mundur t’i tejkalojnë ata pushtuesë, të cilat që nga fillimi i shekullit IV para Krishtit, janë vërsulur nga të gjitha anët dhe janë ndërruar si sunduesë të kësaj ane.” Për të vazhduar: “Nga ato pushtime, ai që pati më së shumti ndikim në popullatë dhe mjedis, ishte sundimi romak, që u vendos pas luftërave të gjata iliro-romake dhe zgjati deri nga mbarimi i shekullit të katërt. Ndikim më të madh kanë patur kolonitë romake, të cilat sipas gjurmëve që gjenden, kanë qenë me shumicë në Kosovë e rrethinë, aty ku janë minierat e njohura, nga të cilat romakët kanë përfituar më së shumti. Por, sipas Nushiqit, mesjeta për të është kohë e serbëve, që dynden në Ilirik dhe aty merr hov fanatizmi i tij serbomadh: “Me dyndjen e serbëve në shekullin V e VI-të edhe Kosova, në të cilën ata vendosen, nuk fitoi ndonjë emër të veçantë, sepse serbët u kolonizuan sipas fiseve dhe formuan zhupanitë dhe këto të shumtën morën emrin sipas lumenjve, maleve ose qyteteve, si: Lapi, rreth lumit Llap; Lipjan, përreth qytetit të njohur nga lashtësia, Ulpinanës. Por, disa nga zhupanitë (si dhe lumenjëve të përmendur) serbët u vunë emra nga paraatdheu i tyre, si janë Sitnica dhe Drenica. Si zhupani, me këta emra, ato edhe më vonë përmenden në dokumente qeveritare e në të tjera.” Realisht serbët nuk arritën të vendoseshin asnjëherë plotësisht si popull shumicë në Kosovë dhe ndaj saj ishin dhe mbetën gjithmonë në rolin e pushtuesit, duke e mbajtur vendin me luftë, terror dhe fanatizëm antishqiptar. Ndaj edhe Nushiqi e thellon këtë qëndrim, por pohon edhe se, në kohën kur ai ishte në Prishtinë e kishte vërtetuar se “Osmanlinjё ose turq të vërtetë nuk ka në Kosovë. Këtë racë e përfaqësojnë nëpunësit e nëse duhej të kishte ndonjë mbetje të luftëtarëve të vjetër, ata me siguri kanë ikur nga rrethanat e pavolitshme. Rreth Novo Bërdos kishin mbetur deri vonë 15 shtëpi turke, të cilët aty kishin ardhur menjëherë pas Betejës së Kosovës. Në fund të shekullit XIX nga ato kishin mbetur vetëm dy shëpi, pasi disa kishin vdekur, disa ishin shpërngulur e disa ishin vendosur në Prishtinë. Ai pranon se shqiptarët ishin popull plotësisht shumicë në Kosovë, por ata ai i trajton përmes grupëzimeve, duke i ndarë në: pak shqiptarë me prejardhje të mirëfilltë nga ilirët, shumicën e tyre i quan si të shqiptarizuar nga serbët dhe një pjesë i quan muhaxhirë, duke u vesh tipare sa më të egra e jonjerëzore, me çka kinse ata dalloheshin shumë nga shqiptarët tjerë. Kështu ai shndërrohet kështu në cytës për ndarje brendashqiptare. Për t’i treguar shqiptarët si popull që jeton i ngujuar në arkaizmin e vet, ai sikur kënaqet me jetën fisnore të shqiptarëve dhe shkruan: “Fiset më të forta në Kosovë janë Gashët dhe Berishët, fise të cilat me të madhe ende jetojnë në bashkësi. Të tjerët që janë shpërndarë nëpër qytete, fshatra e kodrina. Në anën jugore të Kosovës janë këto fise: Dërmjakët, Sopët, Krasniqët, Shalianët, Kryezinjtë, Kelmendët (Klimentët), Thaçët etj., kurse në anët tjera janë Bytyçët, Hotët, Shalajt, Elshanët, Metplakët e të tjerë.” Edhe pse më vonë flet për kishën katolike në Prishtinë e për katolikët e Janjevës, ai në një kapitull të librit pohon: “Në Kosovë nuk ka shqiptarë katolikë, nga të cilët më shumë ka në Dukagjin dhe në nahitë e Pejës dhe Gjakovës.” Nushiq shpesh përpiqet të hyjnizojë serbët, si popull, dhe sikur harron se ata e shpallën të shenjtë Stefan Deçanskin, atvrasësin e njohur, si të këtillë nga të gjithë dhe nuk e thot se realisht nuk ka mundësi që nga populli e besimtarët të mos mallkohet ai që vret shenjtin e tyre, po që njëkohësisht ishte edhe babai i tij! Ai i paraqet si serbe të gjitha familjet që i ishin dukur të disponuara për t’u serbizuar dhe thot se në Vushtrri bashkësinë e serbëve e përbëjnë disa familje, por edhe ato janë të ardhura nga jashtë. Familje të këtilla janë Qamiloviqët, të cilët kanë ardhur nga Trepça; Fërtuniqët nga Kuçët e Kosarës së Malit të Zi; Studiqët nga Zhazha e Shalës; Luliqët nga rrethina e Shkodrës; Parliqët nga fshati Brazdë i rrethit të Shkupit; Murganiqët nga Drenica dhe Kijametoviqët nga Kopaoniku. Por janë edhe këto familje: Zdravkoviqët, Pop-periqët, Çkovriqët, Cupiqët, Vlajiqët, Nesvrtoviqët, Elezoviqët, Kojiqët, Topliqanët etj. Pra, të gjithë atë që në realitet është shqiptare, ai e përvetëson si pa të keq. Për ta arsyetuar këtë ai thekson se “Shqiptarë në Kosovë ka pak, kurse serbë të shqiptarizuar janë pjesa më e madhe e banorëve. (!!!) Ata përbëjnë tri të katërtat e banorëve të Kosovës dhe gati me të drejtë e quajnë Kosovën shqiptare, pra tokë në të cilën ata janë zotëruesë. Realisht ata ende janë të shpërndarë në rrëzat e maleve, por e kanë zotëruar edhe luginën dhe qytetet. Mund të thuhet se tokat më të mira tashmë janë në duar të shqiptarëve.” Dhe shton: “Toka në Turqi mund të jetë: shtetërore (miri), e objekteve fetare (vakëf), ose pronë e individëve (mylk). Mylqet janë të gjitha çifligje dhe ato punohen nga çipçinjtë. Por, sot ka edhe raste kur fshatarët kanë tokën e tyre, derisa dikur raste të tilla kishte tejet rrallë. Pronarë të tokave janë kryesisht shqiptarët, e pak janë edhe turq.”
Në kulturën serbe Nushiqi njihet edhe si etnograf, folklorist e etimograf, mu nga ato të dhëna që ka sjellë në këtë libër, ku veshja, tradita dhe familja shqiptare na dalin si serbe. Ai thot se serbët atë kohë bartnin plis në kokë, visheshin me tirq e xhurdi dhe se qytetaret bartin dimi, të cilat janë të qepura pak më të shkurtëra se ato të grave turke dhe shtrëngohen me brez të mëndafshtë. Dimitë gjithnjë bëhen nga basma ose nga jum-basma. Mbi to vishet këmishë. Ai analizon edhe fjalorin e serbëve të Kosovës dhe ai na del përplot me fjalë shqipe, në mesin e të cilave është edhe fjala zgura, që ai e quan me prejardhje të dyshimtë, por nuk e thot se është shqipe. Ashtu si pretendonte politika zyurtare serbe, Kosova duhej të shihej si vend shumetnik dhe serbët duhej të ishin më në dukje kudo. Nga ky shkak ai pohon se në Kosovë kishte edhe vllehё që merreshin kryesisht me tregti. Kishte nga ata edhe nëpër fshatra, ku kishin hapur shitore, por mё me dёshirё tuboheshin rreth tregjeve tё mira, si ishin ai i Mitrovicёs, i Prishtinёs, i Ferizajt dhe sqaron se ata kudo quheshin gog. Shumica e tyre ishin tё ardhur nga Vilajeti i Manastirit dhe ishin të gjithë tё besimit ortodoks. Më tej përmend se hebrenj kishte nёpёr qytete, ku merreshin me sarafllёk e me tregti gruri, lёkure e me mallёra manifakture. Nё fshatra dhe nё qyteza nuk qёndrojnё. Nё Vushtrri, pёr shembull, nuk kishte asnjё hebre. Nё Prishtinё ata kishin edhe komunёn e tyre dhe rabinin, po edhe shkollёn me shtatё nxёnёs. Njё sasi e vogёl e tyre ishin tё punёsuar edhe nё shёrbimin shtetёror, si hebrenj tё muslimanizuar, që vinin nga Selaniku, tё sektёs Donme. Duke shkruar për hebrenjtë në Kosovë, Nushiqi thot se “Pas dёbimit nga Rusia, njё numёr i madh i hebrenjёve u vendos nё Turqi, nga tё cilёt 50 shtёpi erdhёn nё Prishtinё. Dhe, pёr habi, tё gjithё pjesёtarёt e kёtyre familjeve vdiqёn prenda dy vitesh dhe asnjё prej tyre nuk ёshtё mё nё jetё.
Nushiqi megjithatë, pohon se zhvillimi i brendshëm i familjes shqiptare mbetet kryesisht i ruajtur dhe se ajo mbetet veti e mbijetesës së tyre edhe në situate të vështira. Kjo bënë që familja shqiptare të jetë edukuese e anëtarëve të saj. Kurse raportet në jetën e familjes, të cilat i kanë ruajtur në vete të gjitha zakonet e patriarkalizmit, janë siguria më e mirë e ruajtjes së karakterit të kësaj popullate. Kurse kur shkruan për Ferizajn (Ferizoviq) ai as e kishte idenë që serbët një ditë këtë qytezë do ta emëronin Uroshevac.
Nushiqi nuk mund e të mos e vajtojë “shpërnguljen e madhe serbe nga Kosova”, të vitit 1689, e cila realisht e sipas dokumenteve ishte vetëm shpërngulje e shqiptarëve dhe mundohet të ngulis bindjen se pas kë saj “ikjeje të serbëve” ndryshoi fizionomia etnike e Kosovës thënë se “atëherë serbët braktisën fshatrat e mrekullueshme e tokat pjellore, shtëpitë e pasuritë dhe shqiptarët erdhën nga malet e tyre, të shkreta e shterrpa dhe u vendosën në fshatrat e bukura serbe. Për një pjesë të shqiptarëve ai përdoron termin muhaxhirë, duke harruar se ky emërtim mund t’u jepej vetëm atyre që e lëshojnë vendin e tyre e shkojnë në dhe të huaj. Kurse, kur ndërron vendbanim e mbetesh në tokën tënde, ky term nuk vlen. Muhaxhirë janë ata që shkuan në Turqi, Siri etj. Por jo edhe ata që nga një trevë shqiptare dolën në tjetrë. Por, nga Nushiqi e të tjerët, brenda Kosovës termi muhaxhir u ngulit për të shtuar ndarje të reja midis shqiptarëve. Po të vlente ky term, atëherë ne shumica, të gjithë ata që nuk jetojmë në qytetin tonë të lindjes, do të duhej quheshim muhaxhirë.
Në fund ia vlen të themi se pikturat e piktorit të njohur, Paja Jovanoviqit dhe disa pjesë të shkrimeve të Nushiqit mbesin si dëshmi e kohës, që flasin e tregojnë për doke, traditë e sjellje të serbëve, që nuk kanë në vete asgjë serbe e që janë plotësisht shqiptare. Pra një dëshmi për asimilimin e popullit tonë dhe për moskohën, brenda se cilë ndodhën të gjitha këto.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen