Haxhi Muhaxheri / Foto e vitit 1997 |
UJK MË ËSHTË BËRË VETJA
1.
Përditë zgjohem me mendjen në ty
Shtegun mbuluar e ka bloza e dëshirës
Më përvëlon malli
E veten ngushlloj me letra dashurie
Më kot mundohem të mësoj
Kobi je ti që më sillësh vërdallë
A fati im i çalë
Që më shpie drejt çmendisë
Lule ferri je a lule parajse
Bukuri verbuese
A kumt orësh të liga
Lojtare netesh të humbura
A sëmundje që nuk shërohesh
Pjellë mortore a gjemb durimi
Çelës enigmash a nepërkë syri
Si ta kuptoj moj - Më thuaj...
2.
Më shanë
Pse me emrin tënd
Pagëzoja yjtë lumenjtë përrallëzat
Më qeshen
Për lutjet e mesnatës
E psherëtimat krismë qielli
Për ëndrrat e harlisura
E lotin e buzëqeshur
Për ditet që më iknin
Sy njerëzve të hekurt
Dhëmbet u ranë së qeshuri
E Peruni i Madh*
Hiqte valle mbi kockat tona
3.
Ti nuk erdhe e dashur
E në shpirt
Termete shkaktuar më ke
Ti duhej të vije
Bashkë me pranverën
Dhe këngët e të lashtave
Portë e hapur të pret
Dhe karafil i vyshkur
Ne dorën time
Eja e dashur - Eja...
Ujk më është bërë vetja
Prishtinë 1995
_______
* Peruni i Madh - Zoti i Sllavizmit
- - - - - - - - - -
Disa nga komentet në Facebook
Myrteza MARA:
"Poetit i mjafton nji dhimbje",- ka thene i Madhi Fatos Arapi. E pra, kush me mire se dhimbja, se malli, se kujtimi, brenga e pezmi mund te lidh aleance me Muzen? "...Me emrin tend pagëzoja yjtë, lumenjtë, përrallëzat!"...
Fehmi BERISHA:
Thërret thellësi e shprtit.Thërret ndërgjegjja e pastër lot. Pengesat janë të mëdha,duhet kaluar. Pritja e pambarim të bënë edhe ujk,bënë rrëmuj shpirtërore...
Një poezi e cila përmes metaforave të përdorura bukur shpreh botën dhe gjendjen shpirtërore protestuese të autorit.
Fran TANUSHI:
Poezi impresionuese. E lexova me ëndje, madje disa herë, poezi mjaft e bukur. Uroi të jetë jetësuar dëshira , (e dëshiruara të ketë ardhur) dhe nga ujku të ketë mbetur një qenxh i alpeve tona...
Naim ZHINIPOTOKU:
Nje krijim i kohes se djalerise do thoja, nostalgji se kaluares. E thurrur me metofore te ngjeshur, poeti rrefehet kjarte dhe sinqerte, duke hyre e dale horizonteve te tera si shprehet edhe Ai vet, çmendurisht...por e tille eshte dashuria ne djaleri, kur humbesh e tretesh pas saj...
Adem GASHI:
... Haxhi, ujku poetik nuk paska fjetur!
Skënder BRAKA:
Poezi e mrekullueshme. Vargje përplot ndjenjë.
Tonin NIKOLLI:
Poeti me kete poezi mjaft te bukur dhe te realizuar artistikisht evokon nje dashuri te madhe per te cilen eshte gati te sublimohet.Kete dashuri e enderron si nje melhem qe do te sheroje shume plage pernjeheresh,por nje eshte me kryesorja, SHPIRTIN.
Jeton MUÇOLLARI:
Ti këndosh dhimbjes është dhimbje më vete, por dhe shpresë dhe qetësim i shpirtit, vargje që të tërheqin njëri pas tjetrit.
Valon RASHICA:
Përshkrim i bukur i një ndjenje që karakterizohet nga një pritje plot mall, nga pritja për më të dashurën. Kjo pritje duket sikur ka shkaktuar një konflikt të brendshëm shpirtëror i cili tashmë ka arritur kulmin e vet dhe i cili mund të pushojë vetëm kur të përfundojë kjo pritje: Eja, Ujk më është bërë vetja. Poezi e metaforuar bukur dhe e ilustruar edhe me teza dhe antiteza që theksojnë një dhimbje shpirtërore të shkaktuar nga malli.
Bujar SALIHU:
Ujk i dashurisë dhe ujk i poezisë...
Pëllumb TARE:
Kjo "ulerime" poetike vjen si si klithje e shpirtit, nga malli, nga pritja; ku poeti, me emrin e te dashures, pagezon yjet, lumenjte, perallat... Poezi shume e ndjere, ku fjala ujk vjen njerezore.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen