Dienstag, 25. März 2014

Fran Ukcama - Gjashtë poezi


Me rastin e ditlindjës së poetit

Gëzuar, Fran Ukcama!


ATË DITË SI SOT PËSËMBDHJETË VJET

Ata iken, Kosoven e lanë në tym e flakë,
lotin mbirë në sy,
jetën mbi predha..

Ata u kthyen pas disa muajsh pas,
lulet kishin çelë ,
e liria kishte mbi te dera.
ta ikën sa munden me mbet gjallë,...

dhe nanat shtazana lindën,
u kthyen më shumë,
nipa e mbesa, si vera..

Të parën punë që e banë,
kqyren ku gjenden trimat,
vorre hapen rivarrosen heronjtë..
e mbollen për jetë lirinë..

Atë ditë si sot pësëmbëdhjetë vjet,
isha emigrant në Athinë,
për ju vellëzer e motra, lusja Perendinë.

Sot, nuk di pse më rigojnë sytë,
ndofta, oh sa i hidhur kujtimi !!!
Ndofta këto buronja në faqe tash janë kroje gezimi!!

 

K O S O V A
ANDRRA QË NUK NA LANË
ME ANDËRRUE


Kosova andrra jonë e ndalueme,
ndarë me shekullin e trishtuem,
tani që zhgandrra votres ka blerue,...
erdhi dita..besuem..

Ku jemi, ketej dhe andej dhe botës mbarë,
kemi lirinë e shpirtin për të festue,
tani asgja ma nuk duket përrallë,
por prush lirie në votër, gufue..

Kosova dikur andrra e jonë e ndalueme,
sa nji jetë na dukesh veç nji kangë,
vinin rrallë kangetarë e s`mundnim me i takue,
vëllai me vëllain , shurdha e memeca ,kishim kanë..

Legjendat i kemi qitë mbas krahu,
dhe zemrat shtrue kufijtë ku ma nuk janë,
kur flisnim me gishta e shënja se largu,
burgimi i shekullit,
ma i madhi..

Kosova andrra e jonë e ndalueme,
dhe copat ku sperkamat kanë ra,
a ka në Botë komb ma të coptuem,
pse shtirem sikur ,
pse bajmë sikur s`ka ndodh kurrgja..

Festimi asht aq i madh, por jo i ploti mbi dhe,
Bota bën të shurdhin e s`bëza,
përmes gishtavë mbi sy na sheh,
Andrra e jonë, sot e mot, lyp e s`ka,
festojmë moj Europë por të plotë nuk jemi ne!

Të plotë do jemi, kur të jemi nën një qiell,
ku të ngrohem nën një diell, me stan e vërri,
jo në pesë si fjegra molle, nda kobshëm, me hile
por shqiptar me gene shekujsh, në nji Shqipëri!


 
NË HARTEN E SHPIRTIT I KAM FSHIRË KUFINJTË

Në harten e shpirtit i kam fshirë kufinjtë,
gjithë jetën livadhe miqësie kam bleruar,
udhes së jetes nuk bëj kurrë armiqë,
e dua shpirtin më këtë jetë e më atë anë të shliruar!!

O zonjë e thinjur, puthjen ta kafshojmë si kokrrën e molles
në ishullin e vetmuatr të dashurisë, jemi ne sot
eja t`ia bëjmë inventarin e halleve vetes në këtë cep të botes,
se ajzberget pa meshirë po shkrijnë, anijaen tonë mos na fundosin!!!

 

SIKUR TË NGRIHESHIN PREJ GJUMIT HERONJTË

Ajka u shua, në vlime lufrash,
Parajses në gjumë shkuan prej kohesh,
çka do të thonin për prijsit sot burrash,
sikur të ngriheshin prej gjumit heronjtë?!!

Pse për rrëna, dhe hipokrizi,
pse për babzitje në Kurriz të Kombit,
apo për drejtesi e barazi,...
për çka falen jetën heronjtë qysh motit!

Çka do të kuvendonin heronjtë trima,
ah, ëndrrimtaret që s`u fshehen në skuta,
e ku do të futeshin prijësit e sotit,
ata e dijnë se sa u vlen lëkura!

Ajka u shua në vlime luftrash,
në beteja me armikun e prita të pabesa,
të sotmit kthyer në miloner, e harbuta,
shtiren si djajtë,
si djajtë mallengjehen kur shkojnë në kujtesa!

Sikur të ngriheshin heronjtë prej varri,
prijesit do çmendeshin,
do çmendeshin demagogët se u dilte kallaj!


 
U NGUROSA NË ZEMRËN TANDE

Kalla gacën e mendimit,
me unorin e një fjale,

kalla shtegun e kujtimit,
nën kunorën e një dardhe,

kalla germat e një emni,
përkundur në djep përralle,...

kalla rënkimin e shpirtit,
përvelim, fladi i një nate,

kalla eshkën, fjalën , gurin,
u ngurosa në zemrën tande.

 

MANUSHAQJA QË MA FALI PRANVERËN

Gojë ambla,
Sykthjellur në qiellin e gjelbër,
Refleksit njomëzor,
Buzagazin ma fali,
Ma fali pranverën…

Nën gurin e thekur,
Diellit të prillit,
Bornajes së denjur,
Gjinjtë qitur jashtë rreze më rreze,
Një puthje shtalbe,
Ma fali pranverën !

_______________
Stafi i Revistës elektronike "AlbPlanet" dhe i portali "Ora shqiptare", ia uron ditlindjen poetit të nderuar Fran Ukcama! Urojmë nga zemra që të jetosh e 100 vjet tjera dhe të na dhurosh edhe shumë libra të rinj! Gëzuar!

Freitag, 21. März 2014

Myrteza Mara - Poezi

 
BANORI MË I VJETËR
 
Kjo botë, e rrumbullaktë si sferë,
përkundet në shtratin e Universit.
Si nuk e kuptoi poetin një herë,...

banorin më të vjetër të planetit?

Nuk dihet kush ka lindur më parë,
shkencëtarët akoma janë në mjegull,
poeti është dëshmitar i gjallë,
mbi çatinë e botës vuri një tjegull.

Poeti e jeton jetën dhe për një çast,
një çast poeti vlen sa njëmijë diej,
në shpirtin e tij s’ka si të ketë natë,
ndaj ëndrrat endin ëndrra ndër qiej.

Kjo botë nuk është aq e madhe sa thonë,
Se urat i kanë ngritur poetët që në agim
dhe muza e shpirtit kalon si jehonë,
nga poli në pol e përcjell dashurinë.
 
 
 
MË THONI

Kur zgjuhen tërmetet
shkunden nga gjumi malet,
fushat rrudhen si plaka
zvogëlohen dhe gurët e varreve.

Treten amanetet e Rozafave,
nën rrënojat e mallkimit,
vatrat mbeten dhe pa hi, …
më thoni ju lutem,
keni parë të vritet ndonjë mi?!
 
 
 
MBRETI I SHAHUT

Rri e meditoj mbi magjinë e trurit,
Të njeriut të mençëm nga Persia
Fushën e shahut ku luajnë gurët
Gurët që ndeshen njëlloj si ushtria!

Ushtarët e vegjël kokërrumbullak,
Holluar qafa nga rripi i helmetës,
Janë gati të hidhen në zjarr e në flakë...

Sapo dëgjojnë piskamën e trompetës.

Mbreti hijerëndë, në krahë mbretëreshën,
Rrethuar nga oficerë e kuaj më shalë,
Sundon me vrojtim fushën e betejës
Dhe jepet sinjali: Përpara ushtarë!...

Çmimin e luftrave e paguajnë me kokë,
Deri dhe mbretëresha me kurorë
Mbretrit që ndezin e djegin një botë
As maj’e gishtit s’ju preket me dorë.

Eh, mbretër hijerëndë, ju mbretër,
Në fushën e shahut një gjemb s’keni marë!
Ndoshta njerëzimi do shpik lojë tjetër
Ku mbretër të tillë mbretër t’i varë në litarë!

Ripublikuar me shkurtime, nga vëllimi “Mëkati i Botës”
 
 
 
TRADHËTIA E POETIT

Të kam "tradhëtuar" kaq herë, e dashur,
Farën e "tradhëtisë" e mbjellë në letër.
Kur ne çmendemi në detin e përflakur,
Muza, si dallgët, puth bregun tjetër.

Unë të "tradhëtoj" çdo ditë, çdo çast,
Dënuar të endem si bletët në lëndina
Por i gjithë ky nuk quhet fat,...

Vetëm tek ty marrin zjarr vetëtimat.

Unë do të "tradhëtoj" deri sa të vdes,
Këtë "tradhëti" ti vet e ke bekuar.
Ndryshe, e dashur, s'do të isha poet,

Dhe ti s'kishe për të më dashuruar!
 
 
OAZET E MIA

Nuk di pse s’lodhem nga gjysmëëndrrat,
Është punë e vështirë më thoshe një ditë,
Por unë me to ndërtoj oazet e këngëve
Janë kopshtet ku fjalosem me perënditë!

Të bëj si magji, që ndërton kështjella
Rrethuar me kopshtet e luleputhjeve
Atje nuk ka pse të afrohet pranvera...

Atje gjelbëron fryma jonë e lutjeve.

Herë të krijoj si fëmijë të llastuar,
Ti më shpërblen me një det lumturi
Herë më dukesh si nënë e përgjëruar
Atëhere verbohem nga lotët për ty!

Shpesh ndërtoj ishuj për dy banorë
Dhe varkën e djeg për të mbetur atje
Dërgoj ftesë yjeve për të qenë dasmorë
Nga qielli zbret një tufë lule mbi re.

Udhëtojnë çdo çast gjysmëëndrrat e mia
Herë lundrojnë larg, herë dhe në kujtesë
Të marr në krah, siç merret dashuria
Dhe çmendem në prush, dehem me jetë!

Pastaj endem nëpër qiejt e kujtimeve,
Të urtat më ndjekin pas si manare
Veç më kujtojnë detet e premtimeve
Dhe besën e farkëtuar nëpër zjarre.

Ta kam dhënë jetën, si unazë në dorë,
Ti zemrën ma ke falur, zog në kafaz
Nëse mbretrit mburren se kanë kurorë
Unë jam më i lumturi se kam ty fat!

Ku nuk më çojnë këto gjysmëëndrra,
Ëndrra nëpër gjumë nuk di të shikoj,
I thur e i ç’thur ndër vargje tek kënga
Me lirën e shpirtit nëpër qiej i këndoj

S’jetoj dot pa gjysmëëndrrat e mia
Atje je ti, fryma, parajsa ime e vetme
Vdekja do të më vijë nga lumturia
Pastaj, po të doni, quheni dhe vdekje!...

Nuk di pse s’lodhem nga gjysmëëndrrat,
Është punë e vështirë më thoshe një ditë,
Por ato për mua janë oazet e këngëve
Janë kopshtet ku fjalosem me perënditë!
 
 
 
NË DJALL TË GJITHA

Në djall të vej dhe krenaria
Mbi kreshtat e sedrës së unit
Ajo të largon nga dashuria
Dhe mban erën e plumbit.

Në djall dhe hunda përpjetë,
Për të zenë qoshen e qosheve i pari
Ta mar djalli, kemi vetëm një jetë ...

Të kishim dy, njerën do e falnim.

Në djall dhe pendesa pas fajit
Dhe fjalët e lyera me zjarr
Kush e hedh hapin i parë
Lartohet kur thotë “më fal!”.

Në djall dhe xhepat e fryrë
Me plehrat e fjalëve të nxehta
O Zot, shemtohemi në fytyrë
S’shikojmë si rrokulliset jeta!

Në djall, në djall të gjitha
Larvat që bluajnë këngët
Ato i nxjerrin sytë dritës
Thajnë dhe pemën e ëndrrës.

Në djall dhe të tilla motive,
E fundit kjo poezi me djall
Me ty, magjia e magjive
Ka vetëm “dashuri të parë!”
 
 
 
TË KAM LINDJE NË PERËNDIM

Sot më hutove, bëre të harroja
Lutjen e shpirtit që e kam si rit.
“Të vdes për ty!”, atë do të thoja
Siç e kam thënë edhe çdo ditë.

Por ti mos më lerë të humbas
Në avullin e psherëtimave të mia
Të vdesësh për ty është fare pak ...

Për mua je jeta, je dhe dashuria!

Nga mungesa e dritës tënde verbohem
Ndihem si trung shkretëtire i djegur!
I vetëm edhe mund të shurdhohem,
Nga klithmat e dëshpërimit të verbër!

Je qela e artë e besës e rrëfimit
Meka e shpirtit, ku falem si pelegrin
Të kam altarin e dielltë të flijimit
Të kam lindje në perëndim!

 
 
 
URIMI I PARË PËR TY

Pa ty koha ngrinë në harresë,
deti humb bregun;
s’ka natë me yje e hënë,
vjeshta pa gjethe,
mbi degët e zhveshura
zogjtë si jetim, pa këngë!
Pa ty dhe loti s’ka qiell,
syri vishet me natë...

thahet buza për puthje,
thinjen ikonat për lutje,
pa ty nuk ka fat!

Pa ty nuk ka diellpoezi
pa ty nuk ka as vit të vjetër,
as vit të ri!
Për ty, në cdo frymëmarrje
tufa me luleputhje,
spërkatur me vesë loti nga sythet e këngës,
nota shpirti në pentagramet e zemrës.

Ti-fryma,
drita,
kënga,
ëndrra dhe gjysmëndrrat,
zgjimi,
udhëtimi,
shtegtimi,
troku i zemrës së çmendur,
kalendari i të gjitha stinëve.
Pa ty dhe pranvera bëhet dimër,
fiken gjithë shandanët e qirinjëve!

Në të gjitha jetët urimi i parë për ty,
për ty plotmëria ime!

 
 
 
NËSE NJË DITË

Nëse një ditë të lag shiu i trishtimit,
Nën ombrellën time ka vend përherë.
Aty do i gjesh gjithë puthjet e kujtimit,
Dhe shpirtin tim muzeum me pranverë!

Nëse një ditë do të duhet një urë,
Të kalosh pa frikë detin e Dilemës,
Mos u mundo, varkë bëhem unë...

Gjoksi i ndezur shkrinë ajzbergët.

Nëse një ditë do të humbas kënga
Trokit tek muza ime e vjetër.
Veç, të lutem, mos m'i zgjuaj ëndrrat,
E vetmja pasuri që më ka mbetur!

Nëse një ditë do të duhet një qiell,
I pastër si loti yt kristal,
Eja, pëshpëritmë lehtë mbi mermer,
Për ty do e le jetim atë varr!
 
 
 
TI, VETËM TI

Dua ta ndaj tërmetin e shpirtit
Nuk jam mal, as det nuk jam,
Jam thjeshtë një qiri që digjem
Në zemër kam një ëndërr vullkan!

Dua t’i them gjithë botës mbarë
Dua të mburrem, siç mburren fëmijët,
Kur kapin xixëllonjën për herë të parë...

Dhe unë tek shpirti yt pi dritë.

Shoh atë yll që më ka verbuar
Por nuk mallkoj, ndihem i lumtur
Ndihem si një planet i dashuruar
Me syrin e diejve të bukur!

Dua ta ndaj gëzimin, por ti nuk do,
Ma mbyll gojën me gojën tënde
Me sy më bënë shenjën “jo”
Më mbyt në liqenin e një ëndrre!

Ashtu më do, të verbër, të mbytur
Më do të tërin vetëm për vete
Por unë nuk vdes pa e bërë të ditur
Le ta dinë të pesë kontinentet!

Pastaj do më gjej shpirti qetësi
Do e duroj “ndëshkimin” e merituar
Vetëm ti di të falësh aq dashuri
Ti, perëndia ime e adhuruar!

Të dua, të dua si nuk kam dashur
Të dua, o dashuria ime e parë
Ti je çasti dhe jeta e përflakur
Ti, vetëm ti, më vdes dhe ringjallë!

 
 
 
NUK KAM KOHË

Nuk kam kohë të pres kohën,
Duhet të rend, vetëm të rend.
Kështu linda, kështu më njohën,
Vetëm kështu më ze hapi vend.

Nuk kam kohë të pres diellin,
E kam një diell në ballin e dashurisë.
Që kur kam lindur sytë nga qielli,...

Lutjen e parë ia fala Perëndisë!

Nuk kam kohë të dëgjoj sirenat,
(Oh, sa ëmbël dinë të më ndjellin!)
Pas erës së tyre përgjojnë hijenat,
Pas hijes së tyre bën hije terri.

Nuk kam kohë të zihem me veten,
As me të tjerët s’jam zenë kurrë.
Për zenka e sherre është bota tjetër,
Unë gazin e fjalës e mbolla në buzë.

Nuk kam kohë as që të plakem,
(Kush e lakmoi këtë djall moshe!)
Më rinojnë puthjet e tua prej flake,
Ti, që vlen sa ari i gjithë lotëve!

Nuk kam kohë edhe të vdes,
Me vdekjen kam lidhur kontratë.
Të vijë vetëm në një mëngjes,
Nuk do e pranojë po të jetë natë!...

Nuk kam kohë të pres kohën,
Duhet të rend, vetëm të rend.
Kështu linda, kështu më njohën,
Në sy e në shpirt kam emrin tënd.




Frrok Haxhia, ky bard i folklorit kombëtar.

 
Nga Rrahim Sadiku
 
Në rrugën e visareve të kombit
 
(Duke lexuar veprën e Ismet Krasniqit “Frrok Haxhia, ky bard i folklorit kombëtar”)
 
Kur botës artistike iu dhuruan muzat, me sa duket, me to erdhi edhe kënga shqipe, e cila nisi udhëtimin e saj hyjnor në ato kohë fillestare të krijimit artistik e vazhdon të bëjë jetën e saj e të frymëzohot e të frymojë fuqishëm edhe sot. Kjo dëshmon se kënga popullore shqipe ka vazhduar të ushqejë lumin e krijimtarsisë gjatë gjithë ekzistimit të shoqërisë njerëzore. Ajo ka shënuar rritje të vazhdueshme, cilësie e sasie, gjatë gjithë shekujve. Këtij pohimi i bëhet argument jeta dhe vepra e bardëve të këngës shqipe dhe të këndimit shqip, që bartën nga dita në ditë, nga muaji në muaj, nge shekulli në shekull artin dhe madhështinë e krijimt në gjuhën tonë. Është kjo rrjedhë e gjatë dhe e fuqishme artistike, që artin e të krijuarit e të kënduarit shqip e pasuroi, madhëroi dhe mbajti gjallë gjithnjë, pa shkëputje. Shqip u këndua në moment hareje, po edhe në momentet më të vështira, kështu që u linden zhanre poetike nga më të ndryshmet e me to edhe një mitologji e pasur e një figuracion që të mahnitë shpirtin e mendjen. Shumica e krijusëve dhe e rapsodëve të mëdhenj të kësaj krijimtarie e të këtij virtuoziteti pa fund, kanë shkuar nga kjo botë pa e lënë të shënuar emrin e tyre, po duke na lënë prapa artin e pavdekshëm. Ka ndodhur kështu sepse shkenca e folklorit shqiptar është mjaft e re dhe në rrethanat që kaloi e po kalon ky popull, të shumtën pa kushte normale për njohjen e mirëfilltë dhe studimin sintetik dhe analitik të tyre.

Në kujtesën tonë kombëtare kanë mbetur të ditur e të njohur një numër i vogël krijuesish popullorë e rapsodësh, kurse disa prej tyre edhe në kohët më të reja kanë shkuar pa u vjelë si duhet visari i tyre artistik e kulturor. Në këtë rrjedh, të njohjes e studimit, janë të bërë të njohur e të paharrueshëm Dervish Shaqa, Salih e Feriz Krasniqi, Rizah Bllaca, Sadik Cokli, Bajrush Doda e një vastër i gjatë emrash të rapsodëve, të cilët lanë gjurmë të pashlyeshme në traditën popullore mijëvjeçare të popullit tonë. Me këtë, deri diku, është krijuar një traditë e marrjes me jetën dhe veprën e rapsodëve e krijuesve të veҫantë, duke botuar për ta monografi, studime, emetime këngës e filmime. 
Këtë traditë është duke e ndjekur, studiuar dhe bërë të nohur artisti dhe krijeusi e publicisti Ismet Krasniqi, i cili me monografinë “Shekuj zgjojnë nga gjumi”, kushtar krijuesëve dhe interpretuesëve të rrallë të këngës shqipe, Salih e Feriz Krasniqit dhe me monografinë “Frrok Haxhia, ky bard i folklorit kombëtar” ka sjell të dhëna të shumta për këta njerëz të mëdhenj të këndimit popullor shqiptar e të mbajtjes gjallë të traditës sonë, po ka botuar edhe libra e shkrime të tjera nga kjo fushë e pashterrshme e tejet e nevojshme që të njihet, të mbetet e dokumentuar dhe e future në rrugën e madhe të studimit, për sot e për gjeneratat e ardhme.
 
Monografia “Frrok Haxhia, ky bard o folklorit kombëtar”, që i kushtohet këtij artisti të madh, me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe kujtimit të përjetshëm për jetën e veprën e tij, na njeh me një artist madh, të rrallë, e të veҫantë, si interpretues, niohës dhe përhapës të gjithë laramanisë zhanrore e tipizuese të këngës shqipe.

Autori ka ndjekur zhvillimin intelektual dhe artistik të Frrok Haxhisë dhe këtë e ka bërë natyrshëm, pa sforcime, pa pozime prej narrator. Andaj kënaqemi duke udhëtuar përmes rrugëtimit të tij artistik, i cili shpie në rrugën e “visareve të kombit”, si quhej ne shekullin e kaluar ajo trashëgimi popullore që ruhejm krijohej, vilej dhe botohej parreshtur në Shkodër e gjetiu. Me këtë botim Ismeti ndjek rrugën e trasuar nga Gjergj Fishta, Vinҫenc Prenushi, Donat Kurti e shumë të tjerë,të cilët me njohjen, përkushtimin dhe kujdesin e treguar, bënë që krijimtaria jonë shekullore të shihte dritën e të radhitej ndër letërsitë me vlerë të përbotshme.

Monografia na njeh me mjedisin që e ka lindur, krijuar, nderuar dhe adhuruar këtë njeri të madh dhe këtë na e dëshmon me të dhëna, me fakte, me analiza. Se është kështu e pohon Frroku në një intervistë, kur thot: “U rrita në odat e malësisë, u frymëzova dhe u burrërova në to, në këmbimet e mendimeve, fjalëve, tregimeve e këngëve folklorike nga burrat dhe artistët kohës. Në fëmijëri fillova t’i bie çiftelisë, që nga mosha 14 vjeçare.” Të gjitha këto pastaj i dëshmon me arritje konkrete të Frrokut, me mendime të të tjerëve për të, me fotografi të shumta, që e ilustrojnë bindshëm e gjithanshëm tekstin. Vazhdohet mandej me mendime të Frrokut për artin popullor dhe për studimet për të, botohen edhe intervista të zgjedhura që ky krijues dhe interpretues i rrallë i këngës shqipe, ka dhënë për shtypin shqiptar, po edhe me të dhëna të tjera që e plotësojnë dhe nxjerrin në dritë si e meriton artistin e pavdekshëm. Edhe më të plotë këtë libër e bëjnë kushtimet, mendimet, krijimet dhe veprimtaritë tjera, që bashkëkohanikët e Frrokut kanë thënë për të, të gjitha të mbështetura në vlerat e tij si artist, si njeri dhe si veprimtar. Kudo, në vepër duket e përjetohet dashuria e madhe e Frrokut për kombin, për vlerat e tij e sidomos për Kosovën martire. Nga gjitha ato mendime e vlerësime të thëna për Frrok Haxhinë, do të kisha ndarë atë që e thot rapsodi e i madhi Dervish Shaqa: “Frroku këndon mirë, se kënga e tij është origjinale pa imitime, ai je vetvetja. Frroku, këndon si Frroku....”

Dhe, në veprën “Frrok Haxhia, ky bard o folklorit kombëtar” të Ismet Krasniqit e gjejmë Frrok Haxhinë të plotë, me të gjitha vlerat e jetës dhe të veprës së tij.

Montag, 17. März 2014

Poezia si klithmë malli dhe dashurie


Shkruan Sabit Zeneli

Duke u nisur nga ideja se nga çdo vëllim poetik kërkojmë të jet i ri, autentik i veçant dhe më ndryshe me gjasë jemi ballafaquar me një vëllim që e përmbushë këtë horizont të pritjës kur është fjala për përmbajtjën e tij duke pare formen dhe strukturen si është shkruar.Autentike dhe ndryshe do të thosha.

Të shtrojmë një ritual hipotetik: tradita është inegsistente,çdo poet është i pari dhe natyrishtë i detyruar të krijojë një botë të vacant pa ndikim dhe pa marrë asnjë model..

Sadie Ismajli-Ilirida vjen në botën e artit poetik me përmbledhjen e dyt me poezi me titull KOSAOVA E LAGUR NGA GJAKU. Në këtë vëllim autorja na sjellë poezi te çastit te motivuar me një tejndjeshmëri dhe është një poezi koherente në të cilën vërejmë jo vetëm lidhëshmërin e vargut por edhe lidhshmërin e poezis me poezinë madje edhe te ciklit me cikël e që si motiv ka luftën e popullit tone për liri e duke u fokusuar më shumë në luften e lavdishme te UÇK-së ku kontributi autorës ka qenëi theksuar. Duket se te gjitha ciklët në këtë përmbledhje kanë një ngjashmëri.

Dy përmbledhjet e Iliridës kanë vazhdimësi tematike ne sensin e komponimit te tekstit. Ajo poezin e sajë e shkruan si një klithmë egzistenciale te përsonit që i është mohuar e kaluara dhe aspak nuk e kënaq e sotmja dhe kështu nëpër vargun e saj kërkon të krijojë një univerz te vetin poetik dhe kështu të arrijë te komunikoj me lexuesin.

Duke qenë luftëtare besnike dhe e vendosur për idealet e lirisë ajo i çmon lartë të gjithë ata që në kohë dhe rrethana te ndryshme luftuan dhe u flijuan për lirinë e kombit.

Meq poezija është një ringjallje e gjithçkaje shpirtërore ajo permes vargut arrinë që te hedhë dritë mbi te djeshmen e lavdishme duke ringjallur lavdin dhe ngrit në piedestal heroizmin individual te shumë brezave.

Poezia e Iliridës nuk është provinciale dhe lokaliste por ka përmasa nacionale.

Ajo ju këndon përsonaliteteve më emblamatik të kombit si: Adem Jasharit, Zahir Pajazitit, Ibrahim Rugovës, Harun Aliut, Enver Ademit, Fazli Grajçevcit,Jusuf Gërvallës, Fatmir Krasniqit pra atyre që në periudha te ndryshme luftuan për Atdhe me pushkë e pend. Ajo nuk hamendson asnjëherë të këndojë edhe për përsonalitete që ishin ndër bartësit e luftës dhe që sot janë funksionar të lartë shtetëror si Hashim Thaçi, Rrustem Mustafa –Remi, Nevzat Halili... Poezia e sajë ka një shtrirje gjeografike mbarëkombëtare,ku spikatën poezit për Kosovën,Shqipërin,Luginën e

Preshevës,vendlindjen e saj Iliriden dhe në vargun e sajë hetohet dashuria dhe nostalgjia si dhe dëshira që një ditë të bashkohen në një shtet.

Ilirida me mallë dhe respekt krijon vargje edhe për familjën e saj ku më e spikatura del poezia kushtuar Nënës Qamë, pra të ëmës e cila e sëmur rend në kohë lufte i lë amanet së bijës mos ta varros në oborr edhepse është shtetrrethim,për mos ti lënduar nipat e mbesat që ndodheshin në mergim kur te ktheheshin në Atdheun e lire sepse ajo e kishte ndier lirinë. Poetja tanimë edhe vetë gjyshe përpiqet që permes vargut të shpreh dashurin dhe mallin që ka për nipat e mbesat që aktualishtë janë në diaspor dhe me padurim pret ti takojë.

Temat dhe motivet në këtë vëllim e ruajnë mënyrën e ligjërimit te cilat bashkërendojnë me stil e shije nga ngjarjet historike, e personalitete si nobelistja Nëna Tereze.

Ilirida nuk lë pa shprehur mllefin e sajë për të sotmen, për dukurit devijante në shoqëri dhe fokusohet te fati i te zhdukurve qe akoma mbetet një plagë e pasherueshme por pa e humbur asnjëherë artistiken e domosdoshme dhe në këtë mënyr ajo del përcjellëse ndjenjash të cilat e përafrojnë me lexuesin dhe së këndejmi del prore luftëtare për afirmimin dhe poetizimin e vlerave sikur kur sigmatizon me mllefin lirik të çiltër.

Vargjet e sajë rrezatojnë mishërim në të mirën, duke pasqyruar rrethana dhe gjendje konkrete të punës së përditshme ajo ka qitur në pah profilin e sajë si veprimtare e cila së bashku me të shoqin është rreshtuar drejtë në qështjen kombëtare.

Poezia e Iliridës në këtë vëllim shfaq modestinë dhe thjeshtësin e shoqërisë e të njeriut e që mund të merret si shenjë pjekurie me plot ndjenja të brendshme shpirtërore pa i lënë vend vetëlavdatës dhe vetëkënaqësisë. Gjithësesi poezia e Iliridës mbetet një kërkim figurative i angazhimeve te sajë poetike. Jamë sigurtë që Sadije Isamaili-Ilirida nuk do të kënaqet me kaq por do të na ofrojë kënaqësin të lexojmë poezi te reja nga ajo edhe në të ardhmën sepse ajo defenitivishtë është poete…

Podujevë, 30.07.2011

Mittwoch, 26. Februar 2014

Rrahim Sadiku dhe romani "Shtetthasit"

 
Kritikë letrare
 
Roman postmodern
me vlera të rralla
  •  Rrahim Sadiku “Shtetthasit” I,II, III, roman, Zgjimi, Ferizaj, 2011

 Shkruan Ragip Kҫiku

 Që në fillim të këtij punimi e ndjej të nevojshme të theksoj se romani voluminoz “Shtetthasit” i Rrahim Sadikut të shtyn të mendosh për vendin e një vepre, si kjo, në kohë e në hapësirë. E ndjej këtë nevojë sepse ky roman është nga ato krijime që shkruhen rrallë dhe për të cilat jeta dhe rrethanat shoqërore, për të ndodhur ai, nuk paraqiten shpesh. Për krijime të këtilla artistike as ecja e kohës dhe as ngjarjet që i ndodhin një vendi e një populli, si ishte rasti me Kosovën në fund të shekullit të kaluar, ngjarje këto që i kemi të përjetësuara këtu, nuk krijohen lehtë, lumturisht. Mu për këtë mund të themi lirisht se “Shtetthasit” është roman që lidh kohë, që analizon dhe sintetizon gjithanshëm shpirtin njerëzor, që çmitizon heroin e që lë pak shpresë edhe për njeriun e zakonshëm. Kjo arrihet përmes përkushtimit krijues të autorit; përmes formave dhe gjetjeve artistike nga më të ndryshmet dhe përmes gjuhës e stilit, që kombinohen me individualitetin e personazhit, me aspektin kohë dhe me kuptimin letërsi. Të gjitha këto e tipizojnë këtë roman në radhën e veprave postmoderne, të këtij drejtimi letrar, që realisht është një lëvizje e gjerë filozofike, me kërkime të shumanshme artistike e me qëndrime shoqërore që thyejnë tabu e norma, po gjithnjë duke pasuar për bazë modernizmin. Tejkalimi i shumë kërkesave që kishte letërsia modern e shekullit të kaluar, bënë që postmodernistët të shquhen për individualitet krijues, për qëndrime të theksuara të lidhjes së artit me realitetin e imagjinatën; për relativizim të vlerave e normave shoqërore e artistike, që deri dikur ishin të paprekshme dhe për skepticizëm shumë më radikal se paraardhësit e tyre. Të gjitha këto të veçanta të postmodenizmit janë realizuar bindshëm e natyrshëm në veprën e Rrahim Sadikut.
Ashtu si thuhet në trajtesat për postmodernizmin, romani i Rrahim Sadikut po ashtu shquhet për pluralizëm krijues, për këndvështrime të ndryshme në sistemin e vlerave dhe normave njerëzore e krijuese. Me gjithçka ky roman ka bërë lëvizje të duarnduarshme kërkimesh e gjetjesh dhe lexuesi e sidomos kritiku e ka shumë të vështirë për ta definuar plotësisht dhe saktësisht tërësinë dhe të veçantat e tij. Romani ofron strukturë shumëdimensionale dhe nga ky aspekt është novator në krijimet në prozë, në prozën e gjatë saktësisht, ndër ne.
II.
E fillova këtë shkrim kritik pas leximit të një serie romanësh të botuara në gjuhën shqipe e në gjuhë të tjera, viteve të fundit; duke krahasuar vlerat dhe mangësitë e tyre, prej vetvetiu më lindi pyetja: pse kritika letrare shqipe, njohësit e rrjedhave letrare ndër ne dhe lexuesit e kanë anashkaluar dhe nuk e kanë vlerësuar ashtu si duhet dhe si e meriton romanin trevëllimësh “Shtetthasit” të Rrahim Sadikut?! Dhe më ra ndër mend se Rrahimi Sadiku është autor që nuk imponohet, që nuk i keqshfrytëzon avantazhet e tij për mundësi reklamimi dhe se ai ka bindjen që vepra duhet të bëjë jetën e saj si vlerë e jo si shtytje nga autori i saj. Kjo sikur më obligoi të shkruaja një analizë kritike për këtë roman, duke dashur kështu që të mos kalojë në anonimitet kjo vepër me rëndësi e
letërsisë sonë në përgjithësi. Aq më shumë e ndjeva të nevojshme ta bëja këtë sepse janë shkuar recensione, kritika, studime e ode për vepra që nuk e meritojnë, për autorë që paguajnë të vlerësohen sa më lart për shkrimet e tyre, shpesh edhe për vepra mediokre e pa pikë vlere. Prandaj, në këto rrethana, është tronditës, por edhe i pritshëm fakti që askush nuk e ka parë të udhës të shënojë botimin e njërës nga prozat e gjata më të suksesshme të botuara shqip viteve të fundit. E pash të udhës të shkruaj për përmbajtjen, vlerat artistike e estetike të këtij romani; për risitë karakteristike e të vazhdueshme që sjell ai dhe për gjurmët kohë e hapësirë që e përcjellin atë.
Po e theksoj që në fillim se romani “Shtetthasit” i Rrahim Sadikut është vepër tipike e guximit krijues, e shumanshmërisë njohëse dhe për nga ndërtimi, prozë tipike postmoderne. Tiparet postmoderne të kësaj vepre janë lehtë të hetueshme, sepse shfaqen natyrshëm, pa ndonjë imponim formal apo të dhunshëm. Ato tipare janë skalitur thellë e fuqishëm të cilat nga autori janë të vëna në shërbim të rrëfimit, të paraqitjes dhe individualizimit të personazheve, meditimeve, dialogëve, monologëve e ecjes nëpër kohë, duke arritur që pjesët dhe tërësia të rrjedhin bindshëm nëpër atë që formon jetën në gjithëmbarshmërnë dhe tërësinë e veprës.
“Shtetthasit” është roman për thyerjen. Në një vend, në një kohë dhe në një hapësirë ka ndodhur thyerja. Një popull i robëruar dhe një vend i shkatërruar, pas një lufte rrëqethëse, gjenden në epokën që e synohet, dëshirohet e mendohet të jetë epokë e ardhjes së lirisë dhe përparimit. Por imagjinata për lirinë dhe përballja me realitetin në liri nuk përkojnë midis tyre, madje nga dita në ditë largohen dhe tëhuajësohen. Pjesa dërrmues e njerëzve, të gjendur midis një bote kaotike e që tejkalon pritjet e tyre, fillojnë të realizojnë ëndrrat e tyre të fshehura, shpesh pa i zgjedhur mjetet e pa asnjë skrupull. Ata janë në vendin ku nuk ka më pothuaj pa asnjë normë ligjore e njerëzore, ku sikur është humbur kufiri midis realitetit dhe ëndrrës. Aty realiteti është vrasës e ëndrra më joshëse se kudo. Duan të realizojnë ëndrrat që nuk ia kanë rrëfyer as vetes dhe nisin të kuptojnë veten e tyre, të shohin veten ashtu si nuk e kanë parë e njohur kurrë. Heqja e maskave, së pari para vetes e më vonë edhe para të tjerëve, i tregon ata se nuk ndryshojnë me asgjë nga të tjerët, se janë të mbrujtur me të keqen dhe kjo njohje i shtyn në veprime, nga të cilat përfitojnë shumë, bëhen të fuqishëm e të pushtetshëm, po të zhveshur shpirtërisht e moralisht. Ndërtimi kriminal i brendisë së tyre nis e shpaloset vrullshëm, në fillim si pa u hetuar, më vonë duke u tipizuar e duke marrë formë përditshmërie. Këta të burgosur nga vetja e nga i huaji, të shumtën edhe me mendjen e me zemrën të burgosur, nisin e krijojnë liri për të tjerët, gjithnjë duke i parë ata si objekt e veten si subjekt. Atyre u zgjohen etje përvëluese për të fituar emër, pasuri e lëvdata, duke u bindur, së pari para vetes e duke dalë me atë bindje para të tjerëve, se janë të lindur të mëdhenj e për vepra të mëdha. Madhështinë e matin me veten dhe përherë gjykimet i nisin nga vetja. Madhoshi, një nga personazhet kryesore të romanit, është tipizim i tyre. Shoqëruar nga Trullaci, ai krijon një tandem ligësie e mburravecërie, mendimesh e veprimesh pa kuptim, që në jetën e përditshme të asaj anarkie marrin kuptim dhe bëhen të ligjshme, sepse ligji e pushteti tashmë janë ata. Si pushtetarë të paskrupull ata dalin kur e ngacmojnë ndërgjrgjien e të tjerëve dhe i detyrojnë njerëzit t’i duartrokasin, t’i pranojnë e t’i mburrin për të gjitha ato që bëjnë, dhe në biseda e në ndeja flitet e kinse edhe besohet se ato veprime janë shumë të kuptueshme e shumë të drejta.
Përballja me joshjen, me mundësinë për të bërë ç´të teket, po edhe me oferta që tundojnë e që vijnë nga të gjitha anët, edhe në momente normale, i nxjerrin njerëzit nga binarët normal të jetës e lë më në kushte kaotike. Shohim në roman ase si njerëzit, edhe ata më të thjeshtit, fillojnë e krijojnë moralin e tyre të ri, i cili ata i shndërron në
kameleonë, ua humb unin dhe ua vë në gjumë vetëdijen e ndërdijen. Ata më nuk e dënojnë krimin, nuk distancohen nga krimineli, e lavdërojnë dhe madhërojnë vjedhjen, e nderojnë vjedhësin dhe ligësisë i thonë mirësi. Kudo hasen veprime që e arsyetojnë suksesin e pamerituar të të paaftit, që e mburrin paditurinë, mohojnë punën e i thurin ode grabitjes, kotësisë dhe jetës pa të ardhme. Realisht aty nuk ka të tashme, sepse jetohet si në ethe e pa menduar gjakftohtë, kurse për të ardhmen as e vret kush mendjen.
Ka ndryshuar sistemi i brishtë i vlerave, ka humbur rrënja e të gjitha kuptimeve dhe pakuptimsia ka zgjeruar mbretërinë e saj të errët. Paaftësia është shndërruar në aftësi, injoranca në dituri, shenjtëria në kotësi, drejtësia në pengesë, dituria në humbje kohe. Pjesa më e thyeshme, në gjithë këtë janë ata që dikur krenoheshin se ishin idealistë dhe se ishin të gatshëm të sakrifikonin, edhe veten e tyre, për ideale. Me t’u ballafaquar me joshjen e me pushtetin, ata më nuk kanë ideal, nuk njohin sakrificë dhe sillen plotësisht ndryshe nga ajo që kanë besuar se janë dhe me tërë qenien duan të jenë tjetër nga ajo që kanë thënë se duan të jenë.
Bashkëkohësia, e parë me gjithë shumëdimensionalitetin dhe monstruozitetin e saj, gërsheton të zakonshmen e të madhërishmen, shpirtin e dëlirë dhe shpirtprishjen, etjet për pushtet dhe pësimet nga pushteti. Kudo janë të dukshme gjurmët e robërisë së gjatë dhe pasojat e saj në lirinë e brishtë. Ato barten me unin e rrejshëm të individëve dhe me paraqitjet e tyre fryrëse, që tashti nuk duan të ndalin të keqen, sepse tashti mu ajo është e pritura dhe e pandalshmja, ata, me vetëdije e pa vetëdije, shkaktojnë pasoja te individët tjerë dhe pengojnë mirëqenien e të tjerëve: ”Ata thoshin se kishin luftuar e do të luftonin deri në fund për shtetin. Thoshin kështu e kujtonin se shteti ishin ata vetë dhe e trajtonin atë sikur ta kishin dhuratë për vete, si një timar të kohës së Perandorisë Osmane. Flitnin për ligjin në shtet e vetë jetonin plotësisht si të jashtëligjshëm, me krimin si shoqërues të përhershëm e të domosdoshëm” (vëll.I, f. 5). Një hyrje e këtillë dhe ky guxim për ta shikuar të vërtetën në sy, tregojnë se para lexuesit do të shpaloset groteska e një vendi dhe një populli që ka jetuar mbi dymijë vjet në robëri dhe që lirinë, njerëzoren, demokracinë, shkollimin, organizimin, shtetformimin e shumë veprimtari të tjera, jetike për të ekzistuar në kohë e në hapësirë, do t’i trajtojë joseriozisht, duke u përpjekur secili që ato t’i ketë për vete e për klanin e tij dhe që të përfitohet nga ato e jo të ndërtohen ato. Personazhet e romanit vijnë nga një shekull idealesh, me të cilat ishin brumosur e nga një realitet që e imagjinonin, po nuk e njihnin. Koha tregon se ata realisht nuk e njihnin as veten e tyre, sepse bien shpejt dhe pa skrupull në grackat e joshjeve që u siguron pushteti të cilin as e kishin menduar se do ta posedonin ndonjëherë, andaj duke vjedhur, shpërdoruar e duke u lidhur me krimin, ata dalin se realisht kishin qenë të zhveshur nga të gjitha vlerat njerëzore e se kishin qenë të frustruar, të dobët si intelektualisht ashtu edhe moralisht.
III.
Romanit i mungon heroi, edhe pse shumica e personazheve bëhen sikur vijnë nga bota e heronjve dhe e heroizmave. Të shumtën ata shtihen sikur kanë kryer veprime heroike e sikur janë të destinuar për të qenë një me heroikën. Nga këtu nis filozofimi për jetën, për dukuritë, për qenien e mosqenien, për brishtësinë e jetës njerëzore, që na del groteske e shpesh e shndërruar në absurd, brenda së cilës qenia njerëzore shkatërrohet për hiçgjë. Në këtë shkatërrim, ku e reja lindet bastarde dhe e zhveshur nga të gjitha cilësitë, shkrimtari nuk ndjehet i humbur, sepse diku në thellësinë e tij, të disa personazheve të tij, është besimi se e gjitha mund të jetë edhe ndryshe. Prandaj ai niset në vazhdimësinë e kërkimit, duke hyrë vogëlsive e madhësive, brendive e jashtësive, duke shpalosur para nesh edhe shumë gjëra që personazhi nuk ia pohon shpesh as vetes. Lind kështu lufta e brendshme, ajo e përjetshmja, që te shpirtprishësia kalohet me injorancë, me ngulfatje të unit dhe me tëhuajsim të vetes. Kujtohemi pastaj se gjatë leximit të romanit kemi hasur në gjerësinë e kundrimeve në jetë, në një vend dhe në brendinë e personazheve që me fjalë e veprime duken sikur nuk u bëhet vonë për asgjë, që duan të jetojnë, me çdo kusht dhe pa i zgjedhur mjetet.
Në aspektin e ndërtimit të veprës, kapitujt janë ndarë pa shkëputje të rrjedhës së ngjarjes, sepse ajo është një tërësi, e rrëfyer nga njëri e nga tjetri, ku narrator është secili personazh dhe autori nuk rrëfen, po shënon atë që mendon, dëshiron personazhi. Mu për këtë vepra fiton peshë dhe i jep mundësi autorit që të tipizojë bindshëm personazhet, të cilët janë mjaft shumë e secili ka qëndrim, kërkesa, botë të padeshifruar e realisht shumë deshifrueshme, në mënyrën e vet. Kjo është arritur me pasurinë e fjalorit që u vihet në shërbim personazheve, që e madhëron ngjarjen dhe që pasuron funksionalizmin e ligjërimit, që nis nga gjuha e përditshmërisë dhe kalon te gjuha e zgjedhur, nga fjalët më të zakonshme, deri tek neologjizmat, që gjithnjë janë në shërbim të vlerës e cilësisë së veprës. Kjo cilësi arrihet përmes stilit që ndërron sipas rastit, po që shpesh është pa stoli letrare, i zhveshur nga figurat e fjalët e zgjedhura, duke krijuar kështu ambientin për të njohur më mire atë botë, ato personazhe, ato gjendje karakteristike për një popull të tërë. Por, kur e do momenti, kur niveli i rrëfimit kalon nga përditshmëria lidhet me personazhe që kanë botë të pasur intelektuale e shpirtërore, ballafaqohemi me stilizime nga më të lartat, nga më të pasurat dhe nga më të larmishmet.
Rrahim Sadiku është krijues që e di mire se sa me vlerë e sa e fuqishme është pesha e fjalës. Andaj edhe fjala kërkohet, latohet dhe vihet mu në vendin e duhur, duke mundësuar kështu krijimin e një kalaje prej fjalësh, të cilën nuk e mposhtin dot keqpërdoruesit e ligjërimit poetik, që shpesh dalin në vepër dhe duan të shkatërrojnë edhe mendjen e edhe shpirtin e traditën e një populli. Romani përshkohet nga pjesë me ndërtim të theksuar poetik, nga mendimet pa mendime që u duhen personazheve për të mbijetuar në ato rrethana, për të dale te thellësia e meditimit, te shkoqitja e problemeve të jetës, të kohës e të hapësirës në të cilën ndodhin të gjitha.
Romani “Shtetthasit” është edhe roman i guximit. Autori ka guximin të merret me probleme shumë aktuale, me dukuri që ende janë në zhvillim, me shpalosjen e mangësive dhe plagëve që shumë i duan të mbyllura e të harruara. Kjo aftësi e ky guxim për t’u marrë me tema të ndjeshme kanë edhe koston e tyre, kështu që ai këtë e ka paguar me tentimin e vazhdueshëm për heshtjen e tij; me mohimin që i bëhet nga ata që dikur i kishte bashkëidealist dhe nga kritikë e krijues që nuk duan vlera që i tejkalon krijimet e tyre.
Kam lexuar dhe mbajtur mend një thënie të Rrahim Sadikut, i cili se thoshte se teoritë dhe rregullat letrare krijohen për të mësuar krijuesi nga ato, ndërsa krijuesi i vërtetë mëson nga ato teori e rregulla dhe, në mos i tejkaloftë, së paku përpiqet t’i tejkalojë ato. Me këtë pajtohem edhe unë, sepse po të mos ndodhin këto tentime e këto arritje, krijimtaria letrare mbetet në vend, bëhet e përsëritshme, rutinore dhe si e tillë do të mbetej pa arritje. Realisht, Rrahim Sadiku me romanin “Shtetthasit” ka krijuar një vepër që e tejkalon momentin krijues në letrat shqipe; na ka dhënë një vepër që nuk ka ngjashmëri me romane të tjera ndër ne dhe ka arritur të ndërtojë një strukturë të re të shkrimit postmodern. Pra, kemi të bëjmë me vepër madhore, e cila ka në thelb postmodernen autentike.

Samstag, 22. Februar 2014

Sadik Përvetica - Dy tregime satirike


PO DAL PËR NJË GOMAR!
 
(E keqja ka jehonë të madhe, ndaj dëgjohet shpejt, thonë, megjithëse për njeriun më mirë do të ishte po të ndodhte e kundërta…)
-…Ku mbeti, vallë?! Kah paska shkuar?! – u habitën të gjithë njerëzit e shtëpisë së madhe të xha Metës, fqinjit të parë të Hardahushit, të cilët, si zakonisht, edhe atë ditë, ktheheshin: ca një nga një, e ca në grupe. Ishte familje e madhe ajo e xha Metës, pensionistit, i cili, kohëve të fundit, shumë rrallë dilte nga shtëpia dhe i cili, tani kalonte kohën, herë duke dëgjuar lajmet, herë duke shkruar diç në ditarin e jetës…
Ndaj, secili që kthehej në shtëpi, atë ditë, menjëherë kuptonte se në shtëpinë e tyre kishte ndodhur diçka e papritur…
-Ç’u bë me të?!
-Kur ka dalë…?
-Kah ka shkuar?! A e ka parë kush?!
-Ku mbeti, vallë?!
Kështu pyetnin njëri-tjetrin të gjithë njerëzit e shtëpisë së tij atë ditë. Shqetësimet e tyre ishin shumë të mëdha. E…të gjithë tashmë e kujtonin vetëm fjalinë e fundit të tij: “Po dal për një gomar…!”
-Çfarë gomari, mor?! A jemi qytetarë, a nuk jemi?! Pastaj… Pastaj, ai qëmoti e ka lënë zotshpillëkun. Apo, (ruana Zot) mos ëshë çmëndur njeriu?!
-Ai gjithmonë ka qenë shumë i hollë nga mendja, megjithatë… Njeriut kurrë nuk i dihet…!
-Zatën, po të kishte përmendur ndonjë lopë, hajde, de, ngase lopa milet. Po gomari…?! Ç’i duhej sot gomari atij dhe neve?!

 +++
-Mos rrini duarkryq, mor burra, por …Hajde: nisuni dikah! – urdhëroi menjëherë Hardahushi, posa arriti dhe…kuptoi si ishte puna
-Paj, duhet të dalim dhe ta kërkojmë dikund, por… kah t’ia nisim? – hamendej njëri nga meshkujt e shtëpisë.
-Paj… Së pari nisuni kah më të afërmit, pastaj shkoni kah…kah më të largëtit, sepse… gjithmonë kështu duhet – foli Hardahushi, i cili,…një kohë pati punuar edhe si mësues në një fshat, ndaj… menjëherë iu kujtuan ato katër parimet pedagogjike që i kishte mësuar qysh në bankat shkollore: 1.Prej të afërmes, kah e largëta. 2.Prej të njohurës, kah e panjohura. 3.Prej të lehtës, kah e vështira, dhe 4.Prej të thjeshtës, kah e ndërlikuara…
-E, po të mos e gjejmë as nëpër shokë, as nëpër miq, atëherë duhet, pa humbur kohë, ta shpallim edhe në gazetë humbjen e tij – foli një tjetër.
-Mirë, de, mirë! Njëri le të niset, kah shtëpitë e bijave, të hallave e të tezeve…Pale, mos ka shkuar dikund atje… - foli edhe fqiu i fundit, i cili iu bashkua turmës së njerëzve që po rritej në oborr.
Në ndërkohë arritën (mbase rastësisht) edhe disa miq dhe shokë të shtëpisë.
-Ç’paska ndodhur, vallë, në shtëpinë e tyre? – pyeti veten njëri nga ata, derisa po afrohej pranë grumbullit të njerëzve.
+++
-…Çfarë gomari, ej?! Ku do ta mbajë gomarin në qytet xha Meta?! – u dëgjua zëri i njërit nga të pranishmit.
-Jo, mor, jo! Nuk është e mundur… Ç’i hyn në punë gomari atij tani?! – pyetnin njerëzit, të habitur.

+++
Papritmas, duke u mbajtur në një shkop të drurit, xha Meta u duk në derë të oborrit. “Vallë! A po më bëjnë sytë, apo…ç’janë gjithë këta njerëz në oborrin tonë?!” – pyeti veten ai, derisa të gjithë, gati përnjëherë, u nisën drejt tij.
-Ku ishe, o njeri?! – filloi ta qortonte së largu, e para plaka e vet.
-Babë! A je mirë?! Ç’u bë me ty?! – e pyeti edhe djali i madh, derisa të gjithë të tjerët po pritnin në ankth përgjigjjen e xha Metës.
-Gjysh! Të gjithë ne u bëmë shumë merak për ty – iu hodh në përqafim njëra nga mbesat e vogla xha Metës.
-Ëëëëë! A për këtë qenkeni tubuar? Ja, pra! Edhe unë po ju rrëfej menjëherë: …Më nevojitej një gomar për një …një karikaturë, ndaj dola dhe … e gjeta. Ja, shikojeni – zgjati një letër nga duart e të tjerëve që po pritnin me aq kureshtje shpjegimin për humbjen e tij.
Të gjithë u afruan dhe po shikonin: Ishte një gomar i vizatuar në mes dy sanëve që po digjeshin…
-More, burrë! Më duket se nuk është koha për këso hajgaresh sot! – filloi ta qortonte njëri nga fqinjtë – moshatar dhe shok i fëmijërisë i xha Metës.
-Paj, pikërisht edhe unë ashtu po mendoj – ia ktheu, shumë seriozisht, xha Meta tjetrit. Mirëpo, e keqja jonë – kombëtare- sot qëndron pikërisht këtu: Të rrimë dhe të mahitemi me vetveten, në kohën kur shtëpia jonë po digjet, apo…t’ia nisim punës – turfulloi nëpër hundë xha Meta, shumë i mërzitur...

 
DODA DHE MODA

Në odën e burrave ( ku ishte i pranishëm edhe Hardahushi, sepse…A mund të bëhet diku ndonjë tubim, e të mos jetë aty edhe ai?!) qëlloi edhe një njeri shakaxhi (mos na lashtë Zoti kurrë pa ta!). E thërrisnin: Dodë.
Dikush nga të pranishmit që e njihte mirë, e luti Dodën që të fliste diç për aktualitetin në skenën dhe në jetën shqiptare të atyre ditëve.
Doda ngurroi në fillim, sepse...(Ky i fundit e shihte edhe Hardahushin aty, ndaj…) Mirëpo, kur lutjes së të parit, iu bashkuan edhe ca të tjerë, duke e nxitur me fjalët: “Hajt, Dodë, hajt! Folna diçka”, Doda, me një buzëqeshje të veçantë ( si ai këngëtari që akordon paraprakisht telat e çiftelisë), u ul këmbëkryq, u mendua pak dhe, duke dredhur kokën, ia filloi:
“Hëm! Mor burra…Është një punë…Është njëfarë veprimi, të cilit, ndoshta unë nuk po ia di emrin…Është një sjellje e përgjithshme jona, një sellje aktuale, pra, por shumë e çuditshme, të cilën ne shqiptarët sot, duhet ta … të gjithë së bashku. Mirëpo…ja që emri i asaj pune…, i atij veprimi, apo i asaj sjelljeje, tani mua nuk po më kujtohet saktësisht…Hëm! Oh, bre! Qysh më doli nga mendja?!…Fillon, më duket, me tri shkronjat e para: D,E,M…Mirëpo…Mirëpo vazhdimi nuk po më kujtohet. Oh, bre! Ndihmomni dikush, ju lutem, ndihmomni”
-Mos është fjala: demokraci?- pyeti, i pari, Hardahushi.
-Jo…Nuk është, por…ka lidhje me të – i shkoi buza në gaz Dodës.
-Mos është fjala: demonstrim? – pyeti tjetri.
-Oh, bre!…Shumë e afërt me të, por… as ajo nuk është – gjegji Doda.
-Mos është fjala: demografi? – e gjeti edhe një fjalë që fillonte me ato shkronja, një tjetër.
-Ka lidhje edhe me atë që e përmende, por…nuk është. Aiiii-ih! Qysh më doli nga mendja – i vuri në garë të gjithë për gjetjen e fjalës që kërkonte, Doda, i cili vazhdoi: Shumë në modë dhe shumë aktuale është sot ajo ndër ne, por…!
-Mos është fjala: demarkacion? – thirri njëri nga të rinjtë atje nga fundi i odës, i gëzuar që gjeti edhe një fjalë, e cila fillonte me po ato germa.
-Shumë ka lidhje edhe me atë fjalë që përmende ti, por…nuk është as ajo – foli kinse me keqardhje, Doda.
-Demolim? – pyeti njëri që dikur kishte pasur shumë punë me ata që kishin vepruar sipas kuptimit të asaj fjale.
-…Ka lidhje në kuptim edhe me atë, sepse edhe ajo punë emërtohet me atë fjalë (që nuk po më kujtohet)! Zatën, edhe ajo demolon e shkatërron çdo gjë që vë përpara, por…
-D,E,M?! Mos është: demi? More, mos është mëzat?Tarak? – u ngut e foli edhe një tjetër.
-Besa edhe tarak është sa të duash ai që vepron sipas kuptimit të asaj fjale. Megjithatë…as ajo nuk është – qeshi Doda.
-Shih, shih! Prej demokracisë, erdhëm deri te taraku! Dhe me të gjitha këto fjalë paska lidhje ajo farë fjale; ajo farë pune; ajo farë sjelljeje! Tash njëmend, edhe mua po më intereson puna e saj: cila koka ajo fjalë që paska lidhje me gjithë këto fjalë – foli një plak, pranë Dodës.
-Paj…Siç thashë, ajo është tepër në modë sot ndër ne, axhë – vazhdoi Doda, gjithnjë po me atë buzagaz dhe me atë mjeshtri të të folurit, me të cilën nxiste masën për të menduar…
Gjithkund, kahdo që të sillesh, veprimnet e saj ndër ne i sheh me sytë tu, por…Shumica prej nesh i mbyllim sytë dhe veshët pranë saj, sepse…Ajo paraqitet me fjalë të ëmbla; të buta e mikluese; me fjalë që janë në modë sot! Është fjalë që e ha pazari më së shumti, dhe askush gati nuk mendon më gjatë për pasojat dhe dëmet e mëdha që sjell ajo, gjegjësisht veprimi i saj: shkatërrues, mashtrues e verbues – e sillte dhe e sillte fjalën tërkuzë, në mes gjithë atyre njerëzve, Doda!
-Mos është fjala: demagogji, or? – pyeti njëri që nuk kishte folur ende, deri atëherë.
-Hëëëëëh! Të lumtë, se…! Pikërisht ajo është – foli Doda, me gëzim që erdhi deri te fjala aq e dëshiruar (dhe duke e vjedhur me sy nga pak Hardahushin, i cili gjithmonë e kishte gojën plot...)
-Domethënë, ajo fjalë, me sa po kuptoj unë –foli prapë plaku – përfshika të gjithë ata njerëz që ndryshe flasin, e ndryshe veprojnë?
-Ha-ha-ha! Paj, pikërisht ashtu është. Ti shumë mirë e ke kuptuar, axhë – sqaroi prapë Doda, derisa plaku vazhdoi prapë, me habi:
-Njëmend, kjofarë sjelljeje sot është përhapur shumë ndër ne, megjithëse edhe feja e ndalon! Mirëpo…Hëm! Boll shumë njerëz, njëmend paraqiten me fjalë shumë të mira para të tjerëve, kurse, në tjetrën anë, kur ua sheh punën…! Hëm! Qysh i thatë asaj fjale, qysh?! Shpjegomani edhe një herë, mos pritofshi – i luti plaku të pranishmit.
-De-ma-go-gji! – ia përsëriti një i ri, i cili ia sqaroi edhe kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale: Veprim shumë mashtrues dhe shkatërrues, i cili sot, për fat të keq, prek gjithë kulturën tonë; pastaj politikën, diplomacinë tonë të brendshme dhe atë të jashtme…! Demagogjia shkatërron arsimin, shkencën si dhe gjithë punën e mbarë e të domosdoshme kombëtare – pikësynimin tonë kryesor…
-Njëmend qenka tarak se jo mahi, kjo farë fjale! Tash edhe unë e kuptova – përfundoi plaku.
-Tarak me brirë që mbyt dhe shkatërron çdo gjë në heshtje – e plotësoi mendimin e të parit, edhe një tjetër.
-Izën, o burra, se…kam do punë edhe sot – kërkoi leje, i pari, Hardahushi,(të cilit, me gjasë, nuk i pëlqeu fort loja me fjalë - e Dodës, ndaj…) Vetëm pak më vonë, …duke qeshur nga pak, filluan të shpërndaheshin edhe të tjerët.

Montag, 17. Februar 2014

Izet Abdyli - Një ligjërim i rrjedhshëm poetik

 
Izet ABDYLI

NJË LIGJËRIM I RRJEDHSHËM POETIK

( Rreth librit më të ri të Fehmi Qerimit, "Aty ku s' jam unë ", botoi Shtëpia Botuese "Beqir Musliu", 2014 )
...

Mbresa e parë që të krijohet nga leximi i dorshkrimit të vëllimit poetik të Fehmi Qerimi me titull ,,Aty ku s’jam unë” është se kemi të bëjmë me një poet i cili lexuesve u ofron vargje me një ligjërim të rrjedhshëm poetik. Temat dhe motivet duken sikur vijnë nga një frymëzim spontan por që në vetvete përmbajnë mesazhe të çarta e kuptimplote. Poeti me fantazinë e tij krijuese kap fragmente jete nga përditshmëria duke i veshur ato me petkun poetik e duke i dhënë fuqi vargut përmes metaforave dhe figurave tjera stilistike. Shumica e poezive dominohen me vargje të shkurtëra dhe të krijohet pershtypja sikur poeti dëshiron ti përmbahet maksimës së poetit të madh kombëtar Lasgush Poradeci ,, të thuhet shumë me pak fjalë”. Përmes vargut të tij sikur mëton të bind lexuesin se të panjohurat e kësaj bote, kanë një emër, por edhe dukuritë negative në shoqëri që hasim në përditshmërinë tonë duhet sfiduar duke i emërtuar me emrin që meritojnë. Figurat e tij poetike janë aq të shprehura dhe i japin një kolorit të veçantë këtij vëllimi. Poetin e shqetësojnë dukuri të shumta si e pavlera, fatet , metamorfoza e jetës, imazhet e falsitetit etj. ndaj i rikthehet realitetit të sotëm duke u munduar të iu jap përgjigje shumë dukurive e fenomeneve që na rethojnë.Ky vëllim poetik është konceptuar në katër cikle, si: Dallgë shtegtimi, Simbiozë shprese, Matamorfozë e lirisë dhe Dioptri zemre.

Në ciklin e parë ,,Dallgë shtegtimi” muza e poetit shtegton në labirinthe e kohës e të historisë duke shpalosur unin e tij krijues e duke qenë edhe vetë i degdisur në botën e huaj, na jep tabllo të një realiteti të trishtë ,

Stinëve sikur vdisnim
e nesërmja nuk shihej
ecnim dhe migronim
malli në zemër të vriste
( poezia Mergimtari)

Portreti i mërgimtarit të degdisur skutave të botës ,larg nënës, larg vendlindjes, larg familjes shfaqen me copëra imazhesh në vargjet e poetit Largimi nga vendlindja dhe malli për të pasqyrohet tek një numër i madh i poezive të këtij cikli , ku refleksioni me notat e mallit për atdheun janë të fuqishme. I gjendur në këtë kaos, edhe vargjet e poetit pikojnë lotë me shi dhe notojnë në lumin e dhembjes , në rrugëtimin drejt furtuinave, por pa e humbur asnjëherë shpresën për të ngadhnjyer mbi zymtësinë. Optimizmi i poetit megjithatë shpaloset si një rreze drite në fund të tunelit me shpresën se e mira do ngadhnjejë mbi të keqën, e drejta mbi të padrejtën, dhe fundi i këtij rrugëtimi do jetë patjeter i ndritur.Çdo shtegtimi i vjen fundi andaj edhe ëndrra e poetit shpaloset me bindjen se dielli do të lind përseri . Pothuaj çdo poezi e këtij cikli ka një vlim shpirtëror, një shperthim ndjenjë,një revoltë, por edhe një mesazhë për të dalur ngadhnjimtar në këto dallgë të shpirtit te trazuar.

Në ciklin e dytë ,,Simbiozë shprese” poeti shperfaq me nota pesimizmi situata të caktuara që na dikton jeta, ku jo rrallë shumëçka humb kuptimin e jetës, dhe ndjenja e tragjikes e percjellë si një ogur i zi, duke mos gjetur rrugëdalje para të panjohurave që na rrethojnë. I gjendur para dilemave jetësore poeti asnjëherë nuk pushon se rreshturi në kërkim të shpresës së humbur. Megjithate në këtë reflektim persiatjesh, asnjëherë nuk vihet në dyshim, perpjekja për të sfiduar situatat e tilla:

Mendja nuk burgoset
as fjala
as kënga

(poezia Pa dilemë)

Në ciklin e tretë ,,Metamorfozë e lirisë”, sintagma emblematike e lirisë na vjen shpeshherë me kontraste të papritura, edhe gëzimi, përmallimi dhe ndjenja lirisë herë herë kalojnë përmasen e trajtave reale, ndërhyrja e fusnotave sikur zbehë ngazëllimin e pritur të ndjenjes me sublime të lirisë. I gjendur në këtë kontrast jete, poeti shfaq dilemen:

Kujtuam se golgota
mori fund
Nuk na doli kështu
beteja vazhdon
për të satën herë
liri kërkojmë

(poezia A jemi të lirë)

Në ciklin e katërt ,,Dioptri zemre” poeti sikur hap nje dritare-drite-jete e shprese duke dhënë sinjale të mira me poezinë prelud të këtij cikli ,,Deri në infinit” me urimin për një ditë të mbarë dhe premtimin e ngarendjes drejt qëllimeve të mira, drejtë derës së hapur.Ndjenjat trallisese e dashurisë si një vegim apo shpalim kujtimesh defilojnë si perla poetike në shumicën e poezive të këtij cikli e që e mbajnë poetin me plotë shpresë e optimizëm për jetën.