Sonntag, 24. Februar 2019

Cikël poetik nga Viktoria Xhako

Viktoria Xhako

ME TË BUKURIT SY

(Për heroinën kosovare Yllka Domi)

Plagët e atdheut të kërkuan rininë,
Bllokun e poezive rrëmbimthi e fute në xhep.
Pushkën hodhe supit, nënës i the lamtumirë,
Vrapove pas shokëve në gërxhe e shkrepa.

Këngën tënde të thyer e vazhdon Kosova.
Rreth lapidarit shokët flasin me ty.
Ti, pëllumb i bardhë, vashë e parritur akoma,
U flet me heshtjen tënde, me të bukurit sy.



ZEMËR E NGRIRË

Strukur nën krahun e netëve të mia,
Regëtimat e zemrës dëgjoj tek shuhen ngadalë.
Ballin e ftohtë mbështes tek duart e ngrira,
E ndiej si zhytem në të oqeanit dallgë.

E shoh krahëpëllumbin, që zgjatet drejt meje.
Shkëndijat e fundit truri përpëlit në perëndim.
Por ky tufan acar që vjen nga kaq larg,
Rrënjët mban fshehur në gjoksin tim.



SHPRESA, QË MË MUNGON

Dhuromë atë që mundesh, ti,
Që s’të kushton asgjë.
Për mua do të jetë bota plot dashuri,
Do të jetë shpresa, që më mungon.

Dhuroma një kënd të buzëqeshjes tënde,
Ndaje me të gjithë, s’ka gjë!
Dhuroma një pjesëz shikimi.
Do të jetë shpresa, që më mungon.

Dhuroma përqafimin e ngrohtë,
Le të jetë vetëm një copëz,
Tërhiqe, e ktheje të ftohtë.
Do të jetë shpresa, që më mungon.

Dhuromu i tëri, i dashur,
Pastaj largohu menjëherë.
Do të jetë çasti im i fundit,
Pas tij s’do të ketë kurrë më të tjerë.....
... Ashtu siç nuk ka patur ndonjëherë.




TI PO SHKON

Ti po shkon tani,
Kur kurrë s’ke qenë këtu.
Veriu shkund majat e bjeshkëve,
Ortekë rrokullis pa fund.

Në oqeanin e bardhësisë,
Një flutur vdekur përgjysmë.
Duhet edhe pak puhizës
Për t’ia zënë frymën.

Ti po shkon tani,
Kur kurrë s’ke qenë këtu!!!

Sytë m’i vret e pafundmja bardhësi,
Mbi akull rrëshqasin këmbët e ngrira,
Përmes tufanit kërkoj siguri,
Në gjoks shtrëngoj ëndrrat e mpira.

Në horizont - një vezullim,
Zogj të bardhë i vijnë rrotull,
Si të lëviz me peshën e rëndë,
Që pa mëshirë më tërheq në vorbull?

Ti po shkon tani,
Kur kurrë s’ke qenë këtu!!!




MIKUT TË PAHARRUAR J. G.

Ia kushtoj Jusuf Gërvallës

Në vetminë e natës së gjatë,
Kur veç hëna të sheh në dritare,
Vetëm miku i ëndrrave të blerta,
Ngrohtësisht të buzëqesh si atëherë.

Me gishtërinjtë e hollë përkëdhel kitarën,
Tinguj dashurie gurgullojnë prej saj.
Është me ty, në shpirt, në zemër:
- Çikë, qe ku jam,- pëshpërit ngadale.

Me gjoks të trazuar nga malli,
Ngrihesh, dritën të ndezësh sakaq,
Ta prekësh, përqafosh...sytë t’ia shohësh të qeshur...
Por...ai nuk është, ka ikur... lart.

Kalendari fletët zhvesh pa kuptuar,
Stinët ikin, ikin pa kthim.
Një kristal loti mbeti harruar,
Si një peng për tëndin hidhërim.

Kështu na ikin, pa zë, më të mirët,
Yjve t’ua shtojnë shkëlqimin lart.
Na ikin nga krahu, dalin nga jeta,
Futen në legjendë me legjenda bashkë.

Dhe ti ia ruan në shpirt buzëqeshjen,
Fjalët e kursyera të dashurisë,
Imazhin e tij - mbështetje të jetës.
Dikur do të takoheni në rrugët e përjetësisë.




KURRË S’KE QENË!

Në ëndrrat e mia, i heshtur, i qetë,
Çdo natë pa trokitur futesh ti.
Në kolltukun e thellë vend zë mirë,
Në dorë mban gotën, që kurrë s’e pi.

Me sy më kërkon të prek tastierën,
Lulet mbi të, aromë tingujsh lëshojnë,
Qirinjtë po fiken si shpirtra ngadalë.
Errësirë, errësirë... Ti ngrihesh e shkon.

Rrëmoj në ëndrrat zemërdrithëruar,
Fletët e kohës flak pa mëshirë,
Vjetërsirë e mbyllur në sënduk për vite...
Kurrë s’ke qenë, po prapë ngrihesh e ikën!




SI TË VIJ?

Ku je?
Sa larg është horizonti!!!
E ti je pas tij!
Je apo nuk je?
Si të të gjej?
Si të vij tek ti?
Po bëhet gjysma e shekullit.
Sa rron shqiponja? 300vjet?
Më shumë? Më pak? Ç’rëndësi ka tani?
Ti je atje,
E unë s’jam shqiponjë të vij tek ti.
Po sikur të isha një pendë e saj,
E ajo të më sillte atje?
Atje ku dielli, yjtë, hëna lozin në harmoni,
Atje ku lulet, bletët, puhizat, flladet lozin në harmoni,
Atje ku të vegjëlit rriten
E hyjnë në harkun e bukur të harmonisë.
Atje je ti,
E unë 300 vjet larg,
E unë këtej horizontit.
Si të vij tek ti?
Një kujtim të ëmbël ku ta gjej?
Sa shterpë është jeta pa një kujtim!
Si një degë e thatë ndanë udhës,
E thyen çdo dorë kalimtare,
E luan me të,
Dhe erë e lehtë e shkul nga rrënjët.
E ajo mbetet po ajo: një degë e thatë ndanë udhës.
Si të vij tek ti???



PA ZGJIM

Krahët m’i hodhe lehtë mbi supe,
Kokën ma vure në gjoksin tënd,
Fytyrën t’mbështeta mbi rrahjet e zemrës.
Yjtë lëvizën, na hapën vend.

Në krahë dashurie qëndruam gjatë.
Agimi erdhi me kaltërsi.
Yjtë u zbehën, nisën udhëtimin.
Ëndrra u shua... në përjetësi.




MA JEP KRAHUN


Ma jep krahun të mbështetem pak,
Kryet e lodhur ta çlodh njëherë.
Të ecim kuturu poshtë e lart,
Të buzëqeshim si atëherë në pranverë.

Dalngadalë të ecim të qetë,
Në këtë rrugë buzë lumit të dy.
E të flasim për kohën e shkuar,
E ta hamë ftoin me çapa,
Si atëherë kur ishim të vegjël, fëmijë.

Le të ulemi të dy tek ky stol prej druri,
T’i shohim gjethet rrëzuar me trishtim,
Të na nanuritë lehtë kënga e lumit,
Lotët shelgu të derdhë mbi ne me pikëllim.
Le të ulemi të dy tek ky stol prej druri.

Nga vëllimi poetik “Zemër e ngrirë”

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen