Samstag, 1. Dezember 2018

Arif Molliqi: Një rrugë e panjohur

Arif Molliqi

Një rrugë e panjohur

Sa herë ndriçohet terri e kërkoj një rrugë 
e shtegu mashtrues ma zë frymën
pastaj si zogut cukëlan me bien puplat 
duke nuhatur erë parfumi skaj një bordeli
n´anën tjetër shkeli mbi shiringa të zbrazura 
duke vjell nga dehja e një sfondi të ndyrë

derisa më vjen në kujtesë
mundohem ta gjej atë rrugën e panjohur
nëpër të cilën e barta valixhen e zbraztë 
me disa kujtime e dy pika gjak 
nga kofsha e gërvishtur nëpër telat me gjemba 
kur i shqeva pantallonat e një shoku
të huazuar për një rrugë të panjohur

ky ishte udhëtimi që s´e kisha menduar kurrë
shtëpinë e kisha lanë 
edhe oxhakun që tymonte dimrit e verës
ne shitoren e katundit e kisha lanë 
emërim tim të shënuar në fletoren e borxhliut ...
e kisha lanë blinin mes katundi 
nën hijen e të cilit kalova aq shumë kohë 
aty e lashë gjysmën e zemrës 
gjysmën tjetër nëpër rrugët e panjohura

e di, 
ju nuk e besoni si jeton njeriu më gjysmë zemre 
mes gjithë atyre rrugëve të panjohura
ku njerëzit e shpejtojnë nguten me mbërri diku
e unë shpesh harroj për ku janë nisur
duke i tërhequr zvarrë këpucët e kujtimet 
që të gjej një vend ta nxeh shpirtin

ti nxeh gishtat e këmbëve që po më mërdhinë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen