Montag, 25. November 2013

Hamit Taka - Gjashtë poezi


PREZANTIM

Unë kam lindur në shpellën e mamuthit
Në skaj të humbëtirës pa fund;
Jam endur pa busull udhëve tërë pluhur
Që as nisin, as sosin gjëkund;

I punësuar gjithë jetën te Sizifi,
Gjithë jetën i etur si Tantali,
Të vërtetën e gurtë e lakuriqe
E kam gdhendur në muret e fjalës;

 

BABAI

Sa hap derën te shtëpia e vjetër
Portret’ i babait varur karshi
Faqja e murit e bardhë, e çveshur
Kornizë e praruar e jetës së tij.

 

ENDERRAT

Edhe ëndërrat shpejt i harxhova
Si para të lëna trashëgim;
Koha, që aq shumë e dashurova,
Më shket nëpër duar, gaz e pikëllim;

Babai ma mësoi drejtpeshimin
Kur gdhëndëte qoshet në gurë,
Nga nëna e mësova këngëzimin
Kur bukët i piqte në furrë;

Të shaja, për dreq, s’më mësuan
Dhe sot ul kokën nga fjalët banale;
Sharësit shumë para kanë fituar,
Unë sfilitem në kërkim të një fjale;

Kërkoj fjalën për vargun e figurshëm
Si gurin e latuar për harqe dhe pragje.
Po prapë mbeta belbacuku i dikurshëm,
Më shumë ëndërra kam thurrur se vargje;

 

NATË DIMRI ‘97

Në oxhak të dhomës dimërore
Digjej trungu i menduar,
Mbi lodrat, zhurmën fëminore
Endej paqja e sfiduar;

Ç’kanë një aromë kaq të dashur
Këto ullishtet tek po digjen,
Më thoshte nëna ime e plakur,
Dhe nga unë priste përgjigjen;

Ah, i thashë, moj nënë e dhimbshur!
Aroma e tokës dhe e gjyshërve
Në lëkurën e trungjeve të dirsur
Aromën e shpirtit u sjell nipërve;

“Hesht!”, më tha, “dikush troket”!
Dhe ngrinë lodrat e fëmijëve.
“Mos lëviz, do ta hap vetë!”
Më urdhëroi tek mezi ngrihej;

E hapi lehtë derën përgjysmë:
…“Jo, u tha, nuk është brenda,
Por ju këtu mua më prisni,
Ja dy sekonda, të keqen nëna!”

Shkoi me ngut te dhoma e saj,
Një çelës u ndie, i akullt brymë;
Diçka nxorri përtej derës
Dhe i vuri llozin me një frymë;

Si shenjtore u ul në gjunjë
I falej Zotit, shkrihej në lutje
M’i ruaj bijtë, nipat e nuset,
M’i largo lanetërit tutje!

Pranë meje u ul e urtë, e zbetë,
Mashën mori, trazoi thëngjijtë;
Kam parë shumë, tha, në këtë jetë
Nuk m’i merr dot mortja bijtë;

E kuptova unë nënën time,
I besoja asaj dhe Perëndisë;
Kriminelëve u fali gjithë kursimet
Në emër të jetës, dashurisë;

 

SHKALLET

Shkallë janë minutat, orët dhe vitet
Shkallë janë vargjet, strofat, poemat…
Dikush zbret i ngrysur, dikush i qeshur ngjitet,
Tunduese janë shkallët, tunduese dilemat…

“Mos shikoni nga unë, se ju verbohen sytë”
Kështu tha Krishti, kur po ngjitej në qiell.
Mbase e kishte fjalën për shkallët e lavdisë,
Por jo për shkallët në ditët me diell:

Shkallë që na ngjitin në çatitë e pjerrta
Te foletë e zogjve e frutat e pjekura,
Te këmbana e hënës e zilkat e yjeve,
Te mjegulla e lotit për humbjen e miqve;

Shkallë për të krasitur hardhinë e mendimit,
T’i heqim lastarët e egos, babëzisë
Lastarët parazitë të lakmisë e mashtrimit,
Për të vjelur vilet me verën e mirësisë;

Shkallë që na ngjitin te kupola e shpirtit,
Ku shkruajmë me ar fjalët “të dua”,
Në fron të Perëndisë, pranë Jezu Krishtit
Ca zjarr krijimi t’i japim atij hua;

Shkallë që na ngjitin në telat e sfidës
Si akrobat të jetës, pëllumba të paqes
Ku hapim të qeshur kanatat e agimit
Dhe shohim larg horizontet e pastër;

Shkallë që na ngjitin në kullën e idenditetit
Nga shohim syçelur botën e mistershme,
Të plotësuar shohim qëndrën e gravitetit
Vdekjen e pashmangëshme-
gjëndjen e përhershme;

 

BRAKTISJA

Nëpër dritare fishkëllen era
Dhomat shurdhmemece
Nuk e ndiejnë më ndërrimin e stinëve;

Kërkëllijnë menteshat
Rënkon e psherëtin dera
Çatia nuk djersinë më…

Çarçafët e harruar në tela
Lagen në shi, teren në diell
Flakërimë e një zjarri që nuk më digjet;

Në fund të oborrit
Uji i dënjur i pusit të bardhë
Endërron këngën e çikrikut;

Në mure kanë mbetur ëndërrat e ngurosura
Dhe hijet e zogjëve;

Pjergulla shtrin krahët mbi supet e avllive
Hëna e hepuar
shikon prapa çative;

Pëllumbat kanë ikur në drejtime të ndryshme
malli tretet në gjurmët e ikjes…

1 Kommentar:

  1. Kalova një ndarje shumë të dhimbshme me të dashurin tim. Ndaluam së foluri dhe ai madje më bllokoi në të gjitha rrjetet sociale. Isha me zemër të thyer dhe nuk dija çfarë të bëja, kështu që fillova të kërkoja ndihmë në internet. Atëherë hasa në disa dëshmi rreth Dr. Dawn dhe se si ai kishte ndihmuar njerëzit të ribashkonin marrëdhënie dhe martesa të prishura, si dhe kishte ndihmuar gratë të ngjizeshin përmes udhëzimit të tij.
    Në fillim, isha e pasigurt, por vendosa t'i drejtohesha. Kur folëm, ai më tregoi gjëra për veten dhe marrëdhënien time që ishin çuditërisht të sakta. Pastaj më udhëzoi se çfarë duhet të bëja.
    Për habinë time, brenda 48 orësh, i dashuri im - i cili më kishte ndërprerë plotësisht - filloi të më telefononte dhe të më dërgonte shumë mesazhe, duke kërkuar falje dhe duke kërkuar falje. E fala dhe u ribashkuam.
    Jo vetëm kaq, por me mbështetjen dhe udhëzimin e tij, tani jemi të bekuar me dy fëmijë të bukur.
    Jam vërtet mirënjohëse për gjithçka dhe e rekomandoj fuqimisht Dr. Dawn kujtdo që po kalon sfida në marrëdhënie, martesë ose fertilitet.

    WhatsApp-i i tij: +2347041196471

    dawnacuna314@gmail.com

    AntwortenLöschen