Donnerstag, 7. März 2019

Buqetë poetike nga Ismet Aliu

Ismet Aliu

SHQIPONJA

Ajo endej në qiell
Kërkonte 
Një Majë QiellTokë
Dhe tevona
Zoti krijoi Tomorin
Ajo zbriti në Fron
Thithi avuj blu të qiellit
Nektar perendish ilire piu
Pastaj
Fluturoi në qiellin paanë
Dhe si denbabaden
Një Sy ia lëshoi At-Dheut



SHQIPËRIA

Fytyrëlien plot rrudha ta prek
Gjumin e Etjes mijëvjeçare e shkund

Në një baladë të moçme një Zog mitik
Hap Kangjelën e hyndel plagëve të Gjergj Elez Alisë

E tek bredh horizonteve ai Zog mitik
Dherave të arbrit flatrat i bëjnë Dritë

2.
Honeve të humbjes rri mendoj
Ah të plotë si ËndërrMira si të të rikrijoj

Në trup ulliri Mish i gjallë Etja, Syri vrer
Horizonti yt copëtuar Fati kaq gjymtyrëprerë

Sytë t’i puthsha Fytyrën plot blana, rrudha
Ate Qiell Plagësh të bukura Shqipëri ta puthsha

Të ndjej kohërave lagur në Shi gjer në Palcë moj
Ah të plotë, të plotë si të të rikrijoj. Oi, oi, oi



PRAPË PËR KOSOVËN

Je bërë
Si ai Çardaku i Përrallës
Lart
Pikëllimi i Reve
Buzëqeshja e zymtë e të Rënëve
Lart
Poshtë
Vezullima e Thikave tinëzare

2
Vështirë e ke
Me gjithë këtë Mjegull...
Duhet të ecësh nëpër Tel
Me Plagë me Etje
Një Jetë e më shumë 
Të ecësh dhe të mos biesh...

3
Evropa bën sehire

Ta mbyll Syrin 
Gjuhen ta qet prapa shpine

Në Veshë 
Të pëshpëritë paturpshëm

Duaje vrasësin tënd
Ti flet me Mitet, shikon qiellin 
Zotin kërkon përtej Reve

Mundohesh të kuptosh
Nëse i Madhi po e sheh Hilenë



DIMËR 1956/57

Motmot: Shekull
Sall një Stinë
Fshikullimë
Bërtimë

Zemra Gropë
Thellimë
Shpirti vrimë

2.
Gjak 
Dëborë
Dhe Ulurimë...

O Zot
Një jetë njeriu
Kujtesë me një Gungë
Ku Ujëra pikëllimi rrinë amull

Ajo stinë na qe Stinë prej Bore...




FQINJI IM KRIMINEL

Kokën e kishte
Shpellë Dhelprash

Mendimin sall Dimër
Ku kultivonte
Trëndafila të Zez

E stina e Ëndrrës barbare
Qershitë s’t’i poqi kurrë

Gjaku i Hartës së prerë
Të zuri si ankth me vrerë

2.
Tek dhunoje gra,
Dëboje njerëz

T’i ra egoizmit Lia e Qenit
E t’u dogj Etja Mesjetare

Prijës dhe varrmihës...

Akademisë tënde t’i ra Morti
Në Moh harrimi
Fshehurazi të varrosi

Në fushën pa fund
Ku mrizonin Delet e Zeza 
Ku turpi të fshihej në Mjegulla...



SHTËPIA E BRAKTISUR

E la shtëpinë prej Guri
Mbi pëshpëritje gurësh

Dhembjen pagoi: Mërgoi 
Përtej Lëkurës së vet

Barëra të këqija Trëndafili i Zi
U shtrinë mbi hiq e boshësi  

U plasi Syri Dritareve
Për Lojë të humbur fëmijësh

Porta harroi cijatjen e zogut
Se Jeta as hynte as dilte më

Udhësi tash  kërkon shtegun
Të kthehet trupin në Lëkurën e vetë



NJERIU I MIRË

Njeriu i Mirë
Foli me vetëveten në pyll
Iu shua pak Qiell e një Yll

Ani se mali s’kishte Sy
harroi që ka Veshë

Ra ai Vesh pylli
Atë natë iu dogj Fylli

Njeriu i Mirë
U ngjall në një legjendë
Anise Kënga i vdiq

E ai tjetri Njeriu i Lig 
E tjerr Mërzinë në kurrëkundHiq



JUDA

Se si hyri
Idioti në poezi
Një Natë bubullimsh
Kur Stuhia
Shqyente Jorganin e Historisë

Me gjithë atë bagazh
Zogjsh të vrarë
Me gjithë ato Varre në Sy…

2.
Tri ditë e tri net
Poezinë e zunë Ethe Pendimi

Pastaj
Bashkë me vrerin e asaj dite
Poezia volli Portretin e tij 
Në nevojtore
E qeshi pafundësisht si Qejt


1999

Pa dhënë ferk
Qe thyer Dita në kuris

Qiellit Qorr të frikësuar
Një Korb flatërblozë fluturonte    

2
Në atë asDritëasTerr 
Na përgjonte frika
Na hante Syri i Habisë...

Njëmijë vjet e pritëm Mëngjesin
Ai s’ erdhi
Ne burrave
Na u rritën mjekrat
Grave u shteruan gjinjtë

Kot Mëngjesin e pritëm
Një jetë e më shumë

Ai nuk erdhi…



FËMIJA 
QË U ZHDUK NË LUFTË...

Fëmija krejtë i larë në gjak
Futet  në Malin e Shenjtë
Se kah zhduket i vetëm fillikat...
Pastaj
Më vonë faqes gjysmëpaqes 
Gjithkah e kërkuam
Në Qiejt e përmbysur të luftës
Në Shirat e dhembjes
Askund s’ishte...

2.
Një Plak mijëvjeçarë
Me Sytë Mjegull, fytyrën çarr

Heshtni  tha
Mbylleni gojën, mos ia vrani Lojën...

Se fëmija u end u end e u end
Në Zemër të Malit të Shenjtë
U bë engjull në një legjendë



NGELI NJË GRUSHT ATDHE

Secili pushtues
Na qe Pusht
O fati ynë Qorr… 

Pushtues paranojak
Mend e Shpirt cullak

Micëruan në Kujtesë
Dhe’ vodhën Dhe’
GjakDhe
E DheGjak morën…
E merr
E merr
E merr
E merr
E merr
E merr
E merr
E merr
E merr
Dhe’ e Gjak e Gjak e Dhe’
Na ngeli një grusht Atdhe…



BALADË PËR DASHURINË ME SY TË NGRIRË

U panë me Djallin sy më sy

Djali në sytë e Djallit
Pa zjarrin, Ferrin
Apokalipsin kozmik të botëve

Djalli në sytë e Djalit
Pa qiellin blu të dashurisë pa hile

Ai këqyr...
Ky këqyr…
Derisa Djalli I mbylli qepallat e iku.

2.
Shumë vjet më vonë
Madje edhe qindra thonë
Një Zanë Mali e shikoi në sy Djali.

Ai këqyr...
Ajo këqyr...
Të dy panë Parajsën kozmike të botëve

Pastaj
Një britmë, dy krisma
Dhe Ah pamja e përjetshme e Parajsës kozmike
U mbyllën në honet e një balade mitike



BIOGRAFIA E SHKRIMTARIT

Ismet Aliu lindi më 23.10.1957 në katundin Balaj të Ferizajt. Shkollën fillore e kreu në Balaj dhe Ferizaj, ndërsa normalen po ashtu në Ferizaj. Më 1983 ka kryer studimet e larta të letërsisë e gjuhës shqipe (Fakulteti i Filologjisë) në Universitetin e Prishtinës.
Me letërsi merret që nga shkolla e mesme, por në shtypin letrar (revista e gazeta, në Kosovë e Maqedoni) boton nga fundi i viteve shtatëdhjetë, sidomos në vitet tetëdhjetë, ku atëbotë mori shpërblime të shumta në konkurset letrare për prozë e poezi, për të rritur e për fëmijë. Herë pas here merret edhe me shkrime diskurseve. Në shtypin e kohës ka të botuara një mori recensionesh e vështrimesh në revista e gazeta të ndryshme.
Drejton SHB “URA” në Ferizaj, ku deri më tani kanë parë dritën e botimit vepra të shumta. Qysh si student i letërsisë është prezantuar në antologjinë e poezisë “Rrjedh e lë gjurmë”, botuar nga ‘’Bota e re’’, Prishtinë, 1983; është prezantuar në vëllimin poetik ‘’Katërmbëdhjetë autorët’’(përmbledhje poetike e ndaluar nga gjyqi i atëhershëm jugosllav), botuar në Ferizaj më 1986 dhe po ashtu është paraqitur edhe në antologjinë e poezisë shqipe në Kosovë “Fjala poetike”, botuar nga SHB ”Balkans Fre Pres”, Prishtinë, 2013.
Aktualisht punon në shkollë të mesme si mësimdhënës i letërsisë dhe i gjuhës shqipe në Ferizaj.

Deri më tash ka botuar:
“Rrathë në hapësirë’’, poezi,  ‘’Rilindja’’, Prishtinë, 1987
“Babai i pasjellshëm”, poezi për fëmijë, “Rilindja”, Prishtinë, 1989
“Vrasja e indiferencës”, tregime, “Rilindja”, Prishtinë, 1990
”Ëndrra me krahë dylli’’, poezi, ‘’Buzuku’’, Prishtinë, 2007
“Në anën tjetër të pasqyrës”, roman, “Ura”, Ferizaj, 2010
“Muri i qelqtë mes mortit e jetës”, roman, “Faik Konica”, Prishtinë, 2011

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen