Muharrem Blakaj |
Me ka rastisë të jem pjesë e shumë tubimeve “zakonisht poetike” sepse për prozë, tubuesit e tillë nuk kanë kohë... (proza është e gjatë, e lodhshme, e mërzitshme deri në monotoni).
Mblidhen burra me kollare e gra të pispillosura me veshje të bukura... moda e fundit më, dhe sipas stinës, duke gumëzhirë në brendi të sallave moderne e ambiente hotelesh.
Fillon leximi... recitim! Garë poezish! Garë poetësh e poeteshash! Konkurrencë e madhe! Hidhen fletët e mbushura me poezi. Disa janë të botuara në libra dhe juria i pranon edhe ato. Disa poezi të shkruara me dorë... me ngutë... me ambicie që mos ta humbë rastin për pjesëmarrje në garë! Zëri i poetëve buçet në kupë të qiellit (me falni, në kupë të tavanit të sallës). Zëruesit dridhen nga zori dhe herë pas here qetësohen për disa çaste nga duartrokitjet që e mbysin zërin e tyre. Të pranishmit i kaplon djersa e rënduar e konkurrencës. Lëvizin lehtas përreth tryezave të mysafirëve poet, sa për t’ia tërhequr vëmendjen jurisë... “ja edhe unë jam këtu miku im?, me shikon?” – i thotë në heshtje jurisë.”!
Mblidhet juria “profesionale”. Shkelet syri. Luhatet koka. Pëshpërimë vesh me vesh. Drejtime gishtash.
Anëtarët e jurisë lexojnë poezitë. Ngadalë. Shumë ngadalë. Me pushime të shkurtra, vetëtimë, sa për t’ua hedhë një sy poetëve e poeteshave për ti dalluar se cili është ai simpatiku apo simpatikja që e meriton çmimin e parë, të dytë të tretë, të jurisë, të publikut, të kryesisë dhe të zotit të hotelit! Se a ka vlerë apo nuk ka vlerë poezia, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Rëndësi ka që mikut poet apo mikeshës poete mos t’i ngelët hatri!
Pas marrëveshjes përmes syve, vetullave, gishtave, marrëveshjeve paraprake e mimikës, juria fillon ndarjen e çmimeve.
Fitojnë poezitë e mikut, mikeshës, dashamirit, poetit të largët që ka kaluar me qindra kilometra për të ardhur në takim, poetit të talentuar që e ka shkruar poezinë aty për aty në një copë letër gazete, në një copë letër higjienike apo në një fletë të huazuar nga recepsionisti!
Pastaj, me duartrokitje të dalldisura fillon ceremonia e ndarjes së çmimeve. Prapë buçet zërimi në kupë të tavanit. Fituesit hidhen si akrobat cirku për t’i marrë çmimet që ia ndau miku, shoku, dashamiri. Me flet-mirënjohjen e merituar ndër duar, duke i shtrënguar duart e gëzimit për çmimin e parë, të dytë... e kështu me radhë deri sa të vij koha që të ndahen edhe çmimet e publikut dhe të recepsionistit. Vezullojnë blicet e aparateve duke marrë poza dhe duke bërë fotografi për facebook.
Dhe në fund, pasi bie heshtja e fituesve kallaballëk, fillon shpërndarja e poetëve. Jo fituesit ndjehen të zhgënjyer jo pse poezia e tyre kishte vlera artistike, por që nuk i kishte rastisur që në përbërjen e jurisë të ishte miku i tyre. Kurse fituesit plot shend e verë, çmimet e fituara, bashkë me poezinë heroinë që ua dhuroj çmimin i mbyllin nëpër çanta. Nga ajo mbyllje hermetike, arrin ta shoh dritën e diellit vetëm çmimi i fituar, që shndritë në kornizë varur në mur në dhomën e miqve. Kurse poezia trimëreshë që ia dhuroj çmimin, mbetët e ngujuar në errësirën e çantës së poetit, për të mos e parë dritën në jetë të jetëve!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen