Montag, 11. März 2019

Buqetë petike nga Dibran Demaku

Dibran Demaku

FLURUDHË MALLI

ëndërrimtare e fjetur nëpër mote e stinë
nuk është shpresë e shuar fjala për dashurinë
dritë moj e bekuar kthehu në timin sy
rrjedhë në shtratin e lumit mbetur shkret pa ty
andej brigjeve të thata ku e harxhon ti jetën
kot e shkrep buzëqeshjen me syrin tënd të gjelbër
agimet lindin e shuhen mbështjellur me pikëllim
llampadar i ndezur fikur në një rrugëtim
ëmbëlsirë bukurie dhuruar nga vetë natyra
trendelinë me fletë stolisur me shumë ngjyra
flurudhë malli e jetës në netët pa gjumë
lundrat e kujtimeve mos i fundos në lumë
aortë e zemrës sime sonte bën kryengritje
këngë e pakënduar strukur rri në pritje
ëndërr e pashuar për një fillim të ri
bletë e palodhur mbledh nektar për dashuri
retë lëvizëse në qiell mund të jenë dëshmitare
erë e lehtë pranvere troket në dritare
gurët ruajnë sekretin e inicialeve të shkruara
urat nga kaluam puthjet e panumëruara
tretur është kujtimi nëpër trotuare
trendelinë e çelur në një vazo në dritare
ëndërr e pashuar pë një të vetmen dashuri
njësoj më rrah zemra nëse nisem apo rri
ëmbël e përmend emrin tënd edhe në endërr
lumi bën rrugëtimin e tij edhe po s`u bë dhëndërr
uji turbullohet edhe nga një spirrë e vogël guri
muri e mban urën unë rri mbështetur për muri
idhull dashurie në një ëndërr purpuri...



MJEGULL

mbretëri e mjegullës shtrirë kishte krahët
mbi malet mbi fushat mbi luginat
dhe veshur kishte me një pelerinë të zezë
ngritur ishin fushat zbritur kishin kodrinat
nën mbretërinë e mjegullës
mbarsur me një krahnezë

nën atë mbretëri mjegulle mbarsur me legjenda
ushtri e huaj nga anë e anës frymonte nën tenda
asnjë frymë njeriu nuk dilte dot tek pragu
ushtri e huaj kërcënonte me hakmarrje gjaku
jeta gjallonte në fije peri nën gjuhët e flakës
delet dhe çdo gjë e gjallë po i mërdhinte plakës

dimri ishte në të dalur dhe s'vinte pranvera
fryente e fryente erë e tërbuar e kërciste dera
plaka lëshoi delet dhe doli tek guri
aty dremiste ushtri e huaj dhe valvitej flamuri

legjendë e rrëfyer nga gjyshet tregonte diçka tjetër
veç të vërtetën e hidhur e di tokë e vjetër
kur kishte arritur shqiponja e qëndisur në flamur
plakën e delet i kishte ngrirë koha i kishte bërë gur

dikur në një kohë të pa kohë krejt të zezë
një gjarpër i zi ndarë e kishte gurin në mes
sot dhe atë ditë dhe në shekujt që vijnë
dy pjesët e gurit të ndarë ballë për ballë rrinë

dhe sërish e sërish mjegull në fusha e male të Dardanisë
në qindra vjet e dhjetra shekuj në krah këngësh e metafora të poezisë...



DITUR E KISHTE 
NJË FJALË PREJ GURI
(Azem Shkrelit)

ditur e kishte një fjalë prej guri
damarëve të shpirtit në pika gjaku
për atë fjalë të vetme martirizohet burri
të mos shkelet nderi të mos shkelet pragu

ditur e kishte një fjalë prej guri
ngjizur në shkëmb ku mbijnë lisat
qëndisur e kishte në cep flamuri
bardhësi qumështore të mbanin plisat

ditur e kishte një fjalë prej guri
ditur e kishte një fjalë prej dheu
nuk vdes nami nuk vdes as nuri
gjersa emrin të ruaj atdheu...



ROZAFË

sa gurë u renditën mbi trupin tënd Rozafë
nga duartë e kunetërve mjeshtër gdhend latuar
vëllai i vogël i bindur në besë bëri gafë
apo akti yt i flijimit në ballë të ishte shkruar

shekujt vijnë e ikin në pambarim
toka nuk flet asnjë fjalë nuk flet as guri
fjalë e besë e dhënë nga një premtim
në shi e në diell tash nxinë vetë muri...



FLAKADAN I NDEZUR

rrënjë e fortë e lisit
rrënjë e lashtë e fisit
veq shkelqim i plisit

gjurmë e historise
yll-rreze e lirisë
sopatë e Ahmet Delisë

për fis e për farë
pëe mal lumë e arë
vije e kuqe gjaku
të mos shkelet pragu

maje e grykëholles
këput kokën e bollës
cel zambaku i mollës

Legjendari në bronz
vogeushët tërë gaz
flakadan i ndezur-Prekaz...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen