Samstag, 22. Dezember 2018

Boksh Baruti: Biografia për çmimin Nobel në letërsi


Biografia për çmimin Nobel në letërsi

Ishte pasdite e dhjetorit, në këtë vit që jemi. 
Më njoftuan se jam kandidatë për Çmim Nobel për letërsi, por që komisionit po u mungon biografia ime. Ai që me kishte propozuar vazhdoj të fliste, por unë i entuziazmuar nga ajo që më tha nuk e dëgjova më. U gëzova shumë. Jo pse nuk kam marrë çmime letrare, se më fol ka del shpirtin mu kanë ba aq shumë sa qilarin e gruas e kam mbush rreth e rreth me mirënjohje, çmime letrare, lëvdata, shpërblime. Bile gruaja një ditë më tha: 
“O ti njeri, kur des ti çka duhet më ba me këto letra?!” U qesha. 
“Qitja pites përmbi që të mos djegët” i thash. 
Mirëpo duke e ditur se biografi ime nuk është dosido, dhe kërkohet dhjetë ditë punë me i shkrua të gjitha të arriturat e mija, fillova menjëherë:

1, Unë Bokshi, i biri i Barutit dhe nënës Teneqe, kam lindë atë sene që ra bora e kuqe. Kur linda, u ba kaq zhurmë, sa një kojshi, ishte shumë kërkues që emrin të ma ngjisnin sipas një rilindësi nga Lidhja e Prizrenit. Me që baba im edhe pse e kishte pas babën, demek, babagjyshi, ka qenë roje i asaj kullës ku u mbajt mbledhja, nguli këmbë që emrin ta kem sipas katragjyshit që ka luftua krahpërkrah me Skënderbeun.

2. Mbasi i mbush një muaj, kur isha në pelena të mbushura plot më m..., kisha filluar të recitoj disa vargje dhe këngë kreshnike. Nuk kam vonuar dhe qysh në vitin e parë fillova të shkruaj, kuptohet poezi dhe këngë patriotike që filluan ti këndojnë këngëtaret me çifteli dhe lahutë.

3. Në shkollë kam shkua më vonesë. Me duket mbase i kisha mbush tetë vite sepse pushteti sllavo-komunist nuk me lejonte. Por unë mësoja ilegalisht dhe u bëra fëmija më i mençur në mëhallë, katund dhe qytet. Mirëpo me ndërmjetësimin e OKB-së, mu lejua të vazhdoj shkollimin dhe kështu shkollën fillore dhe të mesme e kreva me sukses. Në studime herë kam shkua e herë jo. Demek, studiova me shumë ilegalisht, mbase ma kishin ndaluar të studioj legalisht.

4. Qysh si fëmijë njëvjeçar e urreja komunizmin dhe për ta poshtëruar personalitetin tim me zgjodhën kryetar i Rinisë komuniste që nga viti i parë ti shkollës së mesme. Kjo e habiti gjithë qytetin, ngaqë e dinin se sa patriot kisha qenë.
Pas kësaj u dhashë më mish e shpirt për Kosovën Republikë dhe Shtete i Pavarur, por çuditërisht asnjëherë nuk u dënova më burg. Në pyetje me kanë marrë UDB-at, qindra herë. Shokët u dënuan e unë duke u qëndrua me stoicizëm torturave të udbashëve dilja nga burgu. 

5. Më krijimtari letrare, siç thash në fillim, ja kam fillua para se më ja nisë shkollës. Kështu vazhdova të shkruaj poezi, këngë, tregime, përralla, muhalife. Mirëpo, derisa doli FCB-ku, nuk kam botuar asgjë sepse asnjë revistë e gazetë, asnjë shtëpi botuese nuk guxonin të m´i botonin poezitë e mija se unë dhe familja ime ju kishim ra n´sy të keq pushtetit sllavo-komunist. 
Mbase erdhi demokracia kam arritur ti botoj disa vepra me poezi:
“Themelet”, poezi, botoi SHB “ Maloku”, Tiranë, 2001
“Muret”, poezi, botoi SHB “Liria”, Prishtinë, 2008,
“Kulmi”, poezi, botoi SHB “Pavarësia”, Tetovë, 2018
Kam botuar edhe qindra poezi në Facebuk, Istagram dhe në gazeta online. Pastaj kam shkrua anekdota, përralla, tekste këngësh që po i këndon ky populli ynë. Jam i popullit dhe për popullin shkruaj. Edhe në Çamëri janë botuar disa nga poezitë e mija.
Jam autor ose bashkautor i pesëmbëdhjetë antologjive poetike që janë botuar në të gjitha trojet shqiptare. 

6. Gjerë tani kam marrë njëzetë e dy çmime letrare, pa i llogaritur këtu dhjetëra mirënjohje, qindra dekorata dhe mijëra lëvdata nga çdo asociacion letrar, shoqatë dhe klub që është formuar në diasporë.

 Boksh Baruti, Hamburg, dhjetor 2018

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen