Mittwoch, 8. Januar 2014

Fadil Curri - Letra pa adresë

 
LETRA PA ADRESË
(Tri skica për një prozë)

E dashuruar në mungesën
 

 Afrohet misteri para varrit të viktimës së tij dhe e vajton:
"Çohu se të dua, se nuk e kam ditur që të paskam dashur; çohu se e tëra do të jem e jotja, se e kam kuptuar që ti çdo veprim hipokrit timin e ke marrë vesh dhe e ke kuptuar, por ja që më ke lënë në ndërgjegjen time vetëmashtruese dhe nuk e ke thënë të tërën. Çohu nga varri, shpirt, se kur të kisha - më mungoje; tani kur më mungon - të kam pashkëputshem thellë në veten time. NGREHUUUUU, o i bekuar, se nuk po mund te qetësohem në këtë jetë për mëkatet ndaj teje", - dhenë këto çaste i kujtohet se e kishte vrarë me dorën e vet.

 
Kryqi i akullt në Saharë

    "Ndoshta ke besë e jetë te pafundme kur betohesh dhe shpërndan në adresa të shumta me zhdërvjelltësinë tënde hipokrite betimin “Të dua”. Aq e padurueshme dhe e shkapërderdhur je, sa harron dhe që kur ec rrugës së hipokrizisë, e heq pjalmin e pluhurit që e ke vënë. Fjalët që i the, janë të një njeriu me shtatë zemra dhe që ka fuqi të përhapë në një çast dashuri e urti “të bukura e hyjnore” në shtatëdhjetë e shtatë zemra, sipas stilit të lojës “Kush e merr i pari”. Edhe “mirëmëngjesin” e sotëm e bëre sipas kësaj abëcë-je, gjoja për mua. Tani, kur e përbuze engjëllin e bekuar, ke kohë të bësh ritet e herezisë para djajve të mallkuar në Saharën përcëlluese me kryq të akullt. Zoti të bëftë derman!..." - shkroi në një letër buzë lumit Bardhanë poeti i frymëzuar nga rrëfimi i djaloshit te sapoikur. 

 Arkitekti heretik që rrënoi faltoren e dashurisë
 
ARKITEKTI ME QËLLIM KISHTE LËNË NJË VRIMË TË PADUKSHME NË KULM, QË TË HYJË PIKA E SHIUT DHE E BORËS ATY DHE TË DEPËRTOJË NË THEMELE, QË TA RRËNOJË SHTËPINË AVASH-AVASH, QË NJË DITË TË FAJSOHET VET BANORI I SHTEPISË. I KISHTE GARANTUAR SE KËTË SHTËPI AS RRUFEJA E BOMBA NUK E RRËNOJNË, POR JA QË U RRËNUA NGA VETJA, SEPSE VET E KISHTE LËNË DEFEKTIN. ARTIKTETIT IU ZBULUA MARIFETI, KUR EDHE TË TJERË ISHIN ANKUAR NË TË, DUKE U PËRPJEKUR T' UA PRISHTE SHTËPITË. PASI U DËSHMUA QËLLIMI SHKATËRRIMTAR I TIJ, POPULLI E KISHTE PRANGOSUR ARKITEKTIN, E KISHTE LIDHUR PARA PORTALIT TË KRYETEMPULLIT DHE E KISHTE RRAHUR ME KAMXHIK. TË DËMTUARVE U DHIMBSEJ, POR VET E KISHTE SHKAKTUAR AKIKTEKTI KËTË, NDAJ EDHE NUK MUND TA SHPËTONIN NGA NDËSHKIMI.
- KY ME HEREZINË E TIJ E KA SHKATËRRUAR EDHE FALTOREN E DASHURISË, E NË ANËN TJETËR NA AKUZON SE NE PO E PRISHIM, - klithi një lutës e falës i devotshëm, duke sjellë dëshmi të patundshme.

Dialog midis poetit dhe simbolikës së vendlindjes


Nga Dr. Zejnepe Alili - Rexhepi

Arti letrar, veçmas kur bie fjala për krijimtarinë poetike shqiptare në Maqedoni, deri në gjysmën e dytë të shek. XX qe e zbehtë dhe e aty-këtushme, e cila mezi gjente mundësi botimi. Jeta kulturore, mbi të gjitha ajo letrare, në këtë vend, qe mjaft e kontrolluar, meqë krijuesit ndjeshëm ballafaqohen me krizën politike e shoqërore.
Krijimtaria e dekadave të fundit të shek. XX, e sajuar më tepër si poezi simboliste, ngrihet mbi një filozofi të thellë që shpreh imazhin e jetës, kohës, të vërtetës... së vetë poetit, në bashkëdyzim me universin e përjetimeve të tij. Të këtij diskursi poetik, të yshtur nga motivi i atdhedashurisë, me simbolikën e brengës dhe mallit për këto troje, janë një vargan i gjatë poetësh, por si më të identifikueshëm në botën letrare, shquhen poetët tetovarë: Abdylaziz Islami, Murat Isaku, Mustafa Laçi, Nexhat Pustina...
Ideja e një përzgjedhjeje të këtillë autoriale e tematike: “Dialog midis poetit dhe simbolikës së vendlindjes” lindi, jo si ngasje e ndonjë ndjenje lokaliste, po si kureshtje se si përjetohej malli i vendlindjes që është baraz me ndjenjën atdhetare, të poetëve këndej kufirit, sidomos në dekadat e para të Pavarësisë së Shqipërisë, e cila atëherë e sot përjetohet si atdhe i shqiptarëve, jo vetëm në artin letrar. Poezia e kësaj kohe bëhet dëshmitare e përpjekjeve dhe vështirësive për të ruajtur dinjitetin dhe identitetetin kombëtar, poezi që s’është vetëm ndjesi e përjetim rrëfimesh, por edhe “vetëtima simbolike”, të ngritura mbi një botë të begatshme shpirtërore.
Ajo për të cilën shfaq një çik dobësie në përzgjedhjen e lirikës, dukshëm është: fati i qenies njerëzore, sfidat politike, filozofitë e kohës në përcjelljen e risive të shekullit, një ëndërr potenciale e poetit kjo, por e papërfillur sa duhet, duke e lënë nganjëherë në zgripc të kohës dhe peng të fjalës së ngecur.
Tek këta poetë njohim sfidën e lirisë individuale e kolektive, me ngjizjen e frymëzimit ndërmjet refleksit lirik dhe narracionit poetik. Përse tërë ky trishtim, kjo dridhje shpirtërore e poetit, do thoshim?! Poeti, duke u futur në sfera të pandriçuara mjaftueshëm bëhet pjesë e pandashme e odisejadës kombëtare dhe përpiqet t’i vërë gjërat në vendin e duhur, duke thënë të vërtetën, pavarësisht në ç’fokus vihej gjendja e poetit, atëbotë.
Abdylazis Islami (1930 – 2005), është poet me intuitë inventive, i cili padiktueshëm rrëshqet ëndrrave të fëmijërisë për të bashkëjetuar më pas me brengën kombëtare. I lindur në vitin 1930, në Gajre të Tetovës, një vendbanim i vogël rrëzë Sharrit, por me premisat e një potenciali solid intelektualësh, poeti, Islami, fillimisht i ndjek gjurmët e traditës, e u jep atyre dimensionin e përdishmërisë. Shkroi shumë vëllime poetike, nga të cilat veçojmë: “Era dhe vargje” (1964), “Këngët e zgjuara” (1968), “Soditje nga toka” (1969), “Barka ndër valë” (1972), “Oaza” (1973), “Gurgurina” (1974), “Ujërat” (1976), “Agullina” (1978), “Dritë në sfond” (1980), “Për qepallat e qiellit varen plepat” (1983), “Romancat e një nate vere” (1987), “Zërat nga maja” (1988), “Ëndrrat bulojnënë El Dorado” (1980), “Pëshpëritjet e udhëtarit plak” (1995), “Feniksi” (2001), “Ninëza në koshadhe” (2002)...
Krijimtaria poetike e Islamit ftillohet, jo nga kapricjet rinore, por nga motive të qenësishme jetike shoqëroro-filozofike. Është ndër më të frytshmit poet, si për nga opusi krijues ashtu edhe begatia tematike, dhe jo vetëm të brezit të tij, duke qëndruar gjatë në vazhdën e krijimeve. E vragëzoi ndiesinë e tij përmes dhjetëra vëllimesh poetike dhe veprash në prozë, por poezitë e analizuara, në këtë studim janë shkëputur nga përzgjedhjet: “Majë malesh” (1985), “Yjet e vendlindjes” (1986, 1987), si dhe “Përtej kohës”, (2002), në të cilat shpaloset vizioni angazhonjës i poetit, që gjatë ecurisë jetësore e artistike rrah një mori dilemash.
Motivi i vendlindjes, në përmbledhjet: “Gurgurina” dhe “Yjet e vendlindjes”, veçmas në të parën, qe lajtmotiv edhe për Abdylazis Islamin, me ç’rast “Gurgurina e tij, që posedon të gjitha karakteristikat e vendlindjes së poetit, pra është një ekuivalent i saj, shndërrohet jo vetëm në simbol, por edhe në një toponim të përhershëm poetik...” Në poezitë e Islamit, vendlindja vendoset në frymë lirike të ndryshme: herë si mall i pashuar mërgimtarësh a gur ëndrrimtar i të riut në kurbet; herë dhembje e gjakim i atyre shqiptarëve që e braktisën vendlindjen për në Anadoll, madje edhe si shfrym ndaj atyre që e përbuzën. Pra, herë Diogjen e herë Don Kishot, poeti mbetet përpara sfidave të vendlindjes dhe vargun poetik e sajon përmes fjalësh të pakta, por të zgjedhura, me një forcë të lartë ndërtuese. Nganjëherë, heshtja e poetit është heshtje rasti, e përkohshme, e jo heshtje e lindur prej njeriu të zakonshëm, sepse guximi i poetit për ta mposhtur heshtjen, edhe kur përndiqet e censurohet, reflekton me një botë të nuancuar plot urti e thellësi mendimi.
Në vëllimin “Përtej kohës”, veçojmë poezinë “Brezat”, e cila të përkujton të madhin D. Agolli, me kultin për tokën, vargjet e së cilës vijnë si perceptim i krijuesit të lidhur shpirtërisht për Dheun, kur bashkëdyzohet fuqishëm në kujtimet e fëmijërisë me më të madhen dashuri që marrim dhe i japim vendlindjes dhe si vendlindje-atdhe, një simbolikë edhe më e fuqishme që aludon në Shqipërinë, atë që kaherë ribënte kupolën mbrojtëse të gjithë shqiptarëve. Poezia rrugëton si një mesazh drejtuar të birit dhe nipit, që secili të ruajë brezin e vet deri në brezin e ardhshëm, pasi vetëm: “Kështu do të mund / Të shkohet para vetes / Për një qiell e një galaktikë”.
Me trinitetin poetik, të një bërthame tematike, të vendosur në tri periudha kohore të ndryshme që i paraprijnë njëra-tjetrës, siç janë poezitë: S’është as nishani, Përtej kohës dhe Fluturimi mbi det, Islami e sjell më pranë sagën kombëtare, ku me shprehjet: burimi, balta, guri, dheu, deti, kulla..., që për këdo do të ishin nisma e jetës, poeti ndien një zbrazëtirë shpirtërore, si një ëndërronjës që të zërë imazhet e vazhdimësisë së këtij Dheu me trojet e dikurshme ilire. Këto poezi bartin mesazhin e fuqishëm të unitetit të brezave, të kohëve e idealeve. Poeti nuk dëshiron që ta shohë atdheun si në vargun: As emër, as gjurmë prej teje, të djegur nga ai fluturimi i parakohshëm mbi det, por të fluturojë mendueshëm, të fluturojë kujdesshëm, sepse vetëm Fluturimi i matur t’kursen nga dallgët. Pas kësaj porosie note përgjërimi, poetin e kaplon entuziazmi i ribashkimit, shfaqet jehonëbërës përmes vokacionit poetik, në strofën e fundit: “Për ty e pëgatita këngën, për ty, / Eja zërat t’i bashkojmë më një / E le të vete ku të vete, / E të arrijë ku të arrijë, / Përtej përroit të shterrur / të ujkut të çalë, / Përtej mizës që brenë hekur”.
Në ca poezi tjera më impresive ndeshim vargun që e pasuron imazhin për vendlindjen, ku poeti i mishëruar me të, si me kujtimet për Nënën, Dheun, Detin..., shpreh një botë të tërë ndiesish, ku zë fill e artikulohet në vargje tërë malli poetik, përmes simbolesh të zgjedhura që e përbëjnë strukturën figurative. Vendlindja për të është si një krua ku përherë buron dashuri, ku të josh frymëzimi i ri, i papërsëritshëm. Vendlindja është tharm i pleksur me kultin për tokën, që gjithsesi e mbush me hare poetin. Nga kjo çiltërsi ndiesish ai shpesh e kundron botën. S’i honeps mëritë dhe përditshmërinë e zymtë, i lufton këto si një Promethe. Mos vallë poetët janë të përzgjedhurit që përjetësisht të bartin në vete “Lirikë me shi”, siç mëton Azem Shkreli?! Malli për vendlindjen është përcaktim për poetin, andaj s’ka alternativë tjetër, gjithherë ajo pushton me “magjinë e frymës dhe gjakut”.
Pothuajse i një profili me Abdylazis Islamin është edhe poeti tjetër, Murat Isaku (1928 – 2002), bashkëvendas dhe bashkëkohas i tij. Duke qenë dhe miq të mirë, ata e patën të përbashkët edhe konceptimin e motiveve poetike, përballë shoqërisë. Poezia e vendlindjes, bëhet dëshmi e dhembjes së ekzistencës sonë ndër shekuj, përderisa procedimet poetike vijnë si demaskim i asaj që i mban peng shqiptarët e kësaj ane. Në këtë frymë e fillon krijimtarinë poetike M. Isaku, si tematikë dhe si shprehje në vazhdën e poezisë së traditës, duke i dhënë poezisë paksa nga shpirti i poetit rebel edhe ngjyrimet e para të tendencave moderne.
M. Isaku ka lënë një veprimtari të pasur letrare të disa zhanreve, ndërsa vëllimet poetike: “Zani i malit” (1960), “Buzëqeshjet e mesditës” (1963), “Kurora e trollit” (1968), “Drithma” (1975), “Blana” (1982), “Ngushëllimi i bukur” (1989), “Shtara” (1994), “Egjër” (1998), “Dolli për gjërat e humbura” (2000), “Ngutem të marr një frymë” (2001), “M’i këpusin kokrrat e frymës” (2002)..., e shpalosin temperamentin e ndjeshëm të poetit, që ndihet qysh në vëllimin e parë “Zani i malit”.
Poezia e Murat Isakut, përgjithësisht, e pasqyron esencën jetësore e njerëzore, duke u ngritur si observim i dramës sociale. Format e artikulimit poetik të lirikës atdhetare, si një farë shtresimi shpirtëror i poetit reflektojnë ngjeshmëri frymëzimesh që nga poezitë: “Plaku dhe lahuta”, “Në tokën e babait” dhe “Rrëfimi”. Me këto tri poezi, poeti sikur e fton lexuesin e vëmendshëm se është çasti për t’ia shpalosur sekretin e moçëm. Këtë e bën mjeshtërisht duke përdorur rrëfimin e lahutës, bashkudhëtarit më besnik të këtij njeriu që duket se e kanë mposhtur motet... Figura e plakut, këtu, realisht s’ka të bëjë me moshën, me pleqërinë, me ditënumërimin e fundit të jetës. Plaku është simbolika e përjetimit, kohës, kujtimeve të lashta, për të cilat flet prania e gjurmëve të ekzistencës së tij në këto troje, prandaj në distikun e parë dhe të dytë, poeti shkruan: “A thua akoma për këngë mendon ai plak, / kur nuri i është sosur e fryma i ka rënë në hark? /Tash lahuta në heshtje me tela vetë rrëfen / për duart e tij, për zërin që s’i vjen”.
Po këtë rrjedhë rrëfimore e plotëson poezia “Në tokën e babait”, ku poeti disi e përforcon autoktoninë e tij që s’e “shemb as rrufeja”, sepse në atë tokë, takon vëllanë “me kapuçin n’kry’ / si Bajram Currin tonë që n’gjunj askujt s’i ka ra”. Dhe me entuziazëm e krenari shkruan: “atëherë s’dua tokë tjetër përveç asaj që babai na e la”. Më pas, poeti bindshëm e vijon rrëfimin: “Askujt borxh s’i kemi mbetur për zemër e konak / askënd s’e kemi pyetur për farën e bukës n’arë. / Fitoret tona i kemi kënduar duke kulluar gjak / e zemrën nga miku e dashamiri kurrë s’e kemi ndarë”, me ç’rast këto edhe janë vargjet përmbyllëse të poezisë “Rrëfimi”.
Dy poezi tjera, si: “Ne s’i dimë hapat e këtij shekulli” dhe “Ktheu në kullën time” ndërlidhen me një tendencë të re poetike që të duket se pleksen diku në mes poezisë estetike e filozofike, por që të dyja në epiqendër vendosin sintagmën narrative. Poezia e parë, në vargjet e fillimit shpreh pasigurinë e udhëtimit të vetëm përgjatë shekullit, andaj poeti e fton në unitet shqiptarin kudo qoftë ai, t’i shtrijë dorën për të vazhduar në rrugën e gjatë të shekullit, të së ardhmes: “Vëlla i dashur, a je këtupari - frika shpon si dalta, / dorën ma jep se i madh është ky shekull deri te flaka…”, që krijon një analogji, një farë unjësimi mendimesh e dëshirash që hapur jepet në vargjet e para të poezisë tjetër: “Kthehu n’kullën time, Kosova m’thërret n’shpat, / n’dasëm do t’i shkoj - ti rri n’kullën time! / Naimi ka qiri të ndezur, atje s’do t’rri gjat’ / sakaq do t‘kthehem, or mik, me mustaqe të thime”. Andaj, “...lexuesi në veprën voluminoze të Murat Isakut, si zë të parë të artikuluar, e ka hetuar atë të lashtësisë së fisit dhe rropatjet dramatike të atij fisi për të qëndruar, për të ekzistuar gjatë shekujve”.
Të ngjashme vijnë edhe disa poezi të përzgjedhura, si: “Dhiata”, “Lutje për fisin”,” Di një varr”, “Meshar i ri”, “Dhiata e harruar”, “Në librat e mi” dhe “Atdheu i poetit”, të cilat thuajse fare s’janë përfshirë nëpër antologji poetike, megjithatë poeti vetë i ka risjellur si një frymëzim i ngjeshur me poezitë e larttheksuara, ku pikaset malli për Shqipërinë dhe shqetësimi për Kosovën, që në sytë e çdo shqiptari skicojnë portretin e atdheut. Natyrisht, këto s’janë vetëm “korpuse figurative”, por një ndërlidhje tematike nga lashtësia deri tek e sotmja, përmes simboleve: Dhjata, Fisi, Varri, Formula e pagëzimit, Meshari, Librat dhe Atdheu i poetit..., të cilat vijnë si fragmente të një testamenti të moçëm, që e ka zanafillën në “biografinë e fisit, dhe që rri peng para së ardhmes. Ky testament i shenjtë s’e lë të qetë poetin: ndoshta sorrat m’i shkulin ëndrrat nga sytë / dhe varrmihësit masin tokën e varrit me shtog. / A thua kaq i madh / na qenka Atdheu i poetit?!”
Gjithsecili që e njeh botën letrare të poetit Nexhat Pustina (1926 - 1982), do të vinte bast që ai është një poet tetovar, megjithëse qe lindur në Dibër, më 1926, ndërsa ishte pajisur me dije, gjatë shkollimit të tij në Shqipëri. Përvojën e fituar në sferën edukativo-arsimore ai kthehet për ta ushtruar ndër bashkëvendasit e vet, duke lëvizur në shumë qytete shqiptare, nga Struga deri në Kumanovë. Sigurisht arsyen për këtë, e dinte vetëm pushteti i kohës, ndonëse ai gëzonte respekt të madh në mesin e nxënësve dhe qytetarëve shqiptarë për përkushtimin e palodhshëm që tregon ndër vite. Më pas, emërohet mësues në rrethinën e Tetovës dhe në qytet kryesisht, ku me ndërgjegje shërben deri në fund të jetës, duke e lartësuar emrin e tij në një intelektual të admirueshëm.
Nexhat Pustina është autor i katër përmbledhjeve poetike: “Zë bilbili, lule maji” (1969), “Zëri në shtërngatë” (1972), “M’i vjedhin gurët” (1977), “Këngët rebele” (1981). Meqë është ndër të paktët poetë të kohës së tij, ai “rritën e poezisë e kërkon bashkë me rritën e kulturës dhe civilizimit kombëtar”.
Dy përmbledhjet më të vlerësuara nga kritika letare, janë: “Zëri në shtrëngatë” dhe “M’i vjedhin gurët”, në të cilat lirika atdhetare ngrihet mbi antiteza të shpeshta ku artikulimi poetik ndodhet midis: dënimit dhe faljes, egërsisë dhe brishtësisë, mallkimit dhe uratës. Tek e fundit, ky është atdheu i një poeti, pikërisht kur mbi dhembjen, ngrihet edhe më i fortë, edhe më hyjnor. Në vargjet e poezisë “Kur pëlcet guri”, përshkrimin e gurit e gjejmë në përmasa dramatike, në të vërtetë është atdheu guri i qëndrueshëm që nuk thyhet. Me këtë poezi arrihet identifikimi i brendshëm i poetit me Atdheun. Atdheu është forca e shpirtit, që: “Në buzë e në trup mban një kala”, dhe ku zë vend, peshon rëndë e qëndron aty për njëmijë vjet.
Poezia e Pustinës, sikur është e pakonceptueshme pa simbolikën e gurit, e cila në poezinë shqipe nuk shterret. Guri si simbol i kahershëm i qëndresës, që bëhet themel i palëkundur i kullës, i ka rrënjët e thella në lashtësi... “Çgurron guri” shkroi dhe Ali Podrimja, duke e përshkruar gurin si një simbol që e mrekullon poetin.
Mesazhe tokësore përcjell poezia e Pustinës, ku përmes këngësh barten kujtimet e lashta, vaji, dhembja, klithja, shpresa... Nganjëherë, kënga i mbetet në buzë poetit, e atëherë këlthet përmallshëm, jo i thyer nga mosha, po nga pritja e gjatë, e lodhshme..., kur i vetmuar u bëri ballë rrjedhave të kohës. Vargjet e këtij poeti, veçmas në vëllimin “M’i vjedhin” gurët përbëjnë një arkë idesh kosmopolite, ide, të cilat do të përcillen brez pas brezi, me fjalën - Atdhe, që peshon thesar në mbamendjen e çdokujt, kur ndër shekuj do të pëshpëriste “E di një fjalë prej guri”, refrenin e bukur e të papërsëritshëm, të poetit Azem Shkreli.
Një tjetër poet tetovar, jo dhe aq i afirmuar, ndonëse i një brezi me poetët e lartpërmendur, është edhe Mustafa Laçi, i lindur më 1931, në Tetovë.
Vëllimet poetike të tij janë të pakta, gjithsej katër: “Ngjyra e shikimit” (1972), “Kënga pa djallëzi” (1977), “Kënga gjelbëroshe” (1981) dhe “Vjersha” (1984), edhe pse të fundit e botojnë miqtë e poetit, pas vdekjes së tij.
Në poezinë e Laçit ndeshim preokupimin e poetit mbi lashtësinë e mitit, gjurmët e origjinës gjakon t’i bëjë të njohura për secilin njeri, pastaj të prehet i qetë në jetë të jetëve, si atëherë kur do t’i marrë përmasat e hershme atdheu.
Krahas veprës “Ngjyra e shikimit” edhe vëllimi poetik “Kanga pa djallëzi” si ide, por edhe si formë ngjason shumë në disa poezi të Migjenit, ku në të vërtetë ndikimi i Laçit është i dukshëm. Frymëzimi shprehet ndjeshëm në poezinë “Kënga lindi”, ku shkruan: “kënga lindi në buzët e irnosura, / çdo zemër u bë dy, / pranga prej prangës e shtrënguar / në mijëra copë u thye!” Duke vijuar më pas po me simbolikën e fuqishme migjeniane: “U hapën dejt e gjakut / n’agun e mëngjezit dielli bëhej gati / të lindi diell / kënga u bë kushtrim”.
Poezia “Dielli” është vazhdimësi e poezisë “Kanga lindi”, po ajo dëshirë, po ajo pritje, po ai mall i zjarrtë për një diell të përbashkët të shqiptarëve. “Ah, sa e dua diellin, do ta haja të tërë! / sa të ngrohtë do ta kisha barkun... / ...kanga merr malet, flet për jetën. / Babi, nesër nga do të shkojmë? / - Andej nga ka shkuar gjyshi im dhe i yti”. Libri përmbyllet me poezinë “Këngë apo...” Është poezi me ritmet e një kënge gazmore si shpirti kur bredh mbi ëndrrat... Poezi këto që vijnë si njëfarë reminishence nga poezia e Migjenit, duke e ripërtërirë kujtesën e lexuesit mbi simbolin “Diell” dhe “Këngë”. Gjithashtu, në to, ndeshim kongruencat, ato përputhje tematike të njohura, por të mirëpritura sa herë që ato rikthehen, kohë pas kohe, në ndonjë poezi.
Në librin e dytë “Kënga pa djallëzi”, të Mustafa Laçit, mbresëlënëse janë vargjet: “O! Tokës i vjen erë e barotit të djeshëm / ndër varre dëgjohet vaji për vdekjen e parë / për shokun e tyre hero të vrarë”. Ishte kjo kohë kur nuk flitej hapur për ëndrrat. Fati ishte në dorë të huaj. Intuita fine e poetit e percepton periudhën e ndëshkimit të simbolit arbëror, mbase kohën kur pushteti komunist do të donte t’i ndalojë edhe ëndrrat, si një “rrudhje dramatike e hapësirës shqiptare”. Gjatë kësaj kohe ishte tejet e vështirë të përqafohej filozofia e U. Ekos: “Të shprehurit është liria absolute e poetit”.
Poezia “Dëshira”, hapet me vargun tejet domethënës: “Rrugët s’kanë të marrruar për këmbësorin e shekullit...”, thuajse mbetet nga ato poezi të hapura që përherë komunikojnë diç të re në çdo kohë: “Njeri, / mos ndiq rrugën e zjarrit, që lulet i djeg, / ... Liri, / lule e kurorëzuar në fronin e paqes / korbat buzëqeshjen ta kanë zili”. Korbat në këto vargje shprehin thellësinë e robërisë e pushtetit ziliqar. Kjo poezi ka mjaft analogji me poezinë “Kohës” të Fatos Arapit.
Vargjet e poezisë “Protestë, sendërtohen” nga një stuhi simbolesh që e vërshojnë poezinë, si një erupcion i brendshëm i folësit lirik, i cili ndeshet me dy versione shpërthimi: të rrënojë muret e heshtjes që e ngulfasin me vite ose përjetësisht të heshtë, për të mos e artikuluar fjalën, për të mos e ekspozuar dhembjen... Po a mund të jetë ky i fundit misioni i poetit? Natyrisht jo! Ai gjithherë zgjedh zërin e protestës. Poezia “Protestë” të rikujton poezinë “Grevë” të Azem Shkrelit, që në realitet paralajmëron shpirtin rebel që synon të shpërthejë një ditë, një vit mbase..., vit ky që e lidh Tetovën me Prishtinën e 1981, frymë politike e cila u përcoll këndej kufirit, “Unë, rrugëve do t’i mbjell hapat e protestës sime”. Domethënia e këtij vargu dhe shumë vargëzimeve tjera poetike shpalosin qartë formimin ideoartistik të Mustafa Laçit.

