Mittwoch, 30. November 2016

Faton Krasniqi - Libri "Rrapi arbëror" i poetit Ajet Shala

Krijimtaria letrare e Ajet Shalës lidhet me gjendjen historiko-kombëtare. Kjo dëshmohet në shkrimet e tij poetike dhe veprat letrare. Përmes poezive të tij, ai i bëri të pavdekshëm shumë, intelektualë, patriotë, trima, luftëtarë e vizionarë shqiptarë.
Nga vepra në vepër vërejmë elementë të rëndësishëm që shpeshherë na duken të ngjashëm, e shpeshherë diametralisht të kundërt, është stili krijues që na ka ofruar një qasje modelesh vargëzuese, është motivi i përbashkët i atyre që poeti iu shkroi vargëzime, është ngjashmëria motivuese  e personazheve në Rrapin Arbëror.
Të gjitha ngjarjet e sintagmatizuara nuk janë brenda tekstore, ato përmenden kalimthi si abstraksion që kërkon më përtej epilogët vendimtarë. Personazhet i takojnë reales, asaj që u pa, asaj që u dëgjua, asaj që iu këndua. Por, që u pragamatizuan nga pena e Ajet Shalës, si reflekse ndaj ngjarjeve që nuk duhet t`i mbulojë pluhuri i harresës.
Poetika e autorit është realisto-moderne e shkruar krejt natyrshëm, nga dëshira për ta kujtuar Rrapin Arbëror. Për ta kujtuar gjenezën, lindjen, plisin, lavdinë, hukamën, emrin, autoktoninë, Ilirikumin, atdheun. Krijimtaria letrare nuk njeh kufij kohorë, ajo bredh nga koha në kohë, siç bredh poezia e Ajet Shalës nëpër Gadishullin Ilirik, si pikënisje nga Kopiliqi e duke vazhduar në Skenderaj, Drenas, Prishtinë, Zabel, Çyqavicë, Çakor, Zhleb, Kullë, Rugovë, Ulqin, Gostivar, Prespë, Jon, Malësi e Madhe, Luginë e Preshevës, Prevezë, Devoll, Tivar, Janinë e Çamëri. Dhe kështu mendimet për ta hedhur të zezën mbi të bardhën, ia krijojnë ngjarjet që lanë mbresa të pashlyera në memorien e tij.
Shtresa aktuale e librit poetik Rrapi Arbëror është kujtesë historike, një copë lavdie e krenarie, një rikujtim i asaj  që mendjet arbërore nuk duhet harruar, por që duhet vlerësuar. Libri poetik  Rrapi Arbëror pasi të lexohet detyrimthi, të obligon ta rilexosh. Arsyet janë natyrale, janë temat, shenjat artistike, estetike, semantike, stilistike që e bëjnë Rrapin Arbëror që të zë vend meritor në arkivin e letrarësisë shqiptare. Motivet poetike i japin karakter, vlerë funksionale dhe kompozicionale, qoftë nga ana e stilemave dhe trajtformave poezisë së Ajet Shalës.
Struktura si sistem letrar i tekstit poetik është vlerësuese, me theks, intonacion dhe ritëm. Poetika e Ajet Shalës përçon dije nga historia, filozofia dhe letërsia. Gjuha poetike e Rrapit Arbëror është e ngarkuar emocionalisht dhe shpreh në njëfarë mënyre qëndrimin emocional të autorit, por më shumë e bënë kureshtar lexuesin, me plot kuptime të figurshme, ku rol të madh në këto ngjyrime figurative luajnë morfo-stilemat e fjalës. Pror, megjithëkëtë kjo ka të bëj me origjinalitetin tekstor dhe ideor të autorit; është natyra e tij e krijimeve poetike, ndjeshmëria dhe qasja serioze e temave në Rrapin Arbëror.
Po ta lexojmë me kujdes do të gjejmë stil të rrjedhshëm, origjinal dhe të ngjeshur. Variantin e dialektizmave mund ta konsiderojmë si kulturë e të shkruarit varg. Metafora nuk shprehet gjithmonë në krahasimin e plotë, ndjeshmëria e temave shkon përtej shkaqeve të krijimit artistik, e figuracioni në Rrapin Arbëror është diçka që zë vend meritor.
Në strukturën gjuhësore të Rrapit Arbëror vihen re zhvendosje të fjalëve nga kuptimet e zakonshme, nga kuptimi i parë duke marrë kuptimin e dytë, ndërsa ndërtimi sintaksor është më pak i shprehur.  Ky është guxim i këtij shkrimtari për të sjell në memoaret e historisë ngjarje të lavdisë nga fusha e letërsisë. Këto janë përpjekje madhështore për të na rikujtuar Rrapin Arbëror. Autori u mbështet në ngjarjet popullore duke krijuar artin letrar të poezisë, ngjarjet dhe motivet vijnë nga jeta arbërore, nga ato ngjarje që harresa nuk duhet t`i marrë kurrë mbas veti. Autor i shkroi me dashuri e pikëllim për ngjarjet e dhimbshme kombëtare, në poezitë e tij qartas vërehen copa ngjarjesh që i krijon me anë të tipareve të thella kombëtare. Diku – diku mund të shpreh mllefin e tij, dihamën e tij për diçka që është më shumë se sa individuale, por kolektive.
Brenda veprës Rrapi Arbëror janë shumë faktorë që do ta bëjnë të vlerësuar, janë fatet e një kombi, fatet e njeriut, fatet e njerëzve që i damkosi historia  me grushtin e saj të çeliktë, që poeti me forcën e tij krijuese, me një laps dhe një letër i dha kthesë historike duke ua rikujtuar diçka që ndoshta kishte filluar të harrohej.
Poezia i shkurton distancat kohore, ajo afron ngjarje, detyra  e saj e shenjtë arrihet kur poeti trajton tematikat e duhura, që gjejnë

mbështetje porsa të bien në duart e lexuesve pasionantë. Ne filluam vonë kultivimin e artit poetik, por Rrapi Arbëror sikur na thotë t`i kthemi të kaluarës sonë të lavdishme, ndoshta do të gjejmë diçka nga rrënjët e Rrapit Arbëror, ky komb megjithëkëtë rrugëtim historik, duhet t`i ketë trashëguar diçka nga poetika arbërore, sigurisht që po, dëshmia më e mirë është ky libër si një thesar i çmuar për arbëroret dhe për vetë letërsinë tonë kombëtare.
Në letërsi më së vështiri është që të përcaktohet dallimi midis gjuhës së përditshme dhe gjuhës së letërsisë, por përditshmëria jonë, ngjarjet XX shekullore po na  sjellin ndërmend historira të harruara që ne vetë po i bëjmë të tilla, në këtë rrugëtim Rrapi Arbëror sikur na kthen në gjenezën e ngjarjeve në Gadishullin Ilirik, duke na dhënë pak shpresë, duke na dhënë pak motiv për ta nxjerrë dhe vlerësuar të kaluarën tonë të lavdishme arbërore.  Kurse letërsia jonë përmes vargjeve të Rrapit Arbëror po ushqehet me vargëzime të vlefshme si për kulturë,  letërsinë  dhe po ashtu për historinë.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen