Dienstag, 4. November 2014

Arti, mëkati i shirtit dhe shpirti mëkatar...

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (15)

Përgjigje nga Rrahim SADIKU, shkrimtar

Mëkati i shpirtit dhe shpirti mëkatar janë preokupim i njerëzve që nga lashtësia e deri sot. Prania e mëkatit brenda njeriut dhe pastrimi nga ai, janë e mundshmja dhe e nevojshmja, e panjohura dhe e dëshirueshmja. Marrja me mëkatin dhe nevoja e pastrimit nga ai, janë një me zhvillimin e njeriut në këtë botë, nisur nga besimet pagane, vazhduar nga raportet midis njerëzve, gjatë mileniumeve, plot kthehsa e kundërthënie dhe shndërruar në normë e në domosdoshmëri në fetë monoteiste. Dhe nga këtu edhe vazhdimësia e rrugës së mëkatit tek njeriu dhe mundësia e katarsisit, përmes artit.

Kjo pyetje, e cila, në letërsi e në artet tjera, shtrohet hipotekisht, që nga krijimet e para imagjinative, nuk ka marrë asnjëherë përgjegjen e duhur. Te Gilgameshi e te Vedat, te Aristoteli e te Platoni, te Sokrati e te Buda, te Solomoni e te Davidi, te Krishti e te Muhameti, te Konfuҫie e te Niҫe, kemi të pranishëm mëkatin e shpirtit njerëzor dhe pastrimi i tij, nga e keqja dhe nga mëkatimi, është grishje e pandërprerë mendimi, kërkimi e krijimi.

Por, a është njeriu mëkatar? A mëkaton ai vetëm pse pranon të jetojë jetën, që është shkaku dhe qëllimi i ardhjes së tij në këtë botë? A lind njeriu mëkatar apo mëkaton pastaj? Sa është ai mëkatar i destinuar e sa krijues mëkati? A është mëkat njerëzor synimi për ndryshime në jetë? A është mëkat krijimi apo armë për ta luftuar mëkatin?
Realisht, janë tri kahe të cilat shtrojnë domosdoshmërinë e pranisë së mëkatit tek njeriu:

Kahu i parë synon që duke e shikuar domosdoshmërisht njeriun si bartës të mëkatit dhe duke dënuar njeriun si mëkatar të lindur, ta bëj atë të mendoj më shumë për veten e të kujdeset të mos mëkatojë edhe më shumë, pra, ky kah synon të heq egërsirën nga gjenet njerëzore.

Kahu i dytë synon ta mbajë njeriun të nënshtruar, të frikësuar dhe gjithmonë të dënuar për atë që realisht nuk e ka bër, pra ta ketë në duar si të dojë, kur të dojë dhe sa herë të dojë. Këtë kah e ushqejnë, e përkrahin dhe e shndërrojnë në ligj të gjitha fetë, pa përjashtim. Ky kah njeh vetëm njeriun e mbushur mëkate dhe urdhëresën që ai të përpiqet në këtë botë për larjen e sa më shumë mëkateve, që vdekja ta gjejë të pastër. Pra, njeriu që ka lindur mëkatar, pa e pyetur kush, duhet gjithë jetën të vuaj pse e ka mëkatin të pranishëm e që realisht e logjikisht, ky mëkat për të mbetet gjithnjë i papranueshëm dhe shkaktar frike e traumash.

Kahu i tretë është ai që kërkon njeriun ideal, që nuk e quan bartës të mëkateve të lindura, po si krijues mëkatesh të vazhdueshme, të cilat pastaj e largojnë nga idealja. Ky kah kërkon njeriun e ndryshimeve, njohjeve dhe synimeve pa fund, prandaj është më i lidhur me artin, i jep besim katarsisit, njerëzores dhe mendjes. Nga ky kah përkrahet dhe lind pa fund edhe shpirti krijues.

Pra, duhet ta kuptojmë se njeriu lindet për të jetuar e jo për të larë mëkate; se njeriu ka në gjene trashëgimi atavike, e cila e shtyn shpesh drejt të keqes dhe prandaj ka nevojë për pastrim shpirti e mendje; se njeriu është qenie e vetëdijshme, krijuese e kërkuese, prandaj edhe me nevojë të vazhdueshme për ta ushqyer vetëdijen, për ta njohur krijimin e për ta thelluar kërkimin. Këto nevoja, në pjesë të madhe, ushqehen e ndriten nga arti.
_____________________
SQARIM PËR LEXUESIT: 
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!

                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Sonntag, 2. November 2014

Arti mund të shpëtojë këdo nga mëkati, por jo vet artistin!

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (14)

Përgjigje nga Murat ALIAJ, shkrimtar

  • Arti mund të shpëtojë këdo nga mëkati, por jo vet artistin i cili në një farë mënyre mbetet viktima e parë dhe e vetme e krijimit të tij.
       Për t’ju përgjigjur kësaj pyetje, nuk është pa vend të meditojmë pak rreth artit. Ç’është arti, kush e krijon dhe pse e krijon. Mirë një i çmendur që merret me art, pa pretenduar asnjë përfitim në të, po ata admirues të shumtë, i ka lënë mëndja që vërsulen pas artit e shndërrohen në tifozë çmendurishë?
       Fakti që shpesh herë krijuesit e ndryshëm idendifikohen me njerëz të çmendur, shpreh shumë gjëra, por sëpari shpreh atë që ata kanë gjetur tek vetja, aftësinë për të nxjerrë nga shpirti i tyre të veçantën që i bashkon me bashkëkohësit e tjerë.
       Si çdo gjë në kohët tona moderne edhe fjala art ka pësuar deformime e përçudnime të mëdha, aq sa me të dëgjuar një fjalë, të vjen në mënd e kundërta e saj. Ulemi në një restaurant dhe me të ardhur kamarjeri nxiton të sqarojë: Në lokalin tonë do gjeni artin kulinar më bashkëkohor. Shikon një copë qiell të qëndisur prej reve dhe vetvetiu të vjen mendimi: Këtë qiell e ka qendisur zoti me artin më të përkryer. Trë bie rruga pranë një salloni mode dhe të çpon veshët reklama: Këtu do gjeni sallonin e artit më të shkëlqyer! Nuk mbetet më pas edhe samarxhiu i cili s’nguron të thotë: Falë artit tim në krijimin e samarëve, gomari im edhe mund të fluturojë.
      Kudo dhe në çdo gjë, arti ka fjalën e parë, sepse nuk është do si do. Është pjesa më e zgjedhur e shpirtit të njeriut. Por është shpërdoruar kaq shumë  kjo fjalë, sa kudo që ajo përmëndet, duhet t’i bësh bisht, duke nënkuptuar të kundërtën.
      E vërteta e hidhur që për të krijuar art të pastër, shumë krijuesve iu kushtoi sakrifica të panumurta e shpesh herë edhe mungesa e kafshatës për të shuar urinë, nuk u përmend veç në rastet ekstreme. Sepse krijuesit e artit të paster, ishin jo vetëm sqimatarë, por edhe të pagojë. Ata s’përmëndën asnjëherë privimet që i bënë vetes për të krijuar vlerat e mbetura pas. Edhe pse pyetja e anketës nuk ka të bëjë me këto, mendoj se janë pjesë e pandarë e krijimit të artit të vërtetë, i  cili siç ka ekzistuar në kohët më të errëta të njerëzimit, vazhdon të ekzistojë e do ekzistojë derisa mbi tokë të ketë banorë që shpirtin do e vlerësojnë me shumë nga stomahun.
      Gjëndemi përpara një statuje mermeri të lashtësisë dhe brenda nesh lindin një mori me pyetje. Si ka mundur dalta e skulptorit të depërtojë aq thellë në mermer e të gdhend palët e fustanellës, apo kokërdhokët e syve. Dëgjojmë një tingull që na vjen nga ndonjë mjedis i panjohur dhe menjëherë na lind ideja se atë na e dërgon vet zoti për të na tërhequr vëmëndjen se në morinë e mediokriteteve të jetës së zakonshëme, kemi lënë shpirtin mënjanë. Përpiqemi ta rikujtojmë një shkrepëtimë që na tërheq vëmëndjen, por më kot. Ishte vetëm një shkëndijë që shkrepi dhe u zhduk.
      Arti ( sigurisht e kemi fjalën për artin e vërtetë) ndikon spontanisht tek njerëzit, pa iu bërë kërkesë abonimi në të. I çfarëdo fushe që të jetë njeriu, kur dëgjon apo ndesh një mesazh tronditës artistik, (dhe të tillë ka pafundësisht) shtanget dhe detyrohet të dalë jashtë fushës së aktivitetit të tij.
      Dëgjojmë një varg të rrallë në bukuri e mendim, i cili na rrafshon gjithë rëndomësitë e kësaj jete dhe prap shtangemi e pyesim veten: Ku kemi qënë që s’i kemi shijuar më parë këto mrekulli? Nxitojmë ta shenojmë diku që të mos e harrojmë. Prej këtij çasti arti na ka rrufitur dhe na ka futur nën ndikimin e tij. Ёshtë tjetër temë problemi, në kemi ne të tilla momente e të tilla befasi artistike. Kjo përbën një temë që e meriton vëmëndjen, por ama bota ku jetojmë, të tilla ka me mijra.
      Për ç’mëketarë e kemi fjalën kur krijuesit janë vet mëkatarët më të mëdhenj, që nuk i shpëtojnë dot artit të tyre? Kaq të përsosur e ndërtoi Mikelanxhelo Davidin, sa në fund, i gllabëruar nga çmenduria e krijimit i përplasi edhe daltën në shputën këmbës, duke thirrur: Parla, perche non parla? Edhe sot e kësaj dite, vizitorët pyesin se ku e ka marrë plagën në këmbë, kjo kryevepër e njerëzimit? Të tilla rrebelime ndaj krijimeve nuk janë të pakta. Gogoli e dogji pjesën e dytë të Shpirtërave të vdekur, kurse autorë të shumtë të mesjetës i nxorrën nuk e patën fatin t’i shihnin në dritë kryeveprat e tyre, sepse i kërcenonte turra e druve. Në këto kalvarë kaluan Komedia Hyjnore, Dekameroni, dhe shumë më tepër se ata, vet Petrarka me perlat e tij lirike.
      Natyra e karaktereve njerëzorë është kaq e ndryshme, sa ajo që njerit i ngjan kryevepër, tjetrit i ngjan rëndomësi. Kjo është edhe arsya që shumllojshmëria e artit ndikon në mënyra të ndryshme, në njerëz të ndryshëm. Absolutizma nuk ka. Ka vetëm përvoja njerëzore që vlerësohen në mënyra të ndryshme, nga njerëz të ndryshëm. Personalisht besoj tek forca e artit të vërtetë dhe shpreh bindjen se vetëm ai ka forcën ta shkëpusë njeriun nga mëkatet.
      Desha ta mbyll këtë meditim që me krijoi anketa me vargjet e Lermontovit që dikur në rininë e hershëme, më trondisnin: 

      Bej be për yjtë e gjithësisë 
      Për këtë diell që na ngroh. 
      Se jo, as shahu i Persisë, 
      As mbret në kulmin e lavdisë, 
      S’ka puthur syçka si këto. 

       E tillë përsosmëri artistike është e vështirë të mos ndikojë në të dy sekset. Tek femrat për ta arritur këtë bukuri imagjinare dhe tek meshkujt për ta përvetësuar atë. Prej këtij çasti, vet synimi ka të bëjë me përsosmërinë e njeriut, për t’iu afruar ideales.
       Përfundimisht jam i mendimit se arti mund të shpëtojë këdo nga mëkati, por jo vet artistin i cili në një farë mënyre mbetet viktima e parë dhe e vetme e krijimit të tij. Ai është si puna e atij mjekut të përkushtuar i cili sa ka krijuar një ilaç shpetimtar për njerëzimin dhe provën e parë të ilaçit, e bën mbi veten e tij.
_____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 
 
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Freitag, 31. Oktober 2014

Prirja për të shmangur mëkatin nëpërmjet artit...

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (13)  

Përgjigje nga Ymer NURKA, poet

Nje pyetje e karakterit tejet filozofik, e cila vjen e pergjithesuar, pasi vete sedertimi i fjalise bart nje kryefjale, konkretisht “Arti-n”, i cili e ka perkufizimin e vet, ndersa persa i perket kundrinorit te drejte ; perkatesisht “Shpirtin”, ai nuk ekziston ende dhe sot si nocion filozofik, pervecse ne terminologjine teologjike dhe ndonje tjeter... Si rrjedhim, duhet me se pari, te kjartesohet se; “ Ç’eshte shpirti ?” (ne kete rast si subjekt) dhe cilat jane raportet e tij me artin ne teresi (si shkak?), nga ku buron edhe vete pasoja, e cituar si “Mekati”. Nga shpleksja e ketij raporti; “Shpirti”, si subjekt, “Arti”, si shkak dhe” Mekati”, si pasoje, mendoj qe gjendet dhe vete pergjigja e kesaj pyetjeje e cila ne realitet perben nje interes per vete karakterin psiko-social te çeshtjes, pse jo dhe shkencor, e gjithe kjo brenda nje relativiteti dominues.

Nese do t’i referoheshim dimensionit kohe, historikisht arti ne shoqerine njerezore, buroi i njekohshem dhe si nje mjet social jetese, pra si nje nevoje. Kur u skalit Guri - sepate, njeriu i epokes se gurit u emocionua pa mase sepse kuptoi se kishte bere art dhe mjeti qe shpiku, apo zbuloi, po qendronte para tij, si nje monument gjenial artistik i blatuar njesh me mjetin qe do te siguronte jetese. Por ai me kete mjet ne rrugetimin e gjate, nuk coptoi vetem prene, pra gjahun, por njekohesisht vrau ndryshe nga me pare dhe “vetveten” pra me artin bashke, u sofistiku dhe “mekati” apo thene ndryshe dhe “krimi”. Po keshtu do te thoja dhe kur u zbulua “RROTA”, ky mjet universal, ngelet perjetesisht dhe nje vlere artistike. Ajo i mban te dy anet e medaljes: solli dhe zhvillim shoqeror duke “shpetuar shpirtin nga mekati”, por solli dhe luftra te pergjakshme duke e futur shpirtin ne nje kurth te ri mekatar.

Thelbi i vete shpirtit, nuk eshte zemra, por mendja, e cila ka aftesine te perceptoje realitetin ne te dy dimensionet: Hapesire dhe Kohe, si rrjedhim “arti” eshte nje veprimtari e patjetersueshme e trurit njerezor, i cili me kete produkt, ka balancuar “te rendomten”, ( pra te nevojshmen) me “sublimen” e cila vjen si nje kerkese e larte artistike dhe filozofike ne raport me imagjinaten njerezore. Por duke ngritur nivelin e pergjigjes, ajo çka shtrohet per zgjidhje eshte se si qendron raporti i veprimtarise artistike me vete moralin e shoqerise ne teresi.

Se pari do te thoja se gjinite e artit kane ndertuar vazhdimisht raporte te veçanta dhe krejtesisht origjinale me moralin shoqeror. Ne kete konteks muzika si art nuk ka patur te njejtat konseguenca dhe efekte kundrejt shpirtit, sikurse piktura apo letersia. Edhe vete arti ne evolucionin e tij, si etalon po marr nje periudhe te caktuar (si p.sh) mesjeta; ku arti filloi te diferencohej duke zgjeruar diapazonin e tij nga art popullor (folklor) deri ne art “elitar” i cili kutivohej vetem per fisnikerine, pra per “seren” e zgjedhur te shoqerise.

Kontributi i artit per zhvillimin e shoqerise, ne diferencimin, midis jetes mizerabel dhe asaj mondane eshte i pazevendesueshem, keshtu ngritja e cilesise artistike erdhi si rezultat i nje mendjeje me te persosur, por edhe vete “mekati”, nga koha ne kohe nuk perceptohet njelloj. Ashtu sikurse erdhi dhe stilimi i veshjeve te shoqerise ne shek XX, ku “zhveshja” erdhi si e re dhe ne mode, kundrejt “veshjes” “anakronike”te shekullit XIX. Referuar nje procesi te tille evoluimi i mjeteve qe percuan “art” solli nje “prakticitet” me te pranishen ne qendrimin shoqeror; “te artit”, si nevoje dhe “te artit”, si shije. Ketu kemi te bejme me nje veprimtari mjaft intesive te mendjes njerezore dhe nje nderthurje te te gjitha fushave, e sidomos te artit, kultures, si dhe vete shkences...

Televizioni eshte mjeti me atraktiv, i gjithe shekullit te XX, ai rriti ne nivelet me te larta shkallen e informimit, trasmetoi kulture, edukoi dhe çedukoi njekohesisht qytetarin, pra “gjeneroi” nje moral te ri shoqeror gati te paimagjinuar me pare, por ne te njejten kohe dhe “degjeneroi” karakterin njerezor, duke krijuar nje sjellje te re ne raportet e njeriut kundrejt njeriut. “Filmi” si pordukt eshte prototipi me i vecante, i cili beri epoke dhe u kthye ne industri, perplasi rryma kulturore dhe fetare, filozofike dhe estetike dhe u kthye nje fushe çudiberese per shpirtin qytetar.

Ne qofte se do ta shikonin nga kendveshtrimi historik, do te thoshim se i gjithe ky zhvillim ka qene nje orvatje per te sjelle mesazhe te qarta per te “perzene” mekatin nga shpirti, por ne fakt se bashku me mjetet sofistikuam ne mendjen tone dhe vete “mekatin” si koncept dhe kjo vjen ne vijimesi te veprimtarise njerezore madje gati shembellen sikur kemi luftuar si Don Kishoti me mullinjt e eres, pasi mekati po ngjan si nje pjelle e subkoshiences tone dhe jo nje e vertete qe justifikon qellimin...

“Perplasjet” moren karakter me luftarak, kur u pa se dominimi ekonomik pa u shoqeruar me hegjemoni edhe ne art, per nje superfuqi ishte si te qendronte me nje kembe. Keshtu erdhi “arti Evropian”, “arti Amerikan”, apo “arti Rus” dhe sot “arti Kinez” etj. Arti sot sherben dhe si nje diversion per çuar ne “mekat” kulturen e nje vendi rivalizues, pra per dobesimin dhe shkaterrimin e atyre mardhenieve sociale qe e bejne nje shoqeri te forte kundrejt nje tjetre.

E pare ne kete kend - veshtrim filozofik, historikisht zhvillimi ekonomik dhe shoqeror eshte shoqeruar nga nje fare “amnistie” per “mekataret” dhe formalizimi, deri ne integrim te plote te te ashtuquhajturit “Mekat” si fenomen social normal.

Ne nje konteks te tille arti ne vetvete eshte i dyshimte dhe ai nuk ben gje tjeter veçse e ambjenton konsumatorin e tij me mekatin; kete rol kryen sot filmi me aksion, i cili na e sjell vrasjen si gjysem loje, por ne fakt ai promovon vrasjen. Te njejten gje por me mjete te ndryshme e ben filmi “horror”, i cili e ambjenton “te apasionuarit e tij me monstruozitetin e veprimtarise se shkohet drejt vdekjes... Po keshtu ndikon dhe filmi dramatik, i cili deri diku sjell pasojat e “tradhetise”, ne rapor me kombin, me ideologjine, shkencen, fene dhe moralin familjar vecanerisht “tradhetine bashkeshortore”. Sot ne shekullin e XXI u legalizua ajo çka ka qene “tabu” per tere epokat shoqerore “homoseksualizmi”, i cili ne fakt eshte hapi i pare, qe njeriu, ben drejt denatyralizimit te vet. Po te njejten gje ka per tu thene shume shpejt dhe per “mekatin-droge”, i cili do te legalizohet si gjithcka tjeter... Megjithate drejt rruges se gjate te pseudo-edukimit dhe shpetimit te shpirtit nga mekati do te shfaqet shume shpejt nje arsye tjeter... Te ashtuquajturat “mekate te vjetra” te cilat as nuk i quhajme, me emrat e tyre klasike, po i therresim me eufemizma edhe pse ata jane “te njejtet”, madje jane edhe me te tmerrshem (relativisht), ne pasojat qe sjellin ne fleksibilitetin e marrdhenieve te shoqerise njerezore...

Vulgarizimi i çeshtjes, do te ishte sikur te thonim se; nga krijimi i njeriut si subjekt qyteterues eshte thene : “ kjo “gje” nuk perben mekat” po as kjo tjetra nuk eshte mekat, as kjo e as kjo... e keshtu me radhe... Tani ne magazinen e tij keto “toleranca” e kane çuar njeriun e sotem ne dilemen se: cili “mekat” valle do te perbeje virusin e degjenerimit te vertete te shpirtit njerezor?!, nga ku nuk do ti thuhet me njeriut “njeri”?! Natyrisht “arti” eshte bumerangu me i madh, nga ku vete shoqeria po “mekaton” nepermjet “ndjenjes”, pasionit dhe “emocionit”..

Veprimtaria artistike eshte “dalldia” me e madhe sociale qe po çon Boten me shpejtesi, jo vetem drejt gloalizimit ekonomik, por edhe atij artistik, kulturor dhe difinitivisht “shpirteror” Unifikimi i vlerave dhe kulturave do te sjelle si rrjedhim dhe simboliken e nje “mekati” global, te perbashket; nga ku tendenca per te shmangur “mekatin” nepermjet artit ka qene dhe do te mbetet justifikimi i vetem per te kryer kete rruge te gjate drejt nje “mekati” akoma edhe me te madh i cili ndofta do te identifikohet si “mekati i mekateve”, por ky do te jete argument’ i fundit per mekataret, dhe te tille ka per ta quhajtur, kleriku i vetem qe do te mbetet mbi dhé...
_____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 
 
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Donnerstag, 30. Oktober 2014

Krijuesi i falet shpirtit të tij

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (12)  

Përgjigje nga prof. dr. Begzad BALIU

E kam dëgjuar këtë pyetje edhe më parë dhe madje ia kam bërë këtë pyetje edhe vetes e të tjerëve. E kam dëgjuar dhe e kam lexuar në këtë variant apo në një variant tjetër, brenda të cilave lidhen dy faktorë të përhershëm: shpirti dhe besimi!

E para, prej diskutimit kolegial dhe prej leximeve të kësaj natyre, kam kuptuar se fjala është për një diskutim të motshëm, për të mos thënë biblik; dhe e dyta, prej diskutimit, përkatësisht prej monologut të brendshëm, kam kuptuar se më shumë se sa predikuesit e lidhur me institucionin fizik të fesë, besimtar është krijuesi i lidhur me institucionin shpirtëror të artit. E nëse është kështu, atëherë pse të mos besojmë se arti e shëron shpirtin nga mëkati.

Krijuesi i lidhur me artin është poeti, i cili më parë se sa para meshtarit, radhës së besimtarëve, prokurorit e madje togut të pushkatimit, i falet shpirtit të tij, e brenda shpirtit të tij ai krijon më të shenjtën e tij: poezinë! Cili poet nuk do të mëkatonte para prokurorit, togut të pushkatimit dhe madje para altarit të Shën Mërisë për hir të një interesi të madh materiale; dhe cili krijues do të pranonte të mëkatonte në poezinë e tij duke e dëmtuar artin e saj. Ndaluni një ditë dhe pyetni një krijues të artit, nëse do të pranonte të mbulonte syrin apo gjoksin e një gruaje në pikturën e tij në kundërshtim me vlerat artistike që i pretendon.

Më në fund, çfarë është krijimtaria letrare e cila nuk e çliron krijuesin nga një makth i përkohshëm apo i përhershëm. A nuk kemi shembuj të pafund të kësaj natyre. Sa krijues janë lutur para faltoreve apo kanë folur para tribunave popullore dhe akademike duke e fshehur të kaluarën e tyre, por jo edhe në krijimtarinë letrare, të cilën e zbuluan qoftë si narrator të veprave të tyre, qoftë si zëri i ndërdijes.

Si janë mbajtur gjallë popujt e vegjël pa ushtri të mëdha, gjuhët e vogla pa vepra të shkruara, me institucione fetare të përmbysura nga perandori apo tjetra: me artin e tyre të madh, me vlerat që kanë krijuar, me mesazhin që kanë dhënë dhe me besimin e brendshëm që kanë pasur në to! E në boshtin e të gjitha këtyre gjendet kush më parë se sa krijuesi, bardi shpirtëror i historisë së këtyre popujve.

Kjo është edhe arsyeja pse artit duhet besuar edhe atëherë kur ai nuk është i pranueshëm ashtu sikur duam ne.

_____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 

Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Mittwoch, 29. Oktober 2014

Jeta e artistit pa mëkate, do të ishte tepër e varfër!

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (11) 

Përgjigje nga Mihallaq QILLERI, poet


Pyetja juaj eshte teper komplekse per shkak te interpretimeve qe sjell ne vetvete fjala MËKAT. Ne fjalorin e gjuhes shqipe mekati konsiderohet si shkelje e rregullave dhe porosive fetare, veprim i dhunshem a i turpshem e njëherësh i dënueshëm, sikunder nje gabim shoqëror, etj. Por mëkati ka te njeriu trajtën e vet biologjike dhe mund të trashëgohet, sikundër edhe mund të shërohet.

Ajo që e bën interesant mëkatin si term është kompleksiteti i kendvështrimit ndaj tij. Ka gabime e faje njerëzore që dikush i quan apo i konsideron të tilla, sikundër dikush tjetër i quan normale. Në këndvështrimin fetar këto kundërshti thellohen edhe me tepër. Nëse për një fe nje grua e zbuluar ( pa mandile, pa fustan të gjatë, etj) mëkaton, për të krishterët në përgjithësi kjo nuk përbën kurfarë mëkati.

Kur është i dhunshëm dhe kriminal mëkati dënohet nga ligji. Kur është pjesë përbërse e karakterit dhe nuk dëmton shoqërin, mëkati përgjithësisht është i lirë të bredh në mendjet njerëzore. Arti eshte nje shprehje superiore e mendjes njerëzore dhe si i tillë ka vetinë e vet tepër personale. Në të kaluarën edhe vet arti është quajtur mëkat, sikundër janë konsideruar veprat e piktorit të madh El Grecco në Spanjën e Mesjetës, apo Paganini me violinen e tij në Italinë e shek. XVIII.

Problemi tjetër është në se vet artisti ( shkrimtar, poet, piktor, muzikant, etj...) ndihet, apo gjykohet nga të tjerët si mëkatar. Nëse ai nuk ka kurfarë lidhje me këtë përcaktim, atëhere edhe krijimtaria e tij nuk ka lidhje me mëkatin.

Personalisht mendoj se qeniet njerëzore në kompleksitetin e gjykimeve të epokave të ndryshme shpërfaqet gjithmonë si mëkatare. Ky është një përcaktim jo aq i saktë, sidomos për ata që vuajnë, shqetësohen e përpiqen të korigjojnë diçka në jetën e të tjerëve. Nga këndvështrimi im mund të them lirisht se një jetë artisti pa mëkate të vogëla, ( i veçuam ato nga mëkatet e rënda), do të ishte tepër e varfër. Kontradikta midis moralit të publikuar e të quajtur shoqëror e mendimit mëkatar që gjëndet në trurin e çdo njeriu, krijon shkallën e lartë të brerjes së ndërgjegjes pa të cilën nuk mund të krijohet vet arti. Arti qëndron gjithmonë një hap më përpara grumbullit të kodeve morale të një kohe të caktuar dhe si i tillë shkakton keqkuptime, por edhe ndijime të mrekullueshme për njeriun.

Si i tillë arti as e shpëton as e mbron shpirtin e artistit nga kjo fryme mëkatare që rrethon qeniet njerëzore. Arti i vërtetë liron shpirtin jo nga mëkatet, ( domosdoshmërisht), por nga konflikti që ndjen artisti me botën ku jeton.

Përcaktimi im natyrisht u shmanget konteksteve fetare për mëkatin...
_____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 

Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Dienstag, 28. Oktober 2014

Pa mëdyshje, arti e shëton shpirtin nga mëkati!

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (10)  

Përgjigje nga Gjon NEÇAJ, poet

Që në krye të kësaj përgjigjeje duhet thënë me plot gojën se arti e shpëton shpirtin nga mëkati. Për ta ujdisur më së miri këtë dilemë tashmë shtruar për zgjidhje me një pyetje interesante dhe pak intriguese nga krijuesi Haxhi Muhaxheri, po citojmë: Nëse në një vepër letare, bie fjala roman apo novelë, një shkrimtar trajton si fabul një ngjarje me vetëvrasje duke shtjelluar artistikisht dhe realisht ngjarjen, lexuesi reflekton dhe nxjerr mësime nga fabula e qendisur në veprën letrare.Unë mora një shembull të thjeshtë për të argumentuat një eveniment jetësor të madh…

Historikisht, arti si vetvete, ka ecur në llojet dhe mënyrat e veta shpërthyese të shpirtit të njeriut në çdo kohë, sipas gjinive dhe zhanreve të ndryshme krijuese. Në këtë udhëtim të pashembullt, piktura ka ecur me skulpturën, letërsia me dramën, poezia me muzikën, të cilat, së bashku, përbëjnë vlerën shpirtërore të krijimit, me emrin “art”.

Natyrisht, në dialektikën e jetës dhe kohës njerëzore arti ka pasur dhe ka zhvillimet e veta në epoka, shoqëri, klasa, komb e më gjerë. Ai, nëpërmjet veprave artistike, qëndron si dëshmi e kohës për origjinalitetin e papërsëritshëm te tyre. Përjetimi i vlerave të secilës prej tyre na jep kënaqësi shpirtërore dhe estetike në çdo kohë.

Krijuesit që kanë bërë vërtetë bujë me veprat dhe mendimet e tyre janë të shumtë.

Në një nga bestsellerët sipas New York Times, “Intellectuals” e Paul Johnson shkruhet për këta mendimtarë të mëdhenj se leximi i mëkateve është më interesant se vepra të tëra që kanë renditur.

Ernest Heminguei,për shembull, jo vetëm do të shfaqë karakteristikat kryesore të intelektualit, por i zotëron në masë të jashtëzakonshme dhe në një kombinim plotësisht amerikan. Por ai nuk mundi të reflektojë ndaj trysnive marramendëse të zhvillimit të turbullt të ngjarjeve dramatike, e arriti në vetvrasje.

Sipas librave të shenjtë, çdo njeri është mëkatar. Perëndia duke dashur të shpëtojë mëkatarin, nga dashuria e tij e madhe, planifikoi vdekjen në kryq të Krishtit, gjaku i të cilit pastron çdo mëkat.

Turbulencat dhe ndryshimet kohore të njerëzimit në kapërcyellin e jetës janë evidente në çdo etapë jetësore, ndaj krijuesi deomos tallazisht po edhe mirësisht ka detyrimin moral që t’i përballojë, se e para ishte fjala, thotë bibla, e fjala shkruhet e shkrimi lexohet. E krijuesit , shkrimtarët, poetët, piktorët, këmgëtarët, artistët në kuptimin e përgjithshëm të fjalës, janë krijues, çka duhet të vetëbarazohen me Hyun, krijuesin e gjithësisë jetësore, pra kanë një emërues të përbashkët, e nisur sa më sipër pyetja e krijuesit Haxhi Muhaxheri, se a e shpëton arti shpirtin nga mëkati, pa mëdyshje për mendimin tim them një po të madhe, bazuar edhe në këto argumente simbolikisht të thejshta, por domethënëse në përditshmërinë krijuese të artistëve.

_____________________ 
SQARIM PËR LEXUESIT: 
Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri

Montag, 27. Oktober 2014

Arti e fisnikëron shpirtin, por nuk e vret dot mëkatin!

Anketa jonë: A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (9) 

Përgjigje nga Vasil TABAKU, poet

Së pari, duhet të përcaktojmë se ç’farë eshtë ARTI dhe ç’farë është MËKATI. Natyrisht që janë të ndryshëm, por gjithësesi janë pjesë e së njëjtës origjin. Ashtu si mëkati, i cili në BIBËL, thuhet se lindi nga dashuria mes EVËS dhe ADAMIT edhe ARTI, ka lindur tek njeriu...
si pjesë e një thyerjjej tabuje, në të kundërtën ARTI nuk mund të ishte ART, pra i fuqishëm, pasionant dhe rrëmbyes nëse nuk do të kishte brenda vetes energjitë e rrebeklimit, e të bërit të gjërave “ndryshe”, pasi në të kundërtën ARTI do të ishtë konformistë, monoton dhe aspak tërheqës…

EVA dhe ADAMI, rrebeluan rregullat, moralin dhe kafshuan mollën e Mëkatit, realizuan puthjen dhe bashkuan shpirtërat e tyre të tallazitur në një tërbim pasioni mes mashkullit dhe femrës…Dhe kjo tashmë është mëse e kuptueshme se sa tundues janë mashkulli dhe femra ndaj njëritjetrit edhe pse e dijnë se mund të bëjnë MËKAT. 

Po çfarë është në fund të fundit MËKATI? Është një përvojë, një dhimbjë, një dëshirë, një passion, një marrëzi, një çmenduri apo thjesht një ritual? Së pari do të thosha se MËKAI është pjesë e jëtës. Jeta nuk mund të konceptohet pa mëkat, i cili shfaqet në të gjitha format, në atë moral, në atë shoqeror, në atë privat, shtetëror, social, artistik dhe padyshim edhe në atë fetar…

Nuk besoj se ka mbi dhe në këtë botë një njeri i cili nuk ka mëkatuar qoft edhe njëherë të vetme. Ne të gjithë mëkatojmë çdo ditë nga pakë, edhe pse përpiqemi që në pamje të jashtëme të dujemi ËNGJËJ, por në fakt MËKATI, fle brenda nesh dhe në një moment të caktuar ai zgjohet, shpërthen pa na pyetur, duke sfiduar moraklin, arsyen, vlerat dhe realitetin. Ja si e shpreh unë këtë fenomen të shpirtit në një nga poezitë e mia:

 
TË GJITHË JEMI NGA PAK MËKATARË

Vijmë dhe ikim
Por asnjëherë nuk ramë në gjunjë
Përpara të vërtetave.
Megjithatë
Të gjithë jemi nga pak mëkatarë.
Me të vërtetën
Të gjithë kemi flirtuar nga pak,
Ndërsa me mashtrimin
Kemi fjetur fshehtas
Si me të dashurën e padeklaruar...
Përse heshtni
Përpara këtij altari prej ajri.
Flisni
Mos e mundoni fjalën
Në burgjet e harresës
Mungesa e pendesës së artë
Ka për t’ju munduar gjer në vdekje...
Vetëm një gjest, një fjalë
Dhe ju rilindni,
Ngriheni mbi vetveten
Duke u shndërruar në djep të gëzimit tuaj...
Kot lodheni
Asgjë nuk mund ti fshihni qiellit
Sytë e së vërtetës
Janë tashmë brenda jush...


 
ARTI në vetvete është një vullkan njerëzor në errupsion të plotë dhe padyshim që kërkon energji të mëdha për tu realizuar, për t’u ngritur mbi të zakonshmen dhe te shpërthej duke rreëmbyer shpirtin e artëdashësve. ARTI e shpëton shpirtin njerzor nga MËKATI vetëm në koncept. ARTI si një formë magjike e shprehjes e lartëson shpirtin, e fisnikëron dhe e bënë më të devotshëm, më të fortë por njëhërësh edhe më të predispozuar për të mëkatuar…

Pasi mëkati në fund të fundit është vet si proces i një “krijimi”. Sepse të mëkatosh , do të thot të dalësh nga kornizat, nga kufizimet, të jesh një shpirt shpërthyes i lirë, i fuqishëm dhe padyshim krijues për ta bërë MËKATIN “të bukur”. 

ARTI kam bindjen se mund t’i japi shpirtit njerëzor atë tharmin e pazëvendësueshëm që njeriu kërkon për të përjetuar një përvojë, por natyrisht, arti e fisnikëron shpirtin njerzor, e benë të bukur, të ndjeshëm, madhështor dhe me me tepër forcë, por arti nuk është “armë” dhe nuk e vret dot MËKATIN, i cili kërkon njëmijë e një forma për të pushtuar NJERIUN dhe pë t’i dhënë atij një kënaqësi brilante të jashtëzakonshme, të cilën ai, MËKATI di ta surprizoj shkëlqyeshëm. Pse jo edhe me një lloj forme të ligjëruar moralisht…

Se padyshim, të rrëmbesh një PUTHJE, edhe pse konsiderohet si mëkat, është një gjë e bukur, e rrallë, e magjike që të ndodh jo çdo ditë. Në raste të tilla ARTI të vjen në ndihmë. Ai I ngre përmendore puthjes, dashurisë dhe justifikon MËKATIN. Padyshim, nëse puthja nuk do të ishte e bukur, ajo do të ishte kështu një “MËKAT” I paprovuar, sepse gjënë e shëmtuar nuk e do askush, por mendoni një puthje të rrëmbyer kalimthi një femre të bukur, sa shumë do t’ju joshi dhe intrigoj, sa shumë do tja u mbushi shpirtin me dritë, me ëndërra dhe dashuri të ndaluar…E pra këtu mëkati shëndrrohet në poezi, pse jo edhe ne kengë, apo në piktur, në skulpturë apo në një forëm magjike artistike…
Ja si e konceptoj unë këtë në një nga poezitë e mia të kohëve të fundit:


TE MEKATOJ

Te mekatoj…
Te luaj me petalet
Te puth buzet e ndaluar...
Te dua te pamunduren
Te prek gishtat e ftohte
Format
E trupit tend te bukur
T’I shendrroj
Nje nje statuje pasioni
Gjithe cmenduri
Gjithe marrezi
Dhe perkushtim…
Te mekatoj
Me thua fshehur
Zjarrin tim
Tja dhuroj akullit…
Fjalet
Te lidh si skllever
Ne anijen e premtimit
Drejt Saharase
Krahet e mi
Te braktisen nga perqafimi…
Te mekatoj
Te guxoj
Te blasfemoj
Te shkel
Gjithe ligjet e shpirtit
Per te qene vetem per nje cast
Perandor I dashurise…
Nuk e di
Por…
Eh…
Patjeter e dashur
Patjeter qe do te mekatoj


 
Si përfundim. Arti edhe e shpëton shpirtin njerzor nga mëkati por edhe e inspiron, e frymëzon dhe e bënë më agresiv drejt mëkatimit…Mendoj pa medyshje sa edhe vet ARTI është një formë tepër e moderuar e MËKATIT, duke I dhënë njeriut “pasapartën” për në botën misterioze, magjike dhe të jashtëzakonshme të MËKATIT. Aty njeriu provon, sijon dhe gjenë përvoja, forma dhë të papritura të jashtëzakonshme, të cilat kurrësesi nuk mund t’I gjej në realitetin konservativ, të rregullt e të autokorrigjuar nga ligjet dhe morali… 

Mëkati padyshim që është një ART I sendërtuar në veprinm te bota e madhe njerzore duke e bërë njëriun një MËKATARË të përjetëshëm dhe të pakurrigjuesghëm…Ndaj dhe njeriu e pëlqen, e do e adhuron ARTIN, duke e parë atë si një universe mëkatues por që në fund të fundit e shpëton nga MËKATI dhe I jep legjitimitetin moral të MËKATOJ…Epo në fund të fundit edhe mëkati është njerzor, se lindi pikërisht nga njeriu, bashkë me të bukurën dhe magjiken, më të jashtëzakonshme dhe të dëshiruarën, me atë që shpesh e ndeshim vetëm në ëndërra…

____________________

SQARIM PËR LEXUESIT:

Këtë anketë e kam filluar në Qershor 2013 dhe është duke vazhduar edhe në vitin 2014!
                                                                                                  Haxhi Muhaxheri