Thënë hapur, poetët tetovarë i shqetëson fati i shqiptarit përgjatë rrjedhës së ngjarjeve në kohë, për tjetërsimin e historisë, për dramën e trojeve shqiptare. E si mund të veprojë ndryshe një poet, a mund të heshtë? A mund të mos e reflektojë realitetin... Jo, sigurisht jo! Poetët s’e honepsin vdekjen..., vdekja për ta është vetëm metaforike. E papërshkrueshme është saga e poetit, këtij misionari të kombit që s’e honeps dot heshtjen. Për të, heshtja është baraz me vdekje, gjë që na e përkujton poezia “Diku në botë”, e të madhit Ali Podrimja: “Po qe se nuk të shkruaj / miku im i dashur dhe / po qe se nuk ma dëgjon zërin / merr një karafil / varrin ma kërko / diku në botë”.
Poetët janë prezantues të imazhit shoqëror, janë zëri i atdheut. Po këtë u përpoqën ta bëjnë edhe poetët tetovarë: Abdylazis Islami, Murat Isaku, Nexhat Pustina, Mustafa Laçi..., mjaft premtues që nga nisma e krijimtarisë së tyre, përderisa më vonë ata e përfaqësojnë gjeneratën poetike të pas çlirimit, disa deri në kohën e demokracisë.
Këta poetë tetovarë, dhe të tjerë që krijojnë pak më vonë, natyrisht mbështeten në të shprehurit e tërthortë, tejet simbolik, që të degdis larg, tek një atdhe ëndrrash, meqenëse liria krijuese e tyre s’qe e mjaftueshme për çdo zbërthim tematik. Megjithëse, poetët e brezit të viteve ’60 - ’70, sjellin poezi të brumosura me kolorit lokal, ku reflektohen përjetimet dhe gjurmët e traditës, ata shenjojnë edhe shtrirje tematike më universale. Fundja, poezia e motivit të vendlindjes vjen si shpërthim pas një heshtjeje të gjatë në krijimtarinë e kësaj treve. Artikulimi i dëshirave përmes lirizmit poetik, sikur tek poetët shpalos rrugëtimin e vështirë jetësor, ku vendlindja mbetet simbol i përjetshëm i dashurisë për atDheun e të parëve.
(Kumtesë e mbajtur në Seminarin e XXXI të Albanologjisë - Prishtinë, 2012).

Shefqet Dibrani - E bukura në poezinë e Bujar Salihut


E BUKURA NË POEZINË...
 
  • Bujar Salihu: „MË PAK SE JETË“, poezi, botoi Ndërmarrja Botuese „RILINDJA“, Prishtinë 1997, faqe 84.
 
E parathënme:
Formimi i kulturës poetike tek shqiptarët e mërguar po merr fizionominë e vet duke qitur në pahë v...
lera artistike, mbase një talent në rritje e sipër. Në këtë mes bënë pjesë edhe poeti Bujar Salihu i cili ka kohë që lëvron artin poetik. Këtë mendim ekuivalent na dëshmoi libri i tij i dytë me titull „Më pak se jetë“ që doli nga shtypi në vjeshtën e këtij viti (1997). Deri sa Bujar Salihu këto poezi i lexonte tribunave të ndryshme nëpër takimet letrare e artistike, dukej sikur i konsideronte poezi vetëm të tijat. Me ti përmbledhur në libër, autori ka hequr diçka nga vetja e tij për t’ia falur lexuesit dhe tash poezitë duhet ti përjeton si diçka të të gjithëve. Ajo pjesa intime e shpirtërore ka marrur udhën kahë e përgjithëshmja, kahë e tanësishmja artistike. Pikërisht ajo pjesa intime e egoiste e autorit është bërë pjesë e të gjithëve dhe ai egoizëm artistik vetjak tashmë është bërë copë-copë duke u shpërndarë nëpër shpirtrat e lexuesve po më shumë ndër krijuesit, të cilët kush më shumë e kush më pak vuajn po nga ai egoizëm. Për një mendje më të hollë, të atyre që përceptonin rritjet poetike, a më mirë ngritjet artistike të gjeneratës së re, poeti Bujar Salihu dallon nga të tjerët sepse si duket ai ka një qasje dhe përkushtimi serioz ndaj poezisë. Për gjatë librit vërehen përpjekjet për një kultivim kualitativ e të kujdesshëm të poezisë. Janë këto arsye që Bujar Salihun e cilsojmë se ka ngritje, ka ecje i cili me librin e dytë dëshmon ngritje siç cilësore.
Procedimi i vlerave poetike ka logjiken e vet. Dhe kjo logjikë zhvendoset gradualisht nga një stad tek tjetri, nga një vlerë tek tjetra, duke saktsuar prirjen për ligjerim poetik mjaftë bindës të cilin duhet ta arsyeton në vazhdimsinë e krijimeve të tjera poetike.

Opinionet konfliktuoze:
Bujar Salihu, edhe për nga mosha edhe për kah botimi mund të llogaritet se i takon brezit më të ri të krijuesve në Kosovë, por, këtë fushë ai e nisi në mërgim.Vëllimi i parë me poezi „Në xipat e vetmisë“, (1994), shënoi linde në mesin e krijuesve shqiptarë në Zvicër. Ai libër u prit mirë dhe u inkurajua publikisht autori. Pavarsisht nga dobësitë që e shoqëronin libri „Në xipat e vetmisë“ kishte edhe vargun meditativ të theksuar dhe poent poetike të mjaftueshme.
Mes opinioneve konfliktuoze, mes dallgëve të tërbuara, Ai vazhdonte lundrimin e tij në pellgun e poezisë. Dhe pikërisht pas plot tri vjetësh (shtator 1994-shtator 1997), paraqitet me librin e dytë poetik që mban titullin „Më pak se jetë“, ka arritur t’i relativizoj vërejtjet dhe sygjerimet e thëna publikisht?!

Poezia:
Poezia është vokacion frymimi dhe përjetimi artistik. Ajo e shtyn autorin të regjistron jetën me metoda artistike. Vargu i mirë e lartëson sejcilin poet, pra vetëm atëherë kur shkruan qiltër, me mesazhe e poresi të qarta, me varg të kursyer, ashtu siç mund ta dëmton sejcilin autor kur shkruan vetëm sa për të shkruar.
Me poezitë: „Mërgimi“, „E gurta“, (kësaj poezie do ti shkonte më mirë titulli „Kosova“), pastaj „Vetmi“, „Pritjet e...“, „Fija e Arianës“, Aurola e një arkivoli“ të përfshira në ciklin e parë të librit. Sikurse ato: „Jetë“, „Zogjtë e dhembjes“, „Reçetë për gatimin e lumturisë“ dhe „Udhëtimi i ëndërrt“ tek cikli i dytë. Ndërsa; „Galeria e dhembjes“ dhe ajo „26 dhjetori ‘91“ të përfshira në ciklin e tretë, ose „Në mangall të stërgjyshit tim“, „Mesazh“, „Absurd“, e poezia „Plagët“ tek cikli i katërt. Si dhe tek cikli i fundit që mban titullin e librit poezitë: „Nebulozë“, „Gjeometri“, „Mbi vdekjen“, „Në detin e dashurisë“, „Ndodhë“, „Pse bien gjethet“, „Dënimi“, „Sopata“ dhe poezia „Rrotullim“ e kanë bërë librin si strukturë organike të qëndrueshme, ku janë ndërlidhur tamam si një komponent organike që e ruan ekuilibrin duke i ruajtur pjesët dhe pjesëzat e gjymtyrëve trupore, në këtë rast poezive dhe vargjeve të caktuara.
Ndihet një lehtsim kur lexon vargjet e përbëra qoftë edhe nga dy fjalë të vetme si p.sh. fjalët „rrjedh dhe bardh“, tek poezia „Baladë murosje“ që nënkupton se tek Kulla e Rozafës qenka dashur të muroset nusja për të „rrjedhur jeta“, figuracion mjaftë domethënës ku autori e mbulon me bardhësinë artistike.
Një figuracion artistik të realizuar dhe mjaft interesant e gjejmi edhe tek vargjet:

„Çfarë dimri do kemi
mes kësaj vjeshte e pranverës që vjen
vallë çfarë dimri do të sfidojmë
pas kësaj vetmie të thellë“


Poezia: „Vetmi“, faqe 16

Vetvetiu nga vargjet që cituam nënkuptojm se ai parashtron pytje se çfarë kemi në mes realitetit objektiv dhe lirisë që ëndrrojmë? A duhen përpjekje, a duhen sakrifica për t’i sfiduar kohërat e vështira që na presin, kohëra të cilat me gjuhën e poezisë poeti i ka emërtuar si „dimra“. E dimra pa borë, pa rrëbeshe e furtuna nuk ka, ashtu siç thot populli „dasmë pa mish nuk ka“. Ndërsa tek komponenta „e gurta“ simbolizim metaforik për „Kosovën“, autori arrinë ta përcepton të gurtën, të ngathtën, atë të palevizshmën, që është shtangur e balsamosur në atë vend, me pozicion stabil e themele të qëndrueshme. Pra e përcakton me formë e platformë, me rrënjë e themele, histori e lashtësi që më së miri flasin vargjet:

„Kosovë
Ti nënë e gurtë
e bardhë dhe e urtë“


Poezia: „E gurta“, faqe 14

E për të vazhduar jeta aty, (pra në Kosovë), duhet bërë atë që poeti thot: „Faljani qiellit edhe një pëllumb/ t’ia matni pastaj bukurinë (Poezia „Jetë“ faqe 23). Si dhe vargjet: „Kam hedhur historinë/ që të krijoj me hirin e tyre armorit“, - mburojat, (poezia „Në mangall të stërgjyshit tim“ faqe 47).
Poezia „26 dhjetori ‘91“ shënon diçka që ka lënë gjurmë tek autori në një natë të ftohtë dimri në atë udhën ikanake ku „borëzezë dhe ca shpresa të bardha i shkeli (Ai)“. Gjurmë të ndodhive të shumta gjejm edhe nëpër poezi të tjera të cilat janë latuar me kujdes.

Poezia lirike dhe ajo e mërgimit:
Sentencat lirike janë përmbajtësore nëpër mjaftë vargje poetike. Ato janë reale me surealitetin kohorë. Mjaftë të realizuara, kuptimplote, të sinqerita dhe me objektivitetin e mundshëm:

„Prano të vdesim herët, e dashur
sepse është njëlloj si të mos vdesim kurrë

Prano, prano të mos zgjohemi kurrë (...)
për të jetuar në pavdekje që të dy

Poezia: „Prano të vdesim herët“, faqe 55.

Lirikat e këtij libri dallojnë për mesazhe objektive dhe fjalor të çartë, pa mistifikime steriotipe të këtij zhanëri poetik. Ndër poezitë lirike më të realizuara veçohen: „Fija e Arianës“, „Letër“, „Plane dashurie“, „Në detin e dashurisë“, por për t’u veçuar janë dy: Poezia që trajtuam pak më lartë dhe ajo „Realitet“ me vargjet:

„Ne aty ndamë realitetin nga imagjinata
dhe në realitet mbetëm një realitet“

Poezia: „Realitet“ faqe 50

Edhe poezia e mërgimit lëvrohet me kujdes sa edhe cikli lirik. Si duket tema e mërgimit është temë obsesive sepse edhe tek ciklet e poezive tjera ka mjaft sentenca e frekuenca dhembjeje, ndarje e malli që përgjithësisht paraqesin boten e mbrendshme të autorit ndaras dhe larg asaj që e dëshiron. Ndër poezitë më të dukshme të këtij blloku janë: „Kapelat e eksodit“, „Mërgimi“, „Pritjet e...“, „Në amfiteatrin e Alpeve“, „Udhëtimi i ëndërrt“, „Asgjë nuk lexoj dy herë“, „Fluturim“, e sidomos tek poezia që i kushtohet kthimit të Konicës në Atdhe (fatkeqsisht në gjendje amorfe), sepse edhe Ai pra Konica, sikurse autori i këtij libri „shtëpi pat e jetoi pa shtëpi“ gjat gjithë kohës kur „pritë i vëni pranverës dimri i zi“?!

Dy stile për t’u veçuar:
Në grupimin e parë veçojmë poezitë: „Galeria e dhembjes“, „Nebulozë“ dhe ajo „Zogjtë e dhembjes“, poezi që kan ndërtim artistik e stilistik mes veti të përafërt. Këto poezi jo vetëm që janë latuar me kujdes por paraqesin një stad invers (fr.kundërtë), të autorit krahasuar me ndertimin e të gjitha poezive të tjera të këtij libri. Mbase një pjekuri poetike që duhet vazhduar e kultivuar më shumë, nëse autori dëshiron për t’u bërë më serioz në fushën e poezisë.
Ndërsa në grupimin e dytë hyjnë poezitë: „Lutje“, „Jetë“, „Udhë jete“ e sidomos tek poezitë: „Gjeometri“, „Ndodhë“, dhe ajo „Rrotullim“ kemi një ndertim simetrik tjetër, ku autori ka bërë projeksione shkencore duke i ndërtuar vargjet në formë të rrathëve koncentrik. Kjo formë e poezisë do mjeshtri dhe njohje më të mirë, në veçanti shkencat matematiko-natyrore si gjeometrinë, fizikën, kiminë etj.

Rrëshqitjet artistike:
Rrëshqitjet artistike, apo realizimet më pak shkëlqyese vërehen sidomos tek poezia „Lutje“. Rrathët që i përmendem më lartë do të bashkërendonin edhe më mirë po sikur të hiqeshin vargjet: „Të përdhunuar e kemi durimin/ veç durim e kemi durimin“, për arsye se mbrenda një strofe prej dy rrjeshtave e kemi të përdorur tri herë „durimin“ në kohën kur „dhunë e kemi përditshmërinë“ e „Lutje sall i bëmë botës/ durimin të mos na e vërë në lojë“.
Tek poezia „Udhë jete“ në vargjet e fundit autori nuk arrin relizim të mjaftueshëm edhe pse thot: „Udha bëhet pas dritës së vërtetë“, pra konkretizim të sakt se cila është ajo „dritë e vërtetë që të shpie në jetë“ nuk kemi në kohën kur vet autori është një rrëfyes udhësh. Ndërsa tek poezia „Rrotullim“ kemi një humbje totale të një rrethi koncentrik. Pra të atij „Në fillimin e rrotullimit të parë“, këtë e thash për arsye të realizimit edhe më artistik të kësaj poezie në kohën kur trajtohet „Në fundin e parë të rrotullimit/ Në fillimin e rrotullimit të fundit/ Në fundin e rrotullimit të fundit“. Pra qart vërehet se mungon vargu „Në fillimin e rrotullimit të parë“ dhe mbrendësia e ndodhis së këtij rrotullimi. Mungesa e këtyre rrathëve më së miri venerohet, sikur t’i njohim më mirë komponimet e kimisë organike. Nëse vargjet poetike i sistemojmë sipas metodës së orbitave elektronike të sejcilit element kimik të një komponimi organik, atëherë do të venerojmë saktsisht mungesen e një orbite elektronike, gjegjsisht vargu poetik, pikërisht ajo orbita që është më afër bërthamës-atomit, pra ai vargu „Në fillimin e rrotullimit të parë“.
Lëshim i një natyre krejt tjetër, pra i asaj gjuhësore më dukshëm venerohet tek poezia „Asgjë nuk lexoj dy herë“, (faqe 32), ku qendren e vendbanimit Folketsvil, autori e ka shkruar në origjinal „Zentrum Volketswil“, në kohën kur vetëm disa rrjeshta më poshtë po tek e njejta poezi emrat e përveçëm të Xheri Adams, Papa Gjon Pali i dytë, Klinton dhe të disa toponimeve gjeografike, i shkruan duke e rrespektuar normën letrare të gjuhës shqipe. Ndikimi i bastardhuar i drejtshkrimit të shqipes (praktikë e përhershme tek disa përkthyes), që po e hasim dendur nëpër gazetat e përditshme nuk duhet bartur edhe në librat artistik e sidomos në poezi. Ky mëkat është i vogël për autorin në kohën kur libri e ka lektorin i cili me sa duket emrin e ka vënë vetëm sa për dekor sepse ai nuk ka nderhyrë as tek shenjat e pikësimit në fundin e vargut të poezisë moderne e le më në planin gjuhësor. Këtë gjë nuk i kanë evituar as recensentët të cilët nuk e kanë kryer sa duhet funksionin e tyre profesional.
E përmbyll mendimin për librin në fjalë me shpresë se autori ka për të prurë libra të tjerë edhe më të realizuar. Pra këtë mendim relativisht të zgjeruar, kam mundur ta tkurri në përmasat e një fjalie të shkurtër duke mujtur me e përthekuar tër mendimin e shfaqur gjat këtij shkrimi: Pra „Bujar Salihu, është poet!“ ose „Ai, shkruan poezi të bukura!“

Rorschacherberg, 16 nëntor 1997.

SHËNIME PËR AUTORIN:
(përgatitur në vitin 2005)

Bujar Salihu (22.02.1972). Lindi në fshatin Pogragjë të Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Gjilan. Në vitin 1992 ka emigruar në Zvicër dhe është i vendosur në Zürich.
Veprat letrare: „Në xipat e vetmisë” 1994, “Më pak se jetë” 1997, “Skeleti i dallëndyshës“ 2002.
Bujar Salihu jeton në Zvicër.
Shiko më sh

Hamit Taka - Tregim humoristik


VETERINERI

Viti i emërimit tim në atë "xhep" të kufirit shtetëror, koinçidoi me vitin e formimit të kooperativës. Njëkohësisht me mua erdhi dhe një veteriner nga një fshat në thellësi të zonës. Të dy bujtëm në një shtëpi kulaku të shtetëzuar. Unë isha beqar, ndërsa veterineri i martuar, me një fëmijë 3-4 vjeç. Shtëpia ishte dykatëshe, e pastër, me dysheme e tavane druri, të punuara nga duar mjeshtrash. Kati poshtë ishte thjesht rrugëkalimi për në katin e dytë dhe kishte disa kthina e bodrume, për vendosjen e rrangullave, që më dukeshin të frikshme. Unë zura një dhomë , veterineri një dhomë e një korridor të bollshëm, të cilën e sajoi si kuzhinë. Secili kishte daljen e vet në një oborr të shtruar me pllaka guri, i rrethuar me avlli të larta. Kujdesin më të madh ndërtuesi apo pronari e kishte treguar te portat e shtëpisë dhe ajo e oborrit. Ato mbylleshin nga brenda dhe jashtë me hekura e brava të mëdha. Kjo i bënte të sigurta dhe ma hoqi frikën nga agjentët dhe diversantët, që hynin e dilnin nga shteti i huaj, armiqësor ndaj vendit tim.
Me veterinerin dhe familjen e tij kaloja shumë mirë. Kisha vetëm një problem. Ai çohej shumë herët dhe dilte nga shtëpia me errësirë. Kjo ndodhte gjithë vitin, por më e dukshme ishte gjatë vjeshtës dhe pranverës. Pasi ai nuk kishte nën kujdestarinë e shërbimit veterinar vetëm fshatin Blerimas, por një zonë të tërë. I duhej të shkonte nëpër fshatra të afërt e të largët dhe të arrinte stanet në mëngjes herët, pa dalë në kullotë, për të bërë vaksinat kundër sëmundjeve, nga të cilat mbaj mend vetëm emrin "brucelozë". Kjo më shqetësonte pak, se më prishte gjumin e mëngjesit, që në rini e kam pasur pikë të dobët. Por, sidoqoftë, ai më dha një shëmbull të mirë, një model, atë të punëtorit të palodhur.
Fshati Blerimas, ku unë fillova të ushtroj detyrën e mësuesit, ishte vendosur në skaj të vendit, i futur në një xhep kufitar, i kufizuar nga tri anë me shtetin fqinj. I hapur ndaj vendit të tij vetëm në krahun veriperëndimor, ta quaje “fshat i izoluar” nga bota, ishte e pamjaftueshme. Në kohën kur unë u emërova në atë fshat të humbur, ende nuk ishte hapur edhe ajo xhadja mjerane, për të ardhur ndonjë makinë ushtarake e batalionit të kufirit. Një shitës ambulant, puntor sa më s’kishte, i shkathët sa më s’kishte, furnizimin e bënte me një kalë gërdallë të vetin dhe, kur i duhej të bënte ndonjë furnizim të madh, merrte kuaj me pagesë nga bshkëfshatarët.
Por e përsëris: me veterinerin e kaloja shumë mirë.
Veteriner i thënçin, ai ishte bërë mjek e kaluar mjekut. U bënte shërbime të mëdha mjekësore fshatarëve. Fillimisht u bënte gjilpërat , që u jepte doktori i lokalitetit. Sigurisht me shiringa dhe age të bagëtive të imta. Një herë, në një urgjencë, një burri kockali, ia bëri serumin me age të bagëtive të trasha. U mjekonte plagët me pomada e jod që përdorte për bagëtitë. Më vonë bleu disa pajisje, shiringa dhe age për njerëzit. Po ashtu u pajis edhe me garza, jod e pomada për plagët. Në atë fshat burrave u dilnin shumë çibanë. Shpesh binte dhe sëmundja e plasjes nga mishra të pakontrolluara. Në këto raste veterineri ndihej shumë kompetent. Më në fund u pajis dhe me nja stetoskop të vjetër, të cilin ia kishte falur një mjek në spitalin e rrethit. Gradualisht filloi t’i dallonte inflamacionin e rrugëve të sipërme të frymëmarrjes, bronshitet dhe deri te ftohjet e rënda. Si thonë në gjuhën mjekësore, ai ekzaminonte dhe vinte diagnoza të përafërta për mjaft sëmundje të përditshme. S’thonë kot: nevoja dhe përvoja janë mësuesit më të mëdhenj.
Avancimi i mikut tim veteriner në lëmin e mjekësisë humane fliste edhe për ngjashmërinë e madhe të organizmit, imunitetit dhe mutacioneve të njeriut me kafshët shtëpiake.
Mirëpo fshati Blerimash shquhej edhe për shtim të vrullshëm të popullsisë. Bile një mësues-poet, që kishte shkruar në bllokun e shënimeve se fshatarët e Blerimasit kishin vetëm tre funksione: punonin ditën, hanin në mbrëmje dhe natën shumoheshin, u dënua për agjitacion dhe propagandë. Vetë kryetari i këshillit popullor, një mesoburrë i moshës 45-50 vjeçare, nuk kishte shterim në lindjen e fëmijëve. Një ditë e ftoi në shtëpinë e tij veterinerin, e gostiti dhe i qau hallin. Në fund të bisedës i kërkoi me ndroje se mos i gjente ndonjë ilaç, që të ulte pak pjellorinë pa limite të gruas. Veterineri uli kokën dhe u vu në siklet. E mori në konsideratë kërkesën, por nuk i dha ndonjë premtim.
Pas dy-tri javësh, veterineri trokiti vetë në derën e kryetarit të këshillit dhe, pasi piu kafen, u çua të dilte. Kryetari mbeti shtangur. Ai nuk luajti nga vendi, pranë vatrës së zjarrit. Vështronte me habi veterinerin për atë vizitë pa motiv. Kur do të kalonte pragun e derës, veterineri i bëri me kokë , që ta përcillte. Pasi dëgjoi kërkëllimën e derës pas shpatullave të tij, domethënë u sigurua se gruaja nuk shihte e dëgjonte më gjë, i afroi gojën te veshi: shoku kryetar, unë gjeta diçka për atë që më kërkove. Nuk e di sa efekt do të japë, por nga përbërja, me sa konstatova unë, nuk është e dëmshme. Pastaj i dorëzoi një tablet ngjyrë gri, të mbështjellë me një copë garzë të sterilizuar. Ai iu afrua përsëri te veshi dhe e porositi të mos bënte zë dhe të mos ia tregonte as gruas, pasi aborti ishte i paligjshëm dhe e merrte në qafë. Kryetari i premtoi dhe e përqafoi. Ashtu u ndanë të kënaqur nga njëri-tjetri.
Fshatarët panë se disa ditë kryetari i këshillit ishte i pavëmendshëm nndaj halleve të tyre. Por, pas kësaj shpërfillje, i priste në zyrën e tij shend e verë dhe u zgjidhte me një fjalë të vetme hallet e zgjidhëshme. Gruaja ishte liruar nga shtatëzania dhe me disa shërbime të veterinerit, ajo u ndie mirë. Kryetari, nga entusiazmi dhe për mirënjohje të dyfishtë ndaj veterinerit, ia tregoi sekretin gruas. Ajo u befasua për zotësinë, gati magjike të veterinerit. Nuk mund ta kuptonte ajo grua besimtare, se veç Zotit, shtatëzaninë mund ta ndalnin dhe njerëzit … Gruaja e kryetarit të këshillit, sado që e porositi burri i saj të vuvoste gojën për atë të fshehtë, nuk e konsideronte normale të mos ia tregonte gruas së kryetarit të kooperativës, e cila kishte mbushur oborrin e shtëpisë me kalamaj, sa nuk kishin vend ku të loznin.
Vetë kryetari i kooperativës u paraqit te veterineri me po atë kërkesë që i kishte bërë kryetari i këshillit. Ky bile i premtoi një hambar me drithë. Veterineri, i befasuar nga dalja e të fshehtës, kujtoi fjalët e Sokratit, se sekreti është robi yt sa pa dalë nga goja, në se del, ti bëhej rob i tij. Megjithë atë s’mund t’i thoshte jo kryetarit të kooperativës. As atij hambarit me drithë, që mund t’i siguronte bukën e tërë vitit. Në fakt ai kishte gjetur tri tableta gri, dy prej të cilave mund t’i përdorte për gruan e vet, në se ajo do të molepsej nga shtatëzania pa limite. Thonin se uji i çezmave të shumta në atë fshat përmbante një bakter, që i bënte epshorë burrat dhe gratë. Edhe gruaja e kryetarit të kooperativës u lirua pa pasoja nga shtatëzania. Po ashtu si kryetari i këshillit, edhe kryetari i kooperativës përjetoi një entusiazëm të papërmbajtur dhe, në raki e sipër, me gjithë porositë e shumta të veterinerit, ia tregoi gruas së vet sekretin.
Gruaja e kryetarit të kooperativës, që vdiste për pak thashetheme misterioze, ia tregoi gruas së kryellogaritarit. Ajo shkoi vetë te gruaja e veterinerit dhe i tregoi gjithçka që kishte mësuar nga gruaja e kryetarit të kooperativës. Gruaja shkuli faqet me duar nga kjo ngjarje e pabesueshme. Në të vërtetë ajo bënte zili gratë e fshatit që pillnin aq dendur dhe kishte dyzime për burrin e saj. Sapo kapërceu pragun e portës gruaja e kryellogaritarit, iu fut kërkimit me themeli, sa përmbysi tërë shtëpinë, për të gjetur kush ishte ajo hape misterioze. Pas shumë kërkimesh, gjeti në fundin e një çante meshini të vjetër të veterinerit atë kokrrën gri, të mbështjellë me shumë shtresa garze, si ato kukllat kineze. Ia çoi vet dhe ia dha me krenari gruas së kryellogaritarit, e cila dërgoi më pas plot dhurata me vajzën e madhe të saj.
Mirëpo fjala mori dhenë. Pas disa ditësh në derën e veterinerit trokiti gruaja e magazinjerit të kooperativës. Ajo derdhi një lumë lajkash për zotësinë e veterinerit dhe humanizmin e saj, e cila shkeli mbi besën e burrit dhe i dha tabletën gruas së kryellogaritarit. Gruaja e veterinerit u prek nga fjalët e mira. Edhe pse kishte përmbysur shtëpinë, për ta gjetur atë tabletë të mbështjellë sikur ishte një duva çudibërëse, s’mund ta përcillte pa një farë shprese. Ditë e ditë të tëra nuk la vend pa kërkuar. Por e mira sikur i ra nga qielli.
Një natë veterineri nxorri nga çanta një kuti metalike ngjyrë floriri dhe e vuri në dollapin ku mbante medikamentet dhe vaksinat e shërbimit shëndetësor ndaj kafshëve. Ajo s’priti sa të shtrihej veterineri dhe nxitoi të shihte ç’kishte brenda kutia. Kur e pa, brofi nga gëzimi, sikur të kishte gjetur thesarin e Ali Babait. Ishin tableta gri. Me siguri nga ato…Të nesërmen në mëngjes, një mëngjes korriku për ta pirë në kupë, asaj desh i ra të fikët kur veterineri mori kutinë nga dollapi. Por ai mori një dozë të caktuar nga kutia dhe e vendosi përsëri në dollap. Gruaja u shkrifërua e tëra nga lumturia. Nuk priti sa doli i shoqi dhe mbështolli në një shami të pastër rreth 50 kokrra, që të mos i binte shumë në sy veterinerit mungesa e tabletave. Pastaj me një frymë mbriti te shtëpia e magazinjerit. I dha sihariqin dhe tabletën e mbeshtjellë. Ajo nga ana e vet, shkoi në dhomën e fjetjes, hapi një sepet dhe i nxorri një tufë me para. Mirëpo gruaja e veterinerit nuk u tregua shumë e babëzitur. Ajo bëri sikur nuk deshi të mirrte gjë, por, aty për aty, shpirti i saj pragmatist, mendoi të vendoste një farë çmimi për kërkesat e pastajme. Ja po marr vetëm këto, i tha dhe mori 1000 lekë të asaj kohe…
Si thonë, fjala po kaloi në dy gojë, merr dhenë. Si një reaksion zinxhir u përhap lajmi i tabletave që prishnin shtëzaninë. Të gjitha gratë shtatëzëna, që nuk donin më shumë fëmijë, nxorrën fshehtaz nga kuletat çmimin e caktuar dhe vrapuan te gruaja e veterinerit. Kush nuk kishte para praktikoi shkëmbimin mall me mall. Brenda tri ditësh u shitën 50 tabletat. Por gruaja e veterinerit kishte mënjanuar edhe aq të tjera. Tani nuk kërkonin më vetëm gratë shtatëzëna, por edhe ato jo shtatëzëna, me shpresë të mos mbeteshin shtatëzëna…
Pas këtyre ndodhive, gratë shtatëzëna jo që nuk e humbën shtatëzaninë, por ato u vareshin në qafë burrave dhe tregonin një afsh të paparë prej tyre. Aq më keq ato që nuk ishin shtatëzëna. Kjo i çudiste burrat, por, si më të përmbajtur, nuk i nxirrnin në pazar gjërat intime të familjes. Një ditë papritur gratë e fshatit, në pushimin e drekës, u ulën nën hijen e një rrapi buzë lumit dhe filluan bisedat e zjarrta. Tema vërtitej vetëm rreth atyre gjërave të turpshme, që normalisht do të skuqeshin edhe po t’i dëgjonin. Të gjitha e kuptonin njëra-tjetrën se vuanin nga afshi i tepruar. Një pjesë e mirë shfaqën shenja histerizmi.
Kjo u ra në sy edhe kuadrove të kooperativës, që në përgjithësi ishin burra. Edhe ata u alarmuan nga ajo situatë , por ajo sëmundja ngjitëse e afshit i pushtoi dhe ata. E kuptuan se atë periudhë shumë gra do të mbeteshin shtatëzëna. Kryetari i kooperativës urdhëroi gjithë kuadrot të mblidheshin te zyrat e kryesisë për një mbledhje të paparashikuar.
Në mbledhje folën e diskutuan të gjithë me përgjegjësi maksimale për gjëmën që po i ndodhte fshatit. U konkludua dhe u vendos të lajmërohej komiteti i partisë në rreth. Ashtu u bë. Sa të shqetësuar aq edhe entuziastë për gjetjen e zgjidhjes, u shpërndanë në shtëpitë e tyre. Por sa afroheshin te dera e shtëpive, i trëmbeshin përballjes me gratë, të cilat do t’u hidheshin në qafë. Vetëm veterineri kishte rënë në të thella kokëgremisur. Ai mbriti në shtëpi sikur tërhiqte zvarrë kufomën e tij. Kur hyri në dhomë, gjeti gruan tek numëronte një tufë lekësh mbi një tavolinë të vjetër druri. Ishin aq shumë sa ai nuk fitonte në një vit. Gruaja filloi të justifikojej se kishte shitur gjalpin, që i kishte falur gruaja e brigadierit të blegtorisë; kishte shitur mjaltin, që i kishte dhënë gruaja e mgazinjerit; kishte shitur drithin, që i kishte dhënë kryetari i kooperativës dhe një varëse floriri, që ia kishte dhuruar gruaja e kryetarit të këshillit… Por, sado që rrekej gruaja ta mbyllte llogarinë, bilanci dilte tepër sufiçit. Atëherë veterinerit iu kujtua se si shternin tabletat në kutinë ngjyrë ari.
Pasi bëri një bilanc për tabletat e përdorura në delet e kooperativës dhe gjëndjen në kuti, veterineri i ra kokës me grushta. Gruaja iu hodh e shqetësuar dhe, pasi i paralelizoi duart, e pyeti sepse u shqetësua aq shumë. Ç’na bëre moj grua, i tha veterineri, na more në qafë… Ajo e pranoi shitjen e tabletave gri “kundra” shtatëzanisë, por nuk kuptonte pse u shqetësua aq shumë burri i saj. Ai i shpjegoi se ato tableta ishin për delet. Si për delet?! Pyeti gruaja e habitur. Ne jemi duke zbatuar një përvojë sovjetike të ndërzimit artificial, për përmirësimin e racës së deleve të vendit. Për t’i sjellë në afsh, brenda një kohe optimale, si ta kuptosh ti, sa më të shkurtër, u japim një tabletë nga ato që ti shite. Me sa duket ky efekt vepron edhe te gratë, shpjegoi veterineri. A e kupton tani se, po u zbulua bëma jonë, unë do të humbas jo vetëm punën, por do të shkoj edhe në burg. Gruaja vuri duart në kokë. Të dy u ulën mbi stivën e rrobave të fjetjes, të cilat gruaja i kishte ulur nga sepeti, për të numëruar paratë e fituara. Atë natë e kaluan pa gjumë. Në mëngjes veterineri kishte filluar të zbardhej dhe m’u duk 10 vjet më i madh. E pyeta se çfarë halli kishte, por më tha se nuk ndihej mirë prej ditësh nga një hije bronkoplomenare…
Histeria e grave në pushimin e mesditës u shfaq me simtoma edhe më të forta. Ato ishin gati të kacafiteshin me njëra-tjetrën dhe burrat largoheshin prej tyre, se mund të ndodhnin skena të turpshme e të paparashikuara. Situata vazhdoi gati një javë dhe burrat filluan të mos i linin të dilnin nga shtëpia, ndonëse ishte kulmi i fushatës së korrjes së grurit në atë zonë kodrinore. Bile në mesditë ata largoheshin sa më shumë prej grave të tyre. Një ditë veterineri, gati si në epsh edhe ai, dukej se kishte nevojë të rrëfehej. Dhe altar më të mirë se miqësia ime nuk kishte ku të gjente. Ma tregoi fije për pe ngjarjen e paharruar për fshatin Blerimas, siç po e tregoj unë. Atëhërë qesha me të madhe, siç po qesh edhe sot. Ai ngriti kokën me habi dhe më shikonte drejt në sy. Mua gati po më kapte histeria e të qeshurit. Për pak ia ngjita dhe atij. Qeshëm të dy sa u shuam. Pastaj u ngritëm si dy lehona dhe secili hyri në shtëpinë e vet. Të nesërmen mësova se përsëri familja e veterinerit nuk kishte fjetur gjithë natën.
Po atë ditë në mbrëmje, u thirr një mbledhje e zhgjeruar e kryesisë së kooperativës, organizatës së partisë, këshilltarëve dhe organizatave të masave. Ishin pjesëmarrës edhe komandanti e komisari i postës kufitare si dhe mësuesit e shkollës. Të gjithë vështronim me vëmendje maksimale nga presidiumi i mbledhjes. Pas një hutimi, e mori fjalën një sekretar i Komitetit të Partisë:
Shokë e shoqe, filloi ai. Lumi flë, hasmi s’flë. Monarko-fashistët grekë përdorin çdo metodë e çdo mjet për të gjunjëzuar partinë tonë. Rasti i tanishëm është më kuptimploti. Ata kanë hedhur në ajër, mbi sinoret tona, një lloj pluhuri që dallëndys gratë tona. Por partia jonë dhe shkencëtarët tanë e zbuluan përbërjen e atij pluhuri dhe gratë tuaja nuk do të kenë më shqetësime. Të gjithë morëm frymë lirshëm. Dukej se një erë e freskët po frynte mbi fshat. E cila mori me vete dhe atë pluhurin epshndjellës të armikut. Gratë nuk i kapi më histerizmi . Ish-shtatëzënat dhe ato që u bënë të tilla në ato ditë të atij afshi përvëlues, mallkonin armikun, që u shkatërroi efektin e tabletave të magjishme.
Veterineri kërkoi transferim nga Blerimasi, por fshatarët u ngritën në këmbë dhe nuk lejuan transferimin e tij. Ai ishte bërë mjek e kaluar mjekut për ta. Ndërsa unë, pas asaj ngjarjeje të paharruar, me të cilën qesh edhe sot, kush e di sa artikuj kam shkruar në gazetën lokale dhe ato qëndrore për nënat me shumë fëmijë të fshatit Blerimas. Heroina e kaluar heroinat…

Vaso Papaj - Një dimër mes dimrash


Fragment nga romani "Një dimër mes dimrash"

* * *

Do të kisha fjetur po të mos më kish thirrur Pali. Sapo isha zhveshur dhe ai më bëri të vishem përsëri.
-Pse vetëm do të rri unë sonte? As që mund të mendohet, - më tha. –Eja, vishu!
Edhe më pëlqeu “ky urdhër”. Palin, si beqar, e kishin caktuar oficer roje atë natë. Dolëm nga fjetorja dhe shkuam në dhomën e vogël të trup rojës. Soba bubullonte dhe xhamat ishin djersur krejt.
-Dërgova Filipin për verë. Do të pimë sonte, - tha Pali dhe u lëshua me forcë mbi sustën e krevatit.
-Kurse unë s’paskam etje fare, Pal.
-Ç’t’i bëj detyrës unë, po sonte s’më kapje dot. Te Familjari do ta gdhija. I thonë natë e Vitit të Ri.
U ula në një stol të rëndë e të çalë. Pali vuri kapelen pranë telefonit dhe vetëm atëherë pashë një radio tranzistor të vogël mbështetur te doreza e zezë.
-Po ky?! - E mora në dorë. Sa më kish munguar një vit të tërë një radio. Një radio e madhe shtëpie nga e cila mund të dëgjoje ç’të doje: muzikë, lajme, opinione, emisione të rinjsh etj etj etj nga bota e lirë. Radiot e dorës (kështu kishin filluar të quheshin) s’kishte një vit që kishin ardhur tek ne. Mbeteshin një ëndërr akoma për mua.
-I Besnikut, - tha Pali. - E njeh? Ai mësuesi i Shënepremtes. Shkuan grup te Familjari dhe radion ma lanë mua.
-Domethënë, do të jetë e fortë sonte atje.
-Gjer në mëngjes, nuk thua! Kur fillon Fredi, s’di të mbarojë. Kot nuk shkove dhe ti.
-S’isha mirë, Pal. S’ mund të duroj dot më pa gjumë. U bënë kaq netë.
Fredi me djemtë e orkestrës kishin shkuar te Familjari prej dy orësh, por unë s’ kisha dashur t’u bashkohesha atë natë. Nuk kisha as më të voglën dëshirë të luaja atë natë për ata që do të lëkundeshin përpara syve të mi. Në djall të venin të gjithë! Doja qetësi. Doja të flija dhe të shikoja ëndrra të bukura, por ja që dhoma e ngrohtë dhe melodia që servirte tranzistori më sollën disi tek realiteti. Tek ngrohtësia e një shoku, tek disa reflekse të harruara tashmë.
Pali kishte sy të qeshur dhe bisedat e tij për vajzat dhe futbollin ishin aq të këndëshme. Jepi Pal, jepi!... Nuk mund t’i shmangia ato biseda. Akoma s’kisha mbushur njëzet e kater vjeç. Edhe sikur të mos doja, më vinte mirë, më gjallërohej trupi. Jepi Pal, jepi!...
Trokiti porta.
-Hej, hapeni! - thirri një zë. Ishte Filipi vetë. Pali u hodh përpjetë nga susta.
-S’e hap dot caraci, - tha ai dhe shkoi nga dera.
Kur hyri Filipi, ne ia plasëm gazit. Përfytyroni një ushtar të shkurtër tërë tul, me fytyrë dhe kokë rrumbullake. Faqe të kuqe, fytyrë e ngëdheshur. Një vrimë në mes të faqes. Shkurt. Pa një , pa dy, një Shvejk i vërtetë.
Veç kësaj, në dorën e djathtë mbante shishen e verës, një letër me mollë, një me portokalle dhe dy kutia mishi. Kurse në të majtën, një letër me arra, tri gota dhe një kavanoz me turshi.
Ne u gajasëm mirë e mirë. Pastaj shtruam mbi tryezë një gazetë dhe vendosëm mbi të krejt sendet e blera.
Ata të dy u lëshuan pastaj mbi shtrat, kurse unë mbi stolin e sëmurë. Kur zumë vend mirë, Pali më shkeli këmbën, pastaj u kthye nga Filipi: Po ti, pa jep një herë llogari! Pse u vonove kaq?
-Radhë, mor shoku komandant, ti e di.
-Mos gënje! Për ushtarin s’ka radhë. Pse u vonove, thuam? Hajt, thuam shpejt!
Këmbëngulja e Palit i ngjante asaj të një fëmije.
-Lëre lepurushin, - ndërhyra unë. - Rëndësi ka që erdhi. Kushedi!?... Mos humbi andej arave duke kërkuar ushqim.
Po Pali më shkeli përsëri syrin dhe vazhdoi me të vetën.
-Jo, pse? Ta thotë tani, pse? Ose e ka keq punën me mua, - Tashmë sytë i kish hapur katër kanatesh.
-Po nëse nuk e them?... - Filipi shtrëmbëroi fytyrën. Si duket një nga ato shenjat e ujdisura e kishte pikasur.
-Po qe ashtu, ka edhe kështu, - ia preu Pali dhe e zuri për qafe. Booo… Thashë se do të shikoja qyfyre, por përleshja mbaroi shpejt. Pali ia shtrëngoi kokën aq shumë me krahun e tij si kular, saqë Filipi i shkretë u betua se do të rrëfehej. Vetëm atëherë u hap kulari i krahut dhe të dy zunë të rregullojnë këmishat e dala mbi pantallona.
Morën të dy frymë me zhurmë sikur s’ishin ngopur qyshkur. Pastaj Filipi rregulloi rripin, picërroi sytë dhe zgjati qafën pak përpara.
-Hë mo, se ua them, - tha pastaj. – Nuk e thatë?!... Jam lepurushi që bredh për të kërkuar ushqim… Tek ajo qesh. U bë kijameti?!
-Edhe sonte, mor mistrec, mor qurravec, mor palaço burrë?! - Pali ia kapi krahun dhe ia ktheu me forcë. Se ç’ishte një djall sporti ky i sapoardhur nga Kina. Filipi nisi të thërriste: -Mos, mos, mos pra, komandant! - Dhe kur u çlirua, vazhdoi: - Isha rehat sonte. Njerëzit s’kishin ngenë time. Haliti po pinte te Familjari dhe unë thashë se nuk bëja keq të kaloja një herë andej. Pse keq bëra?
Vazhduam ta ngacmojmë edhe ca. Ç’gusto! Ngacmo, që të ngacmohesh, por ai na përplasi të dyve fjalët: ”Më lumtë!” dhe pastaj ngriti gotën: “Për shëndetin e beqarëve! Dashuri, dashuri!...” Dhe molla starkink kërciti nën forcën e dhëmbëve të tij.
Hëngrëm dhe dëgjuam muzikë. Bëmë shakara dhe ngritëm dolli. Po mua dalëngadalë po më mbërthente gjumi. Madje disa herë e humba fillin. Soba, tymi i cigareve, muzika, vera, kishin filluar të më përkundnin. Ora dymbëdhjetë pa një çerek.
-S’po mundem më, - u thashë. - Tani duhet të shkoj. - Ata kundërshtuan ca, por në fund më lanë. S’e vesha pallton. Vetëm e hodha krahëve.
-Nuk do të vish, ti Lipe?
-Kam qejf ta pres ngrohtë Vitin e Ri. Të më vejë mbarë.
-Atëherë po të pres jashtë. Unë kam qejf ta pres ftohtë. Të pruftë atë që të do zemra! Ju pruftë, madje! Natën e mirë, Pal! Mirë u pafshim pas një viti! Nesër... Natën!...
E putha Palin në faqe. Edhe ai gjithashtu. Menteshat e ndryshkura të derës kërcitën. Bënte ftohtë dhe në qiell ishin hapur ca dritare. Diku pashë Arushën e Madhe. U përqëndrova. Më në fund, ja dhe Algoli ku ishte. Qesha me vete. Domethënë të parit s’më kishte lënë. Shenjë e mirë kjo. Qesha përsëri se m’u kujtuan fjalët e profesorit të astronomisë që e lidhte gjithnjë cilësinë e të parit me aftësinë për të dalluar yllin Algol pranë yllit të mesit te bishti i Arushës së Madhe.
Po pse dridhej ashtu ajo dritë e dobët e Algolit? Pse dridhej si një nuse e ndrojtur katundi kur fut këmbën e parë në shtëpi të dhëndrit? Dy akrepat e orës u puqën te dymbëdhjeta.
Qetësi e habitshme... As sirena vaporësh këtu. As sirena fabrikash. As fishekzjarrë... Kishte ikur edhe një vit... S’doja të kujtoja asgjë nga ato që kishin shkuar. Për mua tani kishin rëndësi ditët që do të vinin. E ç’ditë do të vinin vallë?... Mos ishin dhe ato Algolë të largët e të ftohtë, të zbehtë e të dridhshëm?! Mos ishin edhe ato prova si Algoli, prova qëndrese?!
Po le t’i flakja mendimet e asaj mesnate. Ndodhesha në një stacion të errët dhe në errësirë çfarë nuk mendon njeriu.
U mbështeta pas trungut të një akacie dhe prita gjersa erdhi Filipi. Më zuri prej krahu dhe ashtu me kujdes ecëm nëpër zhurin e shtruar para mensës.
-Prit, Patri! Mos u fut njëherë brenda, - tha ai. - Kam një fjalë me ty. E di ç’më tha Shpresa sot? Ty të ka qejf një vajzë. Do që ta rregullojmë? - Kishte vënë buzën në gaz.
-Jo, Lipe! - i thashë dhe hodha hapin, por ai më mbajti prej krahu.
-Po prit, prit de! Mos u ngut! E merr me mend se kush është? Asaj i shkojnë pas shumë djem këtu. Nuk ta thashë më parë, sepse edhe Pali është njëri nga ata. Vojsava është. S’të heq nga goja.
-Vojsava Ajazi?! - bëra sikur u habita unë. - Jo, Lipe. Nuk është gjë që bëhet.
-E pse, mor burrë?... Ajo të ka qejf. Ç’ka këtu të keqe? Se mos do ta marrësh ti. Ja ashtu. Të çelesh pak. Si thua?
-Jo, jo, Lipe. Të falenderoj. S’mund ta bëj. Më fal. Më vonë, kush e di!... Do të flasim përsëri.
S’dija ç’t’i thosha.
-Mbase shumë gjëra kjo radakja ime s’i kupton, o Patri. Po shko një herë o, shko! Të isha unë, s’do pyesja fare. Jemi meshkuj a ç’ jemi?!
-S’është aq e thjeshtë, o Lipe. Më fal që nuk të flas dot tani, po do të kemi kohë dhe do t’ia themi. Kemi një vit përpara. Futemi e flemë tani se na hyri të ftohtët.
Shtymë portën. Ajo lëshoi një ngacmim gërvishtës. Posta e kapanonit u hodh përpjetë. Po dremiste me kokën mbështetur te tryeza e vogël dhe ne na mori për oficerë. U ngrit në këmbë. I uruam Vitin e Ri dhe u shtrimë. Pranë meje Foto Kokoveshi qeshte në ëndërr. Me siguri qeshte me vajzën që i kishte lindur e që ende s’e kishte parë.
Në qetësinë e natës dëgjohej vetëm ndonjë gërhitje, por dhe kjo s’ma prishi fillin e mendimit. Solla ndërmend mamanë, babanë, Bertin, Tinën, Anën dhe Zhanin, pastaj Lum Sermin dhe violinën e saj, shkollën, nxënësit e mi dhe në fund u ndala me mendimin se kishte nisur nga e para edhe një vit tjetër. Po nuk dija ç’të shtoja veç asaj që ky vit do të ishte për mua një vit i stuhishëm dhe tepër i vështirë. Vit prove përsëri. Për këtë isha mëse i sigurt. Më pushtuan legjenda, muret, gurët, llaçi...

Samstag, 4. Januar 2014

Përvjetori i fundit i tatuazhit

Tregim nga Irena Gjoni

Kreu ritin e zakonshëm të mëngjesit të së shtunës: ndezjen e një qiriri para pasqyrës, një përulje të lehtë në bërje të kryqit, një lutje në heshtje dhe më pas, bërjen e punëve të shtëpisë. Ishte një rit i vendosur prej vetes së saj që para tre vjetësh. Kur mbaroi gjithçka, u fut në dushin e bërë gati që më parë. Në atë çast ndjente pak këna...
qësi. Ndryshe nga moria e çasteve monotone të jetës së saj. Lakuriqësia e vetes i pëlqente shumë në atë vend. (Hëm! Sikur e kishte parë veten në vend tjetër ashtu dhe kishte përcaktuar kënaqësinë më të madhe aty)! Lëkura tmerrësisht e lëmuar dhe bardhësia e saj ngjante me atë të statujave prej mermeri të bardhë të sapopërfunduara. E lakmuar prej një piktori, ai i kishte ofruar mundësinë që t’i pozonte për një pikturë nudo. Ajo tundi kokën si për ta larguar prej andej atë kujtim - kërkesë. Flokët e gjatë e të verdhë prej Helene, (kështu e kishte quajtur), iu drodhën duke i krijuar mornica në trupin e saj të lakuriqtë. Dora si pa dashur kaloi mbi supin e majtë ku gjeti prehje. Vetëm me sytë mbyllur, vazhdoi të përkëdhelte tatuazhin që gjendej aty. I ngjau vetja si e verbër që me mollëzat e gishtave donte të shijonte sa më shumë një gjë të dashur, për të cilën kishte mall. Iu duk sikur petalet e asaj luleje në tatuazh, u drodhën të frikësuara si të donin të mbylleshin për të ruajtur brenda tyre një sekret. Ndoshta emrin e atij që i kishte bërë tatuazhin. Ajo ngjarje gjendej në skutat e trurit të saj. Aty ruhej nga shuarja prej ndodhive të tjera. Megjithatë, për shkak të largësisë së saj prej qendrës ku atë çast formulohej mendimi i fundit, i krijonin vajzës përshtypjen se ajo ngjarje kishte ndodhur para një shekulli.
Ishte dita e njëzet vjetorit të saj. Të zakonshmit gëzohen zakonisht për ditëlindjet. Ndërsa ajo çuditej me gëzimin e tyre. Në ato ditë, aq më tepër në njëzet vjetorin e saj, ishte tmerrësisht e trishtuar. S’po kuptonte në ishte jashtëzakonshmëria e ditës, apo jashtëzakonshmëria e saj. Megjithatë, ajo donte ta mbante mend përjetë. Ai i hodhi variantin e tatuazhit. Në fillim ndjeu frikë, frikën e dhembjes prej djegies. Pastaj frikën e dhembjes të shkaktuar prej kujtimit të asaj dite, prej kujtimit të tatuazhit dhe atij që i kishte bërë tatuazhin. Frikën e fundit s’e shprehu sepse i dukej sikur ndillte keq. Lëkura qumështore, e brishtë, u dogj dhe prej dhembjes, sytë i patën si mysafirë smeralde lotësh. Pas disa çastesh mundimi, pa tatuazhin në formë luleje në ngjyrë të kaltër. Në anë të saj e shkruar po në të kaltër, “LULE DETI”.
“Pas disa ditësh, ky tatuazh do të ketë pesë vjetorin” – mendoi ajo dhe hapi dushin. E gjendur mes avullit si mes një fryme të shenjtë, vetja i ngjau hyjnore. Qeshi heshtazi me atë kompliment që i bëri vetes.
“Tatuazhi do të ketë pesë vjetorin” – mendoi përsëri. Që prej vitit të lindjes së atij tatuazhi, ajo sa herë binte në bisedë me veten për ditëlindjen e saj, kujtonte edhe përvjetorin e tatuazhit.
E dëshironte me shpirt përsëritjen e atij njëzet vjetori. Vetëm ai njëzet vjetor të kthehej, pa dinte ajo si e sajonte. Do të shkonte tek shpella e saj vetëm me bërësin e tatuazhit për të festuar ditëlindjen. Vera e kuqe që do të merrnin me vete, do t’i bënte që gjithçka përreth t’u ngjante qiellore. Madje t’u krijonte mjaft iluzione optike. Mes tyre do të qëndronte një zjarr prej qielli (dhe ai të kishte ngjyrë të kaltër). Flokët e tyre do të ishin prej rrezeve të zjarrit të kaltër. Mbi to do të qëndronin kurora prej lulesh zjarri të kaltër. Në vend të rrobave, do të ishin veshur me flakën e kaltër të qiellit. Shpella kaltëreme do t’u përkiste vetëm atyre. Në të futurat e saj do të vendosnin disqe me këngët e tyre të shpirtit. Ato do të punonin me flakë. Sa më shumë t’i afroheshin kubesë së shpellës gjuhët e kaltërta të flakëve, aq më shumë do të dëgjoheshin meloditë e këngët e tyre gjysmë ëndërrore, gjysmë qiellore. Nën tingujt e tyre ngasës ata do të vallëzonin. Atëherë kurorat do të lëkundeshin si të shkonin drejt rënies. Në çastin kur do mendonin se ato do të rrëzoheshin, të shtyra prej flakëve të qiellit, do të ndërronin vendet.
“Eh! Un terzo in comodo” – mërmëriti thënien e famshme latine. Dikur e shihnin të tretin në trajtën e një skeleti hijeje, irreal. Luanin me të. Skeleti irreal eshtror hijeje, u rrit. U kthye në një përbindësh për jetimen e rritur pa njerëz që ta donin me shpirt. Ngrohtësinë e njohu si nocion, kur njohu Detin. Në prezantimin e parë, një ngatërrim pa dashje dhe një kombinim me dashje i gërmave të emrave të tyre, bëri që ata ta pagëzonin njëri- tjetrin me emrat ERA dhe DETI.
“Eh! Un terzo in comodo”- mërmëriti përsëri, po kësaj here duke hequr me shpirt.
Ishin lidhur shumë gjatë viteve të shkollës. Ndërtuan një kështjellë kristali. Brenda saj gjendej gjithçka: dashuri mes miqsh, perla princesha modeste, kufoma ëndrrash, ëngjëj mbrojtës, nimfa të vdekshme e të pavdekshme, tradhëti ndaj vetes, galaktika yjesh, mistere të pazbuluara kurrë, demon të zbutur, hiçe në krijim fytyrash, e plot gjëra të tjera. Vetëm “DASHURIA” dhe fjala “TË DUA”, qëndronin si lypsare jashtë mureve të kështjellës së tyre prej kristali. Të dyve u dukej sikur sapo ato të tentonin të hynin brenda, kristali do të thërrmohej, do të zhbëhej në krijim të një hiçi të pakthyeshëm prapa. Kështjella s’do të egzistonte më. Ata të dy s’do të egzistonin më për njëri - tjetrin. Ishte ky çasti i futjes së të tretit mes tyre - shpagim i frikës së të dyve ndaj dashurisë. Skeleti irreal, eshtror hijeje i kthyer në një përbindësh, filloi të kafshonte dhe të shkëpuste copa prej kështjellës së kristaltë – botës së të dyve. Me ato copa, skeleti u mbush dhe shpirti xheloz shkatërroi gjithçka. “Më mirë të ishim vetëshkatërruar. Të paktën për diçka që ia vlente” – mendoi Era.
Uji i dushit vazhdonte të rridhte. Megjithëse kishte kohë që shkuma kishte ikur, sytë i digjnin shumë. E ndjeu se po qante pas gjithë asaj përhumbjeje. Lotët s’mund t’i dallonte nga uji i dushit. “O Zot, tre vjet pa e parë, – pëshpëriti Era lehtas, – tre vjet. Kushedi ç’bëhet në shpirtin e tij. Shumë gjëra të pathëna kanë ngelur aty. Për mungesë vendi grinden me njëra - tjetrën duke krijuar rrëmujë marramendëse; duke i shkaktuar dhembje atij shpirti, – vazhdoi ajo, ngaqë e njihte mirë botën e atij njeriu. -Ndoshta më ka kërkuar pranë ndonjëherë. Po përse duhet të largohesha unë, përse? Përse duhej të mendoja se largimi im do të krijonte pak paqe në shpirtin e tij? Kaq e tepërt jam kudo në këtë botë ta hajë dreqi?”- Ndjeu një këputje të trupit. Uji i rënë prej dushit, i ngjau si litarë të bardhë që i vareshin para syve të saj. Zgjati dorën për t’u mbajtur në njërin prej tyre. Nuk mori vesh asgjë se ç’ndodhi. Pas njëfarë kohe (nuk e përcaktonte dot se sa), u përmend disi. S’po kuptonte dot, ishte ëndërr apo realitet ajo gjendje e saj. Ftohtësia e pllakave të dyshemesë iu fut në palcë. Nëpër trup i kaloi një rrënqethje. Gjysmë e ngrirë, krejtësisht lakuriq, u ngrit me mundim. Qëndroi para pasqyrës. Një shenjë mavi i ishte krijuar poshtë syrit. Flokët e lagur i kullonin në gjoks, në shpinë dhe sikur ia hoqën pak ngrirjen e trupit. Qëndronte ende para pasqyrës duke parë sytë e saj. Të vetmit dëshmimtarë që kishin parë gjithçka, ajo i vërejti si t’u kërkonte t’i jepnin një shpjegim. Ndjeu se po i qartësoheshin gjërat. Prej dushit të mbaruar, binte ndonjë pikë uji si të donte të prishte atë heshtje varri. Era u largua prej pasqyrës. Mori peshqirin, u fshi dhe pas pak u gjend e veshur para pasqyrës tjetër tek dhoma e gjumit. Shpupurisi pak flokët duke u dhënë formë. Me një penel të zi, filloi të lyente syrin e pamavijosur. Dora punonte instiktivisht, ndërsa mendja fluturonte gjetiu. Po mendonte se si ta festonte njëzet e pesë vjetorin pas disa ditësh. Do ta gjente Detin edhe sikur në fund të botës të ishte. Kur mbaroi punë tek pasqyra, u ul në kolltukun afër dritares që hapej në oborrin e shtëpisë. Megjithëse ishte kohë trëndafilash, jashtë sundonte vranësira. I pëlqente shumë ajo lloj kohe. Grinë në oborrin e saj e prishnin vetëm trëndafilat që kishin çelë si asnjë vit tjetër. Frynte era dhe i lëkundte sa andej - këtej. Erës i ngjante si një mikrodet, ku dallgët ishin në formë trëndafilash.
“Sa mirë do ishte që të notoje në dallgë të tilla prej trëndafilash”- foli ajo me zë.
I hoqi sytë prej tyre (ose më mirë u hoqën vetë. Atë çast tek ajo, çdo gjë bëhej instiktivisht). I hodhi në qiellin e vrenjtur. Mes një morie resh gri, që lëviznin në mënyrë të çrregullt, sytë iu ngulën në njërën prej tyre. I ngjau si një tigër. Kur ajo e mbuloi me shikimin e saj, ai u ngrit. Shkundi njëherë gjithë trupin dhe krefa iu drodh më shumë, si të shprehte inatin pse u zbulua. Sytë iu egërsuan. U bë gati të vraponte me idenë e gjetjes së kundërshtarit të tij më të tmerrshëm. Tigri u nis me vrap, ndërsa ajo ndiqte me gjak të ngrirë kush ishte preja fatkeqe. Zemra i përpëlitej si të ishte në agoninë e vdekjes dhe donte të mos shkëputej e të shijonte me shpejtësinë e saj, sa më shumë çastet e fundit të jetës. Pështyma i ishte tharë në grykë. Nuk mundi të kapërcehej për t’u lehtësuar disi. Ajo vazhdoi të ndiqte vrapin e tigrit të egërsuar. Shikimi i saj e kapërceu për një çast tigrin. Tutje, jo shumë larg, por aty ku ai kishte objektivin e vet dhe ku kishte sytë e tij gjakësorë, Era vuri re trajtën e një njeriu. Sytë iu hapën tej mase nga tmerri. Megjithë largësinë, mundi të shquante tiparet e Detit të saj. Ai qeshte si gjithmonë, ndërsa Era i thirri që të largohej. Zëri s’iu dëgjua. E ndiente që i vinte deri në gojë. Përpëlitej brenda saj dhe s’mundte të dilte. Diçka e kthente mbrapsht a e zhdukte fare. Tigri vraponte çmendurisht. Deti qëndronte në vend me një qetësi olimpike. Ndoshta nuk e shihte tigrin. Era vazhdonte t’i shihte të dy. Luftonte me veten që s’mundte dot të bënte diçka. Në një çast, tigri iu afrua aq shumë, sa preja e tij e vuri re. Buzëqeshja i ngriu dhe s’mundi të bënte asnjë lëvizje. Tigri iu hodh përsipër.
- Jo tigër, - klithi Era. Jashtë gjëmoi. Një vetëtimë çau qiellin dhe shiu filloi të binte me rrëmbim.
- Përse tigër, – vazhdoi të klithte ajo –përse pikërisht atë. Ishte aq i qeshur. Përse u zhduk dhe i fundit i imi i mbetur i gjallë? Tani ngela tmerrësisht e vetme. Ai s’egziston tashmë as larg, - lotët filluan t’i binin mbi fytyrë. – Oh tigër, tigër, përse e gllabërove? Unë s’di që të gjendet brenda barkut tënd gjë që do ta bënte atë të lumtur pas vdekjes. Tigër i mallkuar që s’ke më për ta kthyer kurrë atë njeri! Pas disa ditëve ai do të vinte tek unë për ditëlindje. Pse ia preve rrugën, tigër, - dhe goditi me forcë xhamin e dritares që u thye me zhurmë. Prej atij veprimi, Era sikur doli nga ajo gjendje gjysmë çmendurie. Gjaku filloi t’i rridhte nga dora e copëtuar prej xhamit të thyer. Ajo nxitoi për të gjetur një fashë. Kur lidhi dorën e vrarë, me tjetrën fshiu lotët e mbetur në faqe. Vuri re se po qante ende. Si për të ndëshkuar veten, goditi fytyrën e saj.
- Ej, e çmendur, - foli me zë, - po qan për së gjalli njeriun tënd më të dashur. Ej mos i ndill keq. Pas disa ditësh, ai do të jetë këtu për ditëlindje.
Tmerrësisht e këputur, ajo u ul në kolltukun përballë dritares. Era e lagësht që hynte nga xhami i thyer, ia freskoi pak fytyrën. Po çuditej me veten nga gjendjet dhe situatat e krijuara të ditës së fundit të javës. Kërkonte të gjente një shkak, por truri i saj i lodhur, veç heshtte duke mos dhënë dot një përgjigje.
“Ndoshta e ka fajin e shtuna, - mendoi, - E shtuna pa pikën e shijes/ Shijshmëri pa një të shtunë/ me të shtunë jo shijshmëri/Ditë brenda së cilës s’je as ti, as unë” – mërmëriti nën zë. Nuk mbante mend ku i kishte lexuar. Ndoshta ishin edhe të sajat ato vargje. Kishte vite që s’kishte shkruar më. Madje dhe të mëparshmet i ngjanin të huaja. Ashtu mbështetur tek divani e kishte zënë gjumi. U përmend nga jehona e ziles së telefonit. U çua pak përtueshëm për të marrë celularin dhe tek ekrani vuri re të shkruara 9 thirrje bashkë me shenjën e një mesazhi. “Kushedi sa kanë që po i bien ziles” – mendoi Era. Filloi të shtypte butonat me rrëmbim dhe me një ndjenjë të papërcaktuar frike në zemër. Brenda sekondës, dhjetëra pyetje i përshkuan trurin si një rrymë korrenti. E hapi vrullshëm tek mesazhet. E lexoi me një frymë dhe gjaku i iku nga fytyra. Ndjeu se po dridhej e gjitha. Këmbët s’e mbanin më. U mbështet tek dera. Duke u rrëshqitur u ul në prag të saj.
“O Zot, e tmerrshme. Ç’llahtarë! – mundi të thoshte me zë dhe një klithmë e dalë prej honeve të shpirtit bëri të dridheshin të gjitha petalet e trëndafilave përreth. Nuk donte ta besonte. E rilexoi mesazhin. U tmerrua. Prej tmerrit dridhej e gjitha. S’po mundte dot të ndante realitetin nga ëndrra. Besonte se ishte në ëndërr, në ato çastet e saj të çmendurisë që atë ditë ishin të shumta. E afroi telefonin afër syve që të bindej sa më shumë për praninë e tij.
- E tmerrshme! - klithi ajo përsëri – Përse erdha në këtë botë. Vetëm për të vuajtur. Vetëm për të qarë. Për të mos parë kurrë një çast të lumtur. Për pak ditë dhe do të ishim bashkë ndoshta. DET, pse s’më prite DET.
E lexoi edhe njëherë mesazhin: “Mario pësoi një aksident. Varrimi nesër në orën 10” - dhe në fund ishte emri i të fejuarës së tij të dikurshme.
- Eh. Vetëm unë të paskam thirrur Det. Ë Det? Kështu qe e thënë. Të ndaheshim nga kjo botë pa u parë e pa folur me njëri - tjetrin për një kohë të gjatë. Ndoshta në botën tjetër do të jemi shpejt bashkë. Të paktën të jemi aty të lumtur me praninë e njëri - tjetrit, - pëshpëriti Era.
U çua prej vendit ku qëndronte dhe hodhi xhinsin blu krahëve – detin e prangjendshëm përherë pranë saj. Mori një fjongo të kuqe, çelësat e shtëpisë, të makinës dhe doli jashtë. Filloi të mblidhte gjithë trëndafilat e çelur apo gjysmë të çelur. Mbi petalet e tyre, lotët i përziheshin me pikat e shiut të sapopushuar. Kur nuk kishte ngelë më asnjë trëndafil i çelur, ajo i lidhi në fund me fjongon e kuqe dhe i vendosi brenda në makinë. Hypi në të dhe u nis për në dalje të qytetit. I duhej të udhëtonte rreth tri orë të mira për të arritur në adresën që ishte shkruar në mesazh. Megjithatë ajo nuk e besonte se po shkonte në varrim të DETIT. ERA dhe DETI po shkonin së bashku në drejtim të shpellës së tyre për të festuar njëzet e pesë vjetorin e ERËS dhe pesë vjetorin e TATUAZHIT. TATUAZH që s’do të rritej më...

Kasam Shaqirvela - Shtatë poezi


NJERËZISË SOT

Sa të ketë diell mbi këtë tokë
Ai ka mirë për të të ngrohur
Dashuri dhe paqë ti veç kërko
Sepse ashtu kam dëshirë të t'shoh

Nuk dëshiroj, qoftë dhe një herë
Të gdhihet njerëzia përgjumur
Ndër agime të murme, sterë
Kafshuar vetveten përherë

Lojëra bizare me njerëz
Në llogari të fatit njerëzor
Ndër shtatë palë tokë u tretshin
Përgjithmonë mizoritë
Aty mbetshin !

Kohë e ligë, rendet turbullohen
Lajmëtarë fatesh të prera vijnë
Për sëmundjet e Mileniumit të ri
Droga,amoraliteti e sida na prijnë

Nuk bëhet kështu kënaqësia
As me anomali kësisoji
Ashtu vetëmse shkatërrohet njerëzia
Ashtu i shuhet farra edhe soji.

 


NUK T’I THEM

Ato, nuk t’i them jo se druaj
Por gjërat i mbajë në kuti, i ruaj
Dhe nuk i përtip, por veç i bluaj
Në letër të bardhë bukur i shkruaj

Ti mundohesh të mi lexosh
Kot e ke jaran, kurrë s’do t’i kuptosh
Fjalët e mia, ylber i pasosur
Prekin teket e tua, oreksin e marrosur



PA EMËR

N'daç le t'i pushojë
e n'daç le t'i pëlcasë
ai damar i mbushur
me gjak t'shqiptarit
le ta skuqe deri në prrush
këtë tokë të t'parit
e sikur lava e vullkanit
ta mbulojë, jetë mbi jetë tretur,
ky vend pa emër sot e mot,
mbase s'ka për të mbetur.


 

P Ë R P I Q E M
(për mbijetesë)

Po përpiqem unë
përpiqem që moti
për këtë punë të moçme
dhe për këtë hall të ri.
Më dëshmojnë rrudhat
e fytyrës së rreshkur
dhe gjurmët e lotit të kryposur
vragë shekujsh të vuajtjes së pasosur.
I reckosur, sakatosur, plagosur
ringritur, ngjitur, shëruar e rritur
i njomë herët, e i thinjur vonë
i vdekur e i lindur përsëri më thonë
kreshpë, në kreshta malesh plakur
në djersë i qullur e në gjak i lagur !?

Përpiqen rreth mua edhe të tjerë
madje me mall e dëshirë përherë
zhytur në gjak therjesh, lemeri
shpirtprishur e vesbishë-njeri
ata s'dinë të qajnë njerëzisht
prandaj as lotët su janë tharë
su plakën ndër zotëra ndonjëherë
dhe s'mund të jenë për ta krenarë
as rrudhat n'ballë nuk i kanë ?!

 


PJELLË E KEQE

Zoti na ruajt neve tani
Nga çdo farë "laneti"
Që gjithë ditën e lume
Nga gojë e tij, e rreme
Shqiptohet xhenemi
Dhe xheneti.

Kur e takon në rrugë
Dhe mirë e mirë e shikon
Me sjelljen e tij, hajnisht
Të len pa tekst n'gojë, mjerisht
Por pas shpine fëtyrëziu
Ta punon më keq se dreqi e thiu.

Ndonëse pesë herë në ditë vetë
Falet e lutet pa ndërpre
Ai gjithmonë mendjen e vret
Kend e ka në rend sot
Për ta bërë pre.

Të ligat që i bën
U vjen një erë turpi
Sepse i lidhë me interesin
Pa mos e çarë kokën fare
Se disa tjerë, pikërisht nga ai
madje dhe mund të vdesin.

Qoftë nga ajo tradhtisht
Që ua bën të pafajshmive
Apo nga ndërsimi i egër
Që ua bën të ngjashmive.
E kur i thua se ky lanet
Përse na u dashka të falet
" At' e kam borxh " thot
Dhe dua të shkoj në xhenet,
Qoftë në atë të tradhëtarëve
Apo dhe n'atë të gomarëve.

 


P L E Q Ë R I A

Thuan që, çdo gjë është relative
Madje nuk përsëritet dy herë
S'varet nga stina e as nga moti
Në qoftë dimër, apo pranverë.

Pleqëria është një natë e gjatë..
E gjatë thuan, bile e thatë
Që përfundon pa agim?!
Është si një qiell, përplot
Me yje të ndezur eshkë që,
Një nga një i fiken n'trishtim.

Rrugë e gjatë, madje e vështirë
Me të përpjetën bile në rritje
Ligështim i fuqisë njerëzore
Por forcim i bindjes së dëlirë
I një përvoje e dije të nxënë
Urti e mençuri, ar në peshore
Për brezat më pastaj xhevahirë
Po ditën, le ta thithin prore
Të zhbëhet le t’mos e lënë
Se ajo që sot është ndër ne
Nesër histori kanë për t’i thënë

Pleqёria është e uryer, është sfilitje
Të duket se je nga tjerët i përbuzur
Madje, këmbëzënia pa faj e dëshirë
Të lodhin e t’mundojnë pa zbritje

Por ajo ka edhe lezetin e vet
Po qe se ke mbjellur n’pranverë,
Kur të kapë dimri, Frutet që i pret
As bora mbi kokë nuk t’i tret

Ata që dikur me dashuri i rrite
Tani dëshirën e kanë të zbutur
Atë që krahapur dikur e prite
Vitet ta rëndojnë mbi supet këputur
Nuk pyesin, as njohin për mëshirë
Rendin e rendin hiç pa u tutur
Drejt një kopshti të shpirti të lirë

E pra, kohës që kalon n’i thënçin jetë …
Kthimin prapa e ka të vështirë
Sado që dëshirat s’vyshken si lulet
Natyra e njeriut është e këtillë
E udhëhequr fortë nga vetëdija e dëlirë
Drejt ndronjetës gjithnjë në pritje...!
Të një agimi të vetëm, të pagdhirë…!?


QËLLO O ZOT
 

Ti Zeus, o zot i madh
Që tund e shkund këtë botë
Rrufetë shgjetare ku i mban
Hapi rretë drejt në tokë
Mëdyshë qiellin le ta çajnë

Qëllo o Zot, e mos vono
Drejt në kokë gjarpinjtë e gjakut
Me rrufetë e tua ti shkrumbo
Farën e keqe të tyre shkatërro
Mos e lejo të dalë përtej pragut.