Për paqen
dhe reagim ndaj diktatit
Nga Adil Olluri
“Shtëpia me dy çati” është vepra e radhës e shkrimtarit Rezart Palluqi, i cili i shfaqet opinionit letrar shqiptar si një romancier që prek tema e ide që janë për t’u diskutuar. Kjo gjë e bën atë shkrimtar që qëllim parësor e ka idenë dhe porositë që i jep rrëfimi letrar.
Titulli “Shtëpia me dy çati” është metafora më e mirë përmes së cilës mund të shpjegohet i tërë romani i Palluqit. Kështu që, na ofrohen si në pasqyrë dy çatitë reale të një personazhi, dy çatitë e identitetit të një vendi e të një mentalitetit kulturor, siç është ai ballkanas. Personazhi kryesor, Panajoti, një historian i moderuar grek, e kishte ndërtuar shtëpinë me dy çati, ku në njërën i kishte lënë veprat e kulturës së lashtë helene, ndërsa në tjetrën ato të kulturës bizantine greke, të cilat i parapëlqenin gruas së tij të ndjerë, Kristinës dhe Antonit, por jo edhe historianit, që të vërtetën dhe të drejtën nuk e shihte te bizantinizmi grek. Ky është shkaku pse ai bëhet i padurueshëm e i papëlqyeshëm për kishën ortodokse, shtetin dhe shoqërinë greke. Ndiqet në çdo hap nga Antoni, një mendje bizantine, që flet ndryshe, mendon ndryshe dhe vepron ndryshe, i cili si figurë e përfaqëson atë pjesën e shoqërisë së sotme greke, që themelet e së drejtës i shohin te ortodoksizmi dhe bizantinizmi. Panajoti është figurë që i përfaqëson të paktët grekë që i shohin gjërat më ndryshe dhe janë më mendjehapur ndaj të tjerëve dhe fqinjëve. Kjo gjë shihet te mendimet e tij në raport me shqiptarët dhe turqit, e në veçanti me çamët dhe çështjen çame, që është pikë fragjile e Greqisë së sotme. Një dimension i tillë tematik e ideor e bën këtë roman të Rezart Palluqit që të cilësohet si narracion historiko-politik, i gërshetuar përmes gjuhës artistike. Është historik për shkak se përmes tij i kapim disa të dhëna të rëndësishme të zhvillimeve në kohë të ndryshme. Duke qenë se personazhi kryesor është historian, nga një diskurs i tillë nuk kemi se si të shmangemi. Andaj, një gjë e tillë i jep petk njohës kësaj vepre artistike, duke mos e lënë vetëm në suaza të një loje letrare e narrative. Është politik për shkak se prek dimensione ideore që ndërlidhen me qasjen e politikës zyrtare greke, në veçanti në raport me çamët.
Ky roman mund të lexohet edhe si reagim ndaj diktatit të mendimit, që tentojnë ta instalojnë grupet e ndërlidhura me religjionin dhe pushtetet politike. Ato bëjnë çmos që ta mbyllin në burg individin që mendon në mënyrë të pavarur, dhe ia arrijnë qëllimin. Panajotin e burgosin, por jo edhe mendimin e tij, meqë është i biri i tij që merr përsipër t’ia shpërndajë mendimet përtej kufirit të vendit, që e stimulon këtë lloj diktati.
Duke e vendosur thuajse tërë ngjarjen në qytetin e Pargës, në një ambient grek e me personazhe greke, Palluqi na ka treguar se ka informacione të hollësishme për këtë areal kulturor. Po të mos e dinim se kemi të bëjmë me një autor shqiptar dhe po të mos e shihnim emrin e tij në ballinë, sinqerisht do të hamendësonim se kemi të bëjmë me një roman të shkruar nga një shkrimtar grek, marrë parasysh motivimin e karaktereve me ambientin, gjë që është zotësi e autorit të këtij romani. Ne që e njohim Palluqin dhe e dimë që ai për një kohë ka jetuar në Greqi, edhe do ta prisnim një narracion të tillë, që për mendimin tonë është një nga homazhet më të mira që mund t’i bëhen të gjithë të persekutuarve shqiptarë nga “antonët” e fqinjit jugor të vendit tonë.
Përpos vijës historike e politike, një peshë të rëndësishme në këtë roman ka edhe vija emotive, raportet personale të personazheve mes vetes. Spikatet dashuria, flirti, urrejtja, dyshimi e tradhtia. Panajoti vazhdimisht dyshon se Antoni është duke flirtuar me gruan e tij, ndërsa ky i fundit tenton t’ia veshë historianit damkën e shkelësit të kurorës. Pra, armiqësia në mes të Panajotit dhe Antonit, përpos që është ideologjike, është edhe personale. Një linjë e veçantë në këtë roman është edhe dashuria në mes të kryepersonazhit dhe holandezes Roos, që këtij historiani, përpos që i ofron dashuri, i ofron edhe ndihmë të pakusht sa herë që ky përballet me gjyqet e inskenuara nga Antoni.
Nëse e shikojmë nga aspekti formal, këtë roman të Palluqit e karakterizojnë dialogët e gjata, që e mbizotërojnë diskursin narrativ, përmes të cilave shpalosen jo vetëm idetë, por edhe përcaktimi kohor e hapësinor i rrëfimit. Njashtu, dialogët e pranishëm vazhdimisht, i japin kah më shumë veprimit të personazheve, e përshpejtojnë ritmin dhe e gjallërojnë ecurinë e ngjarjeve në këtë roman. Karakteristikë tjetër që bie në sy te “Shtëpia me dy çati” është edhe shumësia e situatave dhe kohëzgjatja e shkurtër e tyre. Një gjë e tillë i jep sens aksioni këtij romani dhe nuk e bën të mundimshëm gjatë leximit. Për zbërthimin e të gjitha veçorive formale do të duhej një trajtim më i gjatë e më detajizues, meqë përmes një shkrimi të shkurtë është vështirë të arrihen rezultate të lakmueshme në këtë plan.
Rezart Palluqi me këtë roman na vjen i ndryshëm me Rezart Palluqin e romanit të tij paraprak, si në aspektin tematik, po ashtu edhe në atë stilistik, gjë që është për t’u përgëzuar.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen