Montag, 4. März 2019

Gjerdan poetik nga Grigor Jovani

Grigor Jovani

ENDRRAT

Të vish t’i themi nganjëherë,
kur malli të troket në derë.

Me ëndrrat bashkë të fluturosh.
Në shtratin tim ke vendin bosh.


VETERANET

“Qenë kohë të bukura, përveçse heroike,
aq sa tani ndjejmë mall”,
thonë ata që u kthyen të gjallë.


DISTIK

Në erdhe për të ikur, kur të dalësh,
tërhiqe portën pas dhe të më falësh.


E PAMUNDUR

Të paskam thënë “Të dashuroj!”,
si t’isha djalë!
Por unë i kam harruar këto fjalë…


TRUMBETAT

Mos i numëro për heroina këto trumbeta.
Tani që s’ka luftë ngjajnë plaka të shkreta.


TRUMCAKU

Një trumcak me pantallona të shkurtëra,
nxjerr kokën e vockël nga foleja, 
shikon i trembur rreth e rrotull…

Unë, gjatë fëmijërisë, në Dropull.


BESIMTAR

Tani më nuk besoj në asnjë fe.
I përkushtohem ego-s sime me nge.


PREFERENCA

Nga gjithë vjershat e mia preferon,
ato që për ty kam shkruar.

Dakort, por janë pa përfunduar.


ZOGJ SHTEGTARE

Më shfaqen në ëndrra ca zogj shtegtarë,
i mbyt në mëngjes furtuna e parë.


TE ZGJUARIT

Shkruaj ç’të duash, mos e çaj,
lëri të tjerët t’i shpjegojnë.
Në s’i shpjegon as vetë, mos qaj,
ka ca të zgjuar, që i kuptojnë.


VARREZA

Kazma dhe lopata -
start për rrugë të gjata.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen