Samstag, 2. Februar 2019

Tregime nga Shkëlzen Halimi (1)

Shkëlzem Halimi

NDARJA

          Lutjet e mbrëmjes zakonisht përshkoheshin me të lehurat që vinin nga larg e që në muret e kasolles i përplaste furtuna e egër. Edhe ajo natë qe bërë futë e zezë, kurse heshtjes sonë përmbajtje të zymtë i jepte flaka e qiriut, që lëkundej sa herë që lokja psherëtinte. Ishte natë e një dimri kërcënues. I shtrirë në një dyshek leckash dhe i mbuluar me shtresën e acarit, për herë të parë ndjeva pamundësinë e babait, ndjeva dhembjen e nënës dhe pikëllimin e lokes. Tentova të dal nga terri i imagjinatës dhe heshtjen e pllakosur ta shprishi me një buzëqeshje, por ndjeva se pamundësia e babait, dhembja e nënës dhe pikëllimi i lokes u bënë bashkë dhe përfunduan diku thellë në brendinë time. Më erdhi të qaj, por u përmbajta, duke u kthyer në krahun tjetër, në drejtim të murit. Kisha humbur edhe shpresën më të vogël për fundin e asaj nate që dukej si e shtangur. Lokja thyente gishtat, babai shikonte përtej dritares, kurse nëna dukej e humbur në kujtime. Të nesërmen herët në mëngjes, sapo më doli gjumi, nga dritarja e vogël pashë loken tek u përqafua me babin, kurse nëna e përcolli deri në fund të oborrit. Asnjëherë nuk u kthye. Gjithë fëmijëria më kaloi në pritje.
          Pastaj erdhën luftërat dhe në ikje e sipër ne u shpërndamë gjithandej. Lokja në një anën, nëna në anën tjetër, kurse unë përfundova diku në mes. E lamë shkretë fshatin. Kurrë më nuk i pash as ato, sepse mes nesh ishin ngritur kufij. Një ditë para se të futesha në odën e vetmisë, më ndali një plak mjekërgjatë dhe më tha: rojtari i varreve të fshatit tuaj më ka lutur që të shkosh atje, se varrin e babait tënd e ka mbuluar bari, kurse shkronjat e pllakës së mermertë pothuaj janë zhdukur.
          Nuk shkova, sepse mendova se do ta tradhtoja fëmijërinë time që e kalova në pritje të babait. Nuk shkova, sepse mendova se do t' më vdiste edhe ajo pritje plot ankth, se përfundimisht do t'më zhdukeshin edhe ëndrrat e fëmijërisë tek qëndroja nën qershinë dhe sodisja rrugën që lëshohej luginës si një gjarpër i llastuar, prej nga ktheheshin mërgimtarët me pamje të ngrysura dhe me valixhe krahëve. Përtej dritares së pikturuar në murin e odës shoh veten fëmijë. Ai ende rri atje, nën qershinë e vjetër dhe është zhytur në mendime...




QERSHIA

          Në oborrin e kasolles sonë kishim një qershi që lulëzonte në çdo të tretën pranverë. Lokja thoshte se vetëm qershia jonë e di kur vjen pranvera. Dhe kur lulet e saja përhapeshin nëpër degët e bollshme, atëherë lumnajë njerëzish kalonin pranë oborrit tonë për ta parë atë mrekulli që ndodhte një herë në tre vjet.
          Një herë në tre vjet me lulet e saja të hedhura në ujë, ne laheshim në vaskën e drurit. Atëbotë lokja na zgjonte herët në mëngjes dhe na fuste në ujin që e ngrohte tërë natës. Pëshpëriste diçka që ne nuk e kuptonim. E di që ajo është lutur për shëndetin tonë, sepse kishte frikë nga sëmundjet e pashërueshme që të mbërthenin në shtrat për vite të tëra.
          Një ditë mbi qiell u paraqitën re të zeza dhe fshikulloi një erë e fuqishme, të cilën qershia jonë nuk pati fuqi ta përballojë. Ajo u shkul me gjithë rrënjë dhe u përplas në mes të oborrit. Në kasollen tonë pllakosi një heshtje varri. Nga habia dhe lemeria njëkohësisht, ndjeva se pikëllimi po ma ndrydhte fuqinë dhe rashë në shtrat për t'u ngritur pas shtatë ditëve. Shtatë ditë e shtatë net më kishte nënshtruar agonia. U zgjova në një mëngjes të zymtë, me sy të buhavitur, duke nxjerrë klithje të mbytura.
          Dashurinë për qershinë e kam konservuar në arkën e kujtesës dhe është pema e vetme, frytin e të cilës nuk mund ta gëlltis. Në xhepin tim të fshehtë mbaj edhe një copë letre, ku e kam shkruar një vjershë (japoneze) që bën fjalë për qershinë. Një luftëtar që përgatitet të shkojë në beteja të reja, para se të largohet nga oborri i kasolles së vet, ndalet pranë qershisë dhe me një buzëqeshje mahnitëse, bën këtë lutje: “o qershi e dashur/ unë po shkoj./ Nëse nuk kthehem/ ti lulëzo”.
          I rrëmbyer nga dashuria për qershinë tonë të dikurshme, shikoj flakën e zbehtë mbi shandanin prej ari, shikoj ngjyrën e flakës që është e njëjtë me ngjyrën e luleve të qershisë, që në arkën time të kujtimeve vazhdon të lulëzojë në çdo të tretën pranverë, duke u larë me djersën e ftohtë që shpërthen në trupin tim nga sëmundja e pashërueshme, që më shtangu edhe në odën e vetmisë...




DRITARJA

          Kur u zgjova i trembur, pashë se kishte kaluar mesi i natës. Shpejt e shpejt u ngrita nga shtrati dhe qëndrova pranë dritares së pikturuar në mur. Përtej xhamit vërejta një hije njeriu, duke nxituar drejt kopshtit të blertë. Të pashë tek freskoje fytyrën me ujin e kroit. Ishe fëmijë i njëjtë, ashtu siç të lash vite më parë, kur ika nga vendlindja. I njëjtë, me atë fytyrë të njomë që ndriçonte përreth, thuajse mbi të derdhej drita e hënës. Por, sakaq u zhduke, u trete, duke lënë në mua një humbellë të pafund. U mundova së paku t'i ruaj fragmentet e kujtesës që mjegulloheshin, që mbuloheshin me ngjyrën e zezë. Sërish më mbërtheu një ankth, kurse frika nga çmenduria ma hapi shtegun për t'u dorëzuar përfundimisht. Pastaj tentova ta bindi veten se megjithatë ajo qe vetëm një ëndërr si pasojë e lodhjes nga vetmia, nga etja dhe nostalgjia. U mundova të këndellem duke qëndruar para pasqyrës. Nuk e dalloja dot fytyrën e ngrysur, nuk i dalloja sytë e lodhur nga pagjumësia. Nuk i ngjaja njeriut, por një qenie të frikshme, e cila zvarritej pa ndjenja. U përplasa mbi kashtën e vjetër, duke dënesur dhe duke e lutur Zotin që t'i japë fund kësaj katrahure. Aq më tepër kur ndjeva se kambanat e katedrales shënonin fillimin e një dite të re, e cila zgjonte përbindëshin e humnerave të kohës acar. Më ka lënë edhe shikimi dhe më nuk mund ta dalloj as kroin në kopshtin e blertë sa herë që qëndroj pranë dritares së pikturuar në mur. Ndoshta sërish je përvjedhur deri në kopshtin e blertë për t'u freskuar me ujin e kroit. Nuk kam dëgjuar asnjë lëvizje të më ketë ardhur nga jashtë pos rropamës së derës, të cilën unë e kuptoj si sinjal se është koha që shikimin ta drejtoj kah muri i harresës, pikërisht kah ai mur, mbi sipërfaqen e të cilit kisha pikturuar dritaren që s'hapej asnjëherë...




DËNIMI

          Sa herë që qëndroj para pasqyrës shoh se nga ana tjetër më shikon me pamjen e përvajshëm. Ndonëse nuk ta dalloj fytyrën, sytë që të janë skuqur flasin vetvetiu se koha e mbrapsht nuk ka marrë fund. A po i dëgjon qentë e rojës që shqetësojnë kalimtarët e vonshëm, të cilët bashkë me pastruesit e rrugëve përgjojnë zërin e skëterrës. Lehin, pastaj heshtin, sërish lehin dhe sërish i vë në gjumë heshtja. Po më vjen një e vjellë, por s'kam ç'të nxjerr nga zorrët e tkurrur. Nuk duhet të mallkojmë, por ta dish se jemi të dënuar me vetmi të përjetshme.
          Në agimet e hershme të jetës sonë na ishte përcaktuar fati, kurse ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë nesër. A jemi ne ata që dikur, me ngjyrat e ylberit, vizatonim lule për mërgimtarët dhe shpresonim se do të na sjellin sheqerka. Kurrë s' e kishim vrarë mendjen se një ditë tinëz do t'ia vjedhim errësirën natës për t'u fshehur nga koha e mbrapshtë, e cila na i tradhtoi ëndrrat. U bëmë edhe hajna, por asnjëherë nuk u ankuam për faktin se kjo kohë na la vetëm frymëmarrjen dhe asgjë më tepër.
          Kemi ikur duke zbritur tatëpjetës së fatit tonë, kemi zbritur deri aty ku përtej ka qenë ambisi i vdekjes. Po qëndrojmë buzë saj dhe mendojmë se si njëri të shpëtojë. S'mundemi, sepse jemi të lidhur si thoi me mishin. Ndaj bëmë paqe dhe herë - herë e shikojmë njëri tjetrin në pasqyrë, ti në anën tjetër me sy të skuqur e të përlotur, e unë në këtë anën duke i fshehur lotët. Kemi bërë paqe me veten dhe presim kasnecin të na sjellë lajme për shërimin e kohës vrastare...




AKULLNAJË

          Pas ndarjes sonë atje në udhëkryqin e sheshit, ku skamnorët na kërkonin copëza dashurie, mora trenin që çonte drejt akullnajave të veriut. Ishte një tren thua i çmendur, sepse nuk u ndal askund. Kur zbrita në stacionin e fundit, pashë se isha udhëtari i vetëm. Në hyrje të një shtëpize të vogël, që me gjasë shërbente për udhëtarët që pritnin nisjen e trenit, në një mur lexova mbishkrimin: "Askush s'ju pret". Dhe, sakaq më kaploi një lemeri dhe shpejtova për t'u kthyer sërish. Por, pashë se treni po ikte po me atë shpejtësi, më të cilin më çoi atje. Midis një acari që më ndrydhi pothuaj deri në vdekje, e kalova një natë të rëndë. Mendova se aty do të jetë fundi im... Po ç'ndodhi pastaj, do të thuash.
          Më mbajti gjallë dëshira e zjarrtë, e cila më shtriu mbi një copë akulli dhe më tërhoqi derisa një rreze dielli ma ngacmoi bebëzën e syrit. Në të vërtetë, nuk jam i sigurt të kem shkuar pranë akullnajave të veriut. Mund të ketë qenë ndonjë ëndërr apo edhe ndonjë fanitje gjatë kllapisë që ma shkaktoi shërimi me helmin e barishteve të shkretëtirës. Ndonjëherë kur kam të ftohtë, e ndjej atë ndrydhje vrasëse dhe mendja më thotë se kam qenë atje. Por, çuditërisht, në këso raste s' më paraqitet asnjë dëshirë e zjarrtë, së paku për të ikur. Rri diku në ndonjë skutë të errët dhe ndjej se si një akullnajë zvarritet nëpër trupin tim, që nga këmbët e deri në maje të kokës, duke e shuar zjarrin e dëshirës që ngulmon për të dalë nga oda e vetmisë dhe për të shkuar në banesën time, atje në katin e trembëdhjetë, ku ndjehen përplasjet e zhurmshme të erërave, bashkë me klithmat e skamnorëve, të cilët edhe këtu kërkojnë copëza dashurie. Klithmat e tyre i dëgjoj vetëm unë, sepse u ngjajnë rënkimeve të mija sa herë që mjekët më preferojnë shërimin me helmin e barishteve të shkretëtirës, rrënjët e të cilave depërtojnë thellë - thellë në nëntokë, deri aty ku ka jetë. Në udhëkryqin e sheshit nuk kam shkuar më asnjë herë, sepse më mban frika se treni i çmendur do t' më çojë sërish drejt akullnajave të veriut, ku acari dhe ethet ngrijnë edhe dëshirën e fundit...




DJEPI

          Po kthehesha nga largësitë ku më kishin degdisur përfytyrimet se ekziston një lum ku njerëzit pastrohen nga mëkatet e tyre. Kur u gjeta përballë rrënojave të shtëpisë së vjetër, ndjeva se po më hapej një boshllëk pa fund. Pashë se pranë lisit plak dikush kishte lënë djepin ku unë, siç tregonte lokja, kisha fjetur si engjëll. Ninullat më të bukura ishin kënduar mbi atë djep, të cilin një kohë të gjatë e pata ruajtur si kujtim fëmijërie. Nuk e di se sa kohë kam qëndruar i mbështetur në lisin plak, duke e luhatur djepin e fëmijërisë së hershme. Por, e di se në një çast përballë syve të lodhur m'u fanit një perde dëshpërimi. Vetvetiu koka m'u lëshua mbi djep dhe ndjeva se vërdallë po më sillej gjumi i përjetshëm. Kur dëgjova një zë të mekur shpejt e shpejt u ngrita dhe pashë se gjithandej nata kishte filluar të plandoset. Pasi u binda se nuk ishte askush, hetova se pranë nuk e kisha djepin. U tmerrova pa masë. Natyrisht, nuk ishte shenjë e mirë, përkundrazi... Sapo u gjeta në maje të bregut të dhembjes, venerova se shtëpinë e vjetër e kishte mbështjellë errësira dhe se atë e përshkonin kukamat e qyqes që, sa herë lëshohej nata, ndaleshin te degët e lisit plak dhe e tmerronin loken, e cila këto kukama i zëvendësonte me ninullat që i këndonte mbi kokën time, duke e përkundër lehtësisht djepin.
          Po largohesha që andej me përfytyrimet se do ta gjej lumin ku pastrohen mëkatet, sepse para se të ndërronte jetë lokja, i premtova se djepin do ta ruaj si sytë e ballit. Por, premtimin nuk e mbajta. Ndjeja se ky ishte një mëkat i pafalshëm, ndaj se herë që e shikoj portretin e saj, më duket se më shikon me një vështrim mallëngjyes, që vjen nga një botë e largët, që ngulmon ta gjej djepin e fëmijërisë së humbur...





FIJA E JETËS

          Kur e ndeza fijen e shkrepsës, hija ime u reflektua mbi sipërfaqen e dritares së pikturuar në mur. Ishte po ajo hije që pas një nate të rëndë, në mëngjes kishte vendosur t'i gjente ndjenjat e mpira që ishin tretur në mjegull. A ishte veç një makth apo frika e kafshonte përbrenda, këtë nuk e kuptoi, por thoshte se kërkimi i ndjenjave të mpira kishte ndodhur vetëm brenda një nate.
          Kishte qenë një natë nëntë-fish e gjatë, duke kaluar nëpër nëntë rrathët e ferrit të Dantes. Në atë mjegull e kishte orientuar një zë, që i ngjante kuisjes së derës. Rrinte kruspull në një kënd dhe kishte vendosur që qetësia ta mbyste. Sa herë që hapej dera e shtëpisë së vjetër, në faqe i rrëshqiste një pikë loti. Ishte i përhumbur nëpër ëndrra të zhubravitura dhe kisha bindjen se mundohej ta gjente fijen e jetës ose fillin e gjatë që lë tymi i zi kur digjet diçka.
          Ditën e fundit kur hetova se shpresa e tij do të fiket, iu afrova pranë dhe tinëzisht, duke i pëshpëritur në vesh, e pyeta: a e gjete fijen e jetës? Sa është e gjatë?
          E pashë tek picërroi sytë drejt meje. Më shikoi mallëngjyeshëm dhe i shkoi buza në gaz. Nga xhepi i këmishës së bardhë nxori një fije shkrepse, ma la ndezur midis gishtave dhe mbylli sytë. Pashë se si i fikej ngadalë edhe ndriçimi i bebëzave të tij, ashtu siç u fik edhe fija e shkrepsës, që u bë blozë në gishtërinjtë e mi.
          Kur sërish pllakosi terri dëgjova kuisjen e derës dhe, nën dritën e hënës që depërtoi për një çast, vërejta tek doli ajo hije, që qëndronte mbi sipërfaqen e dritares së pikturuar në mur. Më kaploi një përkushtim që një ditë ta marr rrugën për t'i gjetur ndjenjat e mpira që ishin tretur diku në mjegull...




FRIKA

          Mësoje harresën, më tha ai nga ana tjetër e pasqyrës. Mësoje, se më lehtë do ta gjesh rrugën kur do të dalësh nga oda e vetmisë. Ndonëse pamja e tij ishte e mjegulluar, shihja se i kishte ikur gjaku nga fytyra. Nuk jam fletë e shkëputur nga libri, i thash derisa më buçisnin veshët pas asaj që dëgjova. Ishte shëmbëlltyrë e vdekjes. E si ta harroj rrugëtimin nën diellin që kishte dalë nga ferri i Dantes? Pastaj gjitha ato krajate dhe lotët që më shkonin çurg. Dhembjen që e kisha bashkudhëtare, atë kutërbim, mungesën e ajrit, pamjet ngjethëse, që ma bënin shpirtin copë, ankthin që pothuaj m'u shndërrua në çmenduri, mundin duke e çarë errësirën netëve pa gjumë. Si ta harroj albumin e fotografive që ma shuan mallin për më të dashurit, të cilët asnjëherë nuk u kthyen. E dashur, të harrosh nuk do të thotë të falësh. Mëkatet falen, por nuk harrohen, sepse nuk i bren as dhëmbi i kohës. Tingëllon vrazhdë, por me këtë duhet të pajtohemi.
          Tek qëndroj i mbërthyer pranë dritares së pikturuar në mur, valët e kujtesë më përplasin nëpër të kaluarën, e cila herë - herë më bëhet sikur mblidhet si top, duke më goditur në parzëm. Pastaj shndërrohet në korniza të panumërta që varen në horizontin pa fund. Rrëshqasin një nga një para syve të mi të përlotur dhe zhduken në sferat e pakapshme të kohës që i shëron plagët, duke i lënë vragat. Ndodh që shpesh të mos i besoj edhe vetes, sepse ndjej që ajo më tradhton me dëshira ngushëlluese. Lufta me vetveten është luftë e rëndë. Frikohem të them se jam luftëtar. Më shumë jam lojtar, sepse luaj me fatin dhe nuk mund ta sfidoj vdekjen në vijat e para të frontit. Lojtari ka frikë, siç kam unë, kurse luftëtari kur vesh uniformën, frikën e lë në arkën e kujtimeve. Dhe, një ditë kur do të dal nga oda e vetmisë, me vete do ta marr kujtesën që do t'ma tregojë rrugën drejt dëshirës për të jetuar...



QYQJA

          Në fëmijëri shpesh rrija pranë murit të mbuluar me gjethet e rrushit dhe shikoja oborrin tek lahej nga shiu i vrullshëm. Dhe, kur perëndonte dielli, nata zhvishej lakuriq duke u mbytur në kukamën e qyqes. Është një kukamë e kobshme, thoshte lokja derisa mbyllte portën në fund të oborrit.
          Edhe sot, sa herë që e dëgjoj kukamën e qyqes, diçka brenda meje fillon të qajë. Diçka gulçon. E njëjta më përsëritet edhe në këtë udhëtim shpirtëror. Ndjej se po më mundon një shpresë e kotë, e cila herë ndizet e herë fiket. Por, e di se kjo rrugë një ditë sërish do t’më çojë te ai mur, që dikur ishte i mbuluar me gjethet e rrushit. E di se loken nuk do ta takoj aty. Do t'më mbysin kujtimet që do të shfaqen si fantazma, të cilat do të vallëzojnë nën korin e kobshëm të qyqeve. Skaj rrënojave të shtëpisë së vjetër ndoshta do t'i shoh hijet e më të dashurve që do të zhduken pa zhurmë. Do të jem fillikat vetëm, i rrethuar me ca ndjenja që do të përkapen në fytin tim. Do t'më shtrëngojnë aq shumë sa që një klithmë e përçartë do ta çajë ajrin dhe do të bërtas: dua të jetoj, dua të jetoj me kujtimet e hershme, që jetën ma bëjnë nostalgjike.
          Asnjëherë nuk e kuptova se përse lokja thoshte se kukama e qyqes është kobshme. Mos dhashë Zoti e të këndojnë mbi kulmin e shtëpisë sonë, shprehej ajo sa herë që unë e pyesja për qyqet. Edhe sot, kur dëgjoj kukamën e qyqes, diçka brenda meje fillon të qajë. Diçka gulçon... Ndërkaq, mua më duket se është frika e lokes, e cila gjithnjë hidhte shikimin mbi kulmin e shtëpisë sonë...



KUJTIMI

          Po më kullojnë plagët e vetmisë. E ndjej aromën e çajit që dikur netëve të gjata të dimrit vlonte mbi koftorin e skuqur. Po i ndjej edhe hapat e nënës që atëbotë na thoshte se sëmundjet e trupit vijnë nga këmbët e ftohta. Mbi odën e vetmisë është lëshuar poli verior, që më ka pështjellur me një cipë akulli. Heshtjes superiore më nuk u bëjnë balla as të rrahurat e zemrës. Ka pllakosur një natyrë e vdekur, të cilën e prish vetëm aroma e çajit që sado pak ma ngroh fytin për t'i mbushur mushkëritë me ajrin e jetës. Përtej cipës së akullt shoh pasqyrën që ka marrë një shtresë avulli. Do të jetë dikush që më sfidon përderisa qëndroj në vijën që ndan jetën dhe vdekjen. Që të dyja më ftojnë t'u bashkëngjitëm. Po si të ngrihem e të ngrohem me avullin e pasqyrës? Gjymtyrët po më tradhtojnë, ndërkaq vetëm sytë i rrotulloj për të gjetur ndonjë shtegdalje. Megjithatë bindem se ka jetë në odën e vetmisë, ka shpresë për ta përballuar polin verior, ndonëse gjithnjë mendja më rri te tradhtia e pasqyrës. Ndoshta jam në kthetrat e ndonjë ankthi që s' më lë të zgjohem nga gjumi i rëndë, që më mbyt me ëndrra të llahtarshme. Ndoshta edhe më ka kapluar ndonjë kllapi, që përcillet me ethe që thyejnë edhe nofullën. Diçka e padefinuar po ndodh në këtë odë. 
          Dikush troket në derë dhe ajo hapet vetvetiu. Ndërkohë shoh se avulli në pasqyrë zhduket. Syve më bie një terr. Ndjej se një dorë ma prek ballin, duke rënkuar rëndë. Sakaq një forcë më kthen në pozitën vertikale. Lëvizi një hap, pastaj edhe një, duke i folur vetes: sërish fillojmë, sërish fillojmë...Kur bindem se dera është e mbyllur, se në pasqyrë nuk ka avull e as acar polar, i rraskapitur shtrihem në shtratin prej kashte dhe pëshpëriti lutjen e mbrëmjes. Për çudi nuk i ndjej vetëm gishtërinjtë e këmbëve, të cilat i mbuloj me kashtën e mykur sa për t'i ngrohur një çikëz, sepse mbaj mend se dikur nëna na thoshte se sëmundjet e trupit vijnë nga këmbët e ftohta. Nëna asnjëherë nuk më tregoi se cila sëmundje i shkakton plagë vetmisë. Ma ha mendja se ajo e ka njohur këtë sëmundje, sepse e pat sprovuar veten duke pritur që babai të kthehet nga kurbeti. Ai asnjëherë nuk u kthye, kurse nëna netëve të gjata të dimrit na tubonte rreth koftorit ku vlonte çaji. E, gjatë verës uleshim te bregu i thatë dhe shikonim se kush kthehej nga largësitë. Që atëherë vetmia kurrë nuk m'u nda...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen