Samstag, 16. September 2017

Dita e tollonit

Viron Kona
Tregim nga Viron Kona

(Kronikë e ditëve që duam t`i harrojmë, por nuk i harrojmë dot)
         
       - O ma, po ne kur do t`i marrim vezët? Ata të rrugës tjetër i kishin marrë. Goni dhe Titi po shqepeshin duke ngrënë: edhe vezë të ziera, edhe të skuqura në tigan, edhe të rrahura në pjatë, me sheqer. Mua më pëlqejnë më shumë vezët e rrahura dhe me sheqer...
       - Po, o shpirt, ja po afron edhe dita e tollonit të vezëve edhe për ne. Nesër, ditë e hënë, është dita e tollonit të gjizës dhe djathit, pasnesër dita e sallamit, pastaj vjen e mërkura që kemi tollonin e kafesë, e enjtja e gjalpit, e premtja dita e mishit të derrit, e shtuna s`ka tollon, kurse e diela...? 
       - Dita e tollonit të vezëve, - u hodha unë, -Sa kokrra do marrim ne, o ma?
       - Si dhe herë të tjera bir, plot 10 kokrra. Dhe çfarë kokrrash: të mëdha, të bardha borë, tamam si vezë fshati.
       - Pse, më të mëdha janë vezët e fshatit?
       - Më të mëdha dhe më të freskëta. Po, edhe ato të fabrikës të mira janë.
Disa çaste unë heshta duke ëndërruar vezët e rrahura në pjatën që fryhej e fryhej dhe bëhej e madhe, shumë e madhe...Pastaj e pashë nënën në sy dhe  e pyeta: 
       - Pse thua ti, o ma që ne do shqepemi me vezë? Ne vetëm nga një kokërr na bie se jemi 9 vetë...Ja, po i numërojë me gishta: unë dhe motrat bëhemi 3, pastaj vëllai i madh Arlindi, pastaj ti mami, babai, gjyshja, gjyshi, halla dhe një kokërr që ti, o ma, e mbanë gjithnjë rezervë...Plot 10 kokrra vezë...
       - Ashtu është, o bir, por, unë, babai, gjyshi, gjyshja dhe halla, nuk i hamë vezët, apo nuk e di këtë ti? 
       - Po pse nuk i hani?
       - Ne nuk i hamë se kemi ngrënë shumë, gjithë jetën, kështu që nuk na vete më mendja për vezë. Radhën e parë për të ngrënë vezë, tani e keni ju të vegjlit, ju keni nevojë të rriteni..
       - Po nga sa kokrra na bien gjithsej ne të vegjëlve, o ma? 
       - Nga tre kokrra secili. Veç këtyre është edhe një kokërr që do të ma japë fqinja. Unë ja kam dhënë borxh përpara një muaji dhe ajo do të ma kthej këtë javë. Kështu që, ju të vegjlit, ti dhe dy motrat, do të hani edhe vezë të zier, edhe të skuqur me vaj në tigan, edhe të rrahur në pjatë, me sheqer. Do hani vezë tre ditë reshtë, kush është si ju!
       - Po, unë, o ma, i dua të tre kokrrat në një ditë, të rrahura në pjatë dhe me shumë sheqer. Kurse motrat le t`i hanë si të duan.
       - Po ditët e tjera, ç`do të hash, nuk më thua?
       - I dua t`i ha të tre kokrrat në një ditë, ashtu i dua! - ngula këmbë unë. 
       - Mirë, o shpirt, si t`i duash ti do të t`i bëj nëna. 
Disa çaste heshta. Lart në qiell dukej hëna e cila udhëtonte e qetë mes reve dhe yjeve. 
       - O ma, shiko sa çudi! Edhe hëna atje lart në qiell, vezës i ngjanë!
       - Po, o shpirt, po ajo nuk është jona, është e Zotit.
Disa çaste heshta duke menduar për hënën. Sa mirë do të ishte sikur vezët të ishin aq të mëdha sa ç`është hëna! Nuk do të kishte nevojë të blinim shumë vezë, mjaftonte një dhe hanim e ngopeshim të gjithë...Ehe, ehe, - qesha me vete me krahasimin që më shkoi në mendje. Pastaj iu ktheva përsëri nënës:
       - Edhe hëna, o ma, ditën e tollonit del?
       - Eh, jo, ajo del më shpesh, veçse herë del e plotë, herë si drapër, herë e ngrënë...
       - Pse, kush e  ka ngrënë hënën, o ma? 
       - Ç`thua?!-tha nëna dhe qeshi,-Nuk e ka ngrënë askush hënën, o bir, po ashtu i thonë...

***

Erdhi dita e diel. Isha  në gjumë kur ndjeva zhurmë, dikush u ngrit dhe po vishej. Ishte babai.
       - Po është shpejt akoma, ora s`ka shkuar 3.00, - i tha nëna.
       - Jo, jam shumë vonë, duhet të nxitoj, - iu përgjigj ai.
Unë u ngrita, u vesha  pa u ndjerë dhe i vajta pranë babait.
       - Po ti?
       - Do vijë dhe unë, o ba.
       - Jo, se është shumë shpejt për ty. Fli!
       - Do vijë, do vijë! - ngula këmbë unë.
U nisëm për te dyqani. Që nga larg pamë se atje kishte shumë njerëz. Rrinin të mbledhur dhe bisedonin me zëra të ulët.
       - Ja, dhe pak, tani pritet të vijë furnizimi, - po thoshte dikush.
       - Se mos nuk vjen fare, kështu ndodhi para dy javëve. Ne që kishim ditën e tollonit, mbetëm fare pa vezë...
       - Kush është i fundit? - pyeti babai.
       - Jam unë, - tha një burrë me mustaqe. -E ke me vete tollonin?-e pyeti ai babanë.
       - Po, - tha babai, - po nuk e di  a do të arrijmë, sa vetë janë përpara nesh.
       - Ti je i 37-ti, - i tha burri.
       - Qenkam vonë, - tha babai, - nuk di a do të më vijë radha?
       - Të tjerë kanë ardhur që në orën 12.00, - tha burri me mustaqe.
       - Pse s`thua që mbrëmë, - ia priti një burrë i gjatë me kapelë me strehë dhe shtoi: -Disa e bëjnë me hile, duken pak kohë këtej, pastaj vënë trastën apo ndonjë gur dhe shkojnë e flenë gjumë. Po unë ua hoqa, atje në kazan të plehrave ua hodha edhe trastat edhe gurët e radhës.
Tej u dukën dritat e një makine.
       -Furnizimi! - tha njëri dhe të gjithë u shtrënguan te dera e dyqanit.
Makina kaloi me shpejtësi.
       -Ishte makina e druve, shkon te fusha, - shpjegoi një grua, - atje ka shkuar im shoq mos siguron një racion dru.
       -Ne i kemi marrë drutë, - tha babai, - dhe, kemi bërë mirë se do të bëj dimër i ftohtë këtë vit. Na ka mbetur pa marrë vajguri...Nuk e di sesa litra do na japin këtë muaj... 
Më në fund erdhi makina e furnizimi dhe qëndroi përpara dyqanit.
       - Lutem, largohuni, më hapni rrugën! - tha shitësi.
       - Do ndihmë? - tha dikush që sapo erdhi dhe kapi disa nga kolitë e vezëve.
       - Jo, - iu përgjigj shitësi, - mos i prekë kolitë!
       - Ti zotëri mbaj radhën, - i tha një i moshuar atij që gjoja donte të ndihmonte.
       - Pse, nuk doni ndihmë ju?
       - Ti e ke hallin që të marrësh pa radhë, ne kemi gjithë natën këtu.
Tjetri heshti.
-M`u dukën vezë të vogla, si vezë pëllumbi, - pëshpëriti një grua.
-Eh, si të qëllojnë, para një jave ishin të mëdha, si vezë pate dhe borë të bardha, - ia priti një tjetër.
-S`ka rëndësi se çfarë lloje janë, pëllumbi apo pate, mjafton që të arrijmë e të marrim, - tha një grua.
-Të qëndrojnë vetëm 30 vetë, - tha shitësi, 15 burra, 15 gra. Vetëm 300 kokrra janë të gjitha. 
Në radhë u ndjenë zëra të shqetësuar.
       - Vetëm 30? - pyeti i tronditur babai.
       - Të kishe ardhur më shpejt! - i tha dikush.
Babai s`foli.
       - Si do bëjmë? - pyeti më shumë veten se sa mua.
       - Unë do qëndroj një herë, - tha ai që ishte përpara babait, - nuk i dihet, mban edhe nën banak ky shitësi, hajdut i madh është, provojmë i japim ndonjë lekë nën dorë dhe marrim edhe ne nga pak kokrra. -Pastaj burri i tha babait: -Nuk ishin 30 koli sa po thotë ky hajduti, por 36, jam i sigurt se i numërova gjatë transportimit nga makina te dyqani. Si do bësh ti, do qëndrosh?
       - Po qëndroj edhe pak, mbase, ku i dihet, - tha dhe babai.
Radha ecte shpejt, vezët po pakësoheshin.
Befas erdhi një gaz 69-ësh i cili frenoi me zhurmë. Ishte gaz i kryetarit të komitetit. Shoferi, një burrë i ri, përplasi me forcë derën e makinës, i vajti shitësit pranë dhe i pëshpëriti në vesh. Pastaj, ata u futën të dy brenda dyqanit.
       - Edhe ky, për vezë ka ardhur? -pyeti dikush.
       - Po or, për vezë! S`ka ardhur për të na parë neve. Këtë punë bënë gjithnjë ky, dhe, kam frikë se do të na lërë fare pa gjë edhe ne që po na vjen radha.
Shoferi i komitetit doli nga dyqani me tre koli në duar.
       - Ikën dhe 30 kokrra, - se kush tha.
       - Mos i ngrënçi! - pëshpëriti një grua.
       - Kush foli!? - tha kërcënueshëm shoferi.
Pasoi heshtja, pastaj shoferi tha:
       - Edhe fëmijët e mi duan të hanë, apo jo?
       - Do ta besonim po të merrje vetëm një koli, po ti po merr tre, - i tha babai. 
       - Matrapaz! – i thirri dikush.
       - Mbaje gojën! -tha shoferi dhe kërkoi me sy në errësirë atë që foli.
Pasoi përsëri heshtja.
       - Vezët për sot mbaruan! - tha shitësi, - Ju që s`morët, do vinin javën tjetër. Shënoni emrat në një listë.
       - Aman, mos ke vetëm dy-tri kokrra, - iu lut shitësit një grua, - kam vajzën e djalit sëmurë, mezi po i pret ato kokrra...Ka vënë kokën në jastëk dhe i mban sytë nga dera, e vogla e nënës, hë të lutem, vëre dorën në zemër...!
       - Më vjen keq, nëno, po të kisha do të jepja, - i tha shitësi.
       - I kishe ti, por ia dhe atij shoferit të kryetarit...
Gjatë kthimit për në shtëpi babai vetëm heshtte dhe, kush e di pse i përplaste fort këmbët duke pëshpëritur diçka me vete... Kur mbërritëm në shtëpi, nëna u pa sy më sy me babanë pa këmbyer asnjë fjalë. Ishin ngritur edhe dy motrat e vogla, kurse vëllai, që ishte më i madhi nga ne fëmijët po flinte ende sepse do të fillonte punë në uzinë si punëtor në fonderi. Motrat ishin të përgjumura dhe më shihnin me një farë zilie që unë kisha qenë me babanë te radha e vezëve.
       - Si do të bëjmë, - tha nëna, - për ne të rriturit do të gatuaj trahana ose papare, kurse këta zogjtë duan vezë, kanë ditë që i presin...
       - S`kemi ç`bëjmë, vetë e kemi fajin, -i tha babi, - po ti, pse s`më ngrite më shpejt? - iu hakërrua ai nënës?
       - Po ja, thashë të flije dhe pak dhe ...
       - E, fjeta dhe, u ktheva duar bosh, - tha babai me dhembje dhe nervozizëm.
Kur zbardhi dita, nëna shkoi te gardhi dhe i thirri fqinjës. Ajo doli menjëherë, u përshëndet me nënën dhe i dha kokrrën e vezës të mbështjellë me një shami të bardhë.
       - Si do ta bësh? - e pyeti fqinja.
       - I vogli e do të rrahur në pjatë dhe me sheqer, ka disa ditë që po e kërkon, - tha nëna duke psherëtirë.
       - Vetëm këtë kokërr ke?
       - Po, -tha nëna me zë të ulët, -sot kishim ditën e tollonit, por nuk arritëm të merrnim dot, shkuam vonë...
Nëna e vuri kokrrën e vezës në pjatë dhe mori pirunin...Hodhi në fillim të bardhën e vezës dhe zuri ta rrahë me pirun. Unë dhe motrat ia kishim ngulur sytë pjatës ku, e bardha  e vezës  që rrihej, po fryhej dhe po mbushte të gjithë pjatën. 
       - Sa më shumë ta rrahësh, më shumë fryhet, - tha nëna.-Dhe, duke thënë këto fjalë ajo  kthehu pjatën përmbys. E bardha e vezës, e rrahur dhe thuajse e ngrirë, nuk ra poshtë por qëndroi në pjatë.- Kjo tregon që e bardha e vezës është rrahur mirë, - shpjegoi nëna dhe vijoi: - Tani do të hedhim të verdhën, - dhe, në fjalë e sipër ajo hodhi mbi pjatë të verdhën e vezës. Ne fëmijët nuk ia ndanim sytë dhe shihnim sesi e gjithë veza e rrahur mori ngjyrë të verdhë. 
       - Tani, hedhim sheqerin! - tha nëna dhe, pasi  i hodhi tre lugë të vogla sheqer na u drejtua ne të vegjëlve: -Do t`ju japë secilit nga një lugë dhe do ta hani vezën me radhë, një herë njëri dhe një herë tjetri deri sa ta mbaroni. Por, mos u grindni, mirë?
       - Mirë, o ma, mirë! - thamë ne dhe, ndërsa nisëm të futnim me radhë lugët në pjatë, dëgjonim nënën që po thoshte: -Ja, shpejt vjen java tjetër dhe, e hëna nis me ditën e tollonit të gjizës dhe të djathit, e marta dita e tollonit të sallamit, e mërkura dita e...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen