Dienstag, 5. Januar 2016

Naxhije Doçi - Poezi


Naxhije Doçi   

VLORA HEROIKE
(Nëntori Jubilar- 2012)

Vlora heroike, beden i kohës
me mallin historik që gufon
përtej baladës së shekullit 
ku Ismail Qemal Bej Vlora 
vizionari i pamposhtur i lirisë
dhe Isa Boletini 
trim i Dardanisë
para njëqind vjetësh,
më 1912 
shpalosën Flamurin Kuq e Zi 
për Pavarësinë e Shqipërisë. 

Nëntori Jubilar - 2012 
valomë e pamposhtur nga motet
me ndjenjësi brezash në përtëritje 
si kurorë e etur madhështie 
për të vërtetën e shtrembëruar
stinëve me zezona trishti.
zanafillës së etur nga përmallimi.

Në dheun lashtor të trashëguar, 
padrejtësisht me copëtime në harta,
në bjeshkë e në vërri
skaj më skaj, 
në tokë e në det
frymon vetëm kuq e zi.

Në Vlorë tok e gjithë shqiptaria 
nga Republikë e Kosovës 
dhe krejt tokat shqiptare 
një shekull ndarë e përqarë 
me egërsi e dredhi të paparë
nga pushtuesit fqinjë grabitçarë.
Hapakrahjeve të ëndërruara
tok edhe diaspora e shpërndarë 
anëve të ndryshme të globit. 

Nëpër shi e fërfëllizë bore
marshojnë me vrulle shëmbëllimi
këmbë e në kalërime të çmendura 
veshur në tirq e kaparana 
plisin në kokë krejt bardhësi
si në kohët e jehut krenar,
të Gjergj Kastriotit të Madh legjendar,
për të mbërritur në Vlorën e Muzave,
në frymëzimin e blerimit të vjetër
që të kujtohet me pietet 
Shqipëria Njëqind Vjet-Shtet

Në gjurmim përmasash të derdhura 
vetëdija në pikturim hirësie
me jeh të dëlirë dashurie,
mëtim i krisur nga flakërimi 
në thyerje barrierash të kufijve 


TANI TOK E DUAM JEHUN TËND
(Gjyshit gur i palëkundur)

Fjala e Tij urtësi e logut
gur i palëkundur 
mbi madhështinë e kullës. 
Eklipseve të nemura të dheut mëmë, 
kur rrethohej kulla 
me egërsi djajësh të shkalluar ,
dragua kohësh me besë e zemër 
në shembje robërish të pakuptimta
mbi themelet prush. 
E nesërmja sfond baladash të hirësisë
në horizontin e frymimit të bardhë. 

Në rrethimin e Tij,
për shkëputje historish të lidhura,
dashuritë vig i palëkundur
damarëve të kallur të kullës,
shkëmbinj epokash bëheshin 
në theqafje lëbyerësish të nemur, 
Ai dhe Kulla moshë e fat të njëjtë. 

Gjyshin me etje të pashuara
për këngën flamur-shkab
e njoha vetëm nga kujtimet e ruajtura
për bëmat heroike në begatim të historisë 
dhe nga fotografia e varur në mur,

Nuk e përjetova kurrë 
ngrohtësinë e fjalës së Tij,
as flokët kurrë nuk m’i përkëdheli
mëngjeseve të bardha të dritës. 
Ëndërr e djegur mbetej përherë 
nëpër kohë
pikëtakimi i brezit me brez,
se luftërat për liri 
në trashëgiminë shkrirë në lashtësi
i shkallmonin gjenezat.
Krenaria për të purpur i pashuar
që zemrën ma ndez
me besë e shpresë.  

Para permendores së gurtë
ngritur në kopshtin djegur përmallimit
(që ta kishim sa më afër prehjen e Tij
ndër kontraste të hidhura stinësh)
me Gjyshin gur i palëkundu
imazh sublim në tela lire, 
bisedoj me frymëmarrje të qetësuar
për zgjim ndërgjegjesh tona të fjetura 
në vlerësim historish të kallura
me hukamë dëlirësie.
Në mermer të bardhë shtova epitafin:
“Tani tok e duam jehun tënd”.



JETËSHKRIMI IM

U linda në kullën e gurtë të bajrakut
rrëzë Gardhinës plakë 
me pirgje shekujsh në pamundësi numrimi 
dhe gjysh e stërgjysh rënë ndër beteja
për tokë dhe rrënjëthella mëtimi 
pellazge-ilire-shqiptare. 
Përmallime të zjarrta kam për ta.

Gjuhën ma mësoi shqiponja e moteve
me bekimin e zotave të mij të parë
pasha tokë e qiell!
Gjyshja në sofrën e shtruar të bujarisë
përbehej me hirësinë e falënderimit
edhe pasha bukë e kripë e dritë e diell!

Është vullnet i shkruar i Zotit,
thënie kur qesh lindur unë,
me refrenin pastë fat në jetë 
më bekuan.

Megjithatë, 
në shpirtin virgjëror apokalips. 
Nuk kishte krismë pushkësh në traditë 
kur gëzoheshin edhe trerët e kullës
për përtëritjen e mirëfilltë të rrënjëve.
Në vetëdijen e tronditur eklipsesh
shtiza e bajrakut 
në pritje të dorës së trimit hirmirë
për beteja të reja 
që nuk kishin kurrë të ndalur
mbi dheun lashtor të dëlirë.


UNË JAM NË RRËNJËT E MIA

Rrugëve me kalldrëm 
të qytetit rrëzë kalasë 
shenjtëruar me mote bujshmërie
shtresat e historisë sime 
janë me dallime
secila më e hidhët për vjetërsinë time.
Por unë jam aty 
ngulitur thellësisht 
me rrënjët e mia,
fill e vazhdim
në palcën e gjenezës së ruajtur, 
në trungun tim të përtërirë
stolisur më bukurinë e gjuhës sime
trashëgimi pellazge-ilire.

Stuhitë e furishme 
nga kënde të ndryshme të dheut,
që vinin e shkonin në theqafje
arkitekturën time 
një grimë ndoshta edhe ma ndryshuan,
por rrënjën time kurrë nuk arritën 
për të ma trazuar.
Lashtësia ime e shtrenjtë
një jetë të tërë 
me dashuri e krenari për ty.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen