Dienstag, 11. Dezember 2018

Buqetë poetike nga Sokrat Habilaj

Sokrat Habilaj
Sokrat Habilaj, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë. Ka mbaruar universitetit, për ekonomi dhe punon si financier. Letërsia ka qenë gjithmonë bashkudhëtare e tij. Ka botuar romanin voluminoz: “Shpirt i trazuar gruaje”. Po kështu në shtypin e përditshëm ka botuar romanet :“Rrëfimi i një nëpunësi” dhe “Shënime nga provinca”. Ky autor ka botuar vëllimin poetik: “Të kisha thënë për lotin”. Gjithashtu vazhdimisht në shtypin e përditshëm ka botuar cikle poetike dhe shkrime të ndryshme  dhe ka gati për botim dy vëllime poetike si dhe romanin: "Më duaj kur të mos jem më”.


Poezi nga Sokrat HABILAJ


1. I NDARË NË PJESË

Vjen një kohë që ndihem mangët,
Ata që ikën nën dhè, morën pjesë.
Pjesë të tjera, m’i morën të gjallët,
Ndërsa endem, thjesht si mungesë.

Ndërsa kthyer, në gjysmë heshtje,
Them:-E kot të flas me të vdekur!
A për pjesët që më morën me vete,
Më mirë pyes për pjesën e mbetur.

Ndoshta jam i gjallë edhe në copa,
A ndoshta më flisni, si të jem i tëri.
Ndoshta me mua, u shtohet lodhja,
E pastaj më shani, sa ju meket zëri.

Ndoshta emrin tim, se kujtoni më,
S’kujtoni faktin, se kishit të gjallin.
Mos ngrini supet, nëse pyes për të,
Po më tregoni, ku ma bëtë varrin?!



2. DITËT ME TY

I provuam kaq ditë të bukura në dashuri,
Ditën e parë, të dytë, të dhjetëmijtën e ca.
Po mbase erdhi koha të pyesim:-Po tani,
Mos duhet të përtypim grimcat që na la?

Mbase do duhej të uleshim, në një brinjë,
Të uleshim që dje, ndoshta dhe më herët.
Ne që u deshëm, një ditë, dy, dhjetëmijë,
Tani të shohim, si bëjnë dashuri të tjerët.

Po për ditët që shkuan, pse të flas më kot,
Kur s’dua t’i kthej pas, dhe po të mundja?
Në cilën ditë të desha ty, si do të dua sot,
E si do të puth nesër, në ç’ditë të putha!?



3. NËSE...

Dhe nëse s’flisja me fjalë të mëdha,
E të të doja ty si të tjerët, që në nisje.
Burrë kaq i denjë, do të isha në krah,
Ti kaq e përkorë, në krah do më ishe.

Dhe nëse ëndrrat, s’i prishte ankthi,
Kur i pari, në gjumë t’i mbyllja sytë.
Edhe nëse s’shihja, a dihaste çarçafi,
Prapë si burrë, s’do të kisha të dytë.

Dhe nëse se puthja, çdo pikëz shiu,
Para se të të rrëzoheshin mbi lëkurë.
Mund të ndodhë, që gabohet njeriu,
Prapë s’kishe pse më shaje si burrë.

Dhe nëse lotët, s’lija të dilnin jashtë,
Kur i ndjej takat që afrohen në portë.
A nëse malli kthehej në rit të lashtë,
Prapë do isha, hajt mo...bashkëshort!

Ndoshta duheshin ca fjalë të mëdha,
A duhet të doja ndryshe, që në nisje.
Që të isha për ty, më i denjë në krah,
Ti dyfish e përkorë, në krah më ishe.



4. BALADË E BIJËS QË SE KISHA

Mundet që në jetë, i djegur nga malli,
Të ndjekësh veç një grua në çdo skaj.
E skalitësh në sy, si tu shfaqë së pari,
Imazhin e gështenjtë, të flokëve të saj.

Kur thinjet një fije, dy, a ca më tepër,
E nëna nisë bëhet një grumbull reshë.
Të vjen dhembshurisht një grua tjetër,
Kreshtën e hirtë nga thinjat e zhveshë.

Ndërsa u frynë flokëve që të bëjnë zë,
Kur bashkë me to të shtrihet në brinjë.
Ti fillon e i numëron fijet, një nga një,
Ashtu të bukur, të bukur pa një thinjë.

Ndoshta nuk e kupton se pak nga pak,
Ajo pllajë e butë bëhet bokërimë hëne.
Dhimbjes së ikjes i shtohet një shkak,
Kujt t’ia lë flokët që kisha në mendje?

Dhe atje ku të jem, i djegur nga malli,
Një grua do ndjek sa të thinjet e gjitha.
Por flokët do shfaqen si i pash së pari,
Tek ty është gruaja e bija që se kisha!



5. E MIRA IME

Për ty, i druhem trishtimit në vjersha,
Se ti s’më do si vjershaxhinjtë e tjerë.
Që si rrobat e brendshme nëpër tela,
Nderin në vargje çdo dhimbje e sherr.

Për ty, lotët si lë të kthehen kristale,
Dhe nis i kafshoj, sikur veten nduk.
Nëse ndonjë më rrëshqet, pa dashje,
Ti zgjatë buzët, e gjasme më puthë.

Për ty, edhe si burrë e ndjej frikën,
Kur të kesh para, një burrë që qanë.
Pa menduar dy herë, tej gruas ikën,
Dhe bëhesh nënë:-Mos qaj o xhan!

Për ty, sytë i tera, pikë nga një pikë,
Ndërsa ti heshtur, qerpikët m’i fsheh,
Thua se kuptoj se loti është si shpirt,
Që ikën nga unë, e tek ty gjen strehë!

6. MOS PRIT!

Mos prit të të them ty, gjëra të trishta,
Për shtëpinë e vjetër që ra pak nga pak.
Po sa herë, gurët kërcasin nga vithisja,
Brinjët e fëmijërisë tënde bëjnë:-Krak!

Mos prit të të them se me kohë pragu,
Nga trarët e kalbur, është bërë si kube.
Vazhdo beso se jam prej mishi e gjaku,
Dhe kulmet e shtëpisë, mbi supe i ngre.

Mos prit të të them ty, se më ikën truri,
Sa brinjët e mia, i ngul qosh më qosh.
Jo se më dhimbsen ca mure prej guri,
Po s’dua që të jesh gjysmak në moshë!

Mos prit të të them, se s’mbaj dot më,
Dhe brinjët, si trarët po m’i bren miza.
Nga unë që nuk të kam fshehur asgjë,
Mos prit të të them ty, gjëra të trishta!



7. BISEDË BURRASH NGA IM BIR

Asaj që nëna ime do të bëhej një ditë,
Kur imazhe burrash kish’ në mendje.
Do ja grisja dhe do t’i thosha:-Prit,
E pastaj do t’i skicoja fytyrën tënde.

Të betohem se nuk i lija asnjë shkas,
Që udha ta shpinte në një tjetër breg.
Sy më sy, do i thosha:-Ndiqmë pas,
Deri sa ty, të ta nxirja para, në shteg.

A, në s’dëgjonte e ma priste shkurt,
Si gratë me trille që s’kuptohen dot.
Të drejtë s’kisha t’i vendosja kusht,
Po fatin se lija të më ikte kot më kot.

Nëse me perënditë, s’matem në sherr,
Asaj do i bija në gjunjë me përgjërim.
E do t’i lutesha që ta dridhte njëherë,
(Ndjesë mamkë!), që ti të ishe ati im!



8. I BUKURI IM

Dhe kur retë, qiellin ta kenë mundur,
Si e mundin thinjat, nënën në dritare,
Dhe kur ëndrra, do ta prishin gjumin,
E në ballkon do tymosësh një cigare.

Dhe kur të kujtosh se kur ty të shpika,
S’i njihja ligjet që transmetojnë zërin.
Dhe kur kujtimet t’i harrosh, të gjitha,
Dhe bashkë me to edhe mua, të tërin.
______
Përzgjodhi: Seveme FETIQI

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen