Dienstag, 24. Juni 2014

Adem Xheladini - Kulti dhe hirësia e nënës...


Kulti dhe hirësia e nënës, pikëpjekja që zbut zemrat e egra 
(Vështrim mbi romanin”Perandorët”, Toena, Tiranë, 2014)
 
Shkruan Adem XHELADINI
 
Këto ditë më ra për hise të shfletoj romanin”Perandorët” të autores Majlinda Nana Rama. Dosdo mbeta i mahnitur nga ngërthimi i situatave të papritura e gjithë ankth, ku autorja të bart bashkë me personazhet në një botë të reales duke i ngjeshur kësisoj situatat me dellin e talentuar prej tekstshkrueseje, po jo vetëm kaq!... Situatat, konfliktet, dhe rezultatet hëpërhë të duken si maja Ajsbergu, ku gjejmë personazhe të çuditshme, të cilat pashmangshmërisht po ngjiten kësaj shkalle nga një botë e hiçit, duke bartur brenda vetes gjithë një shoqëri duke e drejtuar atë sipas shijes së tyre. Dhe kur ta spikasim e ta kundrojmë këtë roman në disa këndvështrime, na dalin të sheshuara tre rrafshe. I pari gjithsesi se ka të bëjë me shtratin sociologjik, ku personazhet përfaqësojnë shtresa të ndryshme shoqërore, nga ku domosdoshmërisht, na del e lakuriqësuar shoqëria jonë me të gjitha prurjet e të mirave e të ligave njëkohësh.
 
Situatat dhe vendndodhjet janë ato që i ndjejmë përditë, poaq edhe në lëkurën tonë. Hyrja e romanit, të bën për vete që në nismë duke nxitur kurreshtjen e lexuesit dhe gjithë ankth nga të papriturat dhe heraheras, skena makabre, që fatkeqësisht janë pjesë realiteti. Dhe duke ndjekur këtë ankth përthyerjesh nga situata në situatë, befas po shfaqet Magda, një vajzë mësuesi, e cila ka vizionin e saj për ndryshim; gjithëherë në rolin e shpëtimtares, hirësia e saj ka forcë që të ndërrojë sjelljen e kryepronarit të kësaj ngrehurine, që fillimthi na shfaqet si dëshpërim e mëpas si shpresë. Personaliteti i Magdës, krijon ndërrimin e pashmangshëm, mbase kryepersonazhi i kësaj zezone bie nën ndikimin e saj dhe sëfundi ia lë në dorë asaj të vendosë për fatin e tyre, të cilët jomëkot janë pokaq të afërt me njëri-tjetrin, sa janë të largët , ku heraheras, po rrëshqasin pahetueshëm në botën e krimit. Vartësit e “Perandorëve” janë njerëz të zakonshëm, të cilët padashje po mbllaçiten në një botë, ku padashje biejnë pre dhe kështu po trashin zinxhirin e krimeve, të cilat çojnë ujin tek mulliri i “të mëdhenjve”, të fuqishmive të qytetit, të cilët jorastësisht po merreshkan “me politikë”.
 
Pra, autorja, padyshim se ka ngrehur gishtin drejt kësaj zezone, ka ngjeshur qartë burimin e së keqes, dhe pokaq ka ofruar edhe zgjidhjen e duhur, ku mbi të gjitha mendja e shëndoshë, e personifikuar përmes Magdës, bën që arësyeja të jetë mbi mashtrimin dhe interesin. Ngjeshja e personazheve dhe karaktereve, paraqet njeriun tipik të këtyre hapësirave, i cili ka dalë nga një botë trazirash dhe po përpëlitet në lëvozhgën e përpjekjes për ta gjetur formën për identitet të ri. Autorja ka gjetur mënyrën e rrëfimit dhe të të tërheqë në magjinë e fjalës, sakaq të ndjesh dhembjen bashkë me “të nënshtruarit ndaj perandorëve”, tipikë për kohëjetën e sotme, ku gjithçka varet nga rastësia, ku organizimi më shumë shfaqet si ndërsyerje e jo si ligjvënie, ku ligji bëhet sipas tekave të “perandorëve” dhe të tjerët i detyrohen atij. Shtresat pastranzicioniste, janë ngërthyer kaq mjeshtërisht sa tisi i dallimeve është trashur panatyrshëm, ndërkohë që egërsia e gllabërimit të sa më shumë ç’është e mundur, është shndërruar në modë. Pra, është ky tipari i personazheve dhe rrethanave të kësokohshme, që dosdo se do ta prekte çdokënd, e në rastin e pikërishëm vetë autoren e romanit, mbase copëza nga kjo katrahurë prej jete ngjan të jenë të vërteta dhe të kundrueshme nga afërsia.
 
Në tehun e prizmit psikolinguistik, romani “Perandorët” ka arritur kulminacionin, ku lexuesi ndjen pahetueshëm t’i nxehen gjakrat, t’i rreh pulsi më shpejt, ngjan të gllabërohet nga personalitete prej tek ato më makabret e gjer tek manaret e vërteta. Padyshim se kontrastet e skajshme, të mbajnë gjallë kondicionin e leximit dhe të bëjnë që romanin ta lexosh me një frymë. Përbrenda mureve të këtyre kopertinave që autorja jomëkot i ka pagëzuar me “Perandorët” ngërthehen dy botëra. Lufta mes këtyre botërave e shpie lexuesin që të zbres në të realshmen dhe detyrohet të mbajë anë duke filluar kështu që nga egërsia përplot krenari e Tristanit, e gjer tek butësia dhe këmbëngultësia e nënës së tij, të cilën ai e nënçmoi në skajshmëri, po që më në fund arriti ta ndjej ngrohtësinë e saj prej nëne, e cila megjithatë atë, e kishte braktisur kur ky i fundit kishte qenë fare i vogël.

Përmes fytyrave dhe veçorive të personazheve, duket një botë e tërë e një shoqërie, duken sheshazi traumat nga një sundimi i egër, ku gjithçka i përkiste gjithkujt dhe asgjë askujt. Pasojat e zhveshjes nga e drejta e pronësisë së natyrshme, të çdonjërit prej personazheve veç e veç, po edhe si bashkësi njëherësh, kanë lënë vrragë dhe shenja dalluese. Heqja e gardhit përreth, ata i shpie në katandinë e lakmisë dhe veprimeve të panatyrshme për një “homo sapiens”, sa përvijimet në dallimet në mënyrën e të të kërkuarit për të jetuar ntrashen kaq fort, sa koncepti i të të jetuarit po merr së prapthi. Janë këta personazhet që rastësia i ka sjellur në maje, mënyra e arritjes së tyre andejpari nuk është me rëndësi, po e rëndësishme është se si ata i qasen jetës, veprimet e tyre makabre dhe fuqia e tyre, që mjerisht po përkrahet nga shtresa e ashtuquajtur “elitare” e sundimtarëve, për të krijuar kështu një dramë të vërtetë kontrastesh, ku njeriu i arësyeshëm po bie pre e këtyre ndërskëmbcave. Tehu i mprehtësisë së fjalës së autores së romanit, nuk lë pa vënë në spikamë edhe shantazhet ndaj përpjekjeve për të sjellur vlerat në një shoqëri, ku kriter parësor është shfrytëzimi. Personazhet e këtilla nënçmohen në skajshmëri nga “të fuqishmit”, ku mjerisht në këtë rreth vicioz ndodhet edhe një pjesë e atyre që bëjnë ligjin, për t’i quajtur mëpas ato veprime si “pjesë e jetës moderne”, ku shkelet gjer në zhbërje personaliteti i qenies njeri i natyrshëm.
 
Pokështu, me kaq finokëri, ngjarjet rrjedhin kaq kronologjikisht, sa ndjenja e përjetimit dhe bashkëndjenjës me viktimat të shpie gjer në keqardhje të skajshme. me një fjalë sistemi i mbrumur pokaq mjeshtërisht dhe i gatuar me fjalor të zgjedhur të jep të dhënat se autorja e njeh bukur fort artin e fjalëndërtimit, pokaq edhe pasurinë e padiskutueshme të shprehjeve leksikore. Romani me pokaq shtysë vjen njëkohësh edhe si situatë, edhe si psikologji, e mbi të gjitha edhe si prurje e re e padiskutueshme në fushë të gjuhësisë. Kontrasti i rrëfimit të ngjeshur mjeshtërisht, na e sjell përditshmërinë në pëllëmbë të dorës, përmes sensit rrëfimtar, ku egërsia mundet nga butësia, ku personaliteti femëror, personifikohet tejet fuqishëm drejt ngritjes së vlerave të mirëfillta të moralit të një shoqërie nën lëngatë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen