Montag, 21. Mai 2018

Anton Marku: BACALOKU

Anton Marku

Bacaloku
(poezi për Din Mehmetin)

Në varg 
hyre etshëm
fjalës për t’i lagur buzët

asnjë vetëtimë
nuk ta lakoi dorën
as dridhi lapsin

ferrit të përditshëm
me pishnajë ndezur ece

shumë e deshe
erën e detit
dhe diellin
kur majë reve
të përkëdhelte alpet

shiun e pate 
mik pa hile
dimrave të zinj
strehë i bëre

pranverave
kokën mbështetje
mbi gurë të fjetur
bjeshkëve tua

sofrave të shtruara
gju me gju me lahutarët
të djeshmes i ngreje dolli

ujërave të mëdha
u zhyte mijëra herë

jetës
asnjë ditë
borxh nuk ia kërkove

kur erdhi ora
të nisesh përtejbote
një zog drite
more me vete

Engjujt thanë se të kanë parë
duke i ujitur rrënjët e plisit
qiellit tënd

Bacalok.

Vjenë, 13 maj 2018

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen