Samstag, 3. Januar 2015

Ideja poetike dhe ca imazhe mbi gjurmë jete

Nga Zejnepe Alili - REXHEPI 

Vëllimi poetik “Vagëllimthi” është një arritje e radhës për poetin sarandiot Dashamir Malo, i cili herë pas here sjell origjinalitet frymëzimesh poetike, përderisa shkëputet nga përkthimet, meqë vargu i mundëson që të mbajë ritmin me gazin e brishtë dhe ndjenjën e sofistikuar, përmes të cilave veneron i vetmuar përballë stinëve kapricioze të jetës. Intuita prej artisti atë e lë të veprojë lirshëm mbi të menduarit, për të sjellë një mendim të hapur mbi përsiatjen dhe shijen estetike mbi artin. 

Shpirtin e ndjeshëm të poetit e përvijojnë nuancat kuptimore të shprehjeve të Jugut, që konsiderohet një thesar i paçmuar, imazhesh, udhëtimesh, vegimesh…, dhe tërë kjo nuk është vetëm imazhologji, e krijuar si rrëfimet e udhëtimeve të Herodotit, por përsiatje realiteti, përjetimi, njohje nga afër, mbase edhe sprovat e përkthimit i krijojnë mundësinë e alteritetit.


Poeti i frymëzimeve të përditshmërisë, deri më tani, para lexuesit është prezantuar me veprat: “Midis vetmisë dhe heshtjes” (poezi), 1996, “Precedent” (poezi), 2001, “Poezi të zgjedhura” (përkthime), 2005, “Vallja e çmendur e Merylin Monroe” (përkthime), 2006, “Fshehja e lotit” (poezi), 2007, “Ndoshta” (poezi), 2012, si dhe vepra e sapo botuar “Vagëllimthi”. Ky vëllim poetik, të lë përshtypjen se është konceptuar për poetin si një ëndërr e vjetër, në rikthim..., si të ishte e njëjta ëndërr e dikurshme. 


Në një shtrirje tematike të gjerësishme sjell motivin erotik, në këndvështrime përsiatëse, filozofike, refleksive..., teksa në fokus të kësaj trajtese vihet gruaja, si qenie e një intuite të mprehtë, nga vëzhgimet mbi natyrën e saj sensuale, poeti i shpalos bindjet filozofiko - estetike. E sipas disa kodeve të hershme shoqërore: “Ka një rregull shqiptar të njohur botërisht e të provuar në jetë: Gruaja është e paprekshme”, pohon Konica, madje duke e quajtur atë edhe “Perëndesha e vatrës”



Emocioni si përmasë krijuese

Leximi i vëllimit “Vagëllimthi” të hap shtegun e njohjeve të sigurta mbi vlerën e veprës, duke vënë drejtpërdrejt në dukje etnopsikologjinë shqiptare, në këtë nënqiell edhe gruan si “referencë” të një shpërfaqjeje tërësore mbi shoqërinë. Shprehja e mendimit të thellë e ndërton vargun poetik që në të vërtetë shpalos edhe botën psikologjike të Dashamir Malos, me anë tufëzimesh të reja poetike, e reflektimesh të figuracionit stilistik. Simbolika e femrës, gjegjësisht e gruas shqiptare qëndron midis antitezës: Dafinë në lulëzim apo Narciz para pasqyrës. Eh, gruaja “kjo ëndërr e çuditshme”, do të pëshpëriste poeti ynë!


Në këtë vepër, poezitë e të gjitha motiveve e përshkojnë trajektoren e vijave të jetës, ecejaket e gëzim-hidhërimeve të moshës, e nganjëherë ato kanë tharmin e rrëfenjave të këndshme artistikisht, për të tingëlluar si në vargjet:


“Pastaj...
Gjurmët e këpucëve të saj kanë marrë drejtimin
Për nga lindja.
Gjurmët e këpucëve të tij kanë marrë drejtimin
E krahut të kundërt.
Me siguri një zënkë e beftë dashurie,
Si një rrebesh vjeshte...” (63).


“Vagëllimthi” rrezonon me alkiminë shpirtërore të njeriut - poetit soditës përballë Kohës dhe Kujtesës, duke ndjekur gjurmët e dashurisë, si atë vijën e pamohueshme njerëzore, deri në hyjnizim e tragjedi. Fundja “Koha është si një fjollë dëbore, zhduket ndërkohë që ne kërkojmë të vendosim se cdo të bëjmë me të”. Kjo është dhe dilema e madhe hamletiane përpara befasive e pasigurisë së jetës që nganjëherë padiktueshëm na vë përpara sfidash.
Poeti e rijetëson magjinë e perceptimit të hireve të femrës, qoftë ato fizike a shpirtërore të saj. Kur ajo vendoset në ambientet shqiptare, veçmas ato të Jugut, trazohet tërë sharmi i së bukurës, derdhur mjeshtërisht mbi këtë qenie përmasash “hyjnore”. Ndonëse, “Gjithkush thotë që dashuria dhemb, por nuk është e vërtetë. Vetmia dhemb. Refuzimi dhemb. Të humbasësh dhemb. Të gjitha këto ngatërrohen me dashurinë, por në të vërtetë dashuria është gjëja e vetme në këtë botë që mbulon të gjitha dhimbjet dhe na bën të ndihemi të mrekullueshëm përsëri” (Oskar Wilde).


Edhe kur shkruan me nostalgjinë e përhumbjes së qenies njerëzore, me dhimbjen e pashmangshme nga situata të trazuara për qytetin..., poeti D. Malo, shkruan me favore dashurie për femrën, si për një perëndeshë të antikitetit, por jo njëlloj edhe për çdo gjurmë të saj, në raport me jetën: “...Dhe pimë verë,/ dhe dolli ngritëm për mikeshat,/ për miqtë/ dhe për shtrigën e bukur jetë!...” (9).


Pse jo?! Edhe ashtu, perënditë dhe njerëzit janë shumë pranë njëri - tjetrit, pikërisht si pohimi i M. Hajdegerit: “Malli është agonia e afërsisë së asaj që është e largët”. Po këtë ndjenjë, poeti e sjell përmes përshkrimit të bukur në poezinë “Gjurmë jete”: 


“Mos vallë shkrirja e akullnajave,
Ndryshimi i klimës në këtë planet,
Apo ndoshta Ti
E solle këtë pranverë,
Në mes të këtij dimri
Sivjet?!...” (63).


Poeti, adhurues i mendimtarëve të antikitetit, që veprojnë në kryeqendra, si: Athina, Akropoli, Olimpi, Atika e gjetiu, sikur sajon atë barazimin e këndshëm të filozofisë së imagjinatës dhe realitetit, për të cilën nganjëherë ndihet i rezervuar prej hamendësimesh…, por a do të ekzistonte vallë ky dyzim?


Portretizimi femëror në vargje, nga poeti D. Malo, merr atë ngjyrimin sarkastik, ku theksi bie mbi femrën, kur në mjedise publike, fjalëgjemba pëshpëriten për të. Më qartë, sikur ndodh çveshja nga mendimi i ngritur, duke e trajtuar atë si një përmendore e pajetë. Vargjet në vijim na përkujtojnë poezinë e famshme të E. Alan Po-es “Korbi”, jo vetëm me refrenin “Kurrë më” që është tërësisht i njëjtë, por edhe me personifikimin e Pulëbardhës - Korbit, megjithëse ato krijojnë antitezë poetike : “Sa do t’i shkonte kësaj kaltërsie fluturimi yt/ prej pulëbardhe,/ por ti nuk u shfaqe kurrë më.../ por ti nuk erdhe kurrë më!/ ...Kurrë më!/ ...Këngë e pakënduar” (8). Brenga e poetit merr përmasa më të thella dhimbjeje, e cila fillon me qytetin e lindjes, ku rëndon stina e vjeshtës, ndihet më tepër perëndimi i diellit. Veçmas, vihet re një ndjenjë më shumë se brengë në pamjen e zbehtë të peshkatarit dhe natyrisht, shpirti i tij i bakërt. 


Një vepër e ngjeshur kjo, ndjenjash pasionante, nganjëherë me një dozë dramaciteti, ku ngjarja plekset me aventurat, mitet, legjendat, me personazhet e vërteta dhe qeniet imagjinare, por mbi të gjitha, me magjinë e një dashurie përvëlonjëse, të ngjizur me lëndë hyjnore. Dhe këtu natyrshëm, sikur zë vend edhe poezia kushtuar “Nënës”, e cila që në strofën e parë sjell mesazhin e dashurisë së përjetshme ndaj saj: “Iku,/ iku pa kthim,/ që mua të mos më mungojnë kurrë/ këngët/ e dhimbjes”. 


Tejet qartë, vjen në shprehje individualiteti brendashpirtëror, duke pikasur te poeti tendencën e kërkimit të fjalëve sa më të gjetura, krahasime përkatëse për të, të ndodhura midis këtyre dy shprehjeve: refuzuesi i së keqes dhe ndjellësi i ëndjes. Të gjitha shpërthimet poetike janë madje të ndikuara nga imazhet e përditshmërisë pleksur me imagjinatën e krijuesit - ëndërronjës, por që kanë për trajtesë gruan - këtë pikë të dobët të poetit, përderisa ai sikur e ka në mendje thënien e V. Hygo-s: “Me fatin nuk bëhen biseda paraprake, është mbreti Rast ... ai që të bën, fatlum ose fatkeq...”. Megjithëse, në poezinë “Arakneja” (greqish: merimangë), poeti shkruan: “Pranvera është grua/ ka thënë/ një poeteshë/ nga mënyra se si erdhi/ ajo/ sivjet/ u binda vërtetë/ që është/ e tillë”.


Pa e përshkuar në mendje, pothuajse fare, hamendësimin e një përjetimi, a të një jete pak a shumë të stereotipizuar, megjithatë, femra jo gjithëherë del optimiste për ndryshimin e rrugës jetësore pa e menduar atë edhe si ecejake mbi Fat. Meqë fati, është si ajo “Velloja e trishtimit të bardhë”. Përderisa në një orë letërsie, studentët e mi i lexuan poezitë: “Vjeshta e një qyteti prej betoni” dhe “Gruaja e qytezës buzë lumit”, të cilat pothuajse e bartin imazhin thelbësor të idesë poetike të autorit, kuptojmë se këtu dalin në pah dy linja të pashkëputshme: qyteti dhe gruaja dhe të qartësohet tërë jeta vetëm në ca vija të dhembshura e të drithëruara, që enkas, poeti i sjell me tone të buta mesazhesh përcjellëse... 


Ashtu vagëllimthi, kur kujtimet na shpien te “Helmeta e vjetër”, ku çuditërisht ruhen, ditët e fëmijërisë së mallëngjyer, që vështrojnë prej oborrit të gurtë dhe kanë domethënien e atyre karanfilave të bardhë, që ngjasojnë në pulëbardha oqeanesh, si ajo e bardha “Renaissance”, kur lexuesi mbetet me shijen e këndshme të një leximi poetik të arrirë.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen