Montag, 7. November 2016

Shkrimtari ynë Ymer Shkreli, gëzuar ditëlindja e 71-të!

       Me pamjen nga takimi ynë i paradoditshëm, me atë të pjesëshme të veprës së tij të madhe letrare si dhe me disa poezi nga librat e tij të poezisë, mikut tim të dashur dhe shkrimtarit të shquar Ymer Shkrelit, i uroj nga zemra ditëlindjen e 71-të: të ketë shëndet të plotë, gëzime shumë dhe krijimtari të begatshme si deri tash! 
G ë z u a r !  /Nga Shaip Beqiri/




Ymer SHKRELI

FLAMUJT E KASHTËS

të parin flamur e ngulni në zemrën time
të parin flamur pas besës

unë kam vetëm një zemër dhe një tokë

në tokë shkilni të gjithë me mëkatet
për zemër e pritni radhën

të dytin flamur e ngulni në maje të gjuhës
të dytin flamur pas gjakut

unë kam vetëm një gjuhë dhe një djep

në gjuhën time betohuni se jini vëllezër
e në djep betejë e madhe ju pret

të tretin flamur e ngulni në shpirtin tim
e hiqni vallen e shtogut

o unë kam një Kosovë dhe një flamur

në Kosovën time e hudhni farën 
e fluturën e keni flamur

të katërtin flamur e ngulni në maje të botës
e maja e botës është në kokën time

hej unë kam veç një kohë për betim

kokën time e shqelmoni lirisht si djallin
se betimi është ky që dhashë



ASGJË PUNA JOTE O ALI BINAKU

ti thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu me ushtritë e marra
e kalorësit të kthejnë në konaqe të bardha

ti thoshe he t’u thaftë goja

e në ballë të oxhakut luajnë shtrigat
e pjekin kafe për dorasët e verës
e fëmijët edhe lumit ia ndërrojnë kahjen
e qentë i lehin shiut e breshërit
e mali e shiti edhe atë hajdutin plak
e pleshtat e qëndisën edhe ylberin në gjoks
e ti thoshe
he t’u thaftë goja si rrasa në diell

asgjë puna jote o ali binaku
as e bijve e nipave as stërnipave të tu
se ara pa ujë e mallkoi edhe diellin
e rrugët s’po prekin gjunj mbi dhé
e megjet po tirren në futa të zeza
e pullazet janë të vetmit qefinë për ditët
e varret po heqin lule prej zemrave tona
e zanat po qëndisin shami të djegura
e ti thoshe
thoshe

heu prieçat e tua po i bajmë si flamur
dhe erë e rëndë po ngatërron në mjegull
o ali binaku ti njeri pa oxhak

se tani edhe minjtë po të luajnë në santraç
pra thoshe se toka do ta ndërrojë fytyrën
pasi të kalojë shiu i rëndë si vdekja
e kalorësit të kthejnë në konaqe të fjalës
e besa të shtrohet trojeve si flakë
po ti thoshe he t’u thaftë goja
e u bëfsh qyqe mali atje në maje
ku zemra s’prek e syrin e ndjell lakmia



DIÇKA SI TI

diçka si ti është edhe kjo letër 
e mund të shkarravis
cilindo fragment të jetës sime

ti vdekja ime e dashur
merre dorën time
e yjzit në qiell ndiqi si e marrë
o merre jetën time si çmendi

se diçka si ti është edhe kjo letër 
e mund të shkarravis 
cilëndo vdekje të jetës sime

Nga “Ditari i hajnit”, “Rilindja”, Prishtinë, 1971



ROMANELLA

hej e shtere detin e zi
romanella
kund s’lë akull pa shkri

romanella
t’u bë’sha kashtë n’flokë

e zgjove detin e vdekur njëherë
romanella
daulle për duart e kësaj bote

romanella
t’u bë’sha gjarpër n’shtrat

e ndoqe detin e kuq deri n’sytë tanë
romanella
mys që ngin botën vet’ e unët

romanella
t’u bë’sha vdekje pas dashurisë



KALLAISMA QIELLIN

kallaisma qiellin
se po ma lëshon pikën

kallaisma çadrën 
dielli po më shkrumon

kallaisma ballin
djersa po më krip

kallaisma syrin
të këndoj i verbër

kallaisma diellin
dua ‘i diell maxhup

o kallaisma qiellin
se po ma lëshon shiun

e sa herë bie shi
pastaj na nxin dielli

Nga “Romanella”, Botim i Autorit, Mitrovicë, 1974



TAN SALI

piu ujë me gjarpër
fjeti me zhapinj
shtatëdhjetë vjetët ia qepën kapakët e syve
për një sy gjumë më vonë

ushtria e tij
shiu era zjarri

kur ngjesh armë e akuj tan sali
e merr lemza malin
gokëson shkëmbi

fluturat e tij 
jetojnë shtatë ditë
ai shtatëdhjetë vjet

kur i mbyllen lulet tan salit
ndërron moti
edhe zogjtë heshtin para shiut

ai nuk e mat kohën 
ndaj i besoj asaj

oh tan sali
t a n  s a l i



THOTË MIRKU

mbi varrin tim mos mbani fjalim
ai nuk është varri im
lexoni poezi
varret nuk janë tonat
varre hapin ata që tjetër nuk dinë
në anën tjetër të kohës - nuk është çudi
me nga një jetë të mbërrijmë
mbi varrin tim mos mbani fjalim
lexoni poezi
ky nuk është varri im
mbi varrin tim mos mbani fjalim
lexoni poezi
u poqa disa herë
po digjem përsëri

Nga “Febris”, “Rilindja”, Prishtinë, 1975



RELATIVITETE

Nganjëherë 
më duket se kam ardhur në këtë botë
me një vete tjetër -
barrë të padukshme të gjykimit
t’i përkëdhel hijet;
nganjëherë
zë në thua në pjatën e parë
të fëmijërisë sime
e përplasem
për rrum një shekull
dhe pak më duket;
pastaj 
përfill baltën unë i zgjebosuri
s’e pranoj këmishën
barkcullake -
ngarend nëpër vjetët
hedh gurë
pa fshehur dorën:
qeshem si balta e lodhur nga hapat

nganjëherë
s’i përfill as çerdhet;
zogjtë lëshojnë kokën time
unë çmendem pas lodrave që s’i kam
dhe iki nga lëkura ime -
i sosur

(9.4.1967)



PESHORJA PËR KOHËN E SAKTË

Sa më e rëndë është dita
unë më i papeshë;
hiqem e përvëlohem -
mëngët i përvjel
t’i zbres asaj në qafë

sa më e rëndë është dita
nata vjen më e bardhë
zëri nis të shterojë
deri në fundin tim -
zbres
të ngjitem përpjetëzës së rrejshme
të lartësive sa thoi:
përsëri jam në fund
me përmbytjen në gjumë;
këmbadoras nisem
nëpër vijën e gjakut
deri në pafund:
kërkoj varrin tim
dhe një zot e di
a do të qesh
ose do ta pështyj;
hiqem e përvëlohem
mëngët i përvjel -
t’i mbetem ditës në qafë
e askund xhelati.
Nata vjen më bardhë

(1.10.1967)

Nga “Kërkoj dënim me vdekje”, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1978



BALCANICA

Balcanica, 1
III.
ajo krijesë e marrë e paemër se ç’më kishte formën
e paformë; tënden ballkan që më ndërron përditë fëmijë
përditë i ndërrove këmishat e natën u zhveshe u zhveshe
lavire e shitur që i fshin gjunjtë me pendla të arta
trajtë e patrajtë që u zvarrise të mbërthesh njeriun 
ku e ke fundin: thuaj; fillimin as që e pate mësa yllin
krijesë e marrë që fillove me formën e kësaj toke boshe
dhe në tokë kërkon shpëtim ta gjesh madje përmbarimin
do të zësh vend tani kur erërat kanë harruar veten
e na kanë lëshuar kahje; besa s’di kah thyejmë qafën
ose t’i rrasim gishtat në drita të syve e të nisemi
dikah ta gjejmë ndonjë pol të vetes që të ndalemi; heu
dhe të zëmë ty për qafe ballkan; ndalu njëherë ebu
s’më dhe kohë as në fund t’i bie kësaj nate: ndërrove
formën si të mos ishe ai që të njoh e s’të pranoj;
dikur moti kur të përrallohet historia e vejë e kësaj dite
do të shfaqesh në trajtë njeriu me duar e këmbë;
mbase s’të presin veç ditët nëpër jetë; për ty lum bëfsha
të pret nata e ta vë gjumin në pritë: evropa jote evropa
e ta bën punën e grave që e bëjnë burrat dhe vdesin
ta ndërron formën të rritet barku i rreshton heu kopilat
që marrin këmbë; ikin; me gurë ta thyejnë qafën: të qëndisin


Balcanica, 2
IV.
nëna ime ballkan i shtruar; i dhemb diku pas bjeshkës
edhe në ije; gjëmon ajo fryn era: bie breshër breshër
ia mbaj mend njëmijë e një mallkime në një fjalë
besa edhe dy-tri vera; katër-pesë plagë plagë
herë i dhemb në istri herë në karpate herë në spartë;
nëna ime e ka shpikur breshërin që t’ia thyejë kokën
kokrra e madhe sa guri i ferrit që bie ngaherë heu
prej gjuhës; ajo thotë: kur do të më bjerë guri zemrës
nëna ime ballkan e shtruar sa gjerë sa gjatë tokës
përjarget në tre dete: fryn era; ushton shiu shiu
derisa vjen mordja ajo betohet në ne: është breshër
e ç’të mirë sjellin era e shiu kur e ke nënën vjeshtë
të shtrirë si ballkani: gjëmon; i dhemb pas bjeshkës
në anën tjetër të malit; ne turremi ta zbulojmë dikuhen
pastaj kthehemi me gisht në gojë: dikahe; lotët s’dalin
ka pushuar shiu e këmbët s’i gjejmë nëpër breshër
ajo dënes: po na gjuan zoti me gurë; vraftë veten heu
ballkan është ky i them loke; s’vret e gjuan gjuan


Balcanica, 3
III
unë në mes e gjithë rreth meje guri guri guri
e qielli i vrugët përmbi e toka përfundi e druri
e shpatat e vdekshme dy-tri pika gjaku më shumë 
orët e ndryshkura të malit orët e jetës pa gjumë;
kam nisur t’i dal matanë ujit të quajtur kohë oh
ngadalë në damarët e mi rruzat e kuqe i shoh 
përsëri uji e gjaku e djersa e loti e pikë pikë
e qielli përmbi e toka përfundi veç ik ik ik;
një rrashtë nga pellgu tani veç ngrihet pa skelet
e vihet në roje mbi lëkurën time ballkan e pret;
unë në mes e gjithë rreth meje guri guri druri
e qielli i vrugët përmbi e toka e shkrehtë përfundi
e druri; drini që mbi dhé kapet për qafë të njeriut
të nxjerrë ujët nga gjaku; të ndalë djersë për flijim
prapë uji; tri të katërtat e kësaj bote veç ujë ujë
po gjithnjë ballkani gur e gur gur e gur

Nga “Balcanica”, “Rilindja”, Prishtinë, 1980






Ymer Shkreli (1945)

Ymer Shkreli u lind në 7 nëntor të vitit 1945 në Shkrel të Rugovës.
Shkollën fillore e kreu në Haxhaj të Rugovës, kurse Normalen e nisi në Pejë dhe e mbaroi në Prishtinë, ku vazhdoi studimet në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës.
Y. Shkreli një kohë punoi mësimdhënës në shkollën fillore në Haxhaj të Rugovës, në shkollën "Faik Konica" në Prishtinë dhe në Shkollën e Mesme Bujqësore të Prishtinës; kurse që nga viti 1968 deri më 1993 punoi në të përditshmen "Rilindja", në fillim gazetar e reporter i lirë, pastaj redaktor kryesisht i faqeve të "Rilindjes për fëmijë". 
Në fillim të vjetëve `70 Y. Shkreli ishte kryetar i Rinisë Letrare të Kosovës dhe kryeredaktor i revistës letrare "Plejada", e cila qe ndaluar pas botimit të numrit të saj të gjashtë. Ai poashtu një kohë të gjatë ishte njëri ndër bashkëpunëtorët më aktivë dhe anëtar redaksie i revistës për humor e satirë "Thumbi". 
Që nga viti 1993 ai jeton në Luzern të Zvicrës.
Y. Shkreli ka provuar penën e tij pothuaj në të gjitha gjinitë dhe zhanret letrare:

Letërsia për fëmijë:

  1. Hana po shkon nuse, tregime, Rilindja, 1969, Prishtinë 
  2. Princesha e Dukagjinit, poezi, Rilindja, 1970, Prishtinë 
  3. Kthema pranverën time, poezi, Rilindja, 1972, Prishtinë 
  4. Princi i Bjeshkëve të Nemuna, poemë, Rilindja, 1975, Prishtinë 
  5. Bali Katravella, roman, Rilindja, 1978, Prishtinë 
  6. Ditari i Lec Pazhecit, poezi, Rilindja, 1979, Prishtinë 
  7. Poezi të zgjedhura për fëmijë, Rilindja, 1983, Prishtinë
  8. Autobiografia, roman autobiografik, Rilindja, 1990, Prishtinë


Poezia:

  1. Ditari i hajnit, Rilindja, 1971, Prishtinë
  2. Romanella, Botim i Autorit, 1974, Mitrovicë
  3. Febris, Rilindja, 1975, Prishtinë
  4. Kërkoj dënim me vdekje, Flaka, 1978, Shkup
  5. Balcanica, Rilindja, 1980, Prishtinë



Proza:

  1. Vjeshta e vdekur, roman (në vazhdime), Flaka, 1971, Shkup
  2. Njeriu në bisht, roman, Rilindja, 1975, Prishtinë
  3. Vdekja në ajër të pastër, roman, Rilindja, 1976, Prishtinë
  4. Bima e dreqit, tregime, Rilindja, 1981, Prishtinë
  5. Pikëpjekja, roman, Rilindja, 1982, Prishtinë
  6. Rapsodi kosovare, romane, Rilindja, 1986, Prishtinë
  7. Kali i Trojës
  8. Heroi në gjumë
  9. Shpendkeqja
  10. Zeka i Zi 
  11. Doracak për tjetër botë, roman (në vazhdime), Jeta e Re, 1986, Prishtinë
  12. Ura e Xhehnemit, roman, Rilindja, 1989, Prishtinë
  13. Azgal, roman, Rilindja, 1993, Prishtinë



Drama:

  1. Hotel Kashta, TPK, 1975, Prishtinë
  2. Trilogji ilire, Rilindja, 1977, Prishtinë
  3. Agroni
  4. Teuta
  5. Genci
  6. Krrasin sorrat mbi qytet, Jehona, 1978, Shkup
  7. Meshari, Jeta e Re, 1978, Prishtinë
  8. Shthurja, Jeta e Re, 1982, Prishtinë
  9. Zeka i Zi udhëton për në Babilon, Rilindja, 1984, Prishtinë
  10. Teatri Plak, Rilindja, 1987, Prishtinë
  11. No pasaran
  12. Roja e shiut
  13. Nëna shkon në parajsë
  14. Teatri i vogël i Deli Ukës
  15. Trilogjia e Re, Rilindja, 1990, Prishtinë
  16. Ulpiana, 518 
  17. Shpend Sokoli i Sokol Shpendit
  18. Paradoksi
  19. Heronjtë e kombit, Dodona, 1993, Prishtinë


Zgjodhi e përgatiti: Sh. Beqiri

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen