Gani Mehmetaj |
Vëllai i madh
E shkruar në fund dhjetor 1982
Në këtë shterpësi idesh, pa dashje, m’u kujtua një bisedë e para disa vjetëve me mikun tim të fëmijërisë, Artistin, i cili, i mllefosur me tutorin tonë, me diktatin e sistemit dhe me një rreth të mbyllur të njerëzve e të ideve, përsiaste shpesh për pozitën tonë në raport me pushtuesin dhe në raport me shtetin amë, si e quanim ne Shqipërinë. Ai mendonte se ne vetëm po e ndërrojmë Vëllanë e Madh, i cili i kontrollon mendimet, idetë dhe veprimet tona. Madje, jo rrallë, edhe ndjenjat. Kohëve të fundit, në emër të patriotizmit, na gatuhen ideologji që s’kanë të bëjnë fare me shqiptarizmin, përkundrazi janë antishqiptare. Duke u përpjekur të jetë sa më konkret dhe sa më i qartë, ai thoshte: “Deri dje Beogradi e kontrollonte çdo veprim tonin. E pati shtrirë ndikimin edhe në skutat më të errëta të trurit. Filluam të flasim e të mendojmë serbokroatisht, edhe atëherë kur flisnim shqip, e çoroditëm gjuhën dhe nuk e shtronim fjalinë a mendimin ashtu si na e kishte mësuar nëna, por e përkthenim, si e shihnim në librat e tyre, po ashtu, të përkthyera nga një gjuhë tjetër. Dhe dilte një mendim i çoroditur. E bëmë gjuhën lesh arapi. Nuk i vinte era shqip. Nuk ishte gegërishtja e dikurshme që gurgullonte si lumi i zhurmshëm. Nuk ishte as toskërishtja, që erdhi me gjuhën letrare, të cilën e përqafuam me eufori dhe pa asnjë rezervë”. Dhe këtu, mendonte ai, nuk gabuam. “Por kur i dëgjon sot njerëzit tanë kinse të arsimuar se si flasin, veçmas se si shkruajnë, ta ka ëndja të rrish e ta dëgjosh mësuesin e vjetër, që e fliste natyrshëm e rrjedhshëm dialektin e veriut, me strukturë të shqipes, që e kuptojnë edhe në jug, edhe në lindje”, vazhdonte ai monologun, që nuk ishte vetëm opinion i tij. Ai e ndjente më shumë këtë gjë, sepse gjuhën e deklamonte në teatër, në radio, në televizion dhe e hetonte ku është artificiale, ku nuk funksiononte, ku kishte përzierje të çoroditur, ku kishte shterpësi.
“Nën ndikimin e dy rrymimeve të dy qendrave që na imponohen, u krijua një shtresë shqipfolësish, të cilët nuk t’i ka ënda t’i dëgjosh, sikurse që u krijua një shtresë e intelektualëve, që lë shumë për të dëshiruar”, thoshte Artisti. E ne herë e tumirnim, herë e kundërshtonim. Ai e merrte shembullin nga profesioni i tij: “Kur e deklamoj ndonjë tekst të sotëm nga Shqipëria a nga Kosova më duket sikur përtypi mish pa kripë, a diç pa fije shijeje. Ka patetikë e fjalë të zbrazëta, ka mungesë idesh që rrahin ujë në havan dhe nuk thonë gjë. Kur e lexoj me zë cilindo tekst të klasikëve tanë nga jugu a nga veriu, më duken më të lëngshëm, më të natyrshëm dhe nuk e kanë fjalinë e mendimin me strukturë të huaj, as nuk kanë shterpësi”. Kështu, vazhdonte ai me dëshpërim, dalëngadalë, Vëllai i Madh ndërroi: në vend të Beogradit, u bë Tirana.
Serbishtja që ishte sinonim i gjuhës së policit brutal, zyrtarit cinik e mospërfillës, u zëvendësua me një shqipe të përkthyer keq nga serbokroatishtja, të prerë, të rreptë dhe me tingëllimë ushtarake. Po gjuha e butë e Naimit, ku mbeti? Po Fishta epik? Lasgushi i madhërishëm? Lëre që “Lahutën e Malcis” vetëm fshehtazi e lexojmë a e këndojmë! Edhe mendjet tona ka filluar t’i kontrollojë ky vëlla. Na u ul këmbëkryq në emër të patriotizmit, ndërsa po na shet shqiptarizëm hibrid, që i vjen era stepa ruse.
Artisti i merrte shembuj romanët e Xhorxh Oruelit. Nga zemra e plasur thoshte: “Kur e shkroi Orueli librin “1984”, a “Fermën e kafshëve” më shumë është frymëzuar nga Beogradi, që ishte shumë brutal, a me Vëllanë e Madh nga Tirana, që po përpiqet të fabrikojë njerëz- robot të pandjenja, të egër dhe pa frymë shqiptarizmi e njerëzillëku.
“Edhe në këngën për Mic Sokolin, e fusin Partinë e Punës!”-qeshte me zemërplasje Artisti. Sidomos e bënin nervoz një seri e këngëve triviale, këngët për traktoristin e mjelësen e dalluar-dy krijesa të mjera socrealiste të kolhozëve rusë, siç i cilësonte ai këto dy figura të përbaltura- frymëzuese për ideologjinë e tyre. “Deri dje jemi përpjekur të fusim në repertor me sakrifica teatrin e absurdit, pastaj eksperimentin e ri-teatrin fizik, ndërsa tash kthehemi prapa me “Cucën e maleve”, ku himnizohen rrëmbyesit e tokave – komisarët me kallashnikovë, ose dramat për shpronësimin e njerëzve, për grabitjen e tokave. U duartrokasim, duke harruar se ashtu bënë pas vitit 1918, 1932, a pas vitit 1945 edhe serbët ndaj nesh: na shpronësuan në emër të reformave agrare. Ose bënë përpjekje që të bëjnë kooperativa (“opçina sllave” ), mirëpo kooperativat, fatbardhësish, dështuan, sepse jugosllavët u prishën me Bashkimin Sovjetik. Kështu, shpëtuam një pjesë të pronave, vazhdonte monologu i tij, pa e kundërshtuar. Ai kishte të drejtë.
Engjëll Dukagjini, Artisti, sikurse e quanim ne, meqë kishte qenë në shoqëri me grupet e ndryshme artistike nga Shqipëria, tregonte për përvojën e tij nga takimet me bashkëkombësit artistë. “Emocionohemi kur piqemi me emisarët që na vijnë nga Tirana. Shpesh sillemi si budallenj! Ata ngjajnë me njëri-tjetrin në biseda e në parulla. Ligjërojnë njëtrajtshëm, sikur të citonin pjesë nga Dekalogu i Partisë.
Kam takuar edhe artistë, të cilët mendonin ndryshe, që bisedonin për artin tjetër, jo atë të realizmit socialist, por këtë e bënin vetëm në privaci dhe në ambiente tepër të veçanta, ku besonin se nuk i dëgjon Veshi. Por edhe ata janë gati të njëjtë në frikën e tyre ndaj përgjimeve, - fliste paksa i emocionuar dhe i zhgënjyer miku ynë. Ai ishte më i vjetër se ne dhe shumë më i pjekur në mënyrën se si i shihte gjërat.
Më kujtohet se Gazetari përpiqej ta kundërshtonte, ose ta zbuste këtë debat, duke i thënë se po e tepronte. -Ndikimi i bashkëpunimit kishte edhe anë të mira. Ardhja e grupeve artistike e të shkrimtarëve, këngëtarëve etj. na largoi nga shkombëtarizimi, na e forcoi vetëdijen kombëtare, e krijoi vetëbesimin që kishim filluar ta humbnim nga presioni i Jugosllavisë.
- Natyrisht, këto gjëra duhej t’i dinim, por nuk duhej t’i jepnim argumente Beogradit të na luftonte me armën tonë. Këtë e kishim biseduar edhe më parë. Ishin edhe shumë gjëra të tjera që na pengonin, por përpiqeshim t’i kapërdinim edhe kur nuk pajtoheshim.
Pastaj ajo që të bën të jesh edhe më i dëshpëruar, e që duhet ta pranosh, është fakti se ne, pas shumë përpjekjesh, sakrificash e këmbënguljesh i thyem tabutë, morëm guximin dhe ia hapëm rrugën për depërtimin e rrymimeve bashkëkohore nga Perëndimi, kurse Tirana na sjell prapë frymën lindore a shterpësinë kineze të zhveshjes së artit. Në filmat shqiptarë ka shumë armiq, komplote në çdo hap dhe pak art. Ka edhe përjashtime. Këtë frymë ideologjike përpiqen ta mbështjellin me një lloj hibridi: socpatriotizmin, që po i shkrep ndër kosovarët e shtresës së lumpenproletariatit që duana barazi me çdo kusht dhe fshatarësisë gjysmë të arsimuar e të etshëm për shqiptarizëm, duke ua çoroditur shijen dhe duke i dezorientuar.
Gazetari Burim Lumbardhi mendonte se duhej të gjejmë mënyra për ta neutralizuar ndikimin jugosllav, përkatësisht për ta penguar veprimin e shtresës me kulturë hibride, që ishin deledash: as shqiptarë, as serbë, por si puna e sovjetikut në Rusi: përgatitje për të bërë një komb të ri – kombin sovjetik, që do të fliste rusisht, do të kishte kulturë ruse, ashtu sikurse që një përpjekje e tillë ishte shumë e theksuar në Jugosllavi- jugosllavi me tipare, kulturë, gjuhë e sjellje të serbit, por që do të gllabëronte shqiptarin, kroatin, sllovenin, malazezin.
“E kemi hequr kompleksin e inferioritetit ndaj Beogradit, pse të krijojmë komplekse të reja?”, fliste gati si në monolog Engjëlli. Vetëm se dëshpërohej, sepse druante që edhe në të ardhmen do të mbetemi provincë kulturore.
E gjithë kjo m’u kujtua tash, sepse këtu ndikimi i ideologjisë dukej më i theksuar. Nuk mungonin flamujt kombëtarë, emblemat e Skënderbeut, që shpërndaheshin pa kursim, por edhe veprat e Xhaxhit (se si i thoshin me respekt e frikë ata që i shpërndanin)- jepeshin pa kursim gjithandej.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen