Freitag, 15. März 2019

Poezi nga Miradije Ramiqi (3)

Miradije Ramiqi

E BARDHA NË PASQYRË

Një mbrëmje e heshtur në pasqyrë
Ca puthje t’i fala Orfe
Dhe gjithçka ndodhi më vonë
Në dritare të pritjes
Rrinte e varur këmishë e bardhë

Ngjyrat e harresës t’i fala
Të shkrira në një pikturë të çmendur
Derisa në dritare shfaqej pikëllimi
Shi binte deri në dhembje
Portreti yt zgjohej nga ëndërrimi
Përkëdhelte fytyrën në pasqyrë

Me duar tona përqafuam bardhësinë



DËSHIRA BRENDA DHEUT

Udhëve të braktisura trazon
gjethet e shpërndara të vjeshtës
e fryma shpupuritëse
e zgjon puthjen e fjetur
në brendinë e tokës së zjarrtë
mosnjohja e gjakimit 
është më e vogël se njohja
një ditë tjetër do të vijë
shumë më e gjatë se premtimi
në takim të dhembshëm
mallin e ngelur peng e përballon
përjetimet e mbyllura në pergamenë
në ngjyrë të një pikture
përgjatë rrugës plotë drithërimë
”Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në pranvere ”
heshtja ta zbuloi kujtimin në pritjen e gjatë
fjalë e zjarrtë etjen ta shuajë kërkon
në shtratin me ngjyra
me djersën e trupit shkrihen
në një pikturë surrealiste
brenda lashtësisë së dheut



PESHA E PRITJES

Më rrah në kokë
Si trokëllimë hapash
Që nuk vinë kurrë

Kthehesh lashtësor
Çdo natë si përnatë
Rrugët i ringjall
Brenda meje

Edhe koha ndalet
Në çastin e Pritjes së madhe



SHI NË BUZËQESHJE

Brenda meje
prehet një yll
si ngrohtësi e Diellit
me shkëlqimin e buzëqeshjes
rilind si dashuria
rrjedh brenda meje
si ujëvarë ëndërrimi

shi në buzëqeshje



DERI TE KUPTIMI 
ËSHTË NJË JETË E TËRË

Miku im
dikujt i mjafton një pikë
të kuptojë krejt domethënien
e asaj që nuk thuhet me fjalë
ndërsa shiu ringjallet në buzëqeshje
dikujt shumë fjalë i duhen
për të mos kuptuar asgjë
as edhe një fjalë
shumëçka bëhet pikë e pesë

deri te kuptimi
miku im
është një jetë e tërë



BUTËSIA E PIKAVE TË SHIUT

Ndiej ngrohtësinë e frymëmarrjes
butësinë e pikave të shiut
shpirti im pikturë e lagur
përkëdhelje ajri
ndjeshëm nëpër fytyrë e flokë
valëve të detit kalëron
dashuri në thellësi mbjell
një ditë të afërt të largët
në pikturë të pakryer takohen
trishtimi e bukuria
në vendin tonë të lashtë 
Arbëri
lagur ishim deri në palcë 
ose ashtu dukej atë ditë 
rëra përpiu shiun që binte 
edhe një ditë tjetër kërkonim 
dashuri
ecëm për t’u takuar
cep më cep të kësaj bote



TA VIZATOVA HIJEN 
NËN SHUPLAKË TË DORËS

Ta vizatova hijen nën shuplakë të dorës 
Ec edhe për ca pëllëmbë pikëllimi im
Udha të vodhi derisa të mbaja rob

Kokën ta pashë në skajin tjetër të pasqyrës
Fshihej bashkë me mua nëpër shkëlqim
Pastaj çdo gjë mori trajtë tjetër
Ta lëshova në shuplakë si trofe

Ti u shikove me të si me një të huaj

Gjithandej shkova me atë tatuazh
Kur u shikova në pasqyrë
Shiu ma shpëlau fytyrën e dytë
Më përgatiti për një udhë tjetër
Prej nga mund të mos kthehem më

Zbrit në shuplakë e shikohu me mua



EDHE NJË DITË

Dyzet e gjashtë shkallë kalova
Edhe një ditë më iku
Në pritje

U mbështolla me pikat e shiut
Që më zbuluan në kuqërremtësi

Kërkova në kohë vend për hapat e mi
Por ç’të bëj me shiun që është në mua
Në parakalim dhe në pasqyrë

Për çudi: u shikova me sytë e tu
M’u ndrit fytyra e kuqërremtë
Në atë ndeshje hyjnore

Shi në buzëqeshje



NË SHTRATIN ME SHI

Vargu im i shtrenjtë
në mes pikave të kërkoj
i shpupurishtë me vjen
në flokë e gjethurina
të më thuash e të më duash
në shtratin e shtruar me shi
e vetmuar nuk do jem
vargu im me shi
i mbuluar me gjethurina



SHI I HIRTË MBI VITET E MIA

Nën re të ngrysura 
shi i hirtë bie mbi vitet e mia 
shpupurishëm shtrihet mbi trupin tim 
diku në një ditë shtatori 
ditëlindje në një botë të re 
kishte sjellë pas 57 vjetorin 
po ti ishe fshehur  
përtej etjes së detit 
në pritje që t’i nxjerrin sytë 
për të parë atë që nuk shihet 
kur vetmia ime 
gërryen heshtjen brenda teje 
për atë 
që s’mund të jetë 
vetëm përshëndetje



E KREMTE NË NATYRË

Më vjen me këngën e Elvis Prislit
dhe zogjve në degë
me ngjyrën e Van Gogut
e shiun pranveror
ndezur në ngjyrë luledielli
shqetësimet e shpirtit
thyhet korniza
nga përkëdheljet e trupit
drithërimat pëshpëritin
valle hedhin
në varg e në ngjyrë



NË VORBULLËN E ETJES

Nga vitrina i shfletoj librat
njërën e mbaj në dorë
tjetrën e flak tutje
në një skaj
marr dhe një tjetër 
e shpalos
tituj autorë të ndryshëm
vendorë e të huaj
luftoj me dhimbjen time
një çast artistik
e fjalën kërkoj
brezi yt dhe unë
mbyllur jemi
në vorbullën e etjes
nëpër fjalë e shkronjë



DERISA PËRJETOJA GOZHDIMIN

Për çudi të zbulova në Luvër
Nuk të lashë të flije ditën
Si në luginën e lulëkuqeve
Duke u marrë me buzëqeshjen time
Që e kishe përshkruar dy mijë vjet
Më parë në Kalvar derisa përjetoje
Gozhdimin e shenjtë, Krishti im i gjorë
Zbrit këtu përmes pasqyrës në shi
Së bashku ta bëjmë këtë mundim
Para se të të shpirtëzoj në atë afresk
Që në mur loton në vend meje
Këtu si duket u ngatërruan gjërat
Tash ti je këtu e më kthen në pikturë
Kthehu ndonjëherë e mos më harro

Së paku pas dy mijë vjet gozhdimi



KONAKU ME LULËKUQE

Shtrati të është shtruar në ferra
Dasmë e kuqe të rri varur në qafë
Ogiçët të ecin me nga një mollë në brirë

Fusha ta shtroi konakun me lulëkuqe
Në dorë të ulët dielli krejt i dehur 
E më shikon si luan fara ime njerëzore

Pushkët e mllefit u zbrazën
Gjithçka u këndua dhe u mallkua
Deri sa piku rrëfeja në lisin shekullor

Gjithkund dhe gjithkah u ndoq hija ime
Për të mbetur këtu në një rrëfanë të blertë
Të mbyllë përrallën që nuk e përgjaku



LËKURË GJARPRI

Ke veshur lëkurë gjarpri, thanë
Në magji i ke mbyllur buzëqeshjet

Dita t’u ngatërrua në çufrrën e flokëve
Askund nuk arrite as aty ku je

Në skajin tjetër të asaj buzëqeshje
M’u gurëzua butësia që e kisha njëherë

Dil nga kjo aventurë kaq e marrë

Ke veshur lëkurë gjarpri, thanë



HUMBE NË MJEGULLËN E SYVE

Asgjë nuk more nga dita 
As atë që pate nuk e more

Në fytyrën tënde duke zbritur
Humbe në mjegullën e syve 

Askund nuk arrite as aty ku je
Duke u vjedhur tinëzisht në parakalim

Nga t’ia mbash midis udhëkryqit
Thanë se asgjë nuk more nga dita



PIKTURA PIKON ZANAFILLËN TIME

Më ndjek nëpër studio

Kthehet për një çast në pëlhurë
Ia qes edhe tri ngjyra të remta

Çdo gjë pastaj merr ngjyrë
Del prej kornize dhe ulët në sofër

E kthej në një peizazh
Ia shkurtoj këmbët të mos më ikë

Ai dënes dhe shtrihet si i vdekur
Vallë, e vrava modelin tim të gjallë

Një pikturë pikon zanafillën time



PËLHURË E PIKËLLUAR

Portretit tim i duhet edhe pak verë, më the
Ta derdha çufrën time prej flokësh
Çdo gjë pastaj u emërua në portretin tënd

Mora ta fshija me majë të brushës
Ashtu mbiu ajo fushë e bardhë akuareli
Ç’m’i lëbyri sytë bardhësia e sëmurë

Pak më vonë ia ktheva lisit hijen e tij

Pastaj u ule të pushosh nën atë lis
Pas teje kopeja e deleve të Polifemit antik
Sa bukur! Ç’idilë, the, Unë u solla rrotull
Humb si bashkë leshi, Argonauti im, ç’pret

Brusha u ngjiz në atë pëlhurë të pikëlluar
Ç’u bë me modelin tim që e kisha në pikturë
Që pak më parë arriti ta nxjerrë kokën
Dhe fshiu këtë qumështore nëpër studio



MBYLLJA NË NGJYRA

Dhe ashtu i bekuar filloje shëtitjen
Në studio me fytyrë engjëlli
Nga pikëllimi harrova të të porosis 
Ditën kur të vish
Të marrësh me vete
Mallkimin tonë të lodhur
Që ta shkrijmë mallin në studio 
Të përpëlitur si në gjithësi
Në një dhembje të bëjmë edhe një kremte
Notojmë në nuancat e ngjyrave të bekuara
Të mbyllemi dhe një herë brenda tyre
Deri në amshim si dikur
Në një kohë tjetër mjeshtër
Të lutëm tërhiqe edhe një vijë



NË NJË TRËNDAFIL TË PURPURT

Zbrit nga muri, të thashë
Nuk mund të të vizatoj nga ajo lartësi
Prej saj kjason pikëllimi

Ti erdhe duke u rritur në ngjyra
Ta fshiva dorën e majtë
E djathta t’u kthye në të prekur
Çdo gjë prapë e vura në lëvizje

Ç’mrekulli: Gishtërinjtë tu i ktheva në kristal
Mediumi im, tash të kam në këtë pikturë
Si në akuariumin dhe le të fillojnë dimrat

Të ta balsamoj më parë buzëqeshjen
Le ta zgjerojnë pas një mijëvjeçari
Në një trëndafil të purpurt

Ta fshiva edhe syrin e majtë
Tani mund të shikosh me sytë e mi
___
Poezitë janë marrur nga libri: "Dashuria flet me zemrën e diellit"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen