Samstag, 30. März 2019

Kujtim Stojku: Buqetë poetike pranverore

Kujtim Stojku


THASHETHEMET PËR POEZITË

Natyrisht që kam diçka për të thënë për vargjet që ke shkruar,
Nuk mund të jem kaq i ngurtë e indiferent, e as ti kaq perfekt...
Megjithëse fjalët i kuptoj mirë, por ideja e fjalisë ku s’më del,
Ngatërrestar i madh, më bën të notoj në ujërat e turbulluar,
Noton sëbashku me zhabat në moçal, e thua fluturoj si zgalem.
Po ç’është vargu për ty që s’di se ç’flet,
Poezia duhet të jetë një arratisje për intelektin,
E cila nuk ka rrugë tjetër veçse ikje në panik,
Për një njeri serioz dhe vetëm koherent,
Në imazhin e saj se si duhet të jetë,
Në një formë në të cilën përpjekjet nuk llogariten gjatë,
Në poetin, ku vështrimi i tij zhbiron thellë e më thellë,
Për të gjuajtur thesare fjalësh dhe aty ku fjala është e vakët...
Në injorancën tënde, ti qesh kur ai thotë se vesi qesh,
Vesi ironizon pushtetin që ka ndaj teje,
Shijon sesi nënshtrohesh ndaj dëshirave të tij...
Goja betohet duke thënë fjalët më gënjeshtare,
Ajo është inteligjenca që gjallërinë e vret,
Është gjumi që ëndërron dhe sheh qartë,
Është imazhi dhe haluçinacionet që mbyllin sytë
Është mungesa dhe zbrazëtia që krijohen.
E ti thua, e ata përflasin, e unë dëgjoj,
E nuk bën asgjë tjetër veçse më shtohet oreksi,
Më frymëzojnë për një tjetër poezi...
Më vjen keq për ata njerëz që duan të mësojnë,
Ato që tashmë mendojnë se i dinë,
Se po ta kuptonin injorancën e tyre,
Tashmë do të ishin një hap pranë intelektit.
Injoranca në këto ditë është mëkat.
Mjerë ata që pretendojnë se dinë ato që nuk dinë,
E lumë ata që dinë pak, e mendojnë se ata që dinë nuk janë asgjë...



AJO

Sa ëmbël t’i përkëdhel baluket mbi ballë një fllad,
Nën vetullat e holla gjarpërushe të shoh sytë e ndritur,
Qerpikët përzihen sa herë ato shkrpëtijnë flakë,
Gjoksi të gufon prej shpirtit krejt i dalldisur.

Dëshirat si shpuzë në mëngjes janë duke u fikur,
Duke u tallazitur largohen me hap të rëndë,
Hëna mbi ballë më gjithë hijeshi të është ngjitur,
Hijeshinë e shpirtit ta lexoj në fytyrë,
Thellë në mendime të ka vënë.

Në vatrën që të digjet shpuza shpirtin kush ta ka shpuzitur?
Zjarri nga jashtë vazhdon të na djegë,
Prej pëshpërimës sate zemra n’gjoks është duke trokitur,
Është ajo që troket pa reshtur me gjuhën e saj të nxehtë.

Këtij shpirti të brishtë ia ndjej dhimbsurinë,
Si heronjtë nëpët përralla ai më zhveshi krejt,
Mbaheshe hero i madh por e humbe krejt lavdinë,
Duke puthur buzët e saj të nxehtë.

Ajo me rrezet e yjeve thurte dantella të zjarrta,
Në djepin e ëngjëjve e pashë duke u përkund,
Ashtu lozonjare me fjalët mjaltë, o Zot sa të ëmbla,
Është fitimtare e vërtetë asgjë nuk e tund.



MARRAMENDJE NË HUMNERË

Mendtë të merren duke vështruar në humnerë,
Kështu lind edhe marramendja e lirisë,
Shpirti lind duke vendos sintezën mjaft prerë,
Duke parë honeve vetë e sheh mundësinë.

Në këtë marramendje shoh rënien e lirisë,
Aftësitë e dritës i themi përmendësh si vjershë,
Ndriçimi prej rrezesh, universale si koncept,
Për ta shporrur tutje injorancën si burim i ligësisë
Veprimet shtazarake të njeriut kriminel...

Shpirti rënkon duke nxjerrë spazma tingujsh,
Përmes grykës që si teneqe është tharë,
N’mes territ krahët shtrigës mundohesh me ia lidhur,
Na sheh me sy të përgjakur e ne na quan shtazë.

Gjurmët i fshin me krahët e lakuriqëve të natës,
Pas gjithmonë le vetëm vepra mizore,
Imazhi i djeshëm i zhyt thellë n’ujin e këllirtë të ligat,
Një shtjellë pluhuri prej erës përreth çohet.

Ajo regëtin honesh duke projektuar gërmadha,
Si n’legjendën e Rozafës një hije e zezë rrënon muret vazhdimisht,
Botë e kuisjeve të qenëve që të sosur nuk paska,
Në çdo vrimë e skutë gjithmonë angullijnë.

Drita shpalos ngjyrat e saj, ngjyrosur nga rrezet e dritës,
Koha rri e varë në akrepat e sahatit, fjalët kthehen në tinguj,
Duke e nxjerrë të çjerrur gjithë melodinë,
Pemët gjethe të kaltra paskan çelur,
Prej frutave asnjë këngë s’del, të gjitha mbajnë zi...



NËPËR ERRËSIRË

Endem nëpër skutat e errësirës,
Jam një flakëz e dobët, ajo mund t’më rrokullisë teposhtë,
Në ndërgjegje si një qiri mendja shpalos kujtesën,
Gjuha e verdhë e flakës dridhet, zbehtë ndriçon.

Maja e penës është bashkëudhëtare e dritës, vazhdon e shkruan,
Perden errësirës ia çajmë, qiriri e ndez flakë,
Përmes saj dëgjohen gulshet e vajtimit si uji që rrjedh në përrua,
Ngjarje që nxisin kujtesën, mendja pret agmin të zbardhë.



GJUHËT E LIGA

Ti kalëron mbi ëndërrat e tua,
Nëpër shtigje të pashkelura dua të të zë,
Nga pas ndizen flakë gjuhët e liga për të t’shkrumbuar,
Gënjeshtra ka më shumë, e vërteta rrënjët i ka shumë thellë.

Të shoh si bëhesh në fytyrë lulkuqe e të zihet fryma,
Kur bie nata yjet duke kërcyer përreth u mblodhën,
Në portat e shpirtit tënd me druajtje trokita,
Ëndrra ndërpritet kur vërtetë troket porta, ti zgjohesh.

E më në fund ndodh ajo që kish ëndërruar,
Buzët epshtake duke u puthur në një u shkrinë,
Të gjithë e dëgjuan hapsirën duke turfulluar,
Agu shkreptiu me krisma, zbardhi e bukura dritë.

Na dukej se ishim në kopshtin e parajsës vërtetë,
Vetëm duke u puthur mendonim që të mbeteshim gjallë,
Prej buzëve kurmë gjak jetën e shoh të rreshket,
Nuk e di se çfarë po ndjen, e çmendon për të vallë?

Nxehtësisht shtrëngon gishtrinjtë e agmit të trëndafiltë,
Bashkë me natën ëndrrat që pas i le,
Ditën fluturon bashkë me diellin e florinjtë,
Byzylykët prej ari në kyçet e dorës unë t’i vë...



HIJET TONA

Si gjuhë të errëta flakësh,
Shihja se mbi mua regëtinte,
Si një refleks drejt meje vinte e shpërndarë,
Vështrimit i dukeshim hije.

Botën e hijeve asnjëherë se kam besuar,
Sepse n’këtë planet ato janë produkt i dritës,
Edhe pse vështrimi me gënjeshtrat lesh e li ishte ngatërruar,
Është e dukshme se sëbashku me hijet jemi duke jetuar.

Në një lule që dridhet,
Ku krimbi i verbërt përpiqet,
E miu ndalon të këndojë,
Daci i përgjumur shtriqet,
Gjuhë flakësh dalin nga zjarri i jonë,
Prej këtyre flakëve asnjëra se ka dritën e vërtetë.

Çdo kafshatë e gëlltisim të tronditur,
Shpesh herë hijet i shohim të dridhen,
Ata janë pjesë e pandashme e jona,
As pas vdekjes nuk kanë për të na u shqitur.

Jashtë gurgullojnë të kapur dorë për dore,
Duke kërcyer përreth nesh hidhen e përdridhen.
Hijet tona ne s’ia kemi treguar askujt,
Se endemi në errësirë këtë akoma se kuptojmë,
Hijet e bishave mbi ne lëshojnë kthetrat, o Zot na ruaj,
Nga plagët e shpeshta dregëzat na kanë mbetur në fyt,
Fati i tyre endet me fillin që tjerr vdekja...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen