Donnerstag, 21. Juli 2016

U RADIKALIZOVA!

Driton Smakaj
Opinion nga Driton Smakaj

U zgjova herët në mëngjes. Sapo kalova qendren e qytetit milionësh, dëgjova një shpërthim të fuqishëm. Britma pafund vinin nga një skenë e tmerrshme tymi, gjaku dhe flake. Njerëz të pafajshëm që shkonin në punë për të mbajtur fëmijët e tyre, për të kaluar atë kohë jete që Zoti ua kishte dhënë dhuratë, vdisnin për çmendinë njerëzore, gjakoseshin e terrorizoheshin për shkak të një ideologjie të shtrembëruar nga mendje të sëmura njerëzish mjeranë. Vrasësi ishte një besimtar i radikalizuar, përtej arsyes së besimit.
Duke u kthyer në mbrëmje, në një lagje tjetër të po të njëjtit qytet dëgjova një shpërthim tjetër të fuqishëm. Skena të njëjta të tmerrshme plot gjak, copa trupash të ndarë dysh nëpër rrugë ngjanin me epokalipsin, me fundin e trishtë të botës.
Vrasësi ishte një ateist i radikalizuar. Ideja e tij që ateistët janë të rrezikuar nga besimtarët e kishte bërë atë të vetflijohej për grupin. Të mbronte ideologjinë e tij prej ateisti duke shkatërruar besimtarët.
'Kush beson në Zot, është armiku ynë' kishte bërtitur vrasësi para se të aktivizonte eksplozivin.
Ende pa arritur në shtëpi një shpërthim tjetër kishte marr jetën e disa qindra njerëzve të pafajshëm që ishin duke festuar martesën e një djali me një vajzë.
Fustani i bardhë i nusës ishte shëndrruar në një leckë të kuqe nga gjaku i çiftit të sapo vrarë.
Vrasësi kishte qenë një homoseksual i radikalizuar. Ai ishte maltretuar disa ditë më herët nga një grup burrash vetëm pse ai kishte qenë anëtar i grupit LGBT. Pak ditë më parë ishte publikuar një video në 'youtube' ku shihej keqtrajtimi mizor ndaj antarit të LGBT-së nga një grup burrash. Ata pas rrahjes barbare, në fund të videos shihet sesi ia fusin në prapanicë një shishe të coca-colës dhe pasonte mesazhi në video 'kështu përfundojnë këta'.
Kishte qenë kjo video që e kishte shtyrë personin e dhunuar të radikalizohej dhe të merrte vendimin për t'u vetflijuar për grupin.
I lodhur nga pamjet e ditës, hyra në banesë, u shtriva në kanape dhe ndeza Televizorin. Ekrani nuk shfaqte asgjë tjetër përveçse eksplodime, vrasje në masë, gjak nëpër rrugë, tym, zjarr e pamje të trishta.
Në pjesën e lajmëve për kulturë flitej sesi një grua deputete kishte hyrë në Parlament e armatosur dhe kishte ekzekutuar 8 burra në mbrojtje të të drejtave të gruas. Ajo ishte radikalizuar pasiqë burrat në fjalë e kishin kushtëzuar ngritjen e saj në karrierë politike, nëse ajo ofronte sherbime shtesë pasiqë ishte jashtëzakonisht e bukur. Pagesa natyrore i quanin.
Ajo edhe pse kishte fjetur me të gjithë, prapë nuk kishte arritur pikën e karrierës që i kishin premtuar burrat. Çmimi që burrat paguan në fund ishte një breshëri plumbash në organin mashkullor.
Ky lajm i takonte hapësirës për kulturë. Nuk e dija nëse isha në ëndërr, apo thjeshtë jetoja në ndonjë planet tjetër.
Ditët e javët në vazhdim ishin me pamje edhe më të trishta, më të tmerrshme. Njerëzit e pafajshëm që vdisnin rrugëve pa i bërë kurrgjë askujt në jetë, filluan të transformohen në qënie të rrezikshme. U radikalizuan edhe ata. Shkencëtarët bënin studime shoqërore dhe publikuan vështrimet më të fundit mbi radikalizmin. Studimi ishte shokues: 'Radikalizmi është një sëmundje ngjitëse, e transmetueshme përmes fjalës'.
Pritej që bota të infektohej me virusin më shkatërrues që njerëzimi kishte pasur ndonjëherë. Disa thonin që edhe kafshët do të infektohen me virusin njerëzor të radikalizmit. Për t'a bërë këtë edhe më të besueshme, një njeri kishte veshur një dele me eksploziv dhe e kishte dërguar mes derrave. Delja kishte eksploduar duke lënë me qindra derra të vrarë. Videoja e postuar në 'youtube' kishte kaluar mb një miliard shikime.
Çdo ditë objektet fetare rrënoheshin nga shpërthimet e fuqishme. Ashtu siq ishin ndërtuar ndër shekuj, tani rrënoheshin nga po të njëjtat qënie që i kishin ndërtuar ato. Arsyeja njerëzore për jetën dhe për Zotin kishte humbur arsyen. Njerëzit ishin shëndrruar në bisha radikale.
U ktheva në shtëpi dhe ajo nuk ishte më aty, ishte rrënuar. Për çudi kanapeja kishte mbetur dhe televizori që punonte me energji të Diellit. U ula dhe nuk e ndeza. E dija që do shihja fundin e trishtë të tragjikës njerëzore.
-Babë babë- Dëgjova një zë të ëmbël që më thirri. Ishte djali im i vogël që më zgjoi nga gjumi. Çela sytë dhe qajta me lotë, e përqafova sikur të mos e kisha parë që një shekull. Mu kujtuan mijëra fëmijë të botës që humbnin jetën për marrëzinë e të mëdhënjëve. Mu kujtuan fytyrat ëngjëllore të foshnjave nën gërmadha nga luftërat në Siri, luftërat në Lindje. Fytyrat e fëmijëve ëngjëllorë të vrarë nga shpërthimet vetëvrasëse në Perëndim.
Zot, u luta në heshtje. Na mbaj të gjallë arsyen e jetës në paqe. Na kthe dashurinë mes Lindjes dhe Perëndimit.
Nëse shoqëria njerëzore do të mbijetojë dhe do ia arrijë të sjellë paqe mes njerëzve, atëherë ata njerëz do jenë njerëzit e arsyes që nuk shpërndajnë virusin e radikalizmit të asnjë ideologjie.
Vetëm pranimi i pikëpamjeve të ndryshme, i bënë njerëzit të kultivojnë paqe dhe dashuri.
Vetëm dituria është ajo që kur përdorët shtohet. E me shtimin e diturisë shtohet paqja njerëzore.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen