Mittwoch, 2. Januar 2019

Miniatura poetike nga Haxhi Muhaxheri (2)

Haxhi Muhaxheri


URIA

Edhe ditën e fundit të këtij viti 
mbetëm të uritur – moj grua.

Kot u munduam ta sosim,
mjaltin e mbledhur buzëve!



ARDHTË NJË LUFTË E RE

Po ikën edhe ky vit e dashur
pa i llogaritur të gjitha betejat, 
armët e zbrazura për at'dhé.
Dhe prapë vazhdojmë të lutemi:
– Ardhtë një luftë e re!



LE TË RROJMË NE

E dashur ime,
harroje krevatin sonte!

Natën e ndërrimit të viteve,
do ta presim në dysheme!

Punë e madhe
në u dridhtë toka moj.
Le të rrojmë ne!



FRIKA

Grua, 
sonte nuk po të thëm:
– Të dua!

Kam frikë se bëhem i bezdisshëm, 
duke e përsëritur të njëjtën fjalë!



NË TË S'ËMËS

Edhe ky vit 
le të shkoj në të s'ëmës!

Punë e madhe!

Ne prapë
të rinj do të mbesim,
gruaja ime…

Buzëve 
do të çelin sërish trëndafila...


31 dhjetor 2018
__________________

Disa nga komentet në Facebook

Grigor Jovani:
Është një cikël i mrekullushëm, Bacë, tamam kartolina të gëzuara dhe të mençura për Vitin e Ri. Shëndet dhe lumturi, mik dhe Poet i dashur!

Sadik Krasniqi:
Një elipsis metaforik i shkelqyeshem!... Të lumt Haxhi!...

Sabit Abdyli:
Miniatura në pamje, por tablo te mrekullueshme në përmbajtje. Përgëzime!

Alketa Maksuti Beqari:
Pesë perla që krijojnë një gjerdan të bukur dhe të shëndritshem emocionesh dashurie. Urime, i dashur Haxhi!

Rizah Sheqiri:
Poezi të krijuara mjeshtrisht!... Urime Haxhi!

Fran Ukcama:
Mrekullisht, estetikisht, saktësisht, dashuri poetike ekucionare...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen