Miradije Ramiqi |
DASHURI E HARRUAR
So Longe. G. Moor
Tingëllimë
zëri yt
dashuri e harruar
lehtësisht më vjen
i (k)thyer në kornizë
i mbështjellë me purpur
në veshin tim
ëmbëlsisht
shkrihet i qetë
DERI NË BREG TË JETËS
Të përcolla deri në breg të jetës, Ulis
Telemaku ta rinjohu udhën e kthimit
I dashur, duhet ta mbjellim tokën
Fara le të hidhet, the, unë hodha farë
Përralla u rrëfye edhe për shumë breza
Unë ta ktheva butësinë skofiare
U varrosën ata që nuk u kthyen
Thanë, Troja vazhdon edhe për ca
U mbëltuan plagët edhe pjesa e vdekur
E jetës që nuk e njoha as më vonë
Duhet ta mbjellim tokën, i dashur
Të përcolla deri në breg të jetës, Ulis
Në tezgjahun tim more trajtë të remtë
TË LASHTAT
Ulis, kthehu e korri të lashtat
A nuk po sheh se vera të është tharë
Në pritje si të dashurat e trimave
Të rënë në fushë-betejat e Trojës
Buzëqeshja të është zgah e varur
Në gardhin që e le duke u rrënuar
Dhjetë vjet më parë si një të vrarë
Puthjet t’u vyshkën në shi
Mblidh përkëdheljet që s’të njohin
Pas aq udhëve të paudha, Ulis Ulisi
Çdo gjë po fillon të të rinjohë
Edhe unë në një trajtë tjetër heroi
Mos më shiko ashtu ftohtë, i dashur
Në tezgjahun tim është fshehur
Vdekja jote e marrë që s’të deshi
Unë jam vetëm një trajtë e saj, Penelopa
SHUMË GJËRA NDODHËN PASTAJ
Shumë gjëra ndodhën pastaj
Zaret u hodhën në shkumëzimin e ujëvarës
Kush do ta mundë Ulisin
Unë do t’ia fal thurimën time
Ndërsa shkuesit m’i këputnin penjtë
Vonë të hetova ty, kishe një pe në dorë
Ia ktheje thurimës sime fillin
Të humbur njëherë nga ngurrimi
Zaret u hodhën, thanë më vonë,
Çdo gjë u ngatërrua nëpër thurrime
Ti erdhe dhe e munde Atë që ishe Ti
Ulis, fitove bastin, ç’thashë unë
Penelopa u përthur në atë thurinë
TEK ZEMRA IME
Vetëm ti
E njeh rrugën
Deri tek zemra ime
Të tjerat ka mot që janë mbyllur
Rruga për në zemër
Është rrugë që shkon e nuk vjen
Si lindja
Si vdekja
KUJTIME TË NDRYDHURA
Pas njëmijë e një netëve të pagjumë
Puthja u ngri
Si në shkreptimën e rrufesë
Në shuplakë i ndrydh
Kujtimet e lodhura
E në çdo gurë të Kullës
Mallin për ty e mbyll
Si frymë përjetësie
MBËSHTJELL ME TISIN E NATËS
Kur nuk të kam pranë
Flas me ty
Si me rrjedhën e lumit
Mbyll sytë dhe fle
Mbi gjoksin tënd
Të mbështjell me tisin e natës
Me ëndrrën e parë
Të tërheq më pranë
Për ta ndjerë ngrohtësinë
Në letrën e bardhë
NUK MË ERDHI ASNJË PËRSHËNDETJE
Këtë ditëlindje vjeshtë të vonë
Nuk më erdhi asnjë përshëndetje
Thuajse gjethnaja mbuloi gjithçka
Edhe frymëmarrjen e kohës
Përherë duhet të ballafaqohesh
Me zjarrin e ndezur brenda
RINGJALLJA NË PRITJE
I shemba muret që na ndanë
Ti prapë nuk ishe aty
Duke e përsosur vetminë në afreskë
E gërvishta lëkurën time dhe s’doli gjak
Në vend të plagës pashë fytyrën tënde
Lotonte Pritjen si dhunti flijimi
E gritha edhe pak
Çudi, i pashë duart e mia mbi atë fytyrë
Duke ta zbehur mërzinë e Pritjes
Nga ai dhelkim u drithërua afreska
Tha: “Këtë robëri s’mund ta duroj më!”
Zbriti dhe shembi muret që na ndanë
U ul në skajin tjetër të studios
Tha: “Më shpirtëzo edhe njëherë”
Nga ajo Pritje unë u ringjalla
Fytyrën tënde e ktheva në skulpturë
Që të më ruajë nga një dimërim i ri
Pritja është më e madhe se ardhja
TE LIQENI I PA EMËR
Nëse kthehesh
takohemi buzë liqenit
një ditë pranvere
në tokën e lashtë
natën pa hënë
e bëjmë dashuri
te liqeni i pa emër
mbi trupat tanë të pikturuar
i harruam të gjitha tradhtitë
dashuria ringjallet
në ngrohtësinë e pritjes
kur të kthehesh
bashkë me trupat tanë
hëna mbi liqen do të shndrisë
FUSTAN I MALLIT
Nuk më fale në pranverë
Mëkati më shpërlau
Nëpër gurët e rrufeve
Më kot më veshe fustanin e mallit
Në vend teje pranvera e stolisur
Një kurorë lulesh ma solli
Zogjtë fluturuan nga supet e mia
Pranvera rilindi në qeshjen e përhitur
Ti nuk u ktheve
Malli veshi këmishën tënde
NË KONAKUN E HESHTJES
Shikimi yt i vegimtë
Gjithmonë më përcjell
Brenda meje
Atëbotë
Vetmia e ftohtë
Më nxjerr kreshpërak
Nga vetvetja
Bën çka të duash me mua
Më kthe në pritjen
E konakut të heshtjes
Ku vishet e zhvishet nata
FILLIMI I LOJËS
Mos e shkel hijen tënde
Kokën gjarpërore
Se trembet nata jote e ngujuar
Kallinjtë i ke në ballë
Të arrijnë deri në brez
Derisa matesh me trupin tënd
Hijet drithëruese të ditës
Të vjedhin tinëzisht
E Ti mbetesh prapë Lojë
MOS I DIL PRAPA HIJES
Mos i dil prapa hijes
Se të ndjek gjithnjë
Mallkimi i pafalshëm
Mos e vjedh rritën tënde
Vetëm duke ëndërruar
Pritjet e pritjeve
Hijen tënde mos e shkel
Nëse shpëton nga mëkati i fshehtë
Deri sa matesh me trupin tënd
Të mbetet vetëm një lojë
TA ARNOJ KËTË DITË NË PRITJE
Të lus Ty që je para meje
Krijomë pak qetësi
Ta pushoj mallin që më përcëllon
Zë t’i vjedh ngjyrat nga ngjyrat
Ta arnoj këtë ditë në pritje
Që shndërrohet me mua në simfoni
Hapat pas meje tretën në muzikë
Që e fishkëllej në Alegro
Derisa të vijnë ngjyrat
Qiellin e kam në supe
KTHIMI NË BUZËQESHJEN E PARË
Shkurtoi pak ecjet e ditës, thanë
Deri sa trupova dy herë rrugën time
Me drojë të më zënë magjitë
I shkurtova flokët që më rënduan
Ta tejkaloj rrugën që më vjedh
Dhe ja jam aty ku më latë të gjorë
Duke u kthyer në buzëqeshjen e parë
Ju shikova në largësinë e mjegullt
E gurëzuar në rrudha të pritjes
Nuk i shkurtova ecjet e ditës
Që t’i prapësoj edhe më tepër
Zbritjet deri në fund të vetvetes
SI NË ÇANAKUN E NARCISIT
I dashur, ç’u bë me Ulisin, i dashur
A nuk ishte edhe ai në këtë udhë-Ulis
Tri net e prita në shkëmbin e heshtur
Dhe të katërtën e vizatova mungesën tënde
Në sytë e mi përvajshëm ra loti pastaj
Në tezgjahun tim, për çudi, aty u shikova
Me fytyrën tënde si në çanakun e Narcisit
Sa shumë i ngjasonte thurimës që e kisha bërë
Dhjetë vjet rresht me ngjyra të pritjes
Derisa shkuesit ma shkurtonin kujtimin
Në diçka aq të gjallë që e kisha në vete
Që aq shumë i ngjasonte trajtës sate, Ulis
KALORËSI IM I KALTËR
Në dritare u shtangova nga pritja
Kalorësi im i kaltër
Në shpirt ngarkova tërë ëndërrimin
Më lehtë do ta kem të kthehem
Në të djeshmen që e urrej
Për të sotmen që e mbjell në kujtime
Si të bëj që ky udhëtim i vazhdueshëm
Të qëndrojë në qepallën time
Para se pritja të shndërrohet në harresë
Në dritare u shtangova nga pritja
Që të kthehesh kalorësi im i kaltër
Nga dhembja të më gjesh të bleruar
NUK MA FALE ASNJË STINË
Çka ndodhi midis nesh
Ti asnjë stinë nuk ma fale
Unë dola sërish me fustanin e njëjtë
Si në Katër Stinët e tjera
T’i mbledh ëndrrat e kuqërremta
Që më harruan në parashtegtime
Mëkati rriti trupin tim
Dhembja dhe malli e përcëlluan
Për të arritur deri te Ti
Me të njëjtin fustan të vjetruar
Ç’ndodhi vallë
Pse nuk ma fale asnjë stinë
____
Poezitë janë marrur nga libri: "Dashuria flet me zemrën e diellit"
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen