Dienstag, 25. März 2014

Fran Ukcama - Gjashtë poezi


Me rastin e ditlindjës së poetit

Gëzuar, Fran Ukcama!


ATË DITË SI SOT PËSËMBDHJETË VJET

Ata iken, Kosoven e lanë në tym e flakë,
lotin mbirë në sy,
jetën mbi predha..

Ata u kthyen pas disa muajsh pas,
lulet kishin çelë ,
e liria kishte mbi te dera.
ta ikën sa munden me mbet gjallë,...

dhe nanat shtazana lindën,
u kthyen më shumë,
nipa e mbesa, si vera..

Të parën punë që e banë,
kqyren ku gjenden trimat,
vorre hapen rivarrosen heronjtë..
e mbollen për jetë lirinë..

Atë ditë si sot pësëmbëdhjetë vjet,
isha emigrant në Athinë,
për ju vellëzer e motra, lusja Perendinë.

Sot, nuk di pse më rigojnë sytë,
ndofta, oh sa i hidhur kujtimi !!!
Ndofta këto buronja në faqe tash janë kroje gezimi!!

 

K O S O V A
ANDRRA QË NUK NA LANË
ME ANDËRRUE


Kosova andrra jonë e ndalueme,
ndarë me shekullin e trishtuem,
tani që zhgandrra votres ka blerue,...
erdhi dita..besuem..

Ku jemi, ketej dhe andej dhe botës mbarë,
kemi lirinë e shpirtin për të festue,
tani asgja ma nuk duket përrallë,
por prush lirie në votër, gufue..

Kosova dikur andrra e jonë e ndalueme,
sa nji jetë na dukesh veç nji kangë,
vinin rrallë kangetarë e s`mundnim me i takue,
vëllai me vëllain , shurdha e memeca ,kishim kanë..

Legjendat i kemi qitë mbas krahu,
dhe zemrat shtrue kufijtë ku ma nuk janë,
kur flisnim me gishta e shënja se largu,
burgimi i shekullit,
ma i madhi..

Kosova andrra e jonë e ndalueme,
dhe copat ku sperkamat kanë ra,
a ka në Botë komb ma të coptuem,
pse shtirem sikur ,
pse bajmë sikur s`ka ndodh kurrgja..

Festimi asht aq i madh, por jo i ploti mbi dhe,
Bota bën të shurdhin e s`bëza,
përmes gishtavë mbi sy na sheh,
Andrra e jonë, sot e mot, lyp e s`ka,
festojmë moj Europë por të plotë nuk jemi ne!

Të plotë do jemi, kur të jemi nën një qiell,
ku të ngrohem nën një diell, me stan e vërri,
jo në pesë si fjegra molle, nda kobshëm, me hile
por shqiptar me gene shekujsh, në nji Shqipëri!


 
NË HARTEN E SHPIRTIT I KAM FSHIRË KUFINJTË

Në harten e shpirtit i kam fshirë kufinjtë,
gjithë jetën livadhe miqësie kam bleruar,
udhes së jetes nuk bëj kurrë armiqë,
e dua shpirtin më këtë jetë e më atë anë të shliruar!!

O zonjë e thinjur, puthjen ta kafshojmë si kokrrën e molles
në ishullin e vetmuatr të dashurisë, jemi ne sot
eja t`ia bëjmë inventarin e halleve vetes në këtë cep të botes,
se ajzberget pa meshirë po shkrijnë, anijaen tonë mos na fundosin!!!

 

SIKUR TË NGRIHESHIN PREJ GJUMIT HERONJTË

Ajka u shua, në vlime lufrash,
Parajses në gjumë shkuan prej kohesh,
çka do të thonin për prijsit sot burrash,
sikur të ngriheshin prej gjumit heronjtë?!!

Pse për rrëna, dhe hipokrizi,
pse për babzitje në Kurriz të Kombit,
apo për drejtesi e barazi,...
për çka falen jetën heronjtë qysh motit!

Çka do të kuvendonin heronjtë trima,
ah, ëndrrimtaret që s`u fshehen në skuta,
e ku do të futeshin prijësit e sotit,
ata e dijnë se sa u vlen lëkura!

Ajka u shua në vlime luftrash,
në beteja me armikun e prita të pabesa,
të sotmit kthyer në miloner, e harbuta,
shtiren si djajtë,
si djajtë mallengjehen kur shkojnë në kujtesa!

Sikur të ngriheshin heronjtë prej varri,
prijesit do çmendeshin,
do çmendeshin demagogët se u dilte kallaj!


 
U NGUROSA NË ZEMRËN TANDE

Kalla gacën e mendimit,
me unorin e një fjale,

kalla shtegun e kujtimit,
nën kunorën e një dardhe,

kalla germat e një emni,
përkundur në djep përralle,...

kalla rënkimin e shpirtit,
përvelim, fladi i një nate,

kalla eshkën, fjalën , gurin,
u ngurosa në zemrën tande.

 

MANUSHAQJA QË MA FALI PRANVERËN

Gojë ambla,
Sykthjellur në qiellin e gjelbër,
Refleksit njomëzor,
Buzagazin ma fali,
Ma fali pranverën…

Nën gurin e thekur,
Diellit të prillit,
Bornajes së denjur,
Gjinjtë qitur jashtë rreze më rreze,
Një puthje shtalbe,
Ma fali pranverën !

_______________
Stafi i Revistës elektronike "AlbPlanet" dhe i portali "Ora shqiptare", ia uron ditlindjen poetit të nderuar Fran Ukcama! Urojmë nga zemra që të jetosh e 100 vjet tjera dhe të na dhurosh edhe shumë libra të rinj! Gëzuar!

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen