(Nga përurimi i veprave të dr. Bexhet Asanit “Optika letrare” dhe “Hyjnia e Syve” në Filadenfia)
Shkruan: prof. Llazar VERO
Në këtë sallë të vogël për nga përmasat, jemi mbledhur shumë herë në analiza dhe diskutime, jo vetëm për autorë nga Filadelfia e Pensilvanisë apo edhe shtete të tjera të Amerikës, por edhe për autorë shqiptarë nga Tirana, Athina, Italia etj. Këtë herë kemi midis nesh një autor nga Struga e bukur, kemi mësuesin gazetarin, poetin, mendimtarin letrar, folkloristin dr. Bexhet Asanin. Mirë se erdhët edhe njëherë zoti Bexhet!
Libri që patëm në duar këto ditë “Optika letrare”, për mua përfaqëson më së miri të gjithë këtë gjerësi intelektuale, krijuese, studimore të Bexhet Asanit, bashkatdhetarit tonë të nderuar dhe mikut të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Bijtë e shqipes”, këtu në Filadelfia. Këtë mendim e mbështet edhe diçka tjetër, ky libër u botua edhe në kuadër të një përvjetori të bukur të autorit, gjashtëdhjetë vjetorit të lindjes së tij që ishte jo shumë larg por më një gusht të këtij viti (2017). Pra, në një mënyrë ose tjetër, ky botim pasqyron të gjitha ngjyrat e veprimtarisë së tij që fillojnë nga mbresat e bukura për nëna Lien ose tatën, për mësuesit atdhetarë të fëmijërisë dhe të rinisë së tij, për njerëzit e thjeshtë me zemër të madhe si Shpend Zyberi, i cili ua lehtësonte jetën bashkëfshatarëve të tij duke pastruar dëborën nga rrugët apo mjekun e talentuar Minir... dhe deri tek intervista me Artisten e Popullit Violeta Manushin (Teta Ollgën) e paharruar apo mbresat nga takimi me shkrimtarin tonë të shquar Ismail Kadarenë. Sikur vetëm këtë anë të veprimtarisë intelektuale të Bexhet Asanit të marrim në analizë do të mjaftonte për të parë një mozaik të bukur, shumëngjyrësh karakteresh, ngjarjesh, krahinash që flet mjaft bukur për interesat e tij, në kërkimin dhe zbulimin e së bukurës në fjalën, mendimin dhe veprimin e njerëzve dhe mjeshtërinë për ta ndarë me lexuesin të gjithë këtë.
Më shkurt, në të shoh dashurinë dhe respektin e tij për njeriun e thjeshtë por edhe krenarinë dhe njëfarë ngazëllimi për njerëzit e shquar të kombit tonë si motrat Qiriazi, Violeta Manushi, Ismail Kadare etj. Në të gjitha këto shkrime, unë shoh jo vetëm kolegun e pasionuar dhe atdhetar por edhe njeriun e mirë me zemër të madhe, që pa u lodhur, kërkon të japë më të mirën nga shpirti i tij. Pa këtë cilësi, të mëkuar që në barkun e nënës, pra, nga gjenet e prindërve nuk do të kishim gjithë punën shumëvjeçare të dr. Bexhet Asanit, për bashkatdhetarët e vet, për gjuhën shqipe dhe kulturën kombëtare. Është pikërisht kjo, që e largon nga tavolina e punës dhe nga hallet e përditshme të jetës për t’ u marrë me konkreten, me problemet dhe hallet e emigrantëve, aty ku jeton tani në Nju Xhersi, së bashku me bashkëshorten, mësuesen dhe zonjën e nderuar Afërditë.
Ai revoltohet dhe këtë revoltë nuk e mbanë të fshehur kur shikon që në emrin e shkollave shqipe për fëmijë apo Qendrave kulturore shqiptare, hapen qendra fetare ose qendra fiktive që nuk bëjnë asgjë ose bëjnë të gabuarën. Kështu, nga autor në të njëjtën kohë prof. Bexhet Asani kthehet në personazh veprues, i kritikon hapur këto dukuri, këto qëndrime dhe veprime. Dhe shkon më tej, duke menduar se ku ka boshllëk, ka më shumë mundësi të lindë e keqja, prandaj ai merr nismën për të organizuar festimin e ditës së verës apo festën e shëngjergjit së bashku me bashkatdhetarët e tjerë. Ishte e vështirë, dukej e pamundur, por u realizua bukur me ndihmesën edhe të bashkatdhetarëve të tjerë. Nuk thonë kot se njëmijë qirinj të shuar nuk mund të ndezin një qiri por një qiri i ndezur mund të ndezë njëmijë të tjerë. Mos kujtoni se kam dalë jashtë faqeve të librit “Optika letrare” të prof. Bexhet Asanit, jam aty, por qëndrova pakëz më gjatë në këtë pikë, për të thënë se sot kombi ynë, brenda dhe jashtë kufijve të tij, ka nevojë për më shumë veprim të drejtpërdrejtë, konkret për të zgjuar mendjet dhe zemrat e bashkatdhetarëve kudo që janë me dritën e atdhedashurisë dhe krenarisë kombëtare. A nuk vepruan edhe rilindësit tanë të mëdhenj në këtë mënyrë!? Le të shpresojmë se dhe në Nju Xhersi do të kemi me të vërtetë një Shoqatë atdhetare e kombëtare të kohës.
Si një kapitull më vete në këtë libër do të veçoja trajtimet dhe vlerësimet letrare të dr. Bexhet Asanit, për autorë të tjerë bashkatdhetarë dhe kryesisht të trevave afër tij dhe kjo ka arsyen e vetë. Duke njohur mirë jetën dhe terrenin ku vendosen ngjarjet në tregimet dhe romanet e autorëve që trajton apo botën shpirtërore me gëzimet dhe shqetësimet e veta të këtyre njerëzve, prandaj edhe gjykimi apo analiza do të jetë më e saktë dhe ndihmuese. Këtë e vërtetojmë duke lexuar mendimin kritik për romanin “Vija e lakuar” të autores së re Nexhmije Hasani apo vështrimin mbi krijimtarinë e autores Lindita Kopliku për vëllimin me skica dhe tregime “Agmia e ditës” dhe më tej në analizën e vëllimit poetik të Nikollë Ulndreajt “Tanusha” etj. Me këtë grupim nuk dua të them se vështrimi analitik i autorit mbetet vetëm në këto treva . Ai kalon natyrshëm nga jugu në veri nga perëndimi në lindje të atdheut tonë, në vlerësimin e krijimtarisë të shumanshme të prof. Kristaq F. Shabanit të palodhur nga Gjirokastra apo të këngëtarit të njohur përmetar Vasil Çurit (Vaskë Curi) i cili na del jo vetëm si këngëtar i talentuar por edhe si mbledhës i pasionuar i folklorit tonë. Duket se kjo fushë ka qenë një ëndërr e fshehur e këngëtarit përmetar Vasil Çuri.
Për autorin e “Optikës letrare” prof. Bexhet Asni, një vend të veçantë zënë portretet për studiues dhe poetë të botës shqiptare dhe për mendimin tim ato janë nga më të arrirat. Duket që siç thotë populli: nga miell i mirë, del kulaç i mirë. Kështu, mund të përmendim portretin mjaft të ndjerë për poetin e njohur kosovar Mirko Gashin apo plakun e urtë Subi Kazaferin etj. Me një nivel të lartë profesional dhe me shumë dashuri është shkruar portreti për arbëreshin nga Kozenca e Kalabrisë, Atë Antonio Belushin, atdhetarin e madh dhe studiuesin e palodhur të folklorit dhe të folmes së arvanitasve në Greqi dhe më gjerë. Po kështu është skalitur portreti i grkes Ana që fliste shqip për mrekulli dhe i shoqi shqiptar (çam) jo.
Një vend të veçantë në veprën sa studimore po aq letrare “Optika letrare” të dr. Bexhet Asanit zënë studimet mbi ngjarjet historike dhe problemore të popullit shqiptar në ditët tona. Nga këto do të veçoja studimin “Jehona e Masakrës së Manastirit” gjatë pushtimit osman, për një këndvështrim të gjerë të ngjarjes dhe për gjurmimin e jehonës së kësaj ngjarjeje makabër, në vendet fqinje dhe më gjerë, duke sjellë kështu një informacion të pasur për këtë ngjarje. Një pamje tjetër kemi në vështrimin analitik te studimi “Gjuha e mohuar dhe shqiptarët e harruar”, kushtuar situatës aktuale të shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni, në Luginën e Preshevës, në Mal të Zi dhe në Sanxhak të Serbisë, në fushë ruajtje të gjuhës dhe kulturës kombëtare, të drejtave të tyre civile etj. Në këto treva bashkëkombasit tanë janë jo vetëm të harruar nga shtetet shqiptare por duket sikur po harrojnë edhe veten.
Problemin e ruajtjes dhe pasurimit të gjuhës shqipe, autori e trajton në shumë shkrime gjatë gjithë veprimtarisë së tij, si studiues dhe krijues. Kjo është thembra e Akilit edhe për brezin e ri të emigrantëve në Evropë, në Amerikë dhe në Australi.
Në këtë qëndrim të thekshëm ndaj ruajtjes së gjuhës shqipe, pastrimit dhe pasurimit të saj, veçse si intelektual i kualifikuar, si krijues dhe atdhetar dr. Bexhet Asani, e ka edhe si mësues i Gjuhës shqipe për dhjetëvjeçarë të tërë. Dhe si mësues i dashur, i dhembshur, ai disa herë tregohet dorëlëshuar në vlerësimet e krijuesve të rinj, që kërkon t’ i inkurajojë ata në përpjekjet e tyre. Si koleg dhe mik do t’ i thosha zotit Bexhet Asanit, të jetë pak më i kursyer në këto krahasime, kur jam i sigurtë se edhe vetë e kupton këtë sidomos kur i krahason poetët e prozatorët e rinj me Naim Frashërin, Lasgushin, Kutelin, De Radën etj. E them këtë me bindje, pasi edhe ai vetë e pranon problemin e botimit të një letërsie mediokre. Kujtoj këtu pyetjen që i bën profesor Bexheti, për këtë çështje Ismail Kadaresë, gjatë një takimi në Strugë. Përgjigjja e Ismail Kadaresë është më se e mjaftueshme dhe të shtojë unë, fjalë të tjera do të ishte më se e tepërt.
Prof. dr. Bexhet Asani me përvojën jo të paktë, në fushën e botimeve premton për botime të tjera edhe më cilësore edhe më të plota. Pas botimit të veprave të tij: “Lirika popullore shqiptare në Maqedoni” 2011, “Studime letrare” 2015, “Ç’ u këput një degë qarri” (Këngë popullore) 1996, “Zura trëndafil me vesë” (Këngë dhe poezi popullore) 2003, Monografinë “Gjimnazi “Hajdar Dushi” çerdhe e diturisë” 2005, “Këngët rituale toske të trevës së Strugës” 2012 dhe dy botimet më të reja “Optika letrare” dhe Hyjnia e syve” Poezi, të vitit 2017, e ka siguruar tashmë lexuesin e vet.
Në këtë përvjetor të 60-të, të lindjes, i urojmë me gjithë zemër shëndet dhe mbarësi e sa më shumë krijimtari!
Filadelfia, më 30 shtator 2017
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen