Freitag, 15. Februar 2019

Bajram Sefaj: "PRISHTINA", NJË ROMAN I MADH

  • (Liria nuk mund të jetë gjë tjetër, përveçse një flurim mbi honet e errëta të ndërgjegjes! – M. Kraja)

Mbresë leximi nga Bajram Sefaj

Romani më ri, monumental, sa bjeshka, “Prishtina” i Mehmet Krajes,  hapët me kthimin e autorit në Prishtinë, saktësisht më 18 qershor 1999, gjashtë ditë pas hyrjes së trupave të NATO-s dhe, para pragut të derës gjënë atë që gjënë -një mut të mbuluar nga mizat me krahë të shndritshëm!
Ja çka gjënë.
Ky fillim kaq i pa pritshëm,  kaq i befasishëm, kaq i jashtëzakonshëm..., e ka domethënien e vet,  qëllimin dhe vizionin e qartë të autorit Kraja, tashmë, romancier i pjekur dhe i regjur, jete e krijimtarie. Pse  fillon ashtu siç fillon, lexuesi do të kuptojë lehtësisht. Përgjatë faqeve të romanit gjatë (lumë idhnak e vërshues), që lexohet me një frymë (a pa frymë hiq !), kundërmimi  i asaj çka gjet në pragun e derës së vetë, lexuesin do ta ndjek hap pas hapi, faqe pas faqe, deri në faqen  e fundit, atë të 335-të, sa ka ky libër i madh, nga çdo kënd vështrimi dhe analizimi. Përfundon ashtu si pritej të përfundonte: “Dhe, tani nuk mbeti asgjë më nga shënimet e mia për subjektin e këtij rrëfimi”. Pasi mësuam numrin e saktë të faqeve (335), të themi se subjektin e rrëfimit, materien (lëndën, brumim) e romanit të vetë, autori e ndanë (pjesëton) në njëzet e katër kapituj, të gjatësisë (numrit të faqeve) pothuaj se, proporcionalisht,  të njëjtë. Pasi (po) e dimë numrin e faqeve, numrin e kapitujve, është e rrugës të mësojmë edhe emrin e botuesit të këtij romani, e ai është “Onufri”  i Tiranës dhe se, çmimi i këtij libri (a ka vlerë që e matë!), është 1000 lekë.
*
Nuk marr merak të shfaq mendim kritik mbi këtë libër. Aq më pak e aq më parë, nuk përpiqem fare të shfaq mendim kritik, nga se “mendimi kritik është mendim negativ!” Kështu pohon vetë autori Kraja. Ky është shpëtim për mua. Me kursen të mos marr turr andej nuk duhet. Të mos hy në punë të thella. Të mos hyj  “n’mal pa sakicë”! Të provoj ta masë e çmasë këtë vepër kolosale letrare. Të marr mëkatin të provoj ta shpjegoj e zbërthej, të  montoj e të çmontoj, këtë monument letrar. Ta përfol e shprishë përmbajtjen, subjektin e tij ! 
Rri rehat e mos u nguc, me pëshpëritë një zë porosie!
Nuk me mbetët të bëj gjë prej gjeje, pos që, me kënaqësinë të madhe, ashtu si me kënaqësi të madhe e lexova romanin në fjalë, të marr e të përshkruaj (sa më besnikërisht, aman) tëra ata gurë të çmuar, ata margaritarë dhe ato perla që i kam veçuar e nënvizuar gjatë leximit të këtij romani të madh që, të trishton dhe njëherit të kënaq, me përmbajtjen e fuqishme të tij, plotë dramë (e tragjedi, në momente të caktuar!) dhe plotë trishtim, ashtu sikurse ishte Prishtina jonë e “ditëve të romanit”!
Nuk me mbetet tjetër pos të hesht e të mbush zembilen, (duq a thes) me ato fjalë e fjali, mendime e përkufizime (gat-gati) definicione të autorit të madh e sovran, kur shprehet lirshëm, më një gjuhë të pastër dhe të pasur, me mendime e gjykime të prera, të guximshme, do të thonja, ashtu si i ka hije çdo shkrimtari të mirë, aq më parë kur është në piken (majën) më të lartë të krijimtarisë, si shkrimtar që është. Këtë e thotë dhe vetë autori, madje disa herë e përsëritë, gjatë bredhjes udhëve (si të shkreta) të Prishtinës fill pas zjarrit dhe flakës luftës, (flakë e zjarr, që në mënyrën tjetër të vazhdon të përzhitë edhe sot e kësaj dite, shtoj unë!). 
Tash, nuk me metët gjë tjetër pos të hesht e qes në letër krejt ato (ose me mirë, një pjesë  syresh) që me kënaqen, përgjatë rrugës  së udhëtimit, shoqërimit, (leximit) të këtij romani, sipas shijes  time subjektive, të shkëlqyer! 
Hapi sytë e dëgjo,  hapi veshët e shih!      
,... kishin dalë nga ideja e autorit,... akuarium heshtje,... keqardhje universale,...vëmendje e topitur,...kotësi në një turbullirë mendimesh, ...origjina e materies lidhje me origjinën e idesë, ...çuditërisht i lumtur dhe i shëmtuar,...urrejtje e kuqe,... kërkoj kohën e humbur, nuk me duhej gjë,...kuptimi i jetës vjen nga vdekja, nga vuajtja, jo nga hareja dhe gëzimi,... një vrasje pa domethënie, ...nga koha lineare ishin futur në kohën iluzore, ...andej ku krijohej mendimi për lirinë, ...tërbim ulëritës, ... vërshim i zhurmshëm i ndriçimit, ... u trishtova nga vetë  trishtimi, ...plakje e mendjes,... mbeturinat e jetës, ... me penisin e zgjatur dhe të rrudhur me herdhe që me vareshin, ... push i brendshëm, ... shpenzim i kotë i shqetësimit, njerëzor, ...projeksion kujtimesh të së ardhmes se pajetuar, ligësi e egër, ...një gojore e shpejtë,... anglishtja e tij me plot afrikate të pabindura, .. me ca zanore bythëzeza,... ëndrrat nuk kishin ndryshuar asgjë në jetën e tij,...kuptimin e vjeshtës që të nxit mendime të errëta, ... qenin e kishte marrë malli për një ëndërr të bukur,... ëndrra e qenit kishte pëlcitur në ajër, ... ëndërr qeni, e marrë hua nga ëndrrat e njeriut, ëndrra ime që nuk kishte derë, ...seksin shumë të madh, sa një shkarpë, ...shkrimtarët në këtë vend nuk i duhen më askujt,...për një dashuri të vjetër, ...si mund te shndërrohej liria ne lumturi njerëzore, ... liria nuk mund të jetë gjë tjetër, përveçse një fluturim mbi honet  errëta të ndërgjegjes, ...mjeshtër të madh të gënjeshtrës dhe të hipokrizisë,... pëshpërima e tij vjen ftohtë dhe errët,... në një cep të një ideje abstrakte,...vetëvrasja si akt refuzimi planetar, ... brenda murit rrethues të mendimit, ... ia shkel syrin natës matanë dritares,...një mur akulli midis tyre, .. ky është çmimi për lirinë tuaj te dhjerë,...dy qirinjtë e ndezur nxirrnin dritë zbehtë dhe të palumtur,... heshtja e natës tashmë kishte hyrë në dhomë,...hije e hapërdarë,... jam bërë shkrimtar që pakkush mund ta merr me mend: sepse nuk  me pëlqejnë ngjarjet reale,...liria Kosovës nuk mund të kishte veshje  kaq pa shije, ... të një varri mbi ajër, ... në dhomë tashme kishte hyrë mbrëmja, ... ca ide dembele, ...nuk kisha as dëshpërim të mjaftueshëm për t’u dëshpëruar, ... zanore bythëmëdha, ...hemisferë e pluhurosur e trurit, ...po si mund ta zërë mallkimi vetë mallkimin,... pas monumentit të zi të ideve historike, ...gjërat nuk ekzistojnë përpara se të ekzistojë kuptimi i tyre, ...kujtimet e së shkuarës ishin shpikur për t’i shpëtuar asaj vetmie të zogjve të zinj, .. mbi kokën time tani rrinte pezull një kohë inerte e ngrirë, ...  përshëndetja erdh e ashpër, acaruese, sikur gërvishtja me thonj në një teneqe të ndryshkur,... një përpjetëze  të lodhur, e cila i futej natës si bërryl në ije,... mua nuk me pëlqen aspak që ekziston kujtesa njerëzore, bota do të ishte më mirë pa të shkuarën e sa, ...titull që iu rri në mendje të gjithëve, liria është burgu im,... parullë e shkruar në një cep të ndryshkur të trurit,... formula e ekzistencës relative, koha është variabël e shpirtit,... i bën zhurmë në kokë një mendim i vjetër,... nga një lojë situatash, nga një alternim kohësh,...njëlloj historie pa data, që shkrihet në vetëdije dhe krijon ëndrrat dhe iluzionet, ... serbishtja vulgare,... pëshpëritje e kalamendur,... duke ngarendur që të takohej me terrin e asaj mbrëmjeje,...hija e trishtimit i shkonte prapa, ...grua e re dhe ka shumë ujë përbërjen e saj,... klani ynë është në depresion, ... mbi sipërfaqen e natës, tek bridhte në një fushë varresh,.. spiunët nuk i donte më askush, ...një heshtje pa gjymtyrë,... lëkura e errët e tokës,... dukej si gjel i stilizuar,...profili i tij vinte i plasaritur, ...për të tretën herë jemi të vdekun sepse prostata nuk na e mban shurrën,... heshtje solemne, i dëgjon zërat e natës,...dialogu mendor,...me ia kajt nënën edhe një herë këtij shteti,...çfarë lirie është ajo që nuk ia mbushë njeriut mendjen të vdes për të, ... ato fjalë nuk i kishin gjetur një vend të përshtatshëm të iknin nga errësira,... pancir tingëllor,...vallëzim kujtese,... dritat e kalamendura nga tavani filluan të reshnin mbi kokat e njerëzve,...t’i mblidhte tingujt nga ëndrrat,...nëpër ajër ishte endur një vetmi e zbrazët,... vrimat e zeza të heshtjes,...heshtja ishte bërë e errët,...një shurdhësi krejt e verbër,... ajri ishte bërë i kuq,...një kalores vringëllonte shpatën në errësirë (Skënderbeu), ... jepte dhe merrte me errësirën,...si era që përkëdhel ujin,...kamerieri vinte trupmadh, si dru i plasaritur,...përmendorja e viçit,...lumturia nuk është gjendje e qëndrueshme,... duke marrë me vete urrejtjen për trishtimin,...unë nuk kam pa kurrë një ëndërr qeni,... mund të humbja vetminë, gjënë e vetme me vlerë që me ka mbetur,... në një botë të çmendur, unë sot nuk kam vuajtur sa duhet,... copa të natës se shkuar, si arna të zeza,...vdekja i vinte një kufi kohës dhe bënte që ajo, përtej atij kufiri të merrte një kuptim tjetër, të bëhej kohë objektive,... ajri ishte i mbushur me mendime të mjegullta,...fjalët  i binin nga goja jo për shkak të kuptimit, por për shkak të gravitetit,... një përlotje që pikte brenda dëshpërimit të tij të moçëm,... re pluhuri e verdhë në të kuqërremët, që e bënte qiellin si të lyer me baltë,... një re që ishte shtrirë nën një re tjetër dhe rrinte si e tretur,...ti nuk me dëgjon, madje as atëherë kur të them se nuk me dëgjon,... një shfryrje nga cilado vrimë e trupit,...pamja ikte drejt vijës së horizontit, deri në askund,...mbi atë peizazh të trishtë rrinte qielli kontinental i Kosovës, si një tendë e vjetër fushimi, me cepat e reve që lëkundeshin në erë,... zëri i myezinit të thërriste të vdisje përsëri, ...kishte përdorur vetminë e tij më tepër se ç’duhej,...ty nuk të vjen keq të tallësh as me njerëzit e vdekur, ...një lutje krejt e heshtur, si për të zgjuar të vdekurin,...Sulltan Murati nga tyrbja e Mazgitit,  i mbështjellë me qefin të bardhë, ngarendte mbi ledhin e bregores,... dheu ishte i zi, si të nxirrnin në sipërfaqe të tokës zgorren e skëterrës,...sikur ecja këmbëzbathur mbi heshtjen,... pa vdekjen jeta do të ishte një përjetësi aq e mërzitshme,...ata nuk vuanin për këtë padrejtësi të natyrës,... një lëmsh resh agresive,...mos bëja atë rrugë, as i shtrirë në qivur,...një dëshpërim i ëmbël,... këtu në qytet Sinanit i dukej pranvera disi e vogël,...vetmia e molisur,...gjelbërimi i errët i pishave,...pozita e figurave të zeza ishte më e mirë,... shpirtrat e trazuar gjenin prehje në seks të shpejtë,...nata e patrazuar shtrinte pushtetin e saj të errët,...peshku nuk di gjë kush ia ndërron ujin në akuarium,...si një dogmë fetare që aprovon në çdo rrethanë fuqinë e errësirës,... zëri i vinte i marrtë, një grumbull bashkëtingëlloresh afrikate,... një qyqar, që shfrytëzon natën e pafajshme për të fshehur frikën e vet,...era e narcisit të vyshkur,... morali iu hyn në punë vetëm atyre njerëzve  që jeta ua kthen bythën,...duhet të jetë zhgënjyese (parajsa), njësoj si liria,...si qen që është  i lirë të angullijë gjithë natën nën dritën e hënës,... në anën e majtë, ku fillojnë të gjitha dhimbjet e zemrës,... braktisur nga iluzionet,... asht liria për me ndie frikë,... as luftë për liri, as luftë për ideale, porse do të kishte luftë për më shumë pushtet,...pak e mërzitur pak e hutuar, si e atij lumit që zhgënjehet kur derdhte në det,...jemi kakë në brekët tona¨,...qytetit i vinte duhmë e rëndë iluzionesh të shkatërruar,...mund të vdiste, kurdo që t’ bëhej puna,... ai fliste me zanore të lodhura,...vetmia ka kuptim vetëm atëherë kur nuk të sheh askush që je vetëm,...kokaina prodhonte ëndrra të shtrenjta,...përse kuptimin e lirisë e kërkon atje ku nuk është,...mundem me la sahanat , me fshi, me la qenefat, me ruejt, me leh si qen, çka t’ketë nevojë,...telefoni i zi,...grope të zeza, ...pikëllohem nga pikëllimi,... frymëmarrje e rënduar e heshtjes,...dashuria është vetë përfundimi i palumtur, pjesa tjetër është ose iluzion, ose kotësi banale,...siç nuk arrin ta shpjegojë nata errësirën e vet,...liria nuk bën gjë tjetër, përveçse ngjall shpresat, kurse shpresat i vrasin njerëzit,...urrej të me urrejnë,...ndenja e ujit që humbet në ujë, e ajrit që humbet në ajër,...e vërteta nuk ekziston, se ajo është variabël,...vdekja nuk është asnjëherë fundi i një historie,... një heshtje lëkurëtrashë,... si ulok i inatosur,...një ngjarje e pandodhur në realitet është e mundshme të bëhet e ndodhur në një kohë tjetër,...mëndafsh i tjerrë në ëndërr,... liria absolute nuk ekziston,...nënshtrimi në liri është shumëfish më i rëndë se në robëri,...pushteti absolut i kriminelëve, i injorantëve dhe i të korruptuarve, i vendosur përmes demokracisë është më i keq se çdo diktaturë,...liria është një shpikje e pamundur,... asaj vjeshte i mungonte shiu,...a kisha frikë nga vdekja, i thashë se kisha frikë nga parajsa, sepse ajo mund të ishte zhgënjyese njësoj si liria,...liria është burg i madh i mendjeve të lira,...jeta e njeriut ka vlerë për sa i shërben një qëllimi,... toskërishte ideologjike,...edhe nga kotësia, edhe nga vulgariteti i lirisë,...kishte vrapuar gjatë pas hijes së vet,... duhma e tij qelbej raki dhe duhan përzier,...të vdekurit nuk  vdesin,...për dashuri jap jetën, për ideal jap dashurinë,  me ba me e dijtë se kush e ka thanë këtë gja i pari, ia kisha ba nji mut te vorri,...më shtrëngon barku dhe kërkoj një qenef nëpër qiell,...ti vuan nga artisti,... errësira mbi errësirë kishte vendosur hijen e Petritit....
*   
Këto thënie, mendime, refleksione, përvoja, urti, filozofi..., e ç’kamos tjetër, që i zu shosha ime gjatë leximit entuziast dhe me pesë palë syza subjektivizmi të këtij romani bashkëkohës dhe tragjik. Nuk besoj në lexim objektiv. Jam i gatshëm të bëj bë, në bukë e në kripë, se çdo gjë në të këtë botë, është subjektive, e vetëm subjektive. Le të besohet në subjektivitetin e një adhuruesi i letërsisë krajane të Mehmetit! Në shoshën time vrimë madhe, ngelen këto mençuri të shpërndara nëpër  335 faqet e bardha të këtij romani. Unë nuk bëra tjetër, pos asaj që bëjnë bletët kur  mbledhin nektarin, lule më lule, në një livadh të madh... 
I vetëdijshëm, sa edhe i ndërgjegjshëm se, në këtë vepër kapitale ka edhe shumë xhepa e zgjiçë të fshehur, shumë sekrete e mençuri, në duart tuaja, lexues të nderuar, është sitë e shohë bashkë.
 Lexoni e këtë roman, shkruar me pasion të jashtëzakonshme, veshur me lirinë e shkrimtarit të mirë, me liri në të shprehur, pa tabu e pengesa të tjera, të mykura provinciale. Lexoni nuk  do të pendoheni e zhgënjeheni. Përkundrazi do të kënaqeni e pasuroheni. Ua thotë vëllai juve!

(Gaillard, 30.1.2019)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen