Shkruan: Mehmet RREMA, shkrimtar |
SA HERË NDRYSHON MOTI
( Një si poezi, për tre faqezi.)
Sa herë që ndryshon moti,
më dhemb gishti i vogel
i dores së majte.
Ai gishti që ma ke thyer ti JLL*,
sall për hatër të hasmit.
Heu...Ti mos pafsh ditë të bardhë !
Sa herë ndryshon moti
e më dhemb ai gisht,
të kujtoj edhe ty
o njeri me maskë,
që keq më preve në besë
e tash ndërron shtatë fytyra.
Heu... Ty tu ndaltë ora sonte !
Sa herë më dhemb ai gisht
më kujtohet edhe Xila,
i ziu Xilë i Kryshecit
qe tash digjet në ferr.
Heu... Atij ju harroftë emri !
_____
* JLL - Jakup Llonqari. Inspektor famëkeq i UDB-së në Pejë.
DHE PRAPË TRADHTARËT BREDHIN RRUGËVE TONA,
DUKE I NDOTUR ATO!
(Duke lexuar poezinë "SA HERË NDRYSHON MOTI" të poetit Haxhi Muhaxheri.)
Që në titull të kësa poezie të poetit fjalë koncentrat, Haxhi Muhaxheri, të shfaqet një panoramë e cila të hapet para syve të mendjes dhe rrok ato hapësira të cilat, ose i ke parë në fragmente të shkëputura dhe provon qe ta bësh montazhin e pjesëve te tyre, ose i ke imagjinuar. Po ashtu, të lind edhe një si pikëpyetje mbi ndryshimin e motit në stinë, si kushte meteorologjike dhe krijon në mendje ditët e bukura muajt, stinët dhe pastaj të shkrep në mendje e nis të thuash: - Ah sikur të gjitha stinët të ishin pranverë! Kësisoj e sos mendjen se ashtu është mirë, po prap të pëlqen edhe vjeshta, të pëlqen edhe dimëri me dëborë; por jo me llucë, me atë baltën deltinë që të ngjitet pas këpucës.
Në rastin tonë, poeti flet për një tjetër stinë. Stinët historike.
Është një popull, një popull krenar, i lindur në trojet e paraardhësve të tij, i lindur në atë tokë që kur Perëndia bëri "ndarjen", ja dha ati, e ai deshi të qendroi më ata troje, pa i hyrë as në hise e as në hak dikuj tjetër. Aty deshi të qendronte, të lulëzonte e të trashëgonte ky popull bujar. Ashtu desh, po ja që një ditë në qiellin e tij të pastër, në tokën e tij të virgjër e pjellore, u duk një re e zezë, një re që solli furtunë, rrebeshe apokaliptike. Në këto rrebeshe, u duk në tokë një qenje e pa parë deri atëherë. Një qenie që nuk ngjante as me krijesat parahistorike. Dikush, duke parë se kjo qenje kishte shumë kokë e sapo i prisje një i dilnin gjashtë, tha ky është djalli i zi me gjashtë kokë.
Ndoshta vetë Adami, nëse do ta dinte se çfarë kishte ajo mollë brenda në farat e saj, do ta kishte shkatërruar menjëherë bashkë me djallin që mbanin farat e atij fruti. Ndoshta edhe vetë Noe, po ta dinte se njeriu që mori në varkë do të këthehej në një qenie të tillë, nuk do ta kishte marrur atë. E të gjitha ndodhën. Ndodhi që në trojet e këtij populli krenar, zemërbardhë dhe punëtor, u duk vetë djalli. Erdhi me furtunë dhe kudo mbolli gjëmë. E këtij populli krenar ju desh të luftonte gjatë me këtë përbindësh. Shumë gjak e jetë njerëzore humbi ky popull në luftë për të mbrojtur trojet e tij. Shumë u detyruan përdhunshëm të lëshonin shtëpitë e tyre.
Pavarësisht që popull luftoi deri në martirizim, qoftëlargu nuk reshti së vepruari për të realizuar synimet e veta. Ai pra, djalli i zi, i mbushur me të gjitha ligësitë e kësaj bote, ishte i gatshëm të bënte çdo gjë. Përpos dhunës, përdori edhe paranë për të rekrutuar ne radhet e veta njerëz te ligj që përulësisht do ta kryenin punën e sherbetorit, duke vepruar në kundërshtim me interesat e bashkëkombasve të tyre. Dhe fati i asaj kategorie njetëzish gjakprishur dihet. Ata shpejt do të përfundojnë në koshin e plehërave të mbetjeve urbane, por edhe në koshin e historisë. Do të përfunfojnë kështu gjakprishurit (që nuk dihet se nga ç'kromozom kanë dalë), të cilët kanë hyrë në atë rrugë dhe janë kthyer në vegla qorre të armikut, të djallit të zi. Në ketë mënyre, ata anë djallëzuar aq shumë sa, jo vetem që nuk mundtë kthehen për së mbari, por as të qendrojnë në gjendje statike. Dhe shpesh, ata në djallëzitë e tyre ia kalojnë edhe vetë djallit. Ja kalojnë sepse, ndërsa djalli vepron më fushë të hapur duke kërkuar të paraqitet sa më i fuqishëm, sa më i tmerrshëm, të paraqitet i tillë që kushdo ta shikoi apo ta mendoi të trembet; të bijët e tij gjakprishurit, duhet të jenë të kujdesshëm dhe të maskuar. Atyre u duhet të jenë kameleonë, krokodilë, dinakë si dhelpra. Ata, tashmë të kthyer në shërbëtor të djallit, janë gati edhe të vrasin. Të vrasin dhe të fshehin gjurmët. Të vrasin natën e të vijnë ditën duke gërvishtur fytyrën e tyre të maskuar, por duke ruajtur me fanatizëm maskën e tyre e cila shumë herë i tradhtonte, sepse kundërmonte erë të keqe si të një lëkurëçakalli të ngordhur e të putrifikuar. Në këto raste, kur këto qenie pa shtyllë kurrizore, këto kameleonë, këto gjakprishur, zbuloheshin në veprimet e tyre të liga, bëheshin edhe më të egër, edhe më mizor se vetë babai i tyre djall.
Ai gisht që ma ke thyer ti JLL
Poeti ven përballë kriminelin dhe viktimën. Edhe pse kalon koha në kuptimin e masës kohore, ajo nuk mund të shëroi disa plagë. Ja që një gisht i vogël, një gisht i dorës së majt, i krahut të zemrës, nuk e len rehat personazhin tonë, personazhin që mund të jetë cilido banor i ndershëm i Kosovës martire. Sa herë e shikon atë gisht, sa herë që ai shikon njerëzit e tij të zemrës të cilët janë torturua nga pushtuesi serb dhe veglat e tij të pështira, i rikujtohen ata skena makabre, tragjike të përjetuara në ato vite të rënda.
Duke e lexuar këtë poezi, krejt natyrshëm të lindin disa pyetje: Pse? Çfarë i shtyu këto qenie që u bashkuan me djallin, me pushtuesin dhe nuk arritën kurrë të ngjiten në stadin e të qenurit njeri? Natyrisht të jesh njeri nuk është lehtë. Një zë më thotë se ata i shtyu vetë djalli, me format e tij të dhunës dhe joshjes. Ndoshta... Ndoshta, po kjo nuk është e plotë. Edhe djalli kërkon terren për të vepruar. Ai nuk mund të veproi tek ata që në gen kanë besën, burrërinë, miqësinë, atdhedashurinë, etj. Jo, djalli dhe shkjau veprojnë tek ata që kanë lindur nga vesi e mëkati dhe janë rritur me të. Po çfar tjetër i shtyu? Sigurisht një shpirt i mbushur me smirë, xhelozi dhe egoizëm. Kështu ata, për ta pa veten sa më lart, nisin të bashkëpunojnë me djallin; pra, më pushtuesin serb. E nisin rrugën e errët e të ndyrë dhe nuk kanë më as dëshirë, as forcë të ndryshojnë. Andaj; duke u përshtatur me të, ata kthehen në kameleon, në dhelpra, në gjarpinje...
... të kujtoj edhe ty
o njeri me maskë
që keq më preve në besë...
Besthyeri...besthyerja... A ka më zi më? Ke ngrënë, ke pirë, ke biseduar, ke lozur me të në fëmijëri, e ke quajtur vëlla, e ke marrë në krah në ditë të vështira, ke ndarë me të copën e bukës, ka veshur këmishën tënde kur iu ka dashur të shkoi në një dasëm se të vetën e kishte të vjetër dhe e ka veshur pa e larë, me erën e djersës së shokut, mikut, komshiut, vëllait; ke folur me të për dashurinë, për çfatë nuk ke folur me të, ke folur si me veten tënde, sepse nuk e dije se ai ishte një kameleon, një tradhtar që të shet për dy lek apo pak karrierë. Kjo është tragjedi e tragjedive, krim i krimeve, kur ai të shet tek i huaj, po jo vetëm kaq, por kur e shikon se i zbulua, ju çorr maska, kthehet në një egërsitë që e tejkalon edhe bishën më të tmerrshme, armikun. Ai bëhet më gjakatar se ç'mund të imagjinohet një gjakatar.
Ky është me pak fjalë tradhtari, një qenie pa ndjenja që jeton mes urrejtjes dhe karrierës. Ai është i paparashikueshëm dhe i pandreqshëm. I gatshëm të tradhtoi edhe motrën e vëllanë, nënën e babanë... Ai bredh edhe skutave më të errëta për të kapur ndonjë informacion që do ta kënaqte padronin e tij.
Sa herë më dhemb ai gisht
më kujtohet edhe Xila,
i ziu Xilë i Kryshecit
qe tash digjet në ferr.
Dhe gishti e shpirti i kosovarit dhemb e dhemb shumë. Plagët e rënda të shkaktuar nga pushtuesi serb dhe servilët apo spiunëte tij, janë aq të thella, janë aq të maisura sa nuk ka doktor t'i shëroi. Madje, as koha nuk do të mund t'i shëroi. Ata kanë prekur rëndë shpirtin e një populli martir. Dhe ky popull nuk kërkon hakmarrje, por drejtësi. Atë drejtësi që mungon. Si mund të mbahen akoma nëpër institucione ata kriminelë të pashoq. Një veprim i tillë i acaron akoma më shumë plagët e thella në shpirtin e popullit.
E poeti, biri i një populli të pervuajtur, duke mos u pajtuar me mungesën e drejtësisë, mallkon me gjithë forcën e shpirtit tre faqezinjtë që i sherbyen pushtuesit.
Heu... ti mos pafsh dritë kurrë!
Heu... ty t'u ndaltë ora sonte!
Heu... atij ju harroftë emëri!
Kësisoj pra, poeti kërkon vetëm drejtësi. Por a po vjen kjo drejtësi?
Ndoshta kjo është edhe ajo që e vret më shumë shpirtin e poetit. Kjo e bën që ajo plagë që personazhi ka marrë t'i dhembi e të mos e lëjë asnjë herë të qetë. Të shikosh ekzekutorin, torturuesin, tradhtarin e djeshëm që sot me një çantë lëkure në dorë, ngjit shkallët e zyrave shtetërore, serbes e me mendjemadhësi e arrogancë, kjo vret çdo shpirt të pastër, prandaj poeti me shpirtin e tij të pastër e lëshon mallkimin ndaj të gjithë atyre që tradhtuan, torturuan e masakruan popullin e vet.
Në këtë poezi, poeti i njohur Haxhi Muhaxheri, ka pasqyruar me vërtetësi atë fenomen tejet të pakëndshëm që ka ndodhur në Kosovë për më se një shekull; e që arriti kulmin në vitet e satrapit Milloshrviç. Si në të gjithë opusin e tij krijues, edhe në këtë poezi, ndjenjat e pastra të poetit bëhen njësh me ata të,popullit, i cili në mos nga pushtetarët, drejtësinë e kërkon nga një fuqi mbinjerëzore. Ai fshikullon hollë nëpërmes artit qendrimin aspak human të pushtetit miop në rastin më të mirë, e dashakeq deri antikombëtar në tjetër rast të pushteteve të cilat lejojnë që këto bisha të dalin në krye të popullit. Nuk di çfar pret sot politika shqiptare që nuk merret me pastrimin e institucioneve nga këto tradhtarë e gjakpirës. Nuk di si do të ndjeheshin këto pushtetar të fuqishëm, nëse do të kishin qenë ata në vend të personazhit që, poeti na jep në këtë poezi të bukur e mjaft të arrirë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen