Montag, 11. Mai 2015

Sabit Abdyli - Cikël poetik


DALLGË MALLI

Po mësoj e nuk mësoj
pse kaq mall për kullat
në ketë vend
pa ëndrra me diell
juga e veriu ndryshe frynë
lejlekët dallëndyshet
në kohë tjetër shkojnë e vijnë
në ketë vend
mall e dallgë
dallgë e mall


Janar, 2014 



ÇAST

Grurë i valëvitur në qershor
reflekton vezullim drite në mua
Erë e bukës mbrume në shtatë fqinjë
ndezur ma mbajnë etjen
dhe nuk ngopëm
me shikimin tënd
kohën
mallin eshkë
zjarr që asnjë çast nuk shuhet 


Janar 2014 



KËNGË KURBETI 

Gurit i bie vala
guri kryeneç,
s’lëkundet dot nga vendi,
i fortë në vend të vet.
Barkën muhaxhir, vala nuk e njeh,
kurdo e fut në thellësi,
kurdo e përplasë në breg.


Shkurt, 2014



STINËT

Pranvera e lodhur
vjeshta e verdhë
As dimri dimër
as vera verë
Larg teje Kosovë
Stina e rëndë plumb
as unë nuk jam unë 


Auckland, dhjetor 2002



VALA HILEQARE

Kreshtë e bardhë mbi valë
Pa pra i njom buzën
Bregut t’saj të tharë
Flladit bregun vala
Rërës i shuan zjarr
Mua flokun zbardh
Valë moj hileqare
Freskomë edhe mua
Se jam mërgimtar


Auckland, 17 tetor 2009



DITË E PËRDITË 

Me bagazh malli plumb
ditë e përditë
i kthehem fëmërisë
tek rrënjë e lisit Arës ledhishtë
kroi i moçëm
tokë e Ilirisë
dihej fjala fjalë
në ballë të oxhakut njerëzit më të mirë 


Mars, 2013 



DYREVE TË BOTËS 

Jeta dyerve të botës
e hidhur pelin
kafes dyerve të botës
kot sheqer i hedh
bukë e dyerve të botës
si lëmsh mbështjellët në fyt
dyerve të botës
jeta pelin 


Mars, 2014



EC E EC 

Gur i shkulur,
spirancë maje thyer.
Ecë e ecë n’kërkim
edhe kur zë vend,
emrin muhaxhir! 


Auckland, tetor 2013



LULE UJISTE 

Zhgjëndërr i shihja;
zogjtë në degë ftoi u lëshuan!
Hap dritaren, u hedh thërrmije,
zbresin e çohen gëzuar!
Këtu ku bren miza hekur,
paskan ardhur!
Nëna me kove nxirrte ujë.
Në ballkon ujiste: lule vathet, sheqeret, shelgjet
Fliste me to.
Saktë e dinte kur çelin e ç’ngjyrë kanë! 


Auckland, janar 2014 



KUJTIME E MALL

Shtëpia ime këngë
jashtë e brenda xham
fjala gur stralli
oborri mbuluar gjelbërim
pemë frutore mollë kumbulla qershi
zëra e qeshje fëmijësh
kohë tjera erdhën
të rrethuan me ndërtesa betoni
të ftohta të babëzitura
metamorfozë kohe e ligë
njerëz urë e vig


Janar, 201416



GËZIM O MALL

Mbaruam fjalët.
Heshtja nuk shkon.
Oqeani qetëson valët,
shkëmbin e pushon.
Hesht kur flas,
flas kur hesht,
ç’më bren përbrenda,
qoftë gëzim o mall! 


Mars, 201417 



ZJARR 

Fletët e kalendarit përherë,
si fletë dushku në vjeshtë.
Jeta mes zjarresh.
Shkruaj e fshi fjalë,
shpresa më prenë e mban.
Mot i përthyer mes rreshtash
merr flakë,
me akull shuaj zjarr!


Maj 2014



KËNGË TONA

Jam bukë gruri,
arave valë-valë.
Jam mik dhembjesh
në shi e acar.
Jam gur këngësh tona,
sy shqiponje sogjetar;
brigjesh malesh fushash
këtej e matanë!


Maj, 2014



IKE

Shkove si ditë e javës!
Zhurmshëm llafet,
hapat pa zë.
Acar i pakohë
fshin gjurmët barit të njomë.
Rrugë me vargje hap,
këngën nuk e ndal,
në secilin varg timin
një zog thur një baladë.


Maj, 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen