Samstag, 23. Februar 2019

Gjerdan me poezi nga Engjëll I. Berisha

Engjëll I. Berisha

BOTA ME NJË SY

Po ta mbyllësh njërin sy
si mund ta shikosh gjysmën e botës?
Po ti mbyllësh që të dy 
të zezat i dalin si mynxyrë

Sa herë jam përbe në dritën e syrit
më ka shkuar vetëtimë shikimi 
e mu ka errë pamja
drita e syrit është drita e shpirtit

sa herë kam vjedhur me sy
e kam pa vrimën e zezë ditën e zymtë
e kam shkelur ligjin e natyrës
e mu ka zbehë pamja 

Çka panë sytë e nuk preku mendja
sikur nuk ka ekzistuar
çka preku mendja e nuk e pa syri
sikur nuk e pikturon dot as ngjyra
kënga e të verbrit i nxjerr tingujt me flakë
plagë në sy e dritë e bardhë 
i fle në gji 
botën nuk e shikojnë vetëm ata që kanë sy
të gjithë zhvishemi para diellit
e s’kemi si e fshehim dridhmën e lëkurës
as mëkatet nuk na i mban fjala.




ME SYTË E MI

Me sytë e mi, e preki fundin e valëve të detit
edhe kur ato nuk duken
e shohë dritën e imazhit, e të shpresës
edhe kur ato zhduken 
e zhbëjë trishtimin nga stuhitë shpirtërore
kur ato kërcënojnë
sytë janë fuqi, janë e tërë bota 

më sytë e mi e preki horizontin në fund të tunelit  
edhe kur nuk shihet asnjë rreze e dritës
e rrënoj kufirin e padukshëm 
edhe kur bën natë e errët
i zhduki hijet me dritën e shpresës
sytë janë magjik, janë drita e botës

sytë e mi, e drita e diellit
janë dritaret e shpirtit tim
sytë blu nuk mbyllen.




SYRI I DITËS TJETËR

Ora dymbëdhjetë kurrsesi të arrij deri te kioska
thanë se poemat e poetit që e la fjalën e fundit
janë publikuar në kopertinën e një reviste
të bëhet lajm poezia moti nuk ka ndodhur
prej se ka vdekur mjeshtri Teki Dervishi

ngutëm nëpër turmën e njerëzve 
se mos e blejnë poemën e fundit të poetit
shihja zjarr në fytyrat e tyre 
sytë e zverdhur nga pagjumësia më rrëmbenin
këtu ngatërrohet rrëfimi im 
ç’u duhet këtyre poema mendoja 
me zjarrin e natës ata e djegin mëngjesin

kioska i mbyllur përtej një grumbull gazetash
figura të trishta në ballinat e tyre
titujt sa koka bosh e portrete pa dekor
si korbat e Edgar Poes ia nxjerrin sytë

trishtuese është vëlla trishtuese
vjeshtë me shi po merr kaq shumë zjarre
kaq shumë letra në inkubator 
syri i ditës purpur si nata e zezë.




RRËFIMI

Në tempullin e lutjes falen mëkatet 
në gjunjë e bëja lutjen për dashurinë 
e lakminë
për  rrugët që kryqëzoheshin në horizonte 
të ftohta
për fajin që më zë pa pikë faji
të gozhduara mbesin vetëm mëkatet e lakmisë

rrëfehesha për të bëmat para ikonës 
e varur në mur me fytyrë kah qielli
tundohej pikëllueshëm ikona e vetmia ime
në tempullin plot mendime të grisura
nuk dija cili është mëkati më i vogël
dhe e vërteta më e madhe përtej 
epsheve e paqes
përtej dëshirave egoiste
përtej dritës dhe errësirës

zëri i uratës përtej grillave 
ma ktheu butësisht sikur fliste ikona 
“Natyra mëkatare lufton kundër shpirtit
e shpirti mbrohet kundër natyrës së mëkatshme”.
                                                       (Nga filozofia).

Natyra e mëkatshme e zogu i harlisur
shkojnë kah të duan
të gjithë luftojmë kundër njëri tjetrit
as natyrën nuk e lëmë të paprekshme.




STINË E RE

Sot më shkrepi mendja kah dashuria 
më mbeti në thjerrëzat e syve koha e ikur
sikur vetëtima kur bie në lisin e moçëm 
më këputi koha e pranverës me rrezet e para
kur del dielli e ta harlisë lëkuren e mekur 
pranvera e dashuria vijnë me gjelbërimin 
i kumton kënga e zogut ne degën e mollës 
ujitet me shiun e hershëm sikur pemët e kopshtit 
sythat e pemëve e shikimi i Shqiponjës 
ta bëjnë me sy
bota i gjunjëzohet frytit të hershëm 
e dashurisë

sot edhe mendja u lazdrua, ehe, hee, 
ajo është si gjethi i mollës
lulon e hapet kur i bie dielli përmbi
nuk e do ankthin as mërzinë as frikën
e do këngën e zogut në degë të mollës
i do edhe ato shpatullat e Shqipes kur i shtrinë
përmbi e të mbulon
shqiponjën mos e ngacmo ajo është e qetë
vetëm kur ia prekë sedrën bëhet e gurit 
e ta mbyt shikimin kah qielli i etur

mos e dëgjo mendjen as pranverës mos iu zbulo
dielli i hershëm të kafshon me dhembë
mbuloi shpatullat mos i ngacmo sytë e etur
fusha ka sy e mali ka veshë
mos e nisë dashurinë herët 
as mos u pjek para elbit
vjen verë e vjeshtë e piqet fryti
sythat bëjnë mollë e ftua 
bashkë i vjelim në kopshtin e dashurisë.  
____
Nga vëllimi "Syri blu"

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen