Freitag, 18. Mai 2018

Buqetë poetike nga Haxhi Muhaxheri

Haxhi Muhaxheri

1. ATDHEU

Është oqean i vogël 
i trazimit të madh
ku bien heronjtë

Tokë e pushtuar
nga magjia e shkretirës
ku vritet ëndrra e Gjergjit

Vend prostitutash
veshur me ngjyrat e flamurit
ku lindin kopila që shesin veten

Luadh gomerësh
a mal ujqërish të uritur
që e kafshojnë tinëz Lirinë

Atdheu – 
është plagë zemre 
që po rritet... rritet... e rritet...

4 shkurt 2018



2. TË JESH ÇAM

Të jesh çam
patjetër
duhet ta kesh
të shkruar në vetull
formulën e dhembjes
e përditë të zhytesh
në Detin e Lotëve
bashkë më ëndrrat 
që kurrë s'i zë gjumi

28. 09. 2015



3. LOTI I ÇAMIT

I bie gurit 
dhe e shpon

Damareve të tokës
merr udhë
drejt zemres 

Pastaj
mbijnë trëndafila të kuq
me shikim kah dielli
e aromë atdheu

14. 10. 2015



4. MALLKIMI

Dikush duhet ikur 
shpirtat të qetësohen,
një ëndërr të vritet
e tjetra t'jetohet !

Ky ëshë një mallkim
që na përcjell n'jetë,
për të lindur njëri
tjetri duhet vdekë !

29.12.2017



5. MALLKIM

Ti... 
Përditë ndërroje emër
Të mbuloje gjurmët e krimit
E ti ikje mallkimit

Ti... 
Kobin ia sillje sh‘pisë
Përbuzje gjakun e t‘parëve
Se shpirtin shitur ia kishe djallit

Ti...
Kudo mbillje sall trishtim e vdekje
E diellin doje t’ja vrisje atdheut
Kur qiellit këndonin sorrëzezat

Heu... mos paç bukë në sofër!
Heu... mos t'leftë djal në votër!

Heu... kristë një pushkë e t‘marrtë bri për bri!
Heu...n’dakik t’dekës mos paç ujë me pi!



6. FUNDI I LOJËS

Kur në prehërin e prillit
u shfaq “Fundi i Lojës”,
ëndrrave ju doli gjumi.

Dëshprimin – ia fala detit.

Pastaj – universit të shpirtit
nisi të luhej simfonia hyjnore
dhe Perënditë cakrruan gotat.

Në teatrin absurd – ikën dritat.

21 prill 2018



7. FJALA KRYENEÇE

Ma zbardhe natën
e ditën krejt ma sose 
Ti – e pabindura fjalë
që u trembesh lindjeve

Dreqi e marrtë –
pse ruan virgjërinë
kur e di mirë moj
që jam ujk i moçëm

28.03.2018



8. ËSHTË DIKUSH...

Është dikush 
që keq m'ka lidhur.
Ritmin e zemrës
përditë po ma ndërron!

Është dikush që netëve
vjedhur ua ka gjumin...
Më bën... Zotin ta shoh!

Është dikush...dikush është...
Na ndajnë kontinentet,
për t'na bashkuar zemrat!

25.04.2014



9. VEÇ NË ËNDRRA

Po ç'dreqin ke... 
Ti që përnatë –
më vjen veç në ëndrra?

Më thuaj – që ta di...

Gjumin ma ke vra' moj
diellin – ma ke nxi‘...!



10. TË URREJ ME DASHURI

Sa shumë të dua, kur filloj me t’urrejtë!
E sa fort të urrej, kur ia nisi me t’dashtë!

Ç’emër t’i jap kësaj historie?
Ç’titull t’i vë kësaj poezie?



11. SYRI I KEQ

Po tutem o Perëndeshë
kam nis shumë me t‘dashtë
e dashnitë e m’dha 
shpesh i vret syri i keq!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen