Sonntag, 30. Dezember 2018

Sabit Rrustemi: Më ndez e pathëna jote

Sabit Rrustemi


TË NDJEJ SI PULSIN E KËSAJ ZEMRE

Nata m’i merr sytë e nuk të shoh

Nëpër detin e përgjumur lëshoj rrjetën
gjurmoj e gjurmoj
kërkoj fundit të tij

Mes mornicash ankthesh pritjesh
e as një ëndërr gjej për ty

Rrjeta ngelë e zbrazur në mol
tek hap sytë nga trandjet
nga yshtjet gjakimi

Nuk të zë mësa ëndrrën
të të puthë të të shtrëngoj
tërë natën e lume në gji të të mbaj
e të kënaqem njëherë sall me ty

Ëndrrat e paftuara i shporr
tek sa hap sytë

Shkundem si një shpend i qullur
të shoh të tërën brenda qenies sime
të shoh e s’të prek
të lë ashtu të qetë
si natyra që hapet përngadalë
me më të bukurën pamje

Mos jeto për një ëndërr 
detit të përgjumur 
mos u mashtro

Më shpërgjumin buzët e tua
puhitë prej mëngjesi

Shihe botën time brenda teje se si po shtrihet
si po të mbulon të tërën
njëjtë si bota jote 
mua

Kemi thurrë një botë të tërë prej dashurie
një det të paparë ndjenjash përtej ëndrrave

Të ndjej si pulsin e kësaj zemreje që s’ndalet
gjithë ditën e lume të shijoj 
aq shumë
sa kam frikë mos po të harxhoj para kohe

Pastaj fshihem në çast 
prapa një reje të bardhë a të murrmë
dhe yllësisë sime të zjarrtë përzjarremi bashkë

Rruzullit të pafund 
shkrihem e pikoj brenda teje
për ta njomë atë rrënjë shprese
atë dashuri të papërfytyrueshme
që krijon e ruan brenda vetes
botën që e dua

Nuk ndalem e nuk çmallem
oh si përmallem

Jeta ime e rilindur
as një ditë nuk hapet as mbyllet
pa lutjen time nën qerpikun tënd




BRENDA SHPIRTIT TËND

Nëpër të djegurat e malit
nxito ngadal
rastësisht mund ta shkelësh ndonjë plagë

Dhimbjet shpërndahen pastaj

Psherëtima më e vogël 
më le pa gjumë

Zjarrin e një ofshame s'e shuan as lumi

Buzë ditës së re kësaj nate të vonë
ti flutur e njomë ledhatomë
e fli 
ngjitas meje fli

Po e prita me ty një mëngjes
brenda shpirtit tënd përjetshëm mbes

( 8 nëntor 2018 )




NË NJË ÇUFRRAJË ÇEPURI

Një ditë më parë e preka 
e ledhatova me këto duar 
një lule të blertë Çepuri

Ajo mbeti e vetme nën një çufrrajë
dhe unë i vetëm mes katër muresh
në një fundvjeshte me pak dimër

Pelerinës së zezë të ditës në të ikur
ra një rrisk bore sa për ta zbardhur shtegun
atë shteg ëndrre që e ecën syve të mi

Prita e prita e prita
si ai gur porte para dyerve
e kush s'u afrua
as edhe Ti

Fërkova duart e pështyva këmbët
dhe dola në ditën tjetër të jetës

Pas krahësh i hodha ëndrrat e papara
ato magji të dëshirta
kah ajo Lule e Egër nën çufrrajë u nisa

Thashë
t'ia shkrijë pakëz përmes buzëve të mia
atë shtresë të ftohtë bore buzëve të saj

Papritur një Shpend Çepuri u tremb e fluturoi 
prej asaj çufrraje

( 10 dhjetor 2018 )





ËNDRRA E JETËS SË NESËRME QË E DESHA SOT

Luginave ku prehet në dysh 
Kurrizi i k'tij Mali t'Moçëm
shprushet Etna 
nga vullkane të fjetuna trubullohet Kroi

Një Mjellmë e Bardhë e Ujërave të Kaltra 
më përfton syve e m'trazon n'Rrajë t'Çepurit

Dallgë të furtunta zjarresh 
përplasen mbi Trojën e Lashtë
e mbi mua 
sa herë të kujtoj e nuk të kam

Fat a Kob ishte ai Çast që u njohëm
në një fund mali e një fund stine 
skaj Jonit të përtërishëm

Nuk ish ai Yll i largët 
me mijëra vite drite që më digjte
as ai zjarr i pashuar luftërash 
që ende flakëron nëpër kohë

Shikimi yt prej Mona Lize ish
ndezës e flakërues si tash
që m'i zjarrmon ndjenjat deri në hi

Kot thej udhën kah Syri i Kaltër
a gjarpëroj Jonit për dritë hëne

Vetëm ndizem e përndizem më shumë
asaj floknaje ngjyrë qumshti
hapësirës së mëndafshtë të qenies sate

Cila je ti
Prina
Dafina
a Dea

Kush tha Helena 
Sirena

Kërthizës sime u përbirove
gjete strehë
e dole në këtë kopsht deti

Mjellmë e bardhë ujërash
erërash e valësh
dashuri e pashterrur nëpër kohë

Në qiell të ngritën prej epshesh
thellë shtresave të nëndheut të shtypën 
barbarë të përdalë e bukëshkalë

Sa Troja u luajt e u reprizua në ty
s’ma thua dot

M’u katrithe dhe sysh si ëndërr e përnatshme
pas mijëra e mijëra vitesh
zgavrave të thella të Priamit
erdhe deri tek unë

Në Teatrin e rilindur të Butrintit
si në profil
poshtë ujërave fytyrën Tënde shoh
e tinëz pas Teje lëshohem

Në vend të Perit të Ariadnës
vargnoj fjalën
liqenit që lanë trupin e ujtë në çdo gjashtë orë
të kërkoj

Dal në Maje të Lëkursit e të Çepurit
si n’pëllëmbë dore të shoh e nuk të prekë

Më ikë duarsh si ujtë e Jonit
nuk të zë mësa ëndrrën
as kur shtrij rrjetën

Zgjohem para agut
dal te bregu
stinëve 
moteve që ikin

Ti mbetesh këtu 
ëndërr e jetës së nesërme 
që e desha sot

( Rrajë Çepurit, 18 - 19 dhjetor 2018 )





THELLË DIKU NË HESHTJEN TËNDE

Një minut në Dymbëdhjetë të Natës
ti prapë nuk trokite

Mes katër zerove më ngujove

Në Dymbëdhjetë e një minut
pritja ime pa frymë ngeli

Kurdo që të vish 
këtë kufomë pa zë
prej shtëpie hiçma

Thellë diku në heshtjen tënde 
varrose

( 21 dhjetor 2018 )





NËSE TI DASHURIA

Fundi i kësaj stine s'ka mbetur më as rrisk hëne
vetëm sa nuk është sosur
si imi durim

E ti shfaqesh papritur 
me një buzëgaz të ëndërrt

Ç'të them
dritë e largët syri që bleron në pikëditë
midis një sheshi
e një bote që s'më le vetëm 
edhe kur më mungon si prani

Unë të ndjej
edhe kur mjegulla bjen mbi ngrica moti
e nuk ngrin

Hapat e mi s'pushojnë
drejt teje ecin
ditës që erret
kur s'je
natës që ndrin
kur vjen me një mal ëndrrash 
e strukesh shpellave të thella të trupit 
dejve që digjen zjarrmie

Ti rilind hirit të mbetur
përmes atij zëri që mijëra kilometra kalon në çast
e në veshin tim lëshon rrënjë
le çelë

Të forta këto valë dashurie
drithëruese 
qiellit nën ura ylberesh

Sa uji ikën e lumi nuk shter
mësa Unë e Ti

Stina që lidhë dy mote
veshur me një pelerinë të bardhë
te porta prêt

Zgjate dorën e fshije këtë moshë 
që rëndon supeve të mia
nëse ti je dashuria

( 22 dhjetor 2018 )




MESNATËS SË VETMISË

Ngrin kjo stinë mesnatës së vetmisë
kur hëna u çart diku dhëmbëve të ujkut
e ti ëndrrave të mia shkreh flokët
fjalën që dua ta dëgjoj s' e thua
a sirtarëve të padukshëm të shpirtit
veç mua më ke mik për zemër

Borë e akullt Çepuri sysh më varet
dhe kjo mjegull që ma err motin
a ti ikën pa zë kujtimeve fshihesh
për tjera stinë ruhesh

Më ndez dhe tash e pathëna jote
ajo gjuhë 
që buzëve të mia ka për t'u zënë

Mbaje mend 
të gjitha shmangiet e tua
përfundojnë poreve të mia

( 9 dhjetor 2017 )




MBES PA NJË VJESHTË DIMRIT TË SIVJEMË

Iku dhe një Vjeshtë 
pa ndonjë ceremoni ashtu thjeshtë
në prehërin e stinës së acartë më la

Njëjtë si Vjeshta u solle dhe Ti
kah shkove a ku mbete nuk e di
shija e fjalës së thënë 
ende më rri nën gjuhë

Një pëllëmbë bore ra e u shkri
pjesës sime kah mali 
loton një çati

Deri në asht ngrin nata
nuk ngroh as mesdita
kur të shkund e papritura

Rreth stufe 
hija e duarve të mia përzjarret
e nuk digjet

Kraharorit nën brij
zemra nuk ngrohet pa ty

Ti nuk shfaqesh
e Vullkani i fshehur mbi Krue t'Ilaçit 
sa nuk shpërthen
prej mllefit ndaj kësaj kohe

Dal kah Shehri i Gjinajve
qetësinë e humbur kërkoj

Gjurmë kujtimesh që nuk shlyhen
te Fontana aty ku nis sheshi 
reprizohen për dreq

Te Muzeu sa monedha fle
nëpër vitrina qelqi
e nuk i vjedh kush
mësa ato puthje që i mbuloi pluhuri

Një tymnajë fjalësh 
përdridhet përtej Pauze
atje ku mbretërit nuk i zë kurqysh Hani

Nuk të thërras
anise vetmia më gërryen nën lëkurë
më zi se krimbi

Me një të shkelur 
Ndjenjat e shtuara për t’parë
i djeg deri në fund
e mbes pa një Vjeshtë Dimrit të sivjem
duke ndrydhur këtë dashuri 
për qejfin tend

( 27 dhjetor 2018 )

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen