Miradije Ramiqi |
ÇAST AMSHIMI
Ti je ende në gjumë
Modeli im i gjorë
Dil nga ngjyrat që të zunë në kornizë
Më tej të rikrijon lulëzimi
Që njëherë e ke shpalosur tinëz
Në një dorëshkrim të grisur
Udhën tënde hyjnore
Ta pikturova në një imazh
Dil nga korniza sa nuk të zunë ngjyrat
Pastaj çdo gjë do të ndërrojë
Borë të bjerë në atë pikturë
Si të të shëroj nga mplakja
Duke ta përshkruar vetëm udhën hyjnore
Që e ke të vizatuar në fytyrën time
A nuk është ky çast i amshimit, maestro?
ROBËRIM NË PËLHURË
Të ishte zbehur buzëqeshja në pëlhurë
Ngadalë të ta hijesoj pak buzën e poshtme
T’ia ndreq sado pak një të përngjarë gazi
T’i ngjasojnë asaj të Kont Orgasit solemn
Mos ma shëmto bukurinë, më the
Vetëm po ta balsamos atë buzëqeshje që ta zura
Një natë pa rënë flija e parë e trajtës së Mesisë
Që e hetova në sytë tu shenjtëror.
Kurse ti vazhdove
t’i ruash në ballinën e librit të fshehtë
Në një relikt të shkëputur nga ky punim
Kur të zgjohem do të vazhdoj modelin
Që e kam robëruar në pëlhurë
MAS(K)A
(Ai që s’ishe Ti
Ajo që s’isha Unë)
Të gjitha ndodhitë e jetës i Desha i Dua
Në mënyrën time Madhëri e ngrirë
Shko dhe eja në heshtje
Eja e shko rrugës së njëjtë
Prej nga u njohëm një ditë
Metaforë poetike
Për një fjalë të ngrohtë
Të ëmbël të sinqertë
Drithërimë e gjatë Deri te Harrimi
Duke të bërë pikturë
Në studio frymonte dhembje
Ringjallje plot ngjyrë Dashuri e vrarë
Pikëllim i thanë atë ditë kur ike Ti
U shembën të gjitha muret
Të mbërthyera në magji
Luftonin ëndrrat
Në mes të Vdekjes Studio grish
Emrin tim plot ngjyrë
Në kornizë të shpirtit jetoj artistikisht
Derisa forca ime i emëron Të gjitha këto ndodhi
Një ditë në rizbulim Isha Jam
Pastërti e ndjenjës së papërlyer
Rishfaqje e plot Feniks
Të gjitha ndodhitë e jetës i Desha i Dua
Në mënyrën time
Madhëri e ngrirë
SHËRIMI NGA I NJËJTI MALL
Ajo që mbeti nga Malli
Ishe vetëm Ti i Dashur
Duke i nxjerrë duart nga allçia
Që ta kishin vënë njëmijë vjet më parë
Këndoje psalme në vijim
Për t’u shëruar nga i njëjti mall
Të cilin nuk e harxhove kurrë
Çdo gjë antike të ngjasonte Ty
Përveç meje që të purpurova
Në një trajtë të flisë hyjnore
I dashur dil nga ai mall
Sa nuk të kam mbuluar me allçi
A nuk po sheh se si po loton
E njëjta skulpturë në studion time
Malli po më mbulon edhe mua
MË KTHEVE NË BOTËN TËNDE
Mjeshtër vazhdoje bekimin
Edhe me një vijë...
Më ktheve në botën tënde
Në një kryevepër të syrgjynosur
Dhe ja më vërejte edhe një herë në këtë vetmi
Dhe një mall që s’ka të sosur
E ngazëllyer nga qetësia
Fillova të skalis
Të tërin me ngjyrë praruar
Ti kishe dalë nga parajsa
Me gjithë këto bukuri
Që t’i dhuroi i dashuri Hyj
Mjeshtër vazhdoje bekimin
Edhe me një vijë
NËPËR TË PREKUR TË TRUPIT TIM
Duke të kërkuar në pëlhurë
Nëpër të prekura të trupit tim
Brusha kallet flakë
Në rrugën e humbur prej vetmie
Kur natën e mbulon thirrja
E muzgu mbi supe ngarkohet me dashuri
Ti shkrihesh padiktueshëm në trupin tim
Me frymëmarrje të ngrohtë
Në buzët e hapura
Pëshpëritëse...
I ha me puthje fjalët
Të dua
E mbyll në kornizë ngjyrën e dashurisë
Burim shpirti Etja shuhet
Nëpër të prekura Të trupit tim
Ndjeshmëri e marrë
HIJA JOTE
Në skajin tjetër të muzeut
Një dorë e padukshme më ledhatoi
Vrik ktheva kokën prapa
Nuk pashë asgjë nuk pashë
Ndërsa e ndjeva një ngrohtësi
Trupi im merrte trajtë skulpture
Leonardo da Vinçi
Të thërret sonte për darkë, më the
Ktheva kokën prapa
Vetëm hijen tënde e pashë
Se si merrte trajtën e trupit tim
Në skajin tjetër të muzeut
Ç’ËNDËRRIM I BUKUR
Ma mbushe studion me pupla
Zog zogu ç’bëre me mua
Çdo gjë more me sqepin e thinjur
Ma le vetëm pagjumësinë
Nga e cila dole përsëri
I bëre gjërat të përsëriten
U mbylle në kuvli
Ëndërrove edhe njëherë syçelur
Aty më takove edhe mua
Me rroba zogu
Kurse ti ishe njëri nga kornizat
Ç’ëndërrim i bukur, i dashur
NË AROMËN E NGJYRAVE
Të çel në një ëndërr të mrekullueshme
Të përshëndetëm me qiriun në të shuar
Në një peizazh që varur rri në kornizë
Ai që ka vdekur para meje frymon
Në këtë dhomë në aromën e ngjyrave
Që përzjarren nëpër Studio të heshtur
Uratën ma falin gjymtyrët e lodhura
Fatamorganën që e shndërrojnë në varr
Këtë qetësi që çel thellë në mua
Hija ecën pas meje trishtueshëm
ndërsa e vesh natën me petka solemne
VALLËZIMI NË MAJË TË BRUSHËS
Ta krijoj buzëqeshjen
Me majën e brushës
Peizazhi im i gjorë
Çka të të fal më tepër
Se sa syrin tim të etur
Peizazhi im i gjorë
Ta krijoj kafkën
Me një grusht diell
Peizazhi im i gjorë
Ti vallëzon në majë të brushës
ARNIM BUZËQESHJEJE
Të zhvesha në studio
Ti qëndroje përpara meje
Si një statujë antike
Të dhashë shpirt
Trupin ta ktheva në thëngjill
Ç’përgjasim hyjnor
Ta arnova buzëqeshjen
Në të njëjtën trajtë thengjillore
U zgjove ngadalë
Hije e Mbrëmjes
Hyre në shtratin tim
HIJA E BARDHË LUAN NË MUR E PËRGJUMUR
Nata përbirohet nëpër gishta
Errësira mbush Studion ku rri
Ndërsa ëndërroj figurën tënde
Hija e bardhë luan në mur e përgjumur
Derisa e zgjoj me majën e brushës
Prej nga nata zgjohet si kufomë
Bekimin që ma fale në hyrje të natës
Mund ta nxjerrësh jashtë në një trajtë
Që harresa të mos mund ta mbyllë
Heshtja merr këmbë dhe ecën gjithnjë
Deri te ti që të mbështjellë me lëkurën
E verdhë që rri e varur në kornizë
NGJYRAT TA VODHËN BUZËQESHJEN
Më gjete duke ëndërruar
Duke ta kafshuar peizazhin tënd
Dhe asgjë nuk ndodhi më vonë
Djalli u mbështoll nëpër flokët e mi
Endacaku i paemër më zbriti në Studio
Të gjendet kur t’i zbërthehet fytyra
Prej nga kjo lulëkuqe e kthyer në gjak
E zë pisk fytyrën time në hyrje të lulëzimit
Edhe për një kohë që nuk do të arrijë
Ngjyrat ta vodhën edhe buzëqeshjen
Në fytyrën time kërkuan fytyrën tënde
Që nuk e gjeten kurrë në këtë shëtitje
ZVARRITJA E ETJES
Merre Saphon për dore Thanë
Zbrit në Studio si engjëllushë
Para se të zë ngjyra e parë
Në majë të brushës të zbrita
Të mbaj për tërë shekujt
Deri sa në mumie të të buzëqesh
Për bravën e parë më përbiroi
Peizazhi im i mesnatës
Që zbriti t’i thithë sytë e mi
Ashtu e verbër ëndërrova prapë
Zvarritjen e etjes së lodhur
Para se ta ngjiz ngjyrën e dytë
Ç’BUKURI E FTOHTË
Të dashurohesh në Parisin, të thashë
Ç’bukuri e ftohtë, ç’bukuri, më the
Të përcjellin klosharët e magjepsur
Në kuajt e bardhë të ëndrrave
Në katedralen Notre Dame, o Zot
Meshë të bëjnë lypsarët e Parisit
Në “Odeon” të pashë, vallëzoje
Me dytëshorin tënd të zi
Të thashë: Dashuroju në Parisin
Më the: Ç’bukuri e ftohtë, ç’bukuri
Edhe Ti ishe aty në pasqyrën time
PARISI NË PËLLËMBËN TIME
Parisi natën zbriste në pëllëmbën time
Luante me mua baletin e nostalgjisë
Më dëgjove, të thirra, nëpër pluhur
Ta vizatova mungesën në vija
Qe, pikëllimi ma stolisi fytyrën e përzjarrtë
Ti zbrite nga blloku vizatimor
Pastaj çdo gjë u qetësua
Edhe Parisi në pëllëmbën time
Kur u zgjova, të pashë, ishe
Në të njëjtin vend ku të lashë
Duke ma bërë tatuazh Parisin në pëllëmbën time
Ti u ktheve sërish në Bllokun vizatimor
NË PARIS NOSTALGJIA SHITEJ ME GROSH
Në Paris nostalgjia shitet me grosh
Ja, pak më parë i bleva tri
Nga një kloshar në Senën si të përgjumur
Parisi digjej në tri nostalgji
Në të katërtën digjeshe Ti
Në cepin e bllokut tim vizatimor
Këtu nostalgjia blihet me grosh
Unë i bleva tri përnjëherë
Dhe qe, ajo e katërta u zgjua
Nga Blloku im i pagjumë
Foli me gjuhën tënde të mallit
NË PORTËN TRIUMFALE
Leksikoni i dytë për Parisin
Sa bukur është të humbësh në Paris
Ç’ngrohtësi e ftohtë ç’ngrohtësi
Vdekjen e pashë
Shkëputej nga gishtërinjtë
Dhe më zbriste deri në gjunjë
Si të humb në Paris
Në portën Triumfale ta hetova hijen
Iu afrova e mbeta e varur në të
Kur shkrepi buzëqeshja në Paris
Ishim dy veta në një figurë
Ç’art i bukur, Maestro!
KALI I BARDHË I ËNDRRËS
Në Fushat e Elizeut
E kërkova kalin e bardhë të ëndrrës
Të thashë, kur të më mungosh ti
Do të shndërroj në një peizazh
Ti zbrite çuditërisht këtu
Në fushat e Elizeut
Me të njëjtin kalë të bardhë
Dhe të gjitha i more
Mua më le ta krijoj
Peizazhin e njëjtë
Me një figurë më tepër
Në fushat e Elizeut
LUMI SENA I TËHUAJTUR
Sena i tëhuajtur
Nga vargjet
E poetëve anonimë, nuk më njohu as mua
E mbylla brenda Bllokut tim
U zgjova në ëndrrën e parë të Parisit
Si në pasqyrën që tregonte mungesën tënde
Në një pikturë që e kisha harruar
Në studion e vetmuar në Prishtinë
Sena tash qetësohej ngadalë
Në shëtitjet e mia poetike u shoqëruam
Nuk e pengonim njëra-tjetrën
Ia dhashë një pjesë të vetmisë
Ajo m’u shpalos deri në fund
Hyra nëpër shtresa të fshehta
E njoha nga brenda tëhuajtën e saj
Ajo ishte misteri i Parisit
___
Poezitë janë marrur nga libri: "Dashuria flet me zemrën e diellit"
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen