Mittwoch, 20. März 2019

Buqetë poetike nga Sylejman Aliu

Sylejman Aliu


GJËMIMI I DHEMBJES

(Kosovës)

Ajo ka fuqinë e tokës
unë varshmërinë
në varganin urtak të dashurisë

Dhe flet e skuqur Kosova... 
për ne

Jemi dhe ishim ne
gjetheverdhë
në copa kohësh 
as të vdekur 
më pak në jetë 
të mbyllur në thesin e shqyer të historisë 
heronj me gojë

Në prehërin e Saj shpjegimi 
deri në imtësi 

Po të mos heshtja, 
Do të flisja gënjeshtra
Si gjithnjë
brenda një kënge mashtruese


Ajo edhe e dergjur nga ne
më jep dashurinë 
me frymëzim hyjnor

O, Zot 
sa e fuqishme 
brejtjen e duron nga ne 

Bëhem rob i kësaj lumturie të dhembshme 
të mbjellë në djerrina këngësh

Ia them të gjitha me heshtje 
ia pranoj saktësinë e saj pemtare
dhe ik brenda një harrese të kujtueshme 

Dashuri nuk është ajo në një kohë copa-copa
brenda gjeografisë së përvuajtur banimi
në arën tonë kullosë mashtrimi

Në parajsën e dhembjeve të urta
bollat helmuese ia hanë pranverën.




EUROPA

Të njihnim si nuse të vjetër
Shkrepëtimat t’i mblidhnim me dorë
Në verën tonë seç bënte dimër
Dimër i fortë

Prapë të njihnim si damë të vjetër
Jo një vit, një thes shekujsh,
E urtë, e mlleftë, e ftohtë

Kishe ato që kërkonin të tjerët
Një ëndërr të çliruar nga tmerret

Mburrja yte vilte e vjelë
Qiell e diell
Në prehrin tim mushkonja pjellë


2.

Kishim lënë gjeografinë
E trollit të përgjakur
Brenda harrimit tënd ndëshkues
Kur gurë spirrash ngulnin në ne
Herë kryqe bizantësh
Herë maskaradë e fe
Herë shpatë e gjak
Litarë gjymtyrësh
Edhe në amësi
Vrisnin Iliri
Gjymtonin Shqipëri
Hije Karpatesh t’mashtronin n’histori
Otomania hapëronte si gjarpër i zi
Të të prekte dhe ty

Por ne ishim aty

Të mbronim si nuse të vjetër
Shkrepëtimat t’i mblidhnim me dorë
Në verën tonë seç bënte dimër
Dimër i fortë




KOHA JONË E HARRUESHME

Ishim vetëm
të parë e të lashtë

jemi plot:
ne
vetmia
dhe të huajt

Në kohën tonë të harrueshme
sall vdekje
sall heronj

me vdekjet rrojmë

kombi digjet
mes qiellit dhe vetes

rrimë ulur e të pagojë
të mos na kafshojë qeni i shtëpisë

me thonj
nxjerrim eshtrat e karbonizuar
dhe me ta ndërtojmë kohën tonë

sall të ketë të tillë
t´i përmendim për vete

kombi duhet të rrojë i vdekur
dhe ne të dukemi të gjallë
ne që duam të udhëheqim

Tetovë, shtator 1999




MBI URËN E MITROVICËS

Mbi urën e Mitrovicës
Është ulur nata diplomatike
E sertë
E zezë

“Shlivovicë” shkijesh
Në kërthiza shkinash
Pijnë

Mbi urën e Mitrovicës
Kafshon muzgu i errët dite
Gjymtyrët e mbetura

Diplomacia e bërë nga terri
Ka veshur rrobat e zakonshme 
Të hilesë

Stuttgart, gusht 1999




NËNËS

Të erdha në lindjen time
Ishe me mua
Në gjakun tim

Amësia po rridhte si krua

Në fshatin tim malor
Zhgunbardhë ahe e malësorë
Dashuria po krijonte një botë

Të erdha në lindjen time
S‘ishte tepër vonë




BRITMA E VDEKUR

Më prisni të vdes
mos më vrisni
kaq të vdekur

ç’është ky dhëmbë shprishës
në gjiun e ditës natë
të vendit tim

mos na vrisni stinët e plakura
brenda kullës së djegur të mburrjes
me kullosën e çmendur
në fytin tonë të tharë

britmën mbajmë lidhur
n’arkivolin e heshtjes
djajtë t’mos tremben

mbi ne një qiell i murrmë
soditë kënetën…

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